2013-09-20

Agron Shala: Per dramen “Pushkatimi” te Ekrem Kryeziut

EKREM KRYEZIU
 Në Teatrin “Istref Begolli” të Pejës, u dha premiera e shfaqjes “Pushkatimi”, me tekst dhe regji të Ekrem Kryeziut. Është kjo një dramë me një fillim dhe një fund që bazohet në një
ngjarje reale. Gjithçka tjetër është imagjinatë.
Juristi dhe gastronomi francez, Anthelme Brillat-Savarin, ka thënë: “Më trego se çfarë han, dhe unë të tregoj se kush je”. Stefano Zecchi, profesori italian i estetikës e revidon këtë thënie në kontekstin modern, në “njeriu është ai çka sheh”. Kryeziu në këtë dramë e jep një version të mundshëm të shtjellimit të një rrëfimi të vërtetë: të një të dënuari me vdekje dhe të mbijetesës së tij. Por, e mira është që ky shtjellim lë hapësirë për interpretime, sipas bindjeve e përvojave të ndryshme jetësore, varësisht se kush çfarë është, e çfarë sheh!
Drama përqendrohet tek Luani, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kishte lënë Holandën, bashkë me të dashurën e tij Blerinën, për t’ju bashkuar luftës kundër forcave serbe në Kosovë.
Luani është ëndërrimtar, siç do të duhej të ishte çdo ushtar. Ai i bashkohet forcave të UÇK-së, për të përjetuar ditë më të mira për vendin e tij, për dashurinë e jetës së tij dhe për fëmijën që ai dhe Blerina e presin. Por, ëndrrat e tij përnjëherë shuhen, e edhe të Blerinës e cila shpresonte ta lindte një vajzë, sepse “mbas luftës vajzat mund ta bëjnë botën më të bukur, më njerëzore…”!
Çdo ushtar e ka vdekjen më afër se uniformën e tij, por shumë larg vdekjen nga një dënim i forcave pjesë e të cilit ai është. Ky është paradoksi me të cilin në rrethana të caktuara ballafaqohen shumë njerëz. Paradoksi i tillë, i mbijetesës dhe i vdekjes, haset edhe në fund të kësaj drame, me një vdekje të kotë e të pakuptimtë, sikur për të na bërë me dije se asgjë në këtë jetë nuk është e sigurt dhe se jeta e vdekja nuk përcaktohen nga ligjet tokësore.
Luani, luftëtari i UÇK-së, dënohet me vdekje nga gjykata e ushtrisë së cilës i takon. Se, a ka qenë i gabueshëm ai, apo vendimi i dikujt tjetër për dhënien fund të jetës së tij, këtë përgjigje Kryeziu nuk e jep. Jo vetëm pse përgjigja do të shndërrohej në një debat të pafund pro et contra, që nuk do të përkonte as me konceptet e tij letrare, por edhe për faktin se janë vetëm gjykatësit ata që përcaktohen për një verdikt, mes dy të vërtetave të mundshme në rrethana të pamundshme. E, Ekrem Kryeziu, që ka qenë vet viktimë e verdikteve “juridike”, po ashtu e ka të vështirë t’ia vë vetes këtë rol.
Luani dënohet me vdekje. Kjo është kryesorja. Dhe, kryesorja do të duhej të ishte ekzekutimi i dënimit apo anulimi i tij. Sipas kësaj logjike, Luani konceptohet si personazhi kryesor, sepse tërë drama bazohet në fatin e tij jetësor.
Por, a “sillet” çdo gjë rreth tij?
Përgjigja është jo. Në fakt është gjykatësi ai i cili do të duhej të perceptohej si personazhi kryesor i dramës, sepse ai e ka në dorë jetën e Luanit. Gjithçka “sillet” rreth gjykatësit. Atij i është besuar roli i më të fortit, i më të dijshmit, i më të pagabueshmit.
Por, a janë të tillë njerëzit, apo Zoti?
Gjykatësi, Flamur Dreni, e ka nofkën Orëtari. Ai shqetësohet për një orë të vjetër, që nuk ecën si duhet. Prindërit e tij ishin ekzekutuar dikur nga regjimi jugosllav. Ai, i mbetur jetim, rritet nga një familje orëtarësh.
Duke u bazuar në përvojat njerëzore, dhe konceptet psikologjike, thuhet se: “Nëse një fëmijë rritet me kritikë, mëson të dënojë; nëse një fëmijë rritet me dhunë, mëson të godasë; nëse një fëmijë rritet me ironi, mëson të jetë i turpshëm; nëse një fëmijë rritet me turp, mëson të ndihet fajtor; nëse një fëmijë rritet me tolerancë, mëson të jetë i qetë; nëse një fëmijë rritet me inkurajim, mëson të ketë besim; nëse një fëmijë rritet me ndershmëri, mëson drejtësinë; nëse një fëmijë rritet me përgjegjësi, mëson të jetë besnik; nëse një fëmijë rritet me miratimin, mëson të pranojë; nëse një fëmijë rritet me pasuri (të pa kontrolluar), mëson se çdo gjë ka vlerën e parasë dhe se jeta mund të blihet; nëse një fëmijë rritet me pranimin dhe miqësinë, mëson të gjejë dashurinë kudo në botë”!
Diçka nga këto i kishte e nuk i kishte jeta e Orëtarit. Ai u rrit në një regjim ku kishte kritikë, dhunë e mungesë miratimi. Prandaj, ai dënon, godet dhe e ka të vështirë të mësojë të pranojë, në këtë rast mendimin ndryshe, apo realitetin ndryshe. Ç’ është më e keqja, “ora” e tij është e vjetër dhe është ndalur, mbase në të kaluarën. Ndërsa, sipas Sigmund Freudit, traumat e fëmijërisë e përcjellin njeriun gjatë tërë jetës. Ndoshta për këtë fakt ai nuk është martuar dhe nuk ka fëmijë, sepse nuk ka dashur “të lë fëmijë bonjak”, si veten e tij.
Gjithçka është e mundur, por kryesorja është se ai nuk ka fëmijë. Ndërsa, kur lind fëmija, lind edhe dashuria. Kjo është një pasuri që atij i mungon.
Dikush mund të thotë se ai po e kryen detyrën e tij, sepse i ka dalë në mbrojtje kauzës së luftës. Por, a nuk është çdo luftë me gabime? Pastaj, a është lehtë të dënohet bashkëluftëtari, i cili deri dje ishte pjesë e kauzës së përbashkët kombëtare?
Gjykatësi në thelb do të duhej ta urrejë dënimin me vdekje, sepse ky dënim e bëri atë bonjak. Për të ky dënim ishte i njëjtë kudo dhe kurdo, prandaj e krahason komunizmin jugosllav me komunizmin në Shqipëri. Dallimi i vetëm për të ishte se prindërit e tij “u varrosën nga rojet serbe, e në Shqipërinë komuniste të pushkatuarit varroseshin nga shqiptaret”.
Kështu do të varrosej edhe Luani, fal verdiktit të tij, e fëmija i tij do të mbetej bonjak, njëjtë siç mbeti bonjak Flamur Dreni dikur!
Libri i shenjtë i Talmudit – i ligjeve, zakoneve dhe moralit hebre – thotë: “Kushdo që shkatërron një shpirt, përfillet sikur ta kishte shkatërruar tërë botën; kushdo që kursen një jetë, përfillet sikur ta kishte shpëtuar një botë të tërë”. Gjykatësi ishte përcaktuar për të parën: të shkatërronte ëndrrën e Luanit, botën e prindërve të tij dhe të fëmijës që pritej të vinte në jetë. Nëse fjala e urtë popullore shqiptare “në dorë të Zotit” nënkupton se jeta dhe vdekja varen nga fuqia supreme, këtë rol gjykatësi ia atribuoj vetes: jeta e Luanit është “në dorë” të tij!
Bota demokratike perëndimore e ka pezulluar dënimin me vdekje, jo vetëm për shkak të bindjeve fetare. Dënimi me vdekje është krim, qoftë nëse kryhet nga individi, qoftë nga një institucion shtetëror. Dënimi me vdekje nuk mund të korrigjohet pas zbatimit dhe i dënuari me meritë nuk mund të reflektojë mbi jetën e tij, për të lënë testamente pendese tek të tjerët. Ky dënim nxitë edhe shpagimin e dëmit, sipas Ligji i Talionit të Hammurabit: “Sy për sy dhëmbë për dhëmbë”. Vdekja e Luanit do të krijonte probleme tek fëmija e tij, e madje urrejtje deri në hakmarrje. Në këtë rreth vicioz, që nuk duket në një moment, e ka futur veten Flamur Dreni.
Dikush mund të thotë se gjykatësi e ka kryer detyrën e tij, s’e ka zbatuar atë që ka mësuar nga librat e jurisprudencës. Por, ky besim i verbër ngjan me deklaratën që një nga ideologët e Holokaustit, Adolph Eichmann, kishte dhënë gjatë gjykimit të tij në Izrael: “Po të më thoshin se babai im është tradhtar dhe se unë duhet ta vrisja – do ta bëja këtë. Në atë kohë jam bindur ndaj urdhrave pa u menduar. Kam bërë atë që më është thënë (ta bëj)”!
Po i japim këto shpjegime për t’u munduar për ta zbërthyer vendimin e gjykatësit. Siç e cekëm më herët: fillimi dhe fundi i kësaj drame është i bazuar në ngjarje të vërtet. Dhe, siç tregojnë rrethanat e vërteta të përfundimit të kësaj historie: gjykatësi e pezullon vendimin e tij. Pra, kishte marrë një vendim të ngutshëm!
Në këtë aspekt, trajtimi i kësaj teme, nga lufta e UÇK-së, paraqet një guxim. Kryeziu merret me një temë të ndjeshme, të pazbërthyer si duhet, e të interpretuar në mënyra të ndryshme. Kryeziu përmes dramës “Pushkatimi” i thyen edhe mitet e shumta shqiptare. Ai i paraqet bashkëkombësit e tij të zhveshur nga aureolat romantike: ata janë njerëz, të vdekshëm e të gabueshëm.
Duke e analizuar transicionin e femrës në Evropë në pjesën e parë të shekullit XX, Carl Gustav Jung thotë se duke u bërë femra anëtar i dukshëm i shoqërisë, ka marrë nuanca të psikologjisë maskuline. Ai madje përmend termin “të bëhesh i zi”, sipas së cilës evropianët nuk mund të jetojnë të padënuar në mesin e zezakëve të kolonive në Afrikë, sepse pa vetëdije psikologjia e tyre futet tek ta.
Ndonëse pothuajse përherë të pushtuar, nuk ka pra se si te shqiptarët të mos jetë ngulitur edhe psikologjia e nënshtruesit. Kështu, shqiptarët e Kosovës nuk janë as më të mirë e as më të këqij se të tjerët, por janë rrethanat që ata i bënë të jenë viktimat më të mëdha të luftës, e edhe të pasluftës nga “pushtuesit” e rinj vendorë. Ndërsa, krimi është krim, pavarësisht nga kush kryhet: qoftë nga komunizmi i ish Jugosllavisë, qoftë nga komunizmi i Shqipërisë; qoftë nga fashizmi i Serbisë së viteve’90, qoftë nga “demokracia” e Kosovës në shekulli XXI. Varrmihësit mund të jenë të ndryshëm, por ekzekutorët janë të njëjtë!
Me këtë fat është ballafaquar edhe autori i dramës, Ekrem Kryeziu. Ai është persekutuar në vitet ’80 të shekullit të kaluar, si nacionalist, nga elita komuniste jugosllave, e po ashtu edhe nga elita komuniste shqiptare e Kosovës, e qytetit të tij të origjinës, për faktin se ishte trashëgimtar i një familjeje bejlerësh që rrezikon privilegjet e tyre.
A nuk janë këto dëshmi të mjaftueshme, që edhe lufta e fundit e jona për liri duhet të shihet me sy kritik, në këtë rast përmes mënyrës se si është ndërtuar karakteri i një gjykatësi i cili është produkt i rrethanave të ndryshme historike e politike? Apo ndoshta përmes fatit dhe kontekstit familjar të Luanit, për të mësuar nga e vërteta objektive e për të mos i përsëritur gabimet, si shoqëri, në të ardhmen.
Babai i Luanit është një burrë që pajtohet lehtë me fatin. Është i paguximshëm të ballafaqohet me të birin e dënuar, edhe nëse kjo do të jetë hera e fundit që do ta shohë. Ai “jeton në histori, më shumë se në realitet”; kërkon distancë, sepse “vetëm pas distancës së konsideruar kohore, do të dimë t’i çmojmë bëmat dhe shkarjet tona”, e jo të jetë pjesë e atyre të bëmave, evitimit apo shmangies së shkarjeve.
Ndërsa, nëna e tij, së cilës po ashtu komunistët jugosllavë ia kanë vrarë babën, ishte përcaktuar për profesionin e matematikanës, me shpresën se shkenca ekzakte do ta shpëtojë nga politika.
Në këtë rreth ka lindur e është rritur Luani: në mes të kalkulimit ekzakt dhe vlerësimit nga distanca. Por, u përcaktua për veprim të menjëhershëm, duke shmangur distancën, pa çka se kalkulimet për luftën nuk janë kurrë ekzakte, siç nuk janë ekzakte as kalkulimet për kahet që merr jeta. Ai kishte guximin, shpresën dhe ëndrrën, ndërsa akuzohet se tek të tjerët i ka vrarë ato! Prandaj, duhet të vdes!?
Gjykatësi me gjakftohtësi ia kumton nënës së Luanit verdiktin e tij, sepse nuk mund të reflektojë si ajo. Ai më shumë interesohet për mungesën e burrit të saj, që në një mënyrë e atribuon si mungesë burrërie, sesa për prezencën e një nëne që ndoshta për herë të fundit e sheh të birin e vetëm.
Ora e vjetër e Orëtarit ka ngecur. Thjesht, nuk ecën me kohën. Ai jeton në të kaluarën, ndërsa komplekset e vjetra i shëron nga pushteti që rrethanat e luftës ia dhanë: të jetë ai që shkruan certifikatat e vdekjes.
Ai në një mënyrë arsyeton çdo vendim të tij, mendon se kishte të drejtë gjithnjë. Kjo vërehet sidomos tek debati me babanë e Luanit, shoku i tij i studimeve. Orëtari beson verbërisht se ligji është etalon, pa çka që ato ndryshuan në shumë etapa të jetës së tij.
Por, ndoshta ai kërkon përgjigje, kuptimin e jetës, rrugëdaljen nga labirinti i jetës së tij. Ndoshta po mundohet ta rregullojë orën, për të mirën e përgjithshme, ashtu siç ai mendon se duhet.
Gjithçka është e mundur…
Poeti dhe autori anglez i himneve fetare, William Cowper , thoshte: “Zoti vepron në mënyra të mistershme”!?
Cowper vuante nga depresioni. Ai donte ta mbyste veten në ujë në lumin Temzë të Anglisë. Por, mjegulla e dendur e çorientoi karrocierin e tij. Pas shumë ecejakeve, Cowper kërkon të dal. Papritmas, e gjen veten para shtëpisë së tij.
Bazuar në këtë përvojë, Cowper thuhet se e shkroi himnin “Drita shndritë nga errësira” që fillon me fjalinë e sipërpërmendur, e që është përgjigja më e shpejtë që dikush mund ta marrë ndaj pyetjeve që nuk kanë shpjegim shkencor dhe që vënë në dyshim vërtetësinë e rrëfimeve biblike.
Kështu mund të shpjegohet edhe shpëtimi i Cowperit nga vetëvrasja. Zoti e dërgoi mjegullën që ai të shpëtoj! Në momentet më të errëta, Zoti u kujdes për të! Rruga drejtë vetëvrasjes u “bë” rruga që shpie drejtë pragut të shtëpisë së tij!
Sulmi i forcave serbe bëhet shkas për ta liruar Luanin, për ta “larë” e dëshmuar veten në idealin për liri. Ai ishte me fat në një fatkeqësi të përgjithshme. Sepse, mbijetoi dhe e lau “mëkatin” që kishte bërë. Lufta mbaroi, ai jeton, e një familje e re lindë.
Ballafaqimi mes të dënuarit dhe gjykatësit, është ballafaqim i dy të vërtetave të mundshme, dy gabimeve të mundshme. “Pushkatimi” dëshmoi se siç bëjmë gabime në shtetndërtim, gabime kemi bërë edhe në luftë. Por, të shohësh me sy kritik diçka, nuk do të thotë se je kundër saj, në këtë rast luftës sonë për liri. Përkundrazi, në fund të dramës fiton humania, ashtu siç ishte edhe ideali fillestar i kësaj lufte; ashtu siç do të duhej të ishte edhe sot…
Inskenimi i kësaj drame, nga lufta e fundit e shqiptarëve të Kosovës për liri, është guxim, siç ishte guxim edhe drama “Përplasjet” që demitizon ish të burgosurit në regjimin e ish-Jugosllavisë, sepse jo çdo i burgosur përkonte si duhet me kauzën kombëtare. Guxim po ashtu është të jepen vlerësime të ndryshme për karakteret në këtë dramë të Kryeziut. Tekefundit, lufta është bërë kundër robërisë, e kjo nënkupton edhe debatin për të folur lirshëm e pa frikë, si për luftë, ashtu edhe për lirinë që pasoi.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...