2013-09-17

Zija Saraçi, 63-vjeçari durrsak që vazhdon shkëlqimin në Itali - See more at: http://www.durreslajm.com/kultura/zija-sara%C3%A7i-63-vje%C3%A7ari-durrsak-q%C3%AB-vazhdon-shk%C3%ABlqimin-n%C3%AB-itali#sthash.740RKPYY.dpuf


Zija Saraçi, këngëtari i mirënjohur i viteve 1970-1980 është bërë pjesë e jetës artistike të Italisë, si pjesëmarrës në disa festivale dhe turne të rëndësishme.

Këngëtari 63-vjeçar, i cili jeton prej vitesh në Firence, është paraqitur me sukses mes 9 800 konkurrentëve më të rinj në moshë të festivalit të Castrocaros me dy këngë të njohura italiane, si dhe me kompozimin e tij “Valentina”, kushtuar bashkëshortes.

Këngëtari durrsak Zija Saraçi tha se sezoni i fundit artistik ka qenë mjaft i ngarkuar dhe ai është bërë pjesëmarrës në dy evenimente të mëdha të talenteve të reja në Saint Vincent dhe në Castrocaro Festival.

Një muaj më parë kantautori shqiptar është përballur me dëgjuesit napoletanë, duke fituar admirimin e tyre. Interpretimi i këngëve “No, non crederle” dhe napoletanes “I’t vurria vassa” në koncertin kualifikues të Castrocaro Festival, që u organizua në Ottaviano (Napoli), u duartrokit gjatë nga publiku, por Saraçi është penalizuar nga juria vetëm për shkak të moshës.

Artisti durrsak, i cili është bërë mjaft i njohur në vendin tonë me interpretimin e këngës së autorëve Isuf Xhumri dhe Moikom Zeqo “Kënga e marinarit”, një vit më parë mori pjesë në fazën finale të festivalit të këngës “Saint Vincent”, po në Itali. Sidoqoftë, edhe këtë vit Saraçi është ftuar të jetë pjesë e turit muzikor kombëtar italian, “Tourmusicfest – 2013” në Romë, pasi e ka fituar këtë të drejtë dy muaj më parë në konkurrimin e zhvilluar në Ripoli (Firence).

Zija Saraçi, këngëtari dhe kantautori i njohur i festivaleve të muzikës së lehtë mungoi për shumë vite edhe në jetën kulturore shqiptare. Ai është lançuar në skenat e Durrësit gati 50 vjet më parë.

Interpretuesi i “Këngës së marinarit” u rikthye para publikut shqiptar me të njëjtin sukses në një koncert të organizuar verën e kaluar në sheshin “Taulantia” të qytetit bregdetar. Planet krijuese janë shumë dhe të përgatitura me kujdes deri në vitin 2015, – thotë Zija Saraçi, duke mos rrëfyer shumë detaje mbi programet e ardhshme.

Info/ rrëfime të këngëtarit

Nisja

Jam ngjitur në skenë në vitin 1966, kur punoja në ndërmarrjen e prodhimit të cigareve në Durrës. Isha 16 vjeç, dhe këndova këngën “Gëzuar” të kompozitorit Todi Kutina; më parë kisha kënduar në ndërmarrjen e Gomës.

Direkt, në një pod më të larte të skenës, atë të festivalit të Durrësit, këndova këngën e Hajg Zaharianit “E çiltër”.

Pas pjesëmarrjes me sukses nëë festivalin III të Durrësit, shkrimtari dhe regjisori Gjergj Vlashi më propozoi të debutoja në Estradën Profesioniste.

Pjesëmarrja ime këngëtar me estradën e Durrësit, ishte një kënaqësi dhe një e papritur për mua.

Ne nëntor të vitit 1967 fillova kryerjen e shërbimit ushtarak në Librazhd.

Në repartin ushtarak, kisha dëgjuar se përgjegjës në shtëpinë e kulturës ishte Sherif Merdani, por unë nuk e kisha takuar ndonjëherë.

Një dite kishim provat e grupit artistik të brigadës së Librazhdit në skenen e shtëpisë së kulturës së qytetit.

Në vitin 1970 lirohem nga shërbimi ushtarak dhe me Sherifin do të takohesha vetëm pas një viti në festivalet e Radio-Televizionit dhe ritakimin e parë e kemi bërë, kur unë mora pjesë në Festivalin e 9-të të Këngës në RTVSH.

Në tetor te vitit 1970, mora edhe unë pjesë në konkursin e zërave të rinj.

Ishim 35 këngëtarë konkurrues dhe fituan vetëm tre.

Njëri nga ata të tre isha edhe unë.

Drejt Tiranës

Ishte turneu i parë me estradën e Durrësit, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, ku dhe mora konfirmimin për lajmin e bukur, pasi dola edhe fitues në atë konkurs. Fitova të drejtën për të kënduar në festivalin kombëtar të këngës, që zhvillohej çdo fund dhjetori në Tiranë, traditë kjo, që vazhdon të ruhet edhe sot.

Ishte Festivali i 9-të i Këngës në RTVSH ku unë mora pjesë për herë të parë.

Vitet, kur pjesëmarrja ime në “Anketën Muzikore” të Radio-Tiranës, e cila organizohej çdo të diel para dite, dhe që preferohej gjithmonë e më shumë nga publiku, po më jepte emër dhe repertor të shkëlqyer.

Më1972 incizova këngën “Vajza me fjongo të gjelbër” të Kristo Kotes, kënge që m'u përshtat shumë.

Më 1973 incizova këngën e bukur “Si të quajnë” të Todi Kutinës.

Më 1974 interpretova këngën “Si lule maji” në anketën e famshme të pallatit “Rinia” në Durrës, kompozuar nga Agron Xhunga.

Ajo këngë u pëlqye dhe redaktorët e Radio Tiranës, menduan ta këndoja në anketën muzikore në radio, vetëm me një ndryshim të vogël, sepse i ndërruan titullin, “Krah për krah”.

“Kënga e Marinarit”

Në janar 1975, përsëri për anketën e Radio-Tiranes regjistrova këngën aq të bukur të mjeshtrit të trompës si dhe të kompozitorit, mikut tim Isuf Xhumri, me tekstin e bukur të poetit Moikom Zeqo, titulluar "Kënga e Marinarit".

Ajo këngë, fillimisht u këndua në Festivalin e Këngës në Durrës; variantin tjetër e këndoi Petrit Dobjani, një këngëtar i këndshëm dhe me një vokal potent.

Kënga u prit shumë mire nga spektatori, por nuk hyri natën e tretë finale të festivalit.

Ishin kohët, kur me të vërtetë isha në kulmin e suksesit tim si këngëtar.

Diagrama ime e karrierës së këngës po ngrihej vazhdimisht.

Atë vit, drejtori i pallatit të kulturës në Shkodër, Ferdinand Bushati, më ftoi në një koncert.

Përpara pallatit të sportit pak para shfaqjes kishte shumë njerëz që donin të vinin në koncert edhe pse biletat ishin shitur shumë shpejt.

Fillova koncertin me këngën e Kastrot Gjinit “Bashkë ndërtuam një urë”, pastaj “Si të quajnë”, pastaj këndova “Si lule maji”.

Publiku u ngrit në këmbë, duke duartrokitur dhe fishkëllyer.

Në sallë u dëgjua vetëm "Pzzzz"

Kur fillova të këndoj "Marinari"-n, pashë të rinj e të reja që u përlotën.

Ashtu, si kur marinarët që ktheheshin nga udhëtimet e gjata dhe më ftonin në darkat e mbërritjes.

Në një bisedë kujtimesh për atë kohë mjeshtri Shpëtim Saraçi më pohoi: “Unë isha i vogël atëherë dhe e mbaj shumë mirë mend se si shpërtheu publiku për të parë koncertin, duke rrëzuar edhe dyert. Unë isha pranë dyerve të rrëzuara...”

Të njëjtat suksese kam pasur edhe në koncertet e tjera në Korçë, Tiranë, Berat, Vlorë, Elbasan...

“Mon Kukaleshi”

Në vitin 2009 erdha në Durresin tim.

Ramë dakord me disa kërkesa të vogla modeste të mijat me drejtorin e pallatit të kulturës për mënyrën se si do të ndërtohej një dekor i vogël në skene.

Pas dy ditësh kur unë kisha vëne edhe strishe-posterët në qytet, në skene nuk ishte rregulluar as edhe një dekor sipas fjalës.

Atë ditë, një person, punonjës i teatrit që kishte marrë përsipër rolin e “Mon Kukaleshit” te Qazim Mulleti, në mënyrë indirekte më thotë:

- Zija, në qoftë se do që të japësh shfaqje këtu në Durrës, jepu diçka këtyre dhe do të shikosh ti...

I thashë:

- Jam artist me dinjitet. Largohu, se po ndiej neveri me këto që po dëgjoj. Kur i kërkova drejtorit se ç’po bëhet me dekorin, sepse nesër ne darke kam shfaqjen, ai harroi marrëveshjen, ose bëri sikur dhe më tha:

- Çfarë të të them unë, ne nuk kemi materiale.

- Atëherë, i thashë, - do të shkoj në bashki sepse s’mund të rrezikoj shfaqjen.

Më thotë:

- Shko në bashki, por, sa të jem unë këtu, ti s’ke për të kënduar në skenë...

Kështu pra, kur mbërritëm në këtë pikë ku unë do largohesha nga qyteti im, pa dalë përpara publikut tim, ku për 35 vjet kam kënduar, iu ktheva, duke i thënë:

- Ti mund të jesh një marangoz, një kasap, një këpucar, këtu në këtë institucion çfarë do ti, por pa më thuaj kush të ka sjellë ty këtu?

Shënim: Për këtë shkrim janë përdorur materiale të Gëzim Kabashit dhe Pierre-Pandeli Simsisë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

Kënga e marinarit


Video: 






No comments:

Post a Comment

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...