2013-09-20

Romeo Gurakuqi: Raporti për Masakrën e Tivarit, në ’43 çetnikët vranë 4626 shqiptarë






Punimi që po ju paraqes sillet posaçërisht në vijim të dy shkrimeve të botuara në “Gazetën Shqiptare” ditët e fundit, si kujtesë për rreshtat e atij shkrimi dhe si përgjigje për alibinë tërësore të ngritur në atë shkrim, se mbi Masakrën e Tivarit nuk është bërë një hetim i pavarur. Sa më poshtë është vetëm një pjesë e hetimit tim të pavarur mbi ngjarjen, të cilin e kam realizuar i pandikuar nga asnjë presion politik, por veç nga ndërgjegjja profesionale dhe vullneti për të ndriçuar të vërtetën. Trajtesa është një përpjekje për të dhënë disa konsiderata të përgjithshme mbi rezultatet e një kërkimi njëvjeçar arkivor, mbi atë që në fakt konsiderohet si Masakra e Tivarit e në të vërtetë është një proces kompleks i riintegrimit të Kosovës, pjesës perëndimore të Maqedonisë dhe Malësisë në Jugosllavinë e Dytë dhe i eliminimit të potencialeve humane të rezistencës ndaj këtij procesi, që është ngushtësisht i lidhur me instalimin në pushtet të klikës komuniste jugosllavo-shqiptare pas datës 29 nëntor 1944. Masakra e Tivarit është vetëm një nga ngjarjet e procesit gjenocidal që është konsumuar në shumë cepa të Jugosllavisë, në Dalmaci dhe në Vojvodinë, por, fatkeqësisht edhe në Shqipëri, në rrugën nga Kukësi në Shkodër e drejt Ulqinit, nën syrin e armët e heshtura të partizanëve të UNÇSH-së. Punimi është kryesisht i bazuar në dosjet arkivore të “Foreign Office”, “War Office”, “SOE files” dhe në dosjet e Sigurimit të Shtetit diktatorial shqiptar, të interceptuara nga shërbimet inteligjente britanike 1945-1947 dhe të hapura tashmë për publikun e gjerë në Mbretërinë e Bashkuar. Në punim do paraqitet edhe një dosje e Arkivit të Kosovës që i përket dokumentacionit jugosllav.
Çfarë kuptohej aso kohe
me ‘Kosovë’?
Termi ‘Kosovë’ asokohe është aplikuar në tri mënyra:
Sipas mënyrës së parë, me ‘Kosovë’ kuptohej i gjithë territori i aneksuar nga dezintegrimi i Jugosllavisë në Shqipëri dhe pak më shumë se kjo, jashtë kësaj pjese të aneksuar, në pjesën veriore dhe lindore që aspirohej nga nacionalizmi shqiptar. Sipas mënyrës së dytë, e gjithë kjo pjesë e territoreve të aneksuara në veri të Malit të Sharrit (Sar Planina) dhe në jug të Mokra Planina (d.m.th. të gjitha territoret e aneksuara Shqipërisë, me përjashtim të disa (a) fragmenteve në veriperëndim, të marra nga Mali i Zi, dhe (b) në disa hapësirave në veriperëndim të Maqedonisë, në pjesën jugore të territorit të aneksuar). Sipas mënyrës së tretë, kemi Fushë Kosovën, që është gjysma lindore e Kosovës në kuptimin e dytë (gjysma perëndimore është Fusha e Metohisë, ose siç thirret ndryshe nga shqiptarët, Rrafshi i Dukagjinit). Hapësira e referuar si KOSMET është e barabartë me Kosovën në kuptimin e tretë, plus Rrafshin e Dukagjinit dhe që korrespondon tërësisht me Kosovën në kuptimin e dytë. (PRO.WO.204.9428,From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133′s B8/GSP/6?68 of 5th March.) Por le të kthehemi në brendësi të Luftës së Dytë Botërore, për të kuptuar proceset politike të fundit të luftës dhe riintegrimit të Kosovës në Jugosllavi. Me ndihmën e Gjermanisë hitleriane, gjatë periudhës 1939-1943, Italia realizoi ambiciet e saj në Ballkan, në dëm të Jugosllavisë. Në fillim të kësaj periudhe, irredentizmi shqiptar në Kosovë u nxit të përgatitej për bashkimin e këtij territori me Shqipërinë. Një bashkim i tillë u krye me anën e traktatit të datës 15 qershor 1941 me Bullgarinë. Menjëherë pasoi reagimi serb dhe malazez: Gjatë verës së vitit 1941, u kryen sulme nga ana e kufirit malazez në zonën e Gucisë; Gjatë dimrit 1941 u kryen sulme përgjatë kufirit serb në krahinën e Mitrovicës, Novi Pazarit dhe Sjemnicës. Këto sulme u zmbrapsën nëpërmjet koordinimit të veprimeve të forcave italiane dhe shqiptare. Për pjesëmarrjen e tyre në veprime, disa udhëheqës të fiseve malësore shqiptare morën “Medaljen e Argjendtë” nga vetë Musolini. Pas kësaj, italianët krijuan “Gardën Shqiptare të Kosovës” nën komandën e Prenk Previzit, me rekrutë kosovarë, dhe “Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës”, nën presidencën kolektive me rotacion të Ferhat Dragës, Bedri Pejanit dhe Iliaz Agushit. Para armëpushimit me Italinë, ky i fundit ishte zëvendëskryeministër i Shqipërisë (Iliaz Agushi është vrarë në dhjetor 1943) dhe njëkohësisht president i radhës i Komitetit. Duhet të saktësojmë gjithashtu se Ferhat Draga dhe Bedri Pejani kanë qenë në periudhën pararendëse deputetë të parlamentit jugosllav. (PRO. WO. 204. 9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133′s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”). Ferhat Draga ka qenë anëtari më aktiv i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës në verën e vitit 1943. Për këtë ai do të bëhej në vijim të kësaj periudhe Guvernator i Kosovës (d.m.th. Kosovës në kuptimin e saj më të gjerë, që përfshinin të gjitha territoret e aneksuara Jugosllavisë, me përjashtim të territoreve të shtuara në prefekturat e vjetra të Shkodrës dhe të Dibrës). (PRO. WO. 204. 9428, From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133′s B8/ GSP/ 6?68 of 5th March.) Garda Shqiptare e Kosovës ka qenë përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të rinj dhe ushtrimin e veprimtarisë policore brenda kësaj hapësire të re të përfshirë në Shqipërinë nën pushtimin italian. Kosovarët shfrytëzuan këtë rast për t’u hakmarrë në këtë periudhë kundër kolonistëve serbë, të cilët u detyruan të largohen për t’u mbrojtur, në Serbi, ose në Mal të Zi, ku madje u bashkuan ose me forcat partizane, ose me ato çetnike. Në janar të vitit 1943 forcat çetnike të drejtuara nga Gjurishiq dhe Mihailoviq sërish invaduan Kosovën, duke shkatërruar fshatra të tëra dhe duke masakruar popullsinë në Bihor dhe Rozhajë. Sipas statistikave, 4626 shqiptarë u vranë ose u plagosën dhe 200 gra dhe vajza u grabitën. Në këtë rast, italianët, të cilët në këtë moment ishin duke mbështetur Gjurishiq dhe Mihaijloviq, nuk ndërhynë. Ky fakt në mënyrë të padyshimtë ndikoi në ngritjen e ndjenjës anti-italiane në Shqipëri. (PRO. FO. 371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Më 16 shtator 1943, një regjiment i Gardës së Kosovës mori pjesë në luftime kundër malazezëve, të cilët kishin sulmuar Gjakovën. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133′s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”.) Pas armëpushimit të Italisë, në Kosovë u krijua “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, më 18 shtator 1943. Kjo organizatë krijoi edhe një Asamble Kushtetuese, pozicioni gjysmëautonom i së cilës u ratifikua nga Këshilli i Regjentëve të Shqipërisë, më 14 mars 1944. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte të mbronte dhe të çlironte territoret e Kosovës nga serbët. Kjo organizatë arriti të kontrollonte të gjithë administratën brenda zonës dhe kishte katër batalione milicie nën komandën e major Bajazit Buletinit. Gjermanët e shfrytëzuan këtë rast dhe arritën të krijonin në mars 1944 Divizionin SS “Skanderbeg” me 7000 shqiptarë nga Kosova, të drejtuar dhe stërvitur nga oficerë gjermanë. Në të njëjtën kohë, një konferencë e prijësve shqiptarë, që u mbajt respektivisht në Maqellarë dhe Rugovë, vendosi të krijonte një komitet ushtarak për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe ndërmori rekrutime masive anekënd territorit. Kjo gjë pati sukses të konsiderueshëm. Rojet kufitare u përforcuan, njësi policore shqiptare u formuan dhe ato filluan të shërbenin si garnizone policore në Serbi (është fjala për territorin e kontrolluar nga gjermanët), por edhe në Francë dhe Holandë. Kur në verën e vitit 1944 pozitat e gjermanëve në Ballkan u përkeqësuan, Dr. Xhafer Deva u bë Kryetar i “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe Komisioner i Lartë i Krahinës së Kosovës. Përballë kësaj opozite të fuqishme, lëvizja partizane në Kosovë asnjëherë nuk arriti përmasa të konsiderueshme. Për arsye se vendet gjermanishtfolëse, dhe para së gjithash Austria kishte qenë ndër kohë mbështetëse e krijimit të Shqipërisë natyrale dhe për faktin që nën Gjermaninë naziste, një aspiratë e tillë u bë realitet, duhet të thuhet se në Kosovë mbështetja për partizanët, me frymëzim sllavo-komunist, ka qenë pothuajse inekzistente. Këtu shumica e popullsisë shqiptare preferonte të ruante kufirin e kohës së luftës, i cili i kishte përfshirë ata nën shtetin amë shqiptar. Vetë KOSMET, organizata nacionalçlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë mbështetje në popullsinë shqiptare të Kosovës, sa t’i mundësonte kësaj organizate partizane shqiptaro-jugosllave të ndërmerrte aksione brenda territorit të krahinës së lartpërmendur. Kështu, kjo organizatë më shumë ka vepruar jashtë territorit të Kosovës (në Tetovë), (krahinën e Preshevës) dhe në Shqipërinë verilindore. Arsyeja kryesore pse KOSMET ka qenë jo popullore në Kosovë është lidhur me bashkëpunimin e ngushtë të kësaj organizate me Marshallin Tito. Për më tepër, KOSMET, si organizatë, ishte njohur prej anës së Gjeneral Kolonelit Enver Hoxha, që të vendosej nën urdhrat e Titos, me zonën e Kosovës, si sferë të saj të ndikimit (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 16). Ajo çfarë duhet të saktësohet është se, së paku duke filluar nga fillimi i vitit 1944 Kosova u bë një fushë betejash dhe ballafaqimesh të interesave nga më të përkundërtat ushtarake dhe politike, të cilat përfshinin, forcat kombëtare shqiptare, forcat çetnike serbe, forcat partizane jugosllave, reparte të majta bullgare etj. Në rrethanat e konsolidimit të pushtetit shqiptar në Kosovë, Lëvizja Nacionalçlirimtare Jugosllave, që aspironte të merrte pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, filloi që në këtë kohë përgatitjet për minimin e bazave të unifikimit të Kosovës në Shqipëri. Nga viti 1941 u bënë përpjekje për të përthithur një lloj mbështetjeje mes shqiptarëve dhe po këtë vit dy delegatë nga Tito, Ali Dushanoviq dhe Miladin Popoviq, morën pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH-së.
Pozita e Frontit
Nacionalçlirimtar
Pas krijimit të PKSH-së më 1941-shin, kjo organizatë kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e PKJ-së. Komunistët serbë dërguan pas kësaj në Shqipëri dy oficerë, Ali Dushanoviq dhe Miladin Popovic. Këto dy oficerë u arrestuan nga italianët në fillim të vitit 1942 dhe u internuan në një kamp internimi në Shqipëri. Më pas ata u çliruan nga udhëheqësi komunist shqiptar Mustafa Gjinishi. Përzgjedhja e Ali Dushanoviq, një njeri ky mjaft i mprehtë dhe finok, ishte e përllogaritur, mbasi ai ishte me origjinë nga Peja. Këta persona kanë qenë pikat e kontaktit të ndërlidhjes në mes partizanëve jugosllavë dhe PKSH-së dhe kanë qenë pikërisht këta që u përpoqën të krijojnë një lëvizje partizane në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Bazuar në një direktivë nga Moska, të gjitha partitë komuniste duhej të shtypnin lëvizjet nacionaliste brenda vetes në interesin e ndërsjellë të kombeve të Ballkanit dhe formimit të lëvizjeve nacionalçlirimtare kundër fuqive të boshtit fashist. Në Shqipëri një lëvizje e tillë u njoftua me Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942 dhe pas kësaj u zhvilluan ndërlidhjet me partitë komuniste jugosllave, malazeze, maqedonase dhe greke. Për sa i përket lëvizjes nacionalçlirimtare në Kosovë, aty, në fund të vitit 1943, u krijua edhe KOSMET- (Kosovo-Metohija), për të cilën folën edhe më lart, e që përgjigjej para Marshallit Tito. KOSMET përbëhej në anëtarësi, gjysma prej serbësh dhe gjysma prej shqiptarësh, mes të cilëve shquheshin Mehmet Hoxha dhe Fadil Hoxha. KOSMET ka qenë detyruar të përkufizohej në aktivitetin e vet brenda sferës politike, me synim kryesor uljen e ndjenjave antiserbe në mes kosovarëve. U bënë përpjekje edhe për të ndërtuar një organizatë politike partizane në Kosovë dhe pak Komitete Nacionalçlirimtare. FNC i Shqipërisë pati këmbëngulur në një karakter të pavarur të kësaj organizate. Qëllimi i këtij synimi, duke ndjekur direktivat fillestare komuniste, ishte të shtypte ndjenjat antiserbe në Kosovë. Në janar të vitit 1944, në Kolgecaj të Tropojës, Malësi të Gjakovës, u mbajt një Kongres i KOSMET-it, në të cilin morën pjesë 52 delegatë, përfshirë edhe delegatë të nacionalitetit serb dhe malazez dhe dy ish-deputetë të parlamentit jugosllav. Emërtimi ‘KOSMET’ është një përzierje e fjalëve Kosovë dhe Metohi, që janë dy lokalitetet e entitetit KOSOVË, respektivisht pjesa lindore dhe ajo perëndimore. Në konferencën e muajit janar, që u drejtua nga Mehmet Hoxha, u zgjodh një këshill i përbërë si më poshtë vijon: President, Mehmet Hoxha; Nënpresidentë, Rifat Berisha dhe Padel Yovichevich (malazez); anëtarë, Ali Shukriu, Milan Zeqhar (serb), Daud Ardyshi, Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Zeqir Jarexha. Ata vendosën që të luftonin në anën e Aleatëve të Koalicionit Antifashist, mbi bazën e Kartës së Atlantikut dhe për të dërguar përfaqësuesin e tyre në LNÇ dhe tek Marshalli Tito. KOSMET supozohej se ishte një organizatë që përfaqësonte interesat jugosllave dhe shqiptare. Zona e saj e shtrirjes së aktivitetit përfshinte rajonet e Kosovës, Metohisë, Pukës, Nikaj, Mertur, Krasniqë. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133′s B8/GSP/668 of 5th March ). Me gjithë aktivitetin e pakët ushtarak në Kosovë, njësitë partizane kosovare luftuan që herët së bashku me UNÇJ në Maqedoni dhe Serbi, nën komandën e shtabeve të këtyre hapësirave. Që në vitin 1942 ishin formuar dy batalione kosovare në kodrat në perëndim të Tetovës, të cilat luftuan brenda njësisë së quajtur Brigada e Parë Maqedonase, derisa ajo u shndërrua në Brigadën e Parë Kosovare, të përbërë nga 800 trupa, në qershor 1944. Në fillimet e veta kjo brigadë ishte e përbërë nga serbë të ikur, por në qershor të vitit 1944 llogaritej se 30% e kësaj brigade ishte e përbërë nga partizanë shqiptarë. Një brigadë tjetër kosovare me 400 trupa u formua në Skopska Crna Gora në fillim të vitit 1944, në zonën në lindje të hekurudhës Nish-Shkup. Pjesa e stafit të KOSMET ka qenë e pozicionuar në territorin serb, në jug të Radan, mbrojtur nga një batalion i përbërë nga 100 kosovarë. Deri në verën e vitit 1944 KOSMET nuk mori pjesë në ndonjë aktivitet me karakter ushtarak, ndërsa në gushtin e vitit 1944 KOSMET, në hapësirën në mes Pejës dhe Gjakovës, u bashkua me Brigadën e Parë Kosovare nga Maqedonia. Megjithatë, forcat partizane në Kosovë mbetën të dobëta dhe nuk arritën të ofronin ndonjë rezistencë për t’u shënuar. Lëvizja më e rëndësishme e rezistencës ka qenë ajo e ndërtuar nga Gani Kryeziu, një pronar i madh tokash nga zona e Gjakovës. Marrëdhëniet në mes KOSMET dhe Gani Kryeziut kanë qenë korrekte dhe operacionet rastësore ushtarake janë kryer së bashku, por për shkak të refuzimit të tij për t’u bashkuar me KOSMET, ai u kërcënua nga forcat partizane të kësaj organizate dhe më vonë, në fund të vitit 1944 jeta e tij do të rrezikohej tmerrësisht nga bashkëpunimi i UNÇSH dhe UNÇJ, për të cilin zhvillim do të flitet më tej në këtë shtjellim. Më tej, përpjekjet e UNÇJ për të dërguar trupa në Kosovë nuk kanë qenë të suksesshme. Kjo, sepse rezistenca që iu bënë atyre rojet kufitare kosovare ka qenë shumë e fuqishme dhe në muajin maj 1944, korpusi i dytë i UNÇJ, në përpjekje për të hyrë në Kosovë përmes Malit të Zi dhe në korrik 1944, forcat serbe të drejtuara nga Gjeneral Lejtnanti Popoviq, duke përparuar prej veriut të Gjilanit, u sprapsën nga forcat qeveritare kosovare (nënkuptoj forcat e qeverisë shqiptarë të periudhës së pushtimit gjerman). Për shkak të kësaj disfate pothuajse të plotë në Kosovë dhe brutalitetit të kosovarëve kundrejt kolonistëve serbë, pjesa më e madhe e partizanëve jugosllavë krijuan një pamje krejt pesimiste për mundësinë e fitores me anë paqësimi mbi kosovarët. Në përgjithësi, opinioni i pjesës më të madhe të partizanëve jugosllavë, të cilët patën të bënin shumë me shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të luftës, mes të cilëve shquhet Gjenerali Vukmanovic Tempo, shpesh patën deklaruar se ata ishin banditë të pakorrigjueshëm, të cilët duhet të çohen në hell me metoda të ashpra kur vendi të çlirohet. (PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Kjo ndoshta është pikënisja e politikave të ndjekura në vijim nga komunistët jugosllavë ndaj Kosovës dhe popullsisë shqiptare në këtë anë të Ballkanit. Gjatë vitit 1944 u zhvilluan një seri sulmesh në territorin e Kosovës të pushtuar nga gjermanët, të cilat kulmuan në bashkëpunimin në mes Marshall Titos dhe FNC të Shqipërisë. Sulmet gjatë periudhës së parë të vitit 1944 mund të listohen si më poshtë: 1) Në mes datës 11 dhe 20 shkurt 1944 çetnikët serbë dhe trupat e Nediq pushtuan fshatrat shqiptare në veri të Pejës. 2) Më 29 maj 1944 njësitë e 2 korpusit të dytë të mareshalit Tito kryen një seri sulmesh nga zona e Beranes në drejtim të Morinës, Plavës dhe Rozhajës. 3) Në fund të qershorit 1944, shtabi i përgjithshëm serb, duke punuar në bashkëpunim me Marshall Titon, filloi pushtimin e Kosovës në zonën e Gjilanit.

Më datë 22 mars 1945, komandanti i Shtabit Operativ për KOSMET, kolonel Savo Dernjeviç i dërgon këtë urdhër shtabit të Divizionit 46: “Grupi i udhëheqësve nga Armata IV kanë mbërritur në Shkup, ku nesër, më datë 23 të këtij muaji, do të vijnë në Prizren për t’u lidhur me komandën e rrethinës Prizren, me qëllim kalimin e njerëzve në Shkodër. Të gjithë njerëzit e mobilizuar do të nisën nga Prizreni në 3 grupe. Çdo grup, me madhësi prej 2500 rekrutësh. Çdo grup veçanërisht do ta shoqërojnë luftëtarët dhe udhëheqësit nga Armata IV dhe nga një batalion nga divizionet tona. Grupi i parë: niset nga Prizreni më datë 24 të këtij muaji, me pushim në Kukës, Fushë-Arrëz, Pukë dhe Shkodër. Kështu që, në Shkodër do të arrijnë më 28 të këtij muaji, në mbrëmje. Grupi i dytë: niset nga Prizreni më 25 të këtij muaji, me të njëjtin marshim dhe pushime, dhe mbërrin në Shkodër më 29 po të këtij muaji. Grupi i tretë: niset nga Prizreni më 26 të këtij muaji, me të njëjtin marshim dhe pushime, dhe mbërrin në Shkodër më 30 po të këtij muaji. Vojne Oblasti ka marrë detyrën që në Prizren të sigurojë ushqimin për njësitë e mobilizuara. Të sigurohet që në tri ditët e ardhshme në Prizren të jenë nga 2500 rekrutë. Më tej Vojne Oblasti ka marrë si detyrë që përmes organeve të saj t’i sigurojë çdo grupi ushqimin rezervë për 4 ditë. Nga Prizreni në Shkodër, ku njerëzit do të marrin ushqimin rezervë për dy ditët e para, kurse në vendin shqiptar Pukë ushqimin rezervë për dy ditët e tjera deri në Shkodër. Me mbarimin e transportimit të njerëzve deri në Shkodër, detyra juaj është të ktheheni në divizionet tuaja. “Më datë 27 mars 1945, komandanti i Divizionit 46 UNÇJ, i raporton Shtabit Suprem për Kosovën dhe Metohinë sa më poshtë vijon: “Në lidhje me urdhrin e këtij shtabi të datës 22 mars 1945, raportojmë se janë transportuar shqiptarët e mobilizuar për në Shkodër, sipas kësaj radhe: Grupi i parë: është dërguar më 24 mars në orën 7. Në këtë grup janë dërguar 2600 shqiptarë, ndërsa janë shoqëruar nga 30 udhëheqësit nga “brigada dalmatine” dhe një batalion i brigadës së 27. Transporti i dytë është dërguar me datën 26 mars të këtij muaji në orën 6. Në këtë transport janë dërguar 2400 shqiptarë dhe janë shoqëruar nga shtabi dhe një batalion i brigadës së 27. Transporti i tretë është dërguar më 27 mars në orën 6. Në këtë grup janë nisur 2700 shqiptarë, ndërsa i kanë shoqëruar dy batalione të brigadës së 27. Dërgimi dhe transporti janë kryer në mënyrën më të rregullt, pa incidente. 90 shqiptarë i ka ndaluar komisioni shëndetësor, nga të cilët 80 ishin të sëmurë me tifo, ndërsa të tjerët me tuberkuloz dhe sëmundje të tjera. Të sëmurët me tifo janë pastruar dhe janë vendosur në dhomat e të infektuarve në Spitalin e KOSMET-it.” Dokumenti më i rëndësishëm që tregon se çfarë ka ndodhur realisht në rrugën e transportimit nëpër Shqipëri dhe deri në përshkrimin e masakrës së ndodhur në Tivar, është ai i datës 8 prill 1945, nga Shtabi i Armatës IV të Ushtrisë Jugosllave drejtuar Shtabit Operativ për Kosovë dhe Metohi. “Në lidhje me urdhrin e shtabit të 20 marsit të vitit 1945, ju raportojmë se është bërë kalimi i shqiptarëve të mobilizuar deri në Shkodër në tri grupe si më poshtë vijon: Grupi i parë: është nisur nga Prizreni më datë 24 mars 1945, në orën 7. Në grup janë nisur 2394 shqiptarë. Kalimin e kanë bërë udhëheqësit e ‘brigadës dalmatine’ dhe një batalion i brigadës së 27. Grupi ka mbërritur në Shkodër më datë 27 mars në mbrëmje. Më 28 mars kanë pushuar në Shkodër, ku më 29, me gjysmën e batalionit të brigadës së 27 i kanë kaluar deri në Tivar, ku shqiptarët i janë dorëzuar Divizionit të 9-të. Janë dorëzuar 2390 shqiptarë. Në mbrëmjen e parë në Kukës, 5 shqiptarë kanë tentuar të ikin, por kanë hasur në rojën shqiptare, ku njëri nga të arratisurit ka qëlluar një bombë në ushtrinë shqiptare dhe ka plagosur një nga rojat shqiptare. Me këtë rast, nga këta të pestë, tre janë vrarë kurse dy kanë mbetur të gjallë, të cilët janë kapur dhe i janë dorëzuar komandantit të grupit. Në mbrëmjen e dytë, afër Fushë-Arrëzës, nga këta të dy të mbijetuar, njëri ka tentuar përsëri të largohet, por është kapur dhe është qëlluar (pushkatuar). Grupi i dytë: është nisur nga Prizreni më datë 26 mars në orën 6. Në këtë grup ishin 2382 shqiptarë. Kalimin e kanë bërë, Shtabi i Brigadës së 27 dhe një batalion. Grupi ka mbërritur në Shkodër më datë 30 mars, në orën 8, ku janë vendosur nëpër kazerma, ndërsa nga ora 11 shqiptarët i janë dorëzuar Brigadës së 10 Malazeze. Janë dorëzuar 2370 shqiptarë. Gjatë marshimit, 8 shqiptarë kanë mbetur rrugës në spitalin e Fushë- Arrëzës nga sëmundja e tifos, ndërsa 3 janë arratisur dhe kapur, pastaj i janë kyçur grupit të tretë, dhe një ka kërcyer nga ura në Fushë-Arrëz duke bërë vetëvrasje dhe ka mbetur në vend. Grupi i tretë: është nisur nga Prizreni më datë 27 mars, në orën 6 e 30 minuta. Në grup janë larguar 2700 shqiptarë të mobilizuar. Kalimin e kanë mundësuar dy batalione të brigadës së 27. Grupi ka mbërritur në Shkodër më datë 31 mars, në orën 8, ku janë vendosur në kazerma. Gjatë marshimit në Kukës janë lënë 47 shqiptarë të sëmurë, në Fushë-Arrëz 25 dhe në Pukë 2 shqiptarë. Në Shkodër kanë arritur 2639 shqiptarë. Dallimi mes këtyre shifrave është se janë kyçur rrugës ata të cilët kanë mbetur nga grupet e para, dhe duket se janë bashkuar rrugës nga ata të cilët i kanë dezertuar nga batalioni 4 i brigadës së 4 të Kosovës. Kjo vërtetohet me këtë, se gjatë kontrollit të këtij grupi më datë 1 prill, janë gjetur tek shqiptarët 32 bomba, 2 pistoleta dhe 12 “kama”. Për arsye se me grupin e dytë, gjatë kalimit nga Shkodra drejt Tivarit i ka kaluar brigada e 10 malazeze, ka ndodhur një incident i pamëshirshëm në Tivar, me ç’rast kanë vdekur 450 dhe plagosur 120 shqiptarë. Gjatë kalimit të lumit Buna, një grup nga 200 shqiptarë janë revoltuar dhe kanë sulmuar ushtrinë tonë. Ushtria jonë ka hapur zjarr dhe me këtë rast kanë mbetur të vrarë 6 shqiptarë dhe 2 luftëtarë tanët, ndërsa 12 shqiptarë kanë mbetur të plagosur. Luftëtarët tanë janë varrosur në Tivar. Lëvizja jonë deri në Tivar ka vazhduar në kohë gjatë datës 2 prill. Grupi ka mbërritur në Tivar nga ora 17 dhe menjëherë i është dorëzuar “divizionit të 9 dalmatin”. Në total në Tivar janë dorëzuar 2617 shqiptarë. Dallimi mes shifrave të mbërritura në Shkodër, që ishin 2617 me ato të Tivarit, është 22, dhe këto: 12 të plagosur gjatë incidentit në Bunë, 6 të vdekur, dhe 1 ka vdekur nga sëmundja dhe 1 tjetër është në Spitalin e Shkodrës, ku divizioni i 9 do ta tërheqë. Me përfundimin e detyrës ka filluar largimi i një pjese të brigadës së 27 nga Prizreni dhe këtë në përgjithësi me kamion dhe në këmbë; me kamion ata të cilët ishin më të lodhur dhe me veshmbathje më të keqe, pastaj edhe të tjerët, kështu që e gjithë brigada e 27 ka qenë e kaluar në Prizren më datë 6 prill, në orën 20:00. Gjatë kohës së marshimit, si dhe gjatë kthimit të brigadës së 27, ka qenë një disiplinë e mirë. Udhëheqësit dhe luftëtarët i kanë kuptuar mirë detyrat e tyre dhe ashtu i kanë kryer. Marrëdhëniet e luftëtarëve tanë me shqiptarët e mobilizuar kanë qenë të mira, gati mund të thuhet një marrëdhënie miqësore. Incidentet e vogla që i ceka më lart kanë ndodhur nga ana e shqiptarëve, ndoshta në të vërtetë nga persona të këqij, të futur në mes të shqiptarëve, me qëllim të fillonin revolta dhe t’iu mundësojnë kështu arratisjen e shqiptarëve. Qeveria shqiptare ka qenë shumë e kujdesshme me ushtrinë tonë, të paragëzuar dhe të mahnitur me lëvizjen tonë dhe të luftëtarëve tanë. Ushtarët tanë, në të gjitha rastet kanë qëndruar ushtarakisht dhe korrektë, kështu që gjithkund kanë lënë përshtypje të mira. Ushqimi: Para nisjes, çdo luftëtar, por edhe çdo shqiptar, ka fituar ushqim për dy ditë. Për dy ditët e ardhshme ushqimi është transportuar me kamion. Ushqimi, gjatë qëndrimit në Shkodër dhe udhëtimit drejt Tivarit, është siguruar nga divizioni i 9 dhe ishte shumë i mirë. Ushqimi për kafshët në mungesë të sanës ishte mjaft i dobët dhe për këtë arsye kafshët janë mjaft të dobësuara dhe të lodhura. Gjendja shëndetësore e luftëtarëve gjatë kësaj periudhe ishte e mirë. Sëmundje te luftëtarët tanë nuk kishte; ka lëndime në këmbë për shkak të mbathjeve të këqija. Gjendja shëndetësore e kafshëve është mjaft e dobët për shkak të ushqimit të munguar. Mbas kthimit, njerëzit janë vizituar dhe vaksinuar nga sëmundja e tifuidit. Gjendja shëndetësore tek shqiptaret ka qenë mjaft e dobët; ka pasur shumë të cilët kanë qenë të infektuar nga tifuidi. Dokumenti që përshkruan në detaje mënyrën e tmerrshme të ekzekutimit të kosovarëve është po ai i datës 8 prill 1945. Në të thuhet: “Po ju dorëzojmë raportin për kalimin e kontingjenteve maqedonase nga territori i këtij shtabi në formacionin e Armatës së 4. Më datë 24.III.1945 është nisur grupi i parë, me madhësinë prej 2.214 njerëzish, me shoqërues prej një batalioni të brigadës XXVII dhe me 50 udhëheqësit tanë. Grupi ka vazhduar rrugën mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ka ndodhur një incident: njëri prej grupit të kolonës ka hedhur një bombë në rojën tonë, ndërkohë është krijuar një gjendje tensioni; një grup prej 10 vetësh ka arritur të arratiset. Ndërkohë kanë hasur në një patrullë të ushtrisë shqiptare, e cila i ka ndaluar dhe i ka ftuar të afrohen. Ftesën e ushtrisë shqiptare ata e kanë injoruar dhe kanë vazhduar arratinë. Ushtria shqiptare ka hapur zjarr drejt tyre dhe kanë vrarë dy persona, kurse dy të tjerë i kanë plagosur rëndë, të cilët nuk u kanë mbijetuar plagëve. Pjesa tjetër e grupit është transportuar pa asnjë incident. Më datë 20.III.1945 është nisur grupi i dytë, në madhësinë prej 2380 njerëzish. Gjatë gjithë kalimit të rrugës nga Prizreni në Shkodër nuk ka pasur humbje të asnjë personi, as ndonjë incident. Nga lodhja njerëzore, shoqëruesit e grupit deri në Shkodër, kemi kërkuar nga brigada X malazeze (X Crnogorska Brigada) për të na ndihmuar në kalimin dhe sigurimin e shoqëruesve nga Shkodra deri në Tivar. Kemi hasur në mirëkuptim nga shokët e shtabit të brigadës dhe na kanë nisur një batalion prej brigadës së tyre, i cili ka mbërritur në Shkodër më datë 30. III. 1945. I njëjti batalion ka marrë përsipër sigurimin në Shkodër dhe sipas planit është kryer lëvizja me batalionin e brigadës X, dhe me një çetë të batalionit tonë, e cila i ka shoqëruar “të mobilizuarit e rinj”. Grupi është nisur natën e datës 31.III.1945 dhe në mënyrë të përsosur ka kaluar lumin Buna. Në rrugën nga Shkodra deri në Tivar ka ndodhur që përçuesit tanë kanë ngritur zërin në “njerëzit e mobilizuar” dhe në disa raste i kanë goditur. Kështu, mes të gjithash shqiptarët (shqiptarët e viseve gjatë rrugës nga Sukobina në Tivar, shënim imi R.G.) kanë folur se iu kanë treguar se (të mobilizuarit, shënim imi R.G.) do t’i dërgojnë në kampe të burgut ose në punë të detyruar. Por kjo nuk është e vërtetueshme dhe plotësisht nuk korrespondon me të vërtetën. Në 2-3 kilometra nga Tivari, një rojë kolone duke ecur ka goditur një shqiptar, ku nga kjo, ky i fundit i ka rrëmbyer pushkën e tij dhe ka qëlluar rojën dhe në vend e ka vrarë. Në atë ka vrapuar një oficer, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe ka vrarë shqiptarin në fjalë. Nga kolona kishte vrapuar një shqiptar tjetër me qëllim t’i marrë pistoletën oficerit në fjalë, por ka vërejtur se shqiptari i mëparshëm ka rënë në tokë, është tërhequr dhe pas kësaj ka humbur në kolonë. Ka filluar ndjekja dhe kërkimi i tij përmes kolonës gjithkund deri në Tivar, gjithashtu edhe në godinën ku ata janë vendosur. Në godinë është gjetur dhe kapur, nga ku është lidhur dhe çuar në afërsi të kolonës, e cila ka qenë duke hyrë në godinën e strehimit. Duke u larguar pak më larg nga godina mbasi është arrestuar, në afërsi të kolonës, e cila ka qenë akoma në rrugë, me rreth 350-400 njerëz, personi i arrestuar ka filluar të bërtasë në gjuhën shqipe disa fjalë, të cilat disa i përkthejnë se ka thirrur në ndihmë dhe ka paralajmëruar me fjalë: “Ku po shkoni? Kjo po ju pret edhe juve”, d.m.th. ka qenë i arrestuar dhe i lidhur. Në momentin kur ai më së shumti ka çuar zërin, është hedhur një bombë nga kolona në të dhe në ato që e kanë shoqëruar. Bomba ka eksploduar dhe mbas kësaj ka rënë dhe e dyta nga e njëjta kolonë, dhe mbas bombës së dytë në momentin e njëjtë është hapur zjarri nga pushkët dhe nga armët automatike. Kanë rënë bomba nga të gjitha anët, ka pasur qitje nga të gjitha armët, dhe në atë zjarrqitje janë kyçur dhe këshilltarët, infermierët, me një fjalë çdokush që ka ndodhur në atë moment në atë vend që ka pasur armë. Zjarrqitjet janë ndaluar atëherë kur askush nga grumbulli nuk është ngritur dhe lëvizur. Rezultati i gjithë kësaj është 550 viktima, nga të cilët, 150 janë plagosur dhe të tjerët kanë mbetur të vdekur, dhe një sasi e vogël është larguar nëpër shtëpi ose janë arratisur. Llogaritet se janë rreth 430 të vdekur. Në të gjithë këtë ngjarje kanë qenë prezentë komandanti dhe komisari i brigadës X (bëhet fjalë për brigadën X malazeze, shënim imi R.G.) dhe pothuajse të gjitha institucionet civile dhe ushtarake të cilat ndodhen në Tivarin e Ri. Shumica prej tyre kanë marrë pjesë aktivisht në atë zjarrqitje mbi njerëz. Sipas fjalëve të dëshmitarëve okularë, skena ka qenë më se e tmerrshme. Në rrugë të gjerë 6-7 metra me gjatësi rreth 60 metra kanë qenë të grumbulluar rreth 400 kufoma. Që kjo të dukej edhe më keq, në momentin e qitjes është hasur një automobil “xhip” me amerikanë dhe është afruar shumë afër vendit ku kjo ka ndodhur. Fatmirësisht disa nga udhëheqësit tonë janë gjetur dhe i kanë kthyer dhe treguar rrugën drejt Ulqinit. Janë vërejtur disa civilë, të cilët kanë fotografuar, por më vonë këta të njëjtit kanë humbur në atë rrumbuj. Për të gjithë këtë po behët hetim i mëtejshëm. Me datën 27 III 1945 është nisur nga Prizreni grupi i III drejt Shkodrës me madhësi prej 2680 njerëz. Ky grup ka qenë më i madhi, por më i dobëti, mendoj se arsyeja është se në atë grup kanë qenë shumë të prekur me “tifuid” dhe sëmundje tjera të ndryshme. Prova se kjo është e saktë, është se rreth 170 njerëz kanë mbetur nëpër rrugë për shkak të kësaj sëmundjeje, nga të cilët disa prej tyre i kemi mbledhur me kamion dhe i kemi kaluar, kurse disa të tjerë kanë humbur. Ky grup deri në Shkodër ka udhëtuar pa asnjë incident. Por në Shkodër banorët kanë marrë vesh se po kalohen shqiptarë. Reagimi shkodran përkatësisht reagimi shqiptar ka arritur të depërtojë deri në grup, falë paaftësisë sonë. Rezultati i punës së “reagimit” është që në këtë grup është arritur të organizohet një numër i madh shqiptarësh, ku numri i saktë nuk është përcaktuar. Rebelimi duhej të shpërthejë më 1 prill, por ne rastësisht kemi bërë lëvizje natën e 31. III/ 1. IV. 1945 dhe i kemi ndarë në grupe dhe kështu kemi parandaluar rebelimin e madh. Përveç kësaj, një grup prej 200 njerëzish duke pritur në skelë, përmes të cilës kalonin përkrye Bunës, ka tentuar të kryejë rebelimin, në atë mënyrë që i kanë sulmuar rojet. Kanë arritur të hedhin një shokun tonë në Bunë. Tanët kanë hapur zjarr, por jo në drejtim të tyre, por mbi ta dhe anash kolonës. Kështu që gjatë arratisjes nga grupi, i ka kapur hovi i mitralozit ata, të cilët kanë ndalur së ikuri, kështu që në vendngjarje kanë humbur jetën 4 shqiptarë dhe rastësisht 2 nga shokët tanë dhe 12 të plagosur shqiptarë dhe me këtë përfundoi gjithçka. Tanët e kanë izoluar këtë grup dhe i kanë arrestuar deri në Tivar. Gjatë udhëtimit drejt Tivarit nuk ka ndodhur asnjë incident” (blloku i dokumenteve të Arkivit të Kosovës, dokumenti më datë regjistrimit 27.03.1945, është një reparti të komandantit të Divizionit 46 drejtuar Shtabit Operativ për KOSMET. Lëshuar me 27 mars 1945 dhe numër protokollit 47. Sa më sipër është një përshkrim dramatik i asaj çfarë ka ndodhur, që tregonte brutalitetin e sjelljes dhe çdo gjë që ka ndodhur nga rekrutimet, bashkëpunimet në rekrutim transportin nëpër territorin e Shqipërisë deri tek ekzekutorët që janë partizanët e Brigadës së X proletare malazeze të drejtuar nga komisari politik Stevo Kovaçeviq (Kova?evi?) dhe komandanti Gasho Markoviq. (Milija Stanishiq, Rukovodeci kadrovi NOB-a u Crnoj Gori 1941-1945). Në bisedë më anëtarë e stafit të përfaqësisë britanike në Beograd, gjenerali Velebit u kishte konfirmuar britanikëve kushtet e trazuara të situatës në Kosovë dhe kjo situatë e trazuar u atribuohej para së gjithash parashutimeve të shqiptarëve të Divizionit “Skanderbeg” nga ana e gjermanëve në prapavija. Gjithsesi, sipas tij, në fund të muajit prill 1945 trazira mund të konsiderohej e mbyllur në një masë të madhe dhe kjo gjë falë bashkëpunimit në shtypjen e kryengritjes së trupave nacionaliste, prej anës së UNÇSH, mungesa e dallimeve nacionale që këto partizanë shqiptarë kishin shprehur në shtypjen e shqiptarëve nacionalistë, kishte bërë një përshtypje të jashtëzakonshme mes partizanëve jugosllavë. Prania e trupave të UNÇSH në Kosovë konfirmohet edhe nga një raport amerikan i datës 25 mars 1945, sipas të cilit, Divizioni 5 i UNÇSH ndodhej në Kosovë dhe e kishte të vendosur Shtabin e vet kryesor në Mitrovicë. Shkalla e madhe e mobilizimit të meshkujve kosovarë, internimi dhe depërtimi i tyre në pjesë të tjera të vendit, arrestimi i liderëve të tillë si Gani Bej Kryeziu, synonte dhe arriti të paralizonte, së paku përkohësisht, këtë krahinë nga çdo rezistencë e mundshme ndaj këtij ripushtimi të Kosovës prej Serbisë, gjegjësisht Jugosllavisë. Njoftimi i aderimit të ardhshëm të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në njësinë federale serbe, sipas të gjitha gjasave do ta rigjallëronte rezistencën në Kosovë. Por siç duket, qeveria në Beograd nuk do ta bënte shumë shpejt një hap të tillë, përderisa të sigurohej mbi shkatërrimin dhe djegien çdo rezistence shqiptare në ketë vend.( PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945). Dhe në fakt kështu ka ndodhur: vendimi për aneksimin e Kosovës në Federatën Jugosllave ka ndodhur pas spastrimit kryesor etnik dhe gjenocidit të Tivarit, i konsumuar kryesisht gjatë muajve mars dhe prill 1945. Mbi mobilizimin e sforcuar, vrasjet sporadike dhe vrasjen masive të së paku 500 shqiptarëve të Kosovës në Tivar, bëjnë fjalë edhe një numër raportesh të partizanëve të UNÇSH. Më i rëndësishmi mes tyre është ai i Shefqet Peçit, që mban datën 7 prill 1945 dhe që gjendet në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ai raporton: “Përpara një jave më se 7000 kosovarë të mobilizuar rishtas kanë kaluar nëpër Shkodër për në Malin e Zi, të ndarë në tri grupe marshimi. Një ditë më parë nga ngjarja e sipërme, grupi i dytë i këtij ishte përbërë prej më tepër se 3000 vetash, porsa mbërritën anëdetin e Tivarit u rrethuan nga jugosllavët dhe mbasi u hoqën prej grumbullit ata të racës sllave, u hap zjarr kundër kosovarëve ku mbetën të vrarë më tepër se 500 vetë. Këto informata janë marrë nga ata që mundën të shpëtojnë tue e ba vehtën të vdekur në grumbullin e kufomave. Gati nja dhjetë prej të shpëtuarve ndodhën këtu në Shkodër (Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura (më tej AQFA), Fondi 100/1. dosja 87, viti 1945, Raport nr. 198/I, Shkodër, 07.04.1945, Shefqet Peçi drejtuar Komandës së Përgjithshme). Me sa kuptohet nga raportet e partizanëve shqiptarë, ajo çfarë ka ndodhur në Tivar është vetëm fundi i një kalvari të gjatë, shoqëruar me incidente të shumta mes të cilave është ai i datës 1 prill 1945, në mesnatë, tek Ura e Bunës në Shkodër, të cilin e raporton sërish Shefqet Peçi: “Informohemi se si mbas njoftimit që na bën brigada e dytë e mbrojtjes e popullit se në mesnatën e datës 01.04.1945, shoqëroheshin të rimobilizuar kosovarë prej partizanëve të Ushtrisë Jugosllave. Për arsye ende të padituna e ndofta aksidentalisht u mbytën në skelën e lumit Buna nji partizan jugosllav e nji nga të mobilizuarit. Partizanët e tjerë jugosllavë pandehën se mbytja u bë me paramejtim dhe me njëherë hapën zjarr kundra turmës të të mobilizuarve, që ndodheshin në pritje për të kaluar lumin. Zjarri i armëve zgjati pesë minuta dhe u pre vetëm me urdhër të komandantit të Kolonës Çiros Tikoviç, divisioni 46, brigada 27, batalioni dytë. Mbetën 6 të vrarë dhe 11 të plagosur nga të mobilizuarit dhe nji i vrarë dhe nji i plagosur nga partizanët që shoqëronin. Të mobilizuarit që shoqëroheshin ishin të çarmatosur. Një gjë e tillë, simbas informatës që ka Brigada e dytë e Mbrojtjes së Popullit, kështu paska ngjarë edhe në Tivar, ku duket se kanë mbetur afro 500 veta të vrarë”( AQFA, Fondi 100/1. dosja 87, viti 1945, Raport nr. 198/I, Shkodër, 04.04.1945, Shefqet Peçi drejtuar Komandës së Përgjithshme).

Me sa kuptohet nga dokumentet e ndryshme të periudhës mars-prill 1945, nga Shkodra kanë kaluar disa autokolona me kosovarë të rekrutuar, fati i të cilëve asnjëherë nuk është marrë vesh. Qartësisht në sy të partizanëve shqiptarë, partizanët jugosllavë kanë kryer vrasje sporadike, por ata japin edhe dëshmi, edhe për së paku një masakër kolektive të kryer në Tivar. Partizanët shqiptarë dhe komanda e përgjithshme e tyre ka pasur dijeni mbi zhvendosjet dhe vrasjen sporadike dhe masive. Për hir të së vërtetës, raportimi i Shefqet Peçit për Enver Hoxhën, është me notat e një shqiptari të shqetësuar mbi sjelljen e jugosllavëve, në tokën shqiptare ndaj shqiptarëve të Kosovës, një shqetësim jo vetëm për humbjen e jetëve të pafajshme të shqiptarëve të paarmatosur, por edhe për shkeljen e integritetit shtetëror të Shqipërisë. Por reagimi i “Komandantit të Përgjithshëm” ka variuar nga mosveprimi deri në bashkëpunim në krim kolektiv ndaj jetës dhe lirisë njerëzore, ndërkohë që faktet e sjella më lart në këtë hetim, tregojnë se ai ishte urdhërdhënësi i dorëzimit të kosovarëve në njësitë partizane jugosllave, ose thënë ndryshe, i viktimës tek xhelati. Arrestimet e para të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore janë kryer me bashkëpunim edhe të partizanëve të UNÇSH dhe partizanëve kosovarë.
Enver Hoxha si përgjegjësi kryesor i marrëdhënieve të ngushta me Jugosllavinë e Titos në kohën e genocidit të Tivarit
Përgjegjësia penale:
Kemi të bëjmë me një bashkëpunim në deportim të popullsisë civile, heqje masive e lirive civile, mosveprim ndaj humbjes së jetëve të pafajshme të shqiptarëve të paarmatosur në tokën shqiptare, dhe shkelje të integritetit shtetëror të Shqipërisë. I tillë ka qenë mosreagimi i “Komandantit të Përgjithshëm”: sjellja e tij ka variuar nga mosveprimi deri në bashkëpunim në krim kolektiv ndaj jetës dhe lirisë njerëzore, ndërkohë që faktet e grumbulluara në këtë hetim, tregojnë se ai ishte urdhërdhënësi i dorëzimit të kosovarëve në njësitë partizane jugosllave. Arrestimet e para të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore janë kryer me bashkëpunim edhe të partizanëve të UNÇSH dhe partizanëve kosovarë.
Personi që ka qenë tërësisht i angazhuar me trajtimin e marrëdhënieve me jugosllavët në këtë periudhë brenda qeverisë shqiptare të FNÇ ka qenë Sejfulla Maleshova. Ai ka bashkëpunuar ngushtë në këtë periudhë me Misionin Jugosllav në Tiranë dhe në dhjetor të vitit 1944 vizitoi Beogradin, i shoqëruar nga Bedri Spahiu dhe Naku Spiro. Qëndrimi i ashpër i adoptuar nga FNÇSH në situatën e brendshme në Shqipëri daton, në këndvështrimin e analistëve britanikë, pas kthimit të këtij delegacioni nga Beogradi.( PRO.FO.371.48079, R 3670, Notes compiled by Lieut. Colonel Palmer, the officer in command of th British Mission at FNC Headquarters in Albania. (Secret) Appendix “A”. 6 February 1945) Nga ana tjetër, Misioni Ushtarak Jugosllav në Tiranë ka qenë misioni më i madh në numër i akredituar në Shqipëri, i përbërë nga 2 kolonelë dhe tre lejtnantë kolonelë, çfarë tregon qartësisht rëndësinë e ndërvarjen nga Jugosllavia të qeverisë së re komuniste shqiptare. Misioni mbante kontaktet më të ngushta me Enver Hoxhën dhe të gjitha pjesët e administratës së FNÇSH. Kjo, për faktin që një pjesë e formacioneve UNÇSH po luftonin në Jugosllavi, por para së gjithash për shkak të dëshirës së Hoxhës për ta mbajtur mirë me qeverinë jugosllave. Vëzhguesit britanikë mendojnë se nga fundi i vitit 1944 Hoxha kishte shfaqur shenja shqetësimi që Shqipëria mund të vendosej më shumë sesa duhej nën ndikimin jugosllav dhe se ai po bënte çfarë ishte e mundur për të ruajtur identitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Por pas ndryshimit të situatës në jug dhe rishfaqjes së rrezikut grek, u bë gjithnjë e më e rëndësishme për Enver Hoxhën ta mbante mirë me Titon, madje edhe me koston e humbjes së ndonjë shkalle pavarësie (PRO.FO.371. 48079, R 3670, Notes compiled by Lieut. Colonel Palmer, the officer in command of the British Mission at FNC Headquarters in Albania. (Secret) Appendix “B”. 6 February 1945) Nën shembullin e Titos, vetë Enver Hoxha dhe qeveria e tij, në fillim të vitit 1945 mori vendimin për të mobilizuar të gjithë burrat në mes moshës 18 deri 35 vjeç, që do të thoshte një forcë prej 50000 trupash në Shqipërinë e pas luftës, në një kohë që gjermanët ishin larguar nga vendi. E gjithë kjo forcë ushtarake e mobilizuar i shërbeu atij për të shtypur çdo vatër rezistence, sidomos në veriun jokomunist të vendit dhe për të mbajtur në kontrollin masën e madhe të të rinjve. Cili ishte thelbi i regjimit të drejtuar nga Enver Hoxha, regjim që po flirtonte me regjimin e Beogradit në dëm të interesave kombëtare dhe të publikut shqiptar? Nga i gjithë dokumentacioni që kam pasur në dispozicion mendoj se vlerësimin më të mirë dhe më të saktë ndaj regjimit komunist shqiptar ia ka bërë një raport i Selisë së Shenjtë drejtuar në “Foreign” Office në Londër, i datës 15 mars 1945. Në raport thuhet: “Qeveria, e cila u formua pas tërheqjes së gjermanëve, të cilët u evakuuan nga Tirana më 16 nëntor 1944, është ndërtuar të jetë një qeveri demokratike dhe e thërret veten të tillë. Në fakt, ajo është një koalicion në mes PKSH, e cila varet nga PKJ, dhe disa partive nacionaliste. Por prirja e sferave sunduese për të ndjekur një linjë edhe më të qartë komuniste, duke eliminuar të gjithë kundërshtarët e Partisë së Kuqe, është e qartë. Nga fillimi ishte e qartë që entuziazmi i qeverisë së re ishte tërësisht për Rusinë dhe përjashtimin e aleatëve të vjetër, si britanikë ashtu edhe amerikanë, që tani janë bërë objekt i një kritike të ashpër publike. Ylli i Kuq është në dukje kudo, mbi uniforma, mbi ndërtesat publike, mbi automjete. Nga ana tjetër, organizatat të cilat nuk janë të thirrura qartësisht komuniste, janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të partisë dhe të frymëzuara nga ajo. Deri edhe zgjedhjet popullore të javëve të fundit janë kryer sipas sistemit komunist të tregimit të duarve në publik. Në këto kushte askush nuk mund të flasë për demokraci dhe liri popullore. Fjala “hakmarrje” kundër armiqve të lëvizjes aktuale, është e shkruajtur në çdo kënd të rrugëve, në gazeta, dhe është e përsëritur në çdo mbledhje. Në këtë hakmarrje nuk janë të përfshirë vetëm kriminelët e vërtetë, por gjithashtu një masë e popullit të burgosur vetëm mbasi kishin bashkëpunuar me regjimet e mëparshme, ose mbasi kishin shprehur simpatinë e tyre për një parti asokohe në pushtet. Mes tyre janë shumë katolikë fisnikë të Shkodrës dhe Tiranës….” (PRO.FO.371.48080/R5391/46/90, Mr Osborne, Holy See, March 15, 1945, to Anthony Eden, Foreign Office).
Zhvillimet politike
në Kosovë në fillim
të vitit 1945
Në fillim të vitit 1945, në rajonin e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe në këndin veriperëndimor të Maqedonisë, pati një seri trazirash mes popullsisë shqiptare. Hapësira e lartpërmendur gjatë gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ka qenë zona kryesore armiqësore ndaj UNÇJ, dhe aty lëvizja partizane nuk ka pasur shumë simpati ose mirëkuptim. Kjo gjë lidhet me një numër faktorësh, por më kryesori prej tyre është represioni që pësoi popullsia shqiptare prej qeverive jugosllave në periudhën në mes viteve 1920 deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Kjo shpjegon arsyen pse kur shteti jugosllav pësoi kolaps, kjo ngjarje dhe përfshirja e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe Maqedonisë veriperëndimore në Shqipëri, u mirëpriten në masë nga popullsia shqiptare, e cila madje edhe bashkëpunoi mirë me italianët dhe më pas me gjermanët. Si janë sjellë autoritetet komuniste jugosllave me Kosovën në momentet e para kur u është mundësuar hyrja djallëzore në Kosovë, me ndihmën e reparteve të UNÇSH? Më poshtë, në këtë punim do të përpiqemi të rreshtojmë disa të dhëna që tregojnë se komunistët jugosllavë të drejtuar nga Tito kanë hyrë në krahinë me pikësynime krejtësisht të qarta politike dhe njëkohësisht kanë shfrytëzuar çdo mundësi për akaparim ekonomik të pasurisë së qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, të mbetur në krahinë.
Lajmi i datës 3 janar 1945. Office of Strategic Services (OSS), që ka qenë një agjenci e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, formuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte marrë një njoftim, që më datë 28 nëntor 1944 partizanët jugosllavë shkuan në degën e Bankës Kombëtare të Prizrenit dhe i morën me forcë 2 milionë franga shqiptarë në kartëmonedhë. Ajo pasuri e shtetit shqiptar asnjëherë deri më sot nuk i është kthyer as Shqipërisë dhe as Kosovës. Kjo gjë bëhej kur në qytetet kosovare të Prizrenit, Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, flamuri shqiptar dhe ai jugosllav mbaheshin të ngritur pranë njëri-tjetrit në shtabet e përgjithshme të partizanëve respektivë. Pikërisht në fillim të muajit janar Mareshali Tito lëshoi një urdhër, sipas të cilit, në krahinën e Kosovës të mbeteshin vetëm trupat partizane të Kosovës dhe gjithë forcat e tjera duhej të largoheshin. (PRO.FO.371. 48090,R/237/237/G90, Cypher, from Bari to Resident Minister’s Office Central Mediterranean, Caserta, January 3, 1945, Lt. Col. Deakin). Megjithatë në krahinë kanë mbetur edhe për një periudhë të gjatë një numër i madh forcash të UNÇSH, të cilat, sikurse do ta shohim më tej në këtë punim, janë dislokuar me shumë kujdes në periferi të krahinës dhe janë vendosur nën urdhrat e drejtpërdrejta të Komandës së Përgjithshme të UNÇJ.
Në fillim të vitit 1945 Kosova dhe Metohija administroheshin prej Komiteteve Nacionalçlirimtare, që përfshinin brenda radhëve të tyre edhe përfaqësues të shqiptarëve brenda kufijve të Serbisë. Autoritetet jugosllave u treguan të kujdesshme që të rikthenin në Kosovë në këtë periudhë kolonistët serbë që ishin detyruar me forcë të linin Kosovën më 1941. Ndërkohë, gjermanët po në këtë periudhë kishin parashutuar herë pas here kosovarë në brendësi të prapavijave të forcave komuniste. Një grup prej rreth 60 shqiptarësh të Kosovës, pikërisht në këto ditë të fundit të marsit 1945, u gjendën të rrethuar nga trupat e ushtrisë jugosllave.( PRO.FO.371. 48090/R5950/237/90, Cypher from Belgrade to ‘Foreign Office’, Mr. Stevenson. From Belgrade to Foreign Office, Mr, Stevenson, April 3, 1945) Për një parashutim të tillë bën fjalë edhe një radiogram i nënkolonel Gjin Markut (komandant i Shtabit Operativ të Divizionit V UNÇSH dhe Nënkolonel Ramiz Alisë, Komisar Politik i po kësaj njësie, që mban datën 27.03.1945, drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Jugosllave në Beograd (Arkivi Qendror i Shtetit, F. 14/APL, viti 1945, Korrespondencë e formacioneve ushtarake shqiptare në Jugosllavi, Radio-Gram, 27.03.1945) Sipas të dhënave që jepte misioni ushtarak britanik në Tiranë, elementë të dy divizioneve të UNÇSH (gjithsej 6 brigada me afërsisht 10000 partizanë) bashkëpunonin me trupat e Mareshallit Tito në Jugosllavi. Dy brigada, në fillim të vitit 1945 u tërhoqën drejt Malit të Zi dhe u kthyen për të shtypur kryengritjen në Kelmend të Malësisë së Madhe të drejtuar nga Prek Cali dhe Lek Marashi. Nuk ka pasur informacion të saktë mbi aktivitetin e këtyre brigadave të UNÇSH në Jugosllavi, përveç deklaratave zyrtare. Për drejtuesit e misionit aleat, mbajtja e këtyre formacioneve në Jugosllavi do të mund të përdorej, në rrethanat e mundësisë së mosnjohjes së qeverisë së FNÇSH, si një pretendim nga ana e FNÇSH për përfaqësim në çdo bisedim paqeje që do t’i përkiste çështjeve në Ballkan. Gjendja e trupave të UNÇSH në Jugosllavi ka qenë e mjeruar në pikëpamje të furnizimeve me veshmbathje dhe armatim. Që nga nëntori 1944, në drejtim të këtyre trupave nuk ishte dërguar asnjë furnizim dhe misioni aleat propozonte që një pjesë proporcionale e ndihmës aleate për Jugosllavinë do të duhej t’u jepej edhe trupave të UNÇSH. (PRO.FO.48079, R 3670, Notes compiled by Lieut. Colonel Palmer, the officer in command of the British Mission at FNC Headquarters in Albania. (Secret) 6 February 1945).
Gjendja në Kosovë në tërësi dhe në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së sotme ka qenë e mjeruar. Rreth kësaj gjendjeje paraqiten dëshmi të shumta: Më 14 prill 1945, Mit’hat Frashëri, Kryetar i Ballit Kombëtar, Lec Kurti, kryetar i Komitetit të Ballit Kombëtar për Shkodrën, Vasil Andoni, Sekretar i Ballit Kombëtar, do i dërgojnë një letër Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Churchill, në të cilën ata e sqarojnë në detaje realitetin e mjeruar në të cilin kishte hyrë Shqipëria pas vendosjes së qeverisë së drejtuar nga Enver Hoxha, ku ndër të tjera ata ankohen edhe për bashkëpunimin e qeverisë së FNÇSH në masakrat ndaj shqiptarëve në fillimvitin 1945 ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë. Ata shkruajnë se, “kur Partia e kuqe erdhi në pushtet përmes terrorit, ajo nuk tha asnjë fjalë për sa u përket mijëra shqiptarëve, të cilët u masakruan barbarisht në Tetovë, Gostivar, Shkup dhe në të gjithë Kosovën prej maqedonasve dhe serbëve”. Më tej ata shtojnë se “tradhtia më e zezë që regjimi i tanishëm në Shqipëri ka bërë në dëm të vendit tonë është mohimi i një tjetër Shqipërie, e cila ka qenë nën Jugosllavinë që prej vitit 1913: ne nënkuptojmë me këtë Kosovën dhe Dibrën, rajone tërësisht shqiptare, banuar prej afërsisht 1 milion shqiptarësh dhe më pak se 10% sllavësh. Dhe i gjithë ky mohim është bërë kundër dëshirës së popullit të këtyre krahinave, i cili, pas shpalljes së Kartës së Atlantikut, dhe pasi derdhi aq shumë gjak për liri, priste që referendumi i premtuar do të riadresonte gabimet e vjetra dhe do të rikthente kështu pjesët e shkëputura tek atdheu amë” (FO.371.48080, R8523/46/90, Appeal to Mr, Churchill from three Albanians in Italy.)
Një dokument shumë i rëndësishëm në kuptimin e dhunës, terrorit, deportimeve dhe vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore është raporti i brigadierit Hodgson, mbi një vizitë që ai ka zhvilluar në qytetin ë Shkodrës më datë 26 prill 1945. Ai, nga data 23 deri më 25 prill 1945, vizitoi qytetin e Shkodrës dhe na sjell komente të përgjithshme mbi situatën ushtarake, kalimin e të deportuarve shqiptarë të Kosovës përmes qytetit të Shkodrës drejt Malit të Zi, dëmtimet e luftës, situatën ushqimore, shqetësimin e shqiptarëve rreth Konferencës së San Francisco-s dhe dokumentet e Legatës Britanike, lënë atij nga zoti Zef Trifon Toni, djali i Trifon Tonit, punonjësit besnik të Legatës Britanike në Durrës. Brigadieri Hodgson shpjegon se ditën e mbërritjes së tij në Shkodër, 23 prill 1945, ai menjëherë bëri një tur nëpër qytet, pas orës 15.00 pasdreke. Gjatë inspektimit ai ka qenë dëshmitar i tri njësive të mëdha me burra, që kishin marshuar gjatë, me një numër total prej 1500 sish. Ata kanë qenë të paarmatosur, të shoqëruar nga eskorta e partizanëve jugosllavë dhe kishin arritur në Shkodër nga drejtimi i lindjes. Në kohën e marshimit të tyre dyqanet kanë qenë urdhëruar të mbyllen. Përkthyesi pyeti një partizan jugosllav në lidhje me identitetin e këtyre njerëzve. Ai iu përgjigj se ata ishin shqiptarë nga Kosova, të cilët kishin luftuar kundër shokëve të tij partizanë. Ai u shpreh se ky grup i madh njerëzish ishte në rrugë drejt Dalmacisë. Më vonë, brigadieri Hodgson pati mundësinë për ta shqyrtuar gjendjen e kolonës së kosovarëve nga afër. Njerëzit që ai takoi ishin të gjithë fshatarë dhe ishin duke vuajtur sigurisht nga një lodhje ekstreme. Në mbrëmjen e datës 23 prill 1945, në darkën e dhënë prej komandantit ushtarak të Shkodrës, Hodgson pati mundësinë të pyeste disa oficerë dhe zyrtarë mbi këtë çështje. Të parin që ka pyetur ai rreth identitetit të kolonës kosovare, ka qenë Komisari i Korpusit të 3-të, Beqir Balluku, i cili i ka dhënë këtë përgjigje: “Ata ishin fshatarë malazezë, të cilët ishin duke kaluar përmes Shqipërisë për t’u rekrutuar në ushtrinë jugosllave”. I dyti person i intervistuar ka qenë Riza Dani nga Këshilli Krahinor i Shkodrës, i cili u përgjigj: “Ata ishin shqiptarë nga Kosova, që ishin duke shkuar për t’u rekrutuar në ushtrinë shqiptare”. Personi i tretë i intervistuar ka qenë zëvendëskryetari i Këshillit Antifashist, Hasan Pulo. Ai ka deklaruar se “ata qenë ushtarë të vjetër në ushtrinë jugosllavë në rrugë drejt Malit të Zi”. Sipas brigadierit Hodgson, mund të besohet se deklarata e partizanit jugosllav ka qenë më e sakta.( PRO.FO.371. 48081 8567/46/90, Brigadier Hodgson: Visit to Scutari).
Pra, siç shihet edhe nga kjo dëshmi, bëhet fjalë për një veprim të mirënjohur kriminal të bërë nën hundën dhe në pranimin dhe bashkëpunimin e heshtur të komandës së partizanëve shqiptarë në Shkodër, por siç na del edhe nga dëshmia e Hodgsonit, edhe të nacionalistëve të përfshirë në pushtetin e drejtuar nga komunistët. Kolona për të cilën bën fjalë Hodgson është disa javë pas Masakrës së Tivarit dhe dëshmisë mbi një kolonë të mëparshme të bërë nga Shefqet Peçi. Por ajo dëshmon se procesi i pastrimit të Kosovës nga djelmënia ishte një proces që vijonte dhe se kishte sërish itinerarin pararendës. Duhet të kujtojmë se situata në qytetin e Shkodrës në muajin prill është e tillë që administrata e vendosur nga komunistët ishte qartësisht nën kontroll të plotë të situatës në qytet dhe në rrethina, por gjithandej në këtë qytet kishte më pak entuziazëm për qeverinë e re sesa në zonat e jugut. Gjithashtu, gjatë muajit maj 1945 komunistët u vendosën nën kontroll të plotë të situatës, pas muajsh të tërë masash represive. Pushteti komunist ruhej me forca të shumta ushtarake, nëpërmjet kontrolleve të rrepta mbi lëvizjet, bastisjet periodike mbi shtëpitë dhe shtypjen e çdo forme të shprehjes popullore. Për këtë qellim në Shkodër janë angazhuar, jo vetëm brigadat speciale të Sigurimit që operonin drejtpërdrejt nën komandën e kryekomisarëve, por edhe nëpërmjet formacioneve të rregullta të ushtrisë. Kështu që në Shkodër dhe përreth saj nuk mund të bëhej fjalë për ndonjë lloj reagimi nga ana e popullsisë qytetare dhe e krahinës, ndaj këtyre veprimeve kriminale bashkëpunuese të komandës së përgjithshme partizane shqiptare. Të gjitha indikacionet tregonin në këtë periudhë se FNÇSH po vazhdonte të afrohej gjithnjë e më afër me Jugosllavinë. Enver Hoxha në një fjalim të mbajtur në Kongresin e Rinisë, shumë ministra të tij, si edhe shtypi në komentet e veta, të gjithë shfaqnin admirimin në çdo aspekt të administrimit të Titos. Gjatë muajit prill, një pjesë e reparteve partizane të UNÇSH që luftonin në Jugosllavi, tani ishin tërhequr dhe dislokuar, ose në Shqipëri, ose në Kosovë. Ajo çfarë konstatohet si një zhvillim i ri në këtë periudhë është fakti se Misioni Ushtarak Britanik në Tiranë kishte filluar të merrte një numër të madh letrash anonime. Këto letra nënvizojnë projektet e pastra komuniste të qeverisë së atëhershme shqiptare dhe bënin thirrje për ndërhyrjen britanike për të parandaluar që Shqipëria të shitej tek jugosllavët.( PRO.FO.371.48081, R 9255/46/90, Report by Brigadier Hodgson on Present Administration of Albania, 30 Aprill 1945).
Një përgjegjësi për sot?
Aktualisht sot u takon autoriteteve malazeze dhe serbe, që pretendojnë të integrojnë vendet e tyre në Bashkimin Europian, që, në mos të hapin një hetim për një krim lufte të kryer nga repartet ushtarake malazeze dhe serbe, në tokën malazeze, të ndihmojnë çdo hetim të pavarur të nxjerrë në dritë përgjegjësitë e komandës ushtarake politike (veçanërisht të brigadës X partizane malazeze, ekzekutore e krimit) dhe të ndihmojnë familjet e viktimave në identifikimin e vendvarrimeve të viktimave të pafajshme të kësaj masakre, gjë që nuk e kanë bërë deri më tani.
Në vend të përfundimeve
Viti 1945 në tërësi është koha kur u hodhën themelet e rikthimit të Kosovës në Jugosllavi, rikthim që u krye në rrethanat e turbullta politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ky rikthim u mundësua para së gjithash nga fakti që forca kryesore fitimtare politike në Shqipëri, FNÇSH, drejtuar nga Enver Hoxha dhe PKSH, veproi në të njëjtën linjë politike dhe ushtarake me UNÇJ të drejtuar nga Mareshalli Tito. Kjo forcë fitimtare ushtarake e politike në territorin e Jugosllavisë së Parë kishte si objektiv kryesor politik rikompozimin e dytë të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore, e për rrjedhojë e konceptonte Kosovën, Maqedoninë veriperëndimore dhe Malësinë e Madhe Shqiptare, pjesë të shtetit të ri jugosllav, tashmë federativ. Rikthimi u lehtësua për faktin se në Shqipëri mungoi një forcë politike dhe një organizatë ushtarake e mbështetur fuqimisht vetëm tek Aleatët e mëdhenj perëndimorë dhe se forcat nacionaliste dhe patriotike, në vorbullën e trazirës së fundit të Luftës së Dytë Botërore, para frikës së rrezikut bolshevik, menduan se rindërtimi vetëm i shtetit shqiptar, shpallja e neutralitetit të Shqipërisë së pushtuar nga nazistët gjermanë, do ishte ilaçi për të shpëtuar Shqipërinë e vogël të mbërthyer nga halle të mëdha dhe të rrethuar nga fqinjë po aq agresivë sa në fillim të shekullit. Ndërkohë, Shqipëria në vetvete, më 1944 ishte një vend krejtësisht i diversifikuar politikisht: Veriu i Shqipërisë, me Shkodrën si kryeqendër, Malësitë e veriut, Mirditën dhe Kosovën, shpresonte një dalje jokomuniste nga Lufta e Dytë Botërore, me Shqipëri të bashkuar në kufij natyralë, me shtet të shpëtuar nga goditjet e fashistëve italianë dhe komunistëve me orientim nga Moska e Stalinit. Me të njëjtën frekuencë e shpresonin Shqipërinë edhe klasat e mesme qytetare të Korçës, Tiranës, Gjirokastrës, Durrësit, Beratit, Vlorës etj. Përndryshe Shqipëria rurale, veçanërisht në jug të vendit, e vuajtur nën peshën e shtypjes ekonomike dhe nën një analfabetizëm të frikshëm, ra pre dhe u bë mbështetje e fuqishme e lëvizjes komuniste, lëvizje që ashtu vjedhurazi u vu në krye, si forcë e vetme, në drejtimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Forca numerike e kësaj klase dhe bashkëngjitja e saj me ideologjinë komuniste, rezultoi fatale në konsolidimin e një regjimi diktatorial me ngjyrim ultra të majtë dhe me orientim prosllav, që shkatërroi çdo perspektivë bashkuese nacionale për Shqipërinë dhe Kosovën dhe mbylli çdo hapësirë për zhvillim të një shteti liberal dhe demokratik në gjysmën tjetër vijuese të historisë së shekullit XX. Kosova nga kjo kohë do të jetë provinca më e harruar e Jugosllavisë së Dytë, me djelmëni të copëtuar, analfabetizëm masiv, nën shtypje ekonomike dhe nën mungesë totale lirie për popullin e saj të përfaqësuar joproporcionalisht në institucionet federative jugosllave dhe republikane serbe. Mbi të gjitha, mbi kokën e saj do të rëndojë si faj i rëndë “bashkëpunimi” me nazistët i anëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë së viteve 1943-1944, që në shumicë qenë nga kjo krahinë. Bashkëpunimi i disa individëve shërbeu si alibi për të dhunuar çdo qenie shqiptare në Kosovë, përfshirë edhe partizanët kosovarë. Ky çekan është ngritur herë pas here mbi kokën e Kosovës, sa herë që autoritetet republikane serbe dhe ato federative jugosllave kanë dashur të mbajnë nën presion çdo përpjekje demokratizuese dhe emancipuese me karakter nacional dhe liberal. Përndryshe, Shqipëria e drejtuar nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe një kastë e tërë majtistësh ekstremistë, pas dakordësisë së lënies së Kosovës nën Serbi dhe Jugosllavi, pas bashkëpunimit në internimin masiv dhe masakrimin pa dallim të djelmënisë së Kosovës dhe shkatërrimin e plotë të elitës intelektuale dhe qytetare me formim perëndimor, do të futet në një udhë pa krye në politikën e brendshme e atë rajonale ballkanike dhe europiano-lindore, që do ta vendosë atë vend, pas vitit 1945, në njollën e zezë të diktaturave më të errëta të historisë bashkëkohore europiane, nga e cila nuk do të dalë lehtësisht asnjëherë. Shqipëria e sotme dhe gjendja e saj në tranzicionin e zgjatur është një produkt i kuptueshëm i spirales së krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XX.





Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...