Pjesëmarrja në panair
Është e çuditshme se si botuesit kërkojnë para nga Ministria e Kulturës, jo vetëm për panaire ndërkombëtare, por edhe për panairin që mbahet në Prishtinë
Shkruan: Reshat SAHITAJ
Shkrimi i I. Vatovcit, gazetarit të “Kosova Sot” të datës 9 shtator 2013, me titull “Vonohen mjetet, rrezikohet pjesëmarrja në Frankfurt”, u bë shkas i shumë medieve tona e ndër ato edhe i lajmeve qendrore të RTV 21 të datës 16 shtator 2013. Botuesit ankohen me vonesën e alokimit të mjeteve materiale për shkuarjen në Panairin Internacional në Frankfurt, duke e quajtur pjesëmarrjen si ngjarje me rëndësi të veçantë në zhvillimin e kulturës. Në anën tjetër disa krijues, pjesëmarrjen në këtë Panair Internacional, e quajnë biznes privat të shtëpive botuese.
Tradita e Kosovës në pjesëmarrjen e panaireve ndërkombëtare të librit
Gjatë sistemit të kaluar totalitar, ishte bërë praktikë që ish-Jugosllavia, të merrte pjesë në të gjitha panairet e librit që mbaheshin kudo në botë. Në mesin e shtëpive botuese jugosllave ishte edhe NGB “Rilindja” që iu bashkohej simotrave të asaj federate. Në Panairin Internacional të Brukselit, librat e ardhur nga Kosova ekspozoheshin në të njëjtin stand të librave jugosllave, por kishte një hapësirë ku bashkatdhetarët tanë të etur për të arritura letrare mund t’i blinin librat nga “Rilindja”. Në këto panaire merrnin pjesë edhe shkrimtarë të njohur siç ishte Nazmi Rrahmani, Sabri Hamiti etj. Veprimtarët që ndiqeshin politikisht nga regjimi i asaj kohe, e vizitonin “Rilindjen” bashkërisht dhe zhvillonim biseda me autorët e ardhur nga Kosova. Unë shkoja me Qamil Zekollin, Ahmet Bekaj, pastaj me Enver Hadrin dhe Gani Azemin. Më kujtohet kur gjatë një Panairi Internacional në Bruksel, Enver Hadri në jakën e setrës e kishte ngjitur bexhin e Parlamentit Evropian. Unë dhe Gani Azemi e këshilluam Enverin ta hiqte bexhin e Parlamentit Evropian, sepse nuk ishte vendi që mund t’i shërbente për hyrje falas. Enver Hadri u përgjigj: “Nuk dua ta heq, se dua t’ua plasi zemrën serbëve që janë aty afër dhe shqiptarëve që na kanë inati”. Jam i bindur se vizita jonë do t’i kujtohet edhe Nazmi Rrahmanit më të cilin biseduam gjatë, si dhe Sabri Hamitit, të cilin Gani Azemi e kishte mik të vjetër.
Pjesëmarrjen e NGB “Rilindja” në panaire të tilla, sistemi i asaj kohe e ka përdorur për interesa të tyre, mirëpo ana tjetër e medaljes është se edhe shqiptarët kanë përfituar për interesa kombëtare. Më këto pjesëmarrje, Serbia është përpjekur t’i kontrollojë shqiptarët e diasporës aty ku ka pasur mundësi. Në mënyrë graduale pjesëmarrja në panaire është bërë tradicionale. Shqiptarët e diasporës kanë përfituar, sepse që nga ajo kohë Nazmi Rrahmani ka ndikuar që gazeta “Rilindja” të fillojë të shitet edhe në Bruksel, e ndoshta në shumë vende të tjera të Evropës.
A duhet të ndërpritet kjo traditë?
Me çlirimin e Kosovës, mërgata shqiptare nuk ka asnjë pengesë për të ardhur në Kosovë dhe fatlumësisht ata vijnë jo vetëm gjatë dy muajve të verës, por për çdo festë që ata kanë pushim. Me zhvillimin teknologjik si interneti dhe radio-televizionet shqiptare, sot mërgata jonë njoftohet me ngjarjet në Kosovë në të njëjtën kohë me ne banorët e përhershëm në Kosovë. Pra, nëse pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare ka për qëllim shitjen e librave shqip mërgimtarëve tanë, siç deklaroi një përfaqësues i një shtëpie botuese vendore, nuk mund ta quajmë pjesëmarrje ndërkombëtare. Nëse është ashtu atëherë nuk duhet kërkuar përkrahje materiale nga Ministria e Kulturës sonë. Sikur shtëpitë tona botuese të shkojnë në këto panaire ndërkombëtare me vepra tona të përkthyera në gjuhët: gjermane, angleze, frënge etj., do të ishte mëkat të mos shkohej. Mirëpo, në bazë të deklaratës së një përfaqësuesi të një shtëpie botuese në RTV 21, ora 18.30 të datës 16 shtator 2013 ku thotë:” Ne e kemi të përkthyer anglisht librin e Jusuf Buxhovit, dhe se në Gjermani është një numër i madh bashkatdhetarësh”. Nëse shtëpitë botuese shkojnë vetëm me dy apo me katër libra të përkthyer dhe për këtë marrin 9000 euro nga Ministria e Kulturës, kjo është keqpërdorim i parasë publike të taksapaguesve dhe abuzim. Nëse do të nisemi nga kjo logjikë, atëherë Ministria e Kulturës qenka e detyrueshme të paguante edhe këngëtarëve të mbajnë koncerte në diasporë, sepse atje ka shumë shqiptarë. Do të ishte shumë interesant që kësaj nisme t’i bashkohet edhe ndonjë këngëtar yni të kërkonte ndihma ministrisë sonë që të organizonte ndonjë koncert në Frankfurt me shqiptarë dhe në mesin e repertorit të këngëve të tij ta këndonte një këngë gjermanisht.
Pjesëmarrja në Frankfurt është thjesht për të shitur librat shtëpitë botuese, e nuk është qëllimi i zhvillimit të kulturës sonë. Sikur shtëpitë botuese të marrin pjesë me vepra shqiptare të përkthyera në gjuhë të tjera, do të ishte e arsyetueshme pjesëmarrja, sepse në këtë mënyrë botuesit kontaktojnë me shtëpitë e huaja botuese dhe atyre u ofrojnë autorë tanë. Kështu zhvillohet një kontakt dhe mund të arrihet deri në ndonjë marrëveshje reciproke për botime të reja. Që trembëdhjetë vjet me radhë që Ministria e Kulturës i përkrah botuesit tanë, e asnjëri prej tyre ende nuk ka arritur të bëjë kontratë për ta përkthyer ndonjë autor nga Kosova.
Ministria e Kulturës, viktimë e shtëpive botuese
Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës është duke i përkrahur ato pjesëmarrje, sepse ata janë të bindur se shtëpitë botuese e ndihmojnë zhvillimin e kulturës. Mirëpo ata nuk e kanë analizuar asnjëherë, se a është nënshkruar ndonjë kontratë për përkthime të autorëve kosovarë, a dërgojnë në këto panaire libra të përkthyer në gjuhë përkatëse, a shoqërohen shtëpitë botuese me ndonjë autor të veprave, pse shkojnë vetëm shitësit e librave e jo të shoqëruar nga ndonjë krijues etj., etj. Mendoj se vitin e ardhshëm zyrtarët e Ministrisë së Kulturës duhet ta ndërpresin këtë traditë profitabile në dobi të disa botuesve. Nëse shtëpitë botuese, të cilave u paguhen shpenzimet e aeroplanit, hotelit, vendit ku ekspozojnë dhe ushqimi, u japin libra gratis shqiptarëve do të ishte mëkat të ndërpritet kjo traditë. Mendoj se pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare është vetëm edhe një treg i ri për t’i shitur librat, por jo me rëndësi për letërsinë siç pretendojnë botuesit. Është e çuditshme se si botuesit kërkojnë para nga Ministria e Kulturës, jo vetëm për panaire ndërkombëtare, por edhe për panairin që mbahet në Prishtinë. Në Panairin e Prishtinës, botuesit u shesin hapësirat të gjitha shtëpive botuese në bazë të metrave katrore që ata dëshirojnë t’i ekspozojnë librat. Vetëm nga shitja e hapësirave botuesit tanë i nxjerrin të gjitha shpenzimet, e madje për ekspozimin e librave të veta hapësirën e marrin falas. Përderisa këta marrin shuma astronomike për Panairin e Prishtinës nga Ministria e Kulturës, së paku do të ishte mirë që mos t’i shesin hapësirat dhe të gjithë botuesit të trajtohen njëjtë. Panaire të librave organizohen në tërë botën, e nëse shkohet nga kjo praktikë, Ministria e Kulturës duhet të shpërndajë tërë buxhetin vjetor vetëm në pjesëmarrje të tilla, dhe atë vetëm me dy vepra të përkthyera anglisht. Kudo në botë, panairet e tilla financohen nga shtëpitë botuese dhe nga sponsorët e ndryshëm, e kurrë nga ministritë e kulturës. Do të ishte mirë që në të ardhmen, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, t’i shqyrtojnë dhe t’i analizojnë kërkesat e të gjithë atyre të cilët kërkojnë përkrahje të projekteve të tyre - janë, apo nuk janë për qëllime përfituese.