Dr. Irena Gjoni
kumtesë “përfaqësimi i letërsisë shqipe sot në tekstet e letërsisë në gjimnazet shqiptare”
(Mbajtur në Sesionin letrar “Si trajtohet letërsia shqipe sot?” Si pjesë e Festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” Prizren, më 10-11 qershor 2011).
Në këtë Sesion ishin kumtesat:
Akad. Rexhep Qosja, Letërsia-e vlerësuar a e shpërfillur?
Prof. dr. Agim Vinca, Statusi i letërsisë shqipe sot
Dr. Irena Gjoni, Përfaqësimi i letërsisë shqipe sot në tekstet e letërsisë në gjimnazet shqiptare
Dr. Arben Hoxha, Gjendja e letërsisë shqipe sot: një përfundim i pritur apo një fillim i ri?
Rushit Ramabaja, A u duhen shqiptarëve shkrimtarët?
Kur mësova për tematikën e këtij Sesionit letrar “Trajtimi i letërsisë shqipe sot”, më vetëtiti pyetja: sa është e përfaqësuar institucionalisht letërsia shqipe sot? Një nga hallkat më të rëndësishme të këtij përfaqësimi, janë programet e letërsisë në sistemin parauniversitar shqiptar, por sidomos në gjimnaze. Këto plan programe janë hartuar dhe miratuar nga Ministritë e Arsimit përkatëse. E shoh si një element nevralgjik, pikërisht këtë etapë, për faktin sepse:
1.është kjo moshë që konsiderohet më aktive për lexim,
2.është e detyruar të njihet me veprën e plotë të autorit që është në këto tekse shkollore dhe jo vetëm me fragmente
3. është një lexues më masiv, se sa ata që në një të ardhme do të zgjedhin për profesion letërsinë
4.është mosha ku kultivohet shija dhe orientohen drejt vlerave të vërteta në letërsi duke përgatitur lexuesin e ardhshëm cilësor. Deri në periudhën e pasluftës, përfaqësimi i letërsisë shqipe nuk është ngushtësisht e kufizuar, por relativisht e evidentuar sipas konceptit të Goethe për WELTLITERATUR. E perifrazuar në kontekstin tonë kombëtar, si panteoni i veprave të mëdha, të konsideruara si pronë e përbashkët e gjithë shqiptarëve (gjithë njerëzimit sipas Goethe). Megjithatë, problematika më e madhe e përfaqësimit në mënyrë institucionale në tekstet e letërsisë të gjimnazeve, është ajo që studiuesit e kanë quajtur konvencionalisht, letërsia shqiptare bashkëkohore.
Në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri, funksionon paralelisht si gjimnazi katërvjeçar dhe ai trevjeçar. Në sistemin katërvjeçar, i cili është në përmbyllje këtë vit akademik, përfaqësimi i letërsisë pas vitit 1944 e deri në vitin 2010, është si vijon:
Viti i parë: Vetëm Ismail Kadare me romanin “Kronikë në gur”
Viti i dytë: Poezia bashkëkohore: Ismail Kadare me “Ky dimër” dhe “Kinema e vjetër”, Martin Camaj me “Korbi” dhe Dritëro Agolli me “Pelegrini” dhe “Kur të jesh mërzitur shumë”. Ndërsa proza bashkëkohore me: Petro Markon “Nata e Ustikës”, Jakov Xoxe “Lumi i vdekur”, Ismail Kadare me “Ura me tri harqe”, Dritëro Agolli me “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Anton Pashku “Kulla”.
Viti i tretë: Asnjë përfaqësues.
Viti i katërt: Petro Marko me “Hasta la vista”, “Nata e Ustikës”, Martin Camaj “Një ditë e ka dhe korbi”, Dritëro Agolli “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Ora e gurit”, Ismail Kadare “Kush e solli Doruntinën”, “Kristal”, Jakov Xoxa me “Lumi i vdekur” dhe Ali Podrimja me ”Vrima e parë e fyellit tim”, “Me jetue”, “Bukuria”.
Pra pa riciklimin spiral, janë vetëm 7 autorë perfaqësues të gati 70 viteve letërsi mbarëshqiptare: Ismail Kadare, Petro Marko, Dritëro Agolli, Martin Camaj, Anton Pashku, Ali Podrimja dhe Jakov Xoxa.
Në sistemin trevjeçar, përfaqësimi është si vijon:
Klasa e dhjetë: Ismail Kadare me “Ura me tri harqe”, Martin Camaj “Një ditë e ka dhe korbi”, Dritëro Agolli me “Pelegrini” .
Klasa e njëmbëdhjetë: Ismail Kadare me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Azem Shkreli me “Në vend të përshëndetjes” dhe Kasem Trebeshina me “Tiranozauri” (Dramë).
Klasa e dymbëdhjetë: Ismail Kadare me “Nënpunësi i pallatit të ëndrrave”, Anton Pashku me romanin “Oh” dhe Martin Camaj me poezi.
Sërisht 6 autorë që do të vazhdojnë të qëndrojnë për kushedi sa vite e dekada sepse posa janë aprovuar si programe në këtë sistem të ri. Por si paraqitet situata në gjimnazet e Kosovës? Letërsia shqiptare e pas vitit 1944 trajtohet vetëm në klasën e dymbëdhjetë si te gjimnazi i shkencave shoqërore, si te i shkencave natyrore, po kështu edhe te gjimnazi informatikë e matematikë dhe te gjimnazi i gjuhëve. Esat Mekuli poezi të zgjedhura, Anton Pashku Tregime, Ismail Kadare “Pallati i ëndrrave”, Dritëro Agolli poezia dhe proza socrealiste, Kasem Trebeshina “Stina e stinëve”, “Odin Moldvalsen”, Ali Podrimja “Lum Lumi”, Azem Shkreli poezi. Pra vetëm 7 autorë. Në këtë panoramë, ajo që të bie më tepër në sy, është fakti që: Pavarësisht nivelit të përfaqësimit, ajo konsiderohet letërsi shqipe, pa i dhënë rëndësi se ku krijohet gjeografikisht brenda kufirit zyrtar, ose jashtë tij. Në ndryshim nga programet e mëparshme ku studioheshin të ndarë letërsi shqipe, letërsi kosovare etj.. Sipas Chevrel, letërsi, gjuhë dhe kulturë janë nocione që nuk kanë saktësisht të njëjtën vlerë dhe nuk përputhen plotësisht.[1] Megjithatë kjo është kapërcyer duke i dhënë përparësi lëvrimit të letërsisë në gjuhën shqipe, pavarësisht në krijohet në Shqipëri, në Kosovë, në shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë, tek arbëreshët e Italisë, në Arbnesh (në Bregdetin Dalmat pranë Zarës), apo ndër shqiptarë në diasporë nëpër botë. Çdo fenomen letrar është e duhet trajtuar si përfaqësues i së tërës. Unë evidentova konkretisht vetëm tekstet e letërsisë në gjimnazet në Shqipëri e Kosovë, por e njëjta situatë në mos më keq, është edhe në vende të tjera shqipfolëse. Po cilat janë disa nga mangësitë më evidente që ndërkohë po i shtroj edhe si pyetje? A ka ardhur koha e një unifikimi të paktën të teksteve të letërsisë, kudo në shkollat ku mësojnë shqiptarë? Pse në këto tekste aktuale integrimi letrar le për të dëshiruar? Përse gjimnazisti i Shqipërisë nuk duhet të njihet me personalitete të letrave shqipe si: Rexhep Qosja, Agim Vinca, Adem Demaçi, etj.? Apo gjimnazistët e Kosovës me Fatos Arapin, Xhevair Spahiun etja Visar Zhitin? Ndjesë për pamundësinë për të përfshirë dhe shumë autorë të tjerë të rëndësishëm në gjithë arealin letrar mbarëshqiptar.
Përse në tekstet shkollore nuk ka asnjë përfaqësues të letërsisë të formuar ne këto 20 vite pas ’90 edhe pse emra si: Agron Tufa, Ervin Hatibi, Salajdin Salihu, Ardian Kristian Kyçyku, janë ose jo në tekstet shkollore, e kanë krijuar bindshëm profilin e tyre artistik?
Përse në tekstet shkollore nuk ka asnjë poete a prozatore përfaqësuese femër gjatë gjithë historisë së letërsisë shqiptare? “Gratë janë dështimi im, kontinenti i errët për thellësinë e të cilit nuk mund t’ju them asgjë”. Ky ishte përfundimi i dëshpëruar i psikanalistit Frojd në fillim të shekullit XX. Me gjithë këtë pohim, përsëri psikologjia femërore është bërë shpesh objekt jo vetëm i psikanalizës, por edhe i letërsisë. Ashtu si edhe vetë letërsia është “zotëruar” fuqishëm nga shumë autore femra. Edhe pse gjithmonë kam qenë e mendimit se letërsia nuk njeh gjini, trajtimi i kësaj teme në këtë kumtesë nuk duhet parë si i tillë, pra si një ndarje gjinore në letërsi. Por si një fakt që ato autore femra kanë lënë gjurmë të padiskutueshme në letërsinë shqipe si: Flora Brovina, Musine Kokalari, Mira Meksi, Luljeta Lleshanaku, Flutura Açka, Elvira Dones etj..
Por ajo që ende ka mbetur e mjegullt, është kriteri mbi të cilin ndodh përzgjedhja e autorëve që konsiderohen përfaqësues të letërsisë shqipe. Po kështu edhe fakti që përse të njëjtët autorë duhet të rimerren për tu studiuar në çdo klasë të gjimnazit.
Duket sikur ka një tendencë përjashtuese në gjithë këtë areal të pasur letrar dhe gati një si prerje me thikë e zhvillimit të letërsisë në një pikë të caktuar. Vërtet duhet patur parasysh krijimi i panteonit për periudha të përmbyllura, por më tej ekziston frika se letërsia shqiptare sot të zvogëlohet në disa tituj e autorë të zgjedhur sipas kriteresh pak të qarta, që në të vërtetë e tkurrin në një listë të ngrirë siç vihet re në këto tekste aktuale të letërsisë. Shumica e pyetjeve që parashtrova më sipër dhe që përbëjnë thembrën e Akilit, është e lidhur me zhvillimet e 20, 30 viteve të fundit sepse janë autorë që e kanë jetën e vet letrare si para dhe pas viteve ’90 të shekullit të kaluar deri tani, ose janë të formësuar brenda kësaj periudhe. Të gjithë këta krijues perceptohen si pjesë e një kulture moderne të vetëndërgjegjshme, subjekt i një ndryshimi konstant socio-historik. Pra ashtu si çdo evoluim historik i trevave shqiptare është pasqyruar në tekstet e historisë, diçka e tillë duhet të ndodhte edhe në letërsi.
Është një problem më vete pastaj nëse do të konsiderohet: Si vazhdim i letërsisë së traditës. Si avangardë që në thelb ka “opozicionin kundër strukturave estetike dhe përgjithësisht atyre kulturore ekzistuese”. Apo si një risi në procesin letrar shqiptar.
Dhe realisht sot ka një kontradiktë shumë evidente: Nga një anë kemi një masivitet botimesh ku vërehet mes tyre edhe një stad i lartë i të shkruarit ku eksplorohen mundësi për të krijuar forma të reja arti dhe gjuhe të cilat formësojnë mënyra të reja të perceptimit, të shprehjes dhe të veprimit në letërsi dhe nga ana tjetër, nuk pranohet institucionalisht evoluimi i letërsisë, dinamika e saj duke u pasqyruar në tekstet e letërsisë së gjimnazeve.
Në këtë 20 vjeçar krijimtaria e realizuar nga krijues të formuar në këtë periudhë, në veçanti në poezi, kanë pasur një prirje atakuese me traditat e mëparshme. Profesor Ymer Çiraku në shkrimin “Poezia e gjysmës së dytë të shekullit XX si hierarki vlerash”, në lidhje me pohimin e mësipërm shprehet: “Që poezia është atakuese me traditat e mëparshme, mund të ngjajë si herezi, por në fakt është e kundërta. Në letërsi kundërshtitë e mohimet normale krijuese janë shenja më e mirë se kemi të bëjmë me një proces letrar në vazhdimësi, që nuk ka ngrirë. Që nuk është bërë muzeal.”[2]Dhe kjo vlen jo vetëm për poezinë, por për çdo gjini e lloj letrar në letërsinë shqipe.
Dhe të gjitha këto pyetje , gjithë kjo problematikë që parashtrova më sipër, konvergojnë në një definicion: që ka ardhur koha e rihistorishkrimit letrar shqiptar që “Çezari të marrë atë që i takon Çezarit”.
_________________