Hajdin Morina
PAK FJALË PËR VEPRIMTARINË ATDHETARE, PEDAGOGJIKE DHE LETRARE TË PREND BUZHALËS
Shkrimtari Prend Buzhala u lind më 1 nëntor 1951, në fshatin Çabiq të Klinës. Shkollën fillore e mbaroi në Ujmirë, gjimnazin në Klinë, kurse Fakultetin Filozofik-Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Prishtinë. I ndoqi edhe studimet posdiplomike, por regjimi i kohës ia ndërpreu ato, ashtu siç ia ndaloi edhe botimin e shkrimeve, për shkak të burgosjes politike më 1982.
Prendi qysh në moshë të hershme ka reflektuar orientime të shëndosha njerëzore, kombëtare dhe letrare. Puna e tij e palodhshme dhe përkushtimi për të lexuar literaturë letrare bënë që Prend Buzhala qysh si i ri të kishte njohje solide për rrjedhat e letërsisë sonë dhe në përgjithësi për artin dhe kulturën tonë kombëtare.
Pas mbarimit të Fakultetit punoi si mësimdhënës i gjuhës shqipe në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës, prej vitit 1976 deri më 1882 dhe prej vitit 1992 deri më 1996. Ishte ndër mësimdhënësit më të dalluar. Ishe mësues reformator. Metoda e tij e punës dhe entuzuziazmi i një shkalle të lartë bënë që ai të realizonte kërkesat e mësimdhënies, duke arritur që nxënësit të formoheshin në pikëpamje edukative, atdhetare dhe estetike. Të gjithë nxënësit, mësimdhënsit dhe rrethi më i gjerë shoqëror që merrej me veprimtari kombëtare, tek Prend Buzhala gjetën mbështetje të sigurt dhe frymëzim e motivim për të punuar më shumë në shërbim të lirisë së Atdheut. Agjentët e sigurimit serb dhe spiunët e tyre vazhdimisht e patën nën vëzhgim veprimtarinë edukative dhe kombëtare të profesor Prend Buzhalës, por ai nuk ndalej. U burgos më 1982, përjetoi tortura të tmerrshme në qelitë e burgut të Pejës, por edhe pas lirimit nga burgu, edhe pse kurrë nuk iu lejua puna me nxënës, nuk e pushoi për asnjë çast veprimtarinë në shërbim të shkollës shqipe dhe në shërbim të lirisë së Kosovës.
Në vitet e stuhishme ’80 dhe ‘90 ishte i përfshirë në lëvizjet nacionale dhe politike të kohës dhe dha kontribut të konsiderueshëm në veprimtaritë që zhvilloheshin për lirinë e shqiptarëve.
Në vitet 1995-1999 ishe kryetar i Këshillit Komunal të Arsimit, ku në mënyrë profesionale dhe atdhetare bëri ndryshim në arsimin e Komunës së Klinës, me gjithë vështirësitë dhe pengesat e shumta që vinin nga ana e shtetit dhe pushtetit serb, me gjithë vështirësitë financiare dhe mungesën e kapaciteteve të nevojshme me të cilat ballafaqohej arsimi shqip në Republikën e Kosovës.
Në vitet 2001-2003 Prend Buzhala dha kontribut të çmueshëm si zyrtar arsimi, kurse tash është drejtor i bibliotekës komunale “Kongresi i Manastirit” ku ka bërë dhe po bën punë të madhe për përhapjen dhe promovimin e librit. Ishte korrespondent i gazetave dhe revistave më të njohura në Kosovë, para dhe pas lufte, kurse gjatë luftës së fundit ka raportuar për disa medie nga zonat e luftës.
Prend Buzhala ishte dhe është në ballë të organizimeve dhe të zhvillimeve të të gjitha ngjarjeve kulturore në komunën e Klinës, por edhe jashtë saj, në ballë të veprimtarisë botuese qoftë në kuadër të Klubit të shkrimtarëve “Vorea Ujko”, qoftë jashtë këtij kuadri. Ka ndihmuar shumë krijuesit e rinj, ka orientuar drejt ata, i ka avancuar dhe i ka promovuar. Ka redaktuar qindra libra letrarë të autorëve klinas, por edhe të të tjerëve.
Ashtu siç është i veçantë kontributi i tij atdhetar, pedagogjik dhe kulturor, i veçantë është edhe kontributi letrar i Prend Buzhalës. Deri më sot ka botuar shumë vepra letrare zhanresh të ndryshme, duke e profilizuar portretin e tij krijues si kritik dhe studiues të mirëfilltë të rrjedhave dhe të proceseve letrare në letërsinë shqiptare. Ka ndriçuar veprimtarinë e shumë shkrimtarëve të periudhave dhe të tendencave të ndryshme letrare, duke përfshirë edhe shumë shkrimtarë të letërsisë së sotme. Stili i tij i veçantë krijues me format e ligjërimit dhe me gjuhën simbolike ka bërë sot që shumë lexues të përjetojnë dhe të çmojnë lart poezinë, kritikën letrare, prozën dhe publicistikën e shkrimtarit Prend Buzhala.