2013-09-21

SHKAMBI I THETHIT... AT DANIEL GJEÇAJ O.F.M. (1913 – 2002)



Nga Fritz RADOVANI:



Malet e Veriut i kanë dhurue Shqipnisë shumë gurë të çmueshem e të fortë! Pak kush ua di vleren e Tyne! Nuk janë shumë të mëdhej para se me u ba ortek e me u rrokullisë nga majet e atyne Bjeshkëve të Nêmuna, që shumë vizitorë e dijetarë i kanë ba me folë me vete…
Bukuria e pejsazhit asht mahnitëse! Ajo shijohet vetem kur i sheh me sy! Madhështia e atyne maleve të ashpra e t’ veshuna me pyje, kullosa e kësula bore, nderthuret me harmoninë dhe zhdervjedhtësinë e trupit njeriut të skalitun nder shekuj nga vetë Dora e Zotit! Atje kanë lindë dhe kanë trashigue deri në ditët tona drangojt e shpellave formulen e patjetersueshme në shekuj, “Atdhé e Fé”, kur edhe Lekë Dukagjini ua vuni emnin në Kanu trashigimtarëve t’ Ilirëve.
At Daniel Gjeçaj O.F.M., ka lé me 14 Tetor 1913, në Thethin e bukur të Dukagjinit, mu në mes t’ atyne Alpeve ku ruhej nder shekuj tradita e paster Shqiptare. Aty filloi mësimet e para të cilat i vazhdoi në Shkoder, në Liceun “Illyricum”, i njohun Kolegji i Fretenëve të Gjuhadolit. Në vitin 1939 asht në Siena t’ Italisë per me vazhdue studimet e nalta. Në vitin 1940, vazhdon një vit studime në Gjermani dhe kthehet në Theth, ku thotë edhe Meshen e parë. Ishte në brezin e njohun të Françeskanëve ma të kulturuem, kur punoi në njenen prej tri bibliotekave ma të pasuna që ka pasë Shqipnia, Biblioteka Françeskane e Shkodres, një nder thesaret e kulturës kombtare, që u plaçkit, u dogj dhe u shperdorue barbarisht mbas vitit 1946, kur kuvendi u kthye në burg nga komunistët. Në vitin 1946, kur po shiheshin gjurmët e shkatrrimit sllavo komunist në Shkoder dhe provinçial i Fretenëve ishte At Mati Prennushi, e largon nga Shkodra At Danielin, per në famullinë Plan, tue e këshillue që të tregohet i kujdesshem, mbasi shpejtë pritej të mbyllej kuvendi dhe do të fillonin edhe arrestimet. (Dishmi gojore e At D. Gjeçaj, 1997, në Shkoder).
Në vitin 1948, një mik i veti e njofton se shpejt At Danielit, do t’i vinin prangat. Per mos me ra në kurthen mizore të sigurimit të shtetit, tue perfitue nga acarimi i mardhanjeve shtetnore mes dy shteteve “miq” Shqipni – Jugosllavi, arratiset atje dhe vetem mbas shtatë vjetësh, arrinë me kalue në Itali, në vitin 1955. Vendoset në Toskana t’ Italisë dhe mbas pak kohe atje shumë të njohun e ngarkojnë me detyrë të pergjegjësit të kulturës pranë Komitetit “Shqipnia e Lirë”.
Lidhjet e Tij edhe me t’ arratisunit tjerë si Prof. Ernest Koliqi, Prof. Karlo Gurakuqi, Prof. Namik Ressuli dhe një brez i tanë i papersëritshem i kulturës Shqiptare në mergim, kalon në Radio Vatikanin, ku zani i At Danielit dha kushtrimin e Lirisë pa pushue deri në vitin 1992.
Emnohet nga Selia e Shejtë, Perfaqsues i Katolikëve Shqiptar në mergim, ku ndihmesa e Tij u njoh edhe në Shoqninë Katolike Shqiptare të Melbournit, së ciles i perpiloi dhe Statutin e saj, të cilin, me pak ndryshime ajo Shoqni e ka edhe sot me nenshkrimin At Daniel Gjeçaj.
Gjatë gjithë jetës së Tij, Ai u qendroi besnik parimeve të veta per “Atdhe e Fe”.

Kontributi i At Daniel Gjeçaj në lamen e kulturës, shkencës, letersisë, gjuhës, historisë së persekucionit komunist në Shqipni, arkivave kulturore, perkthimeve dhe trashigimisë së asaj të së shtrejtes aftësi dhe perkushtim, me ua percjellë të paster brezave të rij porosinë e të Parëve të vet, që jo vetem ishin vra dhe nuk u dihej as vorri, por edhe çdo fjalë e Tyne ishte zhdukë me Ta, per të gjithë kohen sa jetoi, jo vetem punoi pa u kursye, por edhe u dhuroi gjithë thesarin e Tij, Kuvendit Françeskan të rindertuem. Ai erdhi në Kishen e Tij në vitin 2002, i veshun me zhgunin e vet, per me pushue nder Ato temele, ku ishte i fresket Gjaku i Martirëve të Asaj Kishë, që per 47 vjet nen robninë e terrorin ma të tmershm ka provue Ai kler prej gjenocidit komunist. Ai sot asht nder ata vorre ku nuk asht ma asnjë kafkë e Atyne Fretenëve t’ Asizit, që At Danieli i adhuroi dhe i dishroi gjithë jeten e vet.
At Danieli asht puntori ma i perkushtuemi në mergim me ringritë Monumentet e perdhosuna, tue fillue me “Lahuten e Malcis” e deri tek vepra e vet, “Prelë Tuli i Salcës”, ku me një mjeshtri të rrallë na ka dhurue një mbrekulli të vertetë, per trimninë e guximin e Maleve tona kreshnike.
At Daniel Gjeçaj dhe Prof. Gjon Sinishta kanë ngritë Monumente të pavdekshme!
Fjalori që perdori At Danieli, asht ma i pasuni i Gegnishtes letrare mbas At Fishtës. Ai të duket sikur buron nga goja e një figure legjendare që don me na kujtue: “Shifni shka jeni tue rrenue o Shqiptarë!”. Perkthimet e Tij, asht e vertetë se nuk shohin “driten” e botimit, mbasi janë zevendsue me “perkthimet në gjuhen e njësuar të kongresit 1972”, kur u vorros Gegnishtja.
Me të drejtë At Gjeçaj konsiderohet si një nder ma të aftit dhe të pergatitunit si perkthyes i disa veprave kishtare me vlerë: “Meshari i të kremteve” (1966) “Rendori i meshës” (1973) Meshari i përditshëm, Psalmet, trajtue si një pjesë e madhe e Biblës etj., ku spikatë një mjeshtri e rrallë e njohjes së atyne veprave fetare të perkthyeme me saktësi në Gjuhen e bukur Shqipe. Ungjillin ia kishte kerkue Don Simon Filipaj, dhe At Danieli ia kishte dergue...Asnjëherë nuk i kishte shkue mendja se Don S. Filipaj, e kerkon që ta bastardhoi me gjuhen e “njësuar” të “Kongresit 1972”.
Ribotimi i “Lahutës së Malcisë” në vitin 1958, e shoqnueme me komente nga At Danieli, risjellë në kujtesen historike gjurmët e pavdekshme ku shkelën sandalet e Françeskanit tonë.
At Daniel Gjeçaj, në ditët e para të fitores së zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, me anen e një mesazhi drejtue fituesëve “demokratë”, të cilët, do të merrnin pushtetin nga “socialistët”, që deri atë ditë ishin komunista terroristë, u ban të dijtun nga Radio “Vatikani”, me rreth 14 ose 15 pika me të cilat duhet ndertue binaja e Demokracisë së vertetë në shtetin e porsa lindun në Shqipni. Jam i sigurtë se as sot e asaj ditë që nga viti 1992, nuk asht zbatue asnjë nga ata pika udhrrëfyese per qeveritarët tanë! – Pse?! – Se asnjëherë, askush nuk ka mujtë me pa të pakten një anderr, që na mund ta quejmë sot, se kjo i perket rrugës sonë “drejtë demokracisë”...
Me datën 3 Janar 1997, kam pasë fatin me u njoh dhe me kalue disa orë në një drekë, që më pat thirrë At Konrrad Gjolaj, ku ishte edhe At Danieli. Ishte e para herë që u njoha afer...
Na tregoi se me datën 5 Janar, do të shkonte në një takim me presidentin Sali Berisha. As At Konrradi, dhe as unë mbas Tij, nuk i dhame asnjë mendim. Kujtoj si tashti, kur e takova me daten 6 Janar në darkë, mbas takimit me presidentin... dhe më tha: “Gjatë gjithë kohës që ishe aty dhe po bisedonim me te, asnjëherë nuk më ka shikue drejtë në sy... E mjera Shqipni!”
Kur e pyeta se, “klerikët e rijë që po bahen, a mendon se ndonjë... mund të ndjekin rrugën Tuej, të pakten në fushen e traditave Atdhetare dhe Fetare, në edukimin e Rinisë Shqiptare?”
– “Nuk mjafton me dashtë, po nuk duhet me drashtë!”... më tha, shumë i topitun.
Dhe, nuk u pame kurrma!
Melbourne, 2013.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...