2013-09-19

Turp dhe faqja e zezë për Bashkimin Evropian!


Eshref Ymeri


       Sot, më 19 shtator 2013, njëra nga faqet e internetit të zotit Feliks Taho, hapet me titullin e mëposhtëm:
“Bandë vrasëse e Agimit të Artë, e cila është duke vepruar e pashqetësuar dhe me bekimin e Qeverisë”, -thotë një qytetar grek.
Është fjala për vrasjen e këngëtarit antifashist Pavlos Fissas, i cili u bë viktimë e një bande kriminelësh të partisë nazifashiste me emrin paradoksal “Agimi i Artë”.
Vrasja e këtij këngëtari të pafajshëm, të shtyn të mendosh se nazifashizmi është në ngjitje në Greqi. Unë nuk e njoh kushtetutën greke, por kam përshtypjen se përderisa kohët e fundit në këtë vend u krijua një parti nazifashiste, kjo do të thotë se krijimin e partive nazifashiste na e lejuaka kushtetuta e vendit. Aq më tepër që kjo parti arriti të sigurojë edhe 21 vende në parlamentin grek.
Nazifashizmi nuk përfaqëson ndonjë dukuri të panjohur në Greqi. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Athina zyrtare u radhit përkrah nazifashizmit dhe, në marrëveshje të plotë me të, madje edhe me bekimin e tij, organizoi gjenocidin e tmerrshëm kundër popullsisë çame që popullonte trevën shqiptare të Çamërisë. Por pas përfundimit të luftës, shteti nazifashist grek, në vend që të ndëshkohej siç e meritonte për krimet e egra që kreu në Çamëri, përkundrazi, atë Evropa e trajtoi me të tëra përkëdhelitë e paimagjinueshme dhe as që u kujtua ndonjëherë për masakrimin e pleqve, e grave dhe të fëmijëve shqiptarë prej këtij shteti kriminal.
Në vitin 1967, Greqia iu kthye traditës nazifashiste të viteve të luftës dhe në vend u vendos diktatura fashiste e kolonelëve të zinj që sundoi deri në vitin 1974. Tani, pas gati dyzet vjetësh, nazifashizmi përsëri ngre kokën pikërisht në Greqi. Dhe në vend që të ndalohet menjëherë partia nazifashiste “Agimi i Artë”, të nxirret jashtë ligjit në mënyrë urgjente dhe krerët e saj të përfundojnë prapa hekurave, në Greqi ndodh e kundërta: radhët e kësaj parties sa vijnë e shtohen dita ditës dhe aktet e saj të dhunës po marrin përmasa të frikshme. Në këto kushte, çdokush me mendje të kthjellët, vjen në një përfundim të thjeshtë:
Prirjet nazifashiste janë pjesë e pandarë e botëkuptimit të klasës politike greke që qeveris vendin, janë dëshmi e formimit psikologjik të kapove që këmbejnë pushtetet në Athinë.
Por ajo që të lë një përshtypje të pashlyeshme dhe vërtet të befason, është heshtja e Bashkimit Evropian për rilindjen e nazifashizmit në Greqi. Si është e mundur që brenda një shteti-anëtar të Bashkimit Evropian dhe një vendi-anëtar të NATO-s, të lejohet krijimi dhe zgjerimi i një partie nazifashiste? Si është puna? Cila është arsyeja që Bashkimi Evropian vazhdon të heshtë para krijimit dhe shtimit të radhëve të një partie nazifashiste greke? A është në vete ky Bashkimi Evropian, apo është shushatur brenda vetvetes dhe s’di ku ka kokën? Nuk e kuptuaka ai vallë që nazifashizmi grek do të fillojë të eksportohet edhe në vendet fqinje të Evropës Juglindore?
Ai qytetari grek ka plotësisht të drejtë kur deklaron se “Agimi i Artë” vepron i pashqetësuar dhe me bekimin e qeverisë. S’do mend. Dikur, në një analizë për Greqinë, të botuar në faqet e internetit, kam pas deklaruar se prapa “Agimit të Artë” fshihet “Demokracia e Re” e Antonis Samarasit dhe se “Agimi i Artë” përfaqëson krahun e armatosur të “Demokracisë së Re” dhe të vetë Antonis Samarasit.
Vallë nuk e kuptuaka Bashkimi Evropian që nazifashizmi grek është pjellë e vetë klasës politike në pushtet në Greqi, është pjellë e Athinës zyrtare? Vallë të mos e kuptojë Bashkimi Evropian hilenë greke, se me pjellën e vet nazifashiste, Athina zyrtare ka për qëllim që t’i tërheq vëmendjen atij dhe t’i bëjë presion se po nuk iu falën borxhet kolosale apo malet me para që Greqia ua ka zhvatur huadhënësve evropianë me llojlloj gënjeshtrash, hipokrizish, mashtrimesh dhe pabesish odiseane, atëherë nazifashizmi grek do të vijë duke u shndërruar në një kërcënim serioz për mbarë Evropën?
Heshtja e Bashkimit Evropian para nazifashizmit grek në rritje në Greqi dhe para faktit që Partia nazifashiste “Agimi i Artë” është e përfaqësuar me deputetët e vet në parlament, është me të vërtetë e turpshme.

Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni

19 shtator 2013

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...