Po mbushen plot 20 vjet nga zhdukja enigmatike e pilotit dhe instruktorit të pilotimit të aeroplanëve luftarakë, Sinan Abedin Vitija (1.05.1961) nga Konjuhi i Lipjanit me banim në Zarë dhe me shtetësi kroate.
Kapiteni i klasit të parë të aviacionit luftarak në ish Jugosllavi, më 1986, në aferën e mirënjohur të KOS-it (shërbimit ushtarak të kundërzbulimit), Sinan Vitija, ka qenë një ndër ata oficerë shqiptarë të keqtrajtuar dhe persekutuar në ish APJ, bashkë me shumë të tjerë,-si Rrahim Ademi, Skender Hasimi, Ahmet Krasniqi etj.
Në momentin e shpërthimit të konflikteve të ish Jugosllavi, Sinan Vitija ka bërë kërkesë zyrtare për demobilizim nga APJ, mirëpo ligjet nuk i kanë mundësuar këtë kur vendi ishte në gjendje lufte.
Sinani ka gjetur mënyrë për të braktisur ushtrinë dhe i është bashkangjitur forcave çlirimtare kroate. Për mbrojtjen e Zarës, Sinan Vitija ka formuar një njësitë ushtarak shqiptar, të cilin e kanë emëruar “Skenderbeu”, duke u emëruar komandat i atij njësiti. Ky njësit i është bashkangjitur Gardës kroate për mbrojtjen e Zarës. Për këtë dëshmon edhe “Deklarata solemne” që është dhënë pranë Shtabit të Krizës, në fshatin Përkos, më datë 11.02.1992. Ka marrë pjesë aktive në çlirimin e urës së Maslenicës, që lidhte Dalmacinë me pjesën tjetër të brendisë së Kroacisë (që është një ngjarje e veçantë për Sinanin dhe njësitin e tij shqiptar). Pas përfundimit të Luftës në pjesën e Zarës-Dalmaci, Sinan Vitija për një kohë demobilizohet, për t’iu përkushtuar familjes, bashkëshortes Sevdije dhe fëmijëve: djalit Fisnikut (lindur më 4 dhjetor 1988) dhe vajzës Fatbardhës (1 gusht 1991). Mirëpo, për shkak të gjendjes shëndetësore, shkon për kurim në Gjermani.
Ditën kritike, me 28 nëntor 1993, ai zbret në aeroportin “Petrovec” të Shkupit. Ai vjen me linjën e rregullt të fluturimit nga Gjermania. Zbritjen e tij në aeroport e ka konfirmuar vëllai Hashim Vitija.
Po të njëjtin pohim e ka bërë më 1996 ministri i MPB-së, Tomislav Cokrevski, në pyetjen e deputetit të atëhershëm Nazmi Maliqi. Nuk ka asnjë dilemë se Vitija ka qenë në duar të policisë maqedonase. Nga pohimi i ministrit Cokrevski, nuk ka dilemë se ai i është dorëzuar organeve policore serbo-jugosllave pa asnjë procedurë dhe asnjë vendim valid të mbështetur në dispozitat ligjore në fuqi në Maqedoni, ose duke iu referuar marrëveshjeve ose konventave ndërkombëtare. “Arsyetimi” i përgjigjes me shkrim që lëshon MPB-ja, e nënshkruar nga ministri Cokrevski ka qenë se “është konstatuar se pasaporta e Sinan Vitisë ka qenë e falsifikuar dhe pasi ai ka qenë shtetas i Serbisë, i është dorëzuar organeve policore serbe pa asnjë protokol të nënshkruar apo depozituar!
Ekspertë të kësaj lëmie thonë së ky dorëzim konsiderohet i kundërligjshëm, duke lënë hapësira për tu diskutuar nëse pas këtij ekstradimi fshihet diçka tjetër. Megjithatë rasti bëhet i qartë pasi autoritetet kroate konfirmojnë se pasaporta me të cilën ka udhëtuar Sinan Vitia ka qenë e rregullt dhe se ai ka qenë shtetas kroat pa asnjë shtetësi tjetër.
Është fakt se Sinan Abedin Vitija ka qenë në kërkim nga organet policore dhe ushtarake serbe, me status të dezertorit të luftës. Po ashtu, është thënë se ai është mbajtur katër ditë në paraburgim ushtarak në Prishtinë. Prej aty është “përcjellë” në Nish. Prej Nishit humbet çdo gjurmë e tij! Ka thashetheme se është dërguar në “CZ” (burgu qendror”) në Beograd, por këtë askush nuk e konfirmon.
Dilemat e shumta kanë qenë dhe janë: Mbi bazë të cilëve kritere, konventave apo dhe dispozitave ligjore, shtetasi kroat i dorëzohet organeve serbe, kur dihet se ai nuk është shtetas i Serbisë? Pse kanë vepruar organet policore kësisoj dhe cili është motivi?
Mbase kooperimi dhe marrëdhëniet “aq të mira” të ministrit të atëhershëm të MPB-së, Lubomir Frckovski (ministër i Brendshëm 1992-1996), me organet policore serbe, duke ditur se çka përjetojnë të gjithë ata që kanë reputacionin e luftëtarit kroat kur bien në duart e organeve policore serbe, Vitija i dorëzohet Serbisë pa procedurë zyrtare konform normave ndërkombëtare.
Habitë edhe indiferenca shumëvjeçare e vetë shtetit kroat dhe shoqatave të luftëtarëve të dala nga lufta; habitë sjellja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni dhe Kroaci; habitë sjellja e Shoqatës së viktimologëve botëror (kryetar i së cilës një kohë të gjatë ishte akademiku Zvonimir Separovic nga Kroacia); habitë fakti i sjelljes indolente të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar...
Kryetari i të gjitha shoqatave të luftëtarëve në Kroaci, koloneli Ivan Grujic, që merret me këtë problematikë, sidomos për të zhdukurit gjatë luftës në Kroaci, pas kontakteve të shumta është prononcuar se nuk ka asnjë njoftim për Sinan Vitinë. Po nga kjo Zyrë (shoqatave për personat e zhdukur në Zagreb), Zdenko Ognjencic, gjatë kontaktit të fundit u shpreh: “Ka kaluar kohë e gjatë nga zhdukja, preferoj, dhe është e mirëseardhur që familjarët e Sinan Vitisë, vëllezërit, bashkëshortja dhe fëmijët të ndihmojnë në identifikimin e kufomave nga varrezat e shumta në Kollubarë, Padinska Skelë, Mitrovicë, Batajnicë, Ovçar etj. duke dhënë materiale për analizën e ADN-së”.
Megjithatë, ndër ata që janë përpjekur për të ndihmuar në rastin e Sinan Vitisë, duhet përmendur ish shefin e Akademisë së aviacionit në Zarë, gjeneralin tashmë të ndjerë, i cili ndërroi jetë në shkurt të këtij viti, Imra Agotic (Vitija ishte specializant i tij). Përpjekjet e tij të pareshtura, megjithatë nuk e sollën Sinanin!
Bashkëshortja e tij, Sevdije Vitija (Sadriu), që edhe sot e kësaj dite jeton në Zarë, gjatë tërë këtyre viteve është ballafaquar me sfida të shumta që sjell ironia e jetës. Jeton me ndihmë minimale sociale, pa iu njohur e drejta e pensionit të luftëtarit të lirisë së luftës në Kroaci.
Tani, edhe pas 20 viteve fati i Sinan Vitisë mbetet i paqartë. Është së paku humane nga të gjithë që të ndihmojmë në zbardhjen e rastit të tij.