Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/17

Për poezinë bashkëkohore dhe një libër epitom të saj

Rudolf Marku


Prej kohësh poezia shqipe ka dëshmuar se ka lëvizur bindshëm drejt bashkëkohësisë estetike, por ashtu siç ndodh dendur në kulturën shqiptare në veçanti, që vlerat e vërteta të mbulohen nga pirgu i mediokritetit të stërlavdëruar mediatik, poezia e vërtetë gjallon e fshehur dhe e ndrojtur në faqet e librave, duke dëshmuar qoftë edhe me këtë se është një poezi e vërtetë. Ka ngjarë po ashtu siç ndodh me bukurinë e rrallë dinjitoze femërore, që preferon të fshihet përballë një parade femrash të stërlyera dhe gjoksjashte, të cilat me lehtësi tërheqin vëmendjen e turmës së etur seksualisht… Ka vite që është bërë zakon, që librat lavdërohen në mënyrë proporcionale me mungesat e tyre.


preci

Fillova këto ditë të lexoj një libër që lavdërohej për “befasinë në stil”,- lavdërim pa dashje ambig, që me siguri, sipas artikullshkruesit, nënkuptonte mrekullinë stilistikore të autorit, në një kohe që vërtet libri të befasonte “në stil”, pikërisht për shkatërrimin stilistikor dhe për mënyrën artizanale të përdorimit të fjalës e të sintaksës dhe për shijen e keqe estetike. Por, le të kthehemi përsëri te librat poetikë dhe te poezia shqipe e viteve të fundit. Shoqëria shqiptare, e kapur në një ngrirje të çuditshme të kohës, i ka mbyllë prej vitesh sytë, me dashje a pa dashje, përballë njësive të reja të letërsisë dhe sidomos të poezisë. Librat poetikë të Zef Zorbës, Frederik Reshpes, Preç Zogajt, Ndoc Gjetjes, Arian Lekës, Agron Tufës, Bardhyl Londos, Visar Zhitit, Sadik Bejkos, Luljeta Lleshanakut, Gentian Çoçolit, Parid Teferikut, Rudian Zekthit, Moikom Zeqos, kanë bërë që poezia shqipe të ketë evoluar bindshëm drejt poezisë moderne, drejt asaj poezie që mbështetet në ritmin e gjuhës së folur, që i largohet me një instinkt të shëndoshtë fabulës dhe rrëfimit, aq të stërlavdëruara në viset e kritikës tonë, madje si virtyte të një poezie kombëtare dhe popullore; një poezi që ka një zhargon tjetërsoj, e cila afron intensitetin emocional me sofistikimin gjuhësor dhe stilistikor, një poezi e cila, duke qenë më tepër një përvojë private emocionale, jo vetëm që nuk struket në një botë vetjake, por përkundrazi dhe paradoksalisht ngaqë është e tillë, bëhet më e aftë që të ndihet si një eksperiencë emocionale e të tjerëve, në këtë rast e lexuesve. Dhe më duket një shenjë dhe gjest fatlum dhe për t’u shënuar, se ardhja e poezisë së re shqipe për herë të parë këto kohët e fundit, ka bërë që dhe mendimi kritik dhe akademik ta përshëndesë, edhe pse ndrojtshëm, këtë fenomen të ri të letërsisë shqipe. Kam parasysh artikujt e botuar në revistat “Letrat” të Fakultetit Filologjik të Tiranës, “Poeteca” dhe “Alef”, si dhe recensionet për letërsinë bashkëkohore të botuar në faqet e gazetës “Mapo”.

***

Të gjitha tiparet e poezisë se re shqipe të përmendura më lart i shoh të mishëruara më me elokuencë dhe më me luciditet se në çdo libër tjetër në vëllimin e fundit poetik të poetit, prozatorit, eseistit dhe publicistit të mirënjohur Preç Zogaj “Fundi, një fëmijëri tjetër”. Në radhën matematikore të botimeve, ky është libri i njëmbëdhjetë i autorit, po të kemi parasysh edhe librat e përkthyer e të botuar të Zogajt në Francë e në Shtetet e Bashkuara. Por më shumë nga enumeracioni matematik, ky libër bëhet më i rëndësishmi i autorit, dhe sipas mendjes time, njëri ndër librat më të mirë të poezisë shqipe, falë përqasjes unike të poezisë, preokupimit detajor dhe strukturës poetike, intensitetit emocional, logopoeia-s dhe imazheve të papritura, artikulimit lehtësisht të natyrshëm të zërit poetik, si dhe preokupimit të vazhdueshëm të poezisë për nga detaji dhe struktura poetike. Ashtu siç ndodh me poezinë e vërtetë, e cila flak dhe injoron tonet e lehta, për t’u përqendruar tek thelbi i shpirtit të njeriut, poezitë e këtij libri i kanë bërë të vetat natyrshëm dy temat më madhore të poezisë, që në fakt janë një temë e vetme: Dashurinë dhe Vdekjen. Pjekuria e poetit? Përvoja e moshës? Apo pjekuria e poezisë?

Mendoj se libri i fundit poetik i Preç Zogajt shpreh një vazhdimësi të admirueshme të tematikës dhe unitetit poetik të krijimtarisë së mëparshme. Mbaj mend botimin e ciklit të parë poetik të tij, shumë e shumë vite më parë, poezitë e një tetëmbëdhjetëvjeçari pothuajse të panjohur. Poezi që imponoheshin me freskinë, sinqeritetin, natyrshmërinë, varietetin e formës, tonit dhe zërit poetik. Një poezi spontane, jashtëzakonisht spontane, që sillte një sensibilitet jo të zakonshëm, të shprehur me teknikën e pyrotheknikës, të zjarreve që flakërojnë përkundrejt qiellit të errët. Dhe mbi të gjitha, ngarkesa emocionale e rrallë, ngase është një sensibilitet i besueshëm i një përvoje vetjake. Në librin “Fundi, një fëmijëri tjetër”, (…në fundin tim është fillim im – na kujton T. S. Elioti i mirë në “Katër kuartet”) trishtimi, vdekja, vetmia, dashuria që shoqërohen me ndjesinë e pasigurisë tragjike të dashurisë së vërtetë, jo asaj shtirake, janë sublimuar në poezi përmes sofistikimit gjuhësor dhe stilistikor. Poeti është i vetëdijshëm, sidomos për fatin tragjik që e shoqëron poetin bashkëkohës shqiptar, por dhe më gjerë, poetin si qenie e vetmuar: “Poetët bashkëkohorë i shkruajnë pak njëri-tjetrit/ Takohen rrallë në holle hotelesh, oborre muzeumesh, kështjellash/…Fëmijë pa shekull/Çetë pa mbretër”, – qoftë dhe vetëm në këto pak vargje mund të shihnim qartë bashkëpeshimin e tragjikes me shpirtëroren, intonacionit sa sublim, aq dhe ironik, zërin e natyrshëm të poetikës vetjake, kalimet kapriçoze të sintaksit poetik, fjalëve të të folurit të përditshëm (flasin, shikohen, përshëndeten, largohen).

Cili do të ishte përkufizimi i tiparit më dallues i poezisë së Preç Zogajt në këtë libër?

Mendoj se e gjithë struktura e poezisë së tij përkufizohet nga intensiteti emocional, sinqeriteti dhe natyrshmëria e admirueshme, kërkimi i vazhdueshëm i shprehjeve dhe intonacioneve të reja poetike, eleganca e verbit poetik, që vjen drejtpërdrejt nga sensibiliteti i ndjenjës. Janë këto tipare që formësojnë dhe trajtësojnë dhe strukturën poetike, sintaksin poetik dhe verbin poetik të tij. Intensiteti emocional është aq i thellë dhe aq i besueshëm, sa të jep përshtypjen se poeti është një njeri i dashuruar në çdo çast, në çdo moment të jetës së vet. Nuk ka rëndësi nëse është i dashuruar me një grua hyjnore, me kujtimin e një dashurie, me trishtimin, a me vetë vdekjen dhe tragjizmin e saj: Me dashte duke qarë - thotë ai në fillimin e një poezie, duke dëshmuar kësisoj, se sekreti i poezisë së vërtetë, ashtu si dhe i vetë jetës, qëndron në alkiminë e bashkimit në një të trishtimit me lumturinë, të vdekjes me dashurinë, të qenies me mosqenien. E gjitha kjo e sublimuar përmes ritmit dhe strukturës poetike aq të veçantë e vetjake të poezisë, e cila, pa qenë e nevojshme, shënohet si poezia e Preç Zogajt (them e panevojshme, sepse që me vargun e parë poezia e ka shpallur autorësinë e poetit).

Libri “Fundi, një fëmijëri tjetër” i Preç Zogajt jo vetëm që dëshmon për një libër të rrallë poetik në letrat shqipe, por ai vjen tashmë jo si një paralajmërim i shenjave të qarta, por i provës më të sigurt, që nuk mund të injorohen me mbyllje sysh a me marifete të tjera të klimës së sotme, të pjekurisë së poezisë shqipe dhe i vetë letërsisë shqipe.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...