2013-11-21

Poezi në " Floripress" nga Rita Petro

Please_leave44




Për ty

Me duart e tua prej burri
Më ke shtrënguar për krahësh
Dhe ke lënë atje
Shenjën e bardhë të gishtërinjve,
Me zjarrin e syve
Ma ke përpirë vështrimin
Në bebëzat e tua,
Me çmendurinë e ëndërrave të fundme
Më ke pështjellë në rrjetëzën e t yre.
Magjepsem dhe trembem
Prej fuqisë sate,
Me bisht të syrit kërkoj
Një shteg të lirë arratisjeje.
Ti më dnjen,
Zemërohesh dhe më lëshon
Krahëkëputur,
Por unë,
Pa bërë një hap prapa
Sulem e vetëpështillem
Mes fijeve të mëndafshta.

Më respekt për të dehurin

Ju lutem,
Më respekt për të dehurin
Më durim e tolerancë,
Nëse në majë të gjuhës
E keni fjalën: Ik pirdhu!
Thojani atë më mirë
Ndonjë kandidati per deputet
Në takimin e tij elektoral,
Apo ndonjë bejtexhiu
Që ju reciton vargjet e tij,
Ndoshta më mirë bashkëshortes
Që ju pret me të shara
Për këpucët me baltë ...
Por kurrë
Mos ia thoni një të dehuri,
Vështrojini sytë e tij
Gati sa nuk plasin
Nga vetmia,
Ai vuan nga të vërtetat
Qe do t’i thotë të gjitha
Por askush nuk e dëgjon,
Se ne njerëzit serioz
Ndihemi te qetë
Mes gënjeshtrash .


Strehëza e vetmisë sime

Të falem
O strehëza e mbretërisë sime!
I vetmi vend
Ku mund të rrish gjunjë më gjunjë
Vetëm për vetëm
Me vetveten
Dhe të ndihesh pa siklet
Frymën e saj jo aq të pastër
Që rikthehet tek ti.

Të gjitha lotët i mbledh
Në kupën e pëllëmbëve të mia,
Njom me to buzët e thara
Dhe mbaj vesh
Tingujt e një pianoje të vjetër,
I zoti ka vite që ka vdekur.
Strehëza ime
I ka muret prej pasqyre,
Ku mund të gjesh lakuriq
Katër vetvete të tjera
Në pozicione të ndryshme,
Që s'ti ndajnë sytë për asnjë çast/
E dëshiruar për përqafim
Zgjas krahët,
Mashtrohem prej reflekseve të argjendta,
Pasqyrat bien,
Copëzat e kristalit më ngulen në trup,
Rrjedhja e gjakut dhe dhimbja e mishit
Më kujtojnë se kam nevojë
Për ndihmën e tjetrit.

Kënga jonë

Si thua Shpirt, s'mund t'i lëmë këta vetëm
Por dhe ne vetëm nuk mund të rrimë.
Pa ta, ne s'mund të jemi Popull,
Pa ne, ata do t'i quanin Turmë.
Ne gjithnjë o Shpirt kemi qenë

Dhe do jemi me ta, këtu Poshtë
Ndoshta mund të ngjitemi dhe Lart,
Ku i dihet jetës; e bëjmë një betim.
Po ti i paske duart e zëna! Edhe unë!
Puthemi buzë më buzë dhe në
heshtje betohemi:
"Nëse ngjitemi ndonjëherë Lart
Do përpiqemi t'i dëgjojmë ata
Poshtë!"

Kënga Live

A e dëgjon Shpirt, këtu poshtë
këndohet,
Këtu poshtë njerëzit duan të
këndojnë
Me qirinj të ndezur apo duar të
ngritura lart,
Për t'i plotësuar, eja e bashkohemi me ta.
Këtu poshtë bën ngrohtë nga frymët,
Trupat e tyre janë të ngjitura e të puthitura fort
Nga dëshirat. Jo për seks, as për
lavdi,
Është diçka tjetër ... dëshira e
shpirtit ...
MUZIKA.


Më jepni bekimin tuaj


Të jesh flokëlagur nga shiu
Në qoshen gjysmë të errët të një lokali
Ngrohur nga fryma e pëshpëritjeve
E zëri i mbytur i një saksi,
Dhe të duash të rrëfehesh
Para njerëzve të tu më të dashur
Pa pritur çastin e vdekjes,
E t'u thuash
- Baba, ka shumë kohë që të kam tradhtuar!
- Burrë, ka ca kohë që të kam tradhtuar!
- I dashur, ka që dje që të kam tradhtuar!
Do të nisem nesër
Pa zbardhur drita
Esëll, me një çantë kryqëzuar krahëve,
Zbathur, me sandale kryqëzuar këmbëve,
Do të ngjitem në majën e atij mali të lartë
Ku jeton dhia e egër virgjëreshë,
-Ju lutem, më jepni bekimin tuaj!
(Dhe ata me siguri do ma japin
Se më duan shumë,
Por s'ditën të më mbajnë).


Lutje për atë që ikën
sipas lutjeve të
Nënë Terezës

Ndihmoje, o Zot
Atë që ikën
Ta marrë me vete kujtimin
Dhe atë që mbetet
Ta ruajë në vete kujtimin.

Ndihmoji, o Zot
Ata që ndahen
Që kur takohen
Mos shihen si dy të panjohur
Por të ndiejnë
Se nuk janë ndarë kurrë.


Mohim



A e keni parë
Apo e keni ndierë
Si kryqëzohet mishi me mishin
Pa ndihmën e sendeve
Të hekurta apo të drunjta?!
Një elektrizim natyral
I përshkon trupat e mishtë
Kur në brendësi të tyre
Derdhen trupat e lëngët
Dhe si në djegien e dy qirinjve
Që qëndrojnë pranë e pranë
Prej zjarrit të brendshëm shkrihen
E lëshohen te njëri-tjetri
Duke humbur me dashje
Formën e tyre.


Pohim


Maja e gozhdës
Ngulur në shpinën time
Pranë shtyllës tënde vertebrore
Arrin deri në shpinën tënde
Pa e dëmtuar palcën,
Kjo është dashuri
Në moshën madhore.


Ardhja e tij


Askush nuk beson më
Te rikthimi i Krishtit të Parë
Sidomos ata të vetëquajturit
shenjtorë,
Njerëzit kanë dymijë vjet
Që e përdhosin Krishtin
Dhe festojnë madhërisht
Datëlindjen dhe Datëvdekjen e tij,
Po unë që jam femër
Po aq shenjtore sa "virgjëresha" Mari,
E ndiej Frymën e Shenjtë
Që ma gërryen përbrenda trupin
Dhe ma përgatit mitrën
Për riprodhimin e ri.

E nëse askush nuk beson më
Në virgjëri,
Fara e Tij me siguri
Një ditë do të zerë
Nga seksi i një myslimani
Me një të krishterë.


A të kam thënë ndonjëherë


A të kam thënë ndonjëherë
Se dua të vdes në pranverë
Bashkë me ty,
Përkundur në një shtratlisharës
Varur në degën e një lisi plak,
Kur të mos kemi më fuqi për të
vrapuar,
Kur të mos kemi më fuqi për të
vallzuar,
Kur të mos kemi më fuqi për
aventura
Kur të mos mundim më ta bëjmë,
Vetëm dielli do të na i ngrohë fytyrat
Puthitur nga frymë e njëri-tjetrit...
Unë e kam provuar njëherë
Te kasollja në mal,
Sapo kishte shkrirë dëbora
Dhe pemët i kishin zënë ethet e pranverës;
Vdekja kishte shije eksituese
Të athët, si fryti ende i papjekur
(Apo më mirë t'i lëmë krahasimet romantike)
Si seksi yt.

Kulari me aromë parfumi

Prapa qafës tënde të fortë dhe të ashpër
Si qafa e demit
Kam lidhur duart e mia të brishta,
Dhe ti, që s’ke pyetur kurrë për zgjedhë
Rri tunduar në kularin
Me aromë parfumi.

O krenari mashkullore!
Ku vallë t’u tretën hapësirat e virgjëra,
Që ëndërrove t’u turreshe,
Gjak të pikonin prej teje.



Në muajin maj

Në natën e ngrohtë, në qiellin e lartë
Hëna seç mburret, me barkun e bardhë.

Poshtë në lëndinë, mbi barin e njomë
Vashë e dashuruar barkun zbulon.

Ca njolla të vogla mbi barkun e bardhë...
Ç’u çvirgjërua bota në muajin maj!



Besa

Ju betohem,
Nuk isha unë që e humba atë
Besa më doli e pabesë,
Nga shpirt
M’u shndërrua në Mish të Huaj
Brenda trupit.

Mjekët më këshilluan ta hiqja...

Tani kam në bark
Vragën e plagës së qepur,
Dikush thotë
Dukem më seksi.



Kafenë e pimë

Kafenë e pimë,
Llumi mbeti në fund të filxhanit.
Cigaren e pimë,
Hiri mbeti në llumin e kafes.
Fjalët i thamë,
Zëri mbeti në gotën e zbrazët.
Dashuri nuk bëmë,
Shpresa mbeti në fund të zemrës.



Tek grindemi

Tek grindemi
Ikim nga njëri-tjetri,
Tek ikim
Mendojmë si do të kthehemi,
Tek kthehemi
Dëshirojmë të falim,
Tek falim
Humbasim diçka nga vetvetja,
Tek humbasim
Fitojmë sërish njëri-tjetrin.



Liria!?

Kam mbetur në fillim të një rruge
Që s’i duket fundi,
Me lirinë e madhe
Në duart e mia të vogla.
Askush nuk më ka mësuar
Ç’të bëj me lirinë e tepërt...
Natën
E shoh veten në ëndërr
Të gozhduar në trupin tënd,
Në mëngjes arsyeja,
Djalli më i keq që krijoi Zoti,
Më thotë:
“Respekto lirinë tënde!”
“Respekto lirinë e tjetrit!”
Në djall liria jote!
Në djall liria ime!
Rroftë robëria e shpirtit!



Ne jemi dy gra që të presim

Ne jemi dy gra që të presim,
Ajo me sytë nga dera
Unë me sytë nga qielli,
Ajo shkon e vjen nga korridori në dritare,
Unë rrezikoj tek kapërcej trotuaret,
Ajo ta ndreq shtratin më mirë se gjithmonë,
Unë shkruaj vargje dhe në xhep i zhubros,
Ajo e shtron dhe e ngre tryezën
Kur e sheh që ti s’vjen,
Unë këpus gjethe dhe përdhe i hedh,
Ajo shkon te fqinja dyshimet të harrojë
Unë e di, atje së pari do të shkosh.

Veç nesër
Mëngjesi të ardhtë
Në formën e shëmbëllimit tim.



I burgosuri im

I burgosuri im i përjetshëm,
Në fshehtësinë më të thellë
Të zemrës sime të kam futur,
Që drita e diellit të të hyjë
Përmes syrit tim,
Zemërimi i qiellit të të trondisë
Përmes drithërimës sime,
Vërshimi i ujërave të të ripërtërijë
Përmes gjakut tim.
I burgosuri im i përjetshëm!
Unë s’dua t’ia di Në më do
A më mallkon ti,
Veç në ndodhtë që trupi të më vdesë,
Je i lirë
Bashkë me shpirtin tim
Të fluturosh në qiell.



Hakmarrje fëmije

Kllounin prej lecke e përqafoj fort
Ia laj faqet e pista me lot
E puth në buzët prej kadifeje të kuqe,
Ia hap krahët dhe i vë rreth qafës sime,
E detyroj të qëndrojë mbi këmbët
Mbushur lecka e pambuk,
Po ai si një i dehur lëkundet andej-këtej,
Prej qafës së hollë koka i bie në gjoks,
Në vend të më mbajë, më lëshohet në këmbë.
Unë fëmija i zemëruar
Ia shkul fijet e flokëve një nga një,
Ia tërheq krahët anash me forcë,
Prej trupit këmbët ia gris,
Nga barku i nxjerr gjithçka ka brenda,
S’ngopem e s’ngopem së bëri çika
Viktimën – plaçkë...
Kur lodhem,
E kundroj me duart në mes, fitimtar:
“Guxo të mos më duash prapë!”



Shija e instinktit

Majën e gishtit e ngula
Në zemër të asaj mase të mpiksur
Të kuqtë. U ça u fry
Të bardhën përgjaku
Me majën e gjuhës e lëpiva
E thitha me buzët e etura
Çika- çika e bëra të bardhën
Në dhëmballë
Derisa s’mbeti asnjë shenjë
Në pjatë nga veza syzë.



Kënga e natës

A do vish të shkasim
Në qetësinë e natës
Në lumin e zi
Që të çon te shpella
Ku jeton kuçedra?

Ajo është me barrë
Dhe do pjellë
Shtatë kuçedra të vogla
Që ushqehen me flakëza dashurie
Nga shtatë gojët e mëmës.

A do vish i dashur?
Ajo na pret.
Thotë se qyteti
Do mbetet pa ujë
Po nuk hëngri një çift dashnorësh.

Askush s’po i del për zot dashurisë,
Po ti?!



Deri në kockë

Ditët që jemi bashkë janë të rrezikshme.
Mishin e hamë deri në kockë
E thithim atë sa të arrijë në palcë,
Verën e zgjedhim të kuqe, e pimë me fund
Derisa të arrijë në tru,
Cigaren e thithim thellë
Derisa mushkëritë na mbushen plot tym,
Kafen e pimë të shkurtër
Aq sa të shkojë drejt e në zemër,
Dyshekun e zgjedhim me elasticitet të fortë
Që lëngjet të derdhen në brendësi... thellë.

Ditët që jemi bashkë janë fort të rrezikshme
Deri në kockë të shijshme...



Rikthimi i Rita Petros me  Shijen e instiktit  në gjuhën frënge

Rita Petro (Filipi) ka lindur në Tiranë më 13 mars 1962. Në vitin 1980-1984 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
Më 1993 është specializuar në Universitetin e Athinës për Filozofi dhe Kulturë Greke. Që prej vitit 1985 deri në vitin 2000 ka punuar redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe është aktivizuar në shumë grupe pune për programet, standartet, trajnimet që lidhen me lëndën e gjuhës dhe të letërsisë në shkollë.

Rita Petro është bashkëautore në gjashtë tekste shkollore, redaktore e disa prej teksteve kryesore të letërsisë që përdoren aktualisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni si dhe themeluese e revistës mujore për fëmijët "Alba" që shpërndahet në të gjitha këto treva.

Si poete Rita Petro ka botuar dy vëllime me poezi, të cilat janë vlerësuar nga kritika letrare:

Vargje të përfolura (1993)
Shija e instiktit (1998)
Këtu poshtë këndohet live(2002)

Etj.

Në vitin 1999 ka fituar çmimin "Onufri" në Ditët Poetike të Verës, Elbasan. Që prej dy vjetësh (së bashku me z. Latif Ajrullain) drejton Shtëpinë Botuese "Albas" me qendër në Tiranë dhe Tetovë e cila si politikë botimi ka librat shkollorë.


http://www.youtube.com/watch?v=F8lHxR67wqk&feature=endscreen&NR=1

Poetja Rita Petro përfaqësoi Shqipërinë në “Zërat e Mesdheut”, festivali francez i poezisë bashkëkohore. Të botuara 15 vjet më parë, vargjet e saj ruajnë akoma guximin për t’u shprehur lirisht mbi botën intime
“Shija e instiktit” dhe “Këtu poshtë këndohet live”, dy libra peotikë të Rita Filipit, patën jehonë në kohën e botimit 15 vjet më parë, për lirinë dhe guximin për të shprehur intimitetin dhe sensualitetin. Të përkthyer në gjuhën frënge, cikle nga këta libra Rita Filipi i prezantoi në festivalin francez të poezisë bashkëkohore “Zërat e Mesdheut” në Lodev.

E shkëputur nga poezia dhe botimi i letërsisë, Rita e përjeton leximin në hapësira publike dhe për një publik të huaj si rikthim te ajo që ka qenë dikur.

Jeta në poezitë e Rita Petros është ndeshje me mënyrat tradicionale të të jetuarit dhe me hapësirat e ngushta që i është lënë fjalës për të përcaktuar botën intime dhe veçanërisht atë të të dy sekseve.

Kontakti me lexuesin në Lodev e nxiti të përgatisë vëllimin e ri për pananrin e vjeshtës. Tani ndjen se poezia e saj ka ndryshuar.

“Zërat e mesdheut” që ka arritur në vitin e 16-të ka patronazhin e UNESCO-s për vlerat e kulturave të lashta mesdhetare që përzihen në Lodev. Shqipëria dhe Kosova janë përfaqësuar deri dje nga të njëjtët poetë. Respektivisht këtë vit nga Rita Petro dhe Ndriçim Ademaj, ndër 150 artistët pjesëmarrës, muzikantë, artistë pamorë.


Rita PETRO

Rita Petro (b. 1962), also known as Rita Filipi, was born in Tirana and studied Albanian language and literature at the University there from 1980-1984. She thereafter worked in the publishing industry in Tirana. In 1993 she did post-graduate studies at the University of Athens.

Petro's verse, some of which was daringly erotic for post-Stalinist Albania, has appeared in three collections (published under her former married name Filipi): Vargje të përfolura (Defamed Verse), Tirana 1994; Shija e instinktit (The Taste of Instinct), Tirana 1998, and Këtu poshtë këndohet live (They're Singing Live Down Here), Tirana 2002.

Floripress:Flori Bruqi

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...