2013-11-29

Moderniteti i “Zonja me kone” të Çehovit



Moderniteti i “Zonja me kone” të Çehovit



Nga Ana Shahini

“Zonja me kone” është një nga ato vepra letrare tipike, përmes së cilës mund të vërtetojmë më së miri se në letersi ka rëndesi cilësia dhe jo sasia. E them me plot bindje këtë, sepse është një novelë fare e shkurtër, me shumë pak faqe, por në ato pak faqe mund të përjetosh shumë emocione, mund të gjesh shumë argumente për të folur dhe analizuar gjatë mbi to, pasi aty has me mjaft elementë të modernitetit, të cilet do i rendisim pak më poshtë, të konkretizuara edhe me tekstin. E nisa kështu detyrën (duke përmendur faktin që është e shkurtër në sasi, por e madhe në cilësi artistike), sepse kjo qe arsyeja që më nxiti për t’a bërë objekt detyre. Nga leximi që i kam bërë tekstit vura re këto tipare:

-) Paraqitja e dyjëzuar e realitetit

-) Planet sillen përmes rastësisë

-) Dashuria jepet pejsazhore, dashuri mëkatare, natyrë = dashuri

-) Zë shumë vend iracionaliteti, mistikja, enigmatikja, e padukshmja

-) Shkaktohet mjaft habi

-) Përdorimi i shumë simboleve, tekst i shtresëzuar

-) Teksti kërkon përqëndrim maksimal nga lexuesi

-) Zhbirim i subkoshjencës njerëzore

-) Prania e kontrasteve, pranvënieve, përplasjeve

-) Fund i hapur

Këto janë disa nga elementet prej të cilave karakterizohet kjo novelë. I kam renditur kështu thjesht për lehtësi interpretimi, renditja është fare e rastësishme. Madje, do vihet re se në shumë raste prej pjesëve që kam përzgjedhur për ilustrim nga teksti, janë të gërshetuara së bashku disa elemente brenda të njëjtit tipar. Mjeti më i mirë për të treguar se kjo novelë i zotëron të gjitha këto elemente, është konkretizimi me vetë tekstin p.sh:

• Paraqitja e dyjëzuar e botës, mund të themi se dyjëzimi duket qoftë në paraqitjen që i bëhet figurës së dy personazheve si Ana Sergenjeva dhe Gurovit (në veprimet dhe qëndrimet që mbajnë), ashtu edhe në paraqitjen e vet natyrës pejsazhore, botës materiale, ku në raport me botëkuptimin dhe filozofinë e novelës natyra bëhet bashkëudhëtare e nënvetëdijes së personazheve, pikërisht dashurisë së tyre.Pra, vihet re një ngërdheshje e shumë elementëve brenda së njëjtës guaskë artistike, që bashkërendojnë përgjatë gjithë linjës estetike.- Konkretisht, (në fq.9 lexojmë) : “Nëpër dhomë bënte vapë, ndërsa në rrugë një erë e marrë ngrinte pluhurin përpjetë duke u hequr njerëzve kapelet…e gostiste shpesh Ana Sergenjeven me akullore, herë me shurup. S’dinin ku të futeshin e ku të rrinin”. Kurse, (në fq.20 shkruhet) : “Shtëpinë në Moskë e kishin rregulluar si për dimër. Qenë ndezur sobat. Kur mëngjeseve ishte errësire, dadua shpejt e shpejt ndizte zjarrin që fëmijët të pinin ndonjë çaj të nxehtë dhe të përgatiteshin për në shkollë. Kishin filluar ngricat. Kur bie bora e parë, ditën e parë të shëtitjeve me saja, është kënaqësi e madhe të shohësh tokën e bardhë…Gurovi si moskovit që ishte u kthye në Moskë në një ditë të mirë, me ngrica. Kur veshi gëzofin dhe dorezat…atëherë udhëtimi dhe vendet ku kish shëtitur kishin humbur magjepsjen e parë”.Në këtë rast nga njëra anë jepet se si kanë ndryshuar gjërat, në fillim akullore, shurup, pastaj, caj, dorashka, gëzof, ngrica (njëkohësisht pranëvënie të të kundërtave “edhe kohë e mirë” edhe “ngric” ).

• Njëkohësisht, jepen ndryshime të natyrës, ndryshime të gjendjes shpirtërore të personazheve. Natyra këtu del bashkudhëtare, dëshmitare me lëvizjet e brendshme shpirtërore të personazheve.

- Në vijim, (fq.19) gjejmë komplet një panoramë shpirtërore krejtësisht të ndryshme nga ajo e mëparshmja (fq.36), lidhur me gjendjen emocionale të Ana Sergenjeven. Fillimisht shkruhet: “Nuk qau, por ishte e mërzitur, tamam si e sëmurë dhe fytyra i dridhej. Do të mendoj për ju…mbetshi me shëndet”. Pra, ketu Ana del nje figurë shumë e ftohtë, me një qëndrim shumë formal që të habit. Kurse, (në fq.36) shohim një gjendje emocionale krejtësisht tjetër, mjaft të rënduar: “Dhe vërtet ajo nuk mund të fliste, aq shumë qante, qante me shpinë të kthyer nga ai dhe me shaminë e shtrënguar në sy. “Le të qajë, ndërkohë unë po ulem” mendoi ai”. Këtu n’a rezulton se rolet kanë ndryshuar, indiferenti është Gurovi dhe e përlotura është Ana.Fillimisht, në përshkrimin që autori i bën figurës së Gurovit, ai n’a shfaqet njeri aventurier, moskokçarës, por pas udhëtimit nëpër brendinë e nënvetëdijes së tij, pas episodeve që kaloi, pas shumë ndryshimeve që ndodhën në jetën e tij, ai n’a shfaqet një njeri i përvuajtur, i brengosur, i përmalluar.

- Kjo monedhe dyfaqeshe n’a shfaqet kështu: “Kur zonja u ul në tryezën fqinje, tri hapa larg, atij i’u kujtuan historitë që kish dëgjuar mbi fitoret e lehta për të shtënë në dorë gratë…” (fq.6). Kurse, më vonë përshkruhet kështu:“Përpara, në çastet e mërzitjes ai e qetësonte veten me lloj-lloj arsyetimesh që i kalonin në kokë, kurse tani as që i shkonin nëpër mend këto, ai ndjente mëshirë për veten dhe për të, donte të ishte i sinqertë dhe i dashur” (fq.38).

Këto dy momente tregojnë se si Gurovi nga një njeri tinzar, aventurier, që kur shihte një femer gjëja e parë që i vinte ndër mend ishte si t’a shtinte në dorë, shndërrohet në një njeri që kërkon të jetë i sinqertë me Anën, ajo e bën që ai të ndryshojë, të ndryshoje në mënyrën e të arsyetuarit dhe të ndryshojë dhe mendimin për veten, tashmë duke ndjerë mëshirë.

• Këto konkretizime me pjesë të shkëputura nga teksti, tregojnë qartë se si natyra ngjizet me përjetimet emocionale të personazheve, se si personazhet ndryshojnë në sjellje, në përjetime, në mënyrën se si arsyetojnë, në mënyrën se si veprojnë dhe paralelisht me këtë jepet edhe shndërrimet që pëson natyra. Njëkohësisht, shfaqet dukshëm se sa potencial të fuqishëm ka ndjenja e dashurisë mbi njeriun.

- “Gurovi e vështronte në sy, në ata sy të palëvizshëm dhe të patrembur, e puthte, i fliste qetë dhe e përkëdhelte, ajo pak e nga pak e mori veten dhe gëzimi i‘u kthye prapë;të dy filluan të qeshnin përsëri. Pastaj dolën jashtë. Gjatë rruges bregdetare nuk kishte njeri. Qyteti me qiparisat e tij kishte marrë pamje të vdekur, por deti uturinte dhe përplasej në breg, një barkë e madhe lëkundej mbi valë dhe në të vezullonte si i përgjumur një fener i vogël” (fq.15). Këtu duket qartë se si natyra dhe dashuria brendapërfshihen me njëra-tjetrën, duke u harmonizuar mjaft mirë mes tyre.

- Një tjetër përshkim që i bëhet natyrës (kur themi natyrës nënkuptojmë dashurisë, ato janë pjesë të pandashme të njëra-tjetrës), që unë do doja t’a veçoja është ky: “Të dy vështronin poshtë dhe rrinin pa shkëmbyer asnjë fjalë. Jallta mezi dukej, përmes mjergullës së mëngjesit. Në majat e maleve qëndronin re të bardha. Gjethet e lisave nuk lëviznin, cinxërinin gjinkallat, ndërsa zhaurima monotone dhe e mbytur e detit, që vinte nga poshtë u fliste për prehjen, për gjumin e përjetshëm, që na prêt të gjithëve ne. Kështu ka zhurmuar poshtë edhe kur nuk ishte akoma Jallta e Oreanda dhe kështu e shkujdesur, zhurmon tani e do të zhurmojë edhe atëherë kur ne nuk do të jemi më. Dhe në këtë zhurmë të vazhdueshme, në këtë indifferencë të plotë ndaj jetës dhe vdekjes, te secili prej nesh fshihet ndoshta garancia e shpëtimit tonë të përjetshëm, e lëvizjes së pandalshme të jetës në tokë, e përkryerjes së pandërprerë”. Këtu kuptojmë se shndërrimi mbetet i pashpjegueshëm; ndodhia është çudia që shkaktohet; thelbi është natyra e ku natyra është dashuri; që të shpëtosh prej dashurisë duhet të vdesësh; i gjithë sekreti i shpëtimit nga dashuria mbetet të jetë shpërfillja ndaj natyrës në një kohë kur vetë natyra është dashuria. Në këtë përshkrim jepet gjithë kompleksiteti i veprës, gjithe bota artisike e saj.

• Një moment tjetër ku doja të ndalesha është mënyra se si janë vendosur planet në raport me njëri-tjetrin, duke krijuar idenë, se çdo gjë ndodh në mënyrë të rastësishme.

- Për këtë kujtojmë momentin se si qe kontakti i parë mes Anës dhe Gurovit:“Duke ndenjur njëherë në Verna, te kafeneja e vogël, ai pa të kalonte rrugës bregdetare një zonjë të re, shtatlartë…”(fq.3); “Një buzëmbrëmje tek ishte ulur e po hante darkë në kopështin e kafenesë së vogël, pa të afrohej, me hap të ngadaltë, zonja me beretë…” (fq.5);

- momenti kur Ana dhe Gurovi përqafohen, atij i shfaqet një pasqyrë që e bën të mendojë për thinjat që ka në kokë: “Ai i’u afrua për t’a kapur nga krahët e për t’a përkëdhelur. Por, papritur e pa veten në pasqyrën kundruall. Koka e tij kish filluar të thinjej” (fq.37);

- momenti kur Ana dhe Gurovi janë duke biseduar mbi besimin dhe shohin veten se gjenden pranë një kishe:“Jo me duket, gjyshi im ka qenë gjerman, ai vet është ortodoks. Në Oreandë u ulën në një stol afër një kishe” (fq.15);

- momenti kur Ana dhe Gurovi takohen pas shumë kohësh në teatër, mënyra se si Gurovi mundi t’a gjejë Anën ishte përmes afishes që e pa fare rastësisht:“Që në mëngjes kur po largohej nga stacioni atij i ra në sy një afishe me gërma shumë të mëdha ku shkruhej se jepej premiera e shfaqjes “Geisha”” (fq.28).

Këto raste që sapo përmenda jane momente që duken si të rastësishme, por në fakt janë teknika estetike të shkrimtarit për të krijuar përfytyrimin të rastësishmes.

• Doja të ndalesha në një element tjeter të modernitetit tek kjo novelë. Pikërisht tek frazat e papërfunduara, të cilat janë një mënyrë teknike e autorit për t’i lënë lexuesit në një lloj suspance, për t’ia lënë lexuesit në dorë t’i përmbylli disa fraza si p.sh:

- “…të gjitha këto tregonin se ajo vinte nga një familje shumë e mirë, se ishte e martuar, se në Jaltë kish ardhur për herë të parë vetem dhe se ketu ishte mërzitur…”.

Ndërkohë autori e lë përgjysëm frazën, duke e bërë lexuesin të pyesi vehten se përse ajo është e mërzitur (fq.5-6).

- “Kaloi së paku gjysëm ore në heshtje” (fq.12).

Kjo është vetëm një fjali, por nënkupton shumë më tepër. Autori nuk tregon se çfarë ndodhi në atë gjysëm ore heshjteje, por n’a e jep të nënkuptuar në vazhdim. Ai i’a lë në dorë lexuesit t’a plotësojë heshtjen. Këtu nga njëra anë kemi një heshtje që duhet t’a plotësojë lexuesi, nga ana tjetër ky moment n’a tregon një kërkesë të autorit për t’i bërë tekstit një lexim vertikalisht, jepet një tekst shumë i shtresëzuar, ndaj kjo kërkon përqendrim maksimal dhe lexim të kujdesshëm. Mund t’i bëjmë edhe një interpretim tjetër këtij momenti ku autori hesht. Kur Ana dhe Gurovi i jepen njëri-tjetrit, bëjne dashuri, autori e zëvendëson me heshtje, pikërisht heshtje, sepse ai ishte mëkati më i madh për ta. D.m.th ky mospërshkrim i këtij momenti prej autorit mund të shihet edhe si një zgjedhje teknike e tij, nënteksti i së cilës është se ai moment ishte për të mos u përshkrtuar, sepse ishte mekati me i madh i tyre, prej atij momenti nis ndryshimi i gjithë rrjedhës së ngjarjeve në vazhdim.

- Mospërfundim tjeter të frazës kemi edhe në rastin kur kemi: “Pranë vaporrit me fenerë të shuar që vinte nga Feodosia, i ndriçuar nga drita e dobët e agimit…” (fq.17), ndërkohë nuk vazhdohet më tej.

- Një rast tjetër është kur Ana pasi ka bërë dashuri me Gurovin fillon të reflektojë ku mes të tjerash shprehet: “…Kur u martova isha njëzet vjeç, atëhere më mundonte kërshëria, doja vetëm diçka të mirë, një jetë tjetër mendoja me vete. Doja të jetoja! Të jetoja, të jetoja…” (fq.12) dhe me pas autori e lë me tre pika frazën. Pikërisht në atë moment lexuesit i lind pyetja se çfarë nënkupton Ana me “të jetosh…”.

Autori zgjedh për të mos e vazhduar më tej duke përdorur herë tre pikëshin dhe herë duke mos përshkruar, siç ishte rasti i “heshtjes”, sepse jo gjithnjë aty ku ka tre pika ka mospërfundim të frazave.

• Një vend të madh në këtë novele zënë edhe reflektimet me veten, e gërshetuar kjo me paraqitjen e nënvetedijes, e të padukshmes, e të pakuptueshmes. Këtë e shohim në rastet kur Gurovit i lind instikti dhe dëshira për t’a puthur Anën dhe njëkohësisht e frenon arsyeja semos dikush e ka parë, sepse është i vetëdijshëm që ishte një dashuri jashtë martesore: “Atëherë ai e vështroi me ngulm dhe përnjëherë e përqafoi dhe e puthi në buzë. Atë çast ndjeu aromën e luleve të freskëta dhe befas u tremb. Mos e kish parë kush?”(fq.11). D.m.th, jepet lufta mes asaj që njeriu do dhe asaj që duhet, dyluftimi i instiktit dhe arsyes, vetndërgjegjësimi se po vepronte gabim. Në tekst ka shumë momentë kur autori përmend: “…Gurovi thoshte me mendjen e tij…” (si psh. fq.11) ose “…solli nëpër mend…”(fq.8).

- Moment tjetër vetndërgjegjësimi nuk kemi vetëm nga Gurovi, por edhe nga krahu i Anës. Kjo ndodh pikërisht pas momentit kur ata të dy e lanë veten në duart e pasionit, epshit, dhe pas aktit seksual Ana fillon të ndihet keq për çfarë kishte ndodhur, duke u shprehur: “Si të shfajësohem? Unë jam e keqe, grua e ulët, une tani e përbuz vehten,…unë nuk kam mashtruar burrin tim, por veten…”. Këtu del mjaft qartë ndjenja e reflektimit, e luftës së fortë që zhvillohet në botën e brendshme të personazhit.

- Një teknikë tjetër e autorit për të shprehur nënvetëdijen njerëzore janë edhe ëndrrat, kujtimet, refleksionet. “Do të kalonte ndonjë muaj edhe Ana Sergenjevna do ti mjegullohej në kujtesë dhe vetëm në të rrallë do t’a shihte në ëndërr, me një buzëqeshje tërheqëse, ashtu siç i dilnin në ëndërr të tjerat. Atëherë, kujtimet i zgjoheshin me një forcë të madhe” (fq.22). Nënvetëdija, subkoshjenca, detyrimisht bën që autori t’a çojë lexuesin tek e panjohura, tek mistikja dhe enigmatikja, që në tekst jepet përmes mënyrave që përmendëm më lart, por sipas meje ky tipar kurorëzohet në këtë fragment:“Por në këtë rast ai kishte të bënte me druajtjen e një të riu pa përvojë, me një ndjenjë të ngathët, që ishte një atmosferë hutimi, sikur dikush papritur trokiste në derë”. Vetëm fraza “sikur dikush papritur trokiste në derë” tregon mjaft qartë, se pavarsisht përpjekjeve, teknikave të autorit, në fund të fundit nënvetëdija ngelet një e panjohur, pra ngelet një “dikushi” për ne, që vjen e papritur dhe troket në derë, në dyert e shpirtit, në kanatet botës së brendshme të qenies njerëzore. Kjo padashur të çon tek iracionalja, tek e pakuptueshmja, tek ajo që logjika normale nuk mundet t’a shpjegojë .

• Kufijtë mes botës shtazore dhe asaj njerëzore duket se prishen në një moment kur Gurovit dandellat e Anës i duken si luspat e gjarpërit: “Kur ato i ftoheshin, atëherë bukuria e tyre i ngjallte urrejtje dhe dandellat në këmishën e trupit të tyre i dukeshin si luspa gjarpëri” (fq.12). Një moment tjetër është rasti kur Dimitri Dimitriç e krahason femrën me peshkun duke thënë: “Ju kishit të drejtë, peshku kishte një aromë të mrekullueshme…” (fq.24).

• Teksti duket sikur është shkruar me një gjuhë të thjeshtë në pamje të parë, por në fakt nuk është kështu. Novela është e pasur me mjaft simbole. Është karakteristike që në këtë novelë kemi një gërshetim mjaft harmonik mes gjuhës së përditshme dhe të figurshme, ku të dyja së bashku përmbushin mjaft mirë gjithë botëperceptimin, filozofinë e autorit. Simbolet janë të shumtë, ato mund t’i gjejmë në rastet:

- kur Ana thotë se është keq ajo shprehet se është e sëmurë nga zemra, ku zemra është një simbol mjaft i njohur i dashurisë (fq.17);

- kur Gurovi shihet në pasqyrë ai sheh thinjat, ku thinjat janë simbol i moshës së thyer, i kohës që ka kaluar, i plakjes (fq.37);

- kur Gurovi ulet në shtrat dhe mbështillet me batanijen ngjyrë hiri, ku ngjyra e hirit simbolizon mjegullsinë shpirtërore, notat grit ë konfuzitetit (fq.27);

- kur Gurovi gjendet pranë shtëpisë së Anës sheh se shtëpia e saj është e rrethuar me gardh, ku gardhi simbolizon një lloj fortifikimi, pengese, ndalese për takimin mes tyre, ose më saktë vetë dashuria mes tyre ishte e ndaluar (fq.26);

- kur Ana ka veshur fustanin ngjyrë gri, gri sepse edhe vetë shpirti i saj ishte i mjegulluar, ishte gri (fq.35);

- vetë titulli është një simbol më vehte. Konia është një nga simbolet kryesore të tekstit, pasi unë e konsideroj si një simbol i vetë figurës së Anës. Konia është e vogël, e pafuqishme, me dëshirën dhe nevojën për t’u përkëdhelur, ka nevojë për mbështetje, ndihet e parritur, por ajo edhe kafshon, tipare këto që i ka edhe vetë Ana. Në titull ka edhe simbol, por ka edhe kontrast, sepse kemi edhe “zonjë” që nënkupton njeri me autoritet, pushtet, e lartë, por edhe “kone”, te dyja pranvihen për të formuar një kontradiktë ashtu siç vetë qenia njerëzore është në të vërtetë, pra në mes të luftës mes asaj që i thotë arsyeja dhe asaj që i thotë instikti;

- kur përmenden elementët e natyrës si: ngrica, furtuna, deti, dallgët, lulet, mjergulla, retë, mali, lisat, gjethet apo qoftë edhe vetë stina e dimrit, të gjitha këto janë elemente të natyrës, që marin nuanca kuptimore të ndryshme në varësi të situatave shpirtërore të përsonazheve. S’po ndalem në secilen prej tyre, por do mjaftonte sikur të përmendja që deti herë ishte i qetë dhe herë ulërinte, ashtu sikurse shpirti i Anës edhe Gurovit përballe dashurisë herë dukej i çlirët e herë vuante prej pamundësisë për të qenë bashkë. Madje vetë natyra duke përfshirë gjithë elementet e saj përbën një simbol të vetë dashurisë (s’përcaktoj nr.fq, sepse kjo ndjehet gjatë gjithë tekstit).

•Habia është një tjetër emocion që shkaktohet gjatë leximit të veprës. Pikërisht në momentin kur Ana qan e vuan për situatën që i kish ngërthyer dy të dashuruarit dhe ndërkohë Gurovi ulet për të ngrënë (fq.36). Kjo sjellje e tij të krijon habi.

- Ashtu sikurse të krijon habi në momentin e parë edhe mënyra se si e përjeton Ana ndarjen mes tyre herën e parë, duke qëndruar mjaft e ftohtë, racionale, duke i thënë se do mendonte për të, madje i drejtohej edhe me “ju” (fq.19). Tjetër gjë pastaj simbolika, arsyeja pse autori i vendos nën këto korniza sjelljet e tyre, por ama në momentin e parë kjo krijon habi tek lexuesi deri në nota qesharake.

- Një moment tjetër vërtet qesharak ishte kur gruaja vërenjt vetullat dhe thotë “…ty Dhimiter nuk të ecen hiç fati...” (fq.23).

•Fundi i novelës ështe një habi më vehte, sepse të habit folja “këshilloheshin” a thua sikur ishin ndonjë juri që do vendosnin fituesin e ndonjë çmimi, ndërkohë që në situata të tilla si ajo ku ndodheshin Ana dhe Gurovi në ato momente ka përhumbje, vuajtje, dilemma, etj. D.m.th, ajo që të habit është mënyra se si trajtohet problemi, çështja themelore mes tyre, pra se si ata do gjenin zgjidhjen apo shpëtimin,e gjithë bota emocionale e tyre jepet në mënyrë shumë gjakftohtë. Fundi i novelës ngelet i hapur, pa zgjidhje, element tipik ky i modernitetit. Novela nuk përmbyllet me ndonjë konkluzion final, por çdo gjë ngelet për t’u imagjinuar prej lexuesit, mbetet hapësirë e lirë ku lexuesi mund të ketë shumëllojshmëri variacionesh se si t’a interpretojë këtë pjesë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...