2013-09-18

Republika e Tretë e Maqedonisë


artikuj

Nga Afrim Gashi

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, respektivisht në vitin 1943, popujt sllavë të jugut vendosën të themelojnë shtetin e përbashkët federativ – Jugosllavinë, në kuadër të së cilës Maqedonia do të ishte njësi federative e saj. Në fillim të viteve të ‘90-ta situata pas disa luftërave brenda republikave jugosllave rezultoi me ndarjen e Sllovenisë, Kroacisë e, më pas, edhe të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa nën ndikimin e këtyre zhvillimeve edhe Maqedonia e shpalli mëvetësinë e saj si shtet i pavarur dhe sovran.
Pikërisht më 8 shtator bëhen 22 vite nga pavarësimi i Maqedonisë. Pas 2-3 viteve ajo u njoh ndërkombëtarisht dhe u pranua në OKB, por vetëm pasi u kënaqën apetitet e Greqisë, e cila kontestoi ekskluzivitetin e emrit të shtetit, andaj në komunikimin ndërkombëtar ajo edhe sot njihet si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Më pas iu vërsul edhe Bullgaria, duke ia kontestuar gjuhën dhe kombin e, më pas, edhe Serbia, duke mos ia njohur autoqefalinë e Kishës. Kaq sa u takon problemeve në planin e jashtëm, sepse megjithatë Maqedonia problemin kryesor e ka në planin e brendshëm. Duke qenë nën ndikimin evident të politikës serbomadhe, edhe përskaj të gjitha problemeve me fqinjët, elitat politike maqedonase krijuan opinionin publik, sidomos brenda etnisë së vet, se megjithatë shqiptarët janë rreziku më i madh për ekzistencën e shtetit të “tyre”. Në këso rrethanash u disenjua kushtetuta e parë (nëntor 1991) e Maqedonisë, e cila në thelb ishte monoetike, majorizuese dhe përjashtuese për shqiptarët, duke i lënë ata qytetarë të rendit të dytë dhe të diskriminuar në secilën sferë jetësore.
Në rrethana të këtilla gjendja sa shkonte e vështirësohej, duke u bërë e padurueshme për shqiptarët. Zhgënjimi ishte edhe më i madh kur dihet se shqiptarët kishin pritur që demokracia t’ua zgjidhte të gjitha problemet, e nga ana tjetër gjendja e statusit të tyre juridiko-kushtetues dhe ekonomik jo që nuk përmirësohej, por përkundrazi përkeqësohej. Me një temp të tillë arriti konflikti i armatosur i vitit 2001, i cili u shndërrua në një luftë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, që me anë të intervenimeve kushtetuese të rregullohet statusi i shqiptarëve. Si rezultat i asaj lufte erdhi deri te Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila e ndali konfliktin dhe e ndryshoi kushtetutën. Me ato intervenime synohej të ndërtohej një Maqedoni e re në aspektin juridiko-kushtetues, ku shqiptarët do ta kishin statusin e popullit shtetformues. Kaluan 12 vite dhe gjendja në terren na bën të konkludojmë se megjithatë efekti i pritur nuk u arrit. Maqedonia vazhdon të dominohet nga etnia maqedonase, e cila e konsideron veten si bartëse ekskluzive të pronësisë shtetërore të Maqedonisë, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të konsiderohen armiq numër një të shtetit. Me ndërhyrjen e MO-së në kushtetutën e 1991, Maqedonia tashmë është një mish-mash në aspektin kushtetues, sepse s’mund të definohet as si shtet i pastër një-etnik, as binacional dhe as qytetar. Edhe pse de jure ajo në kushtetutë ka inkorporuar mekanizma të demokracisë konsensuale, de facto ajo vazhdon të jetë shtet i dominuar nga maqedonasit. Mbetet evident fakti se ka një diskrepancë të thellë mes realitetit shoqëror në Maqedoni dhe rregullimit kushtetues të saj.
Kohëve të fundit Sekretariati për Implementimin e MO-së ka organizuar disa tribuna të hapura me një gamë të gjerë të fytyrave akademike, politike, ekonomike dhe intelektuale, për të vlerësuar arritjet e MO-së. Konstatimi, gati unanim, është se implementimi i saj përfundimtar ka dështuar. Përveç ngecjeve në secilën sferë, në aspekt të arritjeve praktike, si: përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në administratë, decentralizimi politik e fiskal, dygjuhësia e të tjera, dështimi më evident është në ndërtimin e konceptit të shtetit. MO-ja, edhe pse ka dhënë disa rezultate, ajo nuk ka arritur ta realizojë qëllimin primar të saj. Ajo nuk i bëri shqiptarët shtetformues dhe as nuk i barazoi me maqedonasit, ndërsa gjendja konfliktuoze mes etnive vazhdon të jetë në rritje, ku secila etni ushqen nacionalizmin e vet, duke mbjell urrejtje ndaj etnisë tjetër në kurriz të mirëqenies së të gjithë qytetarëve dhe në dobi të interesave të ngushta të disa individëve ose grupeve klanore-tenderokrate. Andaj, është humbje kohe nëse ende vazhdojmë të merremi me implementimin e MO-së kur tashmë janë shterur të gjitha mundësitë që ajo t’i japë efektet e saj. Ndërtimi i konceptit për një Maqedoni tjetër është sfida e radhës dhe mundësia e vetme për të gjetur rrugën drejt ndërtimit të një shteti të drejtë, i cili do të prodhojë mirëqenie për të gjithë qytetarët.
Nëse më lejohet ta shfrytëzoj qëndrimin e Albin Kurtit për shtetësinë e Kosovës, kujtoj se ka ardhur koha për Republikën e Tretë të Maqedonisë.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...