2013-09-17

Një lutje nga Floripresi për Shpëtim Saraçin


download (3)

Kompozitori Shpëtim Saraçi është dërguar dje në Gjermani, për një kurim më të specializuar, pasi pësoi një goditje ishemike në trurin e vogël 10 ditë më parë. Ai ka qëndruar një javë i shtruar në spitalin neurologjik në Tiranë, por mjekët kanë vendosur që ai duhej të kurohet jashtë vendit. Në të gjitha rrjetet sociale ditën e djeshme qarkullonte lajmi për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej kompozitorit shqiptar, si dhe një mesazh për shpëtimin e tij. “Ju lutem shumë, lutjuni Zotit të Gjithësisë për Shpëtim Saraçin. Shpërndajeni sa më shumë këtë mesazh, pasi nuk dihet kujt ia plotëson Zoti lutjen!…” – kështu shkruante miku i tij, këngëtari Sidrit Bejleri. Shpëtim Saraçi është një nga kompozitorët më të njohur në vend. Kompozimet e tij mbajnë firmën e disa hiteve më të njohura pas viteve ‘90-të, kënduar nga emrat më të mirë të muzikës shqiptare. Vitet e fundit ai ka qenë drejtor artistik i Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Më 2010-ën, kënga e kompozuar dhe orkestruar prej tij, “Kënga ime”, e shkruar nga Sokol Marsi dhe e kënduar nga Aurela Gaçe prezantoi Shqipërinë në “Eurosong”. Saraçi është i martuar me këngëtaren Mira Konçi dhe çifti ka dy fëmijë.




Jemi mësuar ta shikojmë gjithmonë të buzëqeshur, ndërsa notat që luan në piano të bëjnë të mendosh se ai nuk mund të përfytyrohet pa muzikën. Fatkeqësisht, këto ditë ai është i heshtur, ndërsa në këto raste kupton se sëmundja ndonjëherë nuk i "fal" edhe këta njerëz. Ti mendon se ata janë imunizuar nga kjo dhe se gjithmonë janë të destinuar të kënaqin publikun. Por jo! Pamja e dhomës nr.3 në Shërbimin e Neurokirurgjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" të bën ta kuptosh mirë këtë. Kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi rri shtrirë në shtrat, ndërsa rreth tij qëndrojnë familjarët. Është bashkëshortja e tij, Mira Konçi dhe motra e kompozitorit të mirënjohur. Ai vetë duket mirë, ndonëse është në gjumë. Ndërkohë që bashkëshortja na konfirmon se tashmë gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet. "Tani është më mirë. Është stabilizuar dhe është përmirësuar", - shprehet bashkëshortja, njëkohësisht këngëtare e njohur e muzikës së lehtë shqiptare.
Në fakt, këmbëngul të mos shkruajmë asgjë, por interesi i publikut në këto raste është më i fuqishëm. Të gjithë pyesin për shëndetin e kompozitorit, ndërsa me shpresë presin një përgjigje pozitive.









No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...