TIRANE-Libri i ri i shkrimtarit të njohur Fatos Kongoli, ka në qendër të tij një vrasje të bujshme të pazbardhur. Pas saj, qëndron inspektori Sabit Kurti, personazh i rimarrë nga veprat e mëparshme, përfaqësues i zbatimit të ligjit në një shoqëri të kapur për fyti. "Se vrasësit janë profesionistë, të paarritshëm në fantazinë e tyre vrastare, e dëshmon edhe fakti që një pjesë e mirë e vrasjeve më të bujshme që kanë ndodhur tek ne ndër vite, mbeten ende të pazbuluara", - thotë Kongoli, në intervistën e tij për "GSH" mbi romanin. Teksa flet për veprën, ai ndalet të sqarojë edhe se vetja i duket fatalist, ndërsa kur vjen puna tek shoqëria shqiptare, shkrimtari i njohur mundet të thotë vetëm kaq: Përpiqem vazhdimisht të kuptoj se ku është sot shoqëria jonë shqiptare, për më tepër kur brenda saj kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme, që vështirë t'i ndjekësh. Kam vite e vite që shkruaj për ta kuptuar këtë dhe them se ende nuk kam kuptuar ndonjë gjë të madhe.
Ndonëse Kongoli njihet si njeri i qetë, me qetësinë e vet, ai reflekton thyerjen e shpresave, a mbase humbjen e tyre përgjatë kësaj rruge të vështirë...
Libri juaj i ri titullohet "Njeriu me fat", paçka fatit që ka personazhi. Ju, besoni në fat, apo mendoni se arritjet në jetë nuk janë fort të lidhura me të?
Unë i bashkohem një mendimi që kalon nga brezi në brez, se fati, disa thonë rastësia, luan rol përcaktues në jetën e individit, në të gjitha pikëpamjet. Sigurisht, kjo është një temë mjaft e gjerë, mund të diskutohet gjatë, por nuk dua të spekuloj. Ekziston edhe termi "fatalizëm". Më duket se jam disi fatalist. Të paktën përvoja vetjake, këtu më ka çuar.
Pse e keni sjellë në këtë roman Sabit Kurtin, personazhin tuaj nga "Porta e Shën Pjetrit", për shembull? A është ai një shuplakë e juaja…?
Përveçse te romani "Te porta e Shën Pjetrit", inspektori Sabit Kurti është personazh edhe në ndonjë roman tjetër timin, për shembull "Jetë në një kuti shkrepësesh". Në këtë libër të ri kam dashur ta plotësoj më tej portretin e tij. Ai është një figurë komplekse, përfaqësues i zbatimit të ligjit në një shoqëri të kapur për fyti; më ka tërhequr gjithmonë. Shpesh kam keqardhje për këtë personazh, me parime të shëndosha dhe i ndershëm, por që përgjithësisht lufton i vetëm, si me mullinjtë e erës. Duke qenë se është një krijim imi, i fantazuar, ai shpreh edhe ndonjë dëshirë timen, për shembull, siç thoni ju, ndonjë shuplakë s'di kundër kujt.
Çfarë ju ka shtyrë të shkruani një libër që ka në qendër dy vrasje, e para ajo e një biznesmeni të fuqishëm në ashensor? A ka lidhje sinopsi juaj me ngjarje reale, apo ju kanë shtyrë krimet e fundit në vend?
Jeta jonë e përditshme është e tejmbushur me ngjarje kriminale; nuk është nevoja t'i fantazosh, çdo fantazi do të ishte e zbehtë krahasuar me realitetin. Se vrasësit janë profesionistë, të paarritshëm në fantazinë e tyre vrastare, e dëshmon edhe fakti që një pjesë e mirë e vrasjeve më të bujshme që kanë ndodhur tek ne ndër vite, mbeten ende të pazbuluara, e këto dihen nga të gjithë. Por mua, siç mund ta keni vënë re, nuk më intereson ana policore e "problemit". Unë nuk kam shkruar dhe nuk besoj se do të shkruaj ndonjëherë libra policorë. Këta kërkojnë një njohje profesioniste që nuk e kam dhe nuk më intereson. Ajo që më intereson është "impakti" njerëzor i ngjarjeve.
Personazhi rreth të cilit sillet romani është Gentian Engjëlli, një përkthyes që ka ngecur mes punës së çirakut dhe dëshirës për t'u bërë shkrimtar. Pse zgjodhët një përkthyes të frëngjishtes dhe me se lidhet mëdyshja e tij?
Nuk ka ndonjë gjë të veçantë; ky është një personazh i ri që desha të krijoja, në vazhdën e personazheve të mi të parapëlqyer, jo "të fortë", të drejtë e të sinqertë, por jashtë loje, të papërshtatshëm në egërsinë e së përditshmes, pavarësisht profesionit që ka.
Herë-herë ai ikën nga jeta reale, arratiset në një tjetër dimension, krejt të panjohur dhe të shkëputur prej së përditshmes. Gjithçka lidhet me dy sy të zi që iu drejtohet "Më shih në sy, bukuroshe". A ndodh të ikim prej së tashmes kur ajo nuk është edhe gjithaq tërheqëse? Pse ikën Engjëlli herë pas here?
Nuk do të më pëlqente t'i shpjegoja veprimet e personazhit, as dilemat e tij. Shpresoj që lexuesit e mundshëm të librit do të jenë në gjendje t'i shpjegojnë vetë.
Ju citoni Kutelin sa i takon marrëdhënies së shkrimtarëve me njëri-tjetrin, ndërsa letërsia duket të jetë një fushë gjarpërinjsh. A është kjo, marrëdhënia mes shkrimtarëve shqiptarë? Pse?
Unë thjesht kam cituar pak a shumë një thënie të shkrimtarit tonë të shquar Mitrush Kuteli.
Sistemi i drejtësisë, duket i ngërthyer në një udhëkryq në romanin tuaj. A është kjo, përshtypja juaj për të, apo është gjetje artistike?
Kam shkruar një roman, asgjë më shumë. Dhe nuk me pëlqen të përsëris gjëra që janë thënë e stërthënë nga të tjerë.
Shoqëria shqiptare, ku gjendet sot? Mes shformimit të traditave që respektonte dhe gjetjes së rregullave të reja, apo është pozicionuar tashmë?
Një pyetje tepër e vështirë, për mua dhe për këdo, besoj. Përpiqem vazhdimisht të kuptoj se ku është sot shoqëria jonë shqiptare, për më tepër kur brenda saj kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme, që vështirë t'i ndjekësh. Kam vite e vite që shkruaj për ta kuptuar këtë dhe them se ende nuk kam kuptuar ndonjë gjë të madhe. Ç'është e vërteta, me këtë pyetje më jepni rastin të flas e të flas, pa mundur të them asgjë; e kam fjalën, asgjë që nuk dihet. Megjithatë, mund të bëj një pohim. Deri tani, ashtu si në të kaluarën, nuk kam ndonjë arsye për të qenë dhe aq optimist. Me këtë kam parasysh natyrën njerëzore dhe jo treguesit e "nivelit të keq apo të mirë të jetesës", për shembull, të "arritjeve apo mosarritjeve", me të cilat mburren apo shahen qeveritë etj.