2013-09-20

Pëllumb Xhufi, Asnjë dilemë historike. Himara ka qenë përherë shqiptare

Dokumente vendikase faktojnë përfundimisht përkatësinë shqiptare të Himarës; çfarë ishin himarjotët, dhërmiotët, pajasjotët. Arkivat greke qëndrojnë ende të mbyllura. Hapja e tyre do revolucionarizonte historiografinë. Problemi vetëm politik
 
 
Projekti i greqizimit të Himarës nis që me themelimin e shtetit grek. Studiuesi Pëllumb Xhufi shprehet në një intervistë për televizionin “A1 Report” se çdo spekulim me natyrë historike, mbi rrënjët greke të Himarës është i gënjeshtërt. Ndonëse arkivat greke ende qëndrojnë të mbyllura në këtë drejtim, Xhufi zbulon se zbardhja e disa dokumenteve të hasura prej tij në Venedik, e shteron përfundimisht të vërtetën e historisë etnike të Himarës dhe Bregdetit. Dhe ajo sipas tij vetëm shqiptare.
Sa real është ky projekt 200 vjeçar i Greqisë për greqizimin e rajoneve shqiptare?
Po është real të paktën që nga krijimi i shtetit grek. Veçanërisht kjo zona që ne e quajmë sot e Himarës, apo e Bregdetit është një zonë tepër strategjike, që kush e zotëron, ka edhe Adriatikun, apo kahun lindor të tij. Ky ka qenë një nga projektet e para të shtetit grek, pra aneksimi i asaj që quhet Shqipëria e Poshtme, apo i Epirit. Çfarë ka qenë zona e Bregdetit, çfarë ka qenë Himara? Ka qenë padyshim shqiptare, ashtu siç është edhe sot shqiptare. Ka folur gjuhën shqipe, e thonë vetë himarjotët. Kanë patur heronjtë e tyre dhe si të gjithë shqiptarët heroi i tyre ka qenë Skënderbeu. Kështu i shkruanin Papës himarjotët në vitin 1597 dhe akoma më vonë i shkruanin edhe Careshës së Rusisë që “ne jemi shqiptarë dhe flasim shqip”. “Dhe më të mësuarit prej nesh”-thonë himarjotët- “flasin edhe gjuhën greke dhe gjuhën italiane”. Pra pretendimet e rendit historik që nxiren herë pas here nuk kanë të bëjnë fare. Çështja e Himarës është një problem i politikës dhe i politikës ai bëhet i këtillë që me fillimin e shtetit grek.
Sa aktuale është sot?
Aktuale është sot në kuptimin që është përzgjedhur Himara si një të themi në gjuhën popullore si “Gozhda e Nastradinit”, sepse shënon të themi cakun më verior të pretendimeve historike greke ndaj Shqipërisë. Është një vend në të cilin është investuar shumë nga qeveritë greke që nga viti 1821; janë dhënë para, janë blerë do të thosha familje të caktuara, që jo çuditërisht janë ato të cilat edhe sot përçojnë politikat e Athinës në këtë trevë shqiptare. Rasti i Bollanos, p.sh kryebashkiakut të deridjeshëm të Himarës, është emblematik, sepse edhe paraardhësit e tij kanë qe rnin pensione dhe ishin ata që organizonin edhe në kohën e Zogut, në vitet ’30 këto manifestime si ato që shohim sot. Rrethimi i komisariatit të policisë ka ndodhur edhe në vitin 1936, pengimi i fëmijëve për të shkuar në shkollën shqipe të fshatit nga një tufë njerëzish të paguar, ka ndodhur sot por edhe në atë kohë.
Si mund Shqipëria ta bllokojë këtë revansh grek në Jug dhe çfarë hapësirash kemi ne për fqinjësi të mirë, kur shtetas shqiptarë nga komuniteti çam nuk janë në gjendje të përfitojnë të drejtat e tyre në shtetin grek?
Rruga është që ne duhet të kemi qeveri të cilat të jenë dinjitoze, të zbatojnë Kushtetutën e vendit të tyre, të mbrojnë interesat e Shqipërisë, të jenë qeveri jo të korruptuara që bëjnë agjendat e huaja dhe nuk zbatojnë agjendën shqiptare. Në rastin konkret për Himarën. Ne kemi parë këto vitet e fundit, kryeministra, ministra, të cilët në zhargonin e tyre politik janë shprehur për Himarën dhe himarjotët sikur të jenë minoritarë. Kjo ka ndodhur. Nuk pyetet fare historia dhe historianët as vetë ata himarjotë që sot e kësaj dite thonë: ne jemi shqiptarë.
A ka bashkëpunime mes historianëve shqiptarë dhe atyre grekë dhe pika të përbashkëta që përjashtojnë pretendimet territoriale?
Këto shtetet tona fqinje që kur u krijuan, Serbia, edhe Bullgaria, por sidomos Greqia, në momentin që u krijuan si shtete-kombe, në fillime të shekullit të 19-të, kujdesin e parë ia kushtuan historive të tyre kombëtare. Krijuan Akademi të Shkencave, një klasë historianësh që u vunë të kërkonin dhe justifikonin pretendimet e politikës; të Greqisë së Madhe-Megali Idesë; Serbisë së Madhe-Naçertanies, etj.. Pra historiografia në këto vende lindid si historiografi politike le të themi, që duhet të justifikonte historikisht pretendimet politike të klasave të tyre drejtuese. Nga kjo ka vuajtur shumë edhe historiografia greke. Për fat të mirë, sidomos këto 10 vjetët e fundit në Greqi ka lindur një klasë e re historianësh, të cilët e shohin ndryshe historinë. Mua më kanë folur për një film, që shihet edhe në Youtube-unë nuk e kam parëqë bën një vështrim historik të shtetit grek nga 1821 deri në ditët e sotme, krejt ndryshe nga ç’është parë deri dje. Duke trajtuar arvanitasit, çfarë janë arvanitasit, problemin çam, por edhe problemin e pretendimeve të gjoja helenizmit të zonave të Shqipërisë së Jugut, apo të tjerave si Maqedonisë Jugore etj. Ne kemi historiografinë tonë tashmë; janë bërë punime, studime, prej kohësh, të cilat duhet të inkurajohen. Mirëpo çfarë ka ndodhur? Në këto vitet të fundit u bë një reformë si të thuash e institucioneve tona kërkimore dhe të Akademisë së Shkencave. Pra u katandis Akademia e Shkencave në një klub, pa ndonjë veprimtari konkrete. Iu hoqën institutet shkencore, vetë këto u përgjysmuan dhe sakatuan. Sot ne kemi vetëm rreth 12 punonjës shkencorë si Institut i Historisë, ndërkohë që kemi patur 40 dikur. Ne nuk arrijmë të mbulojmë të gjitha periudhat, për të gjitha problematikat që paraqet historia e Shqipërisë. Nuk kemi fonde, nuk kemi zyra; edhe në këtë zyrë që jam aktualisht duhet të ikim. Kemi vështirësitë tona. Dhe këto vështirësi për këto probleme që pyesni, si Himarës, problemi i Jugut të Shqipërisë, i të ashtuquajturit Epir i Veriut, problemi i Çamërisë, që është problem therës i historisë sonë kombëtare, pra për të gjitha këto, duhet hyrë fillimisht në arkivat greke, ku ka shumë material. Unë mendoj se do revolucionarizohet historiografia shqiptare nëse një ditë do të arrijmë të hyjmë në arkivat greke. Por grekët nuk na i hapin arkivat. Nëse në arkivat tona mund të vijnë lirisht studiues grekë dhe të punojnë, në arkivat greke është e pamundur. Unë që po flas jam si të thuash një viktimë e kësaj politike që qeveria greke nuk lejon shqiptarët në radhë të parë, por edhe të huajt e tjerë që të shkojnë në arkivat greke dhe të punojnë me dokumentet. Kjo është një pengesë e jashtëzakonshme që do t’i jepte zgjidhje shumë problemeve që tani mbeten të zbehta në pikëpamjen e hulumtimit shkencor. Unë kam bërë një kërkim shkencor në Venedik vitin e kaluar. Kam parë një masë të madhe dokumentesh të cilat e ndriçojnë problemin e Himarës do të thosha në mënyrë përfundimtare. Çfarë ishin himarjotët, dhërmiotët, palasiotët. Çfarë ishte pastaj bregdeti Jon në pikëpamje etnike që nuk ka asnjë diskutim që ishte shqiptar.

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...