Si kritik i letërsisë në Universitetin e Tiranës, por edhe në shtypin e përditshëm, Agron Gjekmarkaj është tashmë një penë e njohur. I takon shpesh të flasë për të tjerët, për ata që ka njohur dhe lexuar, por asnjëherë për veten si tani përballë pyetjeve të Prustit…
-Cila është ideja jote për lumturinë?
Unë kam një vajzë 16-muajshe, që quhet Sofia. Jam i përhumbur kur e marr në krahë, kur ajo qesh, kur çdo ditë ajo mëson gjëra të reja, kur më thërret në emër. Një ndjesi e paprovuar më parë, që besoj është lumturi. Dikur kam pasur të tjera ide më mistike, më parimore në formë përkufizimesh, por meqenëse pyetja bëhet në kohën e tashme, mund të them që ideja ime fikse për lumturinë është ta shoh Sofinë gjithmonë të qeshur.
-Cila është frika më e madhe?
Pamundësia nëse verifikohet, për ta rritur siç dua vajzën time.
-Kë person të gjallë admironi më shumë?
Ismail Kadarenë.
-Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?
Tjetërsimi i tyre nga halli, kur konteksti i detyron të sillen siç nuk do të dëshironin.
-Ekstravaganca jote më e madhe?
Dëshira për të bërë batuta dhe shkruar mesazhe me qesëndi dhe me to kam bërë armiq boll.
-Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Drejt Romës në vjeshtë… sa herë mundem.
-Në ç’rast mund të gënjesh?
Atëherë kur e vërteta do ta plagoste rëndë një njeri…
-Personi që përçmon më shumë?
Është ai tip bashkatdhetari, që denigron çdo gjë të këtij kombi: Gjergj Kastriotin, Rilindjen, Nënë Terezën dhe vlerat europiane të këtij vendi duke i ngritur kulte robërisë otomane dhe pasojave të tij. Po aq edhe atë racë snobi që tallet me Shqipërinë, gjoja si modern e kozmopolit mejhanesh.
-Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?
“Për besë”, si dhe disa fjalë që përdor për humor me miqtë, si: qerrata, qafir, jezit, kopuk, hazër, edepsëz, tutkun, teveqel, ejvallah, pjesë e leksikut tashmë….! Ka pas thënë Fishta: “kaj fjalë turke ban lazem” J
-Pengu yt më i madh?
Kam ndenjur shumë afër At Zef Pllumit në vitet e tij të fundit …duhej të kisha regjistruar çdo gjë, çdo bisedë, çdo mendim dhe nuk e kam bërë.
-Kur dhe ku ke qenë i lumtur?
Kur kam rënë në dashuri me atë që sot është gruaja ime rreth 11 vjet më parë në Romë.
-Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
I qetë, në pritje për të dalë nga “robëria” e pushimeve dhe për t’iu rikthyer gjërave të përditshme.
-Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?
Masën e durimit. Do të doja të isha më i durueshëm.
-Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?
Studimet në “La Sapienca”, si dhe punën që bëj aktualisht si pedagog në Universitetin shtetëror të Tiranës.
-Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?
Ky që jam.
-Cili është sendi më i çmuar që zotëron?
Një libër, “Lahuta e Malcis”, me firmën e autorit të dhuruar nga një student i poetit kombëtar dhe një pikturë e Lin Delisë, të cilën e kam shumë për zemër.
-Cilën quan pikën më të thellë të mjerimit?
Egërsinë e njeriut për t’u pasuruar, errësimin e arsyes para këtij qëllimi, shmangien e çdo vlere për ta arritur shpejt këtë objektiv, mohimin e çdo raporti njerëzor në emër të saj.
-Ku do të pëlqente të jetojë?
Më pëlqen Tirana, por do të doja të jetoja më shumë te shtëpia e prindërve në Ishull Shëngjin të Lezhës, për të qenë më afër atyre dhe për të shijuar një natyrë të mrekullueshme, fryt i punës së tim eti dhe pak më shpesh në Romë, ku kam kaluar vite tejet të rëndësishme të jetës sime.
-Ndër veprimtaritë që merresh, cila është e preferuara juaj?
Mësimdhënia, natyrisht….dhe menjëherë pas kësaj të shkruarit, prezenca në shtypin e përditshëm kur kam ndonjë gjë për të thënë, përndryshe, Zot na mbaj gojën mbyllur.
-Cila është karakteristika juaj më e spikatur?
Të ecurit prej malësori ose siç thuhet rëndom prej “maloku”, si dhe krenaria legjitime, ajo që buron nga kjo origjinë!? J
-Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?
Kur sakrifikon diçka për mikun.
-Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?
Përkorja, d.m.th. mospërdorimi i bukurisë për arrivizëm.
-Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?
Po i ndaj. Në letërsinë shqipe Pjetër Bogdani, Jeronim de Rada, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Ismail Kadare, At Zef Pllumi, Martin Camaj, Zef Zorba, Anton Pashku, Preç Zogaj, Bardhyl Londo, sigurisht edhe të tjerë, ndërsa në letërsinë botërore Dante, Pirandelo, Italo Svevo, Heminguej, Kamy, Borges, Kerlezha, Fuente e shumë sivëllezër të tyre.
-Cili është heroi juaj në art dhe kulturë?
Nuk kam heronj-autorë, por personazhe që ata kanë krijuar. Padyshim më i dashuri për mua është peshkatari që ndjek peshkaqenin deri në zvenitje te “Plaku dhe deti” i Heminguejit, ndoshta ngaqë edhe im atë është peshkatar në profesionin e tij dhe gjithmonë në jetë i është dashur “të rendë pas peshkaqenit”, për të na rritur shkolluar e nevoja të tjera.
-Cilët ke heronj në jetën reale?
At Zef Pllumin dhe Ibrahim Rugovën.
-Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?
Të pështysh për tokë, fakt me të cilin ndeshemi shumë në qytetin tonë. Një tjetër gjë ndaj së cilës jam armik, është mosnjohja e aftësive të dikujt kur ai i ka ato, duke i paragjykuar origjinën, vendlindjen, bindjet politike, statusin social etj. Nuk më pëlqen fare sjellja e një kategorie tjetër njerëzish, një batalion rrahagjoksesh, që i ngjishen pushtetit si m… pas këpucës dhe emrat e liderëve politikë, të fëmijëve të tyre i përdorin, me shkurtime, gjoja me intimitetin e besimit të ndërsjelltë, me natyrshmërinë e gënjeshtarit dhe adhurimin e servilit për t’u bërë vetë të përveçëm në sytë e shoqërisë si të besuar të tyre.
-Si do të të pëlqente të vdisje?
Mendoj çdo ditë për jetën dhe nuk mendoj kurrë si do të vdes, veç tani që përgjigjem, them se mjafton që ajo të jetë sa më larg meje dhe të vijë si fund i natyrshëm i jetës biologjike “si mbarim ditësh” dhe jo si aksidentale me “deus ex machina” .
-Cila është motoja juaj?
Asnjë ditë të mos i ngjajë tjetrës dhe të mos mbetem kurrë pa miq.
Dramë
Titulli: “Me dyer të mbyllura” dhe “Miza”
Autori: Jean Paul Sartre
Përktheu: Diana Çuli
Shtëpia botuese: “Fan Noli”
Diana Çuli sjell në shqip dy drama të Sartrit
Vijnë në shqip dy drama të Zhan Pol Sartrit, “Me dyer të mbyllura” dhe “Miza”. Në këto vepra Sartri doli me shprehjen e famshme dhe shumë të diskutuar: Ferri janë të tjerët. Tri shpirtra të mallkuara, Garcini, Inesi dhe Estela, janë sjellë në të njëjtën dhomë në ferr nga një shërbëtor misterioz. Ata të gjithë prisnin tortura të tmerrshme për t’u ndëshkuar në përjetësi, por ndërkohë gjejnë një dhomë të modeluar në stilin e perandorisë franceze. Të dy shpirtrat, Garcini dhe Estela, nuk pranojnë të shpallen fajtorë, vetëm Inesi u kërkon të mos gënjejnë veten e të pranojnë krimet e tyre. Pasi debatojnë për një kohë të gjatë, ata vendosin të tregojnë krimet e tyre. Të tre krijojnë në këtë dramë situata të vështira. Ndërsa “Miza” është një pjesë e shkruar në vitin 1943 dhe është motërzim i mitit të Elektrës. Pjesa e shkruar nga Sartri rrëfen historisë e Orestit dhe motrës së tij, Elektra, në përpjekje për t’u hakmarrë për vrasjen e babait të tyre, Agamemnonit. Këto dy drama të Sartrit vijnë në shqip nga shkrimtarja Diana Çuli.
Poezi
Titulli: “Stinët e humbura”
Autori: Pavle Goranoviq
Përktheu: Dimitrov Popoviq
Shtëpia botuese: “Onufri”
Poezia bashkëkohore malazeze edhe për lexuesin shqiptar
Përmbledhja e poezive të poetit malazez Pavle Goranoviq, me titull “Stinët e humbura”, është botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia e njohur botuese “Onufri” në Tirana.
Vargjet e Goranoviqit në shqip i ka përkthyer profesor Dimitrov Popoviq, ndërsa parathënien botimit e shkroi Anton Gojçaj. Goranoviq është njëri nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë bashkëkohore malazeze, si dhe këshilltar për kulturën i kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviq. Përkthyesi Popoviq përveçse i shqipëroi me mjeshtri, edhe i përshtati poezitë e një shkrimtari malazez që të jenë sa më afër edhe për lexuesin shqiptar. Pavle Goranoviq ka lindur në vitin 1973 në Nikshiq. Është diplomuar në fakultetin Filozofik, dega Filozofi. Shkruan poezi, prozë dhe kritikë letrare. Është autor i shumë zgjedhjeve nga letërsia bashkëkohore malazeze në revistat ndërkombëtare. Aktualisht është drejtor i Entit të Shkollimit të Malit të Zi. Jeton në Podgoricë. “Botimet e poezisë së përkthyer janë më se të nevojshme për qarkullimin e vlerave dhe njohjen reciproke të kulturave të popujve, e veçanërisht të fqinjëve dhe i kontribuojnë vështrimit krahasimtar, por edhe frymëmarrjes së sinkronizuar të vlerave më të spikatura në rajon. Dimitrov Popoviq, pas përkthimit në gjuhën shqipe dhe botimit të Antologjisë së Poezisë Malazeze, me shqipërimin e librit të Pavle Goranoviq, ka vazhduar me sukses misionin e vet, që t’i ofrojë lexuesit shqiptar krijimet më cilësore të letërsisë malazeze”, thotë në parathënien e këtij libri, mr. Anton Gjoçaj
No comments:
Post a Comment