2013-09-20

Beqir Meta: Si u realizua spastrimi etnik në Çamëri

Shteti grek, në periudhën midis dy luftrave ushtroi një presion të fuqishëm kundrejt çdo mase që ndërmori qeveria shqiptare për të vendosur autoritetin e shtetit në zonën e minoritetit grekofon dhe për integrimin e tij në shtetin shqiptar. Nga ana tjetër, ajo ndoqi me konsekuencë politikën e spastrimit etnik të minoritetit etnikshqiptar në Greqi, duke u përpjekur të shfrytëzonte çdo rrethanë e konjukturë ndërkombëtare. Pasi Greqia fitoi të dy Luftrat Ballkanike ajo thuajse dyfishoi territorin dhe popullsinë e saj, por gjithashtu ajo u bë më pak homogjene.
Sipas regjistrimit të popullsisë të zhvilluar në provincat e aneksuara rishtazi, popullsia e Greqisë u rrit me 2.203.038 banorë, duke e çuar popullsinë e përgjithshme të saj në 4.734.990 banorë. Kështu, përshembull sipas regjistrimit të vitit 1913, Maqedonia Greke kishte 528000 grekë, 104000 bullgarë, 465000 myslimanë (një pjesë e tyre ishin shqiptarë) dhe 98000 izraelitë.
Grekët në këtë krahinë përbënin vetëm 44% të popullsisë së saj. Elementet heterogjene të popullsisë megjithëse mund të konsideroheshin si një pengesë për realizimin e Megalidesë, në të vërtetë e përforcuan atë dhe i dhanë asaj një nuancë të re. Megalidea arriti të krijonte një Greqi të madhe dhe njëkohësisht ta bënte atë një shtet homogjen nga pikëpamja etnike. Më 10 gusht 1920 u nënshkrua me solemnitet Traktati i Sevrës midis Fuqive Aleate e Shoqe dhe Turqisë.
Ai përbënte kulmin e triumfit të Megalidesë dhe realizimin e ëndrrës së vjetër pesëshekullore greke. Sipas këtij traktati Greqia angazhohej të siguronte mbrojtjen e plotë të jetës dhe lirive të të gjithë banorëve të saj, pa dallim të vendlindjes, kombësisë, gjuhës, racës apo fesë. Të gjithë banorët e Greqisë do të lejoheshin të ushtronin lirisht publikisht e privatisht fenë e besimin (kap I, art 2). Greqia pranonte dhe deklaronte se do të ishin shtetas grekë ipso facto dhe pa kërkuar ndonjë formalitet individët e kombësive bullgare, turke (ose Shqiptare) të cilët ishin rezidentë në territoret që i ishin dhënë Greqisë prej traktateve ndërkombëtare qysh prej 1 janarit të vitit 1913.
Ata që largoheshin kishin të drejtë të mbanin pasurinë e tyre të paluajtëshm në territorin grek dhe mund të merrnin me vete pasurinë e tundshme të çdo lloji. Për këtë transferim, ata nuk do të paguanin taksa eksporti. (Kap. I, art. 3). Ky paragraf ka rëndësi, pasi siç do ta shohim më poshtë Greqia e dhunoi atë sistematikisht në vitet që pasuan, deri në përfundim të Luftës II Botërore, kur realizoi spastrimin e përgjithshëm e të përgjakshëm etnik të minoritetit shqiptar. Ky ligj vijon të dhunohet edhe sot nga shteti grek, i cili nuk pranon t’u rikthejë tokën e grabitur në mënyrë ilegale e të dhunshme minoritetit shqiptar të Greqisë.
Por qysh në këtë Traktat, qeveria greke bënte një dallim thelbësor ligjor midis trajtimit të minoritetit shqiptar dhe minoriteteve të tjera. Konkretisht Greqia zotohej të zbatonte brenda tre vjetësh pas hyrjes në fuqi të këtij Traktati një sistem elektoral i cili merrte në konsideratë të drejtat e minoriteteve. Por kjo dispozitë ishte e zbatueshme vetëm për territoret që iu dhanë Greqisë pas gushtit të vitit 1914 (kap I, art. 7). Në këtë mënyrë përjashtohej nga kjo e drejtë minoriteti shqiptar i Çamërisë.
Qytetarët grekë që u përkisnin minoriteteve raciale, fetare ose gjuhësore kishin të drejtë të krijonin, drejtonin e kontrollonin me shpenzimet e tyre institucionet mirëbërëse sociale, fetare, shkollat dhe institucionet e tjera edukative, me të drejtën që të përdornin gjuhën e tyre dhe fenë e vet lirisht në këto institucione (kap I, art 8). Këtë dispozitë shteti grek nuk e zbatoi ndaj minoritetit shqiptar. Greqia angazhohej të krijonte në sistemin arsimor publik në qytete dhe distrikte, në te cilat një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve grekë flisnin gjuhë tjetër, lehtësira adekuate që në shkollat fillore mësimi të jepej në gjuhën e tyre.
Në qytetet e distriktet, ku kishte një popullsi të konsiderueshme të minoriteteve raciale, gjuhësore ose fetare, këtominoritete do të përfitonin një shumë të caktuar nga fondet publike të shtetit, nga buxhetet komunale etj. për qëllime mësimore, fetare e mirëbërëse. Parashikimet e këtij artikulli, zbatoheshin për territoret, që i ishin dhënë Greqisë pas 1 janarit të vitit 1913, pra këtu përfshihej edhe minoriteti shqiptar. (Kap I, art 9). Por, as kjo dispozitë nuk u zbatua në vitet që pasuan. Sipas Traktateve të Sevrës, Greqia zotohej gjithashtu të siguronte mbrojtje të xhamive dhe institucioneve të tjera islame. Ajo do të njihte plotësisht vakëfet dhe do t’u krijonte të gjitha lehtësitë.
Ajo nuk do të refuzonte krijimin e institucioneve të reja fetare e mirëbërese dhe do t’u krijonte lehtësitë e nevojshme institucioneve private të kësaj natyre. (Art. 14). Greqia pranonte, që artikujt e lartpërmendur për minoritetet raciale, gjuhësore e fetare përbënin detyrime ndërkombëtare dhe do të vendoseshin nën garancinë e Lidhjes së kombeve.
Ata nuk mund të modifikoheshin pa miratimin e shumicës së Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Ajo gjithashtu, pranonte që ndonjë ndryshim pikëpamjesh për zbatimin e këtyre artikujve midis qeverisë greke dhe ndonjë anëtari të LK do të shkaktonte një diskutim më karakter ndërkombëtar në bazë të Art. 14 të Konventës së LK. Ajo pranonte që ndonjë problem i tillë do t’i referohej Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare nëqoftëse këtë gjë e kërkonte ndonjëra nga palët.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të ishte përfundimtar dhe do të kishte të njëjtën fuqi dhe efekt si ato që do të kishin subjektet e caktuara në art. 13 të Konventës (art. 16). Këtu bie qartë në sy hapësira që kishte LK në vitet 1923 ¬ 1926 për të mbrojtur minoritetin shqiptar në Greqi dhe përse ajo nuk e shfrytëzoi këtë dispozitë. Më 23 korrik 1923, u nënshkrua Traktati i Lozanës për shkëmbimin e popullsive greko – ¬ turke. Qeveria greke ishte përgjegjësja kryesore, që qëllimisht nuk bëri dallimin midis shtetasve grekë me kombësi shqiptare dhe atyre me kombësi turke.
Për këtë arsye, në bazë të së drejtës ndërkombëtare ajo duhej të zgjidhte dhe të korrigjonte e vetme këtë gabim. Nga refuzimi i vazhdueshëm i saj, për të bërë këtë gjë, logjikisht, në bazë të parimeve të paritetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo nuk do të kishte në të ardhmen asnjë të drejtë të kërkonte prej palës shqiptare respektimin e të drejtave të pakicës grekofone në Shqipëri. Pas Traktatit të Sevrës, minoritetet në Greqi kapnin shifrën e 1 milion vetëve duke arritur në 23% të popullsisë së Greqisë. Ndërsa, pas shkëmbimit të popullsive greko ¬- turke të përcaktuara nga traktati i Lozanës gjendja ndryshoi rrënjësisht dhe Greqia bëri hapin kryesor drejt shndërrimit në një shtet homogjen. Kjo politikë, vijoi edhe në dekadat që pasuan, kundrejt të gjithë minoriteteve të tjera që nuk ishin prekur, ose që ishin prekur pjesërisht nga shkëmbimi i popullsive greko ¬ turke e greko ¬ bullgare.
Tashmë, kombësia e gjuha po injoroheshin dhe kështu u krijua një mjegullnajë e qëllimshme për të penguar dallimin dhe afirmimin e shqiptarëve, vllehëve, serbëve, pomakeve dhe maqedonosllavëve. Duke shkelur hapur detyrimet ndërkombëtare, shteti grek ndoqi një politikë asimiluese të spastrimit etnik ndaj minoritetit shqiptar, e cila, midis dy luftrave pati këto rezultate: – Spastrimi i plotë etnik nga shqiptarët i viseve të Follorinës, Kosturit, Janinës, Konicës, Voshtinës duke larguar rreth 40 000 shqiptarë myslimanë. – U krye spastrimi i pjesshëm i Çamërisë nga shqiptarët myslimanë duke larguar rreth 20 000 vetë . – U grabitën në masë pronat dhe pasuritë eshqiptarëve të Çamërisë, i cili ishte një hap tjetër parapërgatitor për spastrimin e plotë etnik.
-Popullsive shqiptare iu mohuan të gjitha të drejtat politike, shoqërore dhe arsimore, që i njihnin traktatet ndërkombëtare dhe kjo politikë, u përdor si argument për të vënë në dyshim karakterin dhe ndërgjegjen shqiptaretë kësaj popullsie. Ndërsa, qysh në momentet e para të jetesës së pavarur të shtetit shqiptar u vërejtën qartë dy tendenca kryesore në politikën ndaj minoriteteve. Së pari, u ruajt gjithë statukuoja e mëparshme e jetës politike,kulturorearsimore e sociale të minoriteteve; së dyti u bënë përpjekje për të rritur standartin e të drejtave të tyre. Në vitin 1920, qeveria shqiptare gjendej nën presionin e fortë grek për të fuqizuar helenizimin në Shqipërinë e jugut. Drejtimet kryesore të ekspansionizmit grek ishin: Beteja për të marrë Sarandën.
Kapitali grek i fuqishëm dhe i organizuar me një mbështetje politike të fuqishme nga ana e qeverisë greke, u përpoq me të gjitha mënyrat të shtinte në dorë tregtinë dhe të gjitha objektet tregtare të Sarandës, me qëllim që t’a shndërronte këtë qytet në avanpost të helenizmit. Qeveria shqiptare u përpoq të rezistojë. Beteja tjetër u zhvillua për Himarën, qeveria greke duke derdhur para dhe duke korruptuar shumë fshatarë, duke shfrytëzuar edhe disa elementë grekomanë, u përpoq t’i jepte kësaj krahine karakterin e një zone minoritare.
Qeveria shqiptare me durim, arriti të bënte një marrëveshje të vështirë me banorët e kësaj zone, duke ulur disi presionin grek. Nxitja e një lëvizje të armatosur në zonën e Përmetit, nëpërmjet një çete andartësh. Por, kjo lëvizje u shtyp brenda pak ditësh prej veprimeve energjike të xhandarmërisë shqiptare, dhe atdhetarizmit që tregoi popullsia e këtyre fshatrave. Qeveria nga ana tjetër ndoqi një politikë shumë paqësore ndaje banorëve të zonës së minoritetit, duke bërë kujdesin më të madh që të mos cënohej ndonjë banor i pafajshëm dhe për të mos u dhënë shkak ndonjë ngatërrese me grekët dhe me ushtritë italiane, që ishin në Shqipëri Beteja tjetër u zhvillua për shkollën dhe kishën autoqefale shqiptare.
Greqia u përpoq me të gjitha mjetet që, ajo ta pengonte procesin e konsolidimit të identitetit kombëtar tëshqiptare dhe konsolidimin e institucioneve kombëtare shqiptare. E gjithë kjo betejë, la gjurmë të vrazhda në marrëdhëniet shqiptaro- greke. Presioni grek i krijoi shumë andralla e vështirësi shtetit shqiptar dhe e mpaki reagimin e tij ndaj politikës shtypëse, asimiluese e asgjësuese, që ndoqi shteti grek ndaj minoritetit shqiptar në Greqi. Minoriteti grekofon i Shqipërisë dhe Minoriteti etnik Shqiptar në Greqi kishin diferenca esenciale midis tyre.
1. Minoriteti shqiptar ishte shumë më i madh në numër dhe banonte në një territor të gjerë kompakt. 2. Minoritetishqiptar ishte një popullsi autoktone e lashtë homogjene, ndërsa minoriteti grekofon përbëhej më së shumti nga një popullsi migratore greke, vllehe e shqiptare e greqizuar në shekujt 18-19. 3. Minoriteti shqiptar, përbëhej nga pronarë cifliqesh të mëdhenj e të vegjël dhe kryesisht nga pronare të ekonomive të vogla bujqësore, ndërsa ashtu si shumë vite më parë, katundet grekofone kishin mbetur çifligje. Qysh kur prefektura e Gjirokastrës u bashkua me qeverinë kombëtare në shkurt të vitit 1920, Ministria e Arsimit, mori nën përgjegjësinë e saj të gjithë shkollatgrekofone, dhe rriti rrogat e mësuesve, që më parë ishin paguar shumë keq, pasi ishin mbajtur me të ardhurat e kishave dhe manastireve.
Ministria e Arsimit gjithashtu hapi shkolla të reja dhe shtoi klasat në ato shkolla, ku ishte e nevojshme. Pavarësisht nga politika luajale e qeverisë shqiptare, qëndrimet politike të minoritetit grekofon ishin të drejtuara kryesisht ngapolitika greke. Kështu popullsia grekofone e Dropullit nuk mori pjesë në zgjedhjet e vitit 19217. Në shkurt të vitit 1921, qeveria greke i kërkoi këshillit të L.K., që të merrte një rol specifik për mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri. Ajo i vuri në dukje sekretarit të përgjithshëm të L.K se ishte e drejta e saj që informacioni i Këshillit për ndonjë dhunim ose rrezik dhunimi të ndonjërit nga obligimet e Shqipërisë nuk do t’i bëhej vetëm anëtarëve të Këshillit të LK (siç behej për gjithë shtetet e tjera), por do t’i sigurohej gjithashtu edhe Greqisë e cila ishte veçanërisht e interesuar për të drejtat e grekëve në Shqipëri. Ajo gjithashtu, po përpiqej t’i impononte qeverisëshqiptare që ta trajtonte popullsinë ortodokse shqiptare si një minoritet etnik.
Greqia u përpoq që t’i impononte shtetit shqiptar sistemin e kapitulacioneve të Perandorisë Osmane, privilegjet fetare, shkollore e juridike dhe imunitetet, që u ishin dhënë popullsive jomuhamedane të Turqisë nga Sulltanët me beretë speciale, të cilat Greqia kërkonte që të njiheshin e të respektoheshin nga qeveria shqiptare. Kërkesat greke në thelb, deformonin tërësisht karakterin kombëtar dhe unik të shtetit dhe kombit shqiptar dhe i hapnin rrugën shkatërrimit të tij dhe hegjemonisë greke. Qeveria shqiptare u rezistoi këtyre presioneve, por nga ana tjetër ajo respektoi me rigorozitet detyrimet ndërkombëtare për minoritetet, të cilat ishin fiksuar në Deklaratën e 5 tetorit të vitit 1921, në Këshillin e Lidhjes së Kombeve. Rezultatet historike të kësaj politike rigoroze, u provuan atëherë nga komisionet e Lidhjes së Kombeve dhe nga shumë vëzhgues të huaj të paanshëm. Ata janë.
- Asnjë fshat apo banor i minoritetit i dëbuar – Asnjë pasuri private e minoritetit grekofon e grabitur, shtetëzuar apo tjetërsuar. – Funksionimi i shkollave minoritare normalisht dhe ndihma dhe financimi i tyre nga shteti shqiptarnë masën 70.000 ¬ 100000 fr.ari për çdo vit për një periudhë të gjatë kohe në vitet 20-30. Numri i shkollave në fshatrat grekofone, vazhdimisht ka qenë 2 herë më i lartë se ai i shkollave në fshatrat shqiptare përreth dhe mesatares se vendit. – Minoriteti grekofon jo vetëm që e ruajti karakterin etnik gjatë viteve 20-30 por erdhi duke e fuqizuar atë.
- Minoriteti kishte të siguruar qeverisjen lokale, dhe gjithashtu kishte akses në administrimin e vendit. Kuptohet, që këto rezultate ishin në kontrast të plotë me rezultatet e politikës greke, gjë që flet se Shqipëria i zbatoi detyrimet ndaj minoritetit grek në mënyrë të njëanshme, pa vendosur kriterin e reciprocitetit. Këto rezultate historike kontradiktore të kësaj periudhe, patën pasoja të dukshme në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ata në vend që ta kënaqnin Greqinë, në supremacinë e fituar në këtë fushë, shërbyen për të nxitur më tej shovinizmin grek që të arrinte caqe te tjera në politikat nacionaliste e ekspansioniste, gjatë Luftës së II Botërore dhe pas saj, deri në ditët tona. Së pari: atij iu krijua mundësia për të realizuar spastrimin e plotë etnik të Çamërisë në fund të Luftës IIBotërore.
Së dyti : asimilimin e plotë të popullsisë shqiptare ortodokse të Çamërisë e viseve të tjera shqiptare në Greqi gjatë Luftës së Ftohtë e më pas. Së treti : Rritja e presionit për të aneksuar Shqipërinë e Jugut, i cili vijoi gjatë Luftës II Botërore dhe gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë. Së katërti : Krijoi mundësinë për të intensifikuar përpjekjet dhe për të siguruar një sukses të dukshëm në fushatën e pandërprerë, politike, kulturore, fetare,arsimore, ekonomike për fuqizimin e helenizmit në Shqipërinë e Jugut, fushatë e cila ka marrë një dimension të ri, dhe është rigjallëruar dukshëm pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri.
 

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...