ZEF
PËRGEGA
Kohë më parë një mik i imi në Tiranë, fisnik deri në
thelb të shpirtit, penë e zgjuar dhe e talentuar e fjalës shqipe, më shkruante:
“Të lutem falënderoje mikun tënd Flori Bruqi, për shkrimet që më dërgon.
Nëpërmjet
tij i them çdo ditë mirëmengjes Kosovës, i them poezisë së tij, më flladitë dhe
më çelë sytë, i them përkushtimit të tij, se ku e merr këtë vullnet kaq të fortë…!”
Sa më tepër kalojnë vitet mbi rrudhat e ballit të
njeriut, krojet e shpirtit gurrojnë dhe e ndezin motivin për të parë gurët e
trojeve të të parëve.
E mbi të gjitha, për t’i rënë në gjunjë lotit të gurit, që
vajton pa britma.
Kështu
më ndodhi në vitin 1998, ku pashë muret e rrënuara të kalasë “Bassania” të stërgjyshit
të lisit të fshatit tim. Ishte koha kur të rinjtë e fshatit luanin me simite të
bardha të demokracisë e shkullonin coca-cola e mua më duhej me detyrim të
dhunshëm të largohesha për në Amerikë.
Lumi i fshatit nënqeshi dhe guri heshti, kur ia ktheva shpinën Kodrës
“Pleshe”, ku i ka themelet kalaja e njëhershme me Lissusit e lashtë.
Prej olimpit të një guri të madh me
mbishkrime të quditshme u ngrit një fjalë e moçme e më lëshoj zë, kur po
freskohesha në ujin e kthjellët të lumit Mat. “Në rrënojat e thella të gurëve,
kërko se aty ka kroje të bardha dhe kyçen me shekujt e ndryshkur pavionet e
lashta të historisë tonë!”
Më tingëlloi
kjo fjalë, sikur donte të thoshte se nuk duhej t’ua ktheja shpinën.
Thonë
se edhe pisha e ka shtatin e drejtë se me rrënjët e thella të saj në nëndheun e
tokës kërkon burime, por Maxhun Bruqi, i cili në pëllëmbën e Shqipërisë Etnike
dhe në folenë e gurëve të rëndë e shqiti dritën, që venitej nën pushtetin e
territ të thundrave të shkelësit.
Ai, kur rëndi gjeografisë së vendit të tij me
kalin e bardhë të zanave, mbolli kudo filiza të njomë dhe i vishte me shajakun
e kostumit tonë kombëtar, që t’i mbronte nga baroti djegës. Ata janë shenjat e
tokës së vet në vend të piramidave.
Poeti
i lirisë së tokës martire të Kosovës, Naim Kelmendi në prag të 101 vjetorit të
pavarësisë më dërgon një kartolinë. Në pasqyrën e saj janë disa njerëz që mbajnë
mbiemrin e një trungu.
Të duket një legjendë e kohës së re, që dritën e të
vjetrës e përcjellë mes gjetheve të gjelbërimit, e Maxhuni i ka rrethur me
dejet e pemës, anëtarët e familjes Bruqi.
Në
rrënjët e tyre ka një buzëqeshje familjare, por ka edhe kroje vargjesh, të cilat
Flori Bruqi i ka mbledhur në kuvendin e madh të shekullit të shqiptarëve me shaminë
e një ore mali, që e takoi për herë të parë në një krua të fshatit, kur vashat
e tjera ishin larguar, e ajo e kishte pritur…ndaj familja e tij është e nderuar
në gurin e fisit shqiptar.
Flori
Bruqi vjen në letërsine tonë kombëtare me krojet e kulluara të flirtit të
shpirtit të tij. Kam vënë re se ai nuk bën kompromis me askënd që ka vënë firmën
në balada, në mite, në legjenda, për t’u dukur baloz mbi detin e fjalës shqipe
të valës tonë të kripur ëmbëlsisht, as me heronjtë e shpallur rrejshëm nëpër
podiume, por ai si misionari i fjalës së lotit të qiririt, i pashuar dhe i patretur
e ka projeksionin lart në qiellin e lirë në vlerën e të vërtetës.
Aty poeti
Bruqi frymëzohet, për njeriun, për nderimin, si dorë e besës së bashkimit, e në
penën e tij, rrjedh krijimi me një shporte dhuratash me metafora.
E
lexova me ëndje , si çdo krijim tjetër, librin e ri në botim të Flori Bruqit
“Diademë Letrare”,-(kritikë, gjuhësi, pikëpamje, poezi…)e shumë më shumë se
kaq.
Në krojet poetike të Flori Bruqit agu i parë e freskon ballin, për t’ia gëzuar
ditën njeriut. Në këtë libër autori Bruqi shfaqet si vreshtar me shumëllojshmëri
drurësh frurore, që i krasit në mënyrë
tradicionale, që shëndeti t’u kalojë mesazheve poetike.
Flori është një
aristokrat i kulturuar në kancelarinë e tij të studimeve, të denja për
referenca shkencore, në krahasime e analiza të ndryshme.
Shpirti i guximit të Flori Bruqit i shtron rrugët e së resë, duke rritur
krenarisht gjeneratat që vijnë pas, për t’u përfshirë pa hezitim në maratonën
krijuese.
Një
libër që na vjen në dorë e të mahnit me logjikën dhe argumentin shkencor, që e
zbukuron kurorën e festës së letrave shqipe. Shembull pozitiv, bre bac, i lëmë
për llogore mbrojtëse të kombit të tij dhe njëherësh i gatshëm dhe me zë të
fortë të jetë tribun në katedrën e kulturës…e bash të afërt i ka Naimit aty ku
këmba e ditës së re prek shqimet.
S’ ka më
bukur, kur librin Flori ia kushton babait, kopështarit të gjeografisë, duke na
kujtuar se bota e vargut rrotullohet rreth vetes dhe kurorës së shenjtë të
kombit.
Detroit,
20 nëntor, 2013.