2013-11-22

Lumturie Blakaj -Kadri Veseli nuk është fajtori


Foto: Driton Bublaku
Kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj thotë se Republikën e Kosovës deri më tash e kanë njohur 104 shtete, derisa mohon të jetë shtyrë me “bërryla” me zëvendëskryeministrin Behxhet Pacolli se kush po sjell më shumë njohje. Ai e pranon se mund të ketë pasur keqkuptime me të, por jo edhe rivalitet.
Në një intervistë dhënë “Zërit”, shefi i diplomacisë mohon që në dikasterin që drejton të ketë punësuar nipa, dajë, miq e jarana të PDK-së, përjashtim thotë se e ka të punësuar vetëm një të afërme si asistente të tijën. Hoxhaj gjithashtu mohon që PDK në zgjedhjet e fundit të ketë shënuar rënie të votave, derisa Suharekën prej nga vjen, thotë ta kenë humbur me nder.
Për humbje të elektoratit, ai nuk e bën përgjegjës Kadri Veselin, sikurse nuk e pranon që largimi i Krasniqit dhe Limajt nga PDK-ja ka të bëjë me humbjen e rreth 40 mijë votave. Ai nuk e përjashton mundësinë që mandatin e ardhshëm PDK për partnerë ta ketë AAK-në e Haradinajt.
Zëri: Ministër, a mund të na konfirmoni zyrtarisht sa njohje i ka Kosova, pasi që ofrohen shifra të ndryshme që variojnë me 3-4 njohje pikërisht nga zyrtarët qeveritarë?
Hoxhaj. Republika e Kosovës është njohur deri tani nga 104 shtete, duke mos llogaritur në këto njohje Ugandën dhe Nigerinë, pasi që këto dy vende janë në proces të shqyrtimit brenda për brenda shteteve, të cilat kanë marrë vendim. Por numri 104 është numri përfundimtar dhe është lista zyrtare. Arsyeja pse ne nuk kemi arritur ta përditësojmë listën dhe njëherë e përgjithmonë ta kemi një listë të plotë ka të bëjë me atë që në bisedat që unë i kam pasur me ministrat e punëve të jashtme të këtyre vendeve, ata kanë kërkuar që të pritet edhe një kohë derisa të sqarohet kjo çështje.
Përndryshe pjesa më e rëndësishme e njohjeve ka të bëjë me atë që procesi është i pandalshëm, që në këto tri vitet e fundit edhe pas fillimit të dialogut Kosovë – Serbi, e dini që ka pasur mendime që nuk do të ketë njohje, po ja që po vijnë njohje. Andaj, gjeografia e njohjeve është shumë globale, nga çdo vend i botës dhe që po vijnë njohje të cilat kanë peshë të madhe rajonale. Këtë vit janë 8 vende që e kanë njohur Kosovën, në mesin e cilave Egjipti, Libia, Tajlanda, Tanzania, shtete këto me një peshë jashtëzakonisht të madhe rajonale. E në anën tjetër, jam i sigurt që deri në fund të vitit do të mund të kemi edhe ndonjë lajm të mirë, meqë operoj me disa të dhëna që janë edhe disa vende në procedurë që ta njohin Kosovën.
Zëri: Po, në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme figurojnë 96 njohje. Pse?
Hoxhaj: Arsyeja e mospërditësimit, e mosfinalizimit të listës ka të bëjë me atë që ajo listë është instrument i shumë shteteve dhe në atë moment kur ne e kemi pa që ministrat e jashtëm të Ugandës dhe Nigerisë mendojnë diçka tjetër prej presidentëve të tyre, ne kemi vendosur që ta verifikojmë edhe një herë dhe kur ta kemi verifikuar njëherë e përgjithmonë këtë numër, mund ta plotësojmë listën. Por, çka mund të them unë, zyrtarisht është që Republika e Kosovës është njohur nga 104 shtete që është një njohje treshifrore dhe që beteja për njohje do të vazhdojë edhe më tutje.
Zëri: Kur jemi te procesi i njohjeve, pikërisht për këtë çështje keni pasur përplasje me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli. I keni relaksuar raportet më të?
Hoxhaj: Dua të sqaroj se raportet me Pacollin gjithmonë kanë qenë të mira, por që unë dhe zëvendëskryeministri kemi stile të ndryshme në politikë. Për mua posti i ministrit të Jashtëm përveç që mund të jetë i rëndësishëm në karrierën e dikujt që është në politikë, për mua më e rëndësishme është kredibiliteti i Republikës së Kosovës. Prandaj, në situata të caktuara nuk ka qenë e lehtë që unë të dal e të them se ky shtet apo ai shtet nuk e ka njohur Kosovën. Njohjet e Kosovës kurrë s’i kam parë si meritë të miat, por si meritë e qytetarëve të Kosovës.
Zëri: Megjithatë, ka ekzistuar njëfarë “lufte” se kush po sjell më shumë njohje nga kabineti qeveritar?
Hoxhaj: Ju e dini se kurrë s’kam dalë në një konferencë shtypi e me thanë se ky vend, e ai vend e ka njohur Republikën Kosovës, por këtë e kemi bërë përmes komunikatave të lëshuara nga MPJ-ja. Nëse ka pasur njëfarë keqkuptimi ka qenë keqkuptim momental, pasi që kur je në një kabinet qeveritar ekzistojnë edhe keqkuptimet, por që nuk ka pasur rivalitet. Kam respekt për z. Pacollin dhe ne i kemi pasur punët e ndara dhe mendoj që secili prej nesh e ka kryer punën e vet. Kushdo që merret me politikë të jashtme duhet të përgatitet për beteja më afatgjate dhe duhet të ketë vullnet dhe dinamizëm.
Zëri: Keni shfaqur besimin se disa nga vendet e BE-së mund ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës. A mund të na zbuloni për kë bëhet fjalë dhe kur prisni që kjo të ndodhë?
Hoxhaj: Nga pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, 3 apo 4 shtete tashmë e kanë pozitën më të avancuar në raport me Kosovën dhe në këtë drejtim ekziston një disponim i mirë që realisht këto 3-4 vende të marrin një vendim politik. Por, dialogu Kosovë-Serbi e ka rivendosë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare si një aktor i përgjithshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Realisht ky dialog ka bërë që vendet të cilat kanë pasur hezitim që ta njohin Kosovën ta largojnë atë hezitim, i cili ka ekzistuar dikur.
Nuk mund të them se ky vend apo ai vend do të lëvizë nga pesëshja, por mund të them se janë 3 apo 4 vende që kanë qëndrim pozitiv që të lëvizin në një ta ardhme drejtë ndryshimit të pozicionit të tyre karshi Kosovës. S’mund të jap gjithashtu as afate kohore, por gjatë këtij viti kam pasur takime me 4 ministrat e vendeve anëtare të BE që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ato vende tashmë e kanë një qëndrim krejt më ndryshe prej asaj që e kanë pasur në të kaluarën. Pra, është një ndryshim radikal i qëndrimeve krahasuar më të kaluarën dhe më të drejtë presim që ky ndryshim i pozicionit të përkthehet me njohje.
Vetëm asistentin e kam “klan”
Zëri: Jeni kritikuar se dikasteri që e drejtoni e ka kapluar nepotizmi, sikurse edhe shërbimin diplomatik dhe atë konsullor. Sa qëndrojnë këto pohime?
Hoxhaj: Fjala nepotizëm rrjedh nga latinishtja që ka të bëjë me nipa. E unë as nuk kam nipa e as dajë dhe asnjë anëtarë të familjes si në ministri as në nivel të këshilltarëve, e as në nivel të administratës. E kam vetëm një asistente personale, e cila punon në kabinetin tim prej krejt njerëzve të afër. Kjo pozitë nuk zgjidhet me konkurs, por dominohet që është e drejtë e ministrit. Përndryshe asnjë të afërt nuk e kam të punësuar dhe të gjitha shkrimet që kanë të bëjnë me dërgimin e këtij apo atij në atë ambasadë apo konsullatë nuk përkojnë me realitetin. S’po dua të them se s’ka mundur të bëhet më shumë apo më mirë, por nga ana ime e kam dhënë maksimumin.
Zëri: Po, politika sa është e përfshirë në emërimet që bëhen në diplomaci?
Hoxhaj: Dihet se një pjesë e ambasadorëve janë të nominuar politikë, sikurse është e rregulluar më ligj, ndërsa stafi tjetër diplomatik i ka kaluar të gjitha procedurat e domosdoshme ligjore. Me lejoni të them se unë nuk jam themelues i ministrisë dhe numri i atyre që janë punësuar në dy vitet e fundit të udhëheqjes time janë diku rreth 20 njerëz.
Zëri: Është folur dhe shkruar shumë se PDK i ka rehatuar militantët partiakë, e shokët e partisë nëpër ambasada dhe shërbimin konsullor të Kosovës. A ka të vërteta këtu?
Hoxhaj: Absolutisht kjo nuk qëndron, sepse nëpër ambasada ende ka njerëz që dikur u kanë takuar subjekteve tjera politike dhe ende janë ambasadorë. Po e përmend këtu rastin e Ylber Hyses në Shkup, i cili i ka takuar partisë ORA, sikurse edhe drejtori im politik, Alber Prenkaj, ka qenë në ORA. Por ata janë marrë në bazë të kualifikimeve që i kanë dhe emrat që shpesh janë lakuar nëpër media nuk qëndrojnë sepse asnjëri nuk është anëtar apo pjesë e strukturave vendimmarrëse të PDK-së.
Zëri: Kosova është akuzuar se ka shtrënguar “dorën” në lëshimin e vizave. Sa viza i ka dhënë Kosova nga korriku e këndej?
Hoxhaj: Ne kemi vendosur një regjim të vizave që ka të bëjë me atë se si Kosova ta kontrollojë migrimin ilegal dhe Kosova të jetë kufi që parandalon fenomenet e këqija. Vendosja e regjimit të vizave është një kërkesë e Bashkimit Evropian, pra e vendeve anëtare të Zonës së Shengen-it sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën. Nëse ne dëshirojmë të lëvizim pa viza drejtë Zonës së Shengen-it, ne duhet ta kemi një masë të tillë e cila masë na ndihmon në një proces të tillë. Ne deri më tani kemi dhënë 400 viza, dhe janë refuzuar numër i vogël i tyre diku 3 deri në 4 viza.
Zëri: Të flasim pak edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, nënkryetar i së cilës jeni. PDK thuhet se ka humbur diku rreth 40 mijë vota në zgjedhjet e fundit lokale të 3 nëntorit. A e keni identifikuar problemin e rënies së elektoratit?
Hoxhaj: Zgjedhjet e fundit kanë konfirmuar se PDK është partia më e madhe në vend dhe që e kemi primatin në rrafshin politik, duke pasur një shtrirje të madhe edhe në rrafshin gjeografik, duke filluar nga Shala e Bajgores në Mitrovicë e deri në Sharr të Dragashit. Ne nuk jemi parti që i takon 3 apo 4 komunave në Kosovë, por kemi një gjeografi elektorale. Jemi pra, padyshim partia më e madhe dhe si e tillë do të jemi edhe në vitin 2014. Jam i sigurt se në shumicën e komunave që e kemi pasur pushtetin do t’i ruajmë atë, ndërkaq e kemi rikthyer pushtetin në Rahovec, të cilin do ta fitojmë në balotazh, pasi që kemi rritje të elektoratit atje, sikurse edhe në Kamenicë e kemi rikthyer pushtetin dhe në balotazh do ta fitojmë.
Këto zgjedhje kanë fuqizuar PDK-në ndonëse kanë qenë zgjedhje lokale dhe njerëzit kanë votuar për kandidatin për kryetar komune, ndërsa votat për asamblistë kanë qenë në mes votës për parti dhe votës familjare. Pra, ajo çka dua të them është se PDK është në pozitën e njëjtë që ka qenë dhe në momentin që ne do të luajmë me figurat qendrore në zgjedhjet e ardhshme nacionale do të ketë krejt mobilizim tjetër të elektoratit. Jam i sigurt se PDK do ta merr edhe mandatin tjetër dhe zgjedhjet nacionale të ardhshme i kemi pothuajse të fituara .
Kemi rënie, por jemi të parët
Zëri: Por, të dhënat flasin se PDK në zgjedhjet e 3 nëntorit ka shënuar rënie prej 40 mijë votash. Është thënë se përgjegjësia si për fitore, ashtu edhe për humbje i takon nënkryetarit të parë të PDK-së, Kadri Veselit, apo edhe largimi të Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt?
Hoxhaj: Jo nuk besoj se kjo qëndron. Në PDK ka pasur dhe ka hapësirë për secilin dhe nuk ma merr mendja se ardhja e Veselit ndërlidhet me shkuarjen e këtij apo atij. Ne si parti politike qëndrojmë aty ku kemi qenë dhe në vitin 2014 besoj se do t’i kemi 30 deri në 50 mijë vota më shumë se që i kemi pasur në zgjedhjet e fundit nacionale. Ne e kemi elektoratin stabil dhe besojë se në të ardhmen do të shënojmë rritje të elektoratit. Fakti se ne jemi në pushtet që dy mandate dhe e kemi pushtetin në shumicën e komunave, për ne nuk është shqetësuese ky apo ai numër i votave. Jam i sigurt se në zgjedhjet nacionale do të jemi fitues.
Zëri: Por, zgjedhjet e fundit lokale dëshmuan se e keni humbur elektoratin që e keni pasur. A mos ndoshta kanë ndikuar përplasjet që kanë ndodhur në PDK, apo edhe iu ka dëmtuar kjo Iniciativa Qytetare prapa secilës qëndrojnë Krasniqi dhe Limaj?
Hoxhaj: Përderisa ne e ruajmë pushtetin nëpër komunat, nuk shoh ndonjë ndikim direkt të tyre.
Zëri: E shihni këtë iniciativë si rivale të fortë në zgjedhjet e ardhshme nacionale që pritet të mbahen vitin që vjen?
Hoxhaj; Është herët t’i përshkruaj situatat të cilat nuk ekzistojnë dhe këtë duhet t’ia lëmë kohës që të marrim ndonjë qëndrim për zhvillimet e ardhshme. Kuptohet se ne jemi parti e madhe, dhe brenda një partie të madhe mund edhe të ketë zhvillime të llojllojshme, sikurse ndodhë nëpër familje.
Zëri: A ndjehesh i hendikepuar që nuk ke fituar Suharekën, prej nga vini Ju?
Hoxhaj: Në Suharekë, PDK ndjehet shumë e fortë dhe jam krenar që ato vota që i ka PDK janë vota që i kam arrit në vitin 2007, kur kam qenë kandidat për kryetar të Komunës. Pra, ne nga 20 për qind kemi arritur në 42, 43 për qind dhe në këtë drejtim kemi dyfishim të elektoratit. Por, beteja për Therandën është një betejë evropiane dhe shumë konkurruese në qasje. Ne në vitin 2009 e kemi larguar LDK-në nga balotazhi, kurse këtë vit na ka larguar LDK nga balotazhi dhe një dallim të vogël të votave. Pra, ne e kemi humbur Therandën, po e kemi humbur me nder ,sepse kemi vota jashtëzakonisht shumë.
Zëri: Jeni të gatshëm që si subjekt politik të shkoni në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që në Kuvendin e Kosovës po përballeni me mungesë të numrave të nevojshëm?
Hoxhaj: Për atë çka kemi nevojë është që ta përfundojmë reformën elektorale, të merremi vesh për sistemin zgjedhor që duhet ta ketë Republika e Kosovës, dhe të vendosim nga janari apo shkurti i vitit të ardhshëm se kur duhet të ketë zgjedhje nacionale në vend. Viti 2014 edhe ashtu është vit i zgjedhjeve parlamentare dhe duhet të ketë zgjedhje të rregullta dhe s’ka nevojë për asnjë provizim.
Se i kemi numrat kjo do të dëshmohet edhe me votimin për Projektligjin për Buxhetin, përderisa disa prej deputetëve që mungojnë janë pikërisht për shkak të situatës së krijuar te partneri tjetër i koalicionit, ku ka pasur lëvizje të deputeteve në subjekte tjera, kurse ne e kemi atë situatë që e kemi pasur. Kështu, nuk e shoh si të domosdoshme çfarëdo opsioni tjetër, pasi që fillimisht duhet ta kemi reformën zgjedhore dhe pastaj të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale. Vjeshta e vitit 2014 do të jetë afat i përshtatshëm për organizimin e zgjedhjeve nacionale.
Ramushi, vështirë kryeministër!
Zëri: Sa qëndrojnë pohimet se tashmë e keni zgjedhur AAK-në e Haradinajt për partner qeverisës për zgjedhjet e ardhshme nacionale?
Hoxhaj:Ne në disa komuna kemi nënshkruar marrëveshje të partneritetit me AAK-në, dhe këto duhet të shihen si krijimi i elementeve bazike për partneritet të ardhshëm të mundshëm. AAK e ka mbështetë PDK dhe Qeverinë në dialogun me Serbinë, dhe kemi pasur disa pikëtakime për prioritetet tjera strategjike me AAK dhe nuk mund të përjashtohet mundësia e një partneriteti në të ardhmen. Mirëpo, në politikë opsionet janë të hapura derisa kërkesa prej mandatarit për krijimin e qeverisë dhe formulën e koalicionit dhe për emrat e anëtarëve të Qeverisë nuk shkon në Parlamentin e Kosovës. Pra, kemi partneritet të mirë me AAK, por edhe partitë tjera.
Zëri: A do ta pranoni kushtin e AAK-së që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës?
Hoxhaj: Personalisht kam qenë disa herë pjesë e takimeve që ka zhvilluar kryeministri Thaçi me Haradinajn dhe asnjëherë nuk është biseduar për ndarje të posteve. Mendoj se çdo parti politike në zgjedhjet e ardhshme nacionale duhet ta nominojë mandatarin e ardhshëm për kryeministër, të hyjë në procesin zgjedhor dhe të shohim se kush do të marrë më së shumti vota. Me qenë kryeministër në një vend të një sistemi republikan dhe të një demokracie të re nuk është lehtë.
Pra, nuk mund të jesh kryetar i një partie të vogël politike dhe t’i kontrollosh shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Por këto janë të hershme, edhe pse s’e kam dëgjuar Haradinajn të ketë vendosur kushte të tilla, por e kam dëgjuar për dëshirat e tija që ta ketë postin e kryeministrit. E kuptoj një aspiratë të tillë, por që krahas aspiratës, PDK e ka kapacitetin politik që ta realizojë idenë e asaj se kush mund të jetë kryeministër i Kosovës.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...