2013-09-20

Ernest Koliqi Ministria e Kulturës: Kolaboracionisti më i mirë




Posi…. U ba  Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqipëria! Ti i mençëm përgjigje  tue bërtit në kupë të qiellës: rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na  shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesit tona. Lojë e bukur,  por s’të ka dalë… (“Tregtar Flamujsh”, 1935). Kur Ernest Koliqi i shkroi këto  radhë, Shqipëria qe ende mbretëri, e autori ende “patriot”. Duhej të kalonin  ende edhe ndoca vite, që ai të bëhej ministër Arsimi nën okupimin italian, e më  tej edhe ndoca vite të tjera që me ardhjen e komunistëve ai të quhej më në fund  edhe kolaboracionist, e gjatë këtyre viteve, emri e letërsia e tij, të shuhej,  të fshihej për të pritur që pas ’90-ta ta shpallte sërish patriot. Djali i  Shanit dhe i Age Simonit lindi në Shkodër më 20 maj të 110 viteve më parë.  Ministria e Kulturës e përkujtoi dje datëlindjen e tij, duke e konsideruar atë,  shkrimtar, vizionar dhe mendimtar të shquar shqiptar. Në kuadër të datëlindjes,  ministria u fokusua në purifikimin e figurës së Koliqit, saqë ai u cilësua edhe  si kolaboracionisti më i mirë. Në këtë vazhdë, u fol gjatë për meritat e  padiskutueshme të përhapjes së arsimit shqip në Kosovë. “Ai dërgoi mbi 200  arsimtarë shqiptarë, normalistë, nga më të mirët në Kosovë, hapi atje shkollat  shqipe dhe të parën shkollë të mesme. Me punën dhe përkushtimin e tij, Koliqi  vendosi bazat e arsimit shqip në Kosovë, që do të sillte ato ndryshime  rrënjësore në zhvillimin e kulturës dhe formimin e elitave arsimore e kulturore  në Kosovë në vitet që do të vinin”, – do të shprehej ministri Zhiti.
Takimi
Të pranishëm në takimin e djeshëm përkujtimor ishin: ministri i Kulturës,  Visar Zhiti, ish-ministri Bujar Leskaj, Ylljet Aliçka, shkrimtari Lazër Stani,  dhe miku i hershëm i Koliqit, Mërgim Korça. Në fjalën e tij, ministri Zhiti  vlerësoi lart personalitetin krijues dhe kulturor të Ernest Koliqit, që la  gjurmë të thella në kulturën kombëtare. “Fenomeni ‘Koliqi’ i tejkalon vdekjet e  veta, atë që është e natyrshme për jetë njerëzish dhe veprash, por dhe ato që ia  dhanë plot me mëri, vdekjet si dënim dhe hakmarrje parake. Sipas sentencës  latine, mund të themi se vepra koliqjane tashmë i është vënë udhës së  ringjalljes e jo vetëm të vetvetes”, – tha ai. Sipas Zhitit, duhet theksuar  rëndësia e jashtëzakonshme e veprës së Koliqit dhe cilësia e saj e veçantë  gjithashtu. “Koliqi është shkrimtar i klasit të parë, që bashkë me Mitrush  Kutelin, janë themelues të tregimit modern në letërsinë shqipe”, – vlerësoi ai.
E ndërsa fliste për kohën kur Koliqi ka qenë ministër i Arsimit në qeverinë  shqiptarë nën pushtimin italian, Zhiti u shpreh: “Si ministër Arsimi, ai punoi  për përhapjen e mësimit shqip në Kosovë. Në kohën kur në Shqipëri komunistët  shqiptarë bashkëpunonin me jugosllavët për të themeluar Partinë Komuniste që do  ta izolonte Shqipërinë për pesë dekada, Koliqi ngriti shkolla të mesme në  Kosovë. Ato vite që shënuan bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, po themelohej  partia që do ta harronte pjesën tjetër të Shqipërisë”. Sipas Zhitit, Koliqi  arriti të parashikonte edhe rënin e regjimit me veprat e tij. Mërgim Korça, mik  i Koliqit i pranishëm në takim, tha para të pranishmëve se e ka dashur shumë  shkrimtarin, edhe pse për herë të fundit e ka takuar kur qe vetëm 12 vjeç. “Ndër  kolaboracionistët, ai është sharë më shumë, është lënë në harresë më shumë,  është nëpërkëmbur më shumë, por padyshim, ai kishte më të drejtë se të gjithë.  Ai ishte shumë largpamës, e ata që i dilnin kundër, pa vizion, ai ishte më  largpamës se miqtë e tij që dolën të bëjnë Luftën Nacionalçlirimtare”, – tha  Korça. Ai theksoi se ka qenë fat i madh që Koliqi ka qenë ministër Arsimi.
Edhe Lazër Stani, në fjalën e tij i qëndroi idesë se postin e ministrit të  Arsimit, Koliqi e përdori për përhapjen e fjalës shqipe.
Vepra në letërsi
Sa i takon letërsisë së tij, ministri Zhiti tha se me nismën e Koliqit janë  botuar antologjitë e para të letërsisë shqipe, të folklorit shqiptar, është  nismëtar i ngritjes së bibliotekave në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, ka  kontribut të jashtëzakonshëm në shtypin kulturor si publicist dhe mendimtar. Ai  nënvizoi se Ernest Koliqi, me vizionin e tij është shkrimtari i parë që  parashikoi vdekjen e komunizmit dhe shembjen e regjimit totalitar nëpërmjet  dramës së tij të njohur “Rrajët Lëvizin”. Në përfundim të fjalës së tij, Zhiti  tha se “kultura shqiptare, e çliruar më shumë tashmë nga paragjykimet dhe  sundimi i tepërt ideologjik, po kupton gjithnjë e më mirë të kaluarën dhe vlerat  e trashëguara, si një pasuri e përbashkët që i duhen kthyer asaj që i përkasin,  së ardhmes. Askush nuk ka të drejtë të dënojë të tashmen me gjymtimin e  kulturës”.



Fatmira Nikolli 

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...