“Shqipëria dhe Bullgaria kanë të përbashkëta karakteristika, të cilat aplikohen me një forcë e këmbëngulje më të madhe në rastin e të parës se sa në atë të së dytës: mes vendeve të Europës Lindore nën dominimin sovjetik, ata janë më të prapambeturit në zhvillimin ekonomik e atë kulturor, më të voglat në terma të numrit të popullsisë, më të larguarat nga qendra e pushtetit sovjetik dhe më “stalinistët” në qëndrimet e tyre. Ata nuk janë të okupuar nga trupat sovjetike, dhe të dyja kanë një begraund të mbushur me pretendime territoriale e çështje të tjera të pazgjidhura me fqinjët e tyre. Asnjëra prej tyre nuk mban lidhje diplomatike me Shtetet e Bashkuara”.
Këto janë në mënyrë të përmbledhur ato çka një raport konfidencial amerikan (shih: Department of State, PPS Files: Lot 67 D 548, Europe East. Confidential. – Foreign relations of the United States, 1958-1960. Eastern Europe; 1958-1960, fq. 71-104) i datës 19 maj 1958, na sugjeron në lidhje me një tematikë pak të rrahur më parë nga studiues, historianë e gazetarë, por fenomen për të cilin ndoshta mendja i ka shkuar me kohë çdo shqiptari. Për afinitetin mental, kulturor, historik, si dhe miqësinë mes dy kombeve, është folur në fakt dekada e shekuj më parë. Thuhet se në shumë raste, historia i ka hedhur në krah të gabuar, ose në raste të tjera, se kanë ndarë të njejtin fat. Por këtyre elementëve, me kalimin e kohës iu shtuan edhe përbashkësi politike, e si rrjedhojë, ato ekonomike, ushtarake etj. Më së miri, këto karakteristika të përbashkëta u shfaqën gjatë periudhës së komunizimit në të dyja vendet, e sidomos asaj të bashkëjetësës në të njejtin formacion politiko-ideologjik të kohës, në vitet ‘48-’60 të shekullit të shkuar. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bullgarinë në atë kohë, dihet se ishin mëse miqësore në fakt, çka e vërteton përveç të tjerave, edhe një intervistë e ish-liderit komunist bullgar, Todor Zhivkov në vitin 1996 (shih: “Nga Gorbaçovi tek Ramiz Alia”, Pavllo Gjidede, “Botimet Erik”, 2000, fq. 254-256), ku ai shprehet se: Udhëheqja shqiptare, Enver Hoxha, deklaronte jo rrallë, lidhjen, miqësinë e pathyeshme me Bashkimin Sovjetik, me vendin e sovjetëve dhe Bullgarinë. Një djall e di se ku shkuan më vonë këto betime e stërbetime!
Por si vlerësoheshin këto zhvillime asokohe në të dyja vendet “vëllezër” dhe ku konsistonin sipas pikëpamjes amerikane vijat përbashkuese e ato ndarëse mes tyre? Cila ishte diferenca e tyre me vendet e tjera satelite të Moskës? Çfarë strategjie sugjeronin ekspertët e Departamentit të Shtetit në kulmin e fuqisë sovjetike, pak vite pas nisjes së procesit të destalinizimit, për të arritur objektivat e tyre në lidhje me të ardhmen e këtyre dy popujve? Përse sugjerohej rihapja e përfaqësive e misioneve diplomatike amerikane në Sofie e Tiranë dhe çfarë ndikimi do të kishin pasur ato?
Në raport, përtej tyre, në seksione të veçanta flitet më gjerësisht dhe veçmas edhe për gjendjen politike e ekonomike të të dyja vendeve, ku citohej se tashmë kastat në pushtet, ndjeheshin më të sigurta, porse nga ana tjetër edhe ekonomia kishte njohur tashmë një stabilitet relativ, ndërkohë që gjithçka sigurisht varej nga ndihmat e kreditë sovjetike. Duket se shqetësimi primar i amerikanëve ishte së pari sigurimi i pavarësisë nga Moska dhe më pas demokratizimi i brendshëm i të dyja vendeve, objektiv të cilit do mund t’i shërbëhej më së miri nëse marrëdhëniet diplomatike do të rivendoseshin.
Sugjerimi për të rivendosur marrdhëniet, pavarësisht se duket disi paradoksal, kishte ardhur nga brendësia e politikbërjes amerikane, e kishte hasur fatkeqësisht në kokëfortësinë e udhëheqjes shqiptare e asaj bullgare. Ajo kishte zënë vend tashmë në axhendën e jashtme amerikane, çka e tregojnë më së miri edhe raportet mediatike perëndimore (shih: “Kur superfuqitë kërkonin riafrimin me Shqipërinë”, Armand Plaka, Gazeta Shqiptarja.com, 28 mars 2013) dhe tentativat e fshehta, për të rivendosur marrëdhëniet me këto dy vende, të cilat tashmë e tutje, sipas sugjerimit duhej të trajtoheshin minimalisht njësoj sikurse të gjitha vendet e tjera të ish-Bllokut komunist. Diku, raporti në fjalë, të jep përshtypjen se amerikanët e paskëshin vuajtur disi faktin se prezenca diplomatike amerikane në vendet ish-socialiste të kohës, do mund të perceptohej nga disa qarqe kritike, si heshtje apo aprovim i kolonializimit sovjetik nga ana e SHBA-ve, porse në fakt ky pretendim nuk ia kishte mbyllur atyre sytë në atë masë, sa të mos shihnin gjakftohtë favoret dhe efektet që mund të vinin nga një hap i tillë, edhe në lidhje me Shqipërinë e Bullgarinë.
Më poshtë po botojmë gjetjet më të rëndësishme të raportit në fjalë, bazuar në interesin e lexuesit shqiptar:
* *
Zhvillimet e fundit kanë treguar një masë të lartë stabiliteti relativ në lidershipin e regjimeve të të dyja vendeve dhe një konsistencë në marrëdhënie me Moskën. Pakënaqësia popullore e përhapur gjerësisht ekziston, porse në mënyrë pasive dhe dukshëm më pak akute se sa në vendet e tjera më të zhvilluara satelite. Një përmirësim i vogël është vënë re kohët e fundit në një situatë ekonomike të pakënaqshme në mënyrë kronike. Politika e SHBA përballë këtyre dy vendeve në mënyrë të qartë do të jetë ajo e përballjes me bllokun satelit. Objektivat e politikës amerikane mund të përmbushen në mënyrë efektive vetëm nëpërmjet rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Ndërsa reperkusione të vogla negative mund të ndiqnin nën rrethana të veçanta rivendosjen e tyre, do të kishte qenë jorealiste këmbënguja drejt një kursi me aksione të tipit “dhëmbë për dhëmbë” për Shqipërinë dhe Bullgarinë, që nuk aplikohen për Europën Lindore në përgjithësi. Vonesat drejt hapave që konsistojnë në rivendosjen e marrëdhënieve për shkak të një serie “situatash të përkohshme” në pjesë të tjera të globit, do të kishin qenë ekuivalente për të zeruar një vendim për të ndërmarrë hapa të tillë.
Duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike, kursi i aksionit tonë duhet të shkojë paralel me atë të ndjekur ndaj vendeve e rajoneve të tjera satellite si një i tërë, por me theks të veçantë në promovimin e marrëdhënieve më të mira me vendet fqinje që nuk janë nën dominimin sovjetik, duke thyer barrierat për të kontaktuar dhe influencuar në mënyrë indirekte nga bota e lirë.
Shqipëria dhe Bullgaria – Diferenca dhe përbashkësi
Shqipëria dhe Bullgaria, përtej diferencave të konsiderueshme mes tyre, kanë disa karakteristika të përbashkëta të cilat i dallojnë ata prej vendeve të tjera satelite sovjetike: Gjeografikisht, asnjëra prej tyre nuk ndan kufi të përbashkët me Bashkimin Sovjetik – një pozitë që në vendet e tjera të Bllokut e gëzon vetëm Gjermania Lindore, dhe në këtë rast, ajo është kompensuar në mënyrën më të madhe me prezencë trupash pushtuese ushtarake sovjetike. Asnjëra nga të dyja vendet fqinje me Shqipërinë, dhe vetëm njëri nga katër vendet që e rrethojnë Bullgarinë, janë nën dominimin sovjetik. Për më shumë, atje nuk ka njësi ushtarake sovjetike, megjithëse hasen shumë “këshilltarë” sovjetikë. Çekosllovakia ndan privilegjin e përmendur së fundmi, por në kontrast me to, rrethohet gjerësisht nga pushteti sovjetik.
Ekonomikisht, kulturalisht dhe në terma të popullsisë, këto vende janë më të voglat dhe më të prapambeturat e Bllokut, ku Shqipëria ka rreth 80% të popullsisë së saj fshatare dhe Bullgaria, rreth dy të tretat. Ekonomitë e tyre varen në një bazë të madhe nga kreditë që marrin nga BRSS. Të dyja vendet kanë një rekord të gjatë, që shtrihet në kohë, në marrëdhëniet e tendosura politike që kanë me fqinjët e tyre josatelitë sovjetikë. Qeveria shqiptare dhe populli shqiptar i janë frikësuar pushtimit nga Jugosllavia, Greqia apo Italia, dhe frika është akoma aktive në lidhje me me dy të parat. Minoriteti musliman shqiptar në Jugosllavi është një burim i shtuar për konflikte të mundshme. Marrëdhëniet e Bullgarisë me Jugosllavinë kanë qenë të ftohta, sidomos qysh prej dështimit të konceptit të Federatës të Sllavëve të Jugut në vitin 1948, dhe çështja maqedonase ka qenë një burim i vazhdueshëm acarimi mes tyre. Bullgaria gjithashtu ka një begraund me pretendime territoriale me Turqinë e Greqinë, megjithëse këto çështje nuk janë aktive për momentin.
Destalinizimi alla shqiptar dhe kolektivizimi bullgar
Në të dyja vendet, regjimet respektive komuniste ngjajnë të jenë ngulitur në mënyrë jashtëzakonisht vendimtare. Shqipëria i kushtoi pak më shumë se një makiazh me buzëkuq procesit të destalinizimit që pasoi Kongresin e 20-të të PK të BRSS. Bullgaria ka shkuar më tej në hapat e saj përsa i përket kolektivizimit agrikulturor se sa çdo vend tjetër satelit sovjetik. Nga ana tjetër, të dyja regjimet kanë qenë ndjekës jashtëzakonisht të zellshëm e konsistentë të politikave të bëra nga Moska. Ndërsa raportohet pakënaqësi, kjo me shumë gjasa është më pak intensive se sa në vendet e tjera më të zhvilluara të dominancës sovjetike, të cilat kanë lidhje më të forta tradicionale me Europën Perëndimore. Miqësia historike e Bullgarisë me Rusinë, është gjithashtu një faktor në këtë lidhje. Kështu që në raport me të dyja regjimet dhe popujt, tendencat drejt pavarësisë apo antagonizmi drejt BRSS, janë thelbësisht më të dobëta se sa në satelitë të tjerë, dhe në disa aspekte të kompensuar me marrëdhënie jo të mira me fqinjët e tyre më të afërt. Megjithatë, këto tendenca ekzistojnë si një potencial; dhe në asnjërin nga vendet forcat e armatosura nuk konsiderohen plotësisht të besueshme – përveçse trupat e sigurisë – megjithëse këta të fundit do të mund t’i rezistonin agresionit nga çdo vend ballkanik që ai të vinte.
Të vetmet shtete pa legata amerikane
Nga pikëpamja e marrëdhënieve me SHBA, Shqipëria dhe Bullgaria janë të vetmet shtete integrale në Europë (duke përjashtuar Gjermaninë Lindore) me të cilat ata nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një mision diplomatik jozyrtar në Shqipëri për një periudhë prej një viti e gjysmë, dhe legata në Bullgari ka funksionuar vetëm për dy vjet e gjysëm, duke mos futur këtu 19 vitet e e fundit para tyre.
Shqiptarët, bullgarët dhe Rusia
Shumica e karakteristikave të përbashkëta të listuara më lart, ushtrohen me një këmbëngulje e forcë më të madhe nga ana e Shqipërisë, se sa nga ajo e Bullgarisë. Shqipëria është një dorë të mirë më e vogël dhe më pak e populluar, më e prapambetur në çdo pikëpamje, më e izoluar gjeografikisht nga Moska, më staliniste dhe në marrëdhënie më të acaruara me fqinjët e vet. Etnikisht, populli shqiptar është i ndryshëm nga fqinjët e vet grekë dhe sllavë, ndërsa bullgarët në shumicën e vet, janë sllavë. Si pasojë ka një paragjykim antirus ndër shqiptarët, i cili është thuajse inekzistent tek bullgarët. Shqiptarët janë në 70% të tyre muslimanë, 20% orthodoksë dhe 10% katolikë. Religjioni për këtë arsye është një potencial më me peshë në Bullgari, megjithëse Kisha atje është e kontrolluar gjerësisht nga shteti.
Objektivat politikë amerikanë
Objektivat kryesorë politikë të SHBA kundrejt Shqipërisë dhe Bullgarisë do të jenë të njejtat sikurse kundrejt të gjithë rajonit satelit, konkretisht:
1. Në terma afatgjatë: përmbushja e të drejtave të popujve në të dyja vendet për të arritur të kenë qeveri përfaqësuese, të cilat bazohen në pavarësinë qeverisëse, ushtrimin e të drejtave kombëtare dhe pjesëmarrjen si anëtarë paqedashës në komunitetin e Botës së Lirë.
2. Në terma afatshkurtër: evolucioni paqësor i këtyre vendeve, së pari drejt pavarësisë kombëtare dhe së dyti, drejt lirive të brendshme.
Kursi i aksioneve
Është e dukshme se promovimi aktiv i objektivave politikë të listuara do të jetë një handikap vendimtar përsa kohë që nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike. Një farë ndikimi ndoshta do mund të ushtrohej nëpërmjet medias, në veçanti nga transmetimet radiofonike, apo në mënyrë indirekte nëpërmjet përfaqësive diplomatike në vendet mike. Por kjo do të jetë minimale. Ndërsa është e vërtetë se prezenca e misioneve diplomatike amerikane ka pak gjasë të ushtrojë një ndikim vendimtar në zhvillimet shqiptare apo bullgare, duket qartazi se ky mbetet i vetmi kanal, i cili mund të ishte vlefshmërisht efektiv. Në të gjithë rajonet e tjera të dominancës sovjetike, është marrë një vendim i ndërgjegjshëm për të mbajtur marrëdhënie diplomatike; dhe të njejtat argumente ngjan se do të shkonin edhe për Shqipërinë dhe Bullgarinë – e madje do të ishin pak më shumë të qëndrueshme për shkak të distancës më të madhe që këto rajone kanë nga qendra e pushtetit sovjetik. Në mbështetje të kësaj pikëpamje, arsyetimi i mëposhtëm, mund të ishte më i avancuari: Satelitët në Europën Lindore, me siguri se përfaqësojnë njollat më të dobëta në parzmoren e hegjemonisë sovjetike. Ankthi sovjetik ndaj kësaj zone është shprehur në mënyrë të vazhdueshme. Jugosllavia ka provuar si të mundshme pavarësinë e plotë për një vend ish-satelit. Polonia ka treguar se është e mundur madje edhe për një satelit të pushtuar sovjetik, për të ndërmarrë hapa drejt pavarësisë. Ndërsa koha shkon, ky trend avancon edhe më shumë, dhe mund të përfshinte edhe Shqipërinë dhe Bullgarinë. Një legatë amerikane në Sofie apo Tiranë, do të ofronte të paktën disa oportunitete për t’i ardhur në ndihmë këtij trendi, si dhe do të prodhonte informacione të nevojshme, të cilat ne, për momentin nuk i kemi. Përtej këtyre avantazheve praktike, simbolizmi i ndërthurur brenda aktit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mund të kishte qenë lehtësisht, dhe shumë lehtësisht i përfaqësuar si “ai i interesave amerikane dhe perëndimore”, dhe do të ndikonte duke u përhapur në Europën Lindore më shumë se sa ai i pranimit të heshtur nga SHBA për kolonializmin sovjetik. Ne tashmë kemi misione në Rumani, Çekosllovaki dhe Hungari, dhe askush nuk ushqen iluzione që të bëjnë të mendosh se me këtë hap, SHBA aprovojnë dominimin sovjetik.
No comments:
Post a Comment