2013-09-20

Tahir Ramë Geci, simbol i atdhetarizmit shqiptar

Tahir Ramë Geci, simbol i atdhetarizmit shqiptar


Shfletime portretesh

Tahiri, një pinjoll i burrave të historisë së lavdishme
Gazeta antishqiptare serbe “Duga”, në Beograd, Tahirin e cilësonte si “personin që di të ndërtojë shtetin, qoftë edhe i vetmuar”

Shkruan: Ymer GASHI

Mbi tokën dardane shekujt në kalesë zbrazën rrebeshe e stuhi të papara. Këto stuhi me vetëtima që çanin qiellin trup e tërthor, goditnin pareshtur edhe kullat e Dukagjinit, ato kulla ku jetonin burrat me nam, që tërë jetën mbuluan me trupin e tyre këtë copë të atdheut, që të parët ua kishin lënë amanet breznive. Në këtë kulla të gurta që ngjasonin me karakollë kufijsh, u brumosen dhe u rritën bijtë më të devotshëm të atdheut që ngjasonin me vargmalet alpine të papërkulura para vërshimeve çmendurake as tërmeteve rrënuese. Pse mund të thuhet kështu? Sepse krenaria e racës së fisme shqiptare, bëmat heroike të të parëve të tyre qenë mësonjëtoret e para. Tahir Ramë Geci është një pinjoll i këtyre burrave të historisë së lavdishme, pse jo, ata ishin vetë historia.
“Feja e shqiptarit është shqiptaria”
Tahiri është fëmija i parë i babë Ramës dhe i nënë Soses së Malësisë së Gjakovës. Atyre u linden shtatë fëmijë: tre djem e katër vajza. Ramë Tahir Selimi mori pjesë në të gjitha betejat për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike nga hordhitë serbo-malazeze. Në këto beteja të rrepta që u zhvilluan dhëmbë për dhëmbë u dallua për trimëri e burrëri të pazakonshme. Po ashtu, Rama mori pjesë në të gjitha kuvendet e Rrafshit të Dukagjinit ku lidhej besa dhe shtrohej urtia, prandaj edhe fjala e tij kishte peshë të madhe ndër burra. Përpjekjet e tij për edukimin e fëmijëve të tij, sipas devizës së njohur të Pashko Vasës së “feja e shqiptarit është shqiptaria”, i doli mban si rrallëkush në tokën arbërore. Krah i fortë në edukimin e fëmijëve të tij ishte edhe nënën Sosja, një grua malësore me virtyte të larta njerëzore që i mëkoi qe në djep me gjirin e saj të ëmbël e idhnak, duke u kënduar ninulla, që të bëheshin të besës dhe të burrërisë, të penës e të pushkës, kudo që të kërkojë atdheu. Ishte krejt afërmendsh se porosinë e prindërve e mbajtën me nder e për nder bijtë e tyre, të cilët u kaliten për betejat e ardhshme që po i pritnin te dera e Kullës. Që të tre rrokën armët në luftën e fundit që zhvilloi UÇK-ja e lavdishme, në katakombet e atdheut, madje, njëri prej tyre, Elezi, ra dëshmor në altarin e atdheut, ndërsa Aliu u plagos rëndë në beteja të ashpra të luftës në Dukagjin. Lindja e djalit të madh Tahirit ndodh në një kohë trazirash në Ballkan. Jehona e aeroplanëve dhe gjëmimi i topave të nazifashizmit po e dridhnin kullën e Gecajve të Llukës. Por, familja e Gecajve ishte mësuar me këto rreptica shekullore, andaj qëndronin përballë sfidave me gisht në çark dhe sy në shënjestër të grykëhollave. Gjatë këtyre viteve të vështira, Tahiri po burrërohej e rritej me virtyte të sojme të ndershmërisë, që do të shpërfaqën në të ardhmen, atëherë kur do të burrërohej për të dalë në log burrash si të parët e tij.
Suksesi i shkëlqyeshëm në shkollë
Babai i tij ishte koshient për shkathtësitë e birit të tij, me të cilat e kishte pajisur zoti i bekuar, prandaj vendosi të regjistronte në shkollën e fshatit Lumbardhë. Ishte vetëm 6-vjeçar, ku mori rrugën e dijes dhe të dritës. Shkollën fillore e kreu me sukses të shkëlqyeshëm, por ëndrra e tij, shkollimi i mëtejmë i qe bërë pikë në zemër. Kushtet e rënda ekonomike dhe stuhitë politike të kohës i silleshin si hije trishtuese. Mirëpo, më në fund babë Rama e regjistroi në shkollë të mesme në Pejë. Edhe këtu hienat serbo-malazeze, pse jo edhe ndonjë çojle e tyre shqipfolëse e ndiqnin këmba–këmbës, sepse Tahiri i takonte një familje nacionaliste që ishte lëçitur nga fshati nga komunistët kundërmues të kohës. Është për t’u cekur se, me një rast gati e përjashtuan nga shkolla me pretekst “se po indoktrinonte nxënësit shqiptarë me nacionalizëm kundër serbeve në shkollë”, të cilët ishin të pakët. Por, sipas dëshmitarëve të kohës, Tahiri ishte i përkushtuar me mish e me shpirt për kauzën tonë kombëtare, por punonte në heshtje. Pas kryerjes së shkollës së mesme, nuk deshi t’i vejë pikë aty. Shkollimi i lartë i tërhiqte misionarin e tij. Por, ç’e do kur kushtet për shkollim nuk mjaftonin. Ishte kohë e pakohë, kur shqiptarët e vuanin edhe bukën e gojës. Më në fund, ëndrra iu realizua: arriti të regjistrohej në Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Meqë dega e gjuhës kishte një bibliotekë bukur të pasur, me libra që kishin “shtegtuar’ nga Shqipëria, por mjerisht shumë prej tyre ishin të ndaluara për studentët, falë guximit të Tahirit, i cili zuri një vend si bibliotekar, shumë prej tyre i shfrytëzonim fshehurazi këtë literaturë. Vlen për t’u cekur se asokohe ishim një grup studentësh deçanas, që shpeshherë rrinin bashkërisht dhe bisedonin gjatë e gjerë për politikën aktuale shtypëse që ushtronte sistemi komunist serbo-sllav mbi shqiptarët. Ishte Tahiri ai që elaboronte thuktë politiken aktuale, sepse ishte njohës i mirë i saj. Bile, në një rast, gazeta antishqiptare serbe “Duga” në Beograd, Tahirin e cilësonte si “personin që di të ndërtojë shtetin, qoftë edhe i vetmuar” (1983). Prandaj, ishte shndërruar në figurë karizmatike që e admironim të gjithë. Gjatë periudhës së studimeve, ai me një grup shokësh kishte rënë në konflikt të hapur me kreun e LKK-së, Veli Devën. Ky i fundit erdhi në mesin tonë, na ftoi ne edhe profesorët dhe mbajti një ‘ligjëratë politike”, duke shfryer mllefin më brutal ndaj profesorëve tanë, e sidomos kundër dekanit, prof. dr. Idriz Ajetit.



Njeriu që sfidoi kohën dhe politikën



Ballafaqimi me pushtetin komunist të kohës
Paraqitja në skenë para publikut kosovar me dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” të S. Pitarkës, ku në skenë u shpalos edhe flamuri kombëtar, ngjalli krenari dhe respekt, por edhe mallëngjim për spektatorët. Shfaqja u prit mirë edhe në qytetet të tjera të Kosovës, por jo më pak edhe në Hvar të Kroacisë
Shkruan: Ymer GASHI
Pas polemikave të ashpra që u zhvilluan mes profesorit dhe Veliut, Tahir Geci ngriti dy gishtërinjtë e tij si purtekë të florinjtë dhe me një nervozizëm të papërmbajtur i tha Veliut:
“-Z. Veli, fyerjet tuaja dhe mllefi që zbraze kundër profesorëve tanë, janë fyerje edhe ndaj studentëve të këtij fakulteti, prandaj ne nuk e meritojmë një gjë të tillë!” Pas këtyre fjalëve të Tahir Gecit, u bë një duartrokitjet madhe në sallën e mbushur përplot studentë. Veliu, duke u ndier i fyer thellë në sedër, iu kthye Tahirit: “-Ti djalosh nesër të paraqitësh në zyrën time në Komitet!” Ky ishte një urdhër i prerë si rrufe prej qiellit. “-Jam i gatshëm shoku Veli, kur dhe ku të duash” , ia priti Tahiri me atë krenarinë prej burri.
Me këto replika të ashpra përfundoi takimi i asaj dite. Të nesërmen Tahiri nuk mbeti i vetmuar. Me të shkuam nja pesë a gjashtë studentë, nëse nuk gaboj, ata ishin: Avdi Kelmendi (tani i ndjerë), Ymer Gashi, Ali Berisha dhe të tjerë që mjerisht nuk më kujtohen. Në zyrën e Veli Devës përjetuam fyerjet më të rënda dhe kërcënimet më të ashpra. Por, Tahiri, si gjithmonë, parimor dhe i prerë në bisedë, vijoi: “ -Ne shoku Veli, nuk do t’i lejojmë kurrë ofendimet denigruese kundër profesorëve tanë! Edhe ju jeni shqiptar, shoku Veli! Prandaj, meqë me keni ftuar këtu, ja ku me keni përballë mua dhe këta shokë të mi. Sot të kemi ardhur gjashtë, nesër nëse është nevoja gjashtëqind do t’i kesh përballë!”
Në jetën time, mund të them se, kurrë nuk kam parë fytyrë më të xhindosur se atë të atij njeriu në atë moment. Ishte tejet i zverdhur dhe, thuajse i dilte vrer nga goja e tij e përveshur. Duke mos pasur durim të na ketë përballë, na lejoi që të shkojmë në mësim, me një porosi: “-Shkoni, mos bëni shamatë me porosi të profesorëve tuaj që këmbët i kanë në Kosovë dhe kokat përtej qafe”. Ky ishte ballafaqimi i parë i Tahir Gecit me pushtetin komunist të kohës. Kjo ngjarje ishte në prag të demonstratave të vitit 1968 në Kosovë. Kur u kthyem në fakultet, studentët na pritën si heronj të vërtetë, ndërsa profesorët ishin merakosur shume për fatin tonë. Në mesin e tyre ndodhej edhe profesori i nderuar Idriz Ajeti, i cili në mes të tjerash foli: “-Kështu e ka politika e sotme, kur një këshill i fshatit gjysmanalfabet, përpiqet ta përdhosë një shkencëtar. Juve djema ju lumtë!”, dhe na përqafoi me radhë si babai fëmijët e vet. Ky ishte Tahir Geci që kurrë nuk u gjunjëzua para tyre që s’e deshën atdheun e tyre!
Aktiviteti kulturor dhe edukativ i Tahir Gecit
Studentët e Prishtinës, në kuadër të grupit dramatik të shoqërisë kulturore “Ramiz Sadiku” ishin dallëndyshet e para që shënuan vitin jubilar të pesëqindvjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Ishte kjo kohë e trazirave politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë Shqipërinë Etnike, prandaj paraqitja në skenë para publikut kosovar me dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” e S. Pitarkës, ishte me tepër se një guxim që paralajmëronte një pranverë të nxehtë studentore. Në mesin e këtyre studentëve vërehej një entuziazëm i madh për t’i shpërfaqur gjithë ato dëshira të ndrydhura me dekada të popullit shqiptar. Dramën në fjalë e zgjodhi vetë Tahir Geci, përderisa regjisor i kësaj drame ishte Kristë Berisha, një ndër figurat më të njohura të kohës, jo vetëm si regjisor, po edhe si aktor i disa roleve në skenën shqiptare. Mbi të gjitha, Berisha kishte guximin si rrallëkush për të paraqitur në skenë “tema të nxehta”, prandaj edhe drama u pëlqye së tepërmi. “Drama fliste me një gjuhë të zgjedhur e dinamike, me një psikologji e temperament të matur, me një trimëri e zjarr të brendshëm për betejën e shqiptarëve, për t’u çliruar dhe mbrojtur atdheun nga pushtuesit turk” (A. Berisha dhe Sylë Osmanaj).
Më 1968, studentët ia bënë me dije pushtuesit se nuk e durojnë zgjedhën e huaj
Roli kryesor iu besua Hasan Salajt, që kishte një zë burrëror dhe pamje fizike për t’u lakmuar, ndërsa rolet të tjera iu ndan studentëve të tjerë- sipas prirjes së tyre. E gjithë trupa ishte e entuziazmuar dhe mezi priste çastin që të dilte para publikut kosovar. Kontakti me publikun artdashës kishte karakter jo vetëm artistik, por edhe një shprushje patriotike në këto orë të liga të historisë sonë. Kur u shfaq premiera, Salla e Teatrit nuk i zinte shikuesit, të cilët me kureshtje të madhe e përcollën deri në fund. Madje, pas çdo akti, duartrokitjet e tyre ishin tejet të gjalla, ku në mesin e tyre kishte edhe të tillë që qanin me lot.
Për të mos e zgjatur më shumë, do të ndalemi te roli i Tahir Gecit- Lekë Dukagjini, i cili i shkonte për shtat, e të cilin e interpretoi më mjaft mjeshtëri. Ato ditë jo një herë është folur nga kritikë të teatrit se regjisori kishte bërë përzgjedhjen e duhur për këtë rol. Ai i plotësonte të gjitha kushtet që kërkonte regjisori i dramës, por edhe protagonisti në dramë. Ai ishte i pashëm, i zhdërvjellët, me një timbër të zërit për t’ia pasur lakmi, ndërsa aftësitë kreative skenike i shkonin për shtatë palë qejfe.
Në atë skenë u shpalos edhe flamuri kombëtar, çfarë ngjalli krenari dhe respekt, por edhe mallëngjim për spektatorët. Shfaqja u prit mirë edhe në qytetet të tjera të Kosovës, por jo më pak edhe në Hvar (Kroaci) ku shkëlqeu ky grup studentësh entuziastë.
A nuk ishte kjo një parashenjë për tronditjet e mëdha shqiptare?! Gjithsesi, po! Vjen vrullshëm viti ’68, kur studentët i bënë me dije pushtuesit se nuk e durojnë zgjedhën e huaj.
Me fillimin e punës në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ai u lëshua në hullinë e dritës dhe të diturisë që e kishte ëndërr jetësore. Ai e kishte për moto devizën e rilindësit të madh- Naimit, “se vetëm dritë e diturisë përpara do na shpie”! Prandaj, edhe si arsimtar i ri, ishte kalitur për t’u bërë sfidë dallgëve që do t’i binin mbi kokë, të cilat do t’i sfidojë me burrëri si rrallëkush.
Tahir Geci, veprimtarinë e tij intelektuale e shtriu në shumë sfera të shoqërisë së kohës, u mor edhe me publicistikë ku shpërfaqi brengat e popullit të tij përmes artikujve të shumtë në gazeta dhe revista. Duhet cekur se atë vit, kur ai punoi në këtë gjimnaz, bashkë me shumë shokë të idealit të tij shkollor lulëzoi në çdo aspekt. Kështu që ishte afërmendsh se shkolla në fjalë, respektivisht nxënësit e kësaj shkolle, zinin vendin e parë në Kosovë për dituri duke marrë çmime të shumta. Pas pak vitesh të punës në arsim, politikani i shquar i asaj kohe, Mahmut Bakalli, i kishte vënë syrin që ta ketë pranë vetes, meqë kishte të gjitha virtytet njerëzore dhe intelektuale. Dhe, më në fund, vendosi ta ketë pranë tij. Tahir Geci së shpejti arrin në hierarkinë e lartë politike dhe intelektuale, kryeshef i Informatave të Kosovës, kuptohet me propozimin e M. Bakallit. Ishte kjo periudhë kohore ngarkuar me plot sfida dhe rrepica të paimagjinueshme. Por, Tahiri dinte t’i kalonte me mençuri të pashembullt: në njërën anë punonte në heshtje për çështje kombëtare, ndërsa shumë më pak linte për pushtetin e asaj kohe.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...