VLADIMIR MUÇA
(Rreth romanit “Krastakraus” të Bilal Xhaferrit)
TALENTI NE KAPERCYLL TE ABSURDIT
Leximi mbas 40 viteve të dorëshkrimit të romanit “Krastakraus” të Bilal Xhaferrit nuk më surprizoi, e njihja këtë art të të shkruarit. Që në vitin 1961 kur lexoja revistën “Ylli” u tundova nga drita që po shkëndijonte në letrat shqip. E hapa revistën me kërshërinë e një adoleshenti. Që në faqet e para më tërhoqi vëmëndjen një reportazh i shkruar nga një teknik i ndërmarrjes Rruga-Ura. E përpiva reportazhin me një frymë. Më habiti stili i veçantë i të shkruarit, mbarsur me figuracione të mahnitshme artistike që vinin konvergueshëm me botën shpirtërore të personazheve. Thashë me vehte: Si ka mundësi një njeri kaq i talentuar të lihet mënjanë?!
Reportazhi “Nëpër Kurbin” mbeti në mendjen time si ajo hojza e mjaltit e herbariumëve të natyrës shqiptare. Kjo më shtyu që të ndiqja me vëmendje çdo shkrim të këtij autori kaq shumë të talentuar. Në vitin 1963 në NR.8 të revistës “Nëndori” lexova tregimin “Dashuri dhe fate” e përfundimisht u bëra një fans i këtij shkrimtari aq shumë i veçantë për mua. Thashë me vehte: Ja! Po lind në vendin tim një shkrimtar i përmasave të Ivo Andriçit të famshëm.
Rastësisht Bilalin e takova një ditë të vitit 1964. Më bëri përshtypje thjeshtësia, lehtësia komunikuese dhe me njerëz të panjohur. Aherë, adoleshent, në vitin e dytë gjimnaz, i shpreha konsideratat dhe bindjen time për veçoritë e tij të të shkruarit. Bilali më shkundi flokët kaçurrela, më buzëqeshi me dy sytë që xixëllinin si në një qiell të kthjellët, e me falenderoi. Mbas 46 viteve më bie në dorë romani perlë “Krastakraus”.
Nuk jam gabuar aspak kur në mendjen time prej adoleshenti e përcatova si një Ivo Andriç thellësisht të shqiptarizuar, me veçoritë dhe ekstraktin e ushqyer nga toka mëmë. E ndjeva si detyrë morale që jo vetëm ta lexoj e rilexoj disa herë me laps në dorë romanin “Krastakraus” por më aq sa më lejojnë njohuritë e mia, të shpreh disa nga veçoritë që e bëjnë tepër të dallueshëm këtë roman të zhanrit historik.
INTENSITET VLERASH, IDE E QËLLIME TË RETROSPEKTIVËS.
Romani “Krastakraus” me veçoritë e tija dalluese qëndron në primaritet ndaj romaneve “Kalorësi i Skënderbeut”, “Kështjella”, “Skënderbeu”. Intensiteti i vlerave që përftohen nga ngjeshja e narracionit me ide e qëllime të retrospektivës të kohës ne te cilën punonte e jetonte autori, mbarsur me një figuracion tepër të lakmueshëm. Që në pasazhet, dialogjet e para të romanit të gëlojnë një seri pyetjesh me të cilët formëzohen në laboratorin e trurit shumë nënshtresa idesh e mendimesh. Ngjarjet fillojnë diku në Janinën e largët, në kufinjtë e Shqipërisë natyrale. Vetëm një mendje e shpirt i zjarrtë atdhetar e tepër nacionalist, i ushqyer nga geni fisnor i Hoxha Tahsimit mund t’ i bënte një ç’ vendosje të tillë ngjarjeve me një rrugëtim qindra kilometra nga Krastakraus. Dhimbja e atdheut,kombit, fillon pikërisht në Janinën e largët të cilës “ç’i panë sytë” nga përcëllimi prej erërave përvëluese që vinin nga lindja e largët.
Në këtë aspekt tepër fondamental,ky roman qëndron si një perlë në duart e lexuesit, po nxjerr nga thellësitë e deteve e derteve të habitatit shpirtëror xhaferrian. Shumë kohë kam shkruar për Skënderbeun, Perliçevi në Ballkan, Longfellon në Amerikë, e shumë kohë në Shqipëri por askush s’ ka arrirë të na ofrojë një transfertë të tillë me aq nënshtresa kuptimore e qëllimore, veshur me një purpurantë kaq patriotike si romani “Krastakraus”, i cili na paraqitet si një dukuri e re e historisë skënderbiane. Kjo dukuri na përqaset me veçoritë tepër dalluese. Ngjarjet historike të romanit vendosen në një triangolare, ku betejat e kombit fillojnë në grykat e Janinës të pjekur nga erat përvëlonjëse të lindjes, merr fryme e konvalenzhohet në grykat e Dukagjinit e shpateve të Tumenishit, ndizet e merr zjarr në betejën e Vardarit të Epërm, në pragun e atdheut, në fushën e gjerë të Oranikut. E këtë e dinin mirë të gjithë ata që kishin ardhur të luftonin në këtë fushëbetejë. Në retrospektivë e aludimat: a e dimë ne vallë sot këtë?!...- na pyet autori me shpirtin e tij të zjarrtë atdhetar. Jo pa qëllim autori ndryshe nga autorë të tjerë betejat për jetë a vdekje, larg një “skllavërie të lumtur” i ka vendosur në kufinjtë natyral të këtij kombi. Në këtë natyralitet, lidhjet e këtij populli me perëndimin, në roman janë trajtuar disi në mënyrë të veçantë, si lidhje të ndërsjellta të mirësisë e të partneritetit të ndërsjelltë ku Gjergj Palmi si ish titullar i lartë i Kishës Katolike në bregdetin lindor të Adriatikut, funksionet e tija si shtetërore, e diplomatike i vendos në afinitet e njohje me Nikollën e Pestë, apo Kaliktiusin e Tretë e arqipeshkvin Pal Engjëlli. Nga librat e botuar për këtë periudhë historigrafike ne nuk jemi mësuar me përqasje të ngushta vëllazërie e partneriteti gjer në rangjet e mesme e të ulëta shoqërore. Në botimet e mëparme në këto marrdhënie herë herë ka nxjerrë krye intriga si tek filmi “Skënderbeu” , romani “Kështjella” apo “Kalorësi i Skënderbeut”. Bilal Xhaferri e ka suprimuar këtë dukuri arriviste të letrave shqip duke e përqasur botën shqiptare në marrdhëniet me botën perëndimore ashtu siç e dëshirojmë ne sot. Një parashtrim tepër domethënës i dëshirave të popullit shqiptar, marrë nga mesjeta e plazmuar dyzet e gjashtë vite më parë si një dëshirë për bashkëjetesë me kombet evropiane. Plazmimi i lidhjeve e bashkëpunimit të masave të popullit, i rangjeve të ulëta shoqërore, i ka sfumuar rangjet e larta. Nëpërmjet rrëfimit të napolitanit mbas betejës së Beratit, bashkëbisedimit me Strezin dhe Martin Ubimin, e të tregtarit të Venedikut me Padren, të princit të Malit të Zi Stefan Çernoviçit me Strezin, autori që 45 vite më parë nëpërmjet këtij romani ka projektuar e ndërlidhur urat e komunikimit midis ballkanasve më vetveten, lindjes e perëndimit.
Kësisoj Bilal Xhaferri na përçfaqet si një romancier në këtë zhanër historik me një talent disi të vecantë individual i cili ka mundur të përmbledhë në pak faqe, me origjinalitet e profesionalizëm letrar në këtë subjekt historik opsione politiko-shoqërore, fiksasione psikologjike mbarëkombëtare, të cilët vinë gjer në ditët tona, nga thellësitë e eposëve kreshnike si një integrim shpirtëror, shoqëror lindje-perëndim. E kjo lidhje interceptohet jo si lidhje e komunikim udhëheqësish të lartë por si integrim në masat e gjëra të popullit. Këto masa e ndjejnë thellë në shpirt domosdoshmërinë e këtij komunikimi ndër etnor. Baza e këtij komunikimi është patriotizmi dhe internacionalizmi si një dukuri themelore e genit tonë kombëtar. Gjithçka vjen që nga thellësitë e shekujve si një dukuri e këtij kombi dhe këtë autori e romanit “Krastakraus” na e sintetizon nëpërmjet përfaqësuesve më të plotësuar të masave popullore si Mark Arusha, një përfaqësues i luftëtarëve Dukagjinas i veriut të Shqipërisë i cili luftoi gjer në Artë, Prevezë të Çamërisë, Janinë. Fondamenti i këtij natyraliteti kombëtar është themeli i nacionalizmës dhe patriotizmës sepse siç thotë tekstualisht:
- …Pa këto rrugë të këtij vendi nuk mund ta kuptosh dot jetën e këtij populli. Pikërisht nëpër këto rrugë ka shkuar e kaluara jonë, gjaku ynë, varfëria jonë, liria jonë, rrugë dhish e opingash”.
Në këtë prizëm përthyhen rrezet shpirtërore të shkrimtarit Bilal Xhaferri, si një shkrimtar i talentuar me një damar epik, me një fuqi shprehëse të nënteksteve.
TOPONIMITET E EMËRTIMITET ME RROBËN E BESUESHMËRISË
Në aspektin e shpërvjeljes së shpirtit atdhetar autori ndryshe nga shumë autorë të tjerë të këtij zhanri, vjen para lexuesve me një ekskluzivitet, me një veçanti që nuk e kemi ndeshur pothuaj në asnjë vepër. Përdorimi i një toponimiteti dhe emërtimiteti me nuanca kombëtare, marrë nga thellësitë e miteve dhe eposëve shqiptare. Përsa i përket territoreve të Shqipërisë natyrale të etnisë që banon në këto territore, nëpër kapitujt e romanit ndeshemi vetëm me emra personazhesh, vendesh, malesh, fshatrash, qytetesh me një emërtim e një toponomastikë krejtësisht shqipëtare.
Një gjë e tillë e ka veshur narracionin e këtij zhanri historik me rroben e besueshmërisë e njëkohëshisht duke vagulluar vërtetësira historike në mendjet e zemrat e lexuesve. Gjatë gjithë romanit nuk gjejmë qoftë dhe një emër frymori apo jo frymori me origjinë greke apo pansllaviste, duke mbyllur çdo shteg interpretimi në këto tollovitje të sotme të megallomanisë vorio- epiriote, duke sfumuar thirrjet e konsujve e priftërinjve grekë në gjetjen e emrave nëpër turma të vdekurish me ardhmëri gjoja helene. Në këtë aspekt të ekspansionit të ditëve tona në drejtim të toponomistikës dhe emërimistikës shqiptare autori ngulmon më tej duke i veshur, e duke na prezantuar kapedanët, luftëtarët shqipëtarë, me një njohje të thellë evropiane gjer në “skutat e deteve të veriut”.
Shumë qartë në roman del se qënësia dhe përcaktueshmëria e një kombi identifikohet dhe nga kultura që ai mbart. Që në lashtësi kombi ynë ka qënë një komb që ka reflektuar kulturë e njohuri në çdo aspekt të jetës luftarake, kulturore diplomatike e shoqërore. Unë ndjehem krenar tek i nxjerr këto deduksione si brilantina nga dialogjet, tepër psiko- analitike të autorit në faqet 71-72.
PERSONAZHI HISTORIK DHE PERSONAZHI REAL
Në krijimin e trajtimin e personazheve, në tipizimin e tyre, ky roman ka veçoritë dhe individualitetin e tij, mund ta cilësoj me të drejtë shumë të spikatur e të veçantë. Si roman i një zhanri historik, si personazhe kryesorë, nuk janë paraqitur figura historike tashmë të “konsumuara”nga letërsia si figurat historike. Autori ka parapëlqyer rrangjet e treta e të katërta duke personifikuar me to masat e gjera të popullit që bënë luftën. Personazhet kryesorë historik ( Skënderbeu në rastin konkret) janë njehsuar me shkëmbin me kokën e dhisë, malet sup më sup me Karl Topinë, Ujërat e Drinit e zhgërbonjat e grykë maleve me Lekë Dukagjinin.
Personazhet kryesore të romanit si përfaqësues të rangjeve të treta e të ulëta shoqërore si Strezi Zagua, Marka Arusha, Eli, Martini, Lekë Balsha Gjoni, formëzojnë tiparet, karakteret dhe u japin jetë personazheve kryesorë historikë. Jo më kot Bilal Xhaferri ka ndjekur një linjë të tillë, sepse ai forcën dhe vitalitetin e kombit e shikonte në masat e gjera që e mbajnë gjallë këtë etni. Kësisoj autori i romanit “Krastakraus” me një mënyrë brilantine, më bindje të plotë i është shmangur mitizimit dhe glorifikimit të individit në shoqëri, proçes të cilin Bilali momentalisht po e përjetonte me totalitarizmin enverian. Ai gjithnjë forcën dhe vitalitetin e kombit e shihte tek masat e popullit. Ndryshe ndodh në romanet “Skënderbeu”, “Kështjella”, “Kalorësi i Skënderbeut”, poema e famshme e Perliçevit dhe të Longfellonit, ku ndeshemi në përparësinë e glorifikimit të figurave historike, duke lënë mënjanë, si në hije personazhet nga rradhët e popullit që bënin në fakt luftën. Këto personazhe reale individualizohen me përqasje etnografike të fiseve Ilirike (Arbnore) me përshkrimet, veçantitë e përbashkësitë etnoshekullore. Këtu ze fill dhe veçoria më dalluese e këtyre personazheve të sjella në roman nga thellësitë e miteve dhe eposëve si një trashëgimi e patjetërsueshmë e truallit në të cilin ka lindur, rritur e vdekur ndër shekuj ky popull, si një pikë konverguese në rruzullin ku kryqëzoheshin e përballeshin kulturat botërore të lindjes e të perëndimit, ndezur nga zjarrvënia e gjakut shqiptar, e që mbajti gjallë një kulturë etnografike të tijin si një ylber i këtyre kurorave.
Disi i veçantë, ndaj dua ta evidentoj, vjen dhe figura e portretizimi i Hamza Kastriotit. Ai na paraqitet disi më i plotësuar e më i veçantë nga ç’ jemi mësuar t’a këndvështrojmë në romanet e tjerë. Hamzai në çdo bisedë e komunikim (dialog) na paraqitet i veshur me një rrobë stigmatizuese në thelbin moral e shoqëror duke paraprirë tradhëtinë e mëvonshme. Tjetër perceptim jepet për luftëtarët e thjeshtë. Në konceptin xhaferrian luftëtarët e kombit na i përqas me një përkufizim tepër brilant me nënshtresa mandimi dhe idesh si “… Pleq të tillë (si Mollas Baderi 100 vjeçar) janë këmbana e kombit”.
S’ ka se si të thuhej më mirë se sa me këtë metaforë simbol vlerësimi për luftëtarët e veteranët. Një vlerësim të tillë mund ta bënte vetëm një shpirt i tillë poetik i cili mund të sendertonte një mendim të tillë kaq shumë domethënës e të mbarsur me gjithçka atdhetare.
PLAZMATURË E RE FIGURACIONI NË NJË ROMAN HISTORIK
Në ngjeshjen e rrëfimtarisë me figuracion artistik, me metafora simbol, krahasime, paralelizma, autori na prezantohet ashtu sikundër në botimet tregimtare, i formuar artistikisht, me një bagazh të bollshëm shprehës, si një pejsazhist i apasionuar, herë si një impresionist i kulluar e herë një realist. Në mendjen e tij përfshihet gjithçka që nga grimcat më të vogla frymore, e gjer në madhështinë epike te maleve e grykave. Pesha dhe shkëlqimi i figuracionit marrin trajtat e një agu të ndezur, me areolën e së cilës përndizet brusha artistike e veprës. Nëpër faqet e romanit ndeshemi me shumë paralelizma figurative që edhe vetë Ivo Andriç do të ish sfumuar në kërshërinë e tij, ku mbas bisedës për ndihmë me Lekë Dukagjinin ku kjo ndihmë iu refuzua Skënderbeut. Befas në ujërat e Drinit një copë suva kishe fshati, kapur fort në një binar si vela në dyrekun e varkës së mbytur. Kur u afruan Hamzai dhe Gjoni vunë re një afreskë të Shën Mërisë me të birin e vogël në duar, me sy të pikëlluar drejt, lart në hapsirë. Paralelizmi figurativ kësisoj evidentohet në roman si një veçori ku gjithçka në botën natyrore vihet në kadencë me botën shpirtërore të personazheve. Gjithçka vjen rrjedhshëm me rrjedhën narrative, si një asfeksion spektakolar, duke e rradhitur Bilal Xhaferrin si një Ivo Andriç tipik shqiptar. Mjeshtëria e këtyre figuracioneve na ndjek kapitull pas kapitulli, si “…në shtegun e flokëve si shtegu i pyllit nën prarimin e dritës së hënës, në vetullën si krahë dallandysheje, me dhëmbët e bardhë si gurëzallet e lumit që shndrisin në shi, në qafën delikate si të kaprolles.”
Një peisazh marramendës e njëkohësisht një impresionizëm tejet i kulluar. Një impresionizëm i ndërlidhur aq mjeshtërisht më një realizëm.
Në përshkrimin e betejës së Beratit, ndryshe nga tabllotë poetike të Gavril Darës, Bilal Xhaferri si një tablloist i vërtetë, me brushën e fjalës, na ka dhënë figura dhe tabllo tepër të gjalla të përmasave të “Pushkatuarit” të Françesko Gojës, sa që themi me bindje se kemi të bëjmë jo thjeshtë me një shkrimtar, por me një shpirt tepër të përqasur, gojan, ku e kuqja mbizotëron qoftë në fushëbetejë, në horizontin e vagëlluar, apo në grykën e Osumit që vlon si një fustanellë. Këtë, autori e arrin duke përdorur gjërësisht animacionin si një fuqi shprehëse të çdo gjëje jo frymore, duke i dhënë jetë çdo gjëje natyrore si pjesë e pandarë e qënieve njerëzore.
“… Pylli flinte, dhe nëpër ëndërr belbëzonte ca fjalë e pëshpërima pa kuptim me atë gjuhën e tij të stërlashtë” apo “kur rrotull zjarrit dukeshin rrënjë të dala sipër dheut dhe të përdredhura si këmbë oktapodhi”. Një lirizëm sa atraktiv, herë i butë e herë i egër e shpërthyes si “… ashtu si ndahet dita nga nata, ashtu u nda me shpejtësi lëkura nga mishi i vogëlushes (kaprolles) së pyllit, ndërsa mëngjesi i varur mbi pyll derdhte me mijëra currila të purpurt nëpër degët e borigave e të bredhave, lëkura e saj varur në një degë kullonte mijëra pika gjaku, ndërsa trupi i njome i shkuar në hell skuqej pranë flakës siç skuqej përtej horizontit në flakën e agimit një re e vogël”.
Duke folur për këtë aspekt artistik Zhan Pol Sartri thotë: “Shkrimtari shpirtëzon botën”. Jo vetëm në reportazhin “Nëpër Kurbin” apo në tregimin “Dashuri dhe fate” , në poezitë e tij ekselente, por edhe në romanin “Krastakaraus” Bilal Xhaferri në çdo pasazh, prioritet të vëzhgimit të tij narrativ ka shpirtëzimin e kësaj bote tipike shqiptare. Nbë optikën e tij na shfaqet një realitet sa eposodik aq dhe konvergues me njerëzit që animojnë në të. Shfaqet nje realitet plot e përplot me ngjarje, përjetime që pa sforco të duket se i ke përjetuar, personazhet të duken se i ke parë diku, në luginat e bjeshkëve tona. Aq shumë e ndjejmë këtë shpirtëzim të natyrës, sa që dhe figura e heroit tonë kombëtar Skenderbeut, vjen e shkrirë në këtë natyrë të shpirtëruar. Para syve, rrëzë Tumenishit na ravijëzohet një shkëmb e mbi të koka e një dhie që kundron fushën. Vetëm kur lëviz e kuptojmë që ky shkëmb është Skënderbeu tek priste Lekën.
VLADIMIR MUÇA
ALUDINATI DHE FUNKSIONI I TIJ ARTISTIK
Gjatë gjithë zhvillimit narrativ të romanit “Krastakraus” aludinati dhe funksioni i tij artistik e ndjekin lexuesin, duke e ngopur atë me ide e qëllime të cilët konvergohen me mendimet, qëllimet, qëndrimet e autorit për kohën që ai po përjetonte e për ç’ ka do të vinte më pas. Precipitatin e tij ky aludinat e ka konceptuar më haptazi pa nëntekste e nënshtresa të fshehura në pasazhin e faqes 60 ku “… Për të mbushur boshllëkun që hap e tashmja njerëzit hedhin brenda në të kufomën e së kaluarës dhe e shkelin e dalin matanë. Por duhet që ajo kufomë të jetë e fortë, eshtake, përndryshe ata fundosen e zhyten në kalbësirën e saj.” Gjithçka brenda korracës së një metafore na jep kohën, persekucionin e dhunimin shpirtëror e social të autorit.
Ky aludinat i përdorur gjërësisht nga autori si një figuracion artistik e ka veshur romanin me retrospektivën, në kohën e persekucionit shpirtëror të autorit si për Çamërinë e tij të dashur aq shume të zvenitur,si dhe për vendin dhe kohën në të cilën autori shkruante në bllokun e të internuarit keto pasazhe romaneske.
Këtë autori na e sjell natyrshëm, nëpërmjet një kampioni të demokracisë në antikitet, Demostenit i cili thërriste: “Unë nuk dua ti siguroj Greqisë dhe popullit një skllavëri të lumtur.” Një skllavëri të lumtur! I ish ngulur thikë në shpirt e tru ky mendim për regjimin totalitar autorit. Një skllavëri, dhe e lumtur e viteve ’60. Kjo jepet aq bukur e qartazi në cepin e buzëve të Hamzait ku i rrudhosej një “buzëqeshje mefistofelike”. Porteti i këtij jude – goliadh i cili gjallon dhe sot në shekullin 21, vjen krejtësisht i veçantë, i veshur me një stigmatizim të tejskajshëm.
TRIANGOLOGJI E TROJEVE NATYRALE
Bilal Xhaferri me talentin e rrallë, në kapërcyell të absurdit të kohës, si një mjeshtër tabllosh impresioniste me brushën e fjalës ka hedhur mbi veprën e vet tërë misteret e ngjyrave. Në këtë kontekst, për Bilalin, ritmet e fjalës, të fjalisë, periudhës e të dialogjeve, dallohen qartë se janë trajtuar me shumë delikatesë gjer në imtësine e saj, por njëkohësisht ato vijnë dhe me furi duke nxjerrë në pah shpirtin shqiptar në të gjithë trevat shqipfolëse. Me vendosjen e ngjarjeve në një triangologji të trojeve të Shqipërisë natyrale: Janinë- Krastakraus- Vardar i Eperm, ai na përcjell veprën më të mirë të mundshme, jo vetëm të zhanrit historik, por natyrisht me bindje të plotë të botës letrare në përgjithësi.
Rrëfimet në këtë triangolo natyrale transformohen pa kontraste me një legjendë e cila vendos lidhje të drejtëpërdrejtë me realitetin njerëzor. Kush humb dashurinë e atmisë kombëtare në esencë ka humbur ndjenjat më të forta njerëzore të etnisë së vet. Ky është amaneti që na përcjell si një testament në romanin “Krastakraus” Bilal Xhaferri. Dukuritë interesante që i gjejmë në botën shpirtërore të njeriut shqiptar mesjetar, na vinë si një kometë në hapësirat e sotme të realiteteve njerëzore në triangolaren e kufinjve natyralë.