Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/18

Dualiteti i erotikës në letërsinë shqipe


Erosi, ai që mban bashkë Lasgushin me Migjenin


Shkruan :Dr. Anastas Kapurani

Pranëvënia nuk u ka pëlqyer asnjëherë të mëdhenjve në art. Asnjëri prej tyre nuk ka thënë gjer më sot: “Unë i ngjaj këtij apo atij.” Pse kjo bezdi gati “patologjike” ndaj pranëvënies? Edhe pse mund të shfaqet në shumë pamje, kur vjen puna tek të mëdhenjtë, pranëvënia mblidhet kryesisht në një pikë themelore. Dhe pastaj ajo që vjen në dritë, nuk ka asgjë patologjike. Pranëvënia mund të jetë shumë gjëra. Por ajo është, para së gjithash, një gjë: kufi, limit, kufizim. I kujt? I lirisë. Dhe për ta liria është gjithçka.

Po ndaj studiuesit, si është shfaqur pranëvënia? Edhe mes tyre marrëdhënia nuk ngjan të jetë e lumtur. Pasi ndaj studiuesit pranëvënia e vërtetë është shfaqur përherë në esencë vetëm kështu: ajo vjen duke u larguar. Pranëvënia e vërtetë është afri me largësi brenda. Kështu shfaqet horizonti. Dhe pranëvënia e vërtetë e tillë është në thelb: dritë udhërrëfyese, vizion, horizont. Por horizonti nuk lidhet. Pranëvënia pikërisht këtë të vështirë rreh të bëjë: të mbledhë, të mbajë bashkë atë që nga natyra s’mblidhet dot, atë që na shfaqet ndërsa humb, atë që na qaset ndërsa largohet. Ndaj pranëvënia është në elementin e saj dhe mund të na shfaqë gjithë të papriturat e saj. Kjo pasi dy të mëdhenjtë e letrave tona që ne duam të mbajmë bashkë, pasi kushedi kështu bashkë mund të na rrëfehen më mirë, pra: Lasgushi dhe Migjeni duket se janë marrë vesh të na shfaqen vetëm me një kusht të mbrapshtë: o njëri, o tjetri, por asnjëherë të dy bashkë. Po të perifrazojmë një mendim me vlerë të Ismail Kadaresë, do të thoshim se ata kanë ndarë mes tyre Tokën dhe Qiellin dhe ngjajnë të “lumtur” me shortin e tyre…



Dualiteti i erotikës në letërsinë shqipe

Si e ka emrin kjo nyjë apo më saktë ky shkëmb i rëndë që rri në mes të dy anëve, ky shkëmb që ndan për të mbajtur bashkë më mirë? Pranëvënia jonë i thotë vështirshëm kështu: eros apo erotikë. Tani mund fare mirë të pyetet: Erotika mund të jetë çudia që mban bashkë Lasgushin me Migjenin? Pastaj të jetë kjo e takimit të tyre në dukje të pamundur, por erotikë e trazuar streha e përrallshme që energjia e llahtarshme që vjen thellë honit të fjalës së tyre të mençur i hedh ata pa mëshirë në krah të shoqi-shoqit? Dhe, më në fund, a mund kjo erotikë të bartë në trupin e saj jo gjë tjetër, por “të çarën” që na çon drejt e në thelbin e erotikës në letrat shqip?

Erosi apo erotika na del kështu përpara me tërë peshën e frikshme të një demoni të vërtetë. Fjala të tremb, ngaqë mund të ndriçojë aq shumë. Ndaj nuk ka të ikur nga kjo pyetje: erosi, çfarë është në esencën e tij? Na duket se jemi më se të familjarizuar me këtë fjalë. E kemi thuajse përditë rrotull nesh dhe nga kjo fjala ngjan “e shurdhuar”. Mbase erosi ndërkohë na i tha gjithë ç’kishte për të na thënë. Po të shtojmë këtu trysninë vrastare që ushtron mbi të çdo ditë fjala tjetër, aq e afërt si natyrë me ten, pra seksi, pamja bëhet e plotë. Tani seksi është kthyer në një negativitet ndryshe në marrëdhënie me erosin. I çliruar ligsht, seksi tani është përbindëshi i rrugës së madhe, që qytetërimi modern e ka të vështirë ta mbledhë një ditë. Shkurt, si fjalë erosi ngjan i zbrazur, krejt i çmitizuar, i pamister. Dhe, megjithatë, kjo është vetëm dukja, ajo që shihet në të parë. Pasi thellë-thellë erosi i vërtetë është gjithmonë ai i pari, energjia dhe drita zbulonjëse e një demoni të frikshëm.

Po dy të mëdhenjtë e letrave tona si shfaqen në lidhje me erosin brenda vizionit të gjerë evropian? Shih kur dëgjojmë të thuhet “internalizim i trupit kah qenies”, madje pa u shqiptuar mirë kjo frazë-koncept, gjenia krijuese e Lasgushit shkrep në dritë dhe ai na shfaqet ashtu sikundër është: një poet i madh në letërsinë e madhe europiane. Pasi pikërisht këtë fjalë shkëmb të rëndë Lasgushi nuk është se thjesht e merr, por e përvetëson, e bën të tijën me gjithsej, e bën mish-e-gjak-e-dritë të fjalës së tij mahnitëse dhe të vizionit të tij të shquar evropian.



Çfarë thotë Lasgushi për erosin

Thjesht e shkoqur vetëm aq: Dhe hapa shteg-bashkimi nëpër trup/Atë të gojës, plot margaritar/ Atë të dorës, ndritur si zëmbak…/ Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi/ Bashkohesh brenda me përjashtësi/ Bashkohesh jashta me përbrendësi/

Bashkohesh fellë me përjetësi. (Përjetësia)

Ja se ç’është sensualiteti i dritësuar apo erosi në esencën e tij, thotë Poeti i Liqerit. Mrekullisht vetëm aq: një shteg-bashkimi. Shteg, për ku? Për te qenia e trazuar e njeriut. Dhe çfarë bën bashkë ky shteg i përrallshëm, ndërsa shtyhet thellë e më thellë në të errëtit e panjohur? Bashkon njeriun me të Vërtetën e tij të pambaruar. Ky është vizioni i Lasgushit mbi Erosin dhe më gjerë mbi të Bukurën. Ai ngrihet drejt e nga zemra e pashuar e evropianizimit të lashtë.

Po Migjeni?

Migjeni shfaqet gjithë duke dëgjuar urdhrin e poetikës së tij pa të dytë në letrat shqip. Po t’i drejtohemi një fjale të Migjenit, do të thoshim kështu: Ai na shfaqet përherë “me një shikim diskret”. Është fjala e vetme që na ka lënë për të shenjuar qasjen e përkorë ndaj njeriut të tij të zemrës. Ndërsa po t’i drejtoheshim Lasgushit, me siguri do të na thoshte këtë: Migjeni na shfaqet përherë “si pa kuptuar”. Ka përherë një drojë fisnike në shfaqjen e Migjenit. Thua se ai ka merak të mos bjerë në sy për të “paudhat” e mençura që bën, friket se mos tërheq vëmendjen e të tjerëve se “nuk bën kushedi çë,” ja “flet për Erosin!” Dhe atëherë kuptohet që kjo nuk është droja e njeriut të vogël, por droja e lindur dhe e fisme e njeriut të madh që sjell në dritë të vërteta të rënda. Migjeni ka lënë rruginat e mjera të Lagjes së tij të Varfun dhe është ngjitur në mes të maleve. Pse, çfarë kërkon aq larg? Do të mësojë në dukje të vërtetën e plleshmërisë së Natyrës, dëshirën e saj të panginjur dhe të pafund për t’u ripërtërirë. Dhe nga gjithë pasuria e paanë e mëmës Natyrë Migjeni, “si pa kuptuar”, zgjedh një dru të vetëm, sa i natyrës, aq dhe i njeriut, pra që i hap udhë një lidhjeje të dyanshme. Dhe atëherë merret vesh që Migjeni shkon aq larg vetëm për t’iu gjetur më pranë Njeriut. Si i thonë këtij druri? Është Qershia, por sa e flet Migjeni bëhet qershia e tij legjendare. Në raport me Natyrën, çfarë na sjell në dritë qershia? Mbase asgjëkund gjetkë Natyra “me shtatzanë”, sikundër thotë Migjeni, nuk duket më bukur se te qershia ngarkuar me kokrra “bamë kuq si gjaku”. Po kur e sheh njeriu këtë qershi të nusëruar, çfarë mund të vijë në dritë? Shumë gjëra bëjnë ballë, thotë Migjeni. Por mbi të gjitha shkrep në dritë Bukuria e Erosit si ripërtëritje e jetës njerëzore. Të kuqtë e qershisë është tjetër gjë. Poetë të tjerë, p.sh. Burns, parapëlqejnë të kuqtë e trëndafilit për të sjellë në dritë të vërtetën e rëndë të Erosit të tyre. Migjeni ynë parapëlqen të kuqtë e qershisë. Misteri i së kuqes të qershisë ngjan më parë të jetë larguar nga Vajza dhe vajzëria e dehur që mezi ç’pret të bëhet nënë, dhe për t’u mbrojtur më mirë strehohet në trupin e qershisë. Pastaj kur dita vjen dhe qershia zë nusërimin e saj, ky mister të mund t’i shfaqet njeriut më mirë. Këtë sensualitet me dritë Migjeni rreket ta mbledhë në fjalën e tij. Për çfarë? Për të sjellë në dritë të vërtetën e vështirë të Erosit. Po cilën bukuri-perri ka me vete Migjeni për t’i dalë përtej kësaj pune? Dhe këtu shfaqet çudia e poetikës së Migjenit pa të dytë në letrat shqip dhe aq e rrallë në letërsinë e madhe europiane. Këtë barrë të rëndë Migjeni ia beson një Malësoreje të paemër, e harruar mes maleve prej kohësh që s’mbahen mend, mbase që në zanafillë të mjerimit njerëzor. Dhe megjithatë, asnjë shtojzovalle nuk bën dot atë që kjo malësore gjytyryme mund të bëjë. Pse? Sepse ajo është Nusja më shtatzanë e mjerimit shqiptar, Nusja më shtatzanë e mjerimit njerëzor. Thotë Migjeni: “Kur shtrohet nata, dhe ajo shtrohet në shtresat pranë burrit dhe u lëshohet përkëdheljeve të tij mashkullore. Dhe harrohet vuajtja e ditës, uja, në gëzimin e mahnitshëm të një çasti. Këto gëzime të natës i dhanë barrën e randë, por barrën e kandshme, të dashtun, me zemër ngushtë të lidhun…“ Ah, nett, nett! T’errta e të dashtuna! (Qershiat)

Ja se ç’është në esencë Erosi, thotë Migjeni. “Jeta në vetvete përmban një gëzim. Pra, Erosi në esencë është vetëm aq dhe asgjë më shumë: gëzim i të qenunit. Nuk është tërbimi i bishës që s’di nga qenia. Por është gëzimi i njeriut, gëzimi i të qenunit, me një fjalë: gëzimi që të nxjerr jashtë vetes. Për ku? Kah Qenies. Me këtë shkreptimë me dritë ndryshe Migjeni ngjitet në ballkonin e vizionit madhor europian mbi Erosin.

Tani është vendi të risjellim pyetjen kryesore të kësaj sprove, ngaqë mund t’i përgjigjemi. Erosi, ç’është në esencën e tij? Është shteg – bashkimi, thotë Lasgushi. Është gëzimi i të qenunit, thotë Migjeni. Çfarë shikojmë të ngrihet shkoqur para syve tanë? Që në punë të Erosit mençuria që vjen si nga fjala e Lasgushit edhe nga fjala e Migjenit është në thelb një: është energjia dhe drita që të nxjerr jashtë vetes. Kjo ngaqë vizioni i tyre erotik ngrihet mbi vizionin madhor europian. Ky është shtrati solid që mban bashkë Erotikën e tyre. Por ndërkaq, kjo është dhe arsyeja e parë që u jep dorë atyre ta zhvillojnë aq ndryshe Erotikën e tyre të shquar.

*Autori jep mësim në një universitet amerikan në Athinë. Gjithashtu, ka botuar një libër për Migjenin dhe ka marrë “Penën e argjendtë” para disa vitesh, nga MKTRS.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...