Vilhelme Vranari Haxhiraj
Çdo gjë në botën bashkëkohore është e vendosur nën shenjën e krizës. Dhe kriza varion. Ajo nuk është vetëm sociale. As vetëm ekonomike, por është edhe kulturore. Është edhe krizë shpirtërore. Pra, çdo gjë është bërë problematike. Kjo është mëse e qartë në tërë dimensionim Global, dhe në lidhje me këtë shkrimtarja Vranari, na sjell në vëmendje si kurrë më parë, një temë të strukur në astarin e ndërgjegjes humane. Në atë astar që griset, pa u grisur, që griset pa u ndjerë, por që moliset në etiketën ‘i/e çmendur’. Në këtë simbiozë lind edhe novela “E Çmendura”, që flet mes krizës së përshpirtjes.
Njeriu i konstruktuar në novelën e e fundit, “E Çmendura” të shkrimtares, Vilhelme Vranari Haxhiraj, ka një lidhje të brendshme humane, që dedikohet nga përshpirtja e vetë njeriut. Dhe jo më kot në këtë novelë ndeshemi me këto fjalë e grupe fjalësh që në anën shkencore formojnë lidhjen me vetë këtë krizë: Qetësia shpirtërore, lirinë e shpirtit, gjendja shpirtërore, thellësisht në shpirt, ndjesisë shpirtërore, botën shpirtërore, shumë probleme shpirtërore, qetësinë e shpirtit, në xhep të shpirtit, lirinë e shpirtit, energjive morale dhe shpirtërore, vritesh shpirtërisht e mendërisht, shpirt intelektuali, e qetë shpirtërisht, grumbulluar në shpirt, vuajtjen e mohimit, vuajtjen shpirtërore, qante shpirti, medikament i shpirtërave njerëzorë, me shpirt në dorë, gjeti shpirtin binjak, etj. Të gjitha këto e mjaft të tjera janë produkt i makinës kulturore dhe narrative të Vranarit, jo se ato nuk dihen, porse në atë formë që strukturohen, zor se i përdor kaq mjeshtërisht dikush tjetër. Por pse kjo krizë shpirtërore ka kuptimin e saj argumentativ shkencor? Pikërisht kjo e disa të tjera do të jenë thelbi i kësaj analize, që zbërthen narratin e novelës në konsideratë.
Si studiues, unë duhet ta shoh këtë në një lidhje që duhet të kapet me agoninë e botës, si duhet ne ta konsiderojmë atë? A është kjo vetëm një krizë e një bote të jashtme për të gjendurit në gjendjen ‘e çmendura’, ka tradhtuar besimin e vet natyra tek njeriu, apo kjo është po ashtu një krizë e vetë përshpirtjes? Në novelë vetë strukturimet ndajnë arsyet edhe në fatin e botës shpirtërore. Ja si shkruan vetë autorja:
“Pastaj nuk ka se si ta zhbirosh ti qenien time... E si mund të më njohësh? Ndryshe do ta kishe mësuar me kohë se jam një shpirt i zbrazët. Dhe atë shpirt dikur të pasur, ma boshatise ti.”
Është një botë e njohur. Një botë e vogël, ajo botë që lidh burrë e grua, që lidh dashuri, që lidh dhe formëson jetën. Por është një botë ku zien arsyeja e humbjes së besimit, ku fundoset ‘shpirti’ dhe gjithë ajo sa lidhet me të. Shkrimtarja e qartëson: “Rrallë ndonjëherë kur provonte kënaqësinë që të jep qetësia shpirtërore, një shqetësim i brendshëm dukej sikur e ndalte. Këto pak çaste lumturie që zgjasnin aq sa një vegim, zhdukeshin papritur.”
Dhe kështu protagonistët nuk mund të pretendojnë pikëpamjen, se brenda vetes, brenda botës së tyre çdo gjë është vetëm e shkëlqyer dhe se asgjë në botë nuk i irriton ata. Dhe mbi botën e karaktereve, mbi lëvizjen e tyre humane, atje bie një përgjegjësi e rëndë. Me botën e tyre është duke u kryer një gjykim, dhe ky është gjithashtu një gjykim mbi fatin historik të njeriut për njeriun, të lidhjes ‘shpirt’ apo ‘shpirtërisht’ me fatin e njeriut. Të këqijat e botës narrative janë të lidhura jo vetëm me ikjen larg nga shpirtëzimi, me një trisht poshtërues prej (mos)besimit, por edhe me moshën e vjetër të ardhur nga sëmundjet e tipizuara, më së shumti të konstruktura, nga masa ndëshkuese për të ndëshkuarin, si i çmendur, apo e çmendur në rastin konkret, ku aperativi sillet si faturinë jete në anën e saj (jo)njerëzore. Dhe këtu është fatura e kohës, ajo që determinon dhe vulgarizon, ajo kohë në të cilën vetë njeriu agravohet. Dhe koha nuk është më këngë. Nuk është dhe sikur: “jeta të ngjasonte me një këngë, eh si do të ishin marrëdhëniet mes njerëzve! Në një këngë nuk është e rëndësishme ajo që ka thënë autori, por ajo që ngelet jashtë temës, apo brendisë letrare të saj, ku duhen marrë parasysh hamendësimet, apo idetë e admiruesëve, si dhe reagimet e tyre. Kurse për jetën kanë vlerë ato që nuk janë bërë e nuk janë thënë. Duke i lënë jashtë të qenësishmes, ne nënkuptojmë të pathënat që ngelen si enigmat, të cilat gjithmonë kërkojnë zgjidhje. Por me ulje- ngritjet që na ofron jeta, ujërat e turbullta të saj, të kalllin frikën. "- ndërsa analizonte, papritur u kujtua se çerek shekulli më parë, në këtë stinë ishte femra më e lumtur në botë...”
Kjo është bota. Është vetë kohëbota me të cilën Vranari na sjell medikamentin narrativ për shpirtërat njerëzorë në krizë. Dhe kjo përpjekje narrative është universale në rëndësinë e saj, dhe çdo gjë që ndodhet brenda orbitës së saj, nuk është vetëm lokale, as edhe individuale, ajo është e gjerë dhe kolektive. Asgjë për këtë s’mund të jetë plotësisht vetëm një astar dhimbës nga grisja në pjesën e jashtme. Ai ka faturat e veta të tjera.
Dhe narrativi ta jep këtë mundësi, që të shohësh karakterët më tepër të perceptojnë gjendjen shpirtërore të botës bashkëkohore nga brenda vetë përspirtjes, për të përcaktuar, se çfarë kriza e botës së tillë nënkupton si një ngjarje brenda shpirtrave, në kuadër të universalitetit të dhimbjes dhe therrjes shpirtërore që të jep “E Çmendura”. Bota në novelën e Vranarit ka ardhur në një gjendje të frikshme, nuk është më brenda saj.
Brenda kësaj bote janë institucione, firma, shoqëri dhe pezma të tjera të ndërlikuara. Kjo botë është duke jetuar me anë të një epoke katapultive, të dyja ankthet shpirtërore, atë që lidhet me mjedisin e jashtëm dhe atë që ndërlikohet deri në çmendinë prej një pjedisi patriark e të shkufanjitur, të brendshëm. Kjo në novelën e Vranarit është një epokë e anarkisë shpirtërore. Njeriu jeton në ankthin më shumë se kurrë më parë, nën një kërcënim të përjetshëm, ai varet dhe gjendet tru-pezulluar mbi një humnerë dhe: “-Gjithmonë kam besuar se njeriu ndryshon gjatë jetës, e cila gjatë rrugës së saj të gjatë dhe të vështirë, i shërben si përvojë. Kurse ti, nuk mund ta bësh një hop të tillë, se je me mendësi mesjetare dhe fshatare..,- nuk vazhdoi më tej, pasi ishte e bindur se fjala e saj do të shkonte dëm. Ndërsa "Ai" kërciti dhëmbët, e pa ashpër dhe u vesh. "Çfarë fyerjeje! E sidomos kur ta thotë një femër, një bushtër...," -klithi me zë të çjerrë, duke u skërmitur. Prej marazit nisi të turfullonte nga inati. Në pragderë mbajti këmbët dhe... -Natyrisht, je bërë e dëgjuar tani...Helbete, "shkenctaruce"...e kush mund të matet me studiuesen e mendjeve dhe shpirtërave njerëzorë? Eh mos durofsh, o Perëndi. Edhe kush? Një hiçi si ti, i duket vetja sikur ka arritur majat...Nuk ke më nevojë tani, se je bërë e adhuruara e dhjetëra e dhjetëra njerëzve me probleme mendore apo...apo je bërë medikament i shpirtërave njerëzorë...”
Njeriu modern në këtë novel e ka humbur besimin. Ka humbur ato gjëra që njeriu modern u përpoq në shekullin e fundit të zëvendësojë me njerëzillëkun dhe lirinë e tij për besimin në jetë. Ai beson se nuk është më në progres, në humanizëm, në fuqinë shpëtimtare të shkencës, në fuqinë shpëtimtare të demokracisë, ai është i vetëdijshëm për padrejtësinë e rendit të tillë ku shtysat bëjnë dhe agravojnë aksese negative dhe ai e ka humbur besimin në utopinë e bashkëkohores. Jeta moderne është goditur nga skepticizmi kulturor dhe vetë strukturat e jetës janë katapultuar gremina të shpirtit nga kriza që shuan dhe është e gatshme të shuajë të gjitha vlerat.
Karakteristike për qetësinë dhe humbjen e saj në mjedisin narrativ të novelës, ajo stigmë bashkëkohore, është rritja vetë forma pesimiste, ku filozofia e Shopenhauer del thjesht inkurajuese dhe e pafajshme. Dhe kështu është filozofia e Heidigger, për sa i përket thelbit të njeriut që ka rënë në pozicion pesimist, por që nga ‘askush’ nuk shihet dhe vihet në vemedje se është ajo vetë pesimistja që e ka rënuar dhe rëzuar larg, tregon se bota është e pashpresë, mëkatare, dhe që nuk ka asnjë arsye tjetër në botë ku të gjendet dalja nga ‘çmendina’ ku fitimtar është ankthi.
Më tej autorja shkallë-shkallë na jep segmentimin akrologjik, që është një segmentim melankolik, i cili sipas Kierkegaard lidhet me mërzinë tragjike, të cilin ai e lidh dhe e shpreh në gjendjen aktuale të botës, apo ndryshe tek pozita e vetë njeriut, karakterit të strukturuar në novelë. Vetë ky fragment e qartëson këtë: “Me punën që bën ke lënë përshtypje të mirë, jo shaka. Po të lavdëronin aq shumë, jo vetëm prindërit e Erës, (një paciente) por edhe të tjerët. Ishin të gjithë që festonin rikthimin në normalitet të vajzës së tyre, e cila i ishte kthyer jetës së mëparshme, njëlloj sikur kishte rilindur, pasi kishte pësuar një traumë, depresion a diçka të tillë si rezultatë i një historie dashurie. Kjo më bëri të ndihesha krenar për ty dhe e thënë troç: "si lum unë i lumturi që të kam në krah për shoqe jete! Së paku nuk më shkoi mundi dëm as me ty dhe as me fëmijët..." - dhe ndërkohë i zgjati gazetën, ku ishte shkruar një artikull për të.
Kurse ajo e vështroi gjatë dhe ushqimi i krijoi një ngërç të pakapërcyeshëm... Që i ngeli në fyt si laklitari i vdekjes.”
E ndërsa ajo mediton se ai duhet ti kërkojë falje, shfaqet trendi në mendime teologjike dhe fetare që çlirojnë përshpirtjen, duke iu drejtuar Zotit, si e vetmja mënyrë të lirimit të skutës trunore të rrënduar.
Njeriu si të thuash është rritur i lodhur përtej lirisë shpirtërore dhe është i përgatitur të heqë dorë prej lirisë shpirtërore në emër të pushtetit, me të cilin trazon jetën e tij. Me të gjitha pushtetet, edhe ato që formojnë sistemin, edhe me ato që agravojnë në sistemin si të brendshëm dhe të jashtëm.
Dhe kështu, për shembull, nëse Komunizmi është një formë ekstreme e idhujtarisë sociale, atëherë ku ndodh të kaplohet sistemi i besimit të njeriut? Shkrimtarja ka udhë të gjatë në novelën e saj. ajo duhet lexuar e rilexuar për të kuptuar medikamentin e saj filozofik.
-----------------------
I nderuar Fatmir, ju faleminderit për analizën e thellë psiko-sociale që i bëni novelës! Ndoshta për lexues të ndryshëm tema e trajtuar duket absurditet, por faktikisht janë raste të shumta dhune psiko-morale, pse jo dhe fizike të femrës që i hasim çdo ditë dhe në nivele të ndryshme kulture.Duhet guxim dhe kurajo që njeriu të zhbirojë brenda qenies së tij, për të njohur anët e mira dhe të këqia të karakterit të vetë. Duke vetanalizuar subkoshiencën, mendoj se njeriu do jetë në gjendje të përdorojë arsyen e një logjike të ftohtë. Po që problemet psikologjike, të evidentuara nga filozofët dhe psikologët e shquar të shek XIX-XX, si: Frojdi, Kafka,Shopenhauur, Niçe, Heidegger etje, të jenë prezente në shek e XXI, është paradoks.
E kjo ka të bëjë me kulturën dhe trashëgiminë e hershme mesjetare, apo me izolimin e gjatë nga bota e kulturuar që ka individi dhe si pasojë edhe shoqëria jonë. Që një komb si Shqipëria,të jetë solid dhe i zhvilluar,ka nevojë për njeriun "Njeri" që nuk ka frikë të shohë brenda vetes.Mendoj se kjo është detyrë e intelektualëve, organizmave të ndryshme që lidhen direkt me familjen. Sidomos ne shkrimtarëve na del si detyrë ta bëjmë problematikë opinioni,t'i shndërrojmë në debat mediatik, diskriminimin gjinor, dhunën në familje. Globalizmi nuk ka si synim shkatërrimin e familjes,por forcimin e saj me një koncept të ri ndryshe, mbështetur në barazinë gjinore, femra të mos shihet si një qenie inferiore, por si segment i rëndësishëm i shoqërisë që ka dhe jep po aq vlera sa edhe mashkulli. Duke u vlerësuar femra si bashkëshorte, si nënë, si bijë pa diferencime,duke i evidentuar vlerat e saj në familje,pa e përçmuar, fyer apo shpërfillur, mendoj dhe jam e bindur se fëmijët e të dy sekseve do të edukohen me ndjenjën e dashurisë dhe të respektit për njëri-tjetrin.
Nëse fëmija rritet duke dëgjuar fyerjet e babait ndaj nënës së tyre, jo vetëm nisin diferencmet, por ata edukohen me ndjenjën e superiorit, urrejtjes dhe mllefit. Kështu do të veprojnë edhe kur ata të krijojnë familjet e tyre. Në një shoqëri me komplekse të tilla, ndodhin mjaft divorce, gjë që e dëshmojnë shifrat alarmante. Pikërisht për të mos marrë rrugën e keqe fëmijët, janë nënat ato që sakrifikohen,duke duruar dhunën. Por lind pyetja:Edhe sa kohë do të durojë vallë gruaja apo nëna? Janë pikërisht këto arsye që dhjetëra raste i mblodha në dy personazhe duke i përgjithësuar: "Ai" dhe "Ajo". Duke e trajtuar si një analizë psikologjike të Nevetes, shpresoj që libra të tillë me problematikë sociale shqetësuese të diskutohen. Për këtë ka nevojë që shoqëria jonë të zhvishet nga normat strikte të moralit farsë.
Fatmir, është e vërtetë që edhe unë që e kam shkruar dhe e kam trajtuar si një temë alarmante, kam nevojë ta rilexoj herëpashere novelën.
Edhe njëherë të falenderoj përezemërsisht! Me konsideratë Vilhelme