Nga Robert Martiko
Shkrimtari shqiptaro-amerikan Petraq Pali serishmi shfaqet në sytë e publikut nëpërmjet një vepre të re letrare. Bëhet fjalë këtë radhë për romanin e titulluar“Patkoi” me temë jetën e një ish agjenteje ruse të quajtur Elena Mihaillovna, aktiviteti agjenturor i së cilës fillon në kohën e Luftës së Ftohtë për të përfunduar në një poliagjente tepër të rafinuar në radhët e shërbimit sekret amerikan pas rënies së Murit të Berlinit.
Përbën një fakt të pamohueshëm se është në natyrën Petraq Palit që, në një mënyrë të zgjuar e mjeshtërore, të tentojë të rrëmbejë zemrat e lexuesve të tij nëpërmjet temës mbresëlënëse të agjenturës. Disa vite më parë e autorit e ka realizuar një gjë të tillë në një trajtë veçanërisht të suksesëshme nëpërmjet romanit-thriller “Misteri i një vdekje” me hero kryesor Besnik Memën.
Pa u futur në hollësitë e veprës letrare “Patkoi”, mbasi një gjë e tillë do të binte ndesh me kurozitetin e ligjshëm që ngjall fantazinë e çdo lexuesi kur bie fjala për spiunazhin, këtë zanat të vjetër sa vetë Bota Njerëzore, do të doja të bëja pyetjet që vijojnë… Vallë çfarë lloj kulture letrare përdor Petraq Pali në ravijëzimin e karakterit të agjentëve të tij të preferuar? Mos vallë stilin e vjetër italjan që e dënonte të dyshuarin për agjenturë me një plumb pas kurrizit? Mos vallë stilin e kulturës angleze që e konsideron agjentin një individ të edukuar dhe të sjellshëm? Apo atë të kulturës amerikane, ku misjonari paraqitet në trajtën e një qënieje djallëzore dhe, gjithashtu, jo pak herë të ndriçuar prej dritës morale të një xhentëlmeni mirëbërës?…
Si lajmërues i daljes në qarkullim të romanit të mësipërm prej një shtëpie botuese dinjitoze si“Milosao” – Sarandë, me duhet të mbaj në këtë rast, edhe unë, heshtjen e një agjenti të vërtetë. Të kapërcej drejt e në bark të gjitha mikroçipsat apo mikrofilmat e mundshëm, eventualë… Të mos jap asnjë sqarim tjetër. Gjithshka ta lë në dorën dhe vlerësimin e mençur të vetë lexuesit shqiptar në lidhje me romanin e mrekullueshëm “Patkoi” të shkrimtarit tashmë mjaft të mirënjohur Petraq Pali.
Nuk më mbetet veç ti uroj autorit të mësipërm suksese të mëtejshme…