2013-11-21

Meditime rreth krijimtarisë së poetes së njohur Rita Petro


NJË SAFO NË POEZINË SHQIPE

(Meditime rreth krijimtarisë së poetes së njohur Rita Petro)

Skifter Këlliçi

Nuk besoj se lexuesit e këtyre meditimeve që po parashtroj, të mos dinë se Safoja ka qenë një poete e shquar liriko-erotike e letërsisë së lashtë greke,që ka jetuar në shekullin e VI para erës së re. Siç thekson dhe studiuesja e njohur italiane, Xhuliana Lamata, “Safoja na ofron një pamje të thjeshtë, por plot pasion të ndjenjave lirike të ekuilibruara, por intriguese, ku dashuria ka rol të një protagonisteje me një sërë reflektimesh psikologjike, në të cilat kujtimi dhe analiza e ndjenjave na dhurojnë atraksione të reja”. Nga ky përcaktim për Safon e poezisë antike, hidhemi te vlerësimi që profesori dhe studiuesi i shquar i letërsisë së huaj, Muzafer Xhaxhiu u bën vëllimeve poetike “Vargje të përfolura”, ”Shija e instinktit” “Këtu poshtë këndohet live” të Rita Petros: “Erotizmi nuk është thjesht dukuri intime, personale;ai lë hapësirë dhe rezonancë filozofike etike dhe sociale,sepse në qendër të shqetësimeve të poezisë së Rita Petros është njeriu më botën e tij shpirtërore, me virtytet dhe mëkatet e tij, me idealizimin dhe voluptuozitetin e tij”.

Për të argumentuar këtë përcaktim të vlerave të krijimtarisë poetike të Ritës, po u ofroj lexuesve poezinë e mëposhtme me titull “Gjithçka timen”: U zhvesha,/Nga xhaketa me vata,/Supet m’u ulën paksa,/Nga këpucët me taka,/Thembrat më zbritën në tokë,/Nga fustani,këmisha, getat,/E gjithçka e tepërt mbi trup,/Nga unazat,varësja,vathët,/E çdo gjë e florinjtë,/Nga tualeti,kurora,karficat,/Flokët m’u derdhën mbi shpinë./Me pakës ndrojtje,/Gjithçka timen,/E futa në shtratin tënd”. (...)

Kritiku dhe studiuesi Ymer Çiraku shkruan kështu për poezinë e Rita Petros: “Poezia e Ritës është si kthim në një klithmë. Kjo poezi karakterizohet nga lakonizmi si vlerë estetike dhe nga ritmika herë e përmbajtur dhe herë e rrëmbyer. Në poezitë e saj ka zbulime të nënvetëdijes, të cilat ajo i derdh në vargje delikate dhe elegante, që nxjerrin thelbin e një individi që shqetësohet nga ekzistenca natyrale”. (...)

Nga sa shihet poezia e Rita Petros nuk është thjesht erotike, por ka edhe nuanca filozofike. ”Ajo filozofon,-shkruan shkrimtari dhe poeti i njohur Visar Zhiti, jo për t’i komplikuar gjërat, por për t’i thjeshtuar. Ajo jo vetëm i njeh,por por i ndjen limitet, pa rënë kurrë në pesimizëm, pa u bërë snobe….Poezia e Ritës është humane, aspak cheloze dhe njëkohësisht një urim permanent që “mëngjesi të vijë në formën e një shëmbëllimi të saj”. (...)

Një paradite, të mos gaboj të vitit 1993- përurimi i vëllimit të saj të parë poetik në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, ato vlerësime, si disa nga ato të cilat rreshtova më lart, pastaj falenderimi i saj si zog i trembur, ngaqë që nuk e pandehte një pritje të tillë, fjalët e mbylljes së takimit të shqiptuara nga Bardhyl Londo: ”Nëse poezia shqiptare do të ndahej në një kategori të tillë që të quhej poezie e shkruar nga femrat dhe meshkujt, Rita Petro pa dyshim do të renditej midis dy- tri emrave më të spikatur të saj”.

Duke mbyllur këto meditime dua të vë ne dukje edhe një dukuri: Rita nuk shkruan vetëm vargje liriko-erotike ,por edhe familjare, edhe politiko-shoqërore. Dhe me domethënie të madhe si kjo poezi me titull “Ngjyrat”:
“Jetojmë në një botë,të përzier ngjyrash, Ku nuk gjenden ngjyra të kulluara,të pastra, Ato ekzistojnë vetëm në Parajsë. Ndonjëherë pas shiut, Zoti na shfaq në qiell ca shenja ylberesh, për të na treguar se ngjyrat janë kaprico e tij. Ne si për inat, Jetojmë bardh e zi. Dhe a nuk është vërtetë se jetojmë të zhytur më këto ngjyra, me shpresë se atyre do t’u shtohen ngjyra të tjera të ylberit?…

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...