Nga vendngjarja, siç ka raportuar gazetarja Lira Burgija, është mësuar se zoti Olldashi ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip Benz, nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Për shkak të motit të keq dhe shpejtësisë së lartë, mjeti ka rënë në një humnerë prej rreth 10-15 metrash nga rruga. Automjeti ka qenë i përmbysur dhe janë dashur rreth 2 orë, që forcat policore dhe ato të zjarrfikësve të drejtojnë mjetin dhe të nxjerrin trupin e deputetit Sokol Olldashi.
Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm shumë figura, përfshi Ilir Metën, Taulant Ballën, Mesila Dodën dhe Flamur Nokën. Të pranishëm kanë qenë edhe bashkëshortja dhe familjarë të deputetit të ndjerë, që kanë qëndruar së bashku me Mesila Dodën dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike.
Pasi trupi është futur në autoambulancë për t’u transportuar në Tiranë, të gjithë të tjerët janë nisur drejt Tiranës dhe janë vendosur në morgun e QSUT-së. Tashmë është bërë e mundur edhe vendosja e mjetit të Olldashit në karrotrec. Aksidenti mund të ketë ndodhur rreth 500 metra larg daljes së tunelit, në pjesën e vjetër të aksit rrugor.
Ndërsa sipas raportimeve të gazetarit Thimi Samarxhiu, në morgun e QSUT janë gjendur i gjithë grupi parlamentar i PD-së dhe deputetë të PS-së, por dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Të pranishëm janë edhe familjarët e deputetit, në pritje të marrjes së trupit nga morgu, pas kryerjes së ekspertizës.