Kujtim Rrahmani:´Vrimë e zezë, njolla blu dhe të kuqe´, roman, Dukagjini, Pejë, 1998
Në fillim ishte Fjala. Ajo e madhja, e shenjta, hyjnorja: ´Bëhu!´ Dhe u bë, e u bënë, njëra mbas tjetrës. Krijuesin, Artistin, Ndërtuesin, me Fjalën e zuri ´sherri´; kur u tha fjalëve:´Bëhuni!´ e i vuri si shenja të koncepteve në letër. Si shenja të ideve, të fascinimeve të tij në udhë e nën udhë të jetës. Duke gjurmuar nëpër golla të errëta leksikore dhe semantike, artisti vjel e vjel gjedhe të reja të formave arketipe. I vetëdijshëm se kuptimet e tyre ´pleqërishte´, siç do të thoshte Lasgushi, tashmë ka kohë që janë zvetënuar, ai i herr e i ´shkëlqen´ ndopak, dhe i përdor në relacione të reja semantike, duke mos u rrëmbyer nga asfarë sentimentalizmi poetik. Ky artist edhe nëse duke shkruar faqe të bukura proze dëshmon se në gji e ka të shartuar një brinjë gjenetike të poezisë, prapëseprapë, gjatë gjithë rrugëtimit romanësor sikur thotë, madje zëshëm: unë s´jam poet, o nanë!
E unë them për të: një prozator i rrepë i trajtave poetike. Një prozator i ftohtë dhe i ngeshëm për të krijuar idenë e madhërishme të tingullit, të ngjyrës, të rrënjës së trajtave jetësore të të qenit, duke e parë njeriun si homo sapiens jo krejtësisht ideal.
Qasja trajtave të mundshme të së bukurës përgjithësisht, është jo e druajtur por e kujdesshme, gradualisht e matur, e vrojtuar nga të gjitha anët si për inat të një nxitimi të dhunshëm e të papeshuar artistikisht.
Nisja, në stilin ´sherri, ky mot i paparashikueshme´ në vete bart së paku dy mundësi të të njëjtit rrafsh artistik të cilat në vazhdimësi pastaj sikur largohen nga njëra-tjetra.
´Sherri´ është konstatim i provuar i Astrit Gjokës, se loja e fjalëve nuk prodhon veç kënaqësi, por edhe zatetje, keqkuptime, vuajtje. Por ´rrëfimtari i gjithëdijshëm´ alias autori, duke e ´mbyllur´ heroin, ia hap derën fantazisë, meditimeve, përsiatjeve, me një fjalë, afirmon mundësinë komunikuese të të gjithë diskursit të tij letrar. Pjesa e dytë e kësaj sintagme ´i paparashikueshëm´ na shpie te dhomat e errëta, te nënshtresat e kujtesës kolektive, te pyllësia e kozmosit të pafund, te fati që mund të të përpjekë me ´vrimë të zezë´. Kozmosi është femëror thotë një astrologe amerikane, kurse globi për Astrit Gjokën dhe për filozofemat e tij është krejtësisht mashkullor.
Kujtim Rrahmani qysh në romanin e pare ´Secili e citonte Biblën´ pati provuar e dëshmuar prirjen e tij të natyrshme për t´i letrarizuar fragmentet jetësore, veçmas ato, si të thuash, anësoret e ruralet, duke zbritur deri në fëmijërinë e tij të hershme.
Postmodernizmi për të tjerët, për këtë autor po provohet katërçipërisht si ´modernizem i ri´, që pritet të ketë gjithnjë e më shumë përkrahës.
Motivet e zgjedhura nga ky autor, si njësi brenda tekstit narrativ, që përveç të tjerash sprovohen nëpërmjet literaritetit të ligjëratës, janë një ishull vërtetë intrigues epiko-lirik, që te ky autor rifunksionalizohen natyrshëm, e të cilat janë vrojtuar kaherë keqas nga njëfarë ish dalldie letrare-eksperimentale.
Ky është një nga ata autorët e rrallë që filozofinë popullore dhe filozofinë letrare i sheh si një simbiozë-filozofemë e të përceptuarit artistik. I liruar nga çfarëdo autocenzure, Rrahmani braktis të gjitha modat e mundshme letrare, për shkak të kodit të tij të rreptë krijues. I stolisur fundekrye me dije e emancipim letrari, ky autor, me këtë roman dëshmon se vepra të këtilla shkruhen vetëm nëse vetë shkrimtari është gjedh origjinar dhe origjinal i jetës.
*******
Kujtim Rrahmani: ANTROPOETIKË, një confession, botoi AIKD 190 faqe, 2008, Prishtinë.
Më në fund një studim interesant dhe i thellë për Antropoetikën; një studim i rrallë dhe i lexueshëm maksimalisht; një studim diskursiv-epistemologjik; me ngjyrime dhe ilustrime letrare-filozofike mbi ANTROPOIESISIN; një degë sa e re po aq e moçme, sa e njohur po aq e panjohur, sa e rrahur po aq e parrahur.
Një studim në formë të confession-it Augustinian që të rremben nga mënyra e shtjellimit, nga dashuria autoriale për rrëfimin universal, dhe rrëfimin personal-autorial mbi magjinë, mbi madhështinë, dhe mbi fuqinë e poezisë, por një studim që të rrëmben gjithashtu, edhe me mençurinë dhe pasurinë e autorit për kulturën dhe literaturën antropologjike.
Mirëpo gjithmonë simbas modelit qëllimisht të përdorur paradigmatik të Confessionit të lartëpërmendur të shekullit të V-të, Rrahmani, dialogon si rrallë ndokush, me lexuesin për punë të poezisë. Në të vërtetë, dialogon për punë të besimit mbi poezinë. Për punë të gjithëpranimit të poezisë. Të poezisë që na ka krijuar dhe na krijon çdo ditë, neve, krijuesve të poezisë. Sepse siç thotë ky studjues, vetë Jeta është Poezi; dhe vetë Poezia është Jetë.
Është ky një rrëfim, i sinqertë, i ngazëllyer, por i matur i peshuar e i ilustruar bindshëm.
Studimet e thelluara shqiptare në akëcilat fusha pra edhe në fushë të antropologjisë së letrave me gjithë ngecjet dhe pengesat materiale e njerëzore, tashmë pikërisht nga brezi i autorit në fjalë por edhe i një brezi më të ri, sa vjen e po intensifikohen, ndërsa studimi Antropoetikë, është rezultat i këtyre hulumtimeve.
www.albatrosi.npage.eu