Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për arsye shëndetësore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh për arsye të shkurtimit t'organikës kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi (po për arsye biografie) dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull “Piktor” dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti kam në dorë edhe një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun këtu në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.[1]
Burimet:
^ Melbourne, korrik 2010. Autobiografi nga Fritz Radovani.
PJESA I
Një monument nën dhe
At Maté Prennushit O.F.M.
Në prag të 100 vjetorit të Meshtarisë, që, me guxim e nderë iu kushtue Atij Ideali
për Fé e Atdhé e, pa i shkrepë qerpiku..... VDIQ SI ME LÉ!....
Autori
Melbourne 2004, Janar 6
Parathanje
"As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se,komunistët janë veç trathtarë!..."
Don Lazër Shantoja
Shkodër, Sheldijë, 26 Janar 1945
Në sistemin komunist një rrashtë e shprazun nga armët trofé e, në ballë e shkrueme me gjakun e saj fjala "çlirim",ka ma shumë vlerë,se një kokë e skalitun,me I d e a l i n:
F é, A t d h é, P ë r p a r i m.
Melbourne, 2002
Autori
PJESA I
NUK DUE ME E BESUE!
Nën rêtë e zymta si futa të shoh vetëm Ty! .Mbajtë me dy pyka
që tokën e kanë plasë. Ujt' e zi rrëkajë shkon n'për të thyemet e
gollëve të saja.
Prej majës së malit, atjé në kupë të qiellit rrokullisën
gurë e, në tëposhtë nëpër kalldrame përplasën tue sjellë me vedi
gjamë, ushtim' e rrënim, ashtu si lumi i rrëmbyeshëm e i harlisun që
përmbytë pa mëshirë të pambrojtunit e shkretë...
As diell, as hanë nuk shoh, veç rrëfé që shkrèp pa dá e natën
ditë ma ban...
... Sa me të pa Ty!...
... N' dy druj tërthuer që më shndritë ...
... Lavdi e thurun në ferra!...
Tèj për tèj ku eshtnat lidhën dy e, dhimbja në shpirt të
piskatë ...
... Aty, të kanë mbërthye ...
A THUE EDHE TY TË KANË GOZHDUE SHQIPTARËT!?
Padova, Tetor 1995.
Tiranë, 13 Tetor 1943,Ora 13.13'.
SHTËPIA NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS.
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti.
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit,
e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e
trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e
dritare. Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e
avionëve anglezë, që pa pikë mëshire, hidhnin bomba mbi krenat tonë,
që nuk merrnim vesh asgja se çka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu
si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me
kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në
podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue
në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu.e
nuk di gja ma gjatë..veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe,
i shtrimë ndër pllaka të korridorit, përballë derës kryesore të
hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet
të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n'atë lamë gjaku, tue
thirrë: "BABË , ÇOU!"
Prej skeçes së një bombës, që ra në oborr dhe hyni nga
dritarja në gjysmën e shkallave dhe preku anën e djathtë të ballit të
tij, tue përshkue trunin, e tue dalë mbas veshit të majtë (si më
tregonte nana ma vonë), kishte marrë fund gjithshka.
Nana vërriste me një britëm kushtrimi: "Kuku, Kolë,...shka të
gjeti...rrezikziu ti...!" E, nësa rrihte kryet me grushta, tue kja,
thërriste: "Kolë...si më lé!". Unë vetëm vështroja me trishtim e, pa
kuptue asgja ma gjatë, i strukun për fustan të nanës, veç tue pritë
kur po pushonte zhurma, rrëbeshi e, po kalonte drama.
Nuk di sesi u hap dera, veç kujtoj një prift, me këmishë të
bardhë dhe të shkurtë, që hyni mbrendë, nëpër atë breshën bombash, me
një gju në gjak, u ul pranë babës, përshpëriti diçka.! Unë mendova se
po e çon babën prej atij pellgu gjaku,.por kishte mbarue gjithçka.
Prifti nuk iku për pak kohë, derisa nanës i erdhi axha i saj At Mati
Prennushi, i cili kishte marrë vesht fatkeqësinë e madhe që e kishte
gjetë shtëpinë tonë, e kishte vrapue edhe Ai me kenë pranë nesh.
Prifti doli me vazhdue vojimet ndër rrugët e Tiranës, të lame me gjak
nga qindra të vramë e të copëtuem. Rreth vitit 1962 pata marrë vesh
prej nanës, se prifti që i bani babës Shartët e Fundit, ishte kenë At
Pjetër Meshkalla. Pikërisht atë vit u njoha afër me té, mbasi pat dalë
prej burgut, mbas 15 vjetëve të para që kishte kalue në burgun e
Burrelit.
Natën që baba vdiq, u nisëm për Shkodër bashkë me nanën, At
Matinë, dajën Paulin dhe disa ushtarë që erdhën për siguri rruge nga
plaçkitjet që baheshin tek ura e Zogut, (flitëj nga çeta të vogla
partizanësh). Mërritëm vonë, aty nga ora 10.00 e natës. Kujtoj se të
nesërmen, baba ishte i veshun ushtarak me tesha ngjyre gri, në një
shtrat të bardhë hekuri i rrëthuem me lule të bardha. Shumë vetë
përrreth vajtonin. Vaji e gjamët me kishin topitë. Di se dikush më çoi
hopa dhe unë i putha faqën. Ai ishte aq i ftohtë, sa nuk mund ta
harroj kurrë atë akullinë që edhe sot ma përqeth trupin.
Babën, nuk e pashë, as nuk e putha dhe, as e pëqafova
kurrma.!
Ai u varros në Rëmaj, me një funeral madhështor, që
drejtohej nga Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, pothuaj gjithë
Kleri Katolik me murgesha e xhakoj, përsonalitete civile dhe
ushtarake, gjithë qytetaria e Shkodrës dhe mbarë Shiroka, vendlindja e
tij.
Ndonse vdiq shumë i ri, 40 vjeç (datlindja 5 fruer
1903 ), pak ditë para gradimit me gradën nënkolonel, një ushtarak i
lartë gjerman i gjendërmarisë, ndër varreza ka thanë këto
fjalë: "Sikur Shqipnia të kishte 10 ushtarakë të përkushtuem dhe
atdhetarë, si major Kolë Radovani, komunizmit nuk i kishte bijtë as
fara tek ju!".
Nanën e kujtoj pothuej gjithmonë me tesha të zeza. Kam
pas kujtue se koha asht kenë ma e shkurtë por isha gabue, mbasi plot 1
vit mbrapa më 29 nandor 1944 u vesh gjithë Shqipnia me të zeza,
pikërisht atë ditë kur patën hi "këta".
SHKAMBI I LATUEM
"Mbrojtja ma e madhe e nacionalizmit, ishin gjoksët e shkodranëve".
GINO BERRI
"Rrethimi i
Shkodrës"
Tetor 1912 - Prill 1913
Thonë kur plasë një shkamb, i ka plasë zemra njenit prej zotave...
Si vizë e hollë, sa fija e flokut duket ajo plasë mjedis atyne
Alpeve, që thirren Bjeshkët e Nemuna, prej nga buron ai lumë që edhe
emnin e ka të fshatit prej ku gurgullon. Asht Kiri, gurra e të cilit
mjedis atyne krepave e gërxhave poshtë e përpjetë të kujton hova-hovet
e xhubletës që ulën e çohen ndër ato shpate malesh, ku, gjithkund,
duken se marrin një përrue gjaku me vete. Rrjedha e tij gjarpnushë
gjithmonë e trazueme nga shkëmbejtë shekullorë që shpesh e përpijnë në
gollet, zgavrrat e gomnat e veta e bajnë me shkumzue si kali në vrap
e, të bardhat dallgë përzi me ngjyrë zafiri mëshehën nën trungjet e
rrëzueme të pishave, që dalin porsi krye gjarpni nga strofulla tue
thye qafën tëposhtë e nëpër zallishta.
Malësorët shalgjatë porsi azgaj ndjekin rrjedhën e tij, me ra në
qytet. Aty-këtu për me i zbutë lodhjen vetes kalojnë prej shkambit në
shkamb mbi një a dy trena çift, të latuem me spatën a këmesën e tyne
shekullore. Këtyne trupave u kanë vu emnin ura ku kalohet si mbi një
tra ekujlibri, veç se janë mësue se një rrëshqitje kambe të ban mos me
u pa ma në këtë jetë... Rrugët mbi gurë bajnë punën e vet. Dikund, nën
ndonjë pishë, gështenjë ose ah asht shenja e pushimit: Një Kryq që u
përtrinë forcën e, sikur, u thotë: "Qëndro, se mërritëm!". Dredhet një
cigare, ndërrohën kutitë e duhanit simbas zakonit, dikush ha një
kafshate bukë kakini me shka ka falë Zoti i ulun mbi cung apo gurë të
lmuet në atë fresk pranë zhumhurit të lumit, që në fund të shpërlanë
edhe fytin. Si me komandë çohen e vazhdojnë rrugën. Bukuria e lëvizjes
së çakçirve dhe e hedhjes së xhubletës prej flladit të erës, murrlanit
ose veriut e bajnë aq të ambël egërsinë e pejsazhit, sa sfondet e
përgjakuna nga ngjyra e shqemës apo errësina e gjelbërimit plak,
lidhen me qiellin gri me një brez të bardhë, majet e maleve që të
largojnë frikën, tue ndejë mbi to bash si të ishin kësule malësori të
vumë nga vetë dora e Zotit. Janë malet që u përkasin vetëm atyne,
sëpse, siç thonte Fan S. Noli: "Mbetnë Katholikë vetëm Malësorët e
Veriut me armë në dorë".
Aq sa të shuejnë etjen e të kënaqin shpirtin me atë ujë të kulluem
brilant e të freskët, të gjithë përrojet e lumejtë e atyne zonave të
shtijnë mnerën në kohë pranvere e vjeshte me pabesinë e vërshimit
tyne. Mbushen e shprazen për pak minuta tue rroposë çka u del përpara
si bisha të tërbueme. Mjer ai që e provon zemrimin e këtij lumi që
shkrep si rrëfeja kur përplaset për Stom të Golemit e zbret nëpër atë
ultësinë në verilindje të Shkodrës, që ka emnin e tij: ZALLI I KIRIT
e, që, kur shkapetët për pendë të duket si të kishte dreqnit mbrendë.
Gurët e vumë njeni mbi tjetrin, shpesh të rrethuem me rrjeta teli,
janë vendosë për me i ba ballë rrëbeshit e me i pritë hovin përmbytjes
së pamëshirëshme të tij. Penda e Kirit jo vetëm asht mburojë e Fushës
së Rëmajit por e krejt qytetit të Shkodrës, që, si për çudi, rrëthohet
prej një patkoni ujnash që asnjëherë nuk e kanë rrënue. Kiri derdhët
në Drinazë, Drinazi në dalje të Bunës i shtërnguem nga pesha e randë e
Taraboshit që shpërthen Liqenin e Shkodrës. Shpesh, kur shtohen ujnat
e Drinazit i zanë grykën liqenit tue përmbytë krejt bregun e Bunës
deri në Velipojë prej ku shprazen në det. Pra, qyteti i Shkodrës, prej
verilindjes e deri në veriperëndim gjithkah rrethue me ujna, merr
pamjen e një luani të shtrimë pertoke me kokë përpjetë, Kështjellën
Rozafat, gjithmonë në vështrim. Rreth e rrotull asht me male të
çveshuna, ranë e zallishtë e zbritun poshtë prej këtyne lumejve që
shinat e shumtë shpesh i kanë mbushë shtretnit e tyne, tue përmbytë
përreth dhe tue u ndrrue drejtim. Nga veriu Cukali e Maranaj deri ku
nxjerr synin dielli në lindje, në mal të Sheldisë, venë cakun e Alpeve
e poshtë Taraboshi mburret: "Dielli flenë mbas meje!".
Ndonjëherë Kiri ka kërcënue qytetin, tue ba pré një pjesë të tij.
Vërshimet e befasishme nga kallamat e Kol Xhuxhës, tue zbritë çka merr
Arra e Madhe e Perashi bashkë me Pazarin e vjetër, për pak minuta janë
gjetë të zhytuna nën ujë, pa harrue me lanë në kopshtije e hajate të
shtëpive të kësaj zone, nga një pëllambë lym e lagështinë të
përhershme ndër thëmele. Dallgët e liqenit përplaseshin për kodrat e
Tepës e deri në Luguçesme, tek vorri i Sheh Shamisë. Shtëpijat e
dyqanet e vjetra të qytetit të dikurshëm dukeshin si plaçka të mbetuna
mbi ujë.
Mjedis Pendes dhe murit të vorreve ishin gjurmët e lumit të
dikurshëm, një zonë me zall e kaçuba mrinash, murrizash e ferrash, ku
nuk ndihej tjetër veç zane fëmijësh, gardalinash, babilash e
trumcakësh. Trapola të vendosuna aty-këtu me kapakë të hapun, ndërsa
djelmoçat e të gjitha moshave mësheheshin ndër kaçuba, në pritje të
përplasjes së kapakëve prej zogjve fatzez që mbyllin jetën e tyne ndër
kafaza. Si duket, zogjët e rinjë të kapun e të mbuluem me shamia për
me ia largue dëshirën e përplasjes për me dalë prej kafazit, por,
njëkohësisht, tue i ndalue lirinë dhe dritën e diellit, ndillshin
diçka që nuk ishte fort larg....
Në mbramje binte qetësia. Shihej vetëm ndonjë çoban tue fishkullue
mbas dy a tri delesh, ose ndonjë çobaneshë, që bante rrugën e
përnatëshme të saj e shoqnueme prej furkës tue tjerrë lesh për xhupat
e dimnit të egër, me akull e borë të pandame. Kalonin kah toka e Zef
Sylës e shkonin në drejtim të lagjes "Skenderbeg", të bame bardh prej
pluhunit. Nata i xente ndër ato baraka të ngrata nën dritën e mekun të
kandilit me voj-gurit. Kah e vona mbështetnin shpatullat për dyshekët
e mbushun me sânë të shtruem përtokë.
Grupe-grupe njerëzish këthenin për të gjatë Zallit tue këndue:" Po
vjen prendimi!", "Në liqe të Shkodrës", "Loredan, Loredan" ose "Nëpër
terr që lëshonte nata".... Ishin të gëzuem prej shëtitjes së asaj dite
në Bardhej, një fshat andej Kirit i mbuluem me pemë frutore, vneshta e
ullinj. Mendohej edhe për pleqtë tek shtëpia. Ushtorët ua mbushnin
shportat plot e përplot me fiq e rrush, për me ua lagë gojën edhe të
pamujtunve me shkue atje. Flladi i erës e hidhte zanin dikund atje
larg por që vinte e ulej në shenj respekti, kur ata i afroheshin murit
të vorreve. Në ditët e verës për djelmtë nuk mungonte edhe kënaqësia e
ujit të freskët, garat e kërcimit nga stomi, stilet e notimit dhe në
fund me gur rrasikë baheshin "petulla" në ujë. Me të vërtetë një
kënaqësi!....
Zalli atëherë ishte i bardhë e vezullues gja që tregonte se
mbretnonte pastërtia që sillte stina e vjeshtës dhe e dimnit, që i
lante ata gurë një nga një me kujdesin ma të madh e që në atë hapsinë
të pafund prej shkëlqimit të rrezeve të diellit, dukeshin si badema
nusjet.
Mbi stomin e Fushës së Rëmajit ngrihën dy çinarë shekullorë.
Madhështia e tyne frikën e vdekjes e ka kthye shpesh në përjetësi.
Ishte i pari Don Gjon Gazulli, që provoi tmerin dhe madhshtinë e
vdekjes nën ata dy çinarë.
Nën degët e tyne, kufizohen vorret e Rëmajit të popullatës katolike
të qytetit, që zunë vend aty nga viti 1895. Pamja e tyne me ato selvi
karakteristike ishte pasqyrë e kësaj popullsie që edhe pse e pakët në
numër punoi shumë për me sjellë qytetnimin evropian në Shqipni. Prof.
Sami Repishti shkruen: "Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj
me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet
e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e
mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës dhe
të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që
siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë"(përshëndetje në
përurimin e kishës shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill
1999). Deri vonë mendohej nga komunistët me i shkatrrue ato vorre,
mbasi kenja e Kryqave aty u dukej se i ka zanë rrugën e nisun.
Nga Kisha Kathedrale drejt veriut asht rruga e Ballabanës. Kjo rrugë
rrahët ma shumë se asnjëherë në fillimin e nandorit, javën e të
Shuemve, kur ajo merr pamjen e pjacave tona por me një ndryshim, se
fëtyrat e kalimtarëve janë të vrajtuna dhe ndër duer kanë tuba lulesh
ku janë ma të bukrat dhe ma të fresktat e oborreve të shtëpive
shkodrane, që nuk u kanë mungue në asnjë stinë të vitit. Ato ditë
secili mendon për një kunorë shemshirësh, të gërshetueme me lule
korclla e drandofille. Uratët, lutjet e lotët nuk prajnë pranë atyne
që pushojnë në atë paqë të përjetshme, nën tingujt e përmortshëm të
kumbonës që rrah në njenën anë, tue na grishë: "Eni, eni e lutuni për
né, se të gjithë për këtë rrugë jeni!".
E tham me bindje se çka përfshin syni prej Majës së Zabelit e deri
në Kep të Paganës e, ku ka gurë e dhé, zall e ranë të trojeve
shqiptare, të tana janë të lame në gjak.
E, pse kështu?
Vetëm që Shkodra të zgjohej nga shprazjet e automatikëve e
mitralozëve mbi gjokset e Atdhetarëve dhe ta merrte vesh njëherë e
mirë, se, komunizmi nuk asht tjetër gja, veç kob, terror, vëllavrasje
e mjerim!
Shpesh, më kujtohet një Nanë e kapun për dru, me faqe mbështetë për
kambë të përgjakuna, kah i plaste zemra. Me duert e Saja lëmonte
gozhdën e ftohtë si akulli...
Futa e zezë nuk më lente me ia pa fëtyrën...
AJO ISHTE NANA SHQIPNI, që edhe sot ecë e marrakotun. Kot kërkon në
tokën Arbnore të njomun me lot e tamth të birin, që, dikur, e pat
fashue për djep me duert e Saja.
Me atë brez që e shtrëngonte Nana asht edhe sot i lidhun brryl në
brryl me tjerë Fatosa, ndër duer me dryj e vargoj, pa asnjë shenj tek
kryet!....
¢ Lotët e Saj rrjedhin thellë në tokë, e mbushin dy zgavrra pa dritë
atë botë. Ajo i fal dritën e syve të Saj nëpër gjurmët e lotëve që
derdhen rrëkajë ndër gurë e ferra, pikërisht, aty, ku edhe sot Ajo
ndigjon tik-takun e zemrës së shporueme, që vazhdon me rrahë ma fort
se zemra e Saj e thame, e zharitun dhe e plasun.
Kërkon nëpër zhavor e gjen dhé e baltë, kërkon nëpër dhé e baltë e
gjen zhavor, ashtu si kërkova edhe unë me duert e mija e gjeta ZALLIN
E KIRIT, të mbrujtun.... të ngjeshun... të fortë e të bamë SHKAMB.
AI SHKAMB SOT ASHT NJË MONUMENT.
Ai asht nën dhé ......
Ai, edhe pse sot asht nën dhé, njëditë do të ngrihët
lart!
Po, po, do të ngrihët shumë lart.... madje, edhe ma lart
se vendi prej ku Kiri solli zhavorin e guralecat e tij në këtë
Zallë!....
Ai, do të ngrihët fort lart, se Ai,.... asht i mbrujtun
me gjakun e Martirëve të Kombit Shqiptar!
S H K O D R A N Ë 1 9 4 6
"Shprehja ma e egër e dhunës ndaj popujve, asht me i vorfnue!"
Mohandas K. Gandhi
Flas për atë Shkodër që në fillim të vitit 1900 kishte 28 pianoforta
në shtëpitë katolike të qytetit. Ky ishte vetëm njeni prej treguesve
të qytetnimit evropian që kishte fillue me zanë vend në qytetin e
lashtë brij Rozafës. Kanga dhe muzika nuk janë cilësi të vorfnisë, ato
u përkasin atyne njerëzve që u këndon zemra. Pra, këta janë shkodranët.
Deri tashti vonë një kuadrat çimentoje në lulishten e kafes
rrumbullake përballë Kafes se Madhe, ishte dëshmi e qëndrimit të
bandës së Bashkisë së qytetit aty që drejtohej prej Zef Kurtit dhe
shoqnonte shëtitjet e qytetarëve në mbasdreket e së dielës. Shëtitja
në Pjacë fillonte nga Dugajtë e Reja dhe vazhdonte lumi i njerëzve
deri tek Foto Marubi, që dukeshin si një grumbull bletësh kur dalin
nga zgjoni. Kjo thirrej Fusha e Çelës, sepse, dikur, tek sheshi
qendror shtrihej një fushë ku ishte një qelë prifti, pikërisht aty ku
sot asht Xhamija.
Shëtitja vazhdonte deri në orët e vona të mbramjes në të gjitha
stinët. As dielli i fortë i zhegut përvlues, as shiu që bie mjaft në
stinët e vjeshtës dhe të dimnit, as bora që kur fillon nuk din me
pushue, as morlani që pret Pjacën prej rrugës së Re e as shiroku i
fortë që të merr mendët e të shpupurishë flokët nuk e prishnin
traditën...xhirot vazhdonin.
Në orën 11.00 të ditës së dielë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit
thohej një meshë solemne që shoqnohej nga kori i xhakojve, ku, dikur,
spikati basi Luk Kaçaj nën drejtimin e At Martin Gjokës dhe ma vonë At
Filip Mazrekut. At Martini, përveç tjerash ka një meritë të madhe se
krejt brezi i muzikantëve dhe i kompozitorëve prej Prenkë Jakovës e
deri tek ma i riu, janë frut i veprës së tij. Ai ka vue thëmelin e
muzikës moderne në Shqipni. Kisha mbushej plot e përplot me popull nga
të gjitha moshat. Dikur zgjidhej edhe predikuesi që fliste në këtë
meshë. Mbas meshës populli grumbullohej nën çinarin para Kishës.
Grumbujt e qytetarëve përshëndeteshin dhe ndaheshin tue marrë
drejtimin nga Pjaca. Aty-këtu, ndonjë sy tinzar vështronte për kohën e
ardhshme..., sigurisht ndonjë vajzë që binte në sy kjoftë për
thjeshtësinë e saj, kjoftë për modelin e flokëve, për buklehat apo
bishtalecat e gjatë, ose për bukurinë që Zoti nuk e ka kursye kurrë
për vajzat shkodrane. Djelmtë ma në za pushtonin Fushën e Çelës, si
Alfred Ashiku, Prenkë Kaçinari e Qemal Draçini me shokë, të rrethuem
nga zonjushat bukuroshe që me profumet e tyne kundërmonin Pjacën e,
me erën e tyne sollën ma mirë me thanë një epokë që për ata që e
kujtojnë, zor se përsëritet ma në qytetin plak.
Secila rrugë, kishë apo shtëpi kishte bukurinë e saj artistike. Ndër
to ishte dora e piktorit e arkitektit të pavdekshëm Kol Idromeno, të
pasuem nga Ndoc Martini, Simon Rrota, Zef Kolombi e Vladimir Jani. Në
vitin 1923 në Shkodër, hapet ekspozita e parë e pikturës ku merr pjesë
edhe një Zonjë e nderueme piktore, Lajde Muzhani. Prej derës së
oborrit, fillonte kalldrami e deri tek shkallat e gurit ishte dalta,
një mjeshtri e madhe dhe shumë e përhapun ndër të gjitha harqet e
strehët e këtyne shtëpive. Pusi i famshëm i gurit të grishte për një
gotë ujë të freskët mbas zhurmës së çekerkut që rrotullohej disa metra
në thellësi. Aty afër lugu i gurit ku gratë punëtore lanin rrobat e
zbardhuna me fi ndër vozgat e drunit që në fund i mbushnin me ujë, për
me ujitë lulët e bukra rreth oborrit në të katër anët. Në një anë
shermasheku, në anën tjetër lule vilja, se leni karajfilat,
lulemustakun e drandofillet që të kënaqnin shpirtin me erën e kandshme
të tyne. Çardaku, një mrekulli me ato trena të latuem nalt e poshtë
deri ndër podrume. Rreth e rrotull çardakut rreshtoheshin parmakët e
dyert edhe ato me drunin special të çamit, ku kornizat e mjediset e
tyne të shtangnin me bukurinë e vizatimeve të daltueme. Dyshemët e
verdha nga ngjyra që hidhej mbas lamjes të kënaqnin synin.
"Urdhno, mirëse të ka prue Zoti!", hapej dera e njeriu asht vështirë
me përshkrue bukurinë e dhomës së pritjes. Mjedis atij tavani artistik
edhe ky i daltuem, një lampadar i madh i varun me qindra vite,
pëshqesh i kumbarës së martesës së stërgjyshit. Për nderë të mikut
ndizej edhe poçi i fundit i porcelanit të kacavarun ndër vargojt e
artë, që shkodranet e vjetra i lanin me farën e pjekun fort të
mollatartave ose të pjepnave. Ato shkëlqenin bashkë me enët e bakrit
të vëndosuna ndër serxhia. Në ballë të dhomës oxhaku i bardhë i
derdhun në çimento speciale ose gjeso që përzihej me të bardhin e
vezës para derdhjes, për me forcue landën e hollë e të bukur, ku
mjeshtri kishte shkri krejt talentin e tij. Nuk mungonin anash armët e
vjetra të varuna në mure me dorëza argjenti. Aty afër shkëlqente
tangari i bakrit me prushin e mbuluem me hi e sipër masha në pritje të
mikut.
Një dhomë aq madhe rreth 8x7 ml. krejt e shtrueme me qylyma e anash
me cerga, të sjelluna nga Kosova, mbasi njihej mjeshtria e tyne për
punimin e cergës me lesh dhije. Këto kanë pasë gjyren kafe dhe
rrethonin qylymin e kuq e të madh mjedis dhomës, tue formue një
kornizë shumë të bukur rreth atij qylymi që dukej si një kuadër
pikture i shtruem në dysheme. Në një kand ishte edhe arka e grues ma
të vjetër që ruhej për bukurinë e njoftun të ngjyrave të vizatueme
jashtë e mbrendë në kapakun që ndrynte pajën, me sofrabeza e mësalla
që shtroheshin ndër sofrat e paharrueshme të këtyne shtëpive me raste
festash. Të gjitha të punueme me tezgjah gjatë kohës së vajznisë.
Krejt afër murit ishin minderët e mbuluem me qarqafa të kuq dhe me
jastekë të bukur për mbështetje të trupit, si e si, miku me e ndie
vedin rahat gjatë vizitës. Nuk do të flas për pritjen e përcjelljen,
mbasi atë Shkodra edhe pa bukë, ujë e dritë, nuk e harron,..... janë
të sajat.
Arkitektura e shtëpive të fillimit të Pjacës, Dugajtë e Reja,
Gjuhadoli, Serreqi i vjetër e shumë shtëpi të Parrucës e Zdralejve që
edhe sot janë ma të bukrat në qytet, janë vepra të Kol Idromenos.
Njerëzit ecnin tue bisedue me za të ultë, me t'u dukë se po flasin në
vesh. Çdo bisedë me masë rreth artit, kulturës, muzikës, shkencës,
sportit, etj. Flitej për idhujt e shkodranëve, si: At Fishta, Luigj
Gurakuqi, At Anton Harapi, Don Ndre Mjedja, Don Lazër Shantoja, për
mjekët, Saraqi, Shiroka, Radoja, Pogu, Prela e Dr. farmacistet Pjerin
Bushati e Elez Troshani. Për muzikantët Palok Kurti, Kol Mati Tukja,
Prenkë Jakova, Tonin Harapi etj. Për figurat e njohtuna Kel Marubi,
Gjon Kamsi, Imzot Mjedja, Serreqi, Thaçi, Bumçi etj. Avokatët e
njohtun Benussi, Kol Dhimitri, Tedeschini, Pipa, Paulin Pali, etj.
Kishin vendin e vet Pjetër Gjini, Zef Hila, Kol Tivari, Filip Daija,
që pasunonin pjacën me ndonjë të qeshun të fortë të grupeve rinore që
përsërisnin humorin e pavdekshëm të këtyne njerëzve, që qeshnin se nuk
kanë mujtë me ndejë tue kja, mbasi e shihnin mirë ku po shkonte
puna....
Etnit Françeskanë pa asnjë përjashtim ishin epiqendra e asaj
përiudhe historike për trimninë e tyne dhe atdhetarizmin e flaktë, që
me plot gojën mund të konsiderohën jo vetëm për Shkodrën, por për
gjithë Shqipninë, NJË RILINDJE KOMBËTARE. Aty, në atë Kuvend shtrohej
sofra per bukë e rrinin me bujtë (me fjetë): Luigj Gurakuqi, Ismail
Qemali, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Hasan Prishtina, Bajram Curri,
Isa Boletini, Avni Rrustemi, Mehdi Frashëri, Kristo Floqi, Lef Nosi,
dhe nën zhgunin e At Pal Dodës shpëtoi kokën Mbreti Ahmet Zogu. Deri
vonë aty asht ruejtë dhoma ku flente miku i posaçëm i Kuvendit, Ded
Gjo' Luli, i vetmi njeri laik që asht varrosë në Kishën e tyne.
Nuk do të zgjatem me intelektualët e profesorët, mbasi kenja e katër
gjimnazëve dhe dy seminarëve teologjike, tregojnë ma së miri nivelin
kulturor të këtyne banorëve që janë edukue pa dallim Feje ndër ato
banka të atyne shkollave. Ngjarjet që do të shtjellohën ma vonë do të
tregojnë ma shumë se një listë emnore e tyne se kush jetonte, mësonte
e punonte këtu.
Kjo ishte Shkodra!
Shteti, jeta, kultura, arti dhe sporti, zanafillën e tyne deri në
ditët tona e kanë nga burimet dhe gurrat e pashterrëshme të Shkodrës.
Një Shpirt i pajisun me atë edukatë, kulturë e art që merrej në
gjimnazet fetare dhe laike të Shkodrës, përsonifikonte até, që bota
moderne sot e thrret vetëm me një emën: NJERI.
E thom me bindje të plotë se natyrën e shkodranit dhe të malësorit
trim të Veriut, nuk e ka njohtë askush ma mirë se malazezët e serbët.
Jo, kot, tash një shekull ata vazhdojnë me gjuejtë me TOP Kathedralën
e Shkodrës; jo, kot, ata mbyllën çerdhet e edukimit fetar e atdhetar;
jo, kot, ata e dëbuen Fishtën nga vorri e bankat e shkollës; jo, kot,
ata plaçkitën bibliotekat e muzeumet e tyne; jo, kot, ata të parët
pushkatuen Prenkë Calin me shokë; jo, kot, ata dogjën male e shpella,
ku, strukej ndër shekuj Shqipja; jo, kot, ata vollën vnerë kundër
Fishtës, Gjeçovit, Harapit, Shantojës, Prenushit, Palajt, Donat
Kurtit, Konicës, Pipës e deri tek Qemal Draçini, që e mbytën në hu,
vetëm pse At Fishta, me gishtin shënues drejtue kah ai, tha: "Qé, një
talent i ri!".
Pse morën malët Gjelosh Luli me shokë? - Jo, kot, se
ishte "Besëlidhja e Veriut, Rranxave dhe Postribës", kockë në fytin e
serbit.
Pse duhej zhdukë inteligjenca? - Jo, kot, por ajo nuk përulej dhe
nuk e thente majën e penës para shërbëtorëve të Titos.
Pse u rrënuen Kishat e Xhamitë? - Jo, kot, por duhej
shpallë "Shqipnia Socialiste Ateiste".
Pse "vrau vetën" Prenkë Jakova? - Jo kot, por ishte Prenka i birucës
nr. 6, në Sigurimin e Shkodrës të vitit 1946, që jo vetëm ishte i
vëllai i Ndocit, por, ky ishte atdhetar, ishte artist antikomunist,
ishte edhe katolik i mirë. Ai nuk e la asnjë çast Shkodrën; se, tue
kalue nëpër Serreq frymëzohej; se, tue u zgjue nën tingujt e kumbonëve
të Kathedralës i vinte muza; se, tue përshëndetë gratë shkodrane me
jepanxhe e degërmia, i kujtohej vuejtja dhe sakrifica e një populli,
që deri dje, i veshun në çakqirë e xhubletë me Ded Gjo'Lulin, Luigj
Gurakuqin, Ismail Qemalin e Isa Boletinin, valvitën Shqipën dykrenare
në qiellin shqiptar. Ishte pikërisht ai që i thuri lavdi Gjergj
Kastriotit - Skëndrbeut në operën e tij!
Përgjigja asht vetëm një: Kjo qendër antishoveniste sllave që
thirret SHKODËR, duhej shue, duhej rrënue, duhej rrafshue, duhej qitë
fare!......dhe, shihe sot si ka vojtë halli i saj!...
Shkodra, deri dje djepi i Fatosave të Atdheut duhej kthye në vorr të
qytetnimit evropian!
Djelmtë shkodranë pa dallim Feje, studentë, intelektualë, artistë,
politikanë e jo politikanë, tregëtarë e zejtarë, puntorë e shegertë e
vigaj për kah pamja, vetëm se u thonin "shkodranë", shumë shpejt mbas
vitit 1944 do të boshatisnin pjacat, shkollat, rrugicat, shtëpitë,
kinematë, fushat e sportit dhe do të mbushnin birucat e Sigurimit të
Shtetit komunist. Bashkë me këta azgaj do të jenë edhe mjaft vajza ku
ishin ma të mirat e familjeve atdhetare shkodrane për kah pamja e
ndera.
Ministria e Punëve të Mbrendshme me Seksionet e Mbrojtjes së
Popullit, në çdo skutë të krijueme që në qershor të vitit 1943 nga
jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë prej tyne dhe veglave qorre,
kryesisht vëlleh (shif indeksin e drejtorëve të drejtorive të kësaj
Ministrie), vëmendjen e kanë pasë gjithmonë në Shkodër. Fillon me
Gjush Dedën e Ndrekë Nallbanin, Ali Qorrin (Bushatin), Cuf Lohën, Lilo
Zenelin, Hysni Ndojën, Qamil Gavoçin, Jonuz Dinin, Kasëm Troshanin,
Pjerin Kçirën, Ylvi Dibrën, Rasim Deden, Filip Pemen, Pjetër Ballaten,
Xheudet Milotin, Vehbi Fishtën, Hys Zajen dhe vazhdon me Zoi Themelin,
Vaskë Kolecin, Kolec Ilinë, Hilmi Seitin, Feqorr Shehun, Rexhep Kollin
etj. që të gjithë së bashku i kanë shërbye një qëllimi: TRATHTARË E
ANTISHQIPTARË.
Për këtë arsye këta kriminelë të pashpirtë, terroristë e gjakatarë,
kanë krye në qytetin e Shkodrës veprat ma të shëmtueme tue torturue në
mënyrën ma mizore atdhetarët, gja që dokumentohet vetëm me kenjen e
këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh, zhdukje,
burgje dhe shtëpi strehimi për të parainternuem që kishte qyteti i
Shkodrës në vitin 1946:
1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
4. Konvikti "Malet tona".
5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
7. Burgu i vjetër i Gestapos pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
8. Shtëpia e Ulqinakut.
9. Kuvendi i Motrave Servite.
10. Kisha e Motrave Servite.
11. Shkolla e Çelës.
12. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
13. Burgu i Çekës (sot Instituti "Nanë Tereza").
14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
15. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
16. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
17. Shtëpia e Guljelm Lukës, në krye të rrugës Jezuitëve (ku
internonin).
18. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajt e Reja.
20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit
Pedagogjik).
21. Shtëpia e Guljelm Sumës.
22. Shtëpia e Sandër Saraçit.
23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.
Gjyqet janë zhvillue në kinema "Rozafat", kinema "Republika", Teatri
i Jezuitëve, në shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës etj.
Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose
Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së
Çiurçisë, ku, shpesh, vriteshin, hudheshin nga dritaret dhe zhdukeshin
kufomat me proces-verbale false të gjyqeve gjoja të zhvillueme aty.
Qendrat e masakrave ma të mëdha janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu
i Kishës së Fretënve, Konvikti "Malet tona", Dega e Punëve të
Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli
Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj.
Të vetmit dëshmitarë sikur të "flisnin" do të ishin: Pema e blinit
në oborrin e Kuvendit të fretënve, ullinjtë e pemët e shtëpisë së
Çiurçisë, pemët e konviktit "Malet tona", etj. që, edhe sot ndër
rrajtë e kalbuna të tyne ruajnë britmat e virrmat e njerëzve të lidhun
dhe të varun, që kanë derdhë gjakun e shenjtë e kanë dhanë Shpirtin
nën degët e tyne.
Po, sa ishte popullsia e këtij qyteti martir me 26 burgje e ndoshta,
ma shumë që nuk i dij unë? - Kurrë, asnjëherë, nuk do të tregohet sa
mijë vetë ishin ata që mendoheshin me u zhdukë!....
Ka me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se ajo që kujtojmë na, për
me dalë në dritë vepra terroriste e kriminale e Partisë Komuniste (së
Punës dhe e asaj "Socialiste") të Shqipnisë, e kryeme nga dora e
Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike e Partisë Komuniste
të Jugosllavisë që nga thëmelimi i saj.
Ndër krimet e shëmtueme kujtohen: Në shtëpinë e Çiurçisë: Simon
Darragjati e Kolec Deda, mbasi u torturuen për një kohë të gjatë dhe
nuk pranonin akuzat, u hodhën nga dritarët prej hetuesve Fadil
Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli. Pal Thanin e ka mbytë në torture
me duart e tija krimineli Fadil Kapisyzi.
Avokat Muzafer Pipën e kanë mbytë në torturë Zoi Themeli e Vaskë
Koleci. Mbasi e kanë lidhë për karrigë të palëvizëshme me duer mbrapa,
tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një hekur të skuqun, i kanë
prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen në çast.
Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë, e kanë therë pulën dhe
kanë shpërnda gjakun e saj nëpër oborr. Kanë fillue me shtij me armë,
gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia. Ma sakt e din
Aranit Çela që i premtoi Muzaferit "gjysmën e lekut", kur u takuen tek
dera e Bar "Impero" (Kafja e Hardallit), kohë në të cilën Muzaferi,
mbronte At Gjon Shllakun në gjyq.
¢ Don Mark Hasit i ka mbërthye me thikë gjuhën për tavolinë hetuesi
kriminel Nesti Kopali, derisa të japin shenjë se do të flasin. Kishte
humbë ndjenjat nga hemoragjia. E kanë mjekue vetëm me krypë, tregonte
fatziu Don Mark.
Në konviktin "Malet tona", At Gjon Shllaku asht lanë deri në bel në
ujë të qelbun në dhomën e mjedisit të ndërtesës, pa dritare dhe me
zbritje 4-5 kambë shkallë, ku, dikur, ruheshin të freskëta ushqimet.
Gjatë proçesit gjyqësor asht lanë aty për me thanë se kam formue
Partinë Demokristjane në Shqipni. Asht pushkatue me plagë të hapuna,
me mish të dërmishun e varrë që i kullonin qelb.
At Bernardin Palaj i ka mbetë në dorë Dul Rrjollit e Fadil
Kapisyzit, mbasi nuk i besonin fjalës së tij se asht i sëmurë me zemër
dhe e torturonin me rrymë elektrike, ashtusi Simon Kraja e sa të
tjerë.
Pandi Kristo pohon në burg se: "Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë
faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!..."
Kur, në Shkodër Françeskani At Martin Gjoka, u fliste studentëve për
muzikën e Bethovën, Moxart e Verdi, në Moskë, Lenini thonte: "Britmat
e të burgosunve nuk i ndrroj as me Sinfoninë IX-të Bethoven-it"...
O SHQYPE, O ZOGJËT E MALËVET, KALLXONI !
"Kultura asht shpirti i qytetnimit"
Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin çinarët e Zef Zorbës,
brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë
brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa
ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë:
"Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me
emnin Rëmaji?"....
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e
mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue,
tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne
çinarëve. Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave
që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të
Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin
1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë.
Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani
prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër
Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe
pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen
kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky
argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty
nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore
e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët
të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së
Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre.
Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve
të reja që janë edhe sot.
Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht
mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që
thirrën Vorret e Rëmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u
zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhët edhe
sot në familjën Zojzi.
Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjën e
vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë
që i ka dhanë qytetit. Keli ka përfundue shkollën tregetare dhe ishte
një kangëtar i njoftun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin
Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali. Rroku, ishte një
ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri
dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun "Illyricum", më 27
qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me
sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi personelin e shkollës
Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai
nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10
nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht,
atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina
shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit, deri më
1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte
edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937,
emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë,
punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo
delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e
Tiranës. Kuptohet thjeshtë arsyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i
lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me
komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si
pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet
komuniste: "..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit,
spijun e trathtar .."
Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në moshën 33-
vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore.
Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohtë afër Ludovikun, mbasi ka punue
me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e vërtetë e
vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve që ai me bashkëpunue me
ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue.
PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupeve komuniste,
prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të
rrezikshëm për punën e tyne, duheshin "çëruar". Kjo dokumentohet nga
gazeta "Zëri i Popullit", datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim
Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili
shkruen: "...Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së
Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t'u shtohej
besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga
radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë
spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi." Ma poshtë shënohën edhe
autorët e këtyne veprave të "suksesëshme", organizatorët dhe
kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: "...Në atë kohë në
Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani,
Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të
tjerët që ishin organizatorët...". Cili nga këta kriminelë analfabetë
mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të
Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student
të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të
Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e
shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane? Çfarë
menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e
stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të
komunistëve jugosllavë që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo
mëngjez me parullat "plumbin ballit Atdhetarëve!?" Çka i sollën
Shqipnisë përveç vorrezave këta kriminelë të drejtuem nga një masu i
flligtë, i dalun prej katakombëve të kabareve të Parisit, siç ishte
Enver Hoxha? Çka do të mësonin nga Mugosha e Popoviqi vëllavrasësit
Fiqrete Shehu, Adil Çarçani, e Mustafa Qilimi me shokë? - Vetëm me vra
trathtisht mbas shpine, si vranë edhe njeni-tjetrin!
Atentati i bamë kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit
komunist kundër inteligjencës shqiptare që ishte formue në shkollat
Perëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim
detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe
kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë,
kundrejt Popullit të vet Shqiptar!
Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve
antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma
mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato
vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik
Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari
përshpërisnin nën za: "Akoma, këta këtu?!"... Ishte gjoksi i
atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj
Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e
i thonte hasmit: " JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme
me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk
guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës,
Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës,
Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit,
Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që
janë kenë gurët e thëmeleve të qytetit!".
E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret...
E dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa shqiptarë
qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve... me
mauzerrët ruse...
E dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve
freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por, plasnin, se mbas
atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa
një shenj tek kryet, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e
komunistëve gjaksorë!
E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën vizaret e
kulturës kombëtare!
E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e hi fara e
qytetnimit shqiptar!
E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe shtyllat,
simbol i martirizimit!...
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve
dhe të Jezuitëve!....
E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi,
Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika....
E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!
E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të Zallit të
Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe nën
dhé... e do të lajmëronte ringjalljen!
E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk
prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i
kemit, djegë në Lavdi të Zotit!
E dogjën një natë, por, harruen fjalët e Meshkallës, se ka dymijë
vjetë që digjni Ungjillin!
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded
Gjo' Lulit me shokë!
E dogjën një natë, por, harruen "me djegë" edhe Don Simon Jubanin!...
NGA NA ERDHËN KËTA PARTIZANË?
"Të ngjeshuna dhe të papushueshme ndiheshin qitjet e mauzerrëve
rusë, me të cilat ishte paisë ushtria malazeze."
Gino Berri, 1913.
Ma shqip: KUSH DREQI NA I SOLLI?
Në vitin 1951 ishim një grup fëmijësh që ndihmonim meshë në Kishën
Françeskane të Gjuhadolit, me Nikolin Lekën, Tonin e Bepin Ljarën,
Kolec Ljarën, Karlo Marlekën, Tish Serreqin etj. Me datën 13 qershor
ditën e Shna Ndout, që për atë Kishë ishte ditë e veçantë se besimi në
këtë Shenjt në Shkodër asht shumë i madh, At Marjan Prela, që
kishte "mbetë" si administrator na mori të gjithëve dhe na hypi në
kompanjel. Ngjitja ndër ato shkallë thik ishte pak e frikshme. Kur
mërrijtëm tek balkoni u mahnitëm me atë bukuri që të përfshinte syni.
Për né ishte hera e parë që shikonim nga nalt krejt Shkodrën në të
katër anët, me lumenj, fusha, kodra e male që e rrethojnë. Liqeni
dukej i pafund si një tepsi e kallaisun prej rrezeve të diellit.
Pullazët e shtëpive karakteristike me tjegulla dukeshin si kuadrate të
kuqe si ufulla mjedis gjelbërimit që mizotnonte, sidoemos zonën e
banueme nga myslimanët. Aty-këtu ngrihej ndonjë bajonetë e mbrojtjës
së fesë së këtij qyteti besimtar; ishin minarët e xhamive dhe
kompanjelat e kishave të tjera. Secili prej nesh kërkonte me sy rrugën
dhe pullazin e shtëpisë së vet. At Marjani me durimin e tij
karakteristik na shpjegoi se të gjithë këta gur e parmakë të këtij
kompanjeli janë daltue me dorë nga mjeshtrat shqiptarë, madje, edhe
kupola e vogël që kishim mbi kokë mbi të cilën ishte vendosë Kryqi,
ishte punue prej mjeshtërve të drunit, mandej e kishin veshë sipër me
fletë metalike. Nën balkue ishin katër sahatët me një mekanizëm të
thjeshtë, në të cilin varej një kovë shumë e randë e mbushun me hekra
që shërbente për kurdisje. Njëherë kishte ra poshtë tue thy krejt
shkallën. Mbas asaj herë ishte sigurue mjaft mirë lidhja e saj me
mekanizmin. Prej atij balkoni At Fishta kishte lidhë kandilat e
dritave të vumë në varg me minarën e Xhamisë së Fushës së Çelës, një
minare shumë e bukur edhe ajo me gurë të daltuem dhe e ngritun me
derdhje plumbi. Kjo lidhje me kandila isht kenë ba natën e Festës së
Flamurit si shenjë vllaznimi. Pika e vendosjes së këtij kompanjeli
tregonte qendrën ku asht vendosë kompasi kur asht vizatue qyteti i
Shkodrës. Ai sahat shihej në çdo kand të qytetit mbasi i tillë ishte
mendue ndërtimi i tij.
Edhe kompanjeli i Kathedralës kishte pamje madhështore kur pata hypë
ma vonë, madje, ma i naltë, por zona e Kirit zbehte gjallninë, atë që
nuk i mungonte pejsazhit nga kompanjeli i Fretënve.
Në anën përendimore të balkonit ku ishim na, nën parmakët e gurit
lidhej me derdhje plumbi ndër gur një shufër hekuri, në kokën e të
cilit kishte një unazë. Në atë unazë Françeskanët vendosnin Flamurin
Kombëtar në ditën e Festës së tij. Valëvitja e tij kje kërcnue me topa
nga turqit e Flamuri vazhdoi me qëndrue prapë atje nalt. Nën za At
Mariani këndonte: "Porsi fleta e Engjllit të Zotit"!.
Partizanët më 29 nandor 1944, aty vendosën një flamur të
zhgarravitun me yllin e kuq. Shumë prej atyne që e kujtojnë atë ditë
morti kanë mendue: "Ma mirë të ishte rrëzue me top flamuri bashkë me
kompanjel, se kështu si po e shofim sot!". Më duket, se nuk e kishin
pasë gabim, të paktën marrja u mbetej turqve e jo "shqiptarëve", nëse
i thërrasim kështu. Tue mos i njohtë për shqiptarë gjithmonë populli
thonte: "Kur kanë hi këta...!", pra, "këta", të pa emën dhe të pa
atdhe. Pikërisht ishin "këta" që për demagogji në shumë prej këtyne
Kishave e Xhamive ngjitën nga një copë teneqe, ku shkruhej: "Monument
Kulture, mbrohet nga Shteti" dhe nuk zgjati shumë, fjala "mbrohet", u
zëvendsue me fjalën "shkatërrohet". E, kush i shkatërroi? Mbas 50
vjetësh këtë e tregon me gojën e vet Ramiz Alia, kur thotë: "Ne nuk
jemi as Lindje as Perëndim..." , po çka jemi, kur nuk jemi as mish, as
peshk? Simbas tij na nuk jemi kurrkushi. Ai kur flet për vehte, nuk e
ka gabim, por besoj, nuk ka turp ma të madh për një "president" se me
mohue identitetin e vet. Këtë e ban një "president" që ka ardhë në
pushtet kur kanë hi "këta".
Shfarosja e atdhetarëve, lufta kundër besimeve, zhbimja e
intelektualëve në fillimet e vëndosjes kulturës evropiane perëndimore,
e pasueme me grabitjet e florinit dhe të pasunive private, futja e
frikës, skamit dhe terrorit në popull ishte rruga që i hapej
shkatërrimit kombëtar të filluem me aq vështirësi në Shqipni.
Ky shkatërrim kujt i interesonte? Vetëm shovenistëve sllavë dhe
fanatikëve aziatikë të mbetun nga regjimi anadollak, me mentalitet
antiperëndimor, me përvetësue pasuninë e tjetrit me grykën e pushkës
edhe pse ai kishte derdhë shumë djersë me e fitue. Gjaja e yte asht e
jona, me pikësynimin, nesër do të jetë e emja. Fjalët "çlirim,
plaçkitje dhe vorfnim" fillojnë në njëditë, ky asht tipari i parë i
pushtetit komunist.
Askush nuk llogariti se kujt po i shërbenin!
Më tregonte njëditë në Tiranë Luigj Filipi, shkodran i vjetër, rreth
84 vjeç, komunist ndër të parët me Zef Malën. Kishte shkue në Kishën e
Jezuitëve aty nga viti 1938 sa ishte ndërtue Kisha e re. Mbasi kishte
predikue At Meshkalla, i ishte drejtue Luigjit, që mbas Meshe me u
takue pak për një problem personal. Luigji kishte pranue tue ulë
kokën. Kishte shkue në sakristi dhe ishin ulë në dy karriga. At
Meshkalla e kishte pyetë, Luigj, ti je komunist? -Luigji kishte pohue
se po, mbasi nuk kishte frikë nga At Meshkalla. Ai i ishte drejtue
Luigjit me këto fjalë: "A e din ti Luigj se kujt i shërben me këtë
ideologji? Komunizmi asht vetëm utopi. Ai nuk ka me u realizue kurrë,
por për fat të keq ju të rinjtë tue mos e njohtë jeni futë në një
rrugë shumë të rrezikëshme për kombin, mbasi nesër keni me e pa vedin
ushtarë të Titos dhe të Stalinit. Ti vepro si të duash por me më
ndigjue mue largohesh nga ajo rrugë antishqiptare!". Pa kërkue
përgjigje, i kishte dhanë dorën dhe ishin nda. Biseda kishte mbetë për
60 vjet e pahapun. Në vitin 1998 Luigji ma tregoi, që në rasën e parë
që të paraqitej mundësia, unë me e botue. Në fund të bisedës, më
tha: "Të lutem, ke me shënue edhe kete, se unë jam një ndër ata
komunistë që kam dashtë me dalë ma i mendshëm se At Meshkalla!".
Për komunistët ishte "nderë e lavdi" me vdekë tue brohoritë "Rroftë
Stalini", "Rroftë Bashkimi Sovjetik", "Druzhe Tito, rrofsh sa..."
Vendimet e Jaltës janë kenë vëndimet ma fatzeza për popullin
shqiptar.
¢ Shumë gjermanë para largimit nga Shqipnia, u treguen miqve të tyne
se do të kishte ndryshim sistemesh në Shqipni, këtu do të vinin në
pushtet komunistët, se kjo zonë i asht lanë Rusisë stalinjane nën
influencë. Shqipnia do të mbetët për 50 vjet nën kontrollin e Rusisë.
Ikni, se komunistët do të iu zhdukin nga faqja e dheut!
Po anglezët e amerikanët çka u thanë miqve të tyne?
"Mos ikni, edhe pse njëherë do të drejtojnë komunistët, na do të
vijmë prapë. Këtu do të vëndoset shtet demokratik, do të bahën
zgjedhje të lira, pushteti i ardhshëm do të jetë i të gjithëve".
Pak vetë u besuen gjermanëve, shumica u trathtuen nga Aleatët. Sot
ruhen në arkivat e tyne letrat e Muharrem Bajraktarit, Ahmet Zogut dhe
të Klerit Katolik Shqiptar, që u kanë dërgue atyne pikërisht për
problemin kombëtar deri në vitin 1946, nëpërmjet të ambasadave dhe
misioneve të tyne këtu. Përgjigjën e din edhe populli: "Pritni
gjethin!", me siguri ishte fjala se nuk asht larg koha kur shqiptarët
do të mbulohen me gjeth fiku.... Dhe me të vërtetë ajo kohë erdhi!...
Po Atdhetarët shqiptarë çka banë?
ATA SHKRUEN ME GJAKUN E TYNE HISTORINË E LAVDISHME TË REZISTENCËS
ANTIKOMUNISTE NË TROJET SHQIPTARE.
24 shtator 1943: "Besëlidhja e Veriut" e Malësisë së Madhe,
Rranxave dhe të Postribës, në pikën e parë të së cilës
shkruhet: "Mbrojtja e kufijve të sotçëm të Tokës Shqiptare".
17 nandor 1943: Bahet Program-Veprimi i "Besëlidhjes së Veriut" dhe
Betimi. Me "Besëlidhjen e Veriut" asht organizator edhe Muharrem
Bajraktari për krahinën e tij çka përfshinë Dibër etj.
12-13 janar 1945: Kryengritja e Kelmendit nga Prenk Cali.
13-14 janar 1945: Kryengritja e Koplikut nga Llesh Marashi.
Vetëm në këto dy kryengritje u pushkatuen 118 burra të Malësisë së
Madhe pa gjyq.
Shkurt 1945: Lufta e Bërdices dhe Anës së Malit nga Jup Kazazi dhe
Abaz Ermenji.
Maj 1945: Përpjekja e parë për formimin e Partisë Demokristjane
Shqiptare, me kryetar Andro Petroviq, në shtëpinë e Mark Gjon
Shllakut, në Rus, Shkodër.
Maj 1945: Formohet Organizata "Bashkimi Shqiptar" nga Mark Çuni.
26 maj 1946: Demostrata e Parë Antikomuniste e Rinisë Shkodrane, me
rastin e vorrimit të Imzot Gaspër Thaçit, Argjipeshkëv Metropolitan i
Dioçezit të Shkodrës.
9 shtator 1946: Kryengritja e Postribës.
1944-1948: Ndër male në Dukagjin janë mbi 400 burra të armatosun
ndër shpella të organizuem nga Gjergj Vata, Pal Thani, Mark Mala, Nik
Sokoli, Ndue Pali, Gjon Destanisha, Martin Sheldija etj.
1944-1954: Në Mirditë, Mark Gjon Marku organizon rezistencën, të
cilën mbas vrasjes së tij në vitin 1946, e vazhdoi i vëllai Lleshi,
që, edhe ky vritët më 10 gusht 1947. Lufta vazhdon në këtë krahinë ma
vonë se kudo tjetër, deri në vitin 1954.
1944-1950: Në rrethin e Tiranës shquhet për qëndresë "Çeta e Hekurt"
e Sul Selimes.
1944-1947: Në Shqipninë e Mesme, Prof. Alush Lushanaku organizon
çetat e malëve, një tmerr i vërtetë për komunistët dhe brigadat e
Ndjekjes. Në vitin 1950, Mark Zef Pali, Alush Lushanaku dhe Gjon Mark
Ndoj formojnë "Frontin e Bashkuem të Rezistencës Shqiptare", që
përfshinë edhe malët e Dukagjinit, Mirditës, Pukës, të Matit, rrethit
të Tiranës dhe Elbasanit. Kryetari ishte H. Frashëri.
1945-1950: Grupet antikomuniste të studentëve të Gjimnazit të
Shtetit në Shkodër deri në vrasjen e studentit Bardhosh Dani.
1944-1950: Nuk pushojnë asnjëherë shkrepjet e armëve nga Atdhetarët
e Kosovës që vdesin për liri, si: Maria Shllaku, At Bernardin Llupi,
Prof. Kol Parubi dhe mësuesi Gjergj Martini, të ekzekutuem në Prizren,
më 15 nandor 1946.
Korrik 1947: Kryengritja e Myzeqesë me burrin e lindun me "këmishë",
Hamid Matjanin, i kapun trathtisht nga komunistët, të njoftuem për
zbritjen e tij me parashutë në Shqipni nga spijuni anglez, kolonel Kim
Filbi, në Londër.
"Shumica e tyne ecin zdathë, kështu, që, atij që i sheh nëpër ata
shkambij i dukën dhi të egra", kështu shkruen Mariano Bolica, në vitin
1614, në "Relacione", fq. 277, Vëllimi I. Historia e rezistencës
antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore.
Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuan kurrë me komunizmin gjakatar.
Volume të tana nuk mund të plotësojnë qëndresën shqiptare të Pjetër
Dedës me gruen e tij, Maria (Zojzi), të Angjelina Markut, të Ludovik
Saraçit, të Jup e Seit Kazazit, të Pashuk e Pal Bibë Mirakajt, të
Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Dod Nikollës, të
Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll
Shenos, të Sami Lepenicës etj. Tue vue në fletën e parë të këtyne
volumeve Gjelosh Lulin, që nuk e ban ma nana.
Secili gur mali në tokën shqiptare ka të daltuem një emën heroji, që
kohëve të ardhshme do tu ngjasojnë me shkronjat e sarkofagëve, por mos
harroni kurrë, po e përsëris, kurrë, se atë çka serbët i banë Kosovës
në vitët e fundit, 50 vjet ma parë ia kanë ba Shkodrës, tue rrafshue
për toke kulturën, tue zhdukë inteligjencën, tue pushkatue e mbytë me
hu mbi 120 meshtarë, tue grabitë bibliotekat e thesaret e tyne, tue
plaçkitë e vjedhë shtëpi e magazinë tregtari, tue grumbullue dupa e
flori me arka nga gratë shkodrane mbasi i lanë të veja, tue angazhue
vllaznit tanë spijuj të Sigurimit, me paditë vëllan tue i torturue si
kafshët dhe në fund, sot, na rrimë tue kërkue eshtnat e këtyne
Martirëve dhe çka asht ma keq se nuk dimë edhe ku janë!
Sot, dimë vetëm një fakt se pothuej të gjitha përpjekjet e
shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur dhe trathti. Koçi Xoxe
deklaron: "Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me
urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje për
këtë!"(Dosja 1623).
Torturuesit dhe kriminelët Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter
Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani etj. tregojnë se kur ishin në
Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu për
operacionin e Veriut, ".......që kishim urdhër me vra dhe me i tretë
në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit......." (po aty,
Dosja 1623)
Asht e shkrueme e nuk e lot topi:
"Më 23 prill 1913, mbaroi lufta. -Shkodra ra!"...
"PO SHPELLAT A M'I PRET KUSH?"
DED GJO' LULI
Nuk kishte përfundue së kënduemi kanga e Gjeto Basho Mujit:
"A p'e marrim malin për me tretë?
A po biem ma mirë në lumë me u mytë?
A po hypim n'curr teposhtë me u rrxue?
A po him n' at kullë për me u ngujue ?"
E, jemi në 1945! Nuk kanë kalue as njëzet vjet që edhe njëherë po
ndihen gjamët e paharrueshme, kur ndër ata male të egra si bishat që
jetojnë ndër to e, kur, ende nuk ishin rritë ato lule të freskëta të
Alpeve, ku, mendja ndalon për një çast mendimin; kah sheh vigajë të
rreshtuem përreth asaj kunore që s'njihte marre.
Janë dukagjinasit po, rreshtue përbrij atyne currave, përrojeve,
gurrave e lumit që zbret rrëmbyeshëm, harlisë tue marrë me vete ma
shumë njerëz se cingla, cokla e trungje pishe, për me ushqye ushujzat
e Velipojës, të pangopuna me gjak shqiptarësh të Kosovës, për të gjatë
atyne brigjeve, në Ulqin e deri në Tivar.
Janë po, djelmët e Lokes, që shputat sëpari zdathë, shkelën mbi
shqeme, e therë në murriz e kujza pishe, e ça ndër tehe gurësh, nën të
cilët ende gurgullon në rrjedhje rrëkajë nëpër vizatje të ballit të
Shqipes: GJAKU I GEGËVE.
Janë po, djelmët e Lekës, që para se me u mbathë ne opinga janë
regjë ndër shekë e vozga të mëdha me shëllinë, për mos me i ça e shkye
shpata e bajoneta e hasmit.
Janë po, ata, që mbas nanës e babës nuk njohin tjetër fëtyre veç atë
të dhisë e brinat e saj gëdhenë në lahutë... me i këndue të Madhit
Gjergj.
Shpatullat, e vetmja shpnesë e kallximit, tregojnë cuba me shenjë
gjaku në ballë.
Huta e martina janë strukë ndër golle e shpella se veglat e serbit i
kanë ba batall.
Burrat kanë marrë malet. Gratë kanë shkepë postavë e sermt, për me i
grahë kaut kularit. Nata i zen në përpjetë të malit ngarkue me hebe e
buljera për me u çue bukë trimave ndër shpella.
Sigurimi i Shtetit ka marrë përsipër me shburrnue Bjeshkët e Nemuna,
si për qejfë të serbit.
Janë e mbi 400 burra dukagjinas ndër male, çka merr në Qafë të Agrit
tue zbritë në Urë të Shtrejtë, që nuk dorëzojnë as armët, as vedin, as
shpellat. Janë lidhë njëbesë me u vra dhe në dorë komunistëve mos me u
ra. Kërcnohen me vrasje, plaçkitje, djegëje kullash e kësollash,
zhdukje të djelmëve të mbetun tek shtëpia, pa gjyqe, shfarosje fisi,
grabitje bereqeti e buke, therje bagtish, me skam e vorfni, e prapë se
prapë nuk shtrohen.
Asht fakt që shumë krahina kanë qendrue me armë në dorë për mos me u
shkelë nga komunistët, kanë luftue deri ndër skutat ma jugore, por
krahina e Dukagjinit do të zajë vend të veçantë në fletët e asaj
historie të lavdishme. Rezistenca e popullit aty ishte shumë aktive, e
gjatë, me vorfni të pashoqe, heroike dhe gjithmonë e papajtueshme me
pushtetin komunist, sidoemos deri në vitin 1948. Çdo pëllambë e asaj
toke asht la me gjak. Bajraktarët, vojvodët, shtëpitë ma në za për kah
ndera, burrnia, besa e trimnia e gishtit kanë qëndrue me shekuj
mburojë.
Nuk përjashtohet ndikimi e roli i madh i Klerit Katolik kryesisht
atij Françeskan, në formimin e shpirtit atdhetar. Ata e kishin ba të
padiskutueshme e të palëkundshme ndaj çdo fortune formulën Fé-Atdhé,
me të cilën lindte dhe vdiste malësori. Kjo dhe vetëm kjo ishte
arsyeja që ai malësuer nuk mund të pajtohej me komunizmin. Kjo dihej
edhe nga komunistët. Disa herë Enver Hoxha ka folë e shkrue, madje,
edhe ndër "vepra" ai vé theksin në qëndrimin antikomunist të
katolikëve. Në të vërtetë asht e vetmja gja ku nuk ka rrejtë asnjë
rresht, mbasi aty bahet fjalë pikërisht për këto malësi që e kanë
faktue qëndrimin kundër tij, përderisa për 40 vjet ai udhëheqësi "i
dashtun dhe i shtrenjtë", që rrinte "gju më gju me popullin", nuk e ka
shkelë asnjëherë me kambët e tij tokën e Dukagjinit, madje, edhe
ai "trimi legjendar i luftës" krimineli Mehmet Shehu, që ishte
komandant i Operacionit të Veriut, nuk pati as burrni as trimni me
shkue me luftue kundër anmiqëve shaljanë, pra, megjithëse kishte
pushtetin dhe armët me të cilat krenohej, por gjithmonë të përdoruna
mbas shpine si me Prenkë Calin, ose kur Atdhetarët ishin të lidhun
duersh e kambësh, të çarmatosun, ose rob, e, gjithmonë të kapun
trathtisht si Llesh Marashi me shokë.
Për këto arsye duhej fillue me njerëzit që kishin influencë në ato
krahina. Vëprimet komunistët i filluen kundër Parisë së Malësisë dhe
Klerit Katolik (ndonëse i pakët në numër, por shumë i fuqishëm),
veprime të shpejta, të doemosdoshme dhe shumë kriminale për me u ba
shembull për gjithë Shqipninë kundërshtare, si në kohën e luftës aty
ku i shkeli kamba tue vra e plaçkitë, kryesisht në krahinat jugore,
mbasi largohej gjermani. Instruktorët ishin jugosllavë, pikërisht
anmiqtë shekullorë të atyne Alpeve aq të lakmueme prej tyne. Mbas
rezistencës së Prenkë Calit e Llesh Marashit filloi terrori ndër male.
Qé, pra, i erdhi dita! Më 17 janar 1945 të parët arrestohen At Gegë
Luma dhe At Dioniz Maka, dy klerikë atdhetarë. Ata në malësi zakonisht
mbanin armë të lejueme, mbasi në kohën e turqve ata luftonin përkrah
malësorëve, ashtusi kundër malazezve dhe serbëve. Armët i kishin edhe
për vetmbrojtje nga plaçkitësit. Asht i njoftun rasti i Don Nikoll
Kaçorrit, kur një natë për fat nuk u ndodh në qelë kur i pati shkue
krimineli Haxhi Qamili me bandën e tij, i plaçkiti të hollat, i vrau
shërbëtorin, tue i pre kokën dhe i dogji qelën bashkë me bibliotekën e
pasun të tij. Ndoshta kjo asht edhe arsyeja që Enver Hoxha këtë shok
të tij kriminel e cub malesh, e pat ba "hero"....
Një arsye tjetër ishte edhe qarkullimi ndër zona të rrezikueme nga
kafshët e egra kohë pa kohë për shërbime fetare. Asht e kuptueshme se
atëherë nuk njiheshin bishat komuniste, tue i kujtue si "shqiptarë"
prej shumëkujt. Këta klerikë shpëtuen vetëm se nuk kishte dalë ende
ligji i dorëzimit të armëve. Dënimet nuk u dhanë të randa mbasi ndikoi
shumë fjala e fundit e At Gegë Lumës, siç më ka tregue At Dioniz Maka
i lidhun përdorë me tè.
Ndër të parët pushkatohet Syl Martini, pa gjyq, para Kishës në Kodër
Shën Gjergj, mbasi nuk pranon me dorëzue armët, i njoftun për burrni
ndër kuvende malësoësh. Ai u tha para pushkatimit: "Çka i duhet jeta
shqiptarit maleve pa armë? Nuk ua jap!". Pra, filluan vrasjet!
Në Palç të Nikaj-Merturit porsa At Mëhillë Miraj mbaron meshën, tue
dalë njerëzit prej kishe, partizanët e Ndjekjes kërkojnë prej Fet
Sadikut, burrë afër të 70-tave me dorëzue armët. Feta nuk i dorëzon,
atëherë, ndihen krisma armësh në afërsi mbas një kodrës. Partizanët i
thonë Fetës, se me që ti nuk pranon me na dhanë armët na të kemi
pushkatue djalin 30 vjeç, Marashin dhe vëllain, Ademin, (kjo nuk ishte
e vërtetë, por kishin shkrepë armët për me ligshtue Fetën që ai me
tregue armët), atëherë Feta iu përgjijget: "Mo' brè, ju kishe dhanë
edhe djalin tjetër, por vllain jo!", e prapë armët nuk i dorëzoi. Tue
pa vendosmëninë e Fetës, partizanët shtien mbi trupin e tij dhe ashtu
të lamë me gjak dhe të shtrimë përdhé e lanë aty me e pa katundi.
Kështu fshati u njoh me ata që thirreshin "çlirimtarë".
Gjatë kësaj kohe nga mesi i 1945, në Pult kërkohej At Anton Harapi,
mbasi ishin sigurue se nuk ishte me Cafo Beg Ulqinin ndër krahinat e
tij, ku Cafi u ruajt me besnikëri nga bashkëfshatarët e vet derisa u
shpall amnistia. Siç më ka tregue vetë i ndjeri Cafo Beg, me të
vërtetë e kishte ftue me shkue bashkë me Lef Nosin, por këta të dy nuk
kishin pranue për mos me rrezikue fare e fisin e Cafo Begut, mandej,
thonte, Cafo Begu, u dukej, se po dalin jashtë kufijve e po vriten nga
malazezët a serbët. E pranonin vdekjen me kënaqësi prej shqiptarëve.
Cafo Begu e vërtetonte këtë me takimin e At Antonit në Podgoricë me
gjermanët që po largoheshin nga Shqipnia. Edhe atje At Antoni, nuk
kishte pranue me shkue me ta në Gjermani, ose në ndonjë vend tjetër,
ku të dishronte ai, i mbrojtun nga forcat gjermane. Cafo Begu ishte
shumë i sigurt se At Antonin e ka tregue në Sigurim një shirokas,
kushrini i tij (L.B.), mbasi ai ishte thirrë nga ndjekja e mbajtë 2-3
ditë tue u torturue, se mos i kishte kalue me lundër nëpër liqenin e
Shkodrës dhe mos e kishte dorëzue At Antonin bashkë me Lefin ndër
miqtë e Cafo Begut. Tue u nisë nga siguria e kenjes së At Antonit në
Dukagjin, Ndjekja fillon masakrat. Marrin 10 djelmoça të rinjë, gjoja
me i angazhue me brigadën, por, meqë, ata kundërshtojnë me iu
kundërvue bashkëfshatarëve të vet, në fshatin Xhan i pushkatojnë pa
gjyq.
Fillojnë edhe arrestimet. Në Shalë arrestohet bajraktari Kol Ndou,
pak ditë mbasi në Breg-Lumi sekretari i frontit të Qarkut të Shkodrës,
Spiro Pano (organizatë nën të cilën mëshehej Partia Komuniste),
organizon një mbledhje ku Sigurimi futë me vra Mark Sadikun, i
shtëpisë së bajraktarit të Shalës. Vrasësi Ndok Pëllumbi vritet po aty
prej Bal Markut, kështu fillon pushka... Për me ndalue gjakmarrjen dhe
përçamjen e krahinës bajraktari Kol Ndou, hyp mbi një shkamb dhe
thërret: "Në emën të Zotit burra, me prâ pushka!", dhe pushkët
pushuan. Sigurisht një burrë me kaq influencë që ndalon vëllavrasjen,
nuk kishte si me u lanë pa pranga. Nipi i tij Prel Marku, ikë ndër
shpella dhe një ditë bashkë me familje arratiset dhe nuk këthehët ma
në atdhé, si shumë të tjerë ndër ato krahina.
E njajta gja kërkohet me u ba me bajraktarin e Shoshit, Lulash
Gjeloshin, por ndodhë çka nuk e pret Ndjekja! Fshatarët lidhin besën
mos me pranue thirrjen e frontit (ose të partisë). Kur forcat e
Ndjekjes shkuan atje krisi pushka dhe vriten tre vetë të Ndjekjes.
Bajraktari del në mal. Bashkë me të janë edhe gjashtë djelm sokola
mali që syni s'u ban vék. Koha e gjatë bani që shpesh këta trima me u
përpjekë me Ndjekjen dhe gjatë përpjekjeve u vranë pesë djelmë nga
çeta e bajraktarit. Në Shkodër pushkatohet edhe prof. Gjelosh Lulashi
me Organizatën "Bashkimi Shqiptar", kështu bahën gjashtë vetë të një
oxhaku. Me Lulashin mbeti vetëm një djalë që për mos me dalë faret
fisi, e detyron Lulashin me u dorëzue. I shtymë në moshë dhe i vramë
në shpirt nga fatkeqësitë nuk e pushkatojnë, por e lanë me plasë në
burg tue e dënue 101 vjet. Gjatë kohës së burgut tregojnë se rrinte i
vetmuem, nuk fliste, veç kalonte kohën tue dredhë duhan ose tue mbushë
llullën. I vinin miqë në takim dhe nuk e lenin me vuajtë nga ana
materiale, ndërsa shpirtit të brengosun nuk kishte kurrkush çka me i
ba. Ai nuk shërohej kurrma.
Rreziku i daljes farët të fisit asht kenë ba shkak që shumë burra
janë detyrue me u dorëzue. Kështu si Lulash Gjeloshit i ka ngja edhe
Llesh Marashit e Prenkë Calit që dij unë, po kushedi sa të tjerë që jo
vetëm janë dorëzue por edhe ua kanë pushkatue djelmoçat e fundit ashtu
si Prenkë Calit. Ashtu i pat ndodhë edhe një burri tek ura e Breg-
Lumit që i çuan fjalë në shpellë: "Eja, se, për një orë po nuk u
dorëzove të pushkatojmë djalin 14 vjeç!". Ai erdhi ma shpejtë. Aty
ishte krimineli Xhemal Selimi tue thye arra me revolver mbi kokën e
një të pushkatuemit. Porsa u dorëzue burri i malit Xhemali, ma parë i
vrau djalin, mbasandej atë. Trupat e tyne u hodhën në Lumin e Shalës.
Kur në Tiranë mendohej se rezistenca e malëve po dobësohej, ndër
male ndodhë e kundërta. Më tregonte Ejëll Gërdani, shpellat sa vinin e
u mbushnin me djelmë të tjerë. Ma siguri kishin ndër shpella se tek
shtëpia. Forcat e Ndjekjes vazhdonin me lanë të vramë nga mosnjohja e
krahinës, shkonin e binin si miza në qumësht ndër shtigje ku u
fluturonte koka bashkë me "yllin e kuq" në ballë. Me u largue nga
brigada prap pushkatohej si dezertor, kështu, vazhdonte sa të shkojë
kjo punë. Për këtë arsye në muejn prill-maj të vitit 1946, Mehmet
Shehu, dërgon një brigade të drejtueme nga një terrorist tjetër i
njohun, major Ndreko Rino.
Dokumentacioni i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që ruhet edhe
sot, tregon ma së miri masakrat, pushkatimet pa gjyq, djegëjet e
shtëpive dhe arsyet pse këta kriminelë dekoroheshin e
thirreshin "heronjë të popullit" e, për fat të keq vazhdojnë t'i kenë
edhe sot! (Lexoni vetëm radiogramet që vinin në Ministri nga këto
zona!).
Majori i porsaardhun filloi detyrën në Kuvendin e Bashkimit të
Shalës e të Shoshit tek Ura e re e Dukagjinit. Aty pushkatohen katër
vetë pa gjyq pse nuk kishin dorëzue armët. Në Vuksanaj vritën dy të
tjerë, ndërsa në përpjekje me forcat e ndjekjes plagoset randë Zef Kol
Prela, i cili mbasi mjekohet, torturohet në qeli nga Xhemal Selimi e
Sabri Shema, i përcillet Aranit Çelës në Shkodër me i dhanë plumbin
ballit. Edhe Araniti si terrorist i njohun e kreu porosinë më 11 mars
1948, tue e vue në rresht me atdhetarë të tjerë, në Zallin e Kirit.
Kur Nik Sokoli formon Komitetin për çlirimin e Dukagjinit fillon një
fazë e re. E rrethonin Nikën por nuk ua kapte plumbi, tregonte
Ejëlli... Fillon marrëveshja për organizimin e një Kryengritje të
përgjithshme në Veri. Lidhja e malësorëve me Muharrem Bajraktarin,
forconte besimin në fitore. Puka me Mirakaj, Mirdita me Markagjonët e
i pavdekshmi Alush Lushanaku në Shqipninë e mesme, tronditën pushtetin
qendror, i cili në këtë kohë forcoi edhe ma shumë lidhjet me druzhe
Titon për me realizue interesat e përbashkëta antishqiptare.
Me plasjen e parakohshme të Lëvizjes së Postribës, planet dështuen.
Edhe pse dështoi papritmas plani malësorët vazhdonin rezistencën e
tyne. Lufta sa vinte e bahej ma e rrebtë. Arrestimet e pushkatimet nuk
pushonin asnjë çast. Arratisjet vazhdonin pa pushim. Shkak u ba
prishja me Jugosllavi. Forcat e Ndjekjes u trefishuan. Mjaft malësorë
dëzertojnë nga mobilizimi ushtarak. Shumë bashkohen me shokët e tyne
ndër male. Disa arratisën. U ikë për duersh komunistëve At Danjel
Gjeçaj i njoftuem nga një malësuer për arrestim.
Me shkuemjen në Dukagjin të Idriz Çobës si kryetar dege, Xhemal
Selimi dhe Sabri Shema kryejnë aq shumë krime atje, sa pak shtëpi mund
të kenë mbetë pa të pushkatuem, të arrestuem ose pa u djegë. Edhe
jugosllavët u kanë dhanë ndihmesën e tyne edhe pse në dukje ishin të
prishun. Ata dërguan prej Jugosllavisë njëfarë Prel Nika, i arratisun,
që ishte vue në shërbim të komunistëve (të këndejshëm e të andejshëm)
dhe, mbasi bashkohet me të arratisunit që ishin ndër malët ë Veriut,
një natë trathtisht vret komandantin trim të shpellave Gjergj Vatën, i
njohtun me pseudonimin "CUKALI", një emën tmer për komunistët dhe
brigadatNdjekjës.
Një ndër betejat e paharrueshme asht edhe ajo që asht ba në Palaj të
Shoshit, ku edhe pse u plagos komandanti i 87 burrave të armatosun
Mark Mala, lufta vazhdoi e përgjakëshme dhe me ikjen e turpëshme të
forcave të Ndjekjes që lane disa të vramë në atë betejë.
PËRPJEKJET DHE QËNDRESAT e Oficerit Martin Sheldija, Gjon
Destanisha, Kol Mark Toma, Ded Mirash Zefit (vra në gusht 1946),
Mëhill Ndoja etj. janë një epope në vedi në lavdinë e atyne malëve.
Këtë epope jo vetëm nuk e njohim por as nuk e gjejmë kurrkund të
shkrueme ....prej kurrkujt...
Aq shumë e urrenin malësorët komunizmin, sa asnjeni nuk pranonte me
marrë ndihmat e UNRRA-s, sëpse thonin se janë dërgue nga ata që na
sollën komunizmin këtu (nuk janë gabue aspak), gjithmonë nën
arësyen "se nuk dimë me përdorë kutiat e mishit dhe kemi frikë se
mielli asht i prishun, e po na helmatisë!"....
E vetmja gja që u dhanë me dhunë ishte DDT-ja, si ilaç, mbasi
gjithkah ishin mbulue me morra. Fshatarët thonin se edhe këta na i
kanë sjellë partizanët, e vetmja gja që na ka sjellë Partia Komuniste
e "shoku" komandant, në malësi janë morrat!
Pat edhe ndonjë malësuer të kërcnuem që punoi me Sigurimin si Martin
Shllaku (ish sekretar i komitetit të partisë), por edhe ky u arratis
ma vonë se ndiqej nga vetë Sigurimi. Ndërsa Pëllumb Ndoka nuk zbatoi
urdhnin me vra një malësuer dhe u vra nga shokët e tij "besnikë" të
Sigurimit. Të gjithë bashkëpuntorët e tyne e mbyllën jetën si këlkazat.
"Nuk shihnim ma larg se majën e hundës, atëherë..", më pat thanë në
vitin 1992, Mark Uli, kur pata bisedue çështjen e Ndue Palit me tè,
mbasi Marku ishte kenë atje kur u pat kapë trathtisht Ndou dhe ka pasë
ba një deklaratë të turpëshme në gjyqin e tij.
Vetë fakti që në vitin 1947 në krahinën e Dukagjinit nuk kishte
ASNJË komunist dhe asnjë të ri komunist asht prova ma e saktë, që
tregon ma së miri së kush ishin DUKAGJINASIT E LEKËS, burrat besnikë
të Kanunit, ku kryet e vendit e xen pushka dhe jo furka!
Oooooooo jepni brè kushtrimin ... ku jeni BURRA!?...
K U L L A P A R R U G Ë
"Shqiptari asht mbreti i malëve!"
Prof. Dr. G. STRAD
Njëditë gushti në vitin 1975, tue ecë në një rrugë pylli në anën
lindore të fshatit Razëm, më dukej se po fluturojsha mbi pyje, mbasi
rruga kishte trajtën e një shkalle krejt afër majave të pemve të larta
pranë meje. Kjo shkallë nuk ishte aq thik sa ajo e Thethit, por gurët
ishin edhe këtu të lëmuet, ku nga patkojt e kalit, ku nga thundrat e
tufave të bagëtive e ku nga opingat e malësorve. Rruga midis atyne
pemëve po më joshte aq shumë, sa pa e kuptue më dukej sikur në atë
tëposhte nuk po ecsha unë, por ngjitej rruga përpjetë dhe unë qëndroja
në vend. Unë veç kundërmojsha natyrën e stolisun të asaj zone që sa
mashumë tue vrojtue, aq mashumë kambët më shtyjshin nga e panjohtuna.
Dikund, aty mbas rreth një orë e gjysëm kur po afrohej mesdita, takova
të parin dhe të vetmin kalimtar që mbasi më përshëndeti si zakonisht
përshëndesin të gjithë malësorët njohtë e pa njohtë, më pyeti: "Shok,
po të shoh se nuk je i këtij vendi dhe se, nuk e njeh këtë krah, mbasi
nuk paske asnjë mjet mbrojtjeje me vedi, po due me të kallxue se
këndej ka ujqë!". Ashtusi isha në këmishë e pak i djersitun mbasi
rruga kishte fillue me e ba të vetën, mu duk se nga frika, u freskova
dhe në vend mora kthesën me gishta nga thembrat, tue falënderue fort e
fort udhëtarin e panjohtun. Pra, u kthyem bashkë. Biseda lidhej me
rastët e shumta të fatkeqsive të çobajve që edhe pse e njihnin mirë
atë vend, në ato kullota ishin gjetë copa e grima e shpesh ishin
njohtë vetëm prej zheleve ose opingave të shkyeme nga kopetë e ujqve.
Malësori më printe, vetëm ai fliste, mbasi unë pak nga lodhja, pak
nga frymëmarrja e sëpërpjetës dhe pak nga habia e bukurisë vendit, që
në ecje e kisha lanë mbas shpinës, ndigjojsha me vëmendje malësorin
mbasi për mue ishte gjithshka interesante. Pak përpara se me ardhë në
Razëm ai më tregoi se banonte në Vrith, një fshat aty afër. Emnin e
kishte Zef. Kur po ndaheshim më tha: "Po erdhe ndonjë ditë andej, më
kërko se aty ku të ndalon makina më njohin dhe shihemi, të pres me
qejfë te shtëpia!".
Dukej rreth 45 vjeç afërsisht, mbasi jeta e vështirë ua ka shtue
moshën atyne njerëzve për kah pamja.
Mbas 5-6 ditësh rastisi një makinë që shkonte ndër baxhat e Vrithit.
Shoferi më zbriti tek vendi dhe me të vërtetë Zefin e gjeta si të më
kishte pritë mue. Me vedi kisha një blok vizatimi. Prej Zefit kërkova
me pa ndonjë pejsazh ku të mund të vizatojsha diçka tërheqëse.
Atje sa ishte hapë një rrugë e re. Ajo të zbriste në Vuçë, edhe ky
një fshat piktoresk si të gjitha fshatrat e atyne krahinave. Midis
malëve pyjet e gështenjave e pishat dukeshin si me kenë në një gropë.
Shihej aty-këtu ndonjë pullaz që tregonte se ka njerëz që jetojnë aty.
Ajo që më bani përshtypje në atë rrugë ishte vendosja e disa gurve të
mëdhej mbi gur ma të vogjël. Gurët e mëdhej me format e tyne të
sheshta më jepnin përshtypjen e tepsive të vendosuna mbi kokat e
grave, që ecin aq në ekuilibër, sa, çdo çast pret kur po i bie tepsia
në tokë. Kushdo mund të mendojë për ata gurë se i ka vu dora e njeriut
me krijue imazhin e skulpturave moderne, po kur afrohesh e sheh
madhësinë e tyne rreth 5-6 metër katrorë sipërfaqja e një guri e
vendosun mbi gurët 2-3 metër të lartë dhe pa një shenjë dalte në ta,
aty nuk gjen asgja me mend si janë vu, mbasi edhe malët prej nga mund
të jenë zbritë janë mjaft larg. Mandej, me çka janë sjellë aty? Zefi
më shpjegoi se këta gurë janë kenë aty edhe kur kishte lindë ai para
40 e sa vitësh, por pleqtë tregojnë se ata kanë ardhë në rrokullisje
me ortiqet dhe kanë zanë vend këtu, të penguem nga trungjet e mëdha të
pemëve të pyllit që ishin kenë aty para se me u hapë rruga e re.
Mbasi ecëm rreth 20 minuta në krahun e majtë, në zbritje, jo ma larg
se 10-15 metër prej rrugës së re maje një kodrës së ultë 6-7 metër mbi
nivelin e rrugës ishin muret anësore të një kullës së vogël pa pullaz.
Nga dritarët e hapuna shiheshin ndarje të mbrendshme, gjysëm të
rrënueme. Nuk shihej asnjë shenjë se ajo shtëpi ka pasë lëvizje
njerëzish mbasi nuk kishte asnjë rrugë sado të vogël, që lidhte
shtëpinë me rrugën kryesore. Dera ishte përballë meje me një hajat të
vogël, që zbriste me 4-5 kambë shkallë ndër ferra. Disa gurë të
shkallës kishin rrëshqitë e ra. Edhe ndër vendet boshe të atyne gurve
kishin bijtë ferra. Nuk mund të afrohesha se gjithkah ishin kaçuba
ferrash, madje, edhe mbrenda shtëpisë, që shiheshin nga jashtë. Nuk
kishte shenjë jete as mbrenda as jashtë asaj kulle. As aty afër nuk
kishte shtëpi tjetër. Ajo që më mbeti në krye dhe nuk më lente me u
largue ishte dera kryesore e kryqëzueme me ferrkuqe, të vëndosuna për
mos me hy asgja, ashtu edhe dritarët kishin ferra si dera
kryqetërthuer. Pa e kuptue, unë kisha mbetë i shtangun në vend....
Qëndrimi im aty i tërhoq vëmendjen Zefit, i cili më pyeti: "Pse po
qëndron aty?" - Unë iu përgjigja: "-Nuk kam pa ndonjë shtëpi kështu si
kjo!" Zefi më tha: -"As mos të raftë me pa shtëpi si kjo!..." Atëherë,
Zefi më shpjegoi: -"Një natë, këtu në këtë shtëpi rreth vitit 1946, ia
kishin mësye tre vetë njerëz të malit krejt të panjohtun, tue i thirrë
të zotit të shtëpisë: "A pret miqë sontë?" Simbas zakonit, ai iu asht
përgjigjë: "Hajdeni, mirëse iu ka prue Zoti!" dhe u ka hapë derën.
Nata kishte qëllue e ftohtë si netët e dimnit në këto ana. Binte edhe
borë që kur fillon nuk din me pushue një minut.
Edhe kur kanë hy mbrendë udhëtarët, i zoti i shtëpisë prap nuk ka
njohtë asnjenin, megjithatë, si mbas zakonit tonë i ka shtue dru
zjarmit, u ka shtrue me hangër me çka i kishte dhanë Zoti dhe i ka vue
me fjetë.
Kah drita kanë fillue me lehë qentë. Forcat e Ndjekjes u kishin ra
në gjurmë mbasi gjatë natës kishin kontrollue disa shtëpi të largëta
e, edhe pse nuk kishin gjetë njeri ndër ato shtëpi, kah drita kishin
pushkatue katër vetë prej tyne që i kishin marrë me vedi gjatë
kontrollit, tue u thanë: "Ju e dini nga kanë kalue të arratisunit por
nuk na tregoni né!" Ata në të vërtetë nuk kanë dijtë gja, por këta i
kanë vra me frigue fshatarët për me diftue mbasi këtë punë e banin
shpesh dhe kanë vazhdue me kontrollue. Kur kanë mërrijtë këtu, i zoti
i shtëpisë nuk i ka lanë Forcat e Ndjekjes me hy në shtëpinë e tij për
me kontrollue. Ata kanë ngulë kambë me hy, por ai u asht përgjigjë: -
"Nën Zotin, kjo punë nuk bahet! Njëherë kam lé, njëherë kam me
vdekë!..." Dy drejtuesit e brigadave të Ndjekjes, Asllan Lici e
Xhemal Selimi tue pasë frikë me hy mbrendë, kërkuan dorëzimin e të
arratisunve. Ai, prap u asht përgjigjë: -"Nuk e ha bukën me marre, me
dorëzue mikun,..... mos e thashtë Zoti me u ba kjo punë në shtëpinë
teme!" Forcat e Ndjekjes kishin rrëthue anë e kand kullën dhe kanë
kërkue me dalë robtë e shtëpisë jashtë, pleqtë me gra e fëmijë. Kanë
dalë vetëm gratë me fëmijë, ndër to edhe një nuse me foshnje të vogël
ngrykë. Burrat kanë ndejë mbrendë me vazhdue qëndresën.
Porsa gratë me fëmijë kanë zbritë nga shkalla u janë afrue Forcat e
Ndjekjes, dhe Asllani e Xhemali me dorën e vet kanë vra fëmijët,
mandej nanat e tyne. Aty asht ndezë lufta. Mbas disa orësh, i fundit
ndër burra ka djegë shtëpinë dhe në prak të derës, kur këta mendonin
se ai po dorëzohet, ka vra një ushtar që i kishte kenë afrue e mbas
tij edhe vedin.
Kështu, kjo shtëpi asht shue përgjithmonë!...
Prej asaj kohe kësaj kulle i asht vue ferra!...
Vazhduem rrugën. Zefi fliste me mue e unë i zhytun në mendime
flitëshe me vedi: Po sa shtëpive si kjo u kanë vue ferrën
komunistët?!....
Ato ferra janë simboli i komunizmit që shuen fise të tana për me
zhdukë bujarinë, me prishë besën dhe me turpnue burrëninë.
Ajo kullë edhe sot tregon se si vdes malësori!
"KUSH MË NDALON MUE ME DERDHË GJAKUN! PËR TOKËN TEME?"
DED GJO' LULI
"Vetmia asht martirizimi shpirtnuer, që kalon çdo dhimbje e varrë
trupi. Dhimbja e Shpirtit nuk përshkruhet!"
Ndër këta pak rreshta do të kujtoj ata shqiptarë që kujtojmë se
njedite vdiqën!
Këta janë pikërisht ata Atdhetarë që e kishin kuptue me kohë e thanë
me gojë, se, pa shqipe s'ka burra dhe pa burra s'ka Atdhé!
Ata vdiqën vetëm para syve të atyne që i martirizuen, ata u kalbën
në qelitë e Sigurimit për sëgjalli. Varrët e tyne kulluan vetëm gjak,
gjak të pastër shqipesh që i thërriste dhe i bashkonte në një ideal e
gjuhë të përbashkët. Për né, asht e vështirë me e kuptue martirizimin
shpirtnuer të tyne, mbasi na nuk kemi provue vetminë e tyne, dhimbjet
e plagët e trupit tyne, zanin e mekun të tyne që përshpëriste thanjen
e Mustafa Krujës: "Shqipni e andrrueme prej poetve, e dishrueme
prej atdhetarëve, e këndueme prej rinisë", por, realiteti kje vetëm
mjerim, vuejtje e sakrificë!
Me kohë Don Palë Shantoja paralajmëronte: "Mbasi Fuqitë e Mëdha
kanë hjekë dorë nga drejtësia, Shqiptarët do të derdhin gjakun e vet
shumë të Shenjtë!".
-E, ashtu u ba!
KOL NURI SHELDIJA, vjeç 45, nga Sheldija e Shkodrës,
deklaron: "Jam arrestue kur asht kapë Don Lazër Shantoja, kam strehue
Don Lazrin për 26-27 ditë, nuk e ka dijtë kush se Don Lazri asht tek
unë, vetëm Lush Hila. Kam kenë 17 vjeç shërbëtor në shtëpi të Don
Lazrit. Në ditën e vjetit të ri më ka ardhë në shtëpinë teme Don Lazër
Shantoja, dhe e kam mbajtë në shtëpi deri atë ditë që erdhën dhe e
zunë partizanët në shtëpi, dhe i kam dhanë bukë gjatë qëndrimit. Ai
ato ditë ka pritë me u dorzue." (Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder
Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945.)
Gjyqi zhvillohet me dt. 29-31 janar 1945, pra dy ditë mbas
arrestimit, dhe trupi gjykues i përbamë prej: Kryetar, Esat Ndreu,
antarë, Mustafa Iljazi dhe Hysni Lame, prokuror, Sotir Dodona, japin
vendimin me datën 31 janar 1945: "Me vdekje, me pushkatim."
Kryetari i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton
Kryesinë e Gjykatës Usht. në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr.
prot. 6/100): "...I dënuari Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me
datën 2 shkurt 1945".
Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë në shkresën nr. 22, njofton
Gjykatën Ushtarake të Shkodrës, se mori në shqyrtim aktet e të
paditurit Kol Sheldija, i cili është dënuar me akt nr.14, dt. 31 janar
1945, dhe "vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim", Tiranë 28 shkurt
1945, Kryetari Gaqo Floqi d.v., antarë, F. Nosi d.v. dhe V. Zejneli
d.v., prokuror Myftar Tare d.v.
26 ditë mbas pushkatimit të Kol Sheldisë, gjykata aprovon
ekzekutimin e tij...
Kol Nuri Sheldija u pushkatue vetëm pse i dha bukë Don Lazër
Shantojës.
DON LAZËR SHANTOJA: (dosja nr. 174) vjeç 52, nga Shkodra, asht i
biri i Kelit dhe i Luçes, ka krye shkollën e lartë teologjike për
prift.
Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri iu tha atyne nder sy: "As
ma pak e as ma shumë, se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë
veç trathtarë!"
Në një faqe proçes-verbal shënohet: "Kur kam ikë, një natë kam fjetë
tek Don Nikoll Gazulli, në Dedaj kam ndejë 22 ditë tek Mark Tom Prela,
ndërsa Sheuqet Çelkupa ka ardhë në Shkodër dhe ka bisedue me Cuf Lohën
me u dorzue, e të dy bashkë, më duket janë takue me Riza Danin.
Sheuqeti, me anë të mbesës seme Siles, e shoqja e Zef Prenkës, në
rrugën Marvukej, e kjo nëpërmjet të malësorit Lekë Lulashi nga
Grizhja, më ka çue lajm të pres edhe një javë, se Sheuqeti kishte folë
me Rizanë e Cuf Lohën. Riza Danin e Dan Hasanin i kam pasë miqë me
kohë.
Si korrier për shpurje e ardhje lajmesh nuk kam pasë kurrë... Kur po
pritsha përgjigje nga mbesa e ime Silja, nuk dij sesi u zbulova nga
forcat e Ndjekjës.
Miku ma i ngushtë i emi ka kenë Beqir Valteri."(proçes- verbal dt.
31 janar 1945).
Akt-akuza e bame nga prokurori Jonuz Mersini, ka dt. 28, 29 janar
1945, ku shënohet një faqe e daktilografueme me të gjitha vëprimet e
bame prej gjyqit e deri tek pushkatimi.
Lexoni me kujdes këto pak rreshta:
- Ka ba marrëveshje për përmbysjen e Zogut në 1939, për me sjell
Princin Savoja, që në vitin 1938 bashkë me M. Krujën.
- Ishte president i kulturës popullore në Institutin "Dante
Aligheri".
- Asht qenë inisiator i grupit indipendent.
- Në vitin 1940 ka mbajtë konferencë në Egjipt, me të mërguem
kundër Aleatëve.
- Më 28 nandor 1939, ka mbajtë fjalim në Romë me rastin e dorëzimit
të Flamurit, me titull: "Shqipnia në kuadër të Përandorisë romake".
- Ka shkrue artikullin: "Luftën e fitojmë na!".
- Ka shkue në Shën Naum, Strugë dhe Dibër e ka mbajtë fjalime.
- Ka shkue nga Jugosllavia në Zvicërr si emigrant në kohën e Zogut.
Atje asht takue me M. Krujën, i ardhun nga Italia
- Ka pasë lidhje me gjeneralin Fistun, Kol Ashikun, e armiqë të
tjerë në mal. Mbas prokurorit u pyet i pandehuri dhe kërkoi pafajsinë,
mbasi nuk ka bërë ndonjë faj.
Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha
vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë:
Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar
Shaban Kuçi: "I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim."
Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë,
vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga
gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: "Dom Lazër Shantoja,
vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje - me pushkatim".
Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e
kriminelëve të Luftës për Tiranën... Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga
Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme.
Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor:
J.Alibali d.v.
"Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945."
DON NDRE ZADEJA: Kur do të pushkatohej i ndjeri Kolë Sheldija me
datën 2 shkurt 1945, në fshatin Sheldi, u thirr bashkë me popull edhe
prifti Don Ndre Zadeja, i cili, menjëherë mbas pushkatimit të Kolës,
iu afrue, i bani Shartët e Fundit dhe porsa u ngrit në kambë, pau
vedin me pranga ndër duer nga forcat e Ndjekjes.
Don Mikel Koliqi atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: "Si
tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po
e torturonin,... ai asht torturue shumë dhe po u thonte atyne : "Mohni
bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në
mue!?"
Don Ndreu akuzohet se ka pasë dijeni për vendqëndrimin e Don Lazër
Shantojës, Don Alfons Trackit, Kol Ashikut, Martin Sheldisë, Gjovalin
Sheldisë, Ndoc Jakovës, Gjok Gjergjit (prej Lisnet) dhe Zef Augustinit
(prej Lisnet), të tre të fundit "dëzertor" nga ushtria. Njëkohësisht
ka mbajtë lidhje të ngushta me Don Injac Gjokën, i cili strehon dhe
përcjellë ndër shpella "kriminela" të luftës. Don Ndreu mohon akuzën
që i bahet por burrnisht pranon:
"Mësova se punohët për shuemjen e Partisë Komuniste, të cilën si
doktrine e urrej edhe unë." (Dosja 667, deklarue më 7 shkurt 1945, Don
Ndre Zadeja d.v.).
Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi,
antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe
sekretari Shaban Kuçi, me datën 16 shkurt 1945 dha vëndimin: "Për të
pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim".
"I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit."
Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon
kërkesën.
Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas
murit të vorreve të Rëmajit, në Shkodër.
Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: "Ah, moj Shqipni, moj
mizore e, çka të baj ma shumë për ty?!". Ndër pushkatimet e ditëve të
para lejohej prifti. Në këtë rasë ishte aty Don Tomë Laca, i cili mbas
pushkatimit e mori në krah Don Ndreun e vramë, (me leje të Sheuqet
Peçit) dhe bashkë me xhakonin Mark Çuni dhe dy të tjerë, e kanë
varrosë mbrenda vorreve të Rëmajit, aty ku asht edhe sot. Kur Don Toma
shkoi në Argjipeshkvi aty nga ora 7.00, pau veladonin e lamë me gjakun
e Don Ndreut prej supit ku e kishte mbështetë e deri në fund të
kambëve dhe aty për aty i ka ra të fikët. Prej atij çasti ai ka pësue
një sëmundje nervore nga e cila nuk asht shërue kurrma. (Si mbas
tregimit të Don Mikel Koliqit, në vitin 1993).
Atë ditë, një afishe e madhe u vue ndër murët e Shkodrës:
"PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS DHE ARMIQTË E POPULLIT:
1.Prenkë Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati 4. Ndok Nik
Bardhoku 5. Ndrekë Loka 6. Arif Selim Hyseni 7. Dedë Lulash Smajli
8. Gjok Nikaj 9. Dul Bajrami 10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12.
Maliq Bajrami 13. Gjok Nikoll Voci 14. Pjetër Dedë Gjedashi."
Ideali që i bashkonte këta burra ishte: "Rrnoftë
Shqipnia!"
NDUE MIRASH PALI: vjeç 23, nga Shkodra, i biri i Mirashit dhe i
Mrikës Gjelosh Vatës.
Dosja nr.1108 hapet kështu:
" V.F.L.P.
Proçes- verbal
I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje, Ndue
Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë
prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në
vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e
popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e
fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
Ndue Pali: Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të
mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet
vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët.
Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t'ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në
vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne
demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve!
Të fala familjes.
Prokuror
(Aranit Çela) d.v."
Në proçes-verbalin e mbajtun në seksionin e mbrendshëm të Shkodrës
nga komisioni hetues, i përbamë prej: Hetues, Koço Dilo, Nestan
Ujaniku, Shefqet Dibra, Arif Gjyli dhe Haki Llazani, i arrestuemi Ndue
Pali thotë: "...Kam agjitue për Ballin Kombëtar. Me gjermanë kam kenë
oficer i ndërlidhjes në batalionin "Vërmoshi". Kam punue me krenët e
Malësisë së Madhe ("Besë-Lidhja"), kam kenë mandej në dispozicion të
Komandës Shkodër. Kam marrë pjesë në operacionin e Llesh Marashit e
Hasan Isufit, nga Shllaku e deri në Vrakë. Në këtë operacion u
arrestuen: Faik Dibra, Rifat Muja, Nedime Baku dhe një partizan Halil.
Gjoni i Markagjonit më tha me shkue në Dukagjin, por unë nuk shkova, e
din Riza Dani e Kol Prela... Faik Dibra ka kenë shoferi i makinës së
Ndrec Prengës kur asht vra. Atëherë ishe i arratisun... Në listat e
internimëve në Prishtinë nuk kam ba pjesë, ato i ka ba policia me
Hasan Isufin..."
Në gjyq deponojnë kundër Ndue Palit: Vasil Kavaja, Selim Rama, Sadik
Bekteshi, Beqir Ndou, Mark Prela, Arif Gjyli, Mark Uli etj.
Trupi Gjykues përbahej prej: Kryetar, Mustafa Iljazi, antarë, Orest
Papadhimitri dhe Pjetër Daragjati, prokuror Aranit Çela. Vendimi u dha
më 14 korrik 1945.
Arkivi ruen edhe një letër që Ndue Pali i dërgon Riza Danit, me anë
të së cilës Ndou kërkon prej Rizasë, mundësinë e ndërmjetsimit për me
u dorzue.
Në dosje ruhët edhe mbrojtja që avokat Paulin Pali, i ka ba Ndout,
tue kërkue: "...ju lutëm ndryshoni vëndimin e caktuem, në burgim të
përjetshëm, i sigurt në ndjenjat e drejtësisë njerzore të Gjykatës së
Lartë. (më dt. 14 korrik 1945).
Mbrojtja e Paulinit ka titullin "Liri, Nderë e Burrni", ku, ndër
pesë faqe të daktilografueme, avokat Paulin Pali i len jurisprudencës
shqiptare një thesar të vërtetë nga mendja e tij e ndritun.
Me datën 15 gusht, aty nga ora 3.30 e mëngjezit, kur rojet e burgut
të vjetër të Gestapos (pranë shtëpisë së Zef Shirokës), hapnin dryjt e
dyerve me zhurmë e virrma për me hy xhelatët me marrë të dënuemit me
vdekje për me i çue me i pushkatue, ata u gjetën para një të
papritune, që as nëpër mend nuk i shkonte! Ndou dhe Cafi kishin mpreh
bishtat e lugëve që hanin dhe i kishin kthye në thika. Xhelatët gjetën
aty atë që lypnin me sjelljen e tyne barbare.
Heroizmi i Ndue Palit e Caf Metit mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e
popullit të Shkodrës!
Akti heroik i vdekjës së tyne u kthye në një legjendë. Ata trandën
hekrat dhe murët e burgjeve komuniste në gjithë Shqipninë.
Më 2 nandor të atij viti, si gjithmonë, kujtonim të vdekunit. Ishim
ndër vorret e Rëmajit që atë ditë marrin një pamja madhështore dhe
papritmas u hap fjala, se mbas murit të vorreve janë rregullue disa
vorre të njerëzve të pushkatuem. Si fëmijë kaluem mbas Pendës së Kirit
kur, shka me pa?!... Një kortë i vërtetë. Drejt me çinarin e dytë
ishin pesë vorre të bame me gurtë e Zallit të Kirit, të mbuluem me
guraleca të vegjël, të bardhë si biluri. Tre prej tyne me kokë nga
Penda ishin me Kryqa, ndërsa dy që hynin ndërmjet, me fëtyra përballë
atyne të treve, kishin shenjën e Myslimanëve. Ndër të gjithë shenjat
varëshin fotografi të mëdha (rreth 35x50 cm.). Ishin fëtyrat e atyne
djelmve të pushkatuem në lule të rinisë. Te koka e secilit vorr ishte
e ulun kacuk nana ose një i afërm i të vramit. Mbi gurët anësor të
vorrit ishin të rreshtueme cigare, të cilat, dy a tre nga të afërmit
ose miqë ua shpërndanin burrave që vinin aty. Kujtoj, se mbi vorrin e
Ndue Palit e Kol Sokolit kishte edhe fruta tek fundi i vorrit. Ishte
zakon i malëve. Në mes të Ndout e Kolës, me fëtyrë përballë, ishte Caf
Meti. Emnat tjerë nuk i kujtoj. Nën fotografi kishte lule të bardha
dhe të freskëta që na kujtonim se lagëshin nga lotët e atyne nanava me
futa të zeza e degërmia të bardha, ato u merrnin erë atyne luleve,
por, jo, jo tue kja loçkat e zemrës së tyne që ua kanë tha shpirtin
për gjithë jetën. Asnjenës nuk i pashë pikë loti. Aty kuptova, se
Heronjtë Nanat Shqiptare nuk i vajtojnë!...
Për pak minuta erdhën disa makina me ushtarë të mbrojtjës, filluan
me vrritë si bishat e tërbueme në kohë bore. Kur filluen krizmat e
automatikëve na ikëm me vrap.
Mbas asaj ngjarje nuk bahej fjalë ma për vorre të pushkatumëve. Aty
ai vend u mbush me pleh e mbeturina, me kafshë të ngordhuna, me
pisllëkun e pusave të zez të qytetit, që karrocat hillnin sipër me
zhdukë çdo gjurmë. Aty-këtu filloi ndërtimi i ndonjë shtëpisë ku
Sigurimi solli të besuemit e vet me qëndrue gjithënjë në roje.
Megjithatë, kishte ndër kaçuba e ferra ndonjë qiri të ndezun e të
futun mbrenda në një kuti teneqeje që mos të fikej, që derdhte lotët
e tij në atë vend të bekuem.
Po, sot, pse asht ashtu ai vend ?!....
Mos harroni, historia përsëritet!
PJETËR GEGË GURAKUQI: "Kriminel lufte dhe armik i popullit". Pse
asht i këtillë?
-Pse ka lé në Shkodër... më 2 janar 1912. Mbas mësimeve të para në
vendlindje gjimnazin e ka krye në Beograd. Akademinë Ushtarake e ka
përfundue në Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë, ka ba një kurs
specializimi për karabinjeri në Firencë, në Itali, dhe në vitin 1932,
këthehet në Shqipni.
Emnohet në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare, për shkollat e
Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit 1939 ishte komandant i Rrethit të
Jashtëm, në Tiranë, deri para kapitullimit të Italisë. Katër muej para
shkëputet, mbasi vëren shthurjen e italianëve. Me ardhjen e Mahmut
Golemit, si Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët,
Pjetri emnohet në Berat dhe shumë shpejt vjen prap në shkollën e
gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune deri në fund të vitit
1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga Komandanti i Brigadës
së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte nga Pjetri, me
shkue prap në Berat. I përgjigjet thirrjes dhe shkon atje deri në fund
me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan.
Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u
kapnin nga gjermanët dhe i sillnin aty.
Në janar të vitit 1945, arrestohët si "kriminel lufte dhe armik i
popullit" në Berat.
Para komisionit hetues të përbamë prej: Major Ruli, Bello, E.
Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: "Kam qenë vetëm një
ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në ndihmë
popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit...
Populli i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje..."
Me datën 8 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Beratit, e përbame nga:
Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki Veleshnja dhe Neki Korita,
prokuror kap.I. Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl Borduni, akuzojnë
Pjetër Gurakuqin, se "ka qenë vegël e verbër e okupatorit të huaj, ka
qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka
patur "karta bianka" kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare."
Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue njeri mbasi nuk ka as fakte për
té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap. Qamile Libohova, asht
torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan Ramadanin nuk e njeh
fare.
Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli deklarojnë: "Kanë
shkuar gratë tona për t'iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka liruar". (Dosja
nr. 318).
Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në Tiranë,
shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të
Beratit, ku shënohet: "...Si paraqitet Pjertri ? - Jo aq armik, sa në
shkresa. Popullin i Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra
në gjyq. Flasin mirë për té......Vetëm, vendimin e Pjetrit me v d e k
j e, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli
është shumë i kënaqur. .........
Mejtimi ynë: Pjëtrit t'i këthehet në burgim të përjetëshëm. Pse: Kur
Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me Operacionin e Komunës së
Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën, që mund të japin shpjegime për
Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet. Pjetri
mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm.
I pandehuri Skënder Plashniku, kriminel me famë. Spijun.
Ceno e Hysen Shahin Elezi nga Plashari, janë kriminelë dhe armiqë të
betuar.
Misto Bllaci d.v. "
Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të mira edhe nga Sheuqet Peçi,
Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka terrorizue popullin në
zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur ishte gjykatës.
Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk Jakovës, i cili, si dukët i ka
dhanë "shpjegimet" me gojë tek kryekasapi.
Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje nga qyteti i Shkodrës, ku ven
në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë dhe se deklaratat e
bame nga populli i Beratit duhet të prekin "zemrën e komandantit"....
Cila ishte përgjigja?
"Komanda e Përgjithëshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Gjykata e Naltë
Ushtarake
Tiranë 3 shtator 1945
Nr. 08-134/I-Prot.
GJYKATËS USHTARAKE - Berat
Gjegje e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945:
Aprovohet ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:
1. Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
2. Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga Plashnik,
3. Skënder Sadik Çaushaj nga Plashnik.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar Shkurtës, i këthehet në burgim të
përjetëshëm.
V.F.L.P.
Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v."
Përgjigje me datën 1 tetor 1945:
"Në orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në
radiogramin e sipërm.
Vullneti i tyre i fundit qé: "RROFTË SHQIPËRIA"
Kryetari i Gjykatës Ushtarake:
Kap. I Bexhet Mema d.v."
"Komandanti" për të gjithe donte me ditë vullnetin e tij
të fundit!!
PJESA E II
Shënim : Nga një lexues i "Tribuna Shqiptare" më është bërë një vrejtje për një pasaktësi në lidhje me një të afërmin e tij që i përmendet emri në këtë pjesë të shkrimit të Fritz Radovanit. U takon personave të përfshirë në këtë cështje ta zgjidhin çështjen mes tyre (autorit dhe personave të përmendur) por unë duke menduar se gabime të tilla ndodhin dhe me qëllim që askush të mos fyhet padashje, vendosa ta heq frazën në fjalë duke rikujtuar dhe njëherë se shkrimet e pasqyruara tek "Tribuna Shqiptare" kanë një autor dhe është autori që mban përgjegjësi për sa ai shkruan. Botimi i një materiali nuk do të thotë se autori dhe stafi botues ndajnë të njëjtin opinion.
Ajet Nuro, administrator
Y J E T E K O M B I T
Nuk shuhën me ujë ....
e, as nuk mbulohën me baltë!
Kur vuejtja dhe sakrifica e një njeriu mërrijnë me kalue edhe cakun e jetës e, kur këtë ai e ban për Fé, Atdhé e Përparim, atëherë, ai ka mërrijtë me ba atë që ndoshta nuk bajnë gjenerata të tana të një populli.
Ata, atëherë, rreshtohën në Elterin e Atdhetarëve të atij Kombi!
Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme.
Nëse, sot duam me pyetë, a e meriton apo jo atë nderim DON LAZËR SHANTOJA, unë po ju përgjigjem se kjo nuk më përket me e thanë unë, mbasi për mue asht ndër nderimet ma të mëdha të jetës seme, që me ligjëratën teme me përkujtue 50 vjetorin e pushkatimit të tij.
E, ku të fillojmë? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës shqiptare, që vdekja mizore prej katilëve komunistë, tue la me gjakun e tij tokën shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë.
Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. Ata qëndrojnë lart, fort lart e gjitmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshme për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut.
Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim, deri atë ditë që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.
Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na përdhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa, përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, në shtëpitë e katolikëve, por edhe në qelat e priftënve, madje, edhe i ngulnin ndër hunj, mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se, ata, ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vepronin ashtu.
Ndër ditët e para të këtij shekulli fituam lirinë....Një andërr!
Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aq sa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njëriut, thotë një dijetarë.
Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë nazistët?
Çka do të thonte bota sot po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni, të bamë kundër atdhetarve, dijetarëve dhe klerit katolik?
Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja etj. që vetëm "zbatonin" ligjin? A mund të besonte kush në botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë dhe kanë dalë nga një popull prej ma pak se një miljon njerëzish (atë kohë)?
Cili evropian beson se:
Shkenctarët vetëm pse janë priftën i kanë mbytë për së gjalli në gropë gjirizi....
At Serafin Kodës i nxjerrë hetuesi gabzherrin me thonjë....
Imzot Jul Bonatin e fusin në një manikomjo ku e shkyjnë të çmendunit....
Papà Josif Papamihajlin e mbysin, tue e zhytë për së gjalli, në baltat e kampit të shfarosjës së Maliqit të Korçës....
Papà Pandin e gjejnë në pyll tek një cung me kokë të këputun me spatë....
At Frano Kirin e lidhin tri ditë fëtyrë për fëtyrë nën një të vdekun....
Don Mikel Beltojën në vitin 1974, para pushkatimit, Shyqyri Çoku me shokët e tij katilë e shkyejnë për gjymtyrësh vetëm se prifti thërriste: "Rrnoftë Krishti!"
Po, sa e sa të tjerë që këta mizorë i hodhën nga dritarët se, gjoja kanë vra vetën?!
Të gjitha këto që rreshtova nuk krahasohën me atë që u ba mbi trupin e Shantojës, sepse, ky, i mjeri u la me jetue si thotë populli: "Gjallë e për gazep".
Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë e tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje, që për fat të zi edhe këto thirreshin "shqiptarë" edhe pse nuk kanë një pikë gjak shqiptari. Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij.
Vetëm kështu shpjegohët ajo që u ba mbi Don Lazër Shantojën të parin e, mbas tij, mbi të gjithë klerin katolik shqiptar e të huej që ranë në duart e këtyne kriminelëve trathtarë.
Çdo antikomunist për tà ishte atdhetar, prandej duhej zhdukë, ky asht "ideali" i çdo komunisti. Ky "ideal" ka shty komunistët me çvarrosë edhe eshtnat e atdhetarëve për me i tretë, tue fillue nga At Fishta, Don Ndre Mjeda, Xanoni dhe të gjithë klerikët e varrosun në Kathedrale, në Kishën Françeskane, ndër Jezuitë, në Kishën e Zojës tek Kalaja etj.
Para vitëve1930 kur ende nuk kishte fillue me bijtë në Shqipni fara e keqe e bolshevizmit, ishte At Fishta, Shantoja e Don Kolec Prennushi që paralajmërojnë me shkrimet e tyne rrezikun që po vinte edhe këtu. Fara e keqe po binte e po rritëj shpejt e kudo!
Don Lazri shkruante në gazetën "Ora e Maleve"(me siglën Y), nr. 48, viti 1924:
...."Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët".
Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940, ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni, do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven atè përkrah penës ma të fortë të Jugut, të madhin Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi!
Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: "Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën".
Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën "Drita", dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin që shkruen: "Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht, në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944".
Prof. Isak Ahmeti shkruen: "Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme." ("Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia" fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): ".....letërsisë shqiptare me siguri do t'i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi".
E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:
......Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën "Ora e Maleve", në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: "Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet".
Pra, njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen:
"...Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit..."
Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!
E, mbas njëzet vjetësh, nana e tij u lutet gjymtuesve:
"Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi.... mos e leni kështu djalin!".
Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një nanë shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po!
Ky asht komunizmi!
Nanat shkodrane janë të gdhenuna nga gurët e Rozafës.
Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar.
Ja një parandjenjë e tij:
"Sod kshtu t'shpërblen ty bota! Po mizore
e padrejtë s' sundon der n' t' sosun t' motit!
Koh' ka për t' ardh', qi ty kjo tokë Arbnore
Dikur tash ka për t' njoftë, o njeri i Zotit !"
Edhe unë besoj se po!
5 mars 1995
PROFESOR FILIP NDOC FISHTA
"Uria asht ma e pashpirtë sesa hekuri!."
"Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar"
Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të lartat i përfundoi në Beograd, për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe profesor në universitetin e Sobonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe ky figurë e "harrueme".
Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti dhe Bernardin Palaj.
"E thrret Atdheu", si shumë atdhetarë të tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vinë me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938 asht në Tiranë, në Institutin "Nana Mbretneshë", ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944. Në mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945.
Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët, i akuzuem si kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar. Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe, se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit. Relacioni asht i shkurtë, por me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit.
Prof. Filipi deklaron: "....Nuk mund të cilësohem si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë, p.sh. "Historia e lindjes së shtypit", etj. si letrar-artistik po, por jo politik. Nga gazeta "Mesagero", kam përkthye artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk kam pasë të baj me BRUFSHIN (Rinia Universitare Fashiste Shqiptare) .... De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë mësim fëmijve të tij...."(Dosja 7842).
Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë "Jeta Shqiptare" në Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë, ku ka shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si "kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar".
Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin dënimin e "merituar", 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim "pasurie".
Cila ishte "pasuria" e Profesorit?
"Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf." (simbas proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të "pasurisë" shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion te madh, por nuk pat me çka me u mbushë, përveç policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim.
Ku bazohej akuza?
Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: "Tomori i vogël", "Hylli i Dritës", "Shkëndija", "Shkolla Kombëtare", "Balli i Rinisë", "Drini" dhe "Fashizmi".
Prokurori thekson: "Vetë juve Z. Kryetar, i patë artikujt e tij sa të ndyrë ishin!..."
"Faji" i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin etj. ndonse vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë mbasi vdiq. Prof. Androkli Kostallari e ndihmoi profesorin kur doli nga burgu, i premtoi se do të riabilitohej dhe se, do të i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet e tija "prehën në paqë të pafund", mbasi nuk i dihët ende "vorri".
Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën nuk asht njohja personale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar, mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në kjoftë se ndodhë ndonjëherë), por më ka shtangue guximi i madh i avokatit të tij, Z. Kol Dhimitri, i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë!
Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në pah vlerat letrare dhe shkencore dhe, ndoshta, edhe tue u vetsakrifikue për një atdhetar që si të gjithë të tjerët kërcnohej nga vdekja prej trathëtarëve të paditun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për gjithçka që shkatrron kulturën dhe shkencën, ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga rruga e qytetnimit evropian.
Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, thotë: "Filip Fishta ka kryer studimet e veta në Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë, dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sobonné të Francës për disa vite. Është një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit në vendin e tij...
Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sepse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri të sinqertë.
... Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sepse ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër shqiptare....
Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.
... Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në "Rivista d'Albania", kundër Cordignanos me 1941. Artikulli titullohet "Shqipnia jonë"...
Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.
Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.
Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël informator një shkenctar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare.
Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare."
Avokat Kol Dhimitri d.v.
Duhet me thanë "shyqyr" që nuk e mori vesht kush këtë mbrojtje, mbasi mund të kthehej vendimi edhe "me pushkatim"...
Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër. Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte i thjeshtë dhe i veshun keq. Kur fliste e bante disi të veçantë shqiptimi i një "thëje" në maje të gjuhës. Na atëherë nuk mujshim me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të librave që ishin të hullun për tokë. Ai i fshinte me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë. Ata ishin librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve dhe të Jezuitve. Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin ngarkue me atë punë aq të rëndomtë, vetëm me hangër një kafshatë bukë të thatë me emnin "pastrues", pikërisht ata, që ndër ata libra kishin edhe artikujt e tyne. Librat e ndamë prej tyne, mandej zënin vend në "bibliotekat" përsonale të "Prof. Doktorave" Jup Kastrati me shokë, libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë e tyne. Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me "Revolucionin Kultural" në vitin 1967, me bibliotekën e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen me atë rasë.
Prof. Kol Alimhilli thonte: "Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajt e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin."
PARTIA DEMOKRISTJANE
ISHTE VETËM NJË IDE
Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.
Shpesh, bisedohej se ka kenë formue kjo parti në Shqipni.
Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por, nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta, edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Gardini, Monsinjor Mikel Koliqi, etj. me të cilët kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, "...se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni," por, asht kenë një çpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike. Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivet sot kanë edhe detaje të programit të "Besëlidhjes së Veriut", që u formue në vitin 1943.
Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin "Çinarët". Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me Z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun, që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej Z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me këtë parti fantazëm, e çpikun e gjithmonë e pakenun që hangri sa koka njerëzish të pafajshëm.
Z. Nino Kurti tregon, se në muejn maji të vitit 1945, kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë. Aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhetor. Asht bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona, ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, por sëbashku nuk e kishin bisedue kurrë. Atëditë, i kujtohej mirë se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime, për të gjithë nuk kishte të panjoftuna, kuptohet pa hy ndër detaje, por debati ka fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e kulturueme e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht a do të pranojnë ata me u drejtue kjo parti nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë?
Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin, për me pa a pranohet prej tyne si parim. Këtë e ka marrë përsipër Paulin K. Pali e Mark Shllaku, me e bisedue me At Gjon Shllakun. Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, i cili nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i prëgatitun mirë si intelektual dhe shumë besnik.
Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se At Gjon Shllaku, nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit, Imzot Leone Nigris nga Shqipnia prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo, as nuk mund të bisedohet me Provinçialin, At Mati Prennushin, e, as me Imzot Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne, sigurisht ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, ku, At Gjoni asht kenë prezent. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht lojë e komunistëve, prandej si përfundim kleri nuk përzihet në çështje partishë politike, mbasi mund ta pësojë si At Lekë Luli prej zogistave.
Nino dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por, edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue se edhe shkollat fetare po mbyllen. Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin. Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin që mos të përzihen asnjë në këtë çështje mbasi si po shifej, anglo-amerikanët, Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe "nuk dijmë si do të bahet halli i jonë". At Mati Prennushi me një letër porositë në mënyrë të preme të gjithë françeskanët, që mos të përzihen në politikë.
Nino, shtonte, se nuk ishte dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin. Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do t'a drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin për formimin e Partisë Demokristjane. Kjo ishte edhe arsyeja, që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohtë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën "Bashkimi Shqiptar" dhe dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga atdhetari i flaktë Mark Çuni.
Nino e lente ide edhe për faktin se përsonat që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën "Bashkimi Shqiptar" dhe as që asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide mbasi mund të ridënoheshin edhe mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët.
Nino e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: "Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj. janë kenë vetëm trillime dhe çpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të saj, mbasi kryesore kemi pasë besën. Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Evropë, po ku me e gjetë sot një Andro Petroviq apo Mark Çunin, me e drejtue këtë parti?".
Mbas asaj bisedë nuk u pashë ma me Ninon, mbasi ai vdiq ndër ato ditë.
Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Shllakut, asht kenë i dërguem për partinë demokristjane nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndsishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin apo kushrinin e tij, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?
At Meshkalla thonte: "Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pregatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pregatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sepse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike. Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!"
At Gegë Luma deklaron në gjyq, në vitin 1968: "Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristjane?".
Vetëm më 16 nandor 1990, Don Simon Jubani, mbas meshës së parë më 11 nandor, ka ba përpjekje zyrtare me formue Partinë Demokristjane, tue ngarkue Prof. Nush Radovanin, me këtë detyrë. Ramiz Alia u frigue nga ky veprim dhe në fillim të dhetorit shpallë të formueme Partinë Demokratike. Kaluan mashumë se gjasht muej me zvarrisje burokratike dhe demokristjania nuk aprovohej nga Ministria e Drejtësisë. Kur Nushi takohet në vitin 1991 me demokristjanin Pikoli, në Ambasadën Italiane, në Tiranë, Pikoli i thotë: "Na nuk merremi me ju, na do të përkrahim shumicën!". Nushi mbyllë kapitullin tue u largue përfundimisht nga Shqipnia. Si të gjitha partitë tjera.... formohet edhe "demokristjanja" që asht sot. Kjo asht arsyeja që u vuna me ditë diçka për Organizatën e parë antikomuniste "Bashkimi Shqiptar".
ORGANIZATA "B A S H K I M I S H Q I P T A R"
".... Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit të Partisë Enver Hoxhes, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë, me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: "E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!...." Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: "Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë", duhet - vazhdoi ai " si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!" (At Daniel Gjeçaj "Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare" fq. 36.).
Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema "Rozafat" të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste "Bashkimi Shqiptar" nga Gjykata Ushtarake e Qarkut e përbame nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela. Në bankën e të akuzuemve ishin:
1. At Giovani Antonio Fausti S.J. vjeç 46, nga Breshia, Itali.
2. At Daniel Llesh Dajani S.J. vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.
3. Mark Ndoc Çuni vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.
4. At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.
5. Gjergj Vat Bici vjeç 26, nga Gurzi, Milot.
6. Gjon Prenk Shllaku vjeç 22, nga Shkodra.
7. Ndoc Gjelosh Vata vjeç 24, nga Gurzi, Milot.
8. Preng Llesh Lezaj vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.
9. Pjetër Gjok Ejlli vjeç 20, nga Beltoja, Shkodër.
10. Andro Lubo Petroviq vjeç 32, nga Shkodra.
11. Ernest Gjok Dema vjeç 26, nga Shkodra.
12. Gjelosh Lulash Bajraktari vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh,
Dukagjin.
13. Luigj Ndoc Kçira vjeç 20, nga Shkodra.
14. Prof. Gjelosh Lul Marku vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.
15. Zef Gjin Mirdita (Buka) vjeç 19, nga Shkodra.
16. Gjovalin Kol Zezaj vjeç 17, nga Shkodra.
17. Nino Zef Kurti vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
18. Myfit Qamil Bushati vjeç 18, nga Shkodra.
19. Qerim Sadik Myftari vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.
20. Luigj Sokol Shoshi vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.
21. Frano Pjetër Mark Mirakaj vjeç 29, nga Iballe, Pukë.
22. Pjetër Palok Berisha vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
23. Osman Brahim Plaka vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.
24. Pjetër Sali Pjetërnikaj vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.
25. Pjetër Mark Delija vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.
26. Dedë Mëhill Deda vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.
27. Jakë Vas Çunaj vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.
28. Pashuk Kol Matia vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.
29. Pjetër Kokërr Gjoka vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.
30. Nik Deli Lekbibaj vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.
31. Rrok Martin Lacaj vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.
32. Çesk Zef Gjeluci vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
33. Ndoc Rrok Jaku vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.
34. Tonin Nush Bianku vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
35. Lazër Simon Kodheli vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
36. Ndue Bib Doda vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje:
Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):
"Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:
1. P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,
2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,
3. P. Gjon Shllaku nga Shkodra,
4. Mark Ndoc Çuni nga Bushati,
5. Qerim Sadik Myftari nga Vuthaj, Guci,
6. Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.
Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për tu shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t'ju komunikohet mbas shqyrtimit.
Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.
"Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
1. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
2. Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T'i japin prindët (far'e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.
3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t'ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!
Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.
Shënim:
Në ligjëratën e drejtë gjithënjë i jam përmbajtë origjinalit edhe në ortografi. (autori).
Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
"....Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.
Frederik Nosi d.v.
Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue shumë shpejt nga Enver Hoxha, prandej edhe ata e dekoruen më 1 korrik 1946, "Hero i Popujve të Jugosllavisë", dekoratë që e "gëzon edhe sot" atje ku asht!...
Ndonse materiali që kam pasë në dorë asht mjaft i pakët asht i mjaftueshëm për me nxjerrë në dritë organizatorët, pjesmarrësit, si dhe të pafajshmit e kësaj organizatë.
Mark Çuni:
"Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizate. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të '45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë... Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë... Nuk dij se asht bisedue për "dorën e zezë" ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim, por unë e kam ba... Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue... Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue...
Prof. Gjelosh Lul Marku:
Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin; me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane ose social-demokrate... Unë nuk kam bisedue asnjëherë me Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata politike... Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka çfaqë me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve, por nuk dij se ka formue parti e organizata...
Unë, kam pranue se kam mendue vetëm unë për "dorën e zezë", por, për këtë nuk kam bisedue me klerikë, por vetëm me shokët e mij... Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu...
Gjergj Vat Bici:
Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë...
Andro Petroviq:
Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun, me të cilët kemi bisedue për një organizatë, por nuk kam kenë kur asht formue... Nuk kam ndigjue prej askujt se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë punë... Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë parti demokristjane!
Mark Gjon Shllaku:
Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio, por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue Shoqninë "Antonjane", dhe nuk dij se ajo shoqni ka kenë politike.
Pjetër Gjoka:
E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti, ka kenë kjo: "Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike!".
Luigj Kçira:
At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s'e dij...
Xhakoni Gjon Shllaku:
Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë raport P. Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë P. Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945....Jezuitët i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit.
... Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, të cilat neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira për me i shpërnda...
....Ndërhynë prokurori Aranit Çela:
Thuaj i pandehur, çfarë ke thënë në hetuesi për Klerin Katolik dhe kryesisht për mënyrën, se si këta klerikë që janë këtu në bankën e të akuzuarve me juve, mbanin lidhje me të arratisurit dhe si mendonin me organizuar kryengritjen e armatosur, për të rrëzuar Pushtetin Popullor?
Xhakoni Gjon Shllaku i përgjigjet:
Në se doni, unë edhe e çveshi këmishën, dhe shifni si e kam trupin e nximë kur i kam thanë ato fjalë, nuk asht e vërtetë, që këtë organizatë e ka formue At Fausti e At Dajani... Për poezinë e Tuk Jakovës më ka shty delegati Nigris, se e kishte pritë keq Tuk Jakova... Për rektorin, asht e vërtetë se e ka shkye gazetën "Koha e re"... Dij se ata që ndanin trakte duhet të ishin të armatosun.
Gjelosh Lul Marku:
Nuk asht e vërtetë se u kemi thanë shpërndarsve të trakteve me kenë të armatosun, ...nuk asht e vërtetë se kemi pasë lidhje me të arratisun....
Mark Çuni:
Asnjë person nuk ka pasë armë. Unë nuk i dij lidhjet e xhakonit Gjon Shllaku me delegatin Nigris... Nuk kam pasë asnjë dijeni për poezinë e dërgueme tek Tuk Jakova. Gjoni ndoshta, i thotë këto, se don me shpëtue vedin.
At Giovani Fausti S.J.:
Unë nuk dij sepse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të vinte... Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë jam plagosë...
Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë se ç'parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejt si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por unë me té nuk jam takue asnjëherë. Jam largue për shkak se ky merrte pjesë në politikë...
Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për qëllime politike por për qëllime fetare, dhe jena mundue gjithmonë me u largue nga politika....Unë i nënshtrohem gjykimit por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste, të cilën e kemi konsiderue ateiste dhe imorale...
Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi. Deshtme ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte kot, prandej e mbajtëm... Në atë kohë ka ardhë edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t'ikte po ne e mbajtëm.
Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu vërtetë i ka mbyllë shkollat, por në punë të tjera nuk asht përzi. Kisha kjoftë edhe një qeveri t i r a n i k e, e nderon për mos me shkaktue rëndime ma të mëdha, dhe shkakton salvimin e Kishës. Padër Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë, por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, dhe qëndrimi i em ka kenë negativ.
Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji parti. Unë kam njoftë mjaft Katolik intelektual, që mund të punojshin mirë në punët e qeverisë por, për fat të keq, Katolikët janë m i n o r a n c ë...
Ndërhynë prokurori A. Çela:
Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin shqiptarë, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithënjë një m i n o r i t e t !
At Giovani Fausti, përgjigjet:
"Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por m i n o r a n c ë , e kam fjalën për PAKICË..."
At Daniel Dajani S.J.:
Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit... Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të iu nepët rasa... Nuk dij që P. Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste... Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë... Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë... Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.
Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë, se asht ateist dhe se lufton Fenë. Persëris, se as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.
At Gjon Shllaku O.F.M.:
Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane, por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri në politikë...
Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se Kisha lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të mirën e shoqnisë dhe të popullit.
Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë, mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë... Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista... Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet.
Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar... Për organizatën "Bashkimi Shqiptar", e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti e Dajani. Ma përpara nuk kam dijtë kurrgja.
Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekës, porsa del para trupit gjykues Z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizate, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit A. Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: "Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjeje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë".
Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.
Kryetari i trupit gjykues lexon vendimin:
"Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës "Bashkimi Shqiptar", që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjeje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron Ranko Çerankoviq.".
Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (po aty Dosja nr. 1068).
Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar "Impero": "Hë... Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty! (Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit).
Don Luigj Pici, edhe ky ato ditë kryen një akt tjetër burrnor. Predikon para besimtarëve në Kishën e Reçit, se Klerikët e akuzuem për Organizatën "Bashkimi Shqiptar" janë të pafajshëm. Edhe ky prift vritet pa gjyq edhe pse ishte antarë i Kryesisë së Frontit të Qarkut të Shkodrës.
Po, avokat Paulin Pali, që guxoi me i shtërngue dorën avokat Muzafer Pipës për qëndrimin e tij burrnor, si përfundoi ? Edhe këtë do ta lexoni !
Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit Popullor në zgjedhjet e 2 dhetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:
DEKLARATË:
Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroi sa ma poshtë vijon:
P. Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940, kur u ktheva prej Italijet, mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist. Kudo qi kishte rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe veprimet që Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë. Në rast konkret, dij, se, ai propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën "Albania". Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm me disaprovue por, edhe punoi për përpilimin e broshurës: "Cordignano në gjyq përpara botës", tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emnin në fund, mbasi broshura delte n'emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit të Shkodrës e, me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti shqiptar, mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe jashta rrethit të tyne. Këtë, mund t'a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët, në këtë kohë janë kenë në kontakt vazhdimisht me të pandehurin. Këtë qëndrim anifashist ka vazhdue t'a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th. deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës nuk kam pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.
Mbas shlirimit dihet prej të gjithve, se P. Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th. në atë të kulturës. Ka ba konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:
"Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar".
Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i nxanun në shkollë me mësime.
V.F.L.P.
Deklaruesi
Shkoder, 14. 02. 1946. Prof. Kol Prela d.v.
Shënim i emi: Edhe Prof. Simon Deda në Durres, mbytet në Sigurim dhe hidhet nga dritarët i vdekun. Mos, ndoshta, edhe Ai kishte pregatitë ndonjë deklaratë si kjo e Prof. Kol Prelës!?... Aspak çudi!...
E, pra, qé! Me fakte vritën profesorë, filozofë, avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë, njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vritën e vritën pikërisht ata, që me trutë e tyne tue dashtë me i shërbye Atdheut, stërklatën murin e vorrëve të Rëmajit, më 4-mars-1946, sëpse, guxuan e thanë:"Komunistët kanë vorrue Shtetin në gropën e gjakderdhjeve, të grindjeve, të përqarjës, të ngatrresave, të plaçkitjës, të vëllavrasjës dhe spijunlleqëve!..."
Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku:
"Tjetër kund njerzit e idealit në se i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni. Ndër né, ata mbyten dy herë... edhe harrohën!"
.
DERA QË PO HAPET ..
"..Si mbas parimit komunist:
Sytë që kanë pa duhën verbue; e, duhën shurdhue veshët që kanë ndigjue, e, pré gjuhët që mund të flasin, e, shkurtue krenat që mendojnë!"
Engjulli i birucave
Shumë vjetë ma parë më çonte nana tek një rrugicë qorre në Gjuhadol, që thirrej rruga e Murgeshave këtu në Shkodër, jo larg prej shtëpisë seme. Aty ishte kuvendi i Motrave Stigmatine, shkolla e tyne e Kisha. Kjo Kishë e vogël ishte shumë joshëse, gjithmonë mbushej plot! Në Elterin kryesor kishte një bazoreliev të bukur të Shën Bonaventurës (Shna Bafti), që ishte edhe Pajtori i këtij Urdhni. Flitëj se ishte vepër e fratel Salës. Para Kishës ishte kuvendi.
Ecësha në heshtje vetëm e me krye ulët. Kur afrohesha tek rrugica, kontrollojshe me sy gjithkah apo më sheh kush, mandej, me dorën e vogël temen, mbasi atëherë isha gjashtë vjeç, trokitshe tek dera e madhe me hark. Dera kishte një vrimë të rrumbullakët me një teneqe me bira prej ku shihej nga mbrendë se kush troket. Shpesh trokitshe me një gur të vogël, mbasi nuk mërrijshe tek rezja e derës. Motrat ishin mësue me dorën teme, hapshin derën me një buzqëshje të ambël, më futnin në korridor, më lëmonin kokën e më thonin: "Prit, po ta thërrasim hallën!".
Gati çdo ditë shkojshe me pyet hallën Gjyzepinë, si jeni?... Atë përgjigje unë nuk duhej me ia tregue askujt... sigurisht, aty diçka mëshefej! Edhe sot ato motra që kanë mbetë, kur më shohin të thinjun mashumë prej kohës se sa prej moshës, më thonë: "Ai Fritzi i vogël je ti?", unë me mburrje u përgjigjem: po, po. Sigurisht me njëfarë krenarije, sëpse parulla që më jepej mbeti gjithmonë sekret. Kurrë nuk ia kam tregue njeriu të gjallë..."jemi mirë"..., ose "kanë kapë mbramë edhe një prift", "nuk na kanë thanë gja"; por, ajo që pritej e që shumë shpejt ndodhi ishte: "Mund të vij shpejt, se po na nxjerrin jashtë...".
Ashtu ndodhi, halla erdhi shumë shpejt me lot në sy e veshun me zhgunin e saj që e bajti me nderë deri në vdekje, ashtusi të gjitha motrat e të gjitha kuvendëve të Shqipnisë, që nuk u kthyen kurrma aty. Kuptohet, u duheshin komunistëve. Duheshin prishë çerdhët e edukimit të rinisë, prandej ishte mbyllë edhe shkolla. Kështu u veprue edhe me Motrat Servite... madje, aty u vendos qendra e Sigurimit të Shtetit, prej ku drejtohej spijunazhi komunist që ka vazhdue deri tashti.
U shpërndanë të shkretat pa asgja mbas shpirtit, me përjashtim të rruzarëve që mujtën me futë ndër xhepa, të Kryqit që bajtën gjithë jetën, të ndonjë figurje në parzëm, së cilës ishin kushtue dhe ia mbajtën gjithmonë premtimin: "Zojën e Shkodrës", ose "Zojën e Papërlyeme". Ndër mangë kishin ndonjë shami hundësh, ndërsa në dorë një shami me ndrresat përsonale. Ushtarët e Mbrojtjës ua kishin kontrollue plaçkat dhe mbas kontrollit i kishin nxjerrë jashtë me fjalorin e tyne komunist.
Morën rrugët, kush tek motra, kush tek vëllai, kush tek nipi, kush tek mbesa, kush në fshat e kush në malësi, u shpërndan të shkretat, për një kafshatë bukë të thatë, ashtu si e kishte edhe dera së cilës ia mësynë. Kudo ku i shkeli kamba atij praku ia kanë shpërblye atë pritje që i zoti i shtëpisë me zemër, u tha: "Eja... mirëse të ka pru Zoti, një kafshatë bukë si ta kemi, do ta ndajmë bashkë!...".
Kudo gjetën strehë. Në çdo shtëpi ku ranë kishte të paktën një fidan, që ato kishin rritë e edukue në fidanishtën e mrekullueshme të tyne. Shkollat e motrave ishin të hapuna katër kapakësh për vajzat e të gjitha besimeve. Aty vinin nga çdo krahinë e Shqipnisë. Të gjitha hynë në punë me fitue jetesën. Disa qëndisnin, ndonjena mbante fëmijët e të afërmve, dikush shkonte me la rroba, dikush punonte në bujqësi, në malësi kujdesej për bagëtitë, pra, secila do të mundohej e lodhej shumë vetëm e vetëm pse kishte veshë zhgunin dhe i ishte kushtue Kryqit!
Motër Luigja mue më mësoi bukurshkrim. Unë këtë nuk duhët t'ia tregoja as mësuesës, as shokëve, mbasi atëherë përdorej në shkolla shkrimi skript. Nuk duhët të bija në sy për shkrimin e bukur, mbasi çdo gja e bukur ishte në kundërshtim me mësimet komuniste që përhapte shkolla e re.
Një ndër arsyet që komunistët hapën shkolla në çdo skaj të vendit, ka kenë pikërisht kjo, me përhapë vetëm ideologjinë komuniste. Me shkatrrue parimet e edukimit atdhetar dhe fetar. U ba një rrugë e dy punë. Edhe u hapën këto çerdhe të ideologjisë marksiste-leniniste dhe, në të njajtën kohë komunistët morën shtëpijat të gjithë tregtarëve për me i këthye në lokale shkollore. Pasuninë që kishin ua shtetizuan dhe paisën shtëpijat e tyne. Magazinat i boshatisën me ndihmue Jugosllavinë dhe, mbasi i futën ndër biruca iu morën edhe arin e argjëndin që nuk e mori vesh askush nga iku. Që në ditët e para u fillue puna me programet e diktueme nga jugosllavët dhe, u punue që rinia me u marrakotë me internacionalizmin proletar dhe ateizmin materialist. Asgja ma shumë se kjo edukatë nuk i ka shërbye, siç, thonte Fishta, klyshve të Rusisë. Ky helm ka hy në gjakun e të gjithë shqiptarëve, mbasi po të vërehët sot rezultati, secili prej atyne që ka mbarue këto shkolla as nuk don me dijtë ku bie Shqipnia, tue fillue nga "unë".
Disa nga këto motra shkuan me punue në spital. Aty gjetën kënaqësi se uniforma e spitalit në ballë kishte "Kryqin e Kuq", madje, në kohën e Revolucionit Kultural u patën ba përpjekje me e heqë, por kje kërcënimi për përjashtim nga ajo organizatë ndërkombëtare që mbeti në disa objekte. Edhe sot kujtohën motrat Luçia, Kjara, Ludovika, Marta, Çeçilia, Gjystina etj. Gjithmonë me buzë në gaz. Motër Bernardina e Marta punonin vetëm sanitare; e kush mund të harroje motër Juditën e Virgjinën për bamirësitë e tyne? Cila merrte shpërblim për ndihmën që jepte? - Askush nuk i ka shpërblye ndonjëherë këto motra, përveç shpifjeve, përbuzjes, apo pushimeve nga puna prej Xhyhere Mushanit me shoqët e saja partizane.
Aty punoi edhe halla, Motër Gjyzepina, që shpesh shërbente edhe në spitalin e burgut. Për këtë të burgosunit i kishin vu emnin e nderuem "Engjulli i birucave", sëpse, kur shihnin fëtyrën e saj ata ishin të sigurt se do të shëroheshin. Ajo nuk bante mrekulli, por buzëqeshja e saj u ringjallte shpresën e jetës dhe të lirisë. Gjithmonë u thonte: "Sot je ma mirë, ço mendjen tek Zoti, se, Ai të jep shndetin por edhe lirinë, mos u mërzitni, i gjalli e ka dermanin!".
Shumë prej tyne punonin ndër punët ma të ndyta, ndër repartët ma të vështira, si Motër Gjystina Çoba, që punonte gjithmonë natën në kirurgji, e çfarë kirurgjie? Ajo punonte natën vetëm mos me lanë spitalin asnjë çast pa një MOTËR, vetëm me u ndodhë kurdoherë pranë të sëmurëve në çastet e fundit të jetës. Shumë herë ajo me shumë kujdes e sakrificë ka thirrë natën ndonjë prift të "panjohtun", për me ngushllue ndonjë të sëmurë të dispruem, ose me i ba Shartët e Fundit të jetës.
Ato gjithmonë simbolizonin humanizmin, sepse katolikë e myslimanë e dinin se ato kishin vetsakrifikue gjithë jetën për Kryqin që kishin në ballë dhe për atë që mbanin në parzëm. Ato mbetën të paharrueme dhe u respektuan jo vetëm nga populli, por edhe nga mjekët e ardhun nga të gjitha viset e vendit, tue fillue nga doktorët: Karagjozi, Todi, Basria, Dhimitër Lluka etj. Dr. Shiroka e Prela ishin ma shumë se vëllaznit e tyne, mbasi motrat ishin të vetmët me të cilat mujtën me komunikue nën za me ndonjë italishte nëpër dhambë, në lidhje me gjendjen politike dhe a do të vazhdonin gjatë "këta"?
Ato fluturuan nga gëzimi kur ndigjuan Papën Gjoni XXXIII tue përshëndetë popullin shqiptar për herë të parë në gjuhën shqipe: "Për shumë mot Pashkët!"
Ishin të lumtuna kur në fundin e korridorit të spitalit, silueta e ndonjë polici të mirë i thirrte: "Ec shpejtë, se ka ardhë një i sëmurë rëndë!..." Aty, ai podrum i dukej vendi ma i lumtun, mbasi ai ishte vendi me ndihmue të ftofunit ndër çimentot e birucave ose të zhytunit në ujë në pikën e dimnit, apo të thyemit kockash e kafkash nga levat e hujtë e kriminelëve të sjellun pandjenja. Aty ato u mjekonin plagët e kambëve të djeguna nga pezhgvja e vlueme që u hidhnin hetuesit për me i ba me folë. Kishte njerëz që trupin e kishin të veshun me plagë që vetëm kullonin qelb dhe shpesh i sillnin aty vetëm me vdekë. Ato i rikthenin në jetë por, viktimat e shkreta pa u shërue mirë i merrnin ndër shkalca plehu, mbasi nuk njihëj barela ndër ato vende e i çonin me vazhdue prap torturën deri në vdekje. Torturuesit kishin një ide: "Nuk iu lejojmë me vdekë edhe pse doni ju, do të ju sjellim prap në jetë, mbasi nuk ngopemi duke iu torturuar!..." Ishin motrat ato që ia lagnin buzën e rreshkun me ujë, ishin motrat ato që u rrinin tek koka tue u thanë uratë, ishin motrat ato që i ngopnin me dromca buke, ishin motrat ato që në vesh i përshpërisnin: "Qëndro edhe pak se, nuk e kanë të gjatë..." e, kjo e fundit ishte ma shumë se uji, buka e gjumi, me të cilat nuk ngopeshin kurrë.
Tregonte i ndjeri Zef Nika: "Numuri i të vdekunve në tortura as nuk ka me u dijtë kurrë. I vetmi burim mund të jenë raportët e Ministrisë së Mbrendshme që i janë dërgue Byrosë Politike të K.Q. të P.P.Sh. Të gjithë toturoheshim njësoj, veç ndryshonte zgjatja, sa mujte me durue viktima. Të gjithë hetuesit kanë një difiçencë mendore, të etëshëm për gjak...".
"Njeriu pa zemër asht një makinë pa pasion mendimi që nuk ka as familje, as miq, as Atdhé; zemra përmban bazën e mbrekullueshme e të pandame të zhvillimit shpirtnor", thotë, A. I. Hercën.
Pikërisht për këtë, Motrat mbetën të paharrueme, sëpse shumë të burgosun të masakruem ato i shëruen me fjalën e ambël, dashtninë për jetën dhe shpresën e lirisë.
Ato u plakën... dhe koha e bani të vetën. Edhe pse të moshueme, të kërrusuna, të lodhuna nga puna, mundi dhe pesha e randë e vitëve dërmuese, ato u gjetën tek telat me gjemba, ndër dyert e burgjeve dhe të kampëve me çue sado pak një ndihmë që mujtën me mbledhë, tue trokitë ndër dyert e këtij populli fukara për ata fatzezë që nuk kishte mundësi me iu shkue kush, ose tek ata klerikë që prej frike nuk i afrohej kush atij vendi të mnershëm. Motrat u gjetën në Beden, Maliq, Tepelenë, Burrel, Vlashuk, Tërbuf, Rinas, Levan- Fier, Gocë-Kavajë, Rreps, Ballsh, Spaç, Vlonë, Sarandë, Urë-Vajgurore, Qafëbari e anë e kand Shqipnisë, sëpse anë e kand kishte vetëm kampe e burgje e nuk kishte asnjë kamp e burg pa një klerik katolik deri në vitin 1989. Ka fillue At Gegë Luma e At Dioniz Maka në janar 1945 e kanë mbyllë burgjët Don Mikel Koliqi, Don Simon Jubani, Don Nikoll Mazrreku, At Zef Pëllumbi etj. në vitin 1989. Jam i sigurt se Motër Dava duhët t'i kenë njoftë rrugët e gjithë Shqipnisë, mbasi edhe ajo deri në vitin 1989, ka shkue në të gjitha burgjët e kampët me strajcën e saj të arnueme. Ato prisnin në pishën e diellit apo në shullanin e erës, kur po i mbushët mendja një polici injorant me i thanë, "silli këtu ato plaçka!", shpesh "merri me vehte se nuk pranohën, mbasi nuk ka zënë mend...", ose ma shpesh se kurrë përsëritej nga goja e tyne e ndytë: "Mos eja më, se ka ngordhur....".
Kur Shkodra mbeti pa klerikë, Motër Luçi Koliqi solli nga kampi Bagmin për Vojime dhe në mungesë prifti, u autorizue me krye edhe shërbime të lejueshme fetare.
Mbas "Revolucionit Kultural" vendi mbeti pothuej pa asnjë klerik. Ishte e frigëshme për të gjithë me u shkue prifti tek shtëpia. Klerikët u detyruen mos me shkue as ndër të afërmit e tyne mbasi njerëzit rrezikonin punën. Shumë nga fshatrat nuk kishin asnjë shërbim fetar sado të vogël. Pushkatimi i Don Shtjefën Kurtit për Pagëzimin që i bani një fëmije shtoi edhe ma shumë frikën në popull. Prifti ishte e pamujtun me qarkullue në qytet, jo ma ndër fshatra, shkuemja e tij atje binte në sy përnjëherë. Ishin motrat ato që shkonin ndër famullitë e mbetuna shkret, ku priteshin me dashtni ndër sofrat tejèt të vorfnueme të fshatarëve, mbasi Kishat e qelat as nuk diheshin ku kanë kenë, shumica ishin rrafshue, një pjesë ishin ndërtesat e kryesisë së koopërativës, ose vatrat e antikulturës. Ato shkonin atje të unëshme, të zbathuna dhe ma të vobegta se mund të mendohën, se ishin të palëkundshme dhe të vëndosuna me ruejt Fenë e ndezun ndër zemra, aty ku po fikej.
Shtëpia merrte dritë e fiset shtoheshin aty ku shkelte kamba e motrave me Pagëzue fëmijë.
Në vitin 1974, halla ishte plot 74 vjeç. Kur Pagëzova vajzën, ajo më tregoi këtë histori: E kishin thirrë me shkue në fshatin Pllanë për me Pagëzue tre fëmijë të një fisi. Rrugës, në makinë, e kishte pyetë një burrë: "A je motër Gjyzepina, ti?" - Po, unë jam, ishte përgjigjë kjo. Ai prap e kishte pyetë: -"A kujtohesh, kush jam?". Kjo nuk e kishte njohtë. Ai i kishte kujtue kësaj se ishte ai djali i ri që e kishin pru tue vdekë prej hunit, nga hetuesia e konviktit "Malet tona", tek spitali aty afër dhe kishte vazhdue: "Kur erdhe ti tek dhoma ku isha unë, t'u luta: Motër, më beko, se po vdes! Ti më the, se - unë po lutëm në Fenë teme, se në Fenë tande nuk di. Unë atëherë të thashë: -Motër, ti lutu, se myslimanë e katolikë të gjithë bashkë NJË ZOT BESOJMË! Ty t'u ba qejfi kur unë të thashë ashtu dhe çove sytë kah qielli e the: -Zot në doren tande këtë djalë, ndigjoje lutjen teme! Dhe dole për dere. Mbas gati një ore që po u rrapatësha në shtrat nga dhimbjet, erdhën dy ushtarë me ty, më more dhe më fute në operacion, aty nga ora 11.00 e natës. Mbasi më doli narkoza u bana mirë dhe qe tek jam sot gjallë. Të gjithëve u kam tregue sësi ti u lute për mue dhe unë shpëtova."
Unë, tha halla, i ndërpreva fjalën dhe i thashë: "Jo, jo, ishte lutja jote e fortë dhe besimi që ke pasë në Zotin që të ka shpëtue, jo unë!"
Prof. Arshi Pipa thonte: "Unë i besoj efektit të lutjës, kur lutja bahët me intensitet të fortë, kur ajo nuk asht një përsëritje mekanike formulash, kur jetohët prej njeriut.".
Po, sa volume mund të shkruhën për Motrat e tokës shqiptare?
"I HUMBUNI." DON ALFONS TRACKI
"I humbun.", vetëm kaq shënohej ndër rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda "perdës së hekurt", e ndoshta, përgjithmonë mbetëj ashtu. Nuk asht e meritueshme që shumë figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën nga pluhuni i harresës. Jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët në rininë e tyne, me punë vetmohuese provuan me fakte se toka shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i tyne. Kjo asht arësyeja kryesore që më shtyn me u ndalue tek "i humbuni" Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.
Don Alfonsi ka lind nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola, mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vendos me qëndrue këtu, pikërisht, kur, Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lé në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sepse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët shqiptarë, kishte ngritë lart edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se shqiptarët janë këtu. Edhe pse kishin kalue pesë shekuj robni të dhunëshme fara e krishtënimit jo vetëm nuk ishte shue, por kishte marrë aq hov, sa me shumë frikë e thom, "drue se nuk përsëritet kurrma!...."
E, ku i kanë vorret? - Kurrkund!...
Imzot Mikel Koliqi më tregonte se veprimtaria e Trackit, ishte baza e Veprimit Katolik në Shqipni. Krahas veprimtarive sportive e zejtare, vendin kryesor e zente aktiviteti atdhetar. Vazhdon edhe ai vetë Seminarin Papnuer të Jezuitve dhe i përfundon studimet teologjike në Bosnje. Në vitin 1926 shugurohët meshtar. Formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët Kolec Prennushi, Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, të cilët simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, por me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Shkoi në qendrën malarike të Velipojës sepse banohej nga malësorë të ramë nga Alpet.
Zotnonte mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Njohja e zakonëve të malësisë e vëndoste në krye të vendit, mbasi shumë shpesh malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit, ndër kuvendët e tyne. Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arsye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e gjermanve. Po cili kje shpërblimi që mori prej nesh?
Në vitin 1944 Hausdingu i shpjegoi Trackit, se në Shqipni ka shumë ngatrresa të mbrendshme dhe se mundësia e ardhjes në pushtet asht e komunistëve, mbasi ata i ndihmojnë edhe anglezët, prandej eja me né, se do të kenë edhe ndryshim sistemesh dhe ti do të konsiderohësh edhe gjerman. Pavarësisht se ti i ke ndihmue shumë shqiptarët, nuk ka me ta dijtë kush për nderë, pra, mos e rreziko jetën me qëndrue këtu!
Tracki iu përgjigj: "Jo, nuk vi me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe as si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit i kam shërbye si meshtar dhe këtu due të vdes si shqiptar!".
Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu.
Për me evitue përpjekjet me partizanë në ditët e para të 1945 ai shkoi në malësi tek priftnit Nikoll Gazulli, Luigj Pici, Ndre Zadeja dhe se fundit tek Don Injac Gjoka. Aty e njoftuen se kërkohet nga disa partizan, që në Velipojë e kanë shpallë armik. Ato ditë edhe Ndoc Jakova ikë nga ushtria mbasi fillojnë përshpëritjet se Ndoci asht i lidhun me klerin katolik. Edhe Ndoci shkon tek Don Injaci, ku takohet me Trackin, dhe të dy bashkë shkojnë në Shpellë të Mëri Kokës në Stenë.
Po kalonte vitin me grupin e Gjergj Vatës, Martin Sheldisë, Gjelosh Lulit, Mark Malës, Nikoll Prenk Dedës, Pjetër Gjokës etj. Jeta e malit dihet. Tracki nga Breslau në shpella të Veriut. E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki.
Zoji Themeli kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës, më 31 dhetor 1945 njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: "Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane." (Dosja 1885).
Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman mbasi ishte ba një vrasje atje, gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirësue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen krizma armësh që u shuan shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit, për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijte, çka ndodhi!?... Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pregatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergji, mbasi dinte shtigjet, të tjerët u nisën mbas tij. Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente diçka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi, gjenë Ndocin e plagosun randë... ishte i lamë me gjak. Ndoci e njeh... Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt... Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin e vet.
Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: "Afronju, mos kini frikë, nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!..." E lidhën dhe e sollën në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit. Përpilohët, si gjithënjë, një proçes fals, ku nuk mungojnë as shpifsit, as trilluesit kundër misionarit të pafaj që kishte shpëtue sa jetë të rinjësh nga duert e nazistëve si: Çesk Kabashi, Zef Kol Preka, që me paturpësi e akuzon Trackin, se i kishte kërkue 200 napolona me i shpëtue djalin, apo një vagabond si Gjovalin Mazrreku, që e quan "fashisti i poshtër Don Alfons Tracki". Debili Rustem Sykja e akuzon për propagandë naziste etj. Shpërblimi i veprës së misionarit të palodhun ndaj atyne të rinjve që i kishte ndihmue pa dallim feje dhe, që ndodheshin në sallën e kinemasë "Rozafat", ishin thirrjet e tyne mizore: "Plumbin ballit ... kriminelët në litar!..."
Tracki deklaron në gjyq (Dosja nr. 1885): "Për doktrinën fashiste kishe me thanë se kjo ka gjetë njeriun, dhe njeriu kokën. Sa për nazizmin, unë jam gjerman, por nuk jam nacional-socialist. Nuk jam as nuk due me kenë, mbasi si doktrinë asht e gabueme. Na kurrfarë ndihmet nuk i kemi dhanë. Tham se fashizmi dhe nazizmi janë njilloj, e duhet me kenë kundër... Unë me politikë nuk jam marrë, pyetni ata që kam ndejë me ta. Prifti po të merret me politikë sharron, prandej edhe kam ndejë larg... tek Oberlajn dhe Dr. Hotnik nuk kam shkue, kishin zyre të tjera, se merrëshin me hetime politike... Në rrethin "Veprimi Katolik" flitej për fenë... Propagandë kundër Bashkimit Sovjetik nuk kam ba, por si gjerman kam dashtë me fitue Gjermania në luftë kundër Rusisë... Kam kenë tek Hausdingu, por kjo nuk don me thanë se jam nazist. Fillimi i luftës ka kenë i padrejtë...Për Gjrmaninë naziste jam gëzue që ka mbarue. Nazizmi nuk asht potencë që ka dalë nga populli, por me dhunë. Nuk e lente kush fitorën e nazizmit, se ishte çue gjithë bota kundër... Delegati Apostolik nuk ka shkue te Hausdingu, por më ka çue mue për disa dezertor italian... për pilotët, po, kam ndërhy dhe u asht falë jeta... Mos me ndigjue me ba përkthime në Gestapo nuk e queja gja të mirë, mbasi unë punoja në interes të popullit shqiptar...Unë dola në mal se partizanët nuk ishin ushtri e rregullt, vepron kushdo në kokën e tij, të vrasin dhe të përsekutojnë... Me Ndoc Jakovën kemi nda bukën dhe sende të tjera, që na nepshin katundarët, por, edhe kemi ble... Partizanët kur na kanë rrethue në luftë, unë jam diftue ushtar! Nuk kam dijeni se Papa ka bekue armët..Unë këtu kam kenë në atdheun tem."
Disa mendime politike të Trackit: "Krotnik më ka thanë, se na po shkojmë, por ky popull asht në grindje në mes të shoqi-shoqit e mund të fitojnë komunistat, se i ndihmojnë anglezët. Për majorin Nil, ishte dy ftyrash, ndryshej me Sali Myftine, e ndryshej me Nik Sokolin. Gjermanët donin me lanë oficera në Dukagjin por në tetor ky urdhën u prapsua. Zef Mirashi e Gjergj Vata më kanë tregue se Muharrem Bajraktari asht Komandant i Përgjithshëm...
Anglia e Gjermania e luftojnë shoqi-shojnë për jetë a për dekë e në Shqipni, të thuesh bashkë-veprojnë. Këto të pohueme janë fakte, por si spjegohën? - Unë nuk dij me dhanë përgjigje. Por, një fakt asht, se, që Anglia si e ka pasë ma përpara edhe tash don me pasë konceptin e sundimit. Sundimin e Evropës e don! Historia e vërteton se ekujlibrin ndërmjet shtetëve të Evropës don ekskluzivisht me e rregullue Anglia. Shembujt janë: (Holanda, Spanja, Franca - lufta e njiqindvjetve, Lufta e I-rë dhe e II-të Botnore), e tash? - Mue më duket se në hesapë të vet Anglia nuk ka shti një Rusi të evolucionarizueme e, prandej, tash mbas Luftës së II-të Botnore, nuk i del besoj hesapi si ka mendue e dashtë.
Shtetet e ndryshme të Evropës edhe të vogla tue përdorë të drejtat e veta të fitueme me gjak nuk po këcejnë ma simbas vishkëllimit e taktit të Anglisë, e nuk po pvesin atë për trajtimin e qeverimit të vet, me një fjalë, i kanë dalë dorët Anglisë. Rregullimi i Evropës nuk asht ma në dorën e saj si dikur.
Ardhjën e Gjermanisë në Shqipni nuk mund ta konsideroj, as mirë as keq mbasi jam gjerman, por mbas principit tem - lum i forti -, por, edhe kjo, prap asht ide e gabueme! Ndoshta për problemet kombëtare të Shqipnisë, gjermanët kanë punue mirë, mbasi Kosova me tokat tjera që i përkasin truellit shqiptar, e ja kanë marrë, kam frikë se nuk i kthehën ma.
Populli më ka pyet: "A të shkruhemi fashista?" - Unë i kam thanë se edhe po të shkruheni nuk asht ndonje dam, se merrni harxh, por nuk i kam thanë, se po mos të jesh fashist - nuk je katolik, për milici i kam thanë mos u shkrueni! (dorëshkrim i Trackit, fq. 9,10.).
Kam kenë në Meshkallë (Shllak) më 31 dhetor 1945, dhe jam nisë te Don Injac Gjoka në Mazrrek, ku kam pritë anmisti prej Don Luigj Picit e Luigj Mjedës. Më 12 janar kam shkue në shpellë tek Gjergj Vata e Nik Sokoli. Më 13 shkurt 1946, më kapën partizanët."
Me datën 17 korrik 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zyhdi Shehu e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar. 2. Kol Ashiku, 3. Nikoll Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki , dënohën me vdekje, me pushkatim.
Me datën 17 korrik, pra, atë natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e secilit të dënuem me vdekje.
Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Krytari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli dhe kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari dhe vëndosi:..
Me datën 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: "...në bazë të vendimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët :
Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.
Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s'ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.
Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.
Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik... po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa pasë asnjë lidhje me ta?
Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte "kriminel"? A duhët besue se me të vërtetë Kel Abatit iu fal jeta mbas ekzekutimit?
Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë se jo!
Vrasësit gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa!
"Tracki ishte modeli ma i përkryem i meshtarit Katolik", shkruen At Konrrad Gjolaj O.F.M.
PËR NJË SHQIPNI TË ARDHSHME .
"Duhët të kërkojmë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme, e, jo me të sotmen!"
Maria Shllaku
Shkodra nuk i harron kurrë ata që vdesin për Fé, Atdhé e Përparim!
Neroni që pat djegë Romën, po të shihte çka bahëj në Shqipni mbas vitit 1944, me zili do të thonte: "Shqiptarë, ma keni kalue edhe mue!..."
Në nandorin e 1944, na dukëj se vazhdonin me u shkrepë armët e fitorës, kujtonim se mbaroi lufta, por, po përsërisë, kishte fillue një tjetër luftë që për né shqiptarët asht kenë ma e përgjakshme, ma shfarosëse dhe ma shkatrruese, se Lufta e Dytë Botnore.
Ishte lufta vëllavrasëse 50 vjeçare e "fitorës" së komunizmit.
Kur pritej çlirimi nga okupatorët dhe dalja e Shqipnisë në dritën e demokracisë së vërtetë, forcat nacionaliste e përparimtare morën malet, tue mbetë vendi nën thundrën gjakatare komuniste.
Shqipnia u la nën kujdesin e Titos, me mbikqyrjen nga Bashkimi i "lavdishëm" Sovjetik, ku të drejtat dhe liritë e njeriut për "vetvëndosje", "mbroheshin" nga Stalini i "Madh".
Në "Demokracitë Popullore" mbizotnonte frika, terrori, pushkatimet pa gjyqe e me gjyqe, internimet dhe propaganda komuniste: "Shpif e shpif... se diçka mbetë!"
Burrnisë e besës, ndër shumë votra ia zuni vendin trathtia. Jemi në atë kohë të historisë kur Tivari e Ulqini laheshin me gjak kosovarësh të premë në besë. Ishin sjellë si karvan mbi 12000 vetë, burra të çarmatosun, gjoja me u organizue në Shqipni për me çlirue Kosovën dhe, kur mërrijtën në Tivar nuk ishin as 2000 vetë. Të gjithë u zhdukën rrugës gjoja si dëzertor. Ata që mbetën gjallë tue kujtue se vrasjet i ban Tito, filluen me ikë, tue kalue Bunën në pikën e dimnit, me mendimin me shpëtue kokat në tokën nanë. Pa dijtë ku vunë kambën, ranë në kurthën e komunistëve shqiptarë që ishin veglat ma besnike të "druzhe" Titos. Ikën nga shiu dhe ranë në breshën.
Tue lexue librin "50 vjet kujtime" të Z. Lekë Harapit, në faqën 108, Dan Hasani tregon: "Riza Dani (aso kohë Kryetari i Komitetit të Shkodrës), i kërkon mendim dr. Omer Nishanit, si President për me shpëtue ata kosovarë që kanë kalue në tokat tona, tue i angazhue me partizanët që shëtisnin nga një katund në tjetrin si "çlirimtarë". Dr. Omer Nishani, mbasi konsultohët me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen, i përgjigjet: - Ata janë të gjithë kriminela dhe duhët t'ia kthejmë sa ma parë Jugosllavisë që të mos na zemrohet Tito". Këto ishin fjalët e Presidentit dr. Omer Nishanit që u dekorue në vitin 1993 nga Tirana "demokratike".
Si mendoni ju, të lëshonin karrigat e tyne udhëheqësit tonë për hirë të disa mijra kosovarëve? Këtë, nuk besoj se e kërkonin as kosovarët, për derisa shumë nga bijtë e atyne kosovarëve që ushqyen ushujzat e kënetave të Velipojës, për vite me radhë në dhomat e tyne në Kosovë, mbanin fotografinë e terroristit Enver Hoxha. Një mëkat që nuk rrëfehet as në ditën e vdekjes!
Asgja nuk ishte e papritun, madje, ishte vazhdim i asaj vepre të fillueme nga serbët me At Paliq e Gjeçovin, me At Lorenc Mitroviq e Leonard Targaj, asht krimi i shëmtuem mbi fratel Gjon Pantalinë e pavdekshëm, asht dëshmia e shfarosjës ndër burgjet komuniste e At Pal Dodës, asht krimi i pashoq i bamë mbi Don Shtjefën Kurtin, që, "për një Pagëzim fëmije" u ba masakra ma e madhe që njeh historia moderne e, që, do të shtrihet në trojet shqiptare; pra, asht "komunizmi".
Vetëm ndër Alpe kishte ndonjë çerdhe shqipesh ku kishin zanë vend bijtë e saj.
Krahas atyne trimave që nuk duronin dhunën komuniste në të dy anët e asaj ndarje të turpshme të 1913, që thirret kufi, dy vajza shkodrane luftojnë për liri. Ndër rrethina të Shkodrës asht Maria Zojzi, e ndër malët e Kosovës asht Maria Shllaku. Historia përsëritet, ndër ato male asht edhe sot gjaku i plagve të Norës Ded Gjo'Lulit, e prap ma ndejë vazhdon me vlue gjaku i Shote Galicës e Maria Tucit me shoqe. Prandej toka shqiptare asht thirrë e paprekshme nga armiqtë shekullor.
"Unë, MARIA SHLLAKU, e lindun më 22 tetor 1922, në Shkodër, jam bija e Mark Simon Shllakut dhe e Dila Shllakut. Jam shqiptare, me nënshtetësi shqiptare, e pamartueme, studenteshë e filozofisë në Romë, flas dhe shkruaj shqip, latinisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, greqishtën e vjetër dhe pak serbisht....." Kështu fillon deklarata për biografinë e bame në hetuesi të Prizrenit. Vetëm njohja e disa gjuhve tregon horizontin e kulturës së saj!
Fillon hetimet me spijunin serb Nazmi Kursani dhe i vazhdon me Mazllom Nimanin dhe Misho Popoviq, nga data 19 dhetor 1945 e deri nga mesi i qershorit 1946.
Muhamet Vokshi në librin "Shqipëria e Marije Shllakut", me autorë Ramiz Kelmendin dhe Viktor Gashin, botue në Pejë në 1995, libër i cili më ka dhanë shtysën me dijtë për rezistencën që asht ba në trojet shqiptare të Kosovës kundër komunizmit, ka një përshkrim të bukur të portretit të kësaj luftare trimneshë: "...Edhe pse e zbetë dhe e dërmuar nga shumë plagë, ajo kish një fytyrë shumë të këndshme, kish flokë të gjatë, të lëshuar, një hundë të mprehtë, me buzë e faqe të skuqura. Ishte inteligjente, impresive, e bindshme." (fq. 90).
Maria në vitin 1943 shkon me punë në Kosovë si arkëtare në një degë finance. Në fund të vitit 1944, kur komunistët marrin pushtetin pak ditë para 9 nandorit, ajo merr malët me luftue për liri. Qëndroi disa ditë në shtëpi të Zefit të Fanës, në fshatin Polec, i cili ma vonë aty nga gjysa e dhetorit 1944 për arsye të mungesës së sigurisë, e përcolli tek shtëpia e Dan Pjetrit (Berisha), në Dobërdol. Aty u mirprit nga gjithë rrethi i Danit, Pjetri, Pjetri i axhës Tomë, Martini etj. Në gjysë të qershorit të vitit 1945, forcat e OZN-ës, rrethojnë kullën e Dan Pjetrit dhe Maria e shoqnueme nga njerëzit e Danit, Martin Pjetri e Pjetër Toma mundën me ça rrëthimin e të gjithë bashkë dalin në mal.
Më 3 gusht 1945, në Dobërdol, në vendin e thirrun Lluga e Madhe e Dan Pjetrit, u mblodhën mbi 200 luftarë në Kuvendin e Dobërdolit. Alush Smajli i Llazicës i bante roje Flamurit me shqiponjën dykrenare, që valvitej mbi kokat e luftarëve të lirisë. Kuvendi kryesohej nga burri i njoftun Prof. Ymer Berisha, ndërsa, proçes-verbali mbahej nga luftaria e vetme Maria Shllaku.
Më 12 shtator 1945, forcat partizane mërrijnë me ra ndër gjurmët e luftarëve dhe mbas një përpjekje të fortë e të rrebtë, ku Maria u dallue për trimninë e saj, çanë rrëthimin me vështirsi, mbasi kishte marrë shumë plagë, por, edhe kishte humbë njeriun besnik Pjetër Tomën, i cili iu gjet kudo ku rreziku i jetës për Marijen kje i madh. Kur hyni ndër fushat e misrit të fshatit Açarevë nuk mujti me vazhdue rrugën nga hemoragjia e madhe, prej plagve që kishte marrë. Nga mungesa e mjekimit humbi ndjenjat. Njëfarë Rexhep Selimi, spiju serb ia dorzoi OZN-ës.
Në dhetorin e 1945, në Prizren u formue Komiteti i NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), për Kosovën me kryetar Hajdar Pllaneja, prof. në Gjimnazin e Prizrenit, mik i Mit-hat Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit etj. Marsel Vuçaj vepronte në Pejë. Kjo organizatë ka një veprimtari shumë të gjanë mbasi ishte e organizueme mirë, por për fatin e keq të trojëve shqiptare që nuk u ndihmuan nga asnjë fuqi e jashtme, përfundoi me humbjen e bijve të saj, që shumica u vranë në luftë për liri ndër male. Disa nga këta u arrestuan dhe kështu filloi proçesi në të cilin pa diskutim përfshihej edhe Maria Shllaku, edhe pse nuk ishte kur u krijue Komiteti.
"Gjyqi i Popullit" filloi më 29 qershor 1946 dhe vazhdoi deri me 11 korrik 1946, në Prizren. Trupi gjykues përbahej nga: Kryetari i gjyqit të Qarkut Dragutin Janjiqin, antarë: Ismet Mula dhe Selajdin Ahmeti, prokuror Ali Shukriu dhe sekretar Branisllav Kijariq. Mbrojtës i të akuzuemve Bozhidar Zyleviq, si ndihmës sekretar, ndërsa i vetmi avokat ishte rusi Vlladimir Znamenski, nga Gjakova. Në bankën e të akuzuemve ndodhëshin 27 "anëtarë të Organizatës" NDSH- Nacional Demokratike Shqiptare: MARIA SHLLAKU, AT BERNARD LLUPI, KOL PARUBI, GJERGJ MARTINI, MARSEL VUÇAJ, ISA CAVOLLI, MASAR BEGOLLI, HAMZA BEGOLLI, JUSUF HAXHIYMERI, MUHAMET VOKSHI, VIKTOR GASHI, FRANO CIVLAKU, JAK KRASNIQI, OSMAN BASHA, SKËNDER RIZAJ, ENGJËLL BERISHA, SHEFQET KELMENDI, RAMIZ KELMENDI, KAMBER PAJAZITI, SEBË MATEJA, JAK SHAHINI, GITA MJEDA, LUÇIJE LEKA, SEBË KOLA, MIFTAR BALA, BINAK DEMA dhe GJERGJ DEDA.
Nga këta persona unë kam njohtë përsonalisht Zotni Shefqet Kelmendin, i cili arratisët nga Kosova dhe arrestohët prap nga Sigurimi i Enver Hoxhës, në Shqipni. Mbasi doli nga burgu rreth vitit 1990, kam pasë fatin me bashkpunue me të, në lidhje me "Katër Martirët Shkodranë" në vitin 1996, në kumtesën e mbajtun në Teatrin "Migjeni" në Shkodër, për 50 vjetorin e pushkatimit të Maria Shllakut. Me këtë rasë njohta dhe autorët e librit Z. Kelmendin dhe Gashin në Shkodër.
Edhe sot mbas 50 vjetësh kujtonin me respekt heroinën e palëkundun para gjyqit serb.
Maria në seancën e parë të gjyqit mohon proçesin e hetuesisë, mbasi kur asht ba ai, asht rrah dhe torturue. Të vërteta ajo quen vetëm deklarimet para gjyqit. Ajo pranon se dishronte një Shqipni të lirë e demokratike: "Deri në vitin 1944 kam kenë për Lëvizjen N. Çl., mirpo kur erdhën partizanët në 1944 me flamurin e tyne që kishte drapnin me çekan, u bana kundër tyne.". Kur pyetët nga Kryetari i gjyqit se a ka kenë për Shqipninë e Enver Hoxhës, ajo përgjigjet: "Unë nuk dij çka don Enver Hoxha, po na duam që Kosova t'i bashkohët Shqipnisë. Unë nuk jam për Shqipninë e Enver Hoxhës. Unë jam kundër gjermanëve, por, dua që Kosova t'u takojë shqiptarëve të Shqipnisë së vjetër... ne kemi luftue kundër partizanëve, që t'i rrëzojmë nga pushteti. ...Unë kam kenë antifashiste e përbetueme, i tillë ka kenë edhe Luan Gashi.... Propaganda e jonë në popull ka kenë që populli të qëndrojnë si burrat dhe të kërkojnë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen!"
Maria flet me respekt për Prof. Ymer Berishën, i cili kishte lind në Gjurgjevik të Madh të Klinës në vitin 1912, kishte krye Normalën e Elbasanit. Kishte vazhdue studimet për Shkenca Natyrore në Romë e, mandej edhe Akademinë Ushtarake po aty. Kishte punue si mësues në Krujë, Kukës, Peshkopi, Lushnje, Berat dhe me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, në vitin 1941, kishte shkue profesor i Gjimnazit dhe i Normalës "Sami Frashëri" në Prishtinë. Në vitin 1944 kishte dalë në mal me atdhetarët tjerë me luftue kundër pushtuesvë të rinjë. Asht njoftë si ideolog i platformës politike për mbrojtjën e kufijve Etnike të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipninë. Ka formue Organizatën atdhetare shqiptare "Besa Kombëtare". Ka luftue kundër forcave komuniste serbe në Kosovë. Asht vra burrnisht në korrik të vitit 1946, në malët e Hereçit të Gjakovës.
AT BERNARD LLUPI O.F.M.
Ka lé në Shkodër me 7 shkurt 1886, prej prindve Filip e Luçia Llupi. Asht pagëzue me emnin Mati, asht vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit e Franos. Vjen prej një familjes së vjetër me tradita qytetare shkodrane. Studimet i ka krye në Insbruk të Austrisë, ku mori medalje nderi si student i shkëlqyeshëm. Shugurohët meshtar në Romë, dhe shërben në Palç (Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrsit, Vlonë dhe Shkodër.
Kur Kuvendi Françeskan ndodhët keq ekonomikisht në atë kohë lufte e zije për bukë, në vitin 1942 dërgohet në Pejë famullitar, mbasi njihej si ekonomat i përkryem. Prej andej ban të mujtun mos shpërndamjen e xhakojve në Shkodër, tue i dërgue vazhdimisht ushqime. Për këtë ndihmë të madhë ekonomike ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika, rektori i Fretënve në Shkodër.
Asht bashkohës i Etënve Harapi, Doda, Prennushi, Cani dhe mik i Don Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët e njohtun që me dinjitet ka bajtë zhgunin e Sh'Françeskut. Autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh e ngatrresash që kishin kapërthye malët tona. Edhe pse në 1939 asht operue në Padova, ku ka heq një eshkë, asnjëherë nuk i shmangët misionit të tij, madje, shkon me qejfë malësh për me ndihmue çështjen kombëtare dhe niset për Kosovë.
Atje ka shërbye në famullitë e Zllakuçanit, Zym'të Hasit dhe Pejë. Ndihmon shqiptarët që kanë marrë malët për liri nga fashizmi dhe komunizmi, me ushqime dhe medikamente mjeksore. Mban afër Prof. Kol Parubin, Marije Shllakun, Marsel Vuçën, Prof. Ymer Berishën dhe të tjerë luftarë shqiptarë. Porositë fshatarët "me e ruejtë dhe me e ndihmue këtë vajzë atdhetare!". Theksova fjalët e ti ndër thojza, mbasi me dashtni dhe burrni vlerson virtytet e femnës shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e tij, Norën e Kelmendit. At Llupi asht "ATI I DYTË" i Marijes.
Maria tek Ati i saj i dytë sheh shpresën dhe të mirën, tue i kërkue si vajza e tij: "Lutju Zotit për mue!" Ai lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kjo asht arsyja që të gjithë e donin dhe e ndigjonin misionarin e përvujtë. Ai njihej si misionar i Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat e lirisë. Shovenistët serb, shërbëtorët e tyne komunistë dhe trathtarët e shitun të Atdheut nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej, në marsin e 1946 e arrestojnë si një organizator i "Katoliçeskaja Banda", organizatë që nuk ka kenë kurrë. Krijuesi i këtyne bandave, organizatave, grupeve terroriste, duerve të zeza, të futjes së armëve ndër Kisha etj, asht një për të gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët jugosllavë me qendër Moskën.
Edhe para trupit gjykues At Llupi asht kryenaltë, trim dhe i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që i bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë. Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa edhe tallet me prokurorin Ali Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se ç'ke menduar kur ke thënë: "Ishalla e pështon Zoti Kosovën!"? - At Llupi përgjigjet: "Kam mendue që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet e ndryshme!" Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath në mal, At Llupi nuk i përgjigjet, mbasi nuk kam ardhë këtu për djath. Kur pyetët Maria, edhe ajo përsëritë: "Nuk përgjigjem, nuk kemi ardhë për djath këtu!". Kur flitët për njerzit e vramë ndër male, At Llupi thotë: "Ata kanë vdekë si trima, si burrat, prandej, duhët të jenë shembull për né të gjithë!".
Z. Muhamet Vokshi shkruen për At Llupin: "...Fliste anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht. Ishte komunikativ, modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte... Italianët nuk i donte aspak... i quante "bretkocarë"... e ka dashur vendin dhe popullin e vet pa urrejtur kurrkend tjetër.
E deshti dhe dha jetën për Shqipërinë brenda kufijve të saj etnikë"
Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte:
"Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!"...
Mbas të shtimeve të automatikve At Llupi, kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri... Ai thirri edhe njëherë: "Rrnoftë Shqipnia!", xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare për të cilën dha jetën.
PROF. KOL PARUBAJ:
Ka lé në Pentar të Dajçit të Bregut të Bunës në Shkodër, më 5 dhetor 1905, prej prindve Tomë e Tone Parubaj. Fshati dallohet për banorët e tij me cilësi squtsie. Kola nuk asht indiferent ndaj kësaj cilësie, prandej, mbasi kryen studimet e larta vjen dhe hapë shkollën e Pentarit, ku jep kontribut fetar e atdhetar. Paisë një klasë modeste me banka, libra e fletore, tue ruejtë kontakte me misionarin Don Alfons Tracki dhe priftën tjerë përparimtarë të asaj zone. Asht i paisun me kulturë Përendimore dhe punon që në fillim përveç mësimeve të shqipës, katër blejt e parë të gjuhës italiane dhe njohuni të para të frengjishtës. Asht dallue si njeri i paisun me enfazi konferencieri. Në vitin 1939 tue mos gjetë mundësinë e marrëveshjes me klerin e Shkodrës për me kalue në rritin greko - latin, i këshilluem nga Tracki kalon në tokat e Jugosllavisë, andej Bunës. Ndihmohët nga Kuvendi i rrethit të Uzhicës e Bihaçit. Mbas shumë "peripecishë", në vitin 1942 emnohet profesor në Gjimnazin e Prishtinës e ma vonë në Pejë. Gjatë kësaj kohe njihët me Riza Drinin nga Shkodra, me At Llupin, tek i cili flenë një natë. Mban lidhje miqësore me H. Pllanejën, Ymer Berishën, Enver Sudin etj. me të cilët edhe punon dhe lufton për çështjen e Kosovës së lirë.
Asht njeriu nga i cili hetuesia kërkon shumë, arrestohët në mars të 1946, dhe me 21 të ati moji fillon hetimet i akuzuem si "agjent i fashizmit", tue e dijtë mirë se ishte antifashist. Ai ishte edhe antizogist, gja që e dëshmon edhe ish nxanësi i tij Gjergj Laca. Përveç kujtimeve të mira që ruen për mësuesin e parë ashtusi Maksut Shehu në Kosovë etj. Gjergji edhe sot mban ndër mend kangën: "Kur sorra bori skjepin", të cilën ia ka mësue në shkollën fillore Prof. Kol Parubaj, kangë e ndalueme nga regjimi i Zogut.
Ndaj veprimeve kriminale të komunistëve në Kosovë, profesori mban qëndrim kundërshtar. Ai ban një përpjekje për me formue një Komitet Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës (NDSH), në vitin 1945. Vetëm ky mendim i tij, pa krye asnjë vepër e çon në pushkatim.
Lidhjet me Enver Sudin konsiderohën gjoja të rekomandueme nga At Llupi. Parubaj nuk i pranon tue hjedhë poshtë të gjitha akuzat në lidhje me Fratin. Lidhjet me Enver Sudin kërkohën shumë në hetuesi, mbasi Enveri ishte pjestar i një bërthame prej tre vetësh që kishin organizue vrasjën e Milladin Popoviqit, të cilin e kishte vra Haki Taha. Kjo lidhje për të cilën ngulë kambë edhe Marsel Vuçaj se "asht kenë e vërtetë", i jep dorë trupit gjykues, me marrë vendimin e pushkatimit për Prof. Kol Parubaj, me gjithë mohimet dhe qëndrimin burrnor të Kolës. Në fjalën e fundit thotë: "Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë me Kosovën!"
Maksut Shehu shkruen: "Ishte i butë!... Granit!"
Mësuesi GJERGJ MARTINI:
Gjergj Martini ka lé në Hot të Shkodrës, më 29 gusht 1917. Ka krye paragjimnazin në Shkodër në Konviktin "Malet tona", ndërsa të mesmën në Normalen e Elbasanit. Punoi mësues në Kukës dhe në Shkodër. U martue me mësusen Zografe Harodhambi nga Kavaja, e datëlindjes 1920. Ka pasë një vajzë nga kjo martëse. Në vitin 1945, kur ishte Gjergji në Gjakovë, i vdiq grueja tue i lanë vajzën e vogël me ia rritë gjyshja. Nuk u shkëput asnjëherë nga kjo vajzë, mbasi edhe me martesën e dytë që bani me Linën e Simon Shkrelit, u mirkuptue. Ajo u kujdes për vajzën jetime dhe nuk ia prishi zemrën Gjergjit deri në fund. Edhe Lina ishte grue e kulturueme dhe njihët me Gjergjin kur ishte mësuese në Gjakovë, ndërsa Gjergji ishte drejtor i asaj shkolle.
Martesën me Linën e bani më 18 nandor 1945, dhe në mars 1946 arrestohët. Jetoi me gruen e dytë vetëm 4 muaj.
Akuzohët edhe ky si të tjerët për bashkpunim me Prof. Kol Parubin e At Llupin në Organizatën NDSH të Kosovës. Merrët në pyetje vetëm pesë herë dhe vehët në bankën e të akuzuemve, pa dijtë pse asht aty si shumë të tjerë që ishin ndër ato banka. Edhe Gjergji akuzohët nga Marsel Vuçaj njësoj si Parubaj Dukët se akuzat që u ban shokve të vet e lanë me 12 vjet burg, të cilat ndoshta, si shpërblim çpifje nuk i ka krye në burg. Gjergji në veçansi nuk ka akuzë mbasi "faji" i tij përfshihet ndër akuzat e shokve. Kur flitët për Gjergjin, gjithnjë thohët "janë fajtorë" ...dhe rreshtohët me At Llupin e Kolën. Paknaqësia e Gjergjit shfaqët vetëm kur asht fjala për nënshtetësinë shqiptare që kishte dhe, nuk i epej e drejta e votës si shqiptar.
Në faqën 132 autorët e librit shënojnë: "Krimet" e tij, që u mbyllën me dënimin më të rëndë, me vdekje, me pushkatim, konsistuan vetëm në faktin se ishte shqiptar, se ishte patriot, se ishte intelektual, dhe se ishte shkodranë (i Hotit) njësoj si tre të parët - Maria, At Bernardi dhe Kola.
Do të ishte e tepërt me kërkue shkaqe të tjera pse u pushkatuan këta atdhetarë.
Zonja Lina Martini shkruen në kujtimet e saja: "Gjergji ishte njeri universal, kishte za të bukur, këndonim duet, ishte shumë i çmuar dhe i respektuar. Unë tash plot gjysëm shekulli, kujtoj ato ditë të pakta e të bukra që jetova me té... I kam ruejtun këtu me xhelozi, e besa edhe me frikë të madhe disa fotografi që i kam prej tij dhe me té; unë dhe Gjergji ditën e kunorzimit... Gjergjin me shokët e tij... me nxanës... që i shikoj për ditë tash 50 vjet..."
Dr. Pajazit Nushi shënon: "....tue shkrue këta pak rreshta kam në vedi përfytyrimin e një mësuesi të rrallë, që përjetonte vuejtjet e të tjerve si të tijat."
Me të drejtë Mësuesi Gjergj Martini u mësonte nxanësve të vet kangën që ai e këndonte me zanin e tij të bukur: "Po vjen prendimi dhe larg asht dielli".... Si dukët, ia ndinte zemra largësinë e dritës së diellit!...
Me datën 15 korrik 1946, trupi gjykues dha vëndimin për 27 vetë të "Katoliçeskaja Banda".
Ndërsa, më 15 nandor 1946 nga ky grup u pushkatuen:
MARIA SHLLAKU 24 vjeç,
AT BERNARD LLUPI 60 vjeç,
Prof. KOL PARUBAJ 40 vjeç,
GJERGJ MARTINI 29 vjeç.
Z.Viktor Gashi tregon:
Në mbrëmjen e 14 nandorit dikush përshpëriti sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër në mëngjes do të pushkatoheshin të dënuarit me vdekje. U tronditëm shumë dhe vendosëm me i treguar At Bernardit. I thamë në veçanti: Padër, nesër... ndoshta... nuk e dijmë... por... Ai ndërpreu fjalën dhe tha :- Shumë bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas pak sekondash iu drejtua Kolës, - Kolë, eja pak këtu! Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart, ndërsa Kola u ulë në gjunjë. Kur Kola desh të fliste diçka, At Llupi i tha: - Kolë, i dij gjynahët tuaja por ban punën e pëndimit, se Zoti do t'i falin të gjitha fajet mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që të ka lindë, ti po shkon tek Zoti jo si mëkatar, por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm, me dhanë shembull si duhët me vdekë për të mirën e popullit shqiptar dhe të Atdheut, që po e lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë edhe Kosova me Nanën Shqipni! Mbas tij shkoi edhe Gjergji.
Atë natë nuk fjeti njeri. Biseda mbahej nga At Bernardi, të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e gazi, sikur të nesërmen po lirohej dhe jo...
Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme... Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: - Ç'keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë, aq sa ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Atdheun Nanë, ....Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm, sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun!"
Sakaq u dëgjua zani i ambël i Gjergj Martinit: "Po vdesim për Atdhe, burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu me gjakun e shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia. Gjaku i derdhun s'ka sesi të mos japë fryt, tue mbjellë atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë edhe ma tepër ndjenjat kombëtare":
U hap dera me rrëmbim: - Hajde, hajde, brze, majku vam vasu!- briti roja.
At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: - Ndaluni pak, se due të përshëndetem për herë të fundit me vëllaznit e mijë. Në përqafim nuk muejta t'i mbaj lotët, mos u trego i ligësht, - më tha, - të dijmë si xunxarë, kështu me quanin në burg. U drejtua - Gjergj, Kolë, ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit.
Atëherë Gjergji na u drejtua: "Lamtumirë, o vëllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe Shqipnia ka trima që japin jetën për vatan dhe nuk ka anmik që na tremb!...
Shqiptari nuk përkulet kurrë !"...
Roja e shtyri, e ai thirri edhe ma më të madhe: "Rrnoftë Shqipnia bashkë me Kosovën!"
Edhe Kol Parubaj me një za të shteruar, na tha: "Lamtumirë vëllazën!... Ma keni kujdes vajzën... Rrnoftë kombi shqiptar!... Rrnofshin shqiptarët!"
Zëri i tij treti dhe nuk u dëgjua më, sëpse roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera.
Të gjithë ne që ishim mbrenda mbetëm të shtangur. Pas pak u ndigjua zëri i thekshëm i Maria Shllakut. Të gjithë vrapuam kah dritaret që ta shikonim në oborrin e burgut dhe pamë hijen e saj, meqë bënte shumë terr.
Nuk pranonte të dilte nga dera e burgut pa përfunduar këngën që bënte fjalë për Ymer Berishën, dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët e këngës sot nuk më kujtohen, por, zëri i saj ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.
At Bernard Llupi atëherë i tha me zë të lartë:
"Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna shqiptare, me kangë në gojë!"
Maria ia këtheu me za ma të fortë:
"RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!...
RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!"
Me të drejtë Miss Durham shkruen:
"Zotnimet e hueja kanë kalue mbi kombin shqiptar, pa lanë në té kurrfarë gjurmët, si ujë që kalon mbi shpinën e rosës".
NATË SHËN KOLLI
"Kur të mbarojnë burrat, luftën do ta vazhdojnë gratë"
Mark Kakarriqi
Vjenë, 1913
Shkodër, më 5 dhetor 1946. Nata e Shën' Kollit. Një mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë, që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë qytetarë janë largue në krahina të ndryshme të vendit zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë që festohën në Shkodër.
Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej dritave që depërtojnë jashtë dritarëve e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë paqtue mjaft herët, mbasi secili e ka mendue diçka para se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë e pazarit të vjetër ndër kodrat përreth Kalasë, sepse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta, të veshuna me shermashek e lulevile, të shtëpive katolike. Kjo festë kremtohet në të gjitha anët ë qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh tue urue njeni-tjetrin: "Për shumë mot!":
Në çdo votër asht vu buzmi, sigurisht jo ma i madhi, mbasi ai ruhet për natën e Këshnellave, por secili oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj natë, përzie me erën e gjellëve, që amvisat pregatisin me mjeshtrinë ma të madhe të grave të njoftuna në këtë natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë këtë natë asht qiri që ndezet në çdo shtëpi. Qiri i Shën'Kollit asht i pikturuem me lajle e lule shumëngjyrëshe që vëndoset në krye të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa fillon!
Fëmijët janë ma të gëzuemit që me sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqve të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande, molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë ftu e portogal. Gjyshet, prej kohësh ndër kanavetat e tyne kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura të peshkut. Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të moshuemve dhe mbas saj kanga e Shën'Kollit: "Vjen Shen'Kolli prej Misirit...." Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue edhe prej komshive, mbasi asht kënaqesi kur të nesërmen bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg. Prej sofrës së fëmijve vjen lajmi, se kur do të vinë në sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni, i bamë me arra e rrush të thatë Selaniku.
Mbas vitit 1942, na e festonim festën tek daja Don Kolec mbasi baba vdiq, atje na mblidhte gjyshja. Në vitin 1949 gjyshja bani një bakllavë të madhe, se atëherë doli edhe daja nga burgu. Kujtoj dajën me një pjatë të madhe në dorë mbasi kishim ngranë bukë, me buzë në gaz si gjithmonë, më vuni pjatën përpara mue. Aty kishte gjashtë kallëpe të mëdhej bakllave e më tha: "Kjo pjatë asht e ytja, ké me hangër sa të mundesh!". Ai ishte Shën'Kolli i fundit në shtëpinë tonë.
Mbas sofrës, fëmijët e marrakotun për pak kohë vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes, ndër dyshekët e shtruem përtokë. Gaz e hare në atë dhomë, ndërsa në dhomën tjetër bisedohej: "Ku e merr me pasë mendjën e tyne!". Ma plaku rrëmon zjarmin e në plasat e trungut të lisit, me mashë kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë. Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthejnë në naltësi. Sigurisht shenjë nervoziteti... Gratë i heqin vërejtje: "Boll ma, mos e luej se bukuri tèk asht!" Lodhja e ditës shoqnue me atë të pijes, bajnë punën e vet e, kështu bie qetësia.
... Ndërsa, ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna mbi sofrabezat e bukur, që sonte kanë sipër gjithë të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën'Kollë që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se janë zëvendsue me futat e zeza dhe degërmitë e bardha, ashtusi në shtëpijat e Dedejakupëve, Kazazëve e sa të tjerave, burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në Seksionin e Mbrendshëm tue u torturue e kushedi sa ndër birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë djelmët e sa nanave hidheshin si thasë prej dritaresh, me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët e oborreve, ku ndihej vetëm era e shfarosjes së qytetnimit shkodran e atij kombëtar evropian, nën parullën e njohtun të komunistëve: "Borgjezëve e reaksionarëve, plumbin ballit!".
Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të këpucve me thumba të disa patrullave, zhurmat e xhipsit të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç Lekiqit që merreshin me arrestime. Punojnë vetëm zyrat e hetuesisë, Seksioni i Mbrendshëm, ndonjë zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në ilegalitet tue shpërnda urdhnat e saj me spijujtë e natës. Këto zyra, të drejtueme nga Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli, Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali etj. nuk i fikun kurrë dritat, mbasi ditë e natë dritaret janë të mbylluna, për mos me u ndigjue ndër rrugë virrmat e britmat e të torturuemve për vdekje.
Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi, tue mendue se në duert e kujt ka loçkën e zemrës. Një prej këtyne nanave asht edhe Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit, që zemra i ndien diçka... Ajo, atë natë feste rri me sy të ngulun harû ndër gaca, tue vrojtue kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht e veçantë në të gjithë Shkodrën! Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të ban me kujtue pa e njoftë, një grue të pastër, besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të Dedëjakupëve, që për besën e dhanun një ditë në kunorën Shenjte, kur në gisht vuni rrethin, merr malët bashkë me fatin e saj dhe del me luftue komunizmin.
Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por, në zemër kishte mulla urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga komunistët, ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të Rëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue në Sigurim se kishte guxue me thanë, se, sa ka vra Zogu për 15 vjet, komunistët i kanë vra për 15 ditë. Kjo grue zgjodhi rrugën e malit, mbasi nuk mund të jetonte pa lirinë e Atdheut, dëshirë e pathyeshme edhe e burrit të saj, që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët. Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja, ashtusi, dikur burrat e motit bashkë me gratë burrnesha, që morën malët për liri. Edukata e saj qytetare e atdhetare ishte brumosë edhe prej dy axhave klerikë të njohtun të familjes Zojzi.
Në heshtjen e natës, kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë punë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi, Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhetor, rreth orës 04.00 të mëngjesit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme doli nga çadra e vendosun prej tyne në atë vend, u ndigjue një za: "Dorëzou Marije, se nuk të vrasim!" Ajo u përgjigj: "Për së gjalli kurrë, mor qena....!", nxori armën nga brezi, sepse, e njihte mirë "besën" e komunistëve. Gjuejtjet e automatikëve të katilëve nga pozicionet e vëndosuna gjatë natës, e rrëzuen përdhé... Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër i Marijes u derdh në prrue dhe zbriti në Dri, për me përshëndetë ma afër Shkodrën, nanën e vet, për me i tregue Asaj, se kur më linde Ti, bashkë me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtusi më pate mësue, në besë të burrit qëndrova e bashkë me Pjetrin e dashtun, u vramë për liri!...
Maria nuk ishte as e para shkodrane e, as e fundit që doli malësh me armë në dorë, mbas vitit 1944 me luftue kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku, po prej Shkodret, që zani i saj do të jehonte për 50 vjet ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë e denjë për armët që mbante në brez. Ajo nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as para yllit të kuq. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e fizik të hetuesisë, as internimeve, as punës së randë të fermave e kooperativave por, gjithkund mbas burrave, vuejtën për një kafshatë bukë, lindën dhe rritën fëmijë, që një ditë do të ishin ndera e Atdheut.
Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vendosën dafina!
Vajzat e vërteta shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2 prill 1991!
Ishin vajzat e djelmët e shkollës "Jordan Misja" që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djaloshit trim Arbën Broci, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelet bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më 2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër, që nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin e veprës së tyne: turpit të shekullit XX.
Toka shqiptare i ruen në gjiun e saj Herojtë, edhe pse sot na nuk dimë ku pushojnë shumica e tyne. Fshatarët e Meshkallës e ruajtën për 45 vjetë Marijen në tokën e tyne, me një rrasë të vogël si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët kishin shkrue: "Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj". Njëditë ata fshatarë bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përreth e përcollën për në Rëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurisht, Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë, por me atë visar që asht ma i shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë, si një zonjë e randë, me atë Flamur që Maria, me gjakun e saj i ka shlye yllin. Edhe Flamuri, në shenjë nderimi për Heroinën e vet, në zemrën e tij ka vu portretin e saj: SHQIPËN DYKRENARE.
Ajo sot prehët me nanën Pinë, mbasi burrin e besës komunistët e zhdukën, tue e pushkatue për sëvdekuni në Zallin e Kirit, mbasi nuk kishin çka me i ba ma shumë. Edhe Ai asht aty afër Saj, aty ku janë shumica e Martirëve të Shkodrës.
Marije! Më duket se për kërkend ma shumë se për ty....
Shkruen i madhi At Fishta:
"... ju besën
Ka për t'ua dhanë mbi vorr, se kurr për s' gjalli
S' ka me e koritun namin t'uej e nderën,
Se ka me dekë p' r Atdhé si desin burrat
Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t'lirueme."
L Ë V I Z J A E P O S T R I B Ë S
(9 shtator 1946)
"Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damshme, që nuk i gjenë askund shoqen në botë"
"Zani i të dekunit" nga Y (D. L. Shantoja)
"Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra".
Asht shkrue e do të shkruhet, e prap do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh, vetëm atëherë, kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue arkivat e mbulueme nën dhé.
"Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.", shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: "Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne, ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit".
Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue diçka të mbulueme me dashje, ose pa dashje, por në të dy rastet, jo me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.
Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, deputetë, intelektualë, klerikë, studentë, tregtarë, të kënaqun e të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë, që deri pak ditë përpara kishin nënshkrue edhe "urdhën-arreste", ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen "demokracia". Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.
Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj. që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne.
Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:
Me datën 29 janar 1945, prokurori Jonuz Mërsini i thotë D. Lazër Shantojës: "Më dt. 20 - 21 janar 1945, malësorët janë çue kundër Luftës N.Çl. të inspiruar prej këtij fashisti" (Dosja 174).
Don Ndre Zadeja deklaron: "Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja". (Dosja 677)
Riza Drini i kërkon bashkpunim Riza Danit prej malit në tetor të 1944, dhe Këshilli N.Çl. e pranon. Arësyeja e kërkesës së Riza Drinit asht: "....për me evitue gjakderdhjen që parashof se do të bahët në Shqipni." (Deklarata e Riza Danit d.v. dt. 30 prill 1945).
Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: "Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të Lëvizjes së Koplikut, e ka dijtë organizata "Bashkimi Shqiptar", unë nuk e kam dijtë vetë!" . . Martin Sheldija (ish oficer), i arratisun me Gjergj Vatën, dorzue në kohën e anmistisë, i dënuem për jetë, dhe i liruem më 14 shkurt 1966, deklaron: "Me datën 5 shtator 1946 ka ardhë Shuk Gjoka, e më tha, se don me më takue Shaban Abdullahi e Zyber Hyseni, dhe me datën 8 shtator më ka sjellë lajmin me sulmue Shkodrën. Shuk Gjoka shkoi në Ganjollë, Spathar e Juban. Unë kam organizue Gurin e Zi. Më 8 shtator, bashkë me Pjetrin (Dedën, i vramë), kemi ardhë te Ura e Kirit, e kemi shprazë pushkët, nuk u përgjegj kush dhe kemi shkue prap. Nuk kemi hy në Shkodër.
"Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqrore shumë të theksuar...", shënon Ministri i Mbrendshëm Mehmet Shehu d.v. më 29 qershor 1949. (Dosja 141).
Jakup Dan Alia, i arrestuem për Lëvizjen e Postribes deklaron: "Në mbledhje për Postriben jemi qenë: Osman Haxhija, Abdullah Seiti, Muho Duli, Selim Raci, Emin Zyberi, Dervish Nuzi, Ram Vasi, Taip Isaja, Seit Duli etj. Foli Abdullah Seiti, dhe tha me i ra Shkodrës. Luftën e Postribës, në fushë të aeroplanave e ka fillue Seit Duli."
Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës, dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: "Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribet, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946, se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin, se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë, do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin..."
"...Unë nuk shkova me lajmërue as vëllain për këtë punë."
Pjetër Gjok Luli, vjeç 43, vëllai i Gjeloshit e Rrokut, deklaron: "...Unë, nuk kam takue as vëllain Gjeloshin, në sa të kam pa ndonjëherë ty (i drejtohet kryetarit të gjyqit, Misto Bllacit) ... As nuk dij se asht ba mbledhje, as nuk kemi organizue gja."
Pjetër Prendush Pali, vjeç 32, nga Hoti (Jugosllavi), mësues, deklaron: "...akuza nuk asht e vërtetë, në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë se kam bisedue unë për Postribën, ato që thonë këtu nuk janë të vërteta. Për akuzat që më bajnë Gjelosh Vata, Gjon Leka e Mustafa Jakupi nuk janë të vërteta. Gjon Leka më ka thanë, se jam me punë në Seksion të Mbrendshëm, dhe rri urtë, se kam në dorë me të ba keq.".
Vendimi i gjyqit Pjetrit iu dha me vdekje, dhe u ekzekutue më 11 mars 1948.
Mustafa Jakup Vodaj, vjeç 48, nga Shkodra, i dënuem për jetë, deklaron: "Nuk kam asnjë lidhje me Postribën, por mue më ka tregue Brahim Isufi se sande Postriba sulmon Shkodrën. Unë i thashë Gjeloshit, por ky më tha se nuk asht e vërtetë. Kemi shkue me Gjonin në shtëpi të Gjeloshit (Vatës), aty në mesnatë ka ardhë me na thirrë Abdullah Seiti e Ismail Duli dhe jemi takue tek fusha me Murat Haxhinë. Aty pamë se nuk ishte gja ajo punë dhe u këthyem ndër shtëpia."
Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: "...Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue, as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri, për me marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë kenë në mbledhje... Unë nuk e dija se asht formue parti Demokristjane...Për përpjekjen e 9 shtatorit, s'kam dijtë kurrgja, por kur e mora vesht se e kishte bërë Kazazi."
Imz. Frano Gjini: "...për ngjarjen e 9 shtatorit nuk dij gja!".
Don Tom Laca: Deklaron: "...Nuk asht e vërtetë që të kemi pregaditë 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin (avokatin)".
Zef Haxhija, deputet i 2 dhetorit në Kuvendin Popullor për Shkodrën, deklaron: "Për ngjarjën e 9 shtatorit e kam marrë vesht në nesre, si gjithë bota...!".
Për Lëvizjen e Postribes, të 9 shtatorit 1946 u pushkatue: Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Kolec Deda, Pjetër Deda me gruen Maria,Cin Serreqi, Riza Dani, Dulo Kali, Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, Prof. Kol Prela, Av. Paulin Pali, e sa të tjerë pa gjyq, që nuk figurojnë as në rregjistrin e të pushkatuemve...
E vërteta asht vetëm një: Ajo ishte Lëvizje antikomuniste !
AVOKAT PAULIN PALI DHE PROF. KOLË PRELA
"Avokat Paulin Mark Pali është i datlindjës 1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar më 14 gusht 1946..."
Kështu i fillon hetimet krimineli Zoji Themeli në dosjën 1333 kundrejt të pandehurit Profesor avokat Paulin M. Palit, proçes i cili vazhdon me vite...
Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë e Pjetër Çiurçisë), fillon me dokumentacionin që për fat ruhet edhe sot. Në proçes nuk shënohen torturat që i janë ba Paulinit, por, dëshmitaria okulare që jeton edhe sot, Z. Terezina Zorba (Pali) tregon: "...kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve, polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës, ku dukej se kishte shumë njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: "Terezinë...Terezinë! Jam Paulin Pali!", unë e tronditun iu përgjigja: "Kush?"...Ai u përgjigj prap: "Paulini moj, Paulin Pali!"."Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj dite, kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël, sa mezi mund të futej një fëmijë. Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tanë... derisa një ditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura."
Paulini deklaron: "Jam arrestue nga forcat partizane, tue u arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946," (ndërsa flet-arresti ka datën 14 shtator 1946), mos vallë shkaku i arratisjes asht lëshimi i flet-arrestit njëditë para? Asht edhe varianti tjetër, mos ndoshta Sigurimi e dinte se Paulini don me u arratisë dhe shkon në vendin e caktuem me flet-arrest të lëshuem njëditë ma parë në xhep? - Për mue, qëndron varianti i dytë, mbasi zhvillimi i proçesit, indirekt zbulon diçka!..Vazhdon ma poshtë: "Kam krye fakultetin Juridik në Firencë në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku kam shkue në Prizrend. Për Kosovën mendojshe se do të fitojnë lirinë dhe, nuk do të rrinte nën sundimin e Krajl Pjetrit. Kështu, bisedonim me avokat Sokol Dobroçin, në Prizrend. U ktheva në Shqipni dhe shoqnohesha me shoke si: Ragip Metën, Galip Jukën, Adem Bazhdarin, Ranko Cerankoviq, Pjerin Koliqin, Pashko Gecin e Filip Ndocaj. Kisha shokë Qemal Shehun e Muzafer Pipën.
Idetë e mija kishin karakter liberal. Kritikonim vëprimet e Pushtetit sotëm. Nga Fronti Demokratik ishe i paknaqun. Fronti kishte marrë fuqinë dhe përfshinte Partinë Komuniste. Elementët që drejtonin ishin pa eksperiencë. Kishte papunësi, sepse njerzit që kishin ardhë nga mali kishin zanë të gjitha vendet e punës. Kishte vetëm një Parti, na dishrojshim edhe grupe të tjera politike, gja që na bante me mendue se duhët të bashkohemi edhe na. Për këtë jemi mbledhë tek Muzafer Pipa, ku, mendonim për një veprimtari politike intelektuale. Muzaferi tha: "Intektualët nuk kanë dhanë asnjëherë shenjë bashkimi, megjithqë forca e tyne asht e madhe duhët një organizim!"
I kam kërkue Xhevat Danit një takim me Rizanë. Ishte edhe Jup Hoxha nga korriku i 1945. Rizaja ka përkrahë idenë teme të një grupi intelektual, mbasi zhvillohet vendi. Jupi tha se kështu asht ba edhe në Tiranë me Gjergj Kokoshin. Rizaja mori përsipër me bisedue me Gjergjin.
Me datën 10 gusht 1945, kam shkue në shtëpinë e Muzaferit, unë dhe Adem Bazhdari. I vuna në dijeni pa përmendë emnin e Rizasë. Ma vonë kemi ndejë prap në kafe Adriatik me Ademin e Muzaferin.
Me datën 30 tetor 1945, kemi ba një mbledhje në shtëpinë e së shoqës së Bajram Currit, kur pritshim ndërhymjen e Aleatve dhe biseduem për gjendjen ndërkombtare, ku foli edhe Ragipi (Meta). Pak ditë ma vonë kemi ba një mbledhje në shtëpi të Riza Danit. Kemi propagandue kundër ligjit elektoral, jo vetëm një parti. Kemi folë me Luigj Mjedën, Abdyl Urën, Iljaz Krajën. Zgjedhjet treguen se na shkoi puna kot. Muzaferi më tha, nga Dibra mendohet me u ba kryengritje me armë. "Asht keq që një grusht komunista të na imponojnë mendimin e tyne", i kam thanë Riza Danit.
"Na që kemi kenë në mal e, që kemi luftue kundër okupatorit, nuk kemi të drejtë me zbatue pikëpamjet tona", i ka thanë Muzaferit, Rizaja.
Rizaja bisedonte me Luigj Koliqin.
Na mendonim për një Organizatë ilegale me parime demokratike.
Përveç të sipërmeve mendonim me kenë edhe Brahim Dibra, Luigj Franja, Dan Dibra, Asim Ulqinaku, Dan Hasani, Xhevat Bekteshi, Kol Prela, Rizaja, një farmacist etj. që nuk i kujtoj.
Në Durrës ishte formue një parti por nuk kishim marrë lidhje me té. Me Kol Prelën kishim lidhje politike, ndërsa lidhje pune kishim me Riza Danin. Me Dionis Miçaçon dhe Rexhep Mborjën kemi bisedue për gjyqet...
Më 15 qershor 1946 u takova me Lec Shirokën, dhe më tregoi se prëgatitet një barkë me ikë për Itali dhe i thashë, po të ketë vend, vij edhe unë, por pare me pague nuk kam. Ai më tha, se paguen tjetër kush në Tiranë, e tri ditë para të diftoj. U nisa të shtunën në Tiranë me takue Hasanin, mik i tij në Bulevardin "Qemal Stafa", dhe ai do të na udhëzonte si me ikë për Itali. Mbas tri ditësh me Namikun u takueme edhe më tha se na mungon italiani (mekaniku), nisja nuk bahët të dielën, po u la për të mërkurren dhe vjen edhe mekaniku.
Ditën e mërkurrë me datën 14 gusht 1946, u nisëm për Shtoj dhe mbasi barka nuk erdhi, ditën e enjte në mëngjez na arrestoi këshilli i vendit dhe na përcolli për në Komandën e Durrsit. Prej Durrësit në Tiranë e, prej Tiranet në Shkodër."
Deklaruesi: Paulin Pali d.v. Asistoi: Dul Rrjolli d.v.
Oficeri pyetës: Major Zoji Themeli d.v.
Me datën 19 dhetor 1946, Abdyl Kokoshi deklaron: "Prej Gaspër Palit e Bahri Koplikut më asht rekomandue Paulin Pali, me të cilin lidhej Mehmet Daiu, Kel Çoba dhe Simon Daragjati. Këta kishin lidhje me Jup Kazazin i cili i ka dhanë Paulinit 25 stërlina. Ndërsa Eduard Suma, Abdullah Garuci etj. do të na ndihmonin. Jam takue me Dionis Miçaçon dhe kemi bisedue për këto çështje".
Proçesi vazhdon i gjatë me Abdylin, i cili si dukët, nga torturat mendon me i dhanë fund jetës tue pranue gjthçka shkruen hetuesi, ai vetëm në fund ven firmë. Asht me të vërtetë me t'ardhë keq!...
Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë me gjetë material, mbasi asht mbytë pa muejtë me pregatitë gjyq falso ndër dhomat e vdekjës.
Do të ishte me shumë interes me u studjue dosja e plotë e këtij grupi martirësh të kombit, që, edhe pse nuk m'u dha mundësia me e pa këtë material të plotë, mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak rreshtave të ballafaqimeve, qëndrimin heroik dhe të palëkundun të Kol Prelës, Kel Çobës, Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit.
Edhe pse të ndodhun para gjakajtorësh si: Zoji Themeli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli, Vaskë Koleci, Ali Xhunga etj. asht e pakuptueshme për né, forca e qëndresës së tyne dhe këtë e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së tyne.
Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake Shkodër, kapiten Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën për të pandehurit:
"1. Paulin Mark Pali, 2. Kol Prel Gjoka, 3. Kel Gjon Çoba, 4. Dhionis Kristo Miçaço, 5. Shyqyri Bajram Shpuza, 6. Abdyl Riza Rusi, 7. Mehmet Mahmut Daiu.
- Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër.
- Lidhën me Komitetin Qendror të Organizatës terroriste të Tiranës dhe marrin direktiva për formimin e Organizatës së Shkodrës. Formojnë grupe klandëstine terroriste intelektuale etj.
- Bien në lidhje me shoqëritë fashiste demokristjane të krijuara në gjirin e Klerit Katolik dhe bashkëveprojnë në aktivitetin e tyre kundërshtar.
- Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste.
- Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit.
- Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë, nga të huajt imperialistë.
- Direktivat nga Komiteti Qendror i Tiranës ua ka dhënë Abdyl Kokoshi. Janë prëgatitë për kryengritje të armatosur.
- Këta kanë prëgatitë edhe 9 shtatorin e 1946. Janë përpjekur me sabotuar Reformat e Pushtetit Popullor.
- Paulin Pali i autorizuar nga Komiteti Qendror i Organizatës terroriste të Tiranës, tenton të arratiset në Itali, për të shpurë punën e organizatës, për të cilën pregatitë barkën e udhtimit dhe kapet në buzë të detit...".
"Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap I Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë, hapi seancën, me pyetjen e të pandehurit:
Prof. KOL PREL GJOKA:
I biri i Prelës dhe i Katrinës, vjeç 30, i pa martuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë, Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrestuar më 19 shtator 1946, deklaroi:
- Në akt-akuzë, diçka, ndonjë fjalë asht e vërtetë. Jam kenë me studime në Itali. Në vitin 1940 kam ardhë në Shkodër, profesor. Në 1943 jam ilegalizue në Dukagjin, se mora pjesë në formimin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Shkodrës. Qëllimi em ishte të luftojshim fashizmin. U lidha me Zija Dibrën e Arif Gjylin. Sidomos Mark Mala më ka shkrue të hiqesha nga Lëvizja N. Çl., por unë i shkrova, bashkou me né. Më pëlqente demokracia me shumë parti si në Angli e në Francë. Jam lidhë me Mark Ndojën e Bajraktarin, në favor të lëvizjes N. Çl.
Në 1945 kam ardhë nga Elbasani. Vllai kishte bisedue me P. Gjon Shllakun për votimet me shumë parti.
Jam kenë dy muej përgjegjës i Seksionit Ekonomik, mandej tetë muej në Normalën e Elbasanit, mandej profesor në Lice të Shkodrës. Vllait, P. Gjoni i ka tregue se mund të bisedohet ma vonë për një grup demokratësh, nuk dij për demokristjane. P. Gjoni më ka thanë, që bane mirë që ké vue kandidaturën, dhe shyqyr që u hoqe nga Dukagjini, se bie borë e ban të ftoftë. Për grupe nuk kam denoncue. Për Organizatën e Tiranës, nuk më ka folë as ai, as Paulin Pali. Padër Gjoni njëherë më ka ardhë në shtëpi për emën. Në shkurt jam takue me Paulin Palin, por nuk kemi bisedue gja me rëndsi. Padër Gjonin e kam pasë mik përsonal.
Padër Franja, Filipi e Aleksi, kanë ardhë për një deklaratë që i kam dhanë për P. Gjonin.
Me Gjelosh Lulin prej Shoshit jam takue dy herë, në shtator të 1945 dhe, në prill të 1946. Më tha se ban mirë me u ilegalizue, por unë i thashë, nuk kam ba gja.
Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti."
Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka?
Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli shënon:
"Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918. Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në 1935.
Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino, në 1940.
Në vitin 1944 në Shkodër, ishte përgjegjës i Seksionit Ekonomik dhe, Drejtor i Normalës së Elbasanit, deri në nandor 1945.
Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që asht arrestue në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin e Mbrendshëm në Shkodër.
Prof. Kola deklaron: "Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që né duhet të çlirohemi. Po kështu, im vëlla Marku dhe Gjelosh Luli. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Kam ndejë në shtëpi të Gjelosh Lulit dhe kam pasë lidhje me Mark Malën. Kemi shkue me pa provat e "Juda Makabé" në Shtëpi të Kulturës.
Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim dhe nuk kam bisedue për probleme politike. Kur ka ardhë ky, vllait i kam thanë me dalë jashtë, se ky ka hallët e veta, e nuk dishronte t'a dëgjonte kush. Luigj Ljarja më ka tregue se punonte në Pukë. Loro Vatën e njof për ftyrë por, nuk kam pasë lidhje.
Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë me ikë por unë i kam kundërshtue.
I kam tregue për Konferencën e Paqes, që ose do të bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy bloqe.
(Kol Prela) d.v. ( Zoji Themeli) d.v.
Shënim: Kola ballafaqohët me vëllain Markun, për Organizatën "Bashkimi Shqiptar", se, Kola i ka dhanë udhzime asaj Organizate, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë. Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni thotë ai, do të më kishte tregue mue...
Zoji Themeli d.v.
KEL ÇOBA: Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës dhe Syrri Anamalit.
ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve.
KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë të vërteta.(Dosja 1333).
Avokat PAULIN MARK PALI para gjyqit. (Se ku ishte kjo sallë që nuk e pau njeri nuk dihët!?)
I shtati u pyet avokat Paulini, i cili tha:
"Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Në 1940 jam kthye nga Italia. Okupacioni më ka xanë në Itali. Edukatën fashiste në shkollë e kishim mësim. Kur erdha u emnova në Këshillin e Epërm Korporativ. Detyra ime ishte me luftue okupatorin, por, unë nuk e kam ba. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, por nuk jam interesue. Në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra saj, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike. Fuqinë do ta merrte proletariati dhe, kjo u ba realitet dhe të gjithë punojnë. Ky do të shtypte klasën kapitaliste dhe do të përfaqsonte fshatarë e puntorë. Reformat u aplikuen për katundarët e fabrikat u shtetizuen. Tatim-fitimet u banë për puntorë në favor. Lufta N.Çl. në fillim ishte bloku antifashist, deri në çlirimin e plotë më 1944. Shpirtnisht e kam proklamue në favor. Unë e konsideroj të kishte një demokraci Prendimore. Ku sundon kapitalizmi; fabrikat e bankat i kanë kapitalistët. Një puntor në Angli kur i mungojnë mjetët ekonomike, nuk mund të bahët ministër e të marrë pjesë në qeveri. Sistemi i juej mund të japë lehtësi, por kjo asht faza e parë e shlirimit, e dyta ristabilizimi në ushtri e Pushtet. Unë si princip nuk e kam pra, me diktaturë, edhe pse vegjëlia e mori Pushtetin, por këto ishin principet e mia...
Gjatë okupacionit gjerman kam kenë në Prizrend, avokat me Sokol Dodoshin dhe bisedonim për këto vëprime që po baheshin në botë. Fashizmi përjashtohet nga demokracia Prendimore. Spanjën e mban Anglia dhe Amerika. Edhe në Greqi - unë, nuk e konsideroj fashizëm ku ka liri. Franca autentike asht rregjim fashist. Sikur ta mpronin edhe ata fashizmin, pse nuk e aplikojnë edhe ata vetë diktaturën?
Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën, e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t'a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku.
Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij në se populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s'e dij! Populli shqiptar ka vllaznim me shqiptarin. Idetë e mia kanë kenë këto, dhe me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti. Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj. kam folë.
Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Gjyqi bahej publikisht, por proçedura që ndiqej më epte atë përshtypje, dhe Trupi Gjykues nuk i epte atë që duhej, pra, atë që meritonte. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Kanë kenë me Ballin e okupatorët kanë ba trathti.
Ndue Pali ka kenë ballist, me sa dij unë. Unë mund të jemi i mbrapësht dhe i keq, por këto kanë kenë konceptet e mia. Unë nuk dij ç'të tham!...
Për të mbetat e gjyqeve kam bisedue me Xhemal Brojën, Skënder Luarasin, Kol Prelën dhe Dhionis Miçaçon, të cilët rastësisht në biseda pajtoheshin në pikpamje. Me Skënder Luarasin kam folë me nji ton tjetër, se ai ishte në Pushtet dhe i kam thanë të ishte ma butësi. Gjatë Luftës, kam ndigjue se janë vra njëzetetetëmijë vetë, ndërsa, mbas Luftës deri në 1946, mund të jenë vra nja 500 vetë. Unë nuk kam dashtë të ruaj kuadrot e reaksionit, as më ka shkue mendja, ndoshta nuk i kam dashtë kujt të keqen, ju e keni marrë ashtu, por kur asht ba nji vrasje, unë nuk kam dashtë nji tjetër, mbasi jemi popull i vogël. Nuk kam asnji ambicje politike.
Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta.
Që të marr përsipër nji aktivitet konkret për këtë gjendje nuk kam fillue. Nuk asht e vërtetë që të kemi aktivizue intelektual, as të kemi ba mbledhje në shtëpi të ndryshme. Kam luejt poker tek Riza Dani, Ragip Meta e Xheudet Luloçi dhe në tjetër vend nuk kam shkue.
Nuk kam shtrue biseda as për organizatë, as për komitete e as nën/komitete. Me Klerin nuk kam mardhanje politike, por biseda në Tiranë kam pasë me Padër Viktorin edhe këtu, me Padër Gjon Shllakun, ku ka kenë edhe Kol Prela, në atë mbledhje që i thoni ju, por, ajo nuk asht kenë mbledhje, por kemi bisedue për probleme politike të mbrendshme dhe të jashtme, gjendjen e randë e kemi pranue, por nuk kemi ba gja ose mendue vepra kundër shtetit. Kol Prelës nuk i kam thanë gja për deputetllëk, dhe nuk kam pasë qëllim për të dërgue përfaqësuesit tonë në Kuvendin Popullor. Ma vonë mendojshe me ikë.
Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera, por, as që kam bisedue për té me njeri. Para zhvillimit të Gjyqit Ushtarak kam shkue tek Riza Dani, i kam kërkue të vinte dëshmitar për Ymer Lutfinë, për mënyrën e organizimit nuk kam bisedue. Kur asht këthye nga Tirana i kam thanë që fjalimi i tij ka ba përshtypje, natyrisht, tek na.
Mbledhje nuk kemi ba në shtëpi të Muzafer Pipës, në proçes hetimor i kam pranue, por, i kam përgënjeshtruar. Me Jup Hoxhën e Xhevat Danin kam bisedue biseda të rastit. Me Jupin kam shkue me lujtë poker, dhe kur kam bisedue me Rizanë nuk asht kenë Jupi.
I pandehuri Xhevat Dani tha: "Më dukët se po!"
I pandehuri Paulin Pali, tha se nuk asht e vërtetë se Rizaja do të bisedonte me Gjergj Kokoshin, apo, me ndonjë njeri në Tiranë. Për Gjergj Kokoshin nuk më ka thanë gja.
Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni!
E dënoj vedin se kam ba gabime, kam pasë edhe të mbeta, kam ba edhe faj. Gabimet, e thashë këtë frazë se ju do të më dënoni.
Para se të shkonte Riza Dani në Tiranë, nuk kam bisedue për organizata dhe, nuk i kam thanë se do të takoheni me Gjergj Kokoshin. Nuk asht e vërtetë, që kam thanë se duhet propagandue me futë frymën tonë në rini. Siç thashë, nuk kam ba asnji mbledhje, në shtëpinë e së shoqës Bajram Currit kam kenë, por familja nuk ishte aty. Çilsin e kishte dhandrri i tyne Ragip Meta, ndërsa na kami shkue me lujtë pokër aty.
Për sabotimin e votimeve nuk kam marrë asnji masë. Kur u zbulue Organizata "Bashkimi Shqiptar", e kam marrë vesht vetëm në gjyq.
Për mue, Padër Gjoni, nuk ka kenë për Organizatën "Bashkimi Shqiptar", ajo asht krijue ndër Jezuit, ku janë kenë Padër Dajani e Padër Fausti. Me Riza Danin nuk kam ba asnji mbledhje, dhe organizatë nuk kemi pasë. Me komitete nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam kenë ndër to.
Me Pushtetin nuk kam kenë dakord, por nuk kam ba asnji aktivitet kundra.
Kam shkue shpesh në Tiranë, jam takue me shokë, njiherë me Gjergj Kokoshin e Suat Asllanin kemi bisedue përciprisht dhe, ishim dakord dhe të nji mendimi.
Abdyl Kokoshin e kam njoftë në Kosovë, mbas shlirimit jam takue në Shkodër mbasi kishte gruen këtu, por jo, për organizatë klandestine dhe nuk kam ba ndonji mbledhje me té.
Nuk dij se kush e ka organizue përpjekjen e 9 shtatorit, dhe me të arratisun nuk kam pasë anji lidhje. Nuk kam krijue grupe klandestine, por, kam pasë shpresë tek zbarkimi Anglo- Amerikan, mua më pëlqente dhe nuk i quaja okupator se mendonin për liri politike. Unë kështu mendojshe!
Për ikje në Itali, e kishim lanë me u takue rrugës me Hasan Menikun. I shkova në shtëpi dhe lamë takim për të mërkurrën dhe, u nisëm. Për këtë kam kenë lidhë me Lazër Shirokën, të cilin ma ka paraqitë Kol Kaçulini, por nuk ishe i ngarkuem me komitete për të ikë. Barkën e kanë pague të tjerët, Aqif Toptani e Hasan Myniku, por unë, nuk kam kenë i ngarkuem me mision dhe, nuk më kujtohet të kemi lanë gjyq përgjysë. Adem Bazhdari më ka thanë, me kenë si ti kishe me ikë, por jo, se donte me ikë ai. Në breg të detit na kanë kapë, por nuk kam djegë dokumenta dhe, as nuk kam hjellë gja poshtë, përveç tre napolonave flori. Kam pasë do letra dhe nji sahat, letrat ishin kangë serbe, këto i dorzova.
Unë tham kështu zoti Kryetar, jam ose ma mirë, nuk dij ku jam! S'dij, se çiltas (haptas) tham nji gja: Deri para arrestimit dal si Paulin Pali dhe ndiej vedin fajtor për disa gjana, por për disa jo, dhe nuk e quej vedin fajtor!
Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té.
Unë dua të tham këtë: "Ma mirë të hesht!"
Ju kënduan thanjët e hetuesisë dhe i vërtetoi pjesërisht.
Ju këndua proçesi i Abdyl Kokoshit dhe e mohoi."
Më 15 janar 1948 u pyetën të pandehurit për herë te fundit:
"PAULIN PALI tha:
Më Abdyl Kokoshin nuk kam pasë lidhje, as nuk kam njoftue Komitetin, as kam marrë pare, as nuk i kam dhanë Jup Kazazit.
Me Klerin nuk kam pasë lidhje dhe, për Kel Çobën nuk dij të jenë kenë në Komitete.
Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon.
Përsa i përket faktit të organizatës kundër Pushtetit, pjesrisht e pranoj e, pjesrisht jo!
Kërkoj mëshirë!
KOL PRELA tha:
I lutem Trupit Gjykues, të mos hjedhë poshtë aktivitetin tim, që kam dhanë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Si kam ardhë nga mali kam ra në pasivitet, por jo, se kam pasë urrejtje kundër Pushtetit, por, disa gabime më kanë shty të baj faj, sëpaku, tue marrë parasyshë në përgjithsi, kërkoj mëshirë!
ABDYL RUSI tha:
Në bazë të deklaratave të Syrri Anamalit mund të më dënoni, por, ato s'janë të vërteta, e la në dorën tuej. Kam ba gabim se jam i pakënaqun!
KEL ÇOBA tha:
E quej vedin fajtor se në kundërshtim me ligjet e Pushtetit, kam strehue në shtëpinë teme kriminelin e Luftës, jo tjetër, por, vllaun tem Ejëll Çobën, për këtë pranoj të më jepet dënimi që meritoj.
Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën 16 janar 1948, dha vendimin:
PAULIN MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Naltë."
V.O. Për zotnitë Abdyl Rusi dhe Kel Çoba, nuk kam pasë në dorë material tjetër, ndërsa, gjatë procesit të gjyqit nuk kam asnjë pyetje të gjykatësve, ose ndërhymje prokurori. (autori).
Bashkë me dosje, për shqyrtim vendimi nga Gjykata e Naltë asht dërgue edhe fletë-arresti :
"Paulin Mark Pali, datlindja 1914, nga Shkodra, avokat.
Dobësimi i Mbrojtjes Kombëtare e kryemë vazhdimisht, me nenin 7, paragrafi II,
Ligja Nr. 368 dt. 5 dhetor 1946.
Prokurori: Hys Zaja, data e lëshimit 15 gusht 1946.
Seksioni i Sigurimit Shkodër."
Shif me kujdes nënvizimet, në flet-arrest asht vue data e ligjit, që asht aprovue katër muej mbas arrestimit të P. Palit. Vendi i lëshimit, asht Shkodra, arrestimi asht ba në Durrës!....
Në Durrës, fletë-arresti ka dt. 14 gusht 1946.... në Shkodër, 15 gusht...
"Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e saj me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108,
E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K.Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi:
Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës 1. PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetet në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë."
Cili ishte vullneti i tyne i fundit?
Kur u ekzekutuan?
Kush i ra mbas kokës?
...Thonë, se i kanë pa te pushkatuem bashkë me dy të tjerë të panjoftun... Po, ku?...
Kur kunata e tij, Roza, zonja e Gasprit kishte marrë rrobat e Paulinit që këthehëshin nga hetuesia mbas pushkatimit, kishte gjetë në vendin e ushkurit të brekëve të gjakosuna një pustull të vogël, ku ai kishte shkrue:"Bani çmos e më bini diçka me hangër, se u fika unit", pikërisht, kur ajo e shkreta i çonte çdo ditë katër sofratasa me ushqime...Të cilët, ngopnin zagarët e Sigurimit, Dulaçin, Elez Mesin, Minirin, tetar Dhimitër Çifligarin, Pjerin Kçirën e Karabecët me shokë. Ishte ajo kohë kur uria dhe etja nuk kishin cak....Tregonte zonja Terezina Pali, se i burgosuni Sami Barbullushi asht detyrue me pi urinën e vet, mbasi kishte dy ditë që nuk i jepnin ujë......
Dihët vetëm se njëditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys, ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, nuk e njohti....E pau se merr frymë dhe, e pyeti: "Kush jé ti?"
Ai u përgjegj: - "Jam Paulin Pali"....
Faik Konica shkruante dikur:
"....U përket me lexue brimët e dhimbëshme të të gjithë atyne atdhetarëve që gjimojnë me tërë lotët e Atdheut, që do të derdhin në padrejtësitë e atyre që donë me na pa të koritun e, që dishrojnë që nëpër skam të popullit, të vijnë e mbramja."
MËSUESI PJETËR P. PALI
Mësuesi Pjetër Prendush Pali ka lé në vitin 1914, në Hot të Jugosllavisë. Prindët e Pjetrit ishin Prendushi dhe Hana (Ana). Ka mbarue Normalen e Elbasanit dhe ka punue mësues. Asht kenë i martuem me Z. Gjyzepina Kumasku, mësuese dhe kishte tri vajza. Arrestohet në vitin 1946.
"Jam arrestue, por për shka s'e di!"
Kështu fillon rreshti i parë i proçes-verbalit të mbajtun në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm të Shkodrës (Shtëpia e Çiurçisë), me datën 27 nandor 1946, ora 8.00, me oficerin pyetës Abdyl Hakiu dhe sekretar Vehbi Fishta, i ruejtun në dosjen nr. 1251 (Arkivi M.M.Tiranë).
Pjetri deklaron:
"Kam mbarue Normalen e Elbasanit në vitin 1935. Jam emnue mësues në Bllac të Pogradecit në vitin 1936. Jam transferue në Shkodër, në 1937. Në vitin 1938 kam shkue në Vlonë ku kam punue katër vjet, deri në vitin 1942 që jam kthye prap në Shkodër. Jam pushue nga puna prej Gjonit Markagjonit, deri në tetor të vitit 1945 që fillova përsëri si mësues, në katundin Stajka të Shkodrës dhe kam vazhdue deri në korrik të vitit 1946. Tashti nuk fillova se u arratisa.
Në vitin 1939 kam ikë në Trevllazër se nuk dojshe fashizmin. Atje nuk më pranuen fashist, kur erdha në Shkodër më dhanë triskën e fashizmit. Përveç mësues nuk kam ba pune tjetër.
Shokë në Vlonë kishe: Pirro Mino, Veladin Zejnelin, Fane Shkufi, Spiro Pano, Musa Muho, etj. Në Shkodër kishe: Lazër Kakarriqin, Ndoc Fishtën, Gac Lecin, Lec Sekuj. Mësues ishe me Sllobodan Koçov, Marije Siliqin, Viktore Demën, Sofije Mazrrekun, Tonine Fishtën dhe, baxhanak kishe Kol Kosmaçin, mësues.
Jam kenë indiferent deri në shtator të 1944 kur dola në mal nga frika e gjermanve, se kishe shoqnue Lin Dedën dy herë me u takue me kolonelin anglez Neill, ku asht bisedue çështja e Legalitetit, por unë nuk kam bisedue, as nuk kam kenë në dhomë. Mbrenda asht kenë Llesh Marashi, Lin Deda dhe nji inxhenjer italian, rreth nji orë e gjysëm, bile edhe përkthyesi i kolonelit doli jashtë me né. Kur duelne, Lleshi iku me makinën e tij, unë, Gjelosh Vata, Lini dhe inxhenjeri italian erdhëm me makinën e italianit. Për dy-tre ditë nuk e kam takue Linin; mandej, Lini iku, e unë ika se u frigova nga gjermanët. Qëndrova me forcat e Legalitetit në Gruemirë, me forcat e Sali Myftisë e Nik Sokolit. Unë simpatizojsha Legalitetin në fillim derisa u bashkue me gjerman dhe e mori vesht bota mbarë pse u bashkue. Kur mora vesht se u kthye Lini erdha. Kemi bisedue vetëm për lajme radiosh e komente të hapta me Lazër Kakarriqin, Angjelin Lekën, Zef Duodën, Simon Prendin, Xhemal Lopçin e Gjon Harushën.
Me Gjelosh Vatën kemi bisedue se po dominuenë anglezët vjen Zogu, se e mbështesin edhe Austria, Franca e Italia. Nga mesi i gushtit të 1946, ishte në klubin e Gjelosh Vatës (kushrini i em) Gjon Leka, që kishte në dorë një gazetë ku flitej për Konferencën e Paqës. Të dy folëm për gjendjen e keqe, unë i thashë: Mos trazoni tjerë në politikë mbasi ju tham unë kur me dalë në mal, lajmet jua jap unë se shka thotë radio.
Gjon Leka një ditë më tha se kam ndrrue punë, kam hy në Seksion të Mbrendshëm në nji punë shumë të mirë. Edhe ti, më tha, rri urtë se të baj të keqën!"
Kaq ishte e mjaftueshme me formue grupin e "armiqve të popullit".
Mbas një viti hetuesi, siç del edhe nga dokumentacioni nën kujdesin e katilit të njoftun të asaj kohe Ali Xhunga, organizohën proçese, ballafaqime, çpifje, mashtrime, tortura shtazarake dhe simbas dëshmive të të mbijetuemve ky hetues që deri në 1944 kishte kenë me "Ballin Kombëtar", në Shkodër fitoi kredi dhe besim të përjetëshëm, tue u ba "antar i denjë i Partisë Komuniste Shqiptare" dhe instrument i fuqishëm i saj në Sigurimin e Shtetit. Ka ngordhë tue torturue njerëz në hetuesinë e Ministrisë së Mbrendshme me Xheudet Milotin e Nevzat Hasnedarin.
Me datën 2 dhetor 1947, plotësohet dosja për Gjykatën Ushtarake:
"Për faje kundër shtetit dhe popullit":
Grupi përbahet nga:
1. Gjelosh Vat Maçi, 37 vjeç, Traboin - Jugosllavi,
2. Gjon Luc Leka, 25 vjeç, Shkodër,
3. Mustafa Jakup Vodaj, 48 vjeç, Shkodër, furrtar,
4. Pjetër Prendush Pali, 32 vjeç, Hot, Jugosllavi,
5. Rrok Gjok Luli, 37 vjeç, Shkodër,
6. Pjetër Gjok Luli, 43 vjeç, Shkodër,
7. Tom Lec Marku, 25 vjeç, Shkodër.
Motivi i dënimit përcaktohet pothuej plotësisht nga prokurori i Shkodrës, Zurdi Shehu. Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e përbame nga: Kryetari, Misto Bllaci, antarë P. Alizoti dhe A. Koroveshi, prokuror Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, zhvillon gjyqin tue u bazue kryesisht në proçes-verbalin e ballafaqimit ba me dt. 18 nandor 1947, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës nga oficeri Ali Xhunga:
Gjon Leka para Pjetër Palit: Më ka thanë se pa tjetër do të bahet luftë se do të vijnë anglezët, do të këthehët Zogu, se komunistët nuk i donë të huejt etj...
Mustafa Jakupi: Kemi ba mbledhje, Pjetri na diftonte çka thonë në radio, kemi pritë se vijnë anglezët, prandej edhe kemi krijue nji grup që na drejtonte Pjetër Pali. Ai ishte i lidhun me ata që kanë organizue edhe përpjekjen e 9 shtatorit...
Gjelosh Vata: Pjetrin e kam takue me anglezët dhe i kam çue letra, sa njenës palë sa tjetrës.
"Pjetër Pali mbasi dëgjoi Mustafa Jakupin, Gjon Lekën dhe Gjelosh Vatën tha: Thanjët e Mustafa Jakupit nuk janë asnji të vërteta. Përsa i përket thanjes së Gjelosh Vatës, për anglezët janë të vërteta dhe, se kam përcjellë Lin Dedën, por jo se kam marrë pjesë unë. Kam marrë nji letër prej Gjeloshit, me ia dhanë L. Dedës me pseudonimin "Paloka", nji paketë me trakte dhe disa karikatura të klerit. Përsa i përket Gjon Lekës nuk asht e vërtetë të kemi folë njiherë me té, përveç, njiherë që e gjeta në klubin e nëpunësve me Gjelosh Vatën, kushrinin tem. Aty më diftoi se jam me punë në Seksion të Punëve të Mbrendshme e tue qeshë më tha, rri mirë, se kam në dorë me të ba keq! Nuk asht e vërtetë të kemi bisedue për shënime për mue, por ai më tha, se prof. Syrri Anamalit nuk i kishte lëshue nji çertifikatë mirësjellje.
Për akuzat tjera që më bajnë: Gjelosh Vata, Gjon Leka dhe Mustafa Jakupi, nuk janë asnji të vërteta."
Deklaruesi: Pjetër Palaj d.v. Oficeri: Ali Xhunga d.v.
Para Trupit Gjykues Pjetër P. Pali tha:
"Akuza nuk asht e vërtetë, nuk kam kenë antar i Legalitetit, por, simpatizues. Me majorin anglez jam takue. Kur erdhi fashizmi ishe mësues. Edhe mbas çlirimit ishe prap mësues. Lidhje me njeri nuk kam pasë dhe, as nuk kam bisedue, por lajmet e radios i kam ndigjue. As propagandë për të pregatitë terrenin kundër Pushtetit nuk kam ba. Unë para se të hyjshe në punë, ishe i pakënaqun, por kur u emnova ishe i kënaqun...
Me këta që ndodhen para gjyqit nuk kam ba bisedime.
Gjelosh Vatën njiherë e kam takue, ku, Gjoni më ka thanë se kam në dorë me të ba keq!
I pandehuri Gjon tha, se më pyeti për biografinë e tij.
I pandehuri Pjetër tha se nuk asht e vërtetë. Në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë. Në ballafaqim kam ba, por, nuk asht e vërtetë.
I pandehuri Gjelosh tha se disa janë të vërteta, disa jo, që janë thanë në ballafaqim.
I pandehuri Mustafë tha se ballafaqimi ka qenë me shtërngesë, unë nuk kam qenë armik i Pushtetit.
Foli prokurori Namik Qemali dhe dha prëtencën. Pastaj folën të pandehurit:
Pjetër Pali tha: Përsa akuzohem s'dij gja. Jam hjellë në krah të pushtetit. Nuk kam kenë agjent i Inteligent Servisit, as nuk kam punue kundër pushtetit. Punën teme e din Fronti (Spiro Pano).
Rrok Luli tha: Kërkoj mëshirë, e pranoj fajin.
Tom Leci tha: Rrnoftë Shqipnia e Trupi gjykues.
Mustafa Jakupi tha: Kërkoj mëshirë, jam fajtor.
Pjetër Gjok Luli tha: Kërkoj mëshirë se nuk kam ba gja. Pjetër Pali nuk na ka drejtue, as nuk kemi organizue kundër Pushtetit.
Gjelosh Vata tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.
Gjon Leka tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor."
Të dënuemit me vdekje kishin të drejtë me ba një kërkesë për "falje jete", e cila përcillej nga organët e Seksionit të Punëve të Mbrendshme, në ndonjë rast nga gjykata, avokati ose ndonjë familjar. Kuptohet, një formalitet sa me thanë se u shqyrtue edhe ma nalt. Kjo kërkesë dorëzohej në Degën e Mbrendshme, mbasi përcillej prej saj. Sigurisht, përveç, dokumentacionit shoqnues të dosjës së hetuesisë, dërgohej edhe një relacion nga kryetari i gjyqit, shpesh nga prokurori i rrethit ose i gjyqit dhe, kur ishte fjala me e çue tjetrin në plumb, relacioni bahej nga Kryetari i Degës së Mbrendshme, si në rastin e Pjetër P. Palit.
Kur lexova në fillim të hapjes së gjyqit listën emnore të grupit, më bani përshtypje pse vetëm Mustafa Jakupi, kishte të shënuem profesionin "furrtar", gja të cilin tjerët nuk e kanë! Arësynë e kuptova vetëm në fund të mbylljes së çështjes, gja që keni me e kuptue edhe ju!
Seksioni i Sigurimit të Shtetit Shkodër, dërgon për shqyrtim në Gjykatën e Naltë vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, dhënë më dt 2dhetor 1947, për të pandehurit:
"1. Pjetër Prendush Pali dhe 2. Mustafa Jakup Vodaj, me vdekje, me pushkatim...
Akuza e Pjetër Palit, ka qenë antar i Partisë Fashiste nga të parët. Ka urryer Lëvizjen Nac.Çl. dhe sidomos P.K.Sh. I ka luftuar me çpifje e poshtërsi... Ka qenë antar i organizatës trathtare të Legalitetit në kohë të gjermanve, ka punuar për të dhe është qenë në lidhje me eksponentë në Shkodër si Lin Deda, Llesh Marashi e Daut Kombi, ku bashkë me ta, është takuar me kol. anglez Neill... Mbas çlirimit, me aktët e tij reaksionare vazhdon takime me Legalitetin e elementë të pakënaqur dhe kështu mendon t'i organizojë...
Ka formuar një grup kundërshtar me Gjelosh Vatën, Gjon Lekën, Tomë Lecin dhe Mustafa Jakupin, ku kanë diskutuar çështje me karakter politik kundër Pushtetit... Kanë komentuar lajmët e radiove, duke paraqitur gjëndjen e turbullt dhe plasjen e një lufte të re botrore, që kjo do të përfundojë në favor të Anglo-Amerikanve...
Ka qenë përgjegjës i grupit të sipërm ku pjestarët i ka udhëzuar mbi punën që do të zhvillojnë kundër Pushtetit të sotëm, të cilin do ta rrëzojnë me violencë.
Ka udhëzuar antarët e grupit për të punuar në prëgatitjen e Përpjekjes së 9 shtatorit 1946, ku dhe vetë ka punuar në këtë drejtim...
Kryetari i Seksionit të Mbrendshëm d.v. (firma)
"Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e mbledhur sot më dt. 6 mars 1948, e përbërë nga Kryetari, major Niko Çeta, antarë kap. I Nexhat Hysejni dhe Kap. I Mustafa Iljazi, prokuror kap. Nevzat Hasnedari dhe kryesekretar Thoma Rino, vëndosi:
Aprovimin e vëndimit 457 dt. 2 dhjetor 1947, ME VDEKJE për PJETËR PRENDUSH PALIN, dhe modifikimin me privim lirije, përjetë për Mustafa Jakup Vodaj.
Vendimi është i formës së prerë."
Pjetër P. Pali u ekzekutue më 11 mars 1948, në Zallin e Kirit në Shkodër, me Prelatët e Klerit Katolik. Pse u pushkatue me këtë grup? Krytari i Gjyqit, Misto Bllaci, vlleh, shënon disa herë:
"Të pandehurit Pjetër Pali dhe Rrok Luli, kanë qenë të lidhur me Komitetin Organizativ klandestin të Shkodrës, me anë të Klerit Katolik, të cilët e mohuan para gjyqit. (Dosja1251, fq. 7).
... Kanë marrë letra prej Gjelosh Lulit, me ia çue Cin Serreqit, e ky Françeskanëve...
Në mbledhjen e parë kanë caktuar si kryetar Pjetër Palin dhe sekretar Rrok Lulin. Direktivat e grupit i jepte Pjetër Pali... Ai i merrte direktivat nga Organizata terroriste Demokristjane në fillim, pastaj nga Komiteti i Përbashkët për Shkodrën..."
Misto Bllaçi d.v.
Edhe një Martir në Elterin e Atdheut:
I pafajshmi Pjetër P. PALI.
IMZOT PROF. JUL BONATTI
"Shteti komunist në përputhje me kushtët konkrete përpunoi platforma politike dhe zbatoi metoda e mjete antikatolike tepër të sofistikuara."
Ajet Shahu
Ka lé në Shkodër më 4 maji 1874. Prindët e tij ishin Aleksandër e Roza Bonatti. Asht laurue në filozofi dhe letërsi në universitetet e Vjenës së Austrisë dhe në Padova, n'Itali. Ka pasë edhe një motër murgeshë që thirrej Motër Veronika. Porsa ka mbarue studimet asht shugurue meshtar, ka shkue në Stambollë, ku ka shërbye për 16 vjet. Atje ka mujtë me kërkue ndër arkiva mjaft materiale historike që ma vonë i vlejnë për punimet që do të kryente dhe, që janë një thesar i madh për shkencën shqiptare. E vërteta asht e msheftë mbasi nga materiali që kam kalue nëpër dorën teme nuk bahët fjalë, se ku mund të jenë ata punime aq me vlerë. Dikush me siguri edhe mund të dinë!
Mbas Stambollës, vjen me shërbim fetar në Durrës ku punoi për 10 vjet, mandej 3 vjet të tjera ishte në Vlonë. Atje u njohtë me Papa Petraq Isakun, prift katolik, si dukët edhe ai një klerik i pregatitun mirë, mbasi Imzot Bonatti flet me respekt për té. Edhe ai përfundoi në birucat e Sigurimit të Vlonës dhe me sa shihët nga një shënim jo i saktë, ose e kanë mbytë në hetuesi ose asht pushkatue. Mungesa e dokumentacionit nuk më lejon me dhanë mendim të saktë për té.
Imzot Prof. Jul Bonatti prej vitit 1942 ishte në Itali, për arsye shëndeti. Atje vazhdon punën shkencore dhe letrare deri në vitin 1946 që e këthejnë në Shqipni. Ka jetue në Montecatini dhe me sa dukët atje kanë mbetë edhe dorëshkrimet e tija. Me të ardhmën në Shqipni, vjen në Shkodër për me takue At Mati Prennushin, i dërguem nga Imzot Vinçenci. Me këtë rasë merr edhe një ndihmë të vogël materiale, mbasi kur u kthye nga Italia nuk mujti me marrë as teshat e trupit prej andej.
As sot që kanë kalue ma shumë se 50 vjet që u kthye, nuk di me e kuptue se cila ishte arsyeja që u dërgue ky njeri në Shqipni, vetëm në kjoftë se e nisën për "kurban", mbasi arsye tjetër nuk di me gjetë! Nga disa filma dokumentarë të asaj kohe për ngjarjet në Itali, dyshoj për ndonjë marrveshje të mësheftë të Italisë me Tiranën komuniste!
Për pak muej shkoi në Vlonë ku kishte shërbye si famullitar edhe përpara pushtimit komunist. Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Bonatti, pra, pak muej mbas kthimit nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616... Me gjithë mangsitë e saja, tregon diçka që për mue më ka ngjallë interes. Në hetuesi Imzot Bonatti deklaron: "...Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët."
Rreshti i fundit për mue flet gjithshka! Plot një vit hetime. Po shka deponon i shkreti Imzot Bonatti? "...nuk kam lidhje politike me konte Salvonin. I kam thanë për Flamurin tonë Kombëtar, pse kështu nga fashizmi? Nuk më pëlqen aspak vëprimi i juej!
Për fëtyrën e Papës merrën lajmët nga agjensi që janë kundër Papës. Papa mbron popujt e vegjël dhe nuk asht e vërtetë që Papa me kenë kundër njerzimit.
Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t'i vllaznojmë në çdo anë të botës.
Feja Katolike ka anmik kryesor gabimin dhe jo gabimtarët, i cili gabim asht komunizmi, por komunistët i ka vëllazën."
Asht fat që në shpjegimet biografike tregon disa detaje, që me siguri nuk do të ishin ditë kurrë, p.sh.: "Në Stambollë, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë."
Edhe pse asht i arrestuem Sigurimi vazhdon grumbullimin e informatave: "...ka lidhje me Tol Arapin e Jan Boskon, shkojnë me biçikleta në mbrëmje tek shtëpia e Bonattit"(dt. 30. 06. 1947). Do të dishrojsha me ditë, kush ishte ky Jan Bosko? - Kujt i përket ky emën?
"... përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë K a t o l i k ë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter p o l i t i k." (dt. 10 qershor 1946).
"... shoh dy vetë që vejnë në darkë tek prifti Bonatti, por nuk i njoh kush janë, ato ikin shpejt me biçikleta, për të mos i parë njeri..." ... sigurisht makina e Sigurimit ishte e zanun me arrestimet e shumta... nuk kishin me çka me ndjekë spijujtë e Vlonës priftin! Besohet kjo?!....
Prokurori Beqir Isufi shënon: "Prifti spijun i djallzuar..."
Namik Cakrani shënon: "... Është i pa korrigjuar, t'i epët dënim i rëndë."
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: "... agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqsore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi..."
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: "7 vjet burg, me heqje lirie.".
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: "Dënohet me 5 vjet heqje lirie...".
Prof. Arshi Pipa në shkrimin e tij " Monsignor Vinçenc Prennushi (in memoriam)", me datën 28 shkurt 1995 në Tiranë, shkruen: "... Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermeri Don Jul Bonattin, famullitarin e Vlorës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Monsignori tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet."(marrë nga origjinali)
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né. Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit, nga i cili nuk mund të shkëputej asnjë çast.
Në materialet arkivore vërejmë disa dënime të "buta", nëse do t'i quajmë kështu. Edhe Imzot Prennushi dënohet 20 vjet, ndërsa Don Anton Zogaj, sekretari i tij pushkatohët. Don Zef Maksen (gjerman) dënohet pak vite, por merrët natën nga burgu dhe vritët. Enver Hoxha kishte zgjedhë rrugën e dredhisë përpara opinjonit të huej. Po pyetën të huejt "ç'u bë Imzot Bonatti?", ne do t' themi - "e kemi në spital për mjekim", më vonë, "shohim e bëjmë!?".
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa me té. Njëditë i kishte tregue: "Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye...".
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë... Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njoftun i "Lahutës së Malcisë", meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni.... dhe çohet në manikomjo.. .fantazia e kriminelit asht e pafund....
Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë ndrroi jetë! Ndrroi jetë... një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e "pavetëdijshëm". Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e "pavetëdijshëm", që e mbytën Bonattin? Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! Ishin të sëmurët e "vetëdijshëm" që patologjikisht ushqehëshin me mish njeriu, dhe mundësisht ATDHETAR, ishin po, kriminelët e pashoq, që nuk ngopeshin me një dru mbas koke, para se t'i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e... ishin. Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e "popullit", tue pi gjakun e tij e, me gishtin tregues tue vrritë si qent : "Tradhëtarë, ..."!
Harroni, harroni, po deshët!
Por, mos harroni se:
Çobajt e kafshëve të egra janë ma të egjër se kafshët e tyne!
PROF. ARSHI PIPA DHE PROF. PRENKË KAÇINARI
Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i rrezikshëm. Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht, që në fillim i mungonte eksperienca, por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste. Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë ndër mend me arrestue. Kryesisht merrët pikë orientuese shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të lartë. Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo, dhe, se a mund të na shërbejnë ne ose jo. Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue gjimnazin e shtetit në Shkodër. Ishte koha kur ish studentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë kenë indiferent ndaj vëprimeve të tyne. Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë, u quejt menjëherë "armik i popullit", ose u mendue si "zog" i çelun në çerdhën e reaksionit që ishte "Shkodra". Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuan në Konviktin e njohtun "Malet tona" ose që kanë banue në Shkodër, por, që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të Motrave Stigmatine, apo "Donika Kastrioti", u ndoqën njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit. Piknisja e Sigurimit të Shtetit nuk ishte vëprimtaria e një personi, shkolla ishte pika e referimit, ndërsa, themelore ishte ajo që i shkonte në mend Sigurimit, se mundët me pasë koka e atij që kishte atë rrezik me u vue në listën e njerëzve të rrezikshëm për pikëpamjet e tia, kjoftë edhe të pashfaquna. Pra, mjaftonte me i shkue mendja dikujt nga kta terroristë se ky përson asht "i pakënaqun" e, mbyllej dosja, sigurisht tue paracaktue edhe dënimin e "merituem". Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi, të çonte në duert e kriminelëve: Cuf Lohës, Ali Qorrit, Ndrekë Nallbanit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit, Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit, Jonuz Dinit, etj. ose, një telefon nga "qendra" dhe të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma dritën e diellit.
Po, sa, të pafajshëm u zhdukën prej duerve të këtyne katilave?
As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta ndonjëherë. Derisa të mbulohet genocidi që i asht ba popullit shqiptar, shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem dhe të poshtnuem.
Me këtë mendim besoj do të ishin dakord edhe Prof. PRENKË KAÇINARI e Prof. ARSHI PIPA.
Të dy ishin të burgosun në vitin 1947. Të dy "armiqë të popullit", të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t'uritun, të dy të "pa marrun vesht", të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy "agjenta" se kanë mbarue shkollat e larta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Por, ç'e don, të dy të "infektuar" nga Kleri Katolik! Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm... duhën ridënue... Ashtu u veprue!
PROF. ARSHI PIPA "(Dosja 1167), vjeç 27, lindur në Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor, në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947 në pyetje nga Prokurori Publik i Prefekturës së Durrësit Sotir Qiriaqi:
- I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari antipushtet, vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun e Shkodrës..."
Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue: "... Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin e Shtetit në Shkodër... i padënuar...". Vazhdon ma poshtë prof. Pipa:
"1. Për akuzat e reja që m'atribuohën si rrjellim çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës, kundër grupëve të organizueme kundërshtare, unë jam krejt në padijeni të tyne, dhe nuk asht aspak e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të Durrësit të kësaj organizate. Unë shtoj, se edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë në atë gjykim, kanë qenë disa akuza të pavërteta, të disa të rijve çiliminjë që kanë intërpretue disa fjalë të mija.
- Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba, se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale, për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie, dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue, ose shtrue çështje për vëprimtari kundër Pushtetit. Me Hysen Çelën nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë, kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët në lidhje me te, asht e pavend. Po kështu, nuk njoh aspak as edhe si ftyrë Skënder Çelën.
- Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë vesht me anën e fletorës "Bashkimi", dhe nga zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir Çela, ka pohue, se unë paskam qenë i ndërlikuem me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën ishin në këtë organizatë që u zbulue. Këto pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht, mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë, në organizata që ekzistonin këtu në Durrës.
- Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut të Durrësit, Selim Kokalari, Sulo Konjari dhe R. Tabaku, për që unë të kemi qenë antar i kësaj organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat.
- Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime, tue dijtë se unë kam qenë një përson që nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma parë në gjyqin e maparshëm. Kështu më kanë kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë kallur edhe të tjerve.
- Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat, për mue asht i pavend.
- Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme, ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit determinohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë. Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim me thanë: kufizohet.
- Unë sikurse thashë, jo vetëm, që nuk kam pasë mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që të kenë ekzistue një organizatë e tillë kundërshtare.
Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar, sëpse i pandehuri i përgjigjet me m o h i m, ju dha fund pyetjes së tij, të cilat si ju kënduan, i vërtetoi me nënshkrimin e tij."
I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v. Prokurori Publik i Prefekturës(SotirQiriaqi)d.v.
Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit Durrës Nr. Regj.66
Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947, i dënuari ARSHI PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë, nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920, ti vazhdohën pyetjet.
Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.
Mbasi nuk mbetet gjë për të shtuar, sepse i pandehuri përgjigjet me m o h i m...Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipermë...
Prokurori...firma.
Fletë-akuzë: I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik i popullit... Për të gjitha këto që përmenda më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë i pakët, sëpse mungonin edhe faktët. Me qenë se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër Pushtetit Popullor, dhe se parimet e tija kundërshtare nuk pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj, që të marrin dënimin më të rëndë.
Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe më tepër në proçeset e armiqve të popullit, si më poshtë vijon:
Selim Kokolari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat, bashkë me H. Ballhysin, I. Podgoricën, H. Çelën etj.
- Sulo Konjari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat dhe ka qenë elementi më aktiv i këtij grupi, bashkë me H. Çelën, I. Podgoricën, Skënder Çelën e H. Ballhysin.
- R. Tabaku thotë: Arshi Pipa ka propaganduar vazhdimisht kundër Pushtetit në fuqi dhe për ndrrimin e situatës me ndërhyrje nga jashtë.
Prokurori shton: Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat... Duhët ridënuar..."
Prokurori ....firma.
PROF. PRENKË KAÇINARI: (Dosja1167). Ka lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e larta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës. Vjen profesor në Shkodër. Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin asht mjekue dhe ka ba pjesë në Organizatën "Balli Kombëtar". Në vitin 1946, transfërohet mësues në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte tue verue, mbasi ishte randue nga sëmundja dhe:
"... Akuzohët:
- Se ka vazhduar shkollën nëpërmjet të Klerit Katolik.
- Ka bashkpunuar për ardhjën e fashizmit.
- Kur erdhi Italia u holl në mal me "Ballin Kombëtar" dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte, merrte udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur në Tiranë, gjoja i sëmurë rrinte i mbyllur në shtëpi.
- Ka bërë pjesë në grupe Social-Demokrate, kishte lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo Klosi etj.
- Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor, dhe për shkëputjet e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për t'u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët.
- Ka propaganduar për të rrëzuar Pushtetin me vjolencë.
- Ka punuar me elementët e rinj për të patur lidhje me demokristjanën, grupet e social-demokrates të udhëzuara nga Prenka.
Vëprimtaria armiqësore e tij vërtetohet edhe nga të pandehurit:
- Selim Kokalari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i grupit të organizatës Social-Demokrate që nga formimi i saj.
- Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i partisë Social-Demokrate.
- Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes së formueme në Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit. Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
- Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam biseduar kundër Pushtetit Popullor dhe që ishin një mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
Pashko Gjeçi thotë: Në mbledhjën e parë që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë edhe Prenkë Kaçinari... Një mbledhje e kemi ba në shtëpi të Vasil Zirit, dhe një tek Simon Deda, një tek Stavro Frashëri... Ndër të gjitha ka kenë Prenkë Kaçinari. Në grup kishim edhe Pjetër Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën, Ndrekë Demën, Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër Jakovën, këta ishin për Social-Demokratën."
Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipën, Hysen Ballhysin e Pashko Gjeçin, përpara Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.
Me datën 18 dhetor 1947 Prof. ARSHI PIPA deklaron para Trupit Gjykues:
"Përsa i përket akuzes që unë të jemë antar i organizatës trathtare nuk asht e vërtetë, dhe s'e pranoj. Unë me Sulo Konjarin dhe Selim Kokalarin, nuk kam pasun ndonjë lidhje e ndonjë miqësi dhe nuk i njoh.
Unë artikujt në kohën e Italisë i kam shkrue në revistën "Kritika". Kam shkrue mbi Fan Nolin etj. Is-han Podgorica asht profesor...
Pushtetin Popullor nuk e kam pa me sy të mirë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja për situatën, dhe çështje politike. Proçesi i em i bamë në Prokurori tregon se nuk kam rrejtë, por jam mundue me thanë të vërtetën.
Gjithë faji i em asht se nuk jam dënue njëherë e mirë, dhe tash më sjellin prap në gjyq për të më akuzue për organizatën që u zbulue, por unë nuk kam marrë pjesë në té. Me I. Podgoricën kam bisedue çështje letrare, por çështje politike nuk kam bisedue, mbasi nuk kam qenë marrë me politikë, por kam ndejë tue studjue gjithmonë. Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja. Me ata që më kanë akuzue mue, unë kërkoj të ballafaqohëm.
Me Hysen Ballhysin nuk kam bisedue gja, me të jam takue disa herë, por në shtëpinë e tij nuk kam qenë asnjëherë. Bisedoja se si je, por kurr çështje politike. Skënder Çelën unë nuk e njoh, por mundet që ai më ka ndigjue emnin tim si profesor që unë ishe.
Unë në shtëpia të shokve të mij nuk kam shkue ndonjëherë.
Pashko Gjeçin e kam njoftë dhe që të kem bisedue gjana letrare po, por, jo gja politike.
Përsa i përket akuzave që më bajnë dy të rinj, unë këtyne i jepnja mësim privat dhe nuk kanë kuptue mirë fjalët e mija. Nxanësit nuk kishin ndonjë simpati karrshi meje, unë u jepja mësim privat se më paguejshin edhe ata kishin interes me mësue. Sulo Konjarin nuk e njoh, për akuzën që më ban të mejtohet me ke ka qenë! Me R. Tabakun jam takue në kafe, por nuk kam bisedue kundër Pushtetit, dëshroj të ballafaqohem!
Në kohën e fashizmit më kanë propozue të bahem kryetar i një reviste italiane që do të delte në Shqipni, por nuk kam pranue. Me Selim Kokalarin nuk kam pasë asnjë bisedë, dhe nuk dij pse më akuzojnë!"
Pyeten dëshmitarët Pashko Gjeçi, H. Ballhysi, I. Podgorica, dhe deponojnë ato akuza që kanë deklarue masipër.
"I pandehuri Arshi Pipa mohon thënjet e tyre, nuk janë të vërteta!". Për secilin përsëritë thanjet e bame para Trupit Gjykues.
Pyetet PROF. PRENKË KAÇINARI, i cili deklaron:
"Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë nuk kishte Këshill të Lëvizjes N.Çl., por Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam shkue në Shllak me "Ballin Kombëtar" për t'i ikë kuesturës.
Me Mit-hat Frashërin jam takue në fillim të 1943, dhe bashkë me Zef Palin jam organizue me "Ballin Kombëtar". Në Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më foli për Social-Demokraten, por unë i thashë, se jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë punë. Pashko Gjeçin e njof, por nuk kam ba pjesë në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera nuk i pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje. Me Klerin Katolik nuk kam pasë asnjë lidhje. Kam njoftë Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don Ndreun kam bisedue vetëm për probleme filozofike dhe letrare. Nuk dij se ka pasë ndonjëherë në Shqipni organizatë apo parti demokristjane. Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine. Jam kenë antifashist.
Don Ndre Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue okupacionin dhe fashizmin.
Mbas 1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më akuzojnë, nuk dij mbi ç'baza më akuzojnë."(Dosja 1167, po aty).
Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: "Preka më duket se ka kenë në mbledhje të Durrësit me Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë."
"Prenkë Kaçinari i përgjigjet: Unë nuk kam ndonjë anmiqësi, por le të pohojnë drejtë!"
Edhe ndonjë dëshmitar tjetër të parapregatitun Prenka, gjakftohët dhe me ton burrnor i jep atë përgjigje që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë të topitun para qëndrimit të palëkundun të Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në gjyq me mohue, jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në gjyq ata nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë Prenkës. Vetë përdorimi i fjalës "më duket" se ka qenë edhe Prenka!..., tregon lëkundje, një lojë që gënjeshtarët e përdorin shpesh me mendimin që i akuzuemi me u lëkundë në qëndrimin e tij dhe po e hangri "ullinin", hyni në grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me i thanë viktimës: "Të dhashë një mundësi me mohue!". Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë akuzues dhe çpifës, ndërsa burra u rikëthyen vetëm ata që para gjyqit thanë:
"E kemi pranue me shtërngim, por e vërteta asht kjo që po tham tashti këtu !" e, nuk janë kenë të paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm në hetuesi, kanë gjetë forca me thanë të vërtetën.
Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t'i kenë ba gjykata, Prenka ose Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne, mbasi jam i bindun se edhe Prenka edhe Arshiu, do të ridënoheshin njësoj, edhe sikur kurrkush mos t'i kishte dalë dëshmitar i rremë në gjyq ose në hetuesi, madje, ma vonë edhe do t'ishin pushkatue si shumë shokë të tyne. Por, për me kenë të qetë shpirtnisht, të paktën sot, ata që jetojnë nuk duhët të mendojnë se ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë e, "ishalla edhe dokumentat janë djegë, se ashtu po flitët...!".
Jo, jo! Mos rreni vedin gjithë jetën! Të gjithë dokumentat janë! Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër fletët e historisë, se të gjitha poshtërsitë Enver Hoxha, me shokët e tij, i ka lanë këtu dhe askush mos të mendojnë, se i kanë marrë me vedi në vorr!
Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
"... Në emër të Popullit Shqiptar":
"... Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.
I pandehuri Arshi Pipa, gjatë kohës së fashizmit ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizatë.
I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër elementa të pakënaqur, duke predikuar mbi demokracinë perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto i bënte me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe, e konsideronte Pushtetin si një Pushtet terrorist.
Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet që i bëri Sulo Konjari në gjyqin e Tiranës, Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proçes-verbali i tij para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit.
Prandaj: ... Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.
3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.
4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të po një organizate, i akordohën shkaqe lehtësore në konformitet me nenin 45, të ligjes 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Durrës 24 dhjetor 1947.
Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)
Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë ndryshim nga origjinali, mbasi m'u dha mundësia e kopjimit:
"V.F.L.P.
Me anën e Drejtorisë Burgut A.P. Durrsit
Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë
I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T'i paraqes asaj së Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon:
I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës së Garnizonit Tiranë me 2 (dy) vjet privim lirije, për veprimtari kundër Pushtetit.
Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20 (njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat në lidhje me organizatën e deputetve. Përsa i përket kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje: Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim, kam shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve; nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit, nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n'aktet e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat, mbasi as unë as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi banimi tonën.
Përveç të masipërmeve lutem të merren parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare: tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik - në familjen time të përbame nga nana, katër motra - prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze - dhe dy jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive.
Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë pranë asaj së Nalte Gjykate, kërkoj lehtësimin e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e saj të drejtë.
Durrës 27 dhetuer 1947
Arshi Pipa d.v.
I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit"
V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.autori.
Seksioni i Mbrendshëm i Durrsit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument:
"Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:
Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve.
Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradheti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut.
Për këto arësye dhe për ato që do të shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit, ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa të lehën si ishin.
24 shkurt 1948
Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare
Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.
Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:
1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v.
(vetëm firmat). "
Këtu mbyllet vetëm dosja...
Jeta me të vërtetë vazhdoi... por, askush nuk mund të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve, ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por, kurrë se mund të jenë një ditë... në Romë,...Washington... ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë të lirë. Fjala liri kishte përëndue bashkë me andrrat e shpresat e tyne. Prof. Arshi Pipa pat fatin me e shijue prap lirinë, ndërsa Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se, ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe mizore e, ndonjëherë, jo e meritueme kjo për atë që e provoi...
Lexoni me kujdes këta pak rreshta, pa koment:
I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)
Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s'po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija.
Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital.
Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t'i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy.
Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t'ju shkruajshe ma gjatë. S'po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.
Kjo letër u postue nga Tirana nga vetë Prenka, për Z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës dhe, origjinali ruhët në familjen e tij. (shënimi i em).
DON A N T O N M U Z A J
Ka lé në vitin 1921 në Vernekollë të Jugosllavisë nga prindët Dedë e Dila Muzaj. Kishte katër vëllazën dhe një motër. Mbasi kryen klasën e parë në Prizren, vjen në Shkodër për me vazhdue studimet në Kolegjin e Jezuitëve, ku vendosë me marrë rrugën e meshtarisë. Në vitin 1938 shkon me vazhdue studimet e larta në Universitetin e Gregorianëve në Romë, Itali. Mbasi mbaron studimet për filozofi dhe teologji në vitin 1945 shugurohet meshtar.
Në vitin 1946, Vatikani tue e dijtë se mjaft klerikë po arrestoheshin, i ban thirrje të gjithë meshtarëve të vendëve të Lindjes "me u gjetë në këtë kohë të vështirë pranë popujve të tyne të robnuem nga komunizmi...". Thirrjes së Papës Piu XII i përgjigjet Don Antoni edhe Imzot Jul Bonatti, të dy të ndodhun atje që këthehën në Shqipni dhe pësojnë të njajtin fat.
Mbas arrestimit të Don Tom Lacës, Don Antoni, emnohet Kançelar i Argjipeshkvisë së Shkodrës. Në një kohë rekord, mbrenda pak muejsh Don Anton Muzaj, bahët një ndër figurat ma të ndërueme dhe të respektueme të Klerit prej popullit të Shkodrës. Cilësia që ë bani të përjetëshëm ishte përvujtnia dhe modestia shpirtnore e tij. Me të vërtetë i rij me moshë, por shumë korrekt dhe komunikues me njerëzit. I pa pritueshëm dhe shumë aktiv. Ishte shumë tërheqës në biseda dhe në predikimet e tij që bante në Kathedrale.
Me datën 20 maji 1947 arrestohet dhe torturohet si të gjithë të tjerët në mënyrën ma shnjerëzore nga katili Pjerin Kçira. Ky kriminel e mbajti Don Antonin në një nga podrumet e hetuesisë të zhytun deri në bel në ujë të pistë, mbandej e nxori në hollin e Kuvendit të Fretënve, ku asht kenë sahati me diell. Aty vendi i shatrivanit ishte këthye në një pus të madh i gropave të zeza që derdhëshin përjashta dhe në atë moçal të ndytë Don Antoni, asht pa për disa ditë i zhytun, deri sa njëditë ka fillue me humbë në atë pisllëk. Aty kaloi një dimën të ashpër që e shpartalloi me një T.B.C. galopante. Asht dëshmitarë Z. Ana Daja, që e ka pa me sytë e saj tue skuqë vendin me gjakun e tij që nxirte kur kollitej dhe binte pa ndjenja. E vetmja thirrje e tij ishte: "O Zot, për hatër tand.... më ndihmo!". Kur ka dalë në gjyq asht ba "përjashtim" në grupin që bante pjesë, i vetmi asht kenë Don Antoni që asht lejue me folë i ulun në karrigë, mbasi ishte aq i sëmurë sa nuk qëndronte në kambë. Që në pyetjet e para para trupit gjykues, i merrën mendët dhe rrëzohet.
Don Antoni u akuzue: "Agjent i Vatikanit i dërguar në Shqipëri për qëllimet e tyre djallëzore për me organizuar grupe kundër Pushtetit, është qenë bashkëpuntor i fashizmit që në shkollë, spijun i tyre. Ka dëshruar që pushtetin ta marrin Balli Kombëtar, mbasi ajo organizatë ka qenë që ka bashkëpunuar me fashizmin deri në kapitullimin e plotë të tyre." (Dosja 1303 Arkivi M.M.Tiranë).
Pjerin Kçira shënon: "Në hetuesi ka rezistue, mundohet të largojë vehtën nga përgjegjësia. Asht element besnik i vijës së trathtisë."
Në proçes-verbalin e ballafaqimit me At Mëhill Miraj, pyetësi Fadil Kapisyzi shënon: "... ka pasë lidhje me padër Mëhill Miraj dhe padër Bernardin Demën, me të cilët ka biseduar se Kleri pret kohën oportune për me sulmue këtë Pushtet. Ka shpërnda trakte për Organizatën "Bashkimi Shqiptar" dhe ka ba pjesë në grupin e avokat Paulin Palit.
Don Anton Muzaj mohon ballafaqimin, se nuk janë të vërteta."
Grupi përbahej nga: At Donat Kurti, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Angelo Tarcizio, Çesk Hilgega, Viktor Kujxhija, Injac Serreqi, Albert Çoba, Ana Daja, Gjon Kovaçi, Liza Pali, Elez Nurja dhe Sheuqet Lutfija. Dokumentacionin e plotë nuk kam pasë mundësi me e lexue.
Gjyqi Ushtarak u zhvillue në Shkodër dhe vendimi u dha më 8 janar 1948 nga Trupi Gjykues i përbame nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë: P. Alizoti dhe A. Koroveshi, dhe prokuror Namik Qemali. Relacioni për gjykatën u përpilue nga Aranit Çëla, i cili shënon karakteristikat përsonale për secilin, mbasi një ditë para daljes në gjyq ai i mori në pyetje të gjithë një nga një.
Don Anton Muzaj deklaron:"... nuk e kam dashtë asnjëherë komunizmin dhe më ka ardhë keq që humbi dhe nuk fitoi Balli Kombëtar, mbasi ishte e vetmja organizatë që kishte elementë të mirë me marrë në dorë drejtimin e shtetit."
Mbas pak ditësh që u lirue, vdiq në shtëpi për mos me shenue se mbeti në duart e hetuesve kriminelë....
NJË AKT TIPIK KOMUNIST.
"Lufta që racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues."
Don Kolec Prennushi
Komunizmi asht një e keqe e madhe, që duhët zhgulë me rrajë dhe duhët mos me hezitue për me e shkatrrue përfundimisht, me luftë të vazhdueshme dhe të përhershme. Asht sistemi ma përbindësh që mbështetët në një dhunë të pamëshirshme dhe propagandë fund e maje vetëm rrena. Sigurimi i shtetit nuk asht tjetër veç një sadizëm i përhapun në çdo skaj dhe i institucionalizuem në të gjitha metastazat e tij. Praktika e punës së qeveritarëve dhe e institucioneve të krimit asht zhdukja e dokumentacionit. Dosjet, hetuesitë, zhdukjet e njerëzve, vrasjet dhe trajtimi i kufomave të viktimave, shpeshherë në tortura ose mbas torturës, gjithmonë në msheftësi, pa proçese legale dhe pa asnjë përgjegjësi të njohtun dhe të pranueme nga organët shtetënore, kanë për qëllim shkatrrimin përfundimtar të njeriut si nga ana fizike, ashtu edhe psikologjike e shpirtnore.
Terrorizmi në Shqipni gjithmonë në këta 50 vjet asht mohue, asht errësue, ose asht nënvleftësue aqsa populli kishte humbë çdo shpnesë, se njëditë mund të shpëtojë. Gjyqet e mëshefta janë rruga e çmobilizimit në masë mbasi mijëra njerëz me të njajtat vlera dhe me trimni të pashoqe, janë torturue e masakrue tue përfundue viktima të terrorit komunist. Kundër popullit shqiptar asht përdorë TERRORI si mënyrë qeverisjeje, tue e kthye atë në një plaçkë të friksueme ose në një turmë të bindun, mbasi përpjekja e Sigurimit të Shtëtit ka kenë gjithmonë mobilizimi i shumë vetëve në strukturat e tij. Ai i ka detyrue ata me u identifikue me spijunllëkun, në mënyrë që jeta e tyne të ishte një ankth i vazhdueshëm. Kontrolli i lëvizjeve të çdo individi, vrojtimi i të gjitha hallkave të jetës, monopolizimi i të gjitha organizatave, i mjeteve të komunikimit, shfrytëzimi i shumicës nga pakica e privilegjueme për shërbimet shtypëse dhe shtërnguese, sjellin si pasojë tek njerëzit që në mënyrë të vetëdishme me pranue dhunimin e të drejtave njerëzore si një diçka e paevitueshme, aqsa njerëzit që nuk janë të arrestuem, ose ma keq, ata që dalin nga burgjet, kthimin e lirisë me e konsiderue si një "dhuratë", ose prap ma keq, para lirimit me e detyrue viktimën me nënshkrue edhe deklaratë "bashkëpunimi" dhe me ia ditë për "nderë" se po shkon me ba punën e tyne "i lirë". Sigurimi i shtetit ka pikësynue gjithmonë që në popull të mbizotnojnë pasiguria e përhershme, tue u konsiderue i "kudogjindun".
Zhdukjet e pashpjegueshme, hetimet e stërzgjatuna, pyetjet dhe firmosjët e proçes-vërbaleve me dhunë, terrorizmi i fshehtë dhe çnjerëzor, proçesët gjyqësore poshtnuese, dëshira me vdekë për me "shpëtue" pa marrë parasyshë pasojat, intërnimet e familjarëve, papunsia, dëbumjet, divorcet, etj. që përmblidhen në luftën e klasave, kanë ba mbretnimin e mjerueshëm të psikologjisë së mbarë popullit nga shteti.
Asht aksiomë: Çdo shtet i drejtuem nga komunistët përfundon në shtet terrorist.
Kush nuk pajtohet me gjendjën, ose vetëm mendon me e ndryshue atë, asht atypëraty "armik", edhe pa krye asnjë akt për atë qëllim. Automatikisht atdhetarët, intelektualët e ndershëm dhe kleri janë në formulën e "armikut të popullit". Të gjithë këta mendojnë kundër kësaj vegle vigane që quhet komunizëm, mbasi zbulojnë qëllimin amoral të tij që asht i mbuluem me lëvoren e pranueshme morale "barazi për të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje", tue rrokollisë miljona njerëz në këtë humnerë, e provueme sot ma shumë se kurr: utopi.
A mund të pranonte Enver Hoxha me shokë, thanjën e Don Lazër Shantojës, që shkruante, shumë vite maparë (në vitin 1924): "Qeveria ka krye plotësisht programin e saj, atëherë, kur trathtarët e popullit të mos munden me qeshë ma kurr, mbi kurrizin e popullit"?
Kjo asht arsyeja që më 5 mars 1945, i pari klerik katolik që pushkatohet asht pikërisht Don Lazër Shantoja, i gjymtuem kambësh e krahësh me sharrë druvari. Hetuesit e tij bredhin rrugëve të Tiranës, tue përqeshë turmat e popullit që nuk dijnë cilit me i vue gishtin të parit e, ku me fillue, në cilin skaj të vëndit, gjithkah zi e ma zi.
Komunistët mendonin me përdhosë Elterin e Atdheut me veprat ma makabre të Shekullit XX dhe, asht e vështirë me e mendue këtë skenë të ndodhun me dy klerikë.
DON ALEKSANDËR SIRDANI DHE DON PJETËR ÇUNI
Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjes 1887. Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Atje mblodhi një thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejtë u konsiderue si një ndër njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë që mori në Insbruk, forcoi edhe mashumë idealin e tij si atdhetar. Njihte mirë frymën demokratike, prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër revistat ma në za të kohës. Asht vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky dijetar.
Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët ma të ngushtë të Don Nikoll Gazullit dhe At Donat Kurtit. Kishte edhe prirje poetike. Vlenë me u theksue se në shpirtin e tij depërtuen thellë njohjët e ngjarjëve historike të kreshnikëve të Veriut, gja që sollën në letrat e kulturës shqiptare një përsonalitet të kompletuem.
Origjina dhe njohjet e zakonëve të malësisë e lidhen me popullin, nëpërmjet atij virtyti që malësorët e kërkonin edhe në portretin e priftit, që u predikonte e që ai virtyt thirrej trimni.
Nësa ndër rrugët e Shkodrës shëtitej mbi një gomar prifti 80 vjeçarë Don Ndoc Nikaj, një ndër thëmeluesit e Shoqnisë "Bashkimi"(1899) dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në vitin 1946 në Koplik, fanatikët komunistë kërkonin me fye figurën e dijetarit Don Aleksandër Sirdani mbi një gomar tjetër, edhe ky prift i rrëthuem nga gomarët e Enver Hoxhës, që mendonin se po përdhosin meshtarin e përvujtë! Sekretar i Frontit demokratik në Koplik ishte Ago Dino, ndërsa prokuror Ali Paçrami. Mbahën mend si katilë: Xhemal Selimi, Pal Mëlyshi, Asllan Lici dhe Faik Nuti.
Në muejin korrik të vitit 1948, Don Aleksandri u arrestue dhe u mbajt në hetuesinë famkeqe të Koplikut, ku e torturoi katili Xhemal Selimi me shokë, të gjithë të njoftun si kriminelë të pashoq.
Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër më 9 gusht 1914. Në moshën 7 vjeç ai ishte në Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku shkon në Romë me vazhdue studimet e larta teologjike. Përfundoi studimet në Propaganda Fide në vitin 1940 dhe po atje, u shugurue meshtar bashkë me 100 xhakojë të tjerë nga vende të ndryshme të botës nga vetë Papa Piu XII. Mbas shugurimit atje, në muejn prill, nga qershori vjen në Shqipni dhe ditën e Sh'Palit e Sh'Pjetrit (pra, ditën e emnit të tij) më 29 qershor, thotë meshën e parë në Kathedralën e vendlindjes, me prezencën e Imz. Gaspër Thaçit, të Imz.Gjergj Volaj, si dhe të gjithë klerit.
Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin e dajës së tij, për né që e kemi njohtë Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky meshtar i rritun dhe i pregatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht ndër klerikët ma të pastër me qëndrimin e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje. Gjithmonë i papërkulun kundrejt armiqve të Kishës.
Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të priftit të devoçëm, daja shihte tek nipi edhe virtytin e vet që e ka karakterizue gjithë jetën, trimin e mendshëm dhe të vendosun. Këtë e ka provue jeta e të dyve.
Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll. Aty, si të gjithë klerikët, merrët me studimet e zakonëve të krahinës. Boton artikuj në revistën "Kumbona e së Diellës", me siglën R.I. (Pjetër Çuni), ku spikatë vullneti dhe saktësia në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht edhe shkaku i njohjes me shkencëtarin e asaj fushe Don Aleksandër Sirdanin, me të cilin edhe martirizohet.
Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e Koplikut, vritët trathtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor 1946, vetëm për një deklaratë të bame në favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër vëndimit të gjyqit për pushkatimin e tyne. Vrasja e kryeme nga Asllan Lici dhe Palë Mëlyshi, atëherë u vesh me motive plaçkitjeje, motive që në të vërtetë edhe qëndronin, mbasi plaçkitja dhe hajnia ishin gjithnjë të pranishme në vrasjët dhe arrestimet e komunistëve. Këtë e vërteton vetë fakti i humbjes së pothuej të gjitha studimëve dhe të veprave shkencore, letrare dhe artistike të intelektualve që janë vra, arrestue ose kontrollue shtëpitë e tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Sirdanit e të Çunit. Me siguri ata janë mbrenda ndonjë titulli të dhanun ma vonë nga Universiteti i Tiranës, po fakti asht se plaçkitësit mohuan autorët e vërtetë.
Brezat e ardhshëm nuk do ta besojnë ndoshta këtë ngjarje, por unë, po e shkruej i nxitun nga Konica, që thotë: "Popujt që nuk nderojnë kujtimet e shkuara, janë të dënuar me vdekje".
SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?
Mbas vrasjës Don Luigjit, në vendin e tij u emnue Don Pjetri, i cili ato ditë thonte: "Dukët se Krishti ka vendosë që unë të jem ndër të fundit!..." Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë për në Shkodër, ndalohët në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut. Aty, siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit të Mbrendshëm, gjenë Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J. që masakrohen bashkë me shumë malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, thonte ai. Nuk dinte sepse, por jepej një urdhën: "Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!" Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue, mbasi nuk i kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me të. Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo!
Njëditë kishin shkue herët në Seksion Asllan Lici e Palë Mëlyshi. Xhemali po i priste në zyrë. Mbas një bisede të shkurtë, të tre bashkë kanë dalë e kanë dhanë urdhën me shkue tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për fat ky nuk e kishte pasë atë rrezik me zbatue atë urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë. I kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore. I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Xhemali ka hy në zyrë, ndërsa Asllani e Pali kanë urdhnue policët me shkue tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinjë dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej por me mend nuk mund të gjindej çka duan me ba xhullinjtë. I sollën edhe cfurqit. Ka dalë i pari topall në topall Asllani e mbas tij me kapadaillëk si gjithmonë Pali. Janë drejtue nga priftnit e lidhun tue u thanë: "Ecni, more klysh të Papës, se tash do t'ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja...! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni çue bukë ndër male?" Nuk kanë pritë përgjigje por janë drejtue nga një gropë gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte gjithmonë e hapun. Kanë urdhnue me afrue priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahëj presion me tregue... por, papritmas Asllani i ka vue duert në gjoks Don Pjetrit dhe Pali, ka kapë përkrahut Don Aleksandrin dhe, tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta veç kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e, kanë ra mbrendë në gropën e zezë. Kur priftnit kanë marrë me u çue, xhelatët i kanë shty me cfurk për me i zhytë mbrenda, tue u thanë: "Hee... flisni... ku e keni ate Krishtin tuej... flisni... kështu do të jenë fundi i priftënve... A po e shihni kund Krishtin tuej, hee pisa pisash...?"
Don Aleksandrit që ishte zhytë ma parë sidukët i ishte marrë fryma dhe nuk po i shihej fëtyra, ndërsa Don Pjetri ka muejtë me nxjerrë kokën edhe njëherë, ashtu i nxime si të ishte i lymë me zift prej pisllëkut, ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë dhe ka thirrë:
"RRNOFTË KRISHTI... TEK AI PO SHKOJ!..."
Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme të dy veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të tyne. Mbas pak minutash priftnit u mbytën... Ata mendonin se bashkë me trupat e pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne....
Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta pësojë, ngjarja e dy priftënve mori dheun. Dihej martirizimi, por diheshin edhe katilët. Fëtyrat e këtyne kriminelëve kanë mbetë njësoj si atë ditë kur janë fotografue si "çlirimtarë", më 29 nandor 1944, tue parakalue në Fushën e Çelës së qytetit të Shkodrës.
Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha. Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare komuniste, por krimet atje nuk janë kurrë në përmasat tona.
Historia do të flasë njëditë!
Po, kur? - Atë nuk e di
PJESA III
IMZOT FRANO GJINI
RREGJENT' I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI
"Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shenjtë!"
Imzot Frano Gjini
Ka lé në Shkodër në vitin 1886 nga prindët Pjetër (Tuke) e Drande Gjini. Ishte nga një familje e vjetër qytetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfundue ndër Etnit Jezuitë të vendlindjës, ndërsa ato të lartat teologjike i ka krye në Propaganda Fide, në Romë, ku u shugurue edhe meshtar në vitin 1908. Vjen në atdhe dhe emnohët sekretar i Argjipeshkvit të Durrësit, tue krye edhe shërbimet fetare në fshatin e Delbinishtit. Shkon për 18 muej në qytetin e Durrësit dhe rikthehët prap në Delbinisht, deri në vitin 1914. Emnohët famullitar i Dërvenit në Fushë-Krujë, për dy vjet dhe më 14 nandor 1919, emnohët prap në Durrës deri në vitin 1924. Prej Durrësit shkon në Kurbin deri në vitin 1928. Prej Kurbinit shkon në Perlat të Kthellës së Mirditës. Në vitin 1930 Shugurohet Ipeshkëv i Durrësit, kohë në të cilën administronte edhe Vlonën. Mbas dy vjetësh, në vitin 1932 asht Abat i Mirditës, me seli në Orosh. Në vitin 1944 asht edhe administrues i Lezhës.
Në vitin 1945, në muejn maj, mbas largimit nga Shqipnia të Delegatit Apostolik Imzot Leone G. B. Nigris, prej qeverisë komuniste të Tiranës, Selia Shenjte emnon:
IMZOT FRANO GJININ, REGJENT'I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI.
Asht i pari shqiptar që emnohet në këtë detyrë të lartë në shtetin shqiptar, prej thëmelimit të tij.
Me datën 20 nandor 1945 i vjen zyrtarisht emnimi nga Vatikani. Dokumenti i ardhun nëpërmjet të Ambasadës Italiane, i dorëzohet nga At Giovani Fausti S.J., që atëherë ishte me detyrë në Tiranë. Qeveria komuniste e Tiranës nuk e njeh këtë detyrë dhe as Regjentin e posa emnuem.
Që në moshën e re bie në sy përvujtnia dhe matunia e tij gja që e miqëson shumë me Imzot Bumçin, Prennushin, Jul Bonattin, At Meshkallën, At Giadrin, Don Shtjefën Kurtin etj. me të cilët jo vetëm konsultohet por asht edhe bashkëpunëtor besnik për të gjitha problemet fetare të krahinave që administron. Mbas emnimit si Regjent kërkon nga Vatikani zëvendsimin e tij, mbasi sheh vështirësitë e mëdha që i dalin nga qeveria komuniste. Ishte nandori i 1945, kur e kërkon këtë gja nga Vatikani por Vatikani nuk miraton kërkesën e Imzot Gjinit. Në janar të 1946 përsëritë kërkesën gojarisht me anë të At Filipe Kjeja, italian, që niset për Itali, njëkohësisht njofton Vatikanin për reformat komuniste që po zbatoheshin këtu, si: mbyllja e shkollave fetare, shtetëzimet e pronave të Kishës, reprazaljet dhe arrestimet, pushkatimet e klerikëve të pafaj, etj. Në muejn shkurt 1946, i poston një letër Nuncit Apostolik të Vatikanit në Francë, (mbasi Shqipnia nuk kishte atëherë lidhje postare me Italinë) ku, kërkonte skjarime për çështje të ndërpreme fetare. Në muejn maj të 1946, flitej nga radio Vatikani se në Shqipni do të vinte një amerikan i deleguem i Vatikanit për me asistue këtu, por kjo nuk ngjau, gja e cila dha me kuptue se komunistëve shqiptarë po u lejohej dorë e lirë me vëprue edhe ndaj Fesë, ashtu si ndër të gjitha çështjet tjera.
Imzot Gjini asht ndër të parët që kuptoi kjartë qëndrimin e Amerikës, Anglisë dhe Italisë. Ai posa u emnue zyrtarisht në detyren ë re si Delegat i Vatikanit, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës, por kërkesa e tij nuk u pranue. Kishe me thanë se Imzot Gjinin nuk e kishte marrë malli me pa surratin e Enver Hoxhës, por sidukët donte me matë pulsin e tij për të ardhmën. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për mbylljen e shkollave, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa masa ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike. Gjithmonë masat ekonomike në sistemin komunist paralajmërojnë masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, se Ai nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vëprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçansi. Në këtë takim Imzot Gjini kërkonte edhe praninë e Imzot Vinçenc Prennushit, si Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës, Imzot Gjergj Volaj, At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Ishte mueji dhetor 1945 kur u ba kërkesa zyrtare për takim, por nuk u realizue se gjoja sa kishin përfundue zgjedhjet e dhetorit. Në muejn mars të 1946-ës, në qelën e Tiranës që administronte Don Shtjefën Kurti, u mblodhën edhe njëherë të gjithë personat e sipërpërmendun ku, përveç, tyne ishte Don Shtjefni dhe At Meshkalla. Aty u vendos që t'i shkruhet një letër qeverisë dhe t'i dorëzohej nga Don Shtjefni. Letra u përpilue nga At Meshkalla me sugjerimet dhe pëlqimin e të gjithëve që ndodheshin aty, mbasi ata përfaqësonin vullnetin e klerit në përgjithësi. Një kopje u vëndos t'i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, për dijeni nga ana e tyne si dhe me vue në dijeni Vatikanin, mbasi përfundimisht ishin ndërpre korrespondencat nga Shqipnia. Dërgimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qëllim që të vihej në dijeni Selia Shenjte se kleri katolik shqiptar nuk i ndërpret lidhjet me té, dhe se kjo çështje asht vetëm kërkesë kambëngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës, e kryesueme nga E. Hoxha. Letra nuk u dërgue me dorë mbasi një jezuit italian që shkonte ato ditë atje kishte frikë me e marrë letrën, se mos e kontrollojnë dhe i pezullojnë nisjën për Itali. Ai mori përsipër me i shpjegue Vatikanit gojarisht përmbajtjën e letrës, si dhe kërkesën e Imzot Gjinit për zëvendsimin e tij mbasi ai nuk njihët nga qeveria e Tiranës. Flitët, se letrat deri vonë i ka pasë të ruejtuna Don Lec Sahatçija që kryente edhe punën e sekretarit të Imzot Gjinit, por e vërteta nuk dihet se ku kanë përfundue ato letra. Asht edhe një mendim tjetër se mund të jenë zhdukë me vdekjen e Don Mark Xhanit, në hetuesi, tue mos pasë ma mundësi me u dijtë ku mund të jenë mëshehë prej tij. Letra asht shkrue mbasi e pranon edhe At Meshkalla, por fatin e saj nuk e di as ai. Takimin me Misionet e hueja e mori përsipër Imzot Vinçenc Prennushi, i cili u takue me Z. Hudgson në Misionin Anglez dhe i paraqiti me gojë gjithë përmbajtjën e letrës me prezencën e Don Shtjefën Kurtit, i cili fliste shumë mirë frengjishtën. Ai u tregue shumë pesimist mbasi sidukët ishte koha kur marrëdhanjët e qeverisë me anglezët ishin në ftohje, të paktën në dukje.
Kam përshtypjen, se, klerikët komunikonin me të huejt vetëm gojarisht mbasi nuk duhet ti kenë besue as atyne, me dhanë e me marrë letra, gjithmonë një punë me rrezik.
Në vitin 1946 Imzot Gjini, bante edhe ndonjë rrugë nga Mirdita, mbasi nuk kishte mundësi zëvendsimi me ipeshkëv tjetër në atë zonë. Sigurisht, ai atje kishte kalue kohë të gjatë ndër ata male. Koha ishte shumë e vështirë në të gjitha anët. Malët ishin mbushë me të arratisun që nuk e pushonin përpjekjen për liri nga komunistët nën drejtimin e Mark Gjomarkut. I vëllai i Markut, Lleshi (edhe ky, oficer akademist në mal), që thirrej Lleshi i zi, i ban një kërkesë Imzot Gjinit tue i krijue mundësinë me u largue nga Shqipnia, me anën e një avioni anglez që sillte ndihma për çetat e malëve, mbasi ishte hapë fjala se mund të arrestohej shpejt. Imzot Frano Gjini, iu përgjegj: "Unë edhe po iku, po kujt t'ia la besimtarët e Sh'Lleshtrit? - Kjo punë nuk bahet kurrë prej meje!". Sigurisht, kjo temë nuk u hap ma prej tyne.
Përgjigja e shkurtë, e shpejt dhe e saktë tregon shpirtin e klerikut të vërtetë që asht gati me u flijue, por, jo, me lanë popullin pa drejtues të fesë në atë kohë aq të mnerëshme. Kështu vepruan edhe shumë priftën të tjerë që edhe ata nuk u arratisën, por pranuen Kalvarin e pafund.
Ai, jo vetëm qëndroi në atdhe por punoi me përkushtim dhe i vendosun në detyrën e lartë dhe të randë që iu ngarkue. Përgjegjësia e madhe e tij vërehët në vëprimet e matuna dhe të pagabueshme që kryen. Sa merr detyrën ai asht i vetëdijshëm se asht para një lufte të përgjakshme të shpallun nga komunistët. Kërkesat e Hoxhës, Shehut dhe të Xoxës me klerikët e Shkodrës dhe të Tiranës që në ditët e para të janarit 1945 për bashkpunim dhe shkëputje nga Vatikani, loja e Sejfulla Maleshovës, gjoja për formimin e një partie demokristjane për zgjedhjet e dhetorit të 1945, nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik Nigris, më 5 maj 1945, mos njohja e Regjentit të ri nga qeveria e Hoxhës, tue mos pranue takimin e kërkuem nga Imzot Gjini, eleminimi i deputetëve të dhetorit me pikëpamje jokomuniste, formimi i qeverisë me prioritet jugosllav dhe rus, miqësia e madhe me druzhe Titon, formimet e grupeve dhe organizatave me njerëz te pafajshëm dhe pushkatimet e njëmbasnjëshme, etj. etj. e detyrojnë Imzot Gjinin me ndërmarrë hapin ma të rëndësishëm që i pret mundësinë qeverisë me akuzue klerin, me urdhën: "Mos implikimi i çdo kleriku, kushdo kjoftë, me asnjë çështje politike, pra ndalimin e plotë të marrjës me politikë. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundërshtueshëm." (Kopja asht në Arkivin e Shtetit Tiranë).
Promemoria e lëshueme për këtë qëllim me datën 25 nandor 1944 nga Imzot Gjini, mbasi Delegati Nigris ndodhej në Itali, asht dokumenti ma i saktë që tregon mendjen e hollë dhe largpamësinë e tij për kohën që po vinte. Këto cilësi të Imzot Gjinit të forcueme me karakterin burrnor e trim, ndoshta, ishin arësyet që Vatikani e zgjodhi atë për Regjent në atë grup ipeshkvijsh që kishte atëherë Shqipnia, një vend i vogël me njërëz me të vërtetë të mëdhaj.
Qëndrimi i haptë dhe burrnor i Imzot Gjinit tashti nuk i përkiste vetëm Mirditës, por ishte qëndrimi i mbarë Katolikëve Shqiptarë tue fillue nga Shkodra, në Vlonë e Korçë, e ku kishte kjoftë edhe vetëm një besimtar katolik. Ai tashti ishte edhe burri ma trim në radhët klerit mbasi e dinte mirë se me çfarë komunistësh kishte punë, por edhe e njihte mirë mënyrën e sjelljes së tyne të pashpirt e barbare me klerin shqiptar. Ai ishte i vetëdishëm për rrugën e rrezikshme por edhe të pakëthyeshme në të cilën për fat të mirë, e solli historia. Ai i ruhët dhanjes shkak, por nuk i frigohet kërcënimit. Ai njeh mirë mënyrat komuniste të dredhisë dhe pabesisë prandej edhe punoi me mendje të freskët dhe të mprehtë për ruajtjen e pastër të Fesë, ndër kushtet ma te vështira të krejt Lindjës, ku komunizmi nuk ishte thjeshtë një grup njerëzish të paditun e kriminelë. Ai ishte përballë atyne bishave komuniste të mnershëm, fanatikë dhe vegla të shovenistëve sllavë që historia do t'i cilësojnë si kafshët ma të egra të komunizmit ndërkombëtar dhe,... të mbarë globit...njëditë.
Ai dinte dhe njihte mirë praktikën që po ndiqej me liritë thëmelore të qytetarëve, tue përfshi të drejtën me jetue dhe me shprehë lirisht mendimet individuale ose të përgjithshme, madje, dhe të drejtat kryesore: jeta dhe paprekshmënia e saj që po shkeleshin çdo çast tue torturue dhe vra çdo besimtar i thirrun "kundërshtar", vetëm pse BESONTE NË ZOTIN, pikërisht, ata që hypën në pushtet tue mashtrue popullin "pa dallim feje, krahine dhe ideje" dhe që do të mbetën në histori si regjimi ma përdhunues e gjakatar i shekullit.
Imzot Frano Gjini, asht pa asnjë mëdyshje një ndër klerikët katolikë që deri në çastet e fundit vetëm kryen detyrën. E kam shkrue edhe në librin "Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare", sesi, kur ndodhej i lidhun ndër degët e ullinjëve të hetuesisë (tek shtëpia e Çiurçisë), gjeti rasën dhe i bani me shenj një të lidhunit tjetër që po jepte shpirt dhe ashtu si ishte i varun, lujti kokën në shenj të Kryqit, për me e zgjidhë nga fajet e kësaj jete atë martir që mbas pak minutash u gjet para gjyqit të mbramë, por, që, me siguri ka pa Fëtyrën e Zotit.
Imzot Frano Gjini asht Ai klerik që me pranga ndër duer thërret në bankën e të akuzuemve, kur po i jepej vëndimi "me vdekje": "Jeni të zgjidhun vëllazën, të gjithë çka jeni dënue këtu me vdekje, qëndroni si burrat, se asht lavd me vdekë për Fé të Jezu Krishtit!...", dhe bishat e tërhoqën zvarrë nga ajo dhomë ku bahej gjyqi... dhe, nuk e pau kush përveç shokëve të tij, që shkuen të lidhun bashkë kambësh e duersh në Zallin e Kirit, më 11 mars 1948.
Dosja nr. 1302/II - A, viti 1948, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, asht dokumenti ma i saktë që tregon se kush ishte Ky, Imzot Frano Pjetër Gjini? Pse u zgjodh Regjent'i Delegacionit Apostolik në Shqipni? Çfarë qëndrimit mbajti në torturar e mnershme që provoi për 16 muej mbi trupin e tij? Cili ishte faji i tij? Kush e akuzoi dhe pse? Cila ishte arsyeja që e pushkatoi terroristi Enver Hoxha?.... Dhe, do të bindeni se arsyeja e vetme asht kjo:
IMZOT FRANO PJETËR GJINI, ISHTE ATDHETAR, ISHTE KLERIK KATOLIK ME PIKPAMJE DEMOKRATIKE EVROPJANE PERËNDIMORE, ISHTE KREJTËSISHT I PAFAJSHËM DHE, SE, ISHTE REGJENT' I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI, PRA, NUK PRANOI ME U BA AGJENT I KOMUNISTËVE DHE NUK PRANOI ME U SHKËPUTË KISHA KATOLIKE SHQIPTARE NGA PAPA DHE VATIKANI DHE, ME U LIDHË ME LINDJËN SHOVENISTE SLLAVE E AZIATIKE, KOMUNISTE BOLSHEVIKE.
AI ASHT TRIM SE ASHT I BINDUN SE GJAKU I PAPËRLYEM I TIJ DO TË DERDHET NË THËMELET E FORTA E TË PALËKUNDUNA TË KATOLICIZMIT NË TOKËN SHQIPTARE!
K L E R I K Ë T E F A M I L J Ë S P R E N N U S H I
P Ë R B A L L Ë T E R R O R I T K O M U N I S T
AT M A T I P R E N N U S H I O.F.M.
PROVINÇIAL I FRANÇESKANËVE TË SHQIPNISË
(2 TETOR 1881 - 11 MARS 1948)
IMZOT V I N Ç E N C P R E N N U S H I O.F.M.
ARGJIPESHKËV I DIOÇEZIT TË DURRËSIT
(4 SHTATOR 1885 - 19 MARS 1949)
DON K O L E C P R E N N U S H I
FAMULLITAR I DAJÇIT TË BREGUT BUNËS - SHKODËR
(1 JANAR 1902 - 2 KORRIK 1950)
"POPULL SHQIPTAR, EC PËRPARA ME KURAJO DREJT SHTIGJËVE TË SOLIDARITETIT. ASHT NJË RRUGË E VËSHTIRË KJO, POR NË TE JANË TË MBJELLUNA FARNAT E SHPRESËS. LE TË SHOQNOJNË FORCA E MARTIRËVE TË TU, DISHMITARË GJITHMONË NË ROJE TË LIRISË NË VITËT E PAFUND TË SHTYPJES SË RREGJIMIT TOTALITAR."
PAPA GJON PALI II
Tiranë, 25 prill 1993
AT MATI PRENNUSHI O.F.M.
"Mbrojeni trimnisht me hekur qytetin e atdheun tuej, kjoftë edhe tue derdhë gjakun deri në pikën e fundit!"
Marin Barleci
Ka lé në Shkodër më 2 tetor 1881, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 300 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor, por, që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë i cili ka vdekë në vitin 1904 dhe asht varrosë në Remaji, ku sot janë vorret e kësaj familje.
Ai ishte i njohtun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e tij mbasi pikërisht atë vit kur ai vdiq ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanëve të Gjuhadolit. Mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe iu kushtue Urdhnit të Shën Françeskut i njoftun në Shqipni "Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.". Vazhdoi në Bosnje, ku, pothuej ishte traditë paraprëgatitore e fretënve, për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm se ishte forcë e madhe por edhe ishte e vullnetshme me ndihmue Shqipninë me kuadër të naltë në të gjitha fushat. Pregatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë ajo shihte edhe teposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904. E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata shqiptarë që, edhe pse ishin ende nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e përsëritë kurrëma.
Në moshën 24 vjeçare At Matia zotnonte gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë, të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht.
Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në gjimnazin e fretënve dhe, mbas një viti shkon në Katund të Kastratit të Koplikut, ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne.
Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: " Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjeje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë, mbas meshët At Matia, çveshi teshat e meshës, u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe iu drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: - Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën, o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t'ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk, që don me zharitë vëllaznit tonë!
Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër.
Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi..... At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun... e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria......"
Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes, në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia e besa!
Në çdo votër përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.
Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë, me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.
Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbej jeta si me lé së dyti. Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndore të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin.
Ishte besa që në karakterin e atyne burrave, ruante të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: "Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..."
E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë, At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO'LULIT, që me ata dy sy zhgabë, që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e Të Parëve në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit, ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË....
Po po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve të botueme historike të asaj kohe, fotografive në revistat "Leka", "Hylli i Dritës", etj. shkruan edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: "On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit."; dhe, e përkthyeme shqip: "Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij."
At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por, kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin. Asht kjo arsyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm "Memorandumi i Greçës", më 10 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912. Ky memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, etj. Ajo që sot bie në sy asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, që të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.
Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit të gjyqit, një anëtar i trupit gjykues i thotë: "E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!"....dhe, At Matia me buzë në gaz i përgjigjët: -"Jua dij për nderë me më varë në konopin tem, mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!"
Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq, por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnie që kishte At Fishta për té, ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën por edhe e liroi dhe ia dha me vedi. Erdhën në Shkodër, ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne, që për fat, nuk janë zhdukë dhe prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert e mija.
Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë ma të madhe. Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik, kryesisht ai Françeskan kundër Regjimit të Zogut. Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit nuk donte me i ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia u dënue me pushkatim. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia, me u largue nga ato krahina. Atëherë detyrohët me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Aty bashkëpunon me At Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane, që i kishte të detyrueme por, prej tyne konsiderohej "françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane". Dëshmi e At Dioniz Makës.
Në Tiranë ai u njoht me shumë përsonalitete si me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentet arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë, me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë, ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo'Lulit, me Prenkë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun - Bajraktar'i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe e veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njoftun ruen respekt të veçantë për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian dhe liberal shumë i kulturuem.
Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesa që ata kishin për té, dhe ky përfiton tue u marrë të holla për ndërtime qelash e kishash në zonat e Tiranës. Kjo dokumentohët edhe me shpjegimet e shpënzimeve të bame në materialin e ruejtun në Arkivin e Shtetit në Tiranë (shif librin "Françeskanët").
Në vitin 1943 vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon paemnim zyrtar, mbasi rruga e ndjekun me At Harapin për aprovimin e emnimit të tij në Regjencë vazhdoi aq kohë. Mënyrën si u veprue, do ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje.
Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale. Po filloj me citue At Konrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje posa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin "Çinarët" (fq. 67) shkruen: "At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arsyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t'a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi.". Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së tij Provinçial.
Në fq 65 (po aty), At Gjolaj shkruen: "Ardhjën e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë, në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist".
Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore.
Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At Matia deklaron: "...... U bisedue në se mund t'i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t'i sillet shumë, prandej e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë. (A. M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).
Ma poshtë vazhdon: "Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës dhe Vatikani, në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë".(po aty fq. 57.)
Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni "kriminel lufte", përgjigja asht kjo: "Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte". (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit dhanë Osman Kazazit, njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Regjencës. Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe trathtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vedi. Në këtë letër jep urdhën të premë, që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos iu besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit por, edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t'i marrë edhe jetën. Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.
Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurt e vitit 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me iu shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë, do të dëshmojnë për "veprimtarinë antikombëtare" të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj. që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944. Proçesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahen mend nga qytetarët, por proçesët e "mbylluna" që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i "përjetëshëm" dhe asnjëherë nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne.
Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, mbasi për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni, se gjithçka ishte në dorën e jugosllavëve e, kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta?
At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit, dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arsytue gjithçka e këshillonte atë vëllau i kuvendit. Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndime, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. Ishte elokuent, të bante për vedi se ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla e vërejtja e tij mirëpritej si prej ATIT.
Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër i vlonte LIRIA. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për burrë trim.
IMZOT V I N Ç E N C P R E N N U S H I
"..E ngarkuan me bajtë trungje prej rrugës posht e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n'Udhën e Kalvarit u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa shprehë ankim."
Prof. Arshi Pipa
Ka le në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe asht pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit françeskan. Mësimet e larta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908, dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M.
Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët ma në za të Rilindjës sonë. Shkruan në revistën "Hylli i Dritës","Lajmtari i Zemrës së Krishtit", "Zani i Shna Ndout" dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem në gazetën "Ora e Maleve", mbasi, aty, Ai shfaqë edhe pikëpamjet e veta atdhetare, politike dhe demokratike. Ban pjesë në veprimët e vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe, si i tillë, me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë "Rozafat" në Shkodër, me 14 mars 1914, mban fjalimin kryesor ku spikat oratoria e At Vinçencit.
Në librin "Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë", At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Përendimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme. Fusha e përkthimëve asht ndër ma të dashtunat për té, mbasi "Fabiola" dhe "Quo vadis?", janë kenë si oficet e klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri "Gjeth e lule" mbetët ndër veprat e letrarit të nivelëve të larta, mbasi ashtu ishte edhe pena e tij.
At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor'i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue mendimin se ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci, shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940, Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të Durrësit. Kur asht Metropolitan i Durresit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë, Tirana, përfshihej në Dioçezin e Durrësit (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e Shqipnisë kalonte nën drejtimin e Imzot Vinçenc Prennushit. Asht e vërtetë se aso kohe ai ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohtuna të Klerit Katolik edhe si politikan, që ka lanë emnin e vet të paharruem në çastët ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet harrue se ishte edhe Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti, përsonalitete që kanë lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranes, një "epokë", ku spikatën me punën e tyne këta kolosë të atdhetarizmës.
Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Imzot Prennushi jo vetëm kreu me ndër detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.
Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni, për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve, i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: "Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij - Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin". (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue ndonjëherë, mbasi fatkeqësisht aty asht shkrue edhe se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini, (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij:
"........4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t'Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë." (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).
Ndërsa, Imzot Prennushi deklaron: "Se shka përmban telegrami nuk me kujtohët, ai asht ba nga Metropoliti i Shkodrës." (Dosja 1245, Arkivi M.M.Tiranë).
Si Imzot Prennushi, si Imzot Gjini, deklarojnë se, "na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia.".
"Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim", shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjale deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta, mbasi vëprimet e tija diheshin.
Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë....
Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër në vitin 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat "birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës", "shokut të dashtun" Tuk Jakova, kujtoj si tashti që, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin dhe shprehu si zakonisht, "konsideratën" e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa....
Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi, arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në Hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Prennushi asht i parapregatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Gjolaj: ".....Letra që Imzot Frano Gjini, u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Meshkalla. Arsyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Prennushi, e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:
-Bijt'e mij, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjigj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e, shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej, duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të përfunduem, se për 40 vjet komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!
Unë ika.
Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist!
Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist, por keni me pa, e ndoshta ma parë tek unë se shka do t'ju gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt". Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue."
Kur, Imzot Prennushi pyetët për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjigjet: "Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin....Në Tiranë, në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare, si, dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum, me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ia kam çue misionëve amerikane e franceze në Tiranë." (Dosja1245).
Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: "Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme, por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez, ku me kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit, dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t'i bënin rrobe me veshë fukaratë!
Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë."(po në atë dosje).
Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4 shtator 1947:
"....Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té, dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje".
Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:
1.Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër.
2.Don Anton Lekë Zogaj, datlindja 1905, prift katolik, i biri i Lekës dhe i Marijës, lind në Kthellë të Mirditës.
3.Don Pal Martin Gjini, datlindja 1910, prift katolik në Jubë, i biri i Martinit e Terezës, lindë në Shkodër, arrestue me 19 maj 1947.
Vëndimi i gjykatës u dha me datën 20 dhetor 1947 si vijon:
1.Don Anton Zogaj, vjeç 42, me vdekje, me pushkatim.
2.Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, me 20 vjet burg.
3.Don Pal Gjini, vjeç 37, me 10 vjet burg, heqje lirie.
Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947), në të cilin kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:
"......Don Anton Zogaj pranon menjëherë sa thotë katoliku Gjon Vlashi se ka zhvilluar aktivitet të gjerë kundërshtar, sidoemos në pjesën katolike....Mbrend në Kishë ka bërë mbledhje me katolikun Gjon Vlashi e Palush Koka....". (përforcimi i shkronjave në tekst asht i emi, autori).
Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar, aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve...."refuzon kërkesën e tyre"....
Arsyeja e refuzimit nuk ka nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë:
".....Don Anton Zogaj dhe dy shokët e tij të akuzuar mohuan, njëkohësisht edhe pohimët e tyre në proçes-verbalët e hetuesisë në Sigurim, shoqëruar megjithse fjalë për fjalë janë të njëllojta dhe pa asnjë ndryshim me deponimet e të pandehurve....
Don Anton Zogaj thotë se unë kam ba një proçes-verbal dhe nuk e pranoj krejtësisht....por më kanë detyruar....
Janë kundërshtarë koshient të Pushtetit Popullor.
Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste, që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve." (Dosja 1245, po aty).
Prof. Arshi Pipa, në "In memoriam", për Imzot Prennushin tregon: "Kur gjyqi ushtarak që u zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qe: "Nuk i kam dashtë kujt të keqën. Jam mundue me ba mirë".
Dosja mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës:
"Don Anton Zogaj deklaroi dëshirën e fundit para ekzekutimit:
Nuk kam ba aq faj sa Qeverija të më dënojë, por kjo asht vullnesa e saj dhe i bindëm, dhe shtoi - ju lutëm që trupin tem t'ma çoni në Kishë, dhe teshat që kam në burg të mi marri kushrina. Mbasi bani Kryq u ekzekutua dhe u konstatua nga doktori se kishte vdekë."
Prokurori Publik i qytetit të Durrësit
( Muharrem Rugia) d.v.
Data 9 mars 1948 në Durrës, më kujton datën tjetër në Shkodër, 11 mars 1948, ditën e pushkatimit të Prelatve të Klerit Katolik. Pra, vërehët deshira dhe pangopësia e komunistëve me gjak klerikësh ndër ato ditë në të gjithë Shqipninë.
Po cili nga këta tre klerikë u shpëtoi thonjve të Sigurimit të Shtetit?
Don Anton Zogaj u pushkatue me datën 9 mars 1948.
Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.
Don Pal Gjini "lirohët" i sëmurë nga burgu i Shkodrës, në vitin 1951 dhe vdes në shtëpi.
Kishe me thanë, se Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit. Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e shpesh, mashumë me të vdekun se me të gjallë.
Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: "Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste, që të mos egzistonte..", mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: "Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër, deri në vdekje...." (Dosja Monsinjor Ernesto Çoba me grupin.). Edhe Imzot Çoba, dha shpirt ndër birucat e Sigurimit të Tiranës.
Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën "Zani i Shna Ndout", kallnuer 1930, me titull "Nji e stigmatizueme e ditve tona", u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me TERESA NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë:
"Do të keshë nji aksident rrugor,
Do të bahësh Ipeshkëv dhe,
Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË".
Dhe, me të vërtetë, në atë prag pranvere, nësa lulja e Sh'Jozefit shpërthente gonxhët e saja në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë, në të mekun:
" PAK DRITË ! - MEHR LICHT !"....
Jo, jo ! Imzot!
SHUMË DRITË I DHA SHPIRTI YT FESË, ATDHEUT E KULTURËS,
ME 19 MARS 1949.
Mars 1999
DON K O L E C P R E N N U S H I
".il futuro Cardinale d'Albania!"
AT ZEF VALENTINI S.J.
Don Kolec Prennushi ka lé në Shkodër me 1 janar 1902, prej prindve Pjetër e Nine Prennushi. Pjetri njihëj në Shkodër me emnin Tukja i Kol Ded Prennushit, rrobaqepës i njohtun për kostumin kombëtar shqiptar të burrave. Don Koleci kishte edhe dy axha, Dedën, tregëtar i vogël dhe At Matinë, Provinçialin e Françeskanëve të Shqipnisë, që u pushkatue prej komunistëve me 11 mars 1948. Edhe axha i babës së Don Kolecit asht kenë prift, Don Mati Prennushi, i njoftun si atdhetar. Kishte kushrinjë At Karlo Prennushin, françeskan që vdiq shumë i ri dhe Imzot Vinçenc Prennushin, Argjipeshkvi i Durrësit, që vdiq në burgun e Durrësit në vitin 1949 kur Don Koleci ndodhej në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm të Shkodrës, pra, edhe ky, i arrestuem prej komunistëve. Ninja, nana e Don Kolecit, ishte vajza e pestë e Ndoc Daisë i cili u pat helmatisë nga turqit për vëprimtarinë e tij atdhetare. Banonte në Ballabane dhe rrugica Daiej, mban emnin nga shtëpia e tij e ndodhun aty (sot shtëpia e Tom Shkrelit). Don Koleci asht prifti i fundit i familjës qytetare shkodrane Prennushi, në shekullin XX.
Don Koleci kreu shkollën e mesme në Jezuitët e Shkodrës dhe vazhdoi studimët e larta teologjike në Linc të Austrisë, bashkë me shokun dhe mikun e gjithë jetës së tij, At Pjetër Meshkallën S.J., i cili iu kushtue Shoqnisë Jezu.
Don Koleci u shugurue meshtar në Shkodër me 25 qershor 1925, me një ceremoni të madhe, mbasi ishte edhe prania e At Matisë, si, edhe e At Vinçencit, të dy françeskan të njohtun. U emnue famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, ma vonë në Barbullush, ku u pat njohtë me Don Ndre Mjedjen që ishte atëherë famullitar në Kukël. Prej Barbullushit shkoi në Mal të Kolajve dhe prap me kërkesën e fshatarëve u këthye në Dajç të Bregut të Bunës, ku mbylli jetën e tij në moshën 48 vjeçare, ditën e diele, me 2 korrik 1950, në pragun e 25 vjetorit të meshtarisë.
Don Koleci ishte natyrë e qetë, i mbyllun dhe shumë studioz. Madje, kështu ishte kenë shënue edhe në karakteristikën e sjellun nga profesorët e Universitetit Teologjik të Lincit, gja të cilën e tregonte At Meshkalla, që e kishte lexue mbas gati 40 vjetësh në Argjipeshkvinë e Shkodrës, me lejën e Imzot Ernesto Çobës. Don Koleci njihte mirë disa gjuhë të hueja. Përveç, gjuhëve që zakonisht njohin meshtarët, latinisht, italisht dhe greqishtën e vjetër, ai zotnonte gjermanishtën, frengjishtën, spanjishtën, ebraishtën dhe jo mirë anglishtën. Ai nuk kishte vështirësi me mësue gjuhët e hueja mbasi, përveç prirjes ai dinte përmendësh Ungjillin. Me anën e tij ai mësoi disa nga gjuhët e sipërpërmenduna. Këto gjuhë i përdori në disa përkthime që bani në gjuhën shqipe, të cilën e njohti mirë dhe la gjurmë edhe si letrar. Ka pasë fillue punën me një Fjalorth, ku vërehët edhe ndër shënime anësore përputhja e fjalës shqip me fjalën gjermanisht, frengjisht etj. Përkthimi ma me vlerë i tij asht kenë "Kanuni i Lekë Dukagjinit", përmbledhja e At Gjeçovit, në gjuhën gjermane. Kjo vepër asht zhdukë në vitin 1949-50. Edhe sot nuk dihët fati i saj ashtusi fati i shumë punimëve të tjera.
Ka ba edhe përkthime të tjera si: "Vizari Shpirtnuer" pjesa e Meshës, librin "Juan Mizeria", "Si mbaroi dashunia", "Shna Rroku prej Montpellier" etj. ku, spikatë mënyra me të cilën Don Koleci e ban librin aq të dashtun për lexuesin shqiptar sa, shumë vetë i kujtonin si vepra origjinale të tij dhe jo përkthime, ndonse, në faqën e parë ishte emni i autorit të veprës.
Libri "Dishmori i Golgotës", përfundoi në Sigurimin e Shtetit kur u arrestue në vitin 1948. Për këte libër do të shkruej në një kapitull të veçantë që do të lexoni ma poshtë.
Me 14 shtator 1931 botoi librin "Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë". Libri, që në parathanje ka pikëpamjet filozofike të Don Kolecit, i cili shkruan: ".....Me fitimin e lirisë e të pavarsisë s'onë kombtare asht mbyllë nji kaptinë e mjerueshme e njiherit e lumnueshme në histori shqiptare.
Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa kavaljete aq me nderë e ndjekë në qetinë e pagjës udhët e naltsimit shpirtnuer. Për ditë ma tepër vjen tue e kuptue gjejën e kohës së tashme; ai e ndien se botën në dit' t'ona e sundon fjala, idea, përparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, qi kalojnë ngadhnjyeshëm mbi popuj tue mkamë e tue rroposë frone."....
"E kështu shofim na në ditët t'ona kah shpërthen si duhi revolucioni. Prej kumonarëve, kishave, universitetëve njitet tymi i zi e përhapët mbi qytetet e trondituna prej dëgame. Votra kulture mivjeçare rrokullisën e bijnë nën majin e liberal-radikalit qi, mbi gërmadhat e parimëve të moçme kremton triumfin e ides së lirisë. Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t'ushqejnë tjera ide shkon rrkajë nëpër rruga të qytetit. E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri:
L i b e r t é, é g a l i t é, f r a t e r n i t é.
O kulturë fetare, o bolshevizëm."....
"..I ngrati afetar , të fortat budalleqe do të besojë për mos me besue të vërtetat e fesë."(fq.40)
"Prangat e përjashtme, robnia e jashtme, s'asht kurgja me verigat që lidhin vullnetin".
Parullën: "Liberté (point) Egalité (point) Fraternité (point)", Don Kolec Prennushi, e përkthen në gjuhën shqipe: "Liri (aspak) Barazim (aspak) Vllaznim (aspak)".......
Dhe vazhdon në fq.4: "Pse ju do të veni oroe qi Shqipnisë i ra me u zgjue prej letargisë qindvjeçare e me rilé në të njimdhetën orë, kur popujt e prendimit të plakun e të shkrimë prej nji kulture mishit, me nji fatalizëm të verbtë rrajnë gjithnji kah gryka e vorrit. Arrijtë në kulmin e zhvillimit shpirtnuer e teknik janë short me u rrokullisë tëposhtë në thelli.
Vetë me duer të veta i kanë vue kazmën kulturës mivjeçare me e dërmue deri në temel".
".....Me kenë socialist don me thanë me kenë njiheri antikrisht; ngadhnjimi i mbramë nuk asht i mundun pa rroposjën e krishtënimit. Kështu thote Losinsky në 1902 e bolshevikët e soçëm (socialista radikal), janë tue i vërtetue me fakte dita me ditë." (fq.22).
"Me kenë "antinacional" asht nji mkat: me kenë "internacional" d.m.th. me i mbajtë të gjitha kombët baras asht nji padrejtësi"(fq.27).....
Në librin "Zoti asht" lexojmë një dialog aktual me ateistet dhe, pikërisht, këtu, asht vlera e këtyne librave: aktualiteti, edhe pse librat janë shkrue 70 e sa vjet ma parë.
Në librin "Për Krishtin o kundra Krishtit", i shkruem në vitin 1938, që në parathanje lexojmë: "Kush rreshtohët për Krishtin e kush rreshtohët kundra Krishtit. Rreth vehtjës së Tij asht ndezë lufta ma e madhe e shpirtënve. Lufta qi racionalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga në rreshta të popullit e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues. Sulmi i tij nuk qëllon vetëm hyjninë e Krishtit e hyjnueshmëninë e Kishës, por, edhe kullat mprojtëse të tyne: Doktrinën e revelacionit o të zbulimit; të mshehtësive, të mrekullive të dokumentëve të krishtënimit"....
".....Por, armët kundra vërsuljeve të anmiqve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ atmosferën e përgjithshme i duhët popullit me i pasë për dorësh e kundra të zakonshmëve, e kundra atyne ma të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cillat edhe në mos paçin mërrijtë ndër né, do të vijnë, si meturina rrënojash qi hjedh dallka e detit në bregore tona."....
Parathanja mbyllët me këto fjalë:
"Zoti i së vërtetës i bekoftë gjith ata qi rreshtohën për Krishtin, por, edhe ata qi janë kundra Krishtit u dënjoftë i Lumi me i bekue, pse, na luftojmë gabimët e tyne, por shpirtënt e pavdekshëm të tyne ia porosisim mshirës së pakufi të Shelbuesit hyjnuer." (24 qershor 1938)
Don Koleci, ka edhe shumë artikuj të një rendësie të veçantë në revistat: "Leka", "Kumbona e së Diellës", "Hylli i Dritës", "Cirka", "Zani i Shna Ndout", "Lajmtari i Zemrës së Krishtit", etj. ku, shpesh , përdor edhe pseudonimin Mujs Polemi.
Don Kolec Prennushi ka hy në antologjinë e shkrimtarëve shqiptarë(1941) si letrar me prozën "Të vershuemit"(fq.221), dhe si të tillë Prof. Ernest Koliqi, e cilëson rreth vitit 1960, në Radio "Vatikani" me këto fjalë: "....Don Kolec Prennushi pat një jetë të shkurtë, por, ajo, që ndërpreu krijimtarinë e tij letrare në kulmin e saj kje mortaja komuniste, që pushtoi Shqipninë...
Me 1944 erdhi ajo kohë ku nuk bahëj ma fjalë për një letërsi të mirëfilltë...." (Citue nga Prof. Gasper Ugashi).
Don Koleci me guxim shkruan për Fishtën: "Poemi epik << Lahuta e Malcis>> asht nji vade mecum i çdo atdhetari", ndërsa, për At Anton Harapin shkruan: "....Mendje dialektike qi shkruen kryeartikuj ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem dallojnë gjith shkrimët e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por, ai asht i drejt e i pafajshëm." ("Hylli i Drites", 1936, fq.583. marrë nga Klajd Kapinova "Me Kryq e Pendë" fq.65.).
Kardinal Mikel Koliqi në vitin 1992, më thonte: "Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifët stili i veçantë i shkrimëve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar, mbasi ka shkrue pak proza por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë tëtjerë, edhe ate e mori vala komuniste."
Ai njihëj ndër pesë predikatarët ma në za të klerit, përkrah Imzot Thaçit, Anton Harapit, Lazër Shantojës dhe Ndre Zadejës. Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit e bane të dashtun dhe të paharrueshëm në popullin e vëndlindjes së tij. Imzot Thaçi, me humor thonte: "...Ai duhët me ndejë atje në katund, me ardhë edhe ai në Shkodër, ku me predikue na të tjerët?"
Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemët filozofike dhe teologjike. Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vienë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Kethedrale të rëndësishme ku, atë natë ishin të mbledhuna vajzat që pregatitëshin për murgesha të reja. Ai u fliste për guximin dhe sakrificën. Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë, thonte At Meshkalla, tue pyet vienezët: "Në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?....." (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964).
Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitve, mbasi ata jo vetëm e respektonin por, edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij. At Zef Valentini S.J. ndër ma të njohtunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për shqiptarë e, që, disa vepra të njohtuna i ka botue edhe mbas 1944 në Itali, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: "Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d'Albania". Kjo thanje dëshmohët edhe sot nga ish-studenti i asaj kohë në Gjimnazin e Jezuitëve, Z.Gjovalin Shuk Prendi.
Z.Gjovalini, më tregonte njëherë: "Jeziuitët kishin një derë hymje në Kuvend të mbyllun për të gjithë, me përjashtim të jezuitëve. Dera ishte pak e ultë dhe e vogël. Kur vinte Don Koleci, ai futëj nga ajo derë tue ulë kryet, mbasi ishte i gjatë dhe i pashëm e na binte në sy menjëherë. Patëm pyet një jezuit: -Pse Don Koleci lejohët me hy nga ajo derë tue mos kenë jezuit?- Ai u përgjigj: - Don Koleci asht i vetmi prift shqiptar që ka të drejtë me hy kah don ai e, ku të duen në këte Kuvend.".
Z. Nush Tukja, kur ishte i burgosun në burgun e Burrelit, tregonte se, njëditë rreth vitit 1948, kur pothuej po zhdukëj kleri katolik kishte pyetë me keqardhje At Frano Kirin: "Po ju qesin fare Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë veç jush që jeni këtu në burg?....". At Frano Kiri i ishte përgjigjë: "Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë kemi boll!....". At Frano Kiri kur fliste për të, thonte: "Ishte shpnesa e fundit e jona!.....".
Fshatarët e vëndeve ku ka shërbye edhe sot e kujtojnë me respekt veprën e tij baritore. Z.Lekë Harapi nga Dajçi, në librin e tij "50 vjet kujtime" shkruan: "....Bisedat e tija ishin një mësim i çmueshëm për mue, pse gjithmonë tregonte diçka tjetër aqsa kisha krijue përshtypjën se ishte si një bibliotekë që ecë me dy kambë."
Sot, mbas 50 vjetësh që ai ka vdekë besimtaret që e njohtën, e kujtojnë për përvujtninë e tij dhe moralin e palëkundun, gja, që, vërteton atë që At Gjergj Fishta, kishte parashikue dhe i kishte shpreh nanës së Don Kolecit në vitin 1916, kur, ajo kundërshtonte vëndimin që ky kishte marrë me u ba prift. At Fishta i tha: "Zoti ta ruejt Kolecin, ai do të bahët nji prift i mbrekullueshëm, se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për meshtar!". Mbas fjalëve të At Fishtës, çdo gja u mbyll dhe as nuk u bisedue ma nga nana e tij për atë çeshtje. Ndonjëherë me të qeshun ajo i thonte At Matisë: "Ma mbylle gojën me Padër Gjergjin!.... Hallallë të kjoftë!".
Ndue Prendushi ishte mësues në Samrishë në vitin 1948. Ky djalë i ri vendos me u arratisë në Jugosllavi, mbasi ishin prishë mardhanjet shtetnore. Tregonte në vitin 1993, sesi kishte ardhë në qelën e Don Kolecit dhe i kishte tregue se due me ikë në Jugosllavi. I kishte kërkue me u rrëfye mbasi frigohej se mund të vritej tue kalue kufinin me not në lumin Buna. Don Koleci i kishte thanë atij: "Unë nuk ta këshilloj me rrezikue jetën por mbasi ty të asht mbushë mendja top, unë po të rrëfej, po të kungoj dhe po të bekoj, të kjofte rruga e mbarë." Më shoqnoi deri tek dera e Kishës dhe aty u ndalue dhe më tha: "Tashti, shko dhe kalo pa frikë!". Në fund të bisedës, shtonte Ndou: "Unë i besoj mbrekullisë së tij, mbasi ai ishte i sigurt se, mue nuk më ndodhë gja e keqe, përderisa më tha, kalo pa frikë!". Ai edhe sot tregonte sesi i lutët Don Kolecit, kur bie ngusht për ndonjë problem.
Prej thonjëve të komunistëve nuk kishte si me shpëtue as Don Koleci, këte edhe ai e dinte mirë. Kur fshatari besnik i tij Lac Gjushi, nga Dajçi, që e mbylli jetën "kulak" dhe burgjësh, vetëm se ishte mik i priftit dhe nuk pranoi me dëshmue në hetuesi kundër tij, i pat propozue Don Kolecit, tue i sigurue me e nxjerrë jashtë Shqipnie bashkë me far'e fis, për me i shpëtue arrestimit, Don Koleci i tha: "Jo, kjo punë nuk bahët prej meje, se jam betue nji ditë mbi Elterë kur jam shugurue meshtar se, po kje nevoja edhe unë do të derdhi gjakun tem si Mesuesi em Jezu Krishti, në krye të popullit tem, në tokën teme shqiptare." Ai nuk u arratis. Para tij u arrestuan dy vëllaznit Paulini dhe Mikeli, të cilet u dënuen me mjaft vite burg e internim, ndërsa axha i tij At Matia, mbas dy vjetësh hetuesi, pa dalë në gjyq u pushkatue me 11 mars 1948, vetëm se ishte atdhetar dhe Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Kjo ishte mortaja bolshevike që përlau edhe familjën Prennushi, si shumë familje shkodranë vetëm se këta klerikë ishin atdhetarë të flakte dhe punonin për një shtet demokratik të përparuem.
Natën e Shën'Kollit, me 5 dhetor 1948, rreth orës 22.00, kur Don Koleci ishte në sofër me nanën dhe motrat e tija, me kafshatë buke në gojë, forcat e Sigurimit komunist me njëfarë vagabondi e rrugaçi Ahmet Suji, që ishte edhe shoferi i Sigurimit, mbasi kishin rrethue qelën, kur u diktuan se lehte qeni pa pushim, hyjnë dhe i venë prangat tue e akuzue: "Ka propaganduar në favor të Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë. Ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor. Ka strehuar kriminelë të arratisur. Duhët dënuar për vëprimtari armiqësore." (Dosja D.K.Prennushi nr.1072, 1989,1143, 2452, 3359/1, Arkivi i Ministrisë P. Mbrendshme, Tiranë, 1998).
Nuk duhët harrue se ishte koha kur diktatori solli në krye të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme kriminelin Mehmet Shehu dhe në qytetin e Shkodrës, vazhdonte kasaphanën terroristi i pashoq, furrtari Zoji Themeli, që tashti kur dëgjon se çfarë po bëjnë serbët në Kosovë, "i rrënqethën misht" po, kur e mësonin serbët atë në Shkodër se shka me ba me atdhetarët shkodranë e klerin, a rrënqethëj?!
Për 11 muej pra, edhe Don Koleci, do të provonte torturat ma çnjerëzore, lidhjët në vargoj, shenjat e të cilëve i mori me vete ndër vorre, korrentet elektrike që i shkatërruen zemrën dhe, njëdite në fund të tetorit 1949, pra gati mbas një viti, kur vërejtën se jeta e tij kishte marrë fund, poashtu si e kushrinit të tij, Imzot Vinçencit, në qelitë e Durrësit, këte e "liruan" me vdekë në shtëpi për mos me shtue numurin e klerikëve të mbetun në tortura. Kur doli nga hetuesia nuk fliste se kishte humb zanin prej vetmisë, të cilën e cilësonte si martirizimin ma të madh dhe ma të mnershëm të shpirtit, që ia kalon dhimbjeve të trupit. Ai doli pikërisht kur shteti po i shpallte luftë klerit katolik për jetë a vdekje, tue mendue se: Don Koleci, Don Dedë Malaj, At Marin Sirdani, Don Ejëll Kovaçi, At Konrrad Gjolaj, Don Zef Gila, Don Mark Shllaku etj. të friguem nga vuejtjet dhe torturat e Sigurimit që u ishin ba mbi trupat e tyne, do të ndikonin në miratimin e Statutit të Kishës Katolike me heshtje dhe pa asnjë kundërshtim. Ndodhi e kundërta. Këta, jo vetëm nuk e pranuan as si projekt, por e kundërshtuan me forcë, deri në vetflijim. Don Deda dhe Don Ejëlli, vetëm pse nuk vune firmat e tyne, në vitin 1958-59 u pushkatuan, të tjerët që kundërshtuan kaluan jetën në burgje e kampe të shfarosjes. Ndërsa, Don Koleci vdiq kur po zhvillohëshin ato mbledhje.
Don Koleci mori pjesë vetëm ne dy mbledhjët e para, ku, ndër tjera ka thanë edhe këto fjalë: ".....Këta do të na kercnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftëse na nuk miratojmë këte projekt- statut, kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se do t'ju vrasim por, asht ma mirë me ba çka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lé të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe, nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë....Këta janë gjithkund njisoj...!" (Nga At K.Gjolaj në librin "Çinarët", fq.125). Kjo dëshmi përputhet edhe me tregimin e Dr. Avokat Emid Tedeschinit, i cili ka marrë pjesë në të dy mbledhjet e para për problemët juridike. Ndërsa, Prof. Gaspër Ugashi e dinte zhvillimin e ngjarjëve të atyne ditëve nga vetë goja e Don Kolecit.
Pak ditë para vdekjës Don Koleci, i kishte thanë gjatë një vizite mjekësore Dr. Karagjozit kur po bisedonin gjermanisht i shtrimë në shtratin e vdekjës: "...Ma forco mirë zemrën se disa herë kam mbetë pa ndjenja në hetuesi, kur me banin elektroshok, se më dukët jam prap për atë rrugë..." Sidukët, shtonte doktori, e kishte kuptue mirë se me të vërtetë donin me e arrëstue, mbasi gjatë kohës që unë e mjekoja interesohëshin njerëz të Sigurimit për shëndetin e tij. Kur vdiq ka pasë prej atyre që me kanë thënë: "Na shpëtoi për pak!" (Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit, e thanun nga vetë mjeku).
Në shënimet autobiografike që At Pjetër Meshkalla S.J. i ka lanë Zef Mirditës (Bukës) në vitët e fundit të jetës së tij aty nga 1987, shënon: "...Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur isha në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit."
At Meshkalla vlerësonte qëndrimin burrnor të Don Kolecit në lidhje me Statutin, mbasi edhe pse ishte kenë në burg aso kohe, ishte i mirinformuem dhe shtonte: "Don Koleci ishte i mirë, i dashtun, i qetë e jo si unë. Ai ishte aq i dijtun, sa vdekja e parakohëshme nuk e la Shqipninë me marrë vesht se ke ka humbë ajo, Kisha dhe Kleri me vdekjën e tij. Don Koleci, fatkeqësisht, nuk ka lanë shok....". Sigurisht, kjo tregon mendimin e At Meshkallës, por edhe modestinë e tij.
Ditën e dielë, me 2 korrik 1950, aty nga ora 11.00 para dreke në prani të mjekut me të cilin po bisedonte, Dr.Karagjozit, i ka ra një të fikët, kur e motra Viktoria, po i jepte një kafe mjekut. Ka ardhë pak në vedi dhe ka nxjerrë vetëm dy fjalë: "Vidë....Don Erneston!"....Me shpejtësi e ka sjellë atë Prof. Gasper Ugashi, që për fat ndodhej aty. Don Ernesto Çoba ka hy në dhomë dhe mbas pak minutash ka thirrë njerëzit e shtëpisë....Don Koleci ishte në agoni të plotë.....Don Ernesto ka tregue, se, kur ka hy në dhomë Don Koleci ka folë këto fjalë: "Don Ernesto, më jep të zgjidhun, se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht hapë qielli e më dukët se po shkoj tek Jezu Krishti,....nuk muejta me folë deri tashti asnjë fjalë....mi thuej Vidës e motrave.... të ma kenë kujdes nanën!....". Don Ernesto e ka kungue, ai asht kapërdi me zori, ka buzëqesh dhe ka ra në agoni. Mbas pak kohe, rreth orës 14.00 mjeku ka vërtetue vdekjën e tij.
Funerali asht kenë familjar. Kanë marrë pjesë me qindra vetë nga fshatrat e famullisë së tij e përreth, deri në Velipojë. Përveç, kumbonëve që fshatarët u kanë ra në njëanë në shenjë zije, nuk asht ba vëprim tjetër nga frika. Në Kishën Kathedrale të Shkodrës kur i asht ba bekimi i trupit të vdekun, asht vëndosë në fund të Kishës, tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë dhe ka kenë prezent edhe Imzot Bernardin Shllaku, kur Don Ernesto Çoba ka ba bekimin. Mjaft klerikë nuk kanë marrë pjesë nga frika. Nga Kathedralia asht nxjerrë nën drejtimin e Don Ernestos, dhe asht bajtë në dorë prej fshatarëve të fshatrave të famullisë së tij. Asht varrosë në Rëmaji, në vorrin e Dr. Emid Tedeschinit, i cili e ka kërkue këte deshirë nga vetë nana e Don Kolecit, derisa ti jepët mundësia me ba një vorr për té. Kjo mundesi u plotësue vetëm tashti.
Tashti Don Koleci, asht i varrosun me Don Matinë (i vdekun në 1904), ndër vorret e familjës Prennushi. Në pllakën e vorrit asht edhe emni i At Matisë, mbasi eshtnat janë të humbuna në Zallin e Kirit.
Të gjithë bashkë presin ringjalljën.
Sot, na vetëm mund të thomi, se, DON KOLEC PRENNUSHI, ishte një prej perlave të asaj kolane, që Krishti la pasues në Klerin Katolik Shqiptar.
Ne 90 vjetorin e lindjës, me 1janar 1992
N J Ë G U R ....
Një gur shumë i çmueshëm.......Në thëmelet e Kishës Katolike
Shqiptare....................................
Gur shumë i fortë, i pathyeshëm.....Ashtu si karakteri i Tij.........
Gur me vlerë të madhe...............Një burrë me kulturë të gjanë....
Gur që provohet me zjarr, po nuk thehët....Ashtu si u provue edhe
Ai në Sigurimin komunist............
Gur shumë i pastër......................Pasqyrë e Shpirtit të Tij................
Gur shumë i bukur......................Burrë shumë i pashëm..................
Ka tone e rrëzatime që nuk harrohën.............................................
.....................................................Ashtu si kishte portretin eTij.... . Shpirtnor e fizik për ata qe e njohtën......
Ka prej këtyne gurëve edhe me ngjyrë të zezë................................ . ...................................................Ashtu, Ai kishte vetëm petkun....
Asht gur që tërheq vëmendjen e të gjithëve.................................. . ............................................. Ashtu ishte edhe forca e fjalës së Tij.
Gur që përdorët si objekt zbukurimi.....Ashtu si vëpronte edhe.... . fjala e Tij në çdo zemër Shqiptare.
Ka edhe me ngjyra që thirrën të ambla....Vetëm ashtu, ishte çdo . këshillë e fjalë e Tij..............
I qëndrueshëm edhe ndaj kohës.......Ai nuk vjetrohët asnjëherë ....
para syve të askujt................
Gur, që edhe kur humbë, nuk i ndryshon asnjë veti që kishte ..........................................Vdekja për Até ishte vetëm buzëqeshje!
Besoj, se, ju kujtohët ?!..............Ky gur asht B R I L A N T I !....
E,.... ky.....B R I L A N T,....asht..........
DON K O L E C P R E N N U S H I ....
L I B R I I F U N D I T
"Pa dyshim, priftënt katolikë do të mësojnë si mësojnë, por jo, se i shtërngon parja, por e vërteta. E, ata kanë mësue gjithmonë edhe kur në vend të parëve u epej burgu e konopi."
Don Kolec Prennushi
Ndoshta nuk kam kenë asnjëherë fëmijë... Kështu më dukët mue!
Prej nandorit të zi të vitit 1944, e deri në vitin 1949 kam jetue tek daja, té Don Kolec Prennushi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku kam vazhdue edhe shkollën fillore. Gjyshja dhe tezja Rozë kujdesëshin shumë për mue mbasi ishe edhe jetim pa babë. Daja Don Kolec, merrëj shumë me edukimin tem, jo pse nuk kishte çka me ba, por përpiqej që ajo kohë të mos më kalonte kot. Unë sot e kuptoj, se atij dhe vetëm atij, i përket krejt formimi i em shpirtnuer dhe antikomunist. Më pat çue tek një murgeshë Motër Luigja, e cila më mësoi me shkrue bukur. Kur hyna në klasën e parë në gjysmën e vitit, nga fillimi vitit 1946, na u ndërpre mësimi disa ditë mbasi pritëj me ardhë një mësuese tjetër, sëpse mësuesja e parë zonjusha Viktore Kuka ishte arrestue. Ne na njoftuan se ajo ishte kundër Pushtetit Popullor. Ka kenë dënue me disa vite burg. Unë e kam takue vetëm mbas 48 vjetësh në 1994, në Shkodër, dhe më ka tregue kujtimet e saj në burgun e Kuvendit të Fretënve. Aty, kishte kalue disa javë në një birucë me At Mati Prennushin. Tashti ajo asht me familjën e saj në Korçë.
Fliste me adhurim për ato pak muej që ka njohtë Don Kolecin kur ishte mësuese në Dajç. Në hetuesi tregonte se asht pyetë shumë për té. Sigurisht, kjo nuk ka folë gja, mbasi koha ka tregue gjithçka.
Don Koleci kohën ma të madhe e kalonte në një dhomë pritjeje të qelës, mbasi aty kishte edhe bibliotekën e tij. Biblioteka zënte dy faqe muri pa shtue gja, aty mund të ishin mbi 2500 libra. Kishte libra në disa lloje gjuhësh, ma shumë gjermanisht, italisht, frengjisht. Një seri të tanë fjalorë të disa gjuhëve, shumë libra filozofie e teologjie, historie dhe përmbledhje histori arti të paisuna me ilustrime të bukra me ngjyra. Këto të fundit mi epte me i pa, pra kur ishe 6 vjeç ai ka fillue me më edukue me bukurinë e kryeveprave botnore të artit. Koleksionët e revistave "Leka", "Hylli i Dritës", etj. i mbante në sakristinë e kishës. Kisha ishte mesatare nga madhësia dhe në tavanin e saj, kujtoj një ushtar rob, italian, që pat punue një afresk "Të Shelbuemin", mbasi ai i përkiste edhe festës së katundit që kremtohej shumë. Ishte edhe një armonio e vogël që në kohë të meshës një murgeshë i binte dhe drejtonte një kor të vogël me vajzat e shkollës.
Aty nga viti 1948, Don Koleci mbante mbi skritore një libër spanjisht, me kopertinë me ngjyrë të mbyllët, me shkronja të bardha shkruhej: "DISHMORI I GOLGOTËS". Afër atij libri ishte një blok, ku Don Koleci shkruante vazhdimisht. Njëditë më tha: "Unë do të lexoj diçka që kam përkthye prej këtij libri, ti më ndigjo me kujdes, kur të mërzitesh më thuej, dajë,... boll!....". Ai lexoi, dhe në njësoj kohe, vështroi kah unë dhe pau se unë nuk ishe mërzitë, atëherë më tha ai mue: "Tash, boll!... shko me lujtë me shokë...". Sidukët, tash e mendoj me vedi, ai kërkonte me kontrollue me anën teme interesin e lexuesit të nesërm të atij libri. Kujtoj pak gjana. Libri përshkruente në fillim rrugën e Golgotës, bukurinë natyrore, kopështijet e ullinjëve etj. Ma vonë pat hy në kapitullin ku fillonte ngjarja e vuajtjëve të Krishtit... dhe më 5 dhetor 1948, Don Koleci filloi ai vetë ate për çka po shkruante.....Golgotën...
U arrestue.
U kontrollue qela, kisha, mullart e sanës, grazhdi i lopës, koteci i pulave...
Mbas tri ditësh, prap kontroll, edhe njëherë tue fillue nga leshi i dyshekve, kornizat e figurëve e të fotografive e deri tek brandavekët e gjyshës, çdo skutë....Dy përsona shfletonin librat, disa të tjerë kishin nxjerrë koleksionet e revistave në oborr para kishës dhe mbasi nuk kishin gjetë asgja i vunë flakën. Fshatarët as nuk shiheshin aty pari, u kishte hy mnera, veç mbasi ikën ata, thonin, se jemi zhdukë, se kur asht arrestue edhe Don Koleci që nuk trazon njeri, komunistët kapin këdo që u shkon mendja, .... këta dalshin farët,....u raftë lija,....se na ngrinë gjakun !...
Ky ankth nuk ishte punë orësh por i përditëshëm ... e me muej të tanë. Nuk merrej vesht asnjë fjalë, as pse, as si veç, ço sofratasa tek dera me ngopë zagart e Sigurimit dhe merr një palë të tjerë të palamë. Shif ato fëtyra xhullinjshë me vërejtjë, me mujtë me kuptue diçka, por ... kurrgja! "... Na!... merri!..." dhe hidhëshin plaçkat si të ishin plaçka lëbrozësh..." Ikë!... lëro rrugë!" ... dhe vazhdonte karvani i pafund i njerëzve pa pikë shprese ... se, a do të vijë njëditë me i pa me sy ata njerëz që kalbëshin ndër ato qeli... Ndoshta, kurrë!
Aty nga shtatori 1949, flitëj se do të lirohen të burgosun me rastin e 28 e 29 nandorit, gjoja për festa, po kush besonte? Në komunizëm gjithçka asht e papritun. Njerëzit dijnë dhe mund të tregojnë vetëm për të kaluemen por, për të ardhmën, vetëm mund të gënjejnë, mbasi për të ardhmën nuk din askush. Në fund të muejt tetor 1949, vjen lajmi nga nana prej Shkodrët, se Don Koleci asht lirue nga Sigurimi. Gjyshja thonte: "Pritni, mos i tregoni njeriu, se nuk e besoj pa e pa me sy!"
Daja Don Kolec pak ditë ndej në Shkodër mbasi nuk fliste, se nuk kishte za, dhe nuk ecte fare nga dhimbjet e kambëve. Ishte i dërmuem nga hetuesia. Vetëm vinin lajmët se "asht mirë" dhe ka ndej me ba letër-njoftimin e ri. Mbas një jave lajmëruen se nesër vjen. Katundi u çue në kambë mbasi edhe lirimi pa gjyq ishte shenjë pafajsie. Të nesërmen, ditë e shtunë nga ora tre mbas dreke, fshatarët morën çilsat e kishës dhe filluen me i ra kumbonëve... Filloi festa... Lajmi i ardhjës mori dheun, "po vjen Zotnia!", mbasi kështu thirrëj prifti nga fshatarët. Një grup të rinjësh doli tek Lisi në Vorr, aty ku pritët Buna me kalue nga Ana e Malit për në Samrishë. Tek ajo pikë ishin grumbullue shumë vetë tue fillue nga Velipoja, Mali Kolaj, Pentari e me rradhë të gjitha fshatrat e bregut të Bunës kishin dërgue përfaqësuesit e vet ndër kuaj. Lac Gjushi, fshatari ma besnik i jetës së tij nuk kishte dalë vetë, por kishte dërgue vëllain e tij Kolën, bashkë me kalin e vet, për me marrë Don Kolecin në kalin e tij dhe me e sjellë në Dajç. Kur ka mërrijte tek Lisi në Vorr, aty Don Koleci, asht nda me fshatarët e Anës së Malit që e kanë shoqnue prej Oblike, bashkë me Hoxhën e tyne.
Kumbonët vazhdonin me ra... ndër të gjitha katundet. Nga ora 4.30 mbas dreke daja hyni në oborrin e Kishës që ishte edhe i qelës, i mbushun polt me njerëz. Zbriti nga kali dhe u përqafue me nanën Nine ku, plasi një vajë gëzimi... dhe mbasi u përshëndet me të gjithë, u drejtue nga kisha, u ul tek dera puthi prakun, bani Kryq dhe hyni mbrendë. Shkoi drejt e tek Elteri i djathtë i kishës, tek Elteri i Zojës së Papërlyeme, ku ishte edhe Sakramendi, bashkë me një kandil që nuk fikej kurrë. Aty ra në dy gjunjë dhe bashkoi duert, filloi me thanë një uratë të shkurtë në shenj falnderimi. Erdhi në qelë dhe priti urimet e ardhjes. Vizitat vazhdonin. Secili urimet e veta, por të gjithë papërjashtim i puthnin duert e veladonin tue kja prej atij gëzimi aq të madh që kishin ndër zemrat e tyne. Kumbonët kanë pra vetëm në orën tetë. Gjatë gjithë kohës ndër kambët e tij ishte edhe "Frida", qeni besnik që qëndronte edhe ai tue shprehë mallin e vet. Atë vjeshtë u gëzue edhe toka, dukej se edhe bari nuk thahej prej gëzimi. Të nesërmen Lac Gjushi, herët nga ora 6.00 solli një ka kulari, dhuratë për me ba gostën e lirimit nga burgu. Don Koleci tha meshën në ora 10.00 dhe tha vetëm pak fjalë: "Falnderoj Zotin dhe Zojën e Papërlyme, së cilës i jam lutë me më nxjerrë të papërlym edhe mue prej atij vendi, ku të gjithve si jeni ju uroj "mos e provoshi", ju falëm nderës për gjithçka keni ba për mue!". Falnderimi ishte me plot zemër, mbasi asnjë fshatarë, gjatë gjithë hetuesisë, nuk ka pranue me i dalë dëshmitar. Dhe ju lumtë!
Ndër ditët e para vazhdonin vizitat, po kohën e lirë ai e kalonte në bibliotekë. Kërkonte në rrumbujën e krijueme nga kontrollet me mujtë me gjetë diçka. Nuk fliste veç sistemonte librat. Nuk ndihej mirë, pinte ndojë filxhan qumësht por nuk ishte i qetë. Njëditë kishte hapë një bisedë të shkurtë rreth shëndetit dhe i kishte shpjegue së motrës, Rozës, se nuk ndihej mirë me fyt, kishte një shqetësim të vazhdueshëm, madje, edhe natën. Për problemët tjera të çfaquna në hetuesi nuk kishte bisedue gja edhe mbasi Roza e kishte pyetë për disa shenja, si gropa në mish mbi nejet e kambëve, ai kishte tretë bisedën pa i dhanë asnjë shpjegim. Nuk fliste as për vuejtjet as për shkaqët e arrestimit, as për trajtimin në hetuesi dhe as për ndonjë mendim të ndonjë bakeqi. Kur Roza e kishte pyetë për ndonjë arsye që ishte arrestue, ai ishte përgjigjë shkurt: "Komunistët me klerin kanë punë, se mos bani gja axha Padër Mati, apo Vinçenci !?". E kishin pyetë në hetuesi disa herë se pse je tue përkëthye librin "Dishmori i Golgotës", deri njëditë që e kishin mërzitë dhe i kishte thanë: "Jam kenë tue e përkthye mbasi aty kam gjetë vendin ku më dukej se shoh axhën tem, që e keni vra të pafaj" dhe, mbas asaj dite nuk ia kishin tregue ma as blokun e përkthyem, as librin origjinal që kishin marrë gjatë kontrolleve të bame. Atij nuk i dhimbej puna, mbasi atë e bante prap por, i dhimbej origjinali mbasi atë nuk kishte ku me e marrë ma. Ai ishte libri i fundit...
Ka kalue gati një gjysëm shekulli padijtë kush pse ishte arrestue.
Dosja nuk asht kurrkund mbasi gjoja nuk asht dënue. Në një fletë sekret të arkivit asht përmbledhë vuejtja e 11 muejve ndër ata pak rreshta ku, shkruhët se ka propaganduar në favor të... dhe vazhdon, se duhet dënuar për veprimtari armiqësore... Shënohet në fillim se asht nipi i At Matisë... vëllai i Paulinit e Mikelit... por, çështja kryesore mbetë se ka strehuar kriminelë të arratisur. Kjo asht akuza ma e rrezikëshme dhe ma e paprituna, ku Don Koleci mundohët me mohue, por ai duhet të jenë ndodhë shumë ngusht para deklarimit të Bep Negrit, i cili në dosjën 1072/1 deklaron: "Jam nisë me ikë prej Shkodrët bashkë me Paulin Prennushin dhe Ndrekë Pukën, aty nga data 26 nandor 1944, kur kemi mërrijtë tek fabrika e çimentos, aty na ka dalë para fshatari Marin Beci prej Dajçit dhe na ka marrë me vedi e, bashkë me Ndrekën e Paulinin kemi shkue tek Don Kolec Prennushi. Kemi ndej 4-5 ditë, mandej kemi shkue të shoqnuem me njerëzit e tij në Mal të Kolaj, tek shtëpia e Dul Doshit, edhe atje na ndjeku Ndjekja,...dhe kemi shkue ...."(vazhdon Dosja 1072/1 Bep Negri). Fshatari Marin Beci pranon se i ka takue rastësisht dhe se ka njoftë Paulinin, por jo se e ka çue aty prifti Don Koleci, ai nuk pranon se asht kenë fundi i nandorit por e çon ngjarjen kah vera, në të dalun të vjeshtës, d.m.th. nga gushti ose fillimi i shtatorit, kjo përputhet për fat me deklarimin e Paulinit. Ndërsa i shkreti Ndrekë Puka, në vitin 1945 asht pushkatue, kur përpiqej me gjetë mundësinë e dorëzimit, si duket asht trathtue dhe asht kapë nga forcat e Ndjekjës. Kur pyetet Don Koleci për këtë çështje, edhe ky deklaron se nuk ka kanë në fund të nandorit por kah vera, saktësisht gjoja nuk e kujtonte kohën.
Në fakt Bepi bashkë me Paulinin e Ndrekën janë kenë në Dajç, kur kanë hy forcat partizane dhe janë kenë në qelë kur partizanët ndjeknin të arratisunit e kanë shpëtue për mbrekulli. Edhe në Mal të Kolajve janë kenë në shtëpinë e Dul Doshit, që asht kenë aty edhe baba i Don Mark Hasit. Menjëherë sa këta janë largue prej shtëpisë Dul Doshit, kanë mërrijtë forcat partizane, kanë kontrollue, thohej se kanë gjetë funda cingarësh në një qoshe të podrumit, janë interesue ke kanë pasë aty, ata nuk kanë tregue dhe, flitej se për terror kanë vra Kirin, axhën e Don Markut, një burrë i vërtetë. Shtëpia e Dul Doshit asht ndër shtëpitë e njoftuna të malësisë për kah ndera, pritja e trimnia.
Pikërisht atë kohë partizanët kapin një barkë me 200 vetë që donin me ikë në Itali, nëpërmjet lumit Buna. I sjellin në oborrin e kishës se Dajçit me pritë sa të vinin forca të tjera partizane. Dy vetë kalojnë mbas mullarëve të sanës dhe bijnë në not, mbasi ishte përmbytë krejt bregu i Bunës. Ata u zhdukën. U kontrollue katundi po nuk u gjetën. Në vitin 1949 Zalo Ali Selenica, tregon sesi u ka ikë partizanëve dhe asht njeni nga të arratisunit në Dajç. Ka hy në një shtëpi dhe u ka thanë se më ka çue Don Koleci, me e ndihmue për me ikë. E kanë veshë fshatarë, e kanë hypë në një sule, kanë shkue në fshatin Samrishë ndër miqtë e fshatarit. Ai i ka lanë aty me porosi prej Don Kolecit. Të nesërmen i kanë çue në Mal të Jushit, prap me porosi të Don Kolecit. Mbas disa ditësh fshatarët e Malit Jushit i përcjellin në Breg të Matës dhe prej andej në Milot, tue vazhdue me porosi të Don Kolecit. Në Milot kanë kalue në thellsi derisa kanë dalë në rrethina të Elbasanit ndër miqtë e vet, të cilët i kanë ndihmue me dalë në Greqi. Në vitin 1949, Z. Zalo, kapët si diversant dhe tregon sesi asht largue nga Shqipnia. Kur përmend emnin e Don Kolecit, hetuesi gadi-gadi harron se asht me diversantin dhe kërkon shpjegime të hollësishme për Don Kolecin, si u njohë me të, çka të tha dhe si të shoqëroi me u arratisë?... Zalo, përgjigjet shkurt: -"Nuk e njoh as për fytyrë Don Kolecin, por kur partizanët na çuan në oborrin e kishës së Dajçit, pyeta njërin, si e ka emrin prifti dhe ai më tregoi se quhët Don Kolec, mbiemrin as ai nuk e dinte. Kur hyra në shtëpinë e një fshatarit në Dajç, ai sa dëgjoi se më ka dërguar Don Koleci më ndihmoi me shkuar në Samrishë... dhe kështu, unë, pa e njohur fare Don Kolecin, arrijta me emrin e tij me dalë në Greqi...".
Në vitin 1951, Zalo, mbas dënimit, në kampin ku e dergojnë, tregon historinë e arratisjes nëpërmjet emnit të Don Kolecit, njëkohësisht shton edhe interesimin e hetuesit për këtë emën. Aty, ai asht interesue me dijtë se çfarë bahët me këtë prift, me emnin e të cilit i shpëtoi jeta, mbasi nga 200 vetë të kapun nga partizanët, nuk kishin shpëtue vetëm 18 vetë, të tjerët të gjithë ishin pushkatue e zhdukë. Një përson i kishte tregue se ai njeh vëllain e Don Kolecit, Mikelin, që ishte në atë kamp i dënuem 10 vjet dhe i kishte tregue se ka ndigjue që Don Koleci ka pak kohë që ka vdekë. Menjëherë kishte takue Mikelin, i kishte shprehë ngushllimet dhe i kishte shpjegue kush asht. Gjatë kohës së burgut tregonte Mikeli, shpesh Zalo, e ftonte për kafe në shenjë mirënjohje.
Sigurisht, vetëm për emnin "Don Kolec", ai duhej dënue për "veprimtari armiqësore", si të gjithë priftnit tjere.
Jam takue me At Konrrad Gjolaj, Don Zef Gilën dhe Dr. Avokat Emid Tedeschinin, dhe kam bisedue për lirimin e këtij grupi klerikësh në vitin 1949. Mendimi i tyne asht i njajti: "Jemi lirue gjoja për mungesë faktesh, por, sidukët, mendohej nga shteti për nënshkrimin e "Statutit të Kishës Katolike Shqiptare" pa probleme, mbasi këta që po lirohën nuk kanë me mendue me ardhë prap këtu". Asht e vërtetë që mbas lirimit të Don Kolecit, kanë ardhë dy herë grupe me 3-4 vetë në qelën e Dajçit me takue Don Kolecin. U ndrynin me té nga 6-7 orë, pinin një ose dy kafe dhe iknin pa i tregue se kush janë e pse vijnë. Nga bisedat e pakta që tregonte Don Koleci, mendonte se vijnë nga Tirana. Bisedat silleshin rreth dogmave të kishës dhe kush mund t'i ndryshojnë ato. Kishin interesim të madh për zgjedhjen e ipeshkvijve dhe rrugën që mund të ndiqët pa pjesmarrjen e Vatikanit. Deri në vitin 1968 kam pasë një letër të Don Dedë Malaj që i shkruan Don Kolecit (8 qershor 1950) , në lidhje me mendimin që kishte Don Deda, si me veprue në mbledhjen e ardhëshme ku, kujtoj vetëm një rresht mbasi fatkeqësisht letra asht zhdukë, ai shkruante: " ...Ti ishalla don Zoti e ban ma mirë me shndet edhe po nuk muejte me ardhë, mos u ban marak, do të flas unë, si me kenë ti aty!..."(Mbledhja e tretë asht zhvillue shumë vonë nga data e caktueme, pritej me u shtrue terreni).
Avokat Tedeschini tregon qëndrimin burrnor të Don Kolecit, në dy mbledhjet e para, mbasi mbas vdekjes së tij, as avokati nuk ka shkue ma aty, kishte vërejtë se grupi që ishte për nënshkrimin e Statutit po e fitonte davanë dhe nuk donte me kenë ma prezent në atë çështje.
At Gjergj Vata S.J. më ka tregue në vitin 1996, se asht ndodhë me punë në Tiranë në 1950. Njëditë e ka thirrë në qelën e Tiranës Don Zef Bici. Ky ka shkue dhe ka gjetë aty: Don Zefin, Don Mark Dushin, Don Ndoc Sahatçinë, At Rrok Gurashin dhe At David Picin. I kanë tregue se kanë ba një letër për qeverinë e Tiranës, ku i paraqesin dëshirën për një mbledhje të shpejtë mbasi shumica e klerit tashti, (mbas vdekjës së Don Kolecit), asht për miratimin e Statutit dhe me kenë se nuk kishin asnjë jezuit aty kishin mendue me marrë firmën nga Gjergj Vata, i cili nuk pranon me firmue, mbasi në atë kohë nuk ishte i shuguruem meshtar pra, gjeti një mënyrë me iu shmangë firmës. Kishte shkue menjëherë dhe i kishte tregue mikut të vet Pjetër Topallit, i cili ka dijtë shumë gjana por nuk dij në se i ka shkrue, mbasi kur me ka bisedue për qëndrimin e klerikëve të Tiranës në kohën e Statutit, më ka pasë premtue se do t'i shkruente të gjitha ato që dinte.
Gjaja ma interesante që kam ndigjue për atë kohë prej At Konrrad Gjolaj asht kenë qëndrimi i Don Jak Gazullit, që kur po diskutonte Don Koleci i ka ndërpre fjalën Don Ndoc Sahatçija, me mendimin se nuk kemi çka zgjatemi, po t'i japim fund diskutimeve e të bajmë si thotë shteti. Don Jaku i ka pré fjalën tue i thanë: "Ti Don Ndoc që nuk jé prift e dij, por sot po besoj, se ti nuk jé as katolik!". Aty, asht ngritë në kambë Imzot Shllaku, dhe ka mbyllë mbledhjen.
At Frano Kiri, më ka pas tregue se, aso kohe në 1950, mbas vdekjes së Don Kolecit kishte shkue në burgun e Burrelit, Hilmi Seiti, kryetar i Seksionit të Mbrendshëm në Shkodër, bashkë me një oficer të naltë nga Ministria e Mbrendshme, dhe kishin thirrë: At Donat Kurtin, At Pjetër Meshkallën e At Franon. I kanë tregue se bisedohet për një Statut të Kishës, projektin e së cilës ia kishte sjellë me vedi. Ne, po ua japim ju shikojeni dhe na jepni mendimin tuaj, u kanë thanë ata dy. At Donati pa mbarue mirë fjalën ata, u kishte thanë: "Na e kemi Statutin e Kishës, se atë Statut e ka lanë Krishti, prandej, ketë që doni me ba ju, banje me ata që e keni fillue!" Kanë pyetë At Meshkallën, edhe ai i ishte përgjegjë: "Nuk kam çka i shtoj as çka i mungoj fjalës At Donatit". Kanë dalë për dere tue sha e kërcënue: "As nuk keni për të dalur ndonjëherë nga ky vend!..."
Në vitin 1951, Statuti u aprovue nga kleri katolik, por jo si dëshroi shteti komunist.
Kleri Katolik Shqiptar asnjëherë nuk asht shkëputë nga Vatikani edhe pse nuk ka pasë mundësi asnjëherë me u lidhë direkt, Ai ka kenë gjithënjë i vëndosun në njohjen e Papës dhe të Vatikanit.
TË VËRSHUEMIT
Buna asht breg në breg. Bora maleve asht de prej erës së jugut e ka ajë lumin. Me madhni të njij ngallnjyesi, të cilit s'ka forcë qi i ban ball, ulët rryma e gjanë pa pushue.
Gjindja janë strukë nëpër shtëpija. Ndonji bari i rrall qi nget kah shtëpija, kqyrë pa da at element të mnershëm, qi vjen tue u shtri me kërcnim. Në të tanë katundin zotnon nji qeti vorresh porsi në nji qytet të mundun qi pret tue u dridhë kur të derdhet ushtrija me ba rrufi.
Qielli asht terratisë. Ret e zeza si male vigane njiten prej gryke. Duket se të tanë kupa e qiellit asht tue u dyndë, si të njitej deti mbi horizont. Së largu ndihet gjama e ndryme e bumbullimës qi dridhë shtëpijat me themel. Deti, i tollovitun si përbindsh i egërcuem, buluron për mnerë.
Mbi horizontin e ximë kah gryka shpërthejnë prej gojve të reve të zeza porsi gjarpij rrufet vetuese e futen vrap në gjinin e zymtë.
Nji fishkullimë e thekshme shiroku kalon nëpër shelqe e plepa porsi piskamë orësh qi ikin prej katundi. Mandej nji hingllim e ulurim i tërbuem nëpër gembat e landvet qi shpërvilen e përkulen si vigaj, qi luftojnë me elementa të shpranguem e mbrapa shtërgata me trollim të frigueshëm. Shiu me shena ka veshë shtëpijat e landët. Tushti i stuhisë e ka pështjellë katundin mbarë. Ret janë bashkue me uj poshtë qi ka nisë me lëshue.
"U thye penda e madhe!" ndihet nji vigëm e tretun nëpër ushtimë të motit. Uji derdhet nëpër rruga të katundit porsi pushtues krenar mbi plaçkën e vet. Rrugat nji metër e ma nën trollin e shtëpijavet e të kopshtijevet mbushen me uj qi shkon tue u rritë pa da. Ndihet kushtrimi i ndonjij bariu qi ka mbetë me gja në fushë qi e bredh ushtima e valvet me ndërlikim të zymtë. Valët e harlisuna dirgjen si aradhet e rrebta t'ushtrisë ngallnjyese. S'të dallon syni përveç shtëpija të zhytuna n'uj.
Errej nji mbramje e ftoftë. Qelqet e dritores n'odë të zjarmit krisshin prej pikave të shiut qi shkrepshin pa pushue. Era e fortë, hove-hove, kthente tymin e tymtarit teposhtë qi na pshtielltë për rreth votre. Zjarmi strukej herë në njenën në anë, herë në tjetrën. Tjegullat kërsitshin në pullaz. Shtëpija mbarë gjimonte prej duhme s'erës qi frynte me tërbim.
Përjashta ushtonte zhaurima e ujnavet qi bajshin rrjedhat e trumhasuna, e rridhte zymtas krah për krah me gjamën e stuhis.
N'errsinë e heshti të natës gjithkah prej ujnash edhe mjedis shtëpijave të njij katundi, e ndien njeriu vetmin e trishtueshme si të gjindej mbi nji gumë mjedis detit e pa fuqin e vet para këtij elementi të tmershëm.
Të nesërmen në mëngjes mendimi i parë qi m'erdh qe nji.
Dola në dritore. Kishte dalë nji ditë prandvere. Natën kishte çue murrla e ra borë bjeshkvet. Malet e kaltërta kah veriu ngrehshin në horizont majat e mbulueme në borë, qi vetojshin në rreze të diellit. Përmbi majën e Rumis endej hija e reve të bardha qi velizojshin në kupen e qiellit.
Poshtë ujnat e ndyta të Drinit qi kalojshin me shurimën e trishtueshme e shkulmet qi rrihshin me sulmet e veta muret e shtëpijavet hidhshin në kreni porsi trofe plaçkën e bame: cokla, cunga, trupa e bagti të mbytuna. Nëpër dritore burrat i bajshin za shoqishojt, tue pyetë si kishin gdhi. Nëpër katund shkojshin e vijshin lundrat tue u bajtë tagji bagtive. Vetë sulja e vogël me nji njeri, dy gisht mbi ujë, dukej porsi shigjetë rrymës teposhtë, me u dridhë tue e pa.
Dam të pamatun ban të vërshuemit në katund.
MUIS POLEMI
Shënim: Muis Polemi asht pseudonimi i Don Kolec Prennushit.
Kjo pjesë letrare asht marrë nga: Antologjia "Rreze Drite" fq. 221-223, botim i vitit 1941.
AT ÇIPRIAN NIKA O.F.M.
GUARDIAN I FRANÇESKANËVE TË SHKODRËS
"Vuejtja, o bir, e ban ma fisnike fitorën!"
Ka lé në Shosh të Shkodrës, më 19 korrik 1900. Prindët e tij ishin Mëhill e Prenda Nika, të cilët e lanë jetim qyshë të vogël 5 vjeç. Prifti i Shoshit e solli Dedën e vogël në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës, ku, përfundoi edhe shkollën e mesme. U dallue si nxanës dhe tue pasë thirrjen shpirtnore për meshtar vëndosi me iu kushtue urdhnit të Sh'Françeskut. Përfundoi studimet e Larta Teologjike në Austri dhe më 26 korrik 1924, shugurohet meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian, në Urdhnin e Fretënve të Vogjël, (O.F.M.). Vjen në Shkodër me një prëgatitje të mirë kulturore. Ishte ndër ma të ditunit në fushën teologjike dhe filozofike. Emnohet profesor në Gjimnazin e Fretënve. Ka pasion muzikën. Nën drejtimin e At Martin Gjokës merr pjesë në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbahej prej rreth 40 vetësh. Ishte ndër flautistët ma të mirë që cilëson mjeshtri At Gjoka. Njihët edhe me vegla tjera frymore të bandës muzikore. Zotnonte mirë disa gjuhë, spikati në gjermanisht, frengjisht dhe greqishtën e vjetër. Ishte bashkëpuntor i revistave "Hylli i Dritës" dhe "Leka", ku ka shkrue artikuj me vlerë në fushën filozofike. Njihët si Provinçiali ma i ri në moshë sëpse në vitin 1938 drejton Provinçën e Shqipnisë. Një figurë e kompletueme në të gjitha pikëpamjet, françeskan në veshje dhe në dukje të virtytëve të tij, i qeshun, i dashtun, i qetë, i ambël dhe joshës në biseda. Fizionomia e tij pasqyronte modelin shpirtnuer të Fratit t'Asizit. Në kohën e Opozitës kundër Mbretit Zog, asht i pandamë nga fretnit tjerë, merr pjesë me malësorët e krahinës së tij në Shosh. Për fat të keq në vitin 1939, u ndodh në postin e Provinçialit dhe u detyrue me pranue okupacionin fashist. Asht anti-italian dhe nuk afrohet fare me ndjesitë proitaliane të disa klerikëve, si At Bernardin Palaj, At Rrok Gurashi etj.
Pak kujt aso kohe i shkonte mendja tek një okupacion i mundëshëm i Italisë, mbasi ardhja e saj mendohej se sillte një dëshirë të madhe të shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me tokën nanë. Shumë atdhetarë tue fillue nga Mustafa Kruja e deri tek Don Lazër Shantoja, kishin qëndrue me vite të tana në mërgim tue punue për një Shqipni Etnike, gja të cilën e shohin se mund të realizohej nga ardhja e Italisë apo e Gjermanisë së njohtun antisllave. Pavarësisht nga koha e shkurtë por një gja e tillë u realizue. Hapja e 120 shkollave shqipe nga Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, me mësues shqiptarë në tokat e Shqipnisë jashtë kufijve të sotëm çka përfshinë në Veri dhe Kosovën, na pëlqen ose jo, në fund të fundit duhet pranue se po mos të ishin hapë ato shkolla në vitin 1941, sot asnjë nga shqiptarët e atyne krahinave nuk do të dinte me shkrue e lexue në gjuhën amtare shqipe.
Në vitin 1943 At Çipriani, ishte me u zgjedhë prap Provinçial, por asht At Mati Prennushi që mendon se At Çipriani nuk duhet sakrifikue tue u vue si Provinçial, mbasi Shqipnia ishte në pragun e okupacionit tjetër, këtë herë nga komunist dhe këta do ta pushkatonin të parin. At Matia merr postin e Provinçialit vetë, me mendimin se regjimi komunist nuk ka me kenë i gjatë dhe pranon ma parë vetsakrifikimin se humbjen e At Çiprianit, i cili asht mjaft ma i ri edhe në moshë. Nëse, Anglo-Amerikanët do të ndryshonin politikën e tyne me Shqipninë, tue mos e lanë në mëshirën e Jugosllavisë, atëherë pushteti nuk mbetëj vetëm në dorë të komunistëve. Gjithë shpresa ishte se me hymjen e grupeve të tjera në qeveri, komunistët do të spostoheshin dhe do të krijoheshin rrëthana të tjera politike. Koha e ardhëshme mbas luftës mendohej se do të ishte ma favorizuese për të gjitha çështjet kombëtare. Mundësia e një zbarkimi Anglo- Amerikan në Ballkan ishte e mundëshme dhe e pritëshme nga pjesa ma e madhe e antifashistëve shqiptarë që nuk i donin komunistët. Kjo dëshirë jo e parealizueshme ishte edhe e klerit shqiptar, e kryesisht atij françeskan. Madje, koha ka me nxjerrë fakte që At Anton Harapi dhe Regjenca në muejt e fundit kanë punue për një qëllim të tillë, pavarësisht se përpjekja i shkoi kot nga lidhjet e mëshefta të Rusveltit me Stalinin, të njohtuna zyrtarisht në Jalta. Askujt nuk mund t'i shkonte mendja se koha e mbas luftës do të sjellin shkatrrimin e plotë të krejt përpjekjeve të një shekulli të të gjithë shqiptarëve.
Me shkuemjen e At Anton Harapit, si Regjent në Tiranë, Provinçial u zgjodh At Matia dhe At Çiprian Nika mbeti Guardian i Françeskanëve të Shkodrës. At Pal Dodaj ishte sekretar i Provinçës, një françeskan me vlerë në shumë fusha. Ishte historian i njohtun dhe si i tillë edhe një ndër politikanët e rrafinuem që ka pasë kleri, prandej asht kudo.
At Pal Dodaj deklaron: "Në 1924 jam kenë me Opozitën. Në vitin 1922, kam tentue me bashkue Zogun me Luigj Gurakuqin, mbasi tue u bashkue trimnia e Zogut me urtësinë e Gurakuqit, do t'i vinte nji hov Shqipnisë. Zogu e pranoi, Luigji jo! E, mbet."(Dosja 1248).
Ardhja e Gjermanisë në Shqipni asht quejt kalimtare mbasi tue fillue nga qeverisja dhe krejt organizimi i shtetit ishin në dorën e shqiptarëve. Lufta që ata kanë ba kundër komunistëve dhe italianëve i ka dhanë mundësinë e një simpatie të gjithë atdhetarëve, por ç'e do, ishte koha kur ata i kishte marrë tatpjeta dhe nuk la mundësinë e një organizimi të mirë të forcave përparimtare në dobi të vendit, ku tashma mbretnonte kausi dhe rrumbuja. Secili veç mendonte me ikë. Forcat gjermane të vendosuna në Shkodër kanë hy edhe në kuvendin e fretënve vetëm për fjetje. Dy herë At Çipriani e At Matia kërkojnë nga Komanda Gjermane lirimin e kuvendit, tue e konsiderue një shkelje, herën e parë u lirue, por mbas dy javësh kanë hy prap dhe nuk kanë dalë ma deri me datën 29 nandor 1944, që janë largue përfundimisht nga Shqipnia.
Kjo kohë asht edhe periudha ma fatkeqe për At Çiprianin mbasi gjermanët kur u larguan kanë lanë disa armë në oborr, të cilat atë ditë, pra, më 29 nandor At Çipriani, i nxjerr nga oborri përpara dhe i çon tek stallat e derrave mbrapa në shi e në diell, si të ishte koha. Kur fillon me u ndigjue rreziku i mbajtjes së armëve mbas Lëvizjes së Veriut dhe të Koplikut, më 14-15 janar 1945 At Matia, urdhnon që të treten armët jashta kuvendit të Fretënve edhe pse janë të ndryshkuna dhe të prishuna jashtë përdorimi. At Çipriani, tue pasë frikë se hedhja në rrugë do të ngarkojë qytetarët përreth kuvendit me përgjegjësi, mbasi mund të kontrollohen shtëpijat e tyne dhe vështirë se mund të kishte një shtëpi pa dy armë, e shkaktari do të ishte At Çipriani, ky vëndosë groposjen e këtyne armëve në një ambjent larg kuvendit në kantinën e venës, ku hapë tokën e dyshemës së shtrueme me çimento dhe derdhë prap beton sipër tue i çimentue edhe armët, me anën e një ushtari italian i mbetun rob që shërbente në shtëpinë e tij.
At Filip Mazrreku, mbante dy revolverë të vëllazënve të tij si kujtim, mbasi të dy ishin vra nga komunistët. Për këtë ai njofton At Çiprianin i cili ia merr të dy dhe i tretë në gropën e zezë, bashkë me një tjetër të At Zef Mesit që kishte vdekë pikërisht ato ditë kur partizanët kontrollonin krejt qytetin shtëpi për shtëpi. Një armë, tip alltije të gjetun nga At Gjeçovi, bashkë me një armë ma të gjatë edhe kjo me vlera vjetërsije dhurue nga Lef Nosi, e rujtun në muzeun e Fretënve, mëshefet nga At Çipriani, nën dyshemen e dhomës së tij me anën e kuzhinjerit Martin Tarri, me qëllim që të mos i grabitet nga komunistët ashtu si pat ndodhë në kontrollin e parë të kuvendit nga Sheuqet Peçi.
Pak ditë para 29 nandorit 1944 dy përsona i sjellin At Pal Dodës një arkë të vogël me disa dokumenta të shkruem turqisht. At Pali, njofton At Çiprianin dhe At Matinë për këta dokumenta të mbylluna në arkë, që ua kishte dërgue Gjoni i Markagjonit para se të arratisej nga Shqipnia. Kur puna e kontrolleve shpeshtohet, At Matia urdhnon që të digjen bashkë me disa dokumenta të lanuna nga Papalilo në një zarf, edhe ky i arratisun ndër ato ditë. Bashkë me disa shkrime të At Bernardin Palaj, të At Fishtës, dokumenta të Gjeçovit, janë disa dokumenta muzeale me vlerë historike si dhe disa pare të vjetra të kohës ilire, edhe këto të gjetuna nga gërmimet e Gjeçovit. At Pal Dodaj me dijeni të At Çiprianit, (simbas dëshmisë së bame në hetuesi, Dosja 1248, Arkivi i M.Mbrendshme Tiranë), i hap në disa skuta e qoshe me mendimin se kanë me u dashtë për shpjegime historike ma vonë. Për vëndet ku ishin futë ishte në dijeni At Donat Kurti, At Frano Kiri dhe fra Zef Pëllumbi, xhakue, përveç dy të parëve, mbasi u kishte ndihmue me i vue ndër ato vënde. At Pal Dodaj mendon me u ndrrue vend, këtë ia thotë edhe At Çiprianit, mbasi: "xhakojt Ndoc Vasili, Zef Pëllumbi dhe Luk Kaçaj janë mërzitë e nuk bajnë ma për këtë punë ", por nuk i premton koha me i heq mbasi me datën 15 nandor 1946, kur Kuvendi këthehët në burg, të gjithë janë të arrestuem. Luk Kaçaj, nuk përmendet ma mbasi siduket, nuk asht implikue në ndonjë ngjarje, gja të cilën e ka tregue edhe jeta e tij sëpse, kur ishte me tregue vedin para një gjyqi fals në Tiranë, ai shprehi mirënjohje ndaj mësuesve të vet françeskanë, gja të cilën e ka ba pak kush. Fretnit e arrestuem kur shohin materialet historike të hapuna mjedis të Kuvendit asht i pari At Donat Kurti, Drejtor'i Gjimnazit Françeskan, qe u thotë: "... një arkë me libra e dorshkrime i kam mëshef në një odë, e cila asht nalt pa shkallë dhe po të mos të të çojë kush nuk e gjenë dot". (po aty, Dosja 1248).
Ndonse në grupimet që ban Sigurimi, At Çipriani nuk asht në dosjen e Imzot Frano Gjinit, në filmin jugosllav "Dosja 1302/II-A", aty asht edhe At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Donat Kurti, At Aleks Baqli dhe At Frano Kiri. Qëndrimi burrnor dhe i patundun në hetuesi këta fretën i ban të pavdekshëm.
At Çiprian Nika asht përballë një kafshës së tërbueme që thirret kapiten i I-rë, Nësti Kopali. (edhe materiali i tij hetimor mban datën 22 nandor 1946, pra, një vit mbas arrestimit!?...).
Ky frat u masakrue si të gjithë tjerët, por nuk duhet lanë pa u shkrue se, kur komunistët kishin të dhana për vlerat e ndonjë kleriku, atëherë, nuk kënaqeshin vetëm me pushkatimin e tij, por e torturonin aq sa njerëzit që kishin bashkjetue me te, kur ia sillnin në qeli e pyesnin: "Kush je ti?", këtë fat të zi pat edhe At Çiprian Nika.
Në proces-verbalin me nr. aktesh: 558, dhe nr. vëndimi 224, Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, me akt-akuzën nr. 581, me datën 26 dhetor 1947, sjellë për gjykim në një dhomë të kuvendit: At Çiprian Nikën, nga Shkodra dhe At Pal Dodën nga Janjeva e Jugosllavisë, për fajin se: "... gjatë gjithë jetës së tyre pranë Klerit Katolik kanë zhvilluar aktivitet të rrezikshëm anti-popullor... duke qenë elementa me pozitë dhe udhëheqës të Klerit Katolik në Shqipni... me anën e këtyre lidhjeve të kombinuara me Demokristjanen kanë menduar për një kryengritje të armatosur kundër Pushtetit... Me qëllim që të furnizojnë kriminelat e arratisur për të goditur Pushtetin kanë fshehur në Seminar dhe në Kishë armë të ndryshme lufte, revolvera, pjesë ndrrimi mitralozi dhe shumë arka me municion lufte. Faje këto të parashikuara prej nenëve 2, 3 (pika 1, 2, 4, 7, 8, 14) të ligjes Nr. 372. Këto akte mbasi u rregjistruan në Nr. 558 të Rregj.Them. Për ditë gjyqi u caktua data 26 dhetor 1947, ditë e premte, ora 3 mbas dreke.
Shkodër, 26 dhetor 1947
Sekretari: Sh. Dautaj d.v. Kryetari: M. Bllaci d.v. (firmat).
Ditën e premte, datë 26 dhetor 1947, ora 3 mbas dreke u formua trupi gjykues si vijon:
Kryetar: Kap. I-rë Misto Bllaçi,
Antarë: Toger Bastri Beqiri, dhe N/Toger Anastas Koroveshi.
Duke qenë gati Prokurori Ushtarak Kap. Namik Qemali, dhe Sekretari Tish Tukja:
U pyet i pandehuri At Çiprian Nika dhe tha: ... Jam dërgue nga Provinçiali me krye studimet e larta dhe jo nga kush tjetër... kam pasë shok At Frano Kirin... Austria e mori në dore çështjen e Klerit Katolik që të mos merrej nëpër kambë... interresat e tyne nuk i dij. Me Sheuqet Verlacin kam pasë lidhje zyrtare ... Nuk e dij a kje ma e mirë koha e regjimit të Zogut a sot ... Mue nuk mu ndalue me marrë frymë, por mu ndaluen burimet e jetesës, p.sh. tokat e kuvendëve na i mori Pushteti i sotëm dhe shkollat i mbylli. Tokat i mori qeveria dhe nuk dij kujt ia dha... Enciklika e Papës flet për komunizmin në Rusi dhe Meksikë, në Rusi kishte Fé dhe besim dhe nuk mundet me kenë që të gjithë janë komunista ateista. Edhe na Françeskanët jemi komunista. Na kemi jetue me pak ndryshim nga fshatarët atje ku shërbenim. .... me Enciklikë doli në shesh doktrina komuniste që asht kundër doktrinës së Krishtenë... këtë e kam pa ndër disa revista që keni botue ju, si dhe në radio "Shkodra" që asht vue në tallje Kristjanizmi... Kishat nuk janë prishë akoma, por janë mbyllë shkollat e shoqnitë fetare, ku asht edukue rinija me parimet e fesë dhe jo me politikë... Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pëlqeu, por mund të zhdukej edhe me paqë. Lufta kundër okupatorit na shkatrroi ma shumë ne, u dogjën fshatra e lagje qytetësh dhe u vranë shumë njerëz, kjo nuk më pëlqej mbasi mund të bahej me kombinacione politike. Rrënimet i kjava me lot gjaku.... Padër Antoni u dënue, por nuk dij se pse u tha se punoi kundër popullit... Unë kam kenë profesor dhe nuk dij se asht predikue për fashizmin as prej meje as prej shokve... Nuk kemi punue për ardhjen e fashizmit në Shqipni... Na i kemi marrë ndihmat se nuk kishim me se të jetonim dhe të mbanim shkollat.... Në kohën e okupatorit kam shkue në Kosovë me fratel Gjonin tek At Bernard Llupi, me marrë ushqime për xhakoj, ndërsa në Logutenencë shkonte At Rrok Gurashi, ai asht dhelpën e madhe... shumë gjana që i bante ky, i nxirte në skenë me anë të At Palajt... Demokristjanën nuk e kam formue unë, mbasi nuk jam marrë me politikë, atë e ndigjova në radio kur u ba gjyqi por as nuk e mora vesht kush e kishte krijue. Kur u ba çlirimi i Shqipnisë nuk e dij... se nuk më erdhi mirë që u ba nga partizanët, kur u çlirue nga okupatorët italian e prita mirë. Nuk më ka pëlqye Partia, më pëlqenin Nacional-Çlirimtarët, Balli dhe Legaliteti... sistemi i qeverimit asht kundër parimëve të mija... Më ka pëlqye që të drejtonin në Pushtet klasat që kanë studjue, mbasi fshatarët shumica janë pa shkollë... Në Tiranë ishte Imzot Gjini për me shkue në qeveri, por nuk dij se ka shkue ndër legata të hueja... Padër Mati Prennushi në atë kohë ishte Provinçial, por ky nuk më spjegoi se çka kanë shtrue kur kanë shkue në Tiranë... Nuk dij gja për Demokristjanën, kur asht ba sulmi prej Postribës nuk kishe dijeni dhe as nuk kam bashkëpunue me njeri... Nuk kam mësheh asnjë armë në kuvend... Në Elterët e shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën do libra, por nuk dij se u gjetën armë... Nuk kam sabotue zgjedhjet e 2 dhetorit... Për votime kam shkue në Troshan. Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira se nuk doli asnjë parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se, po ta kishe dijtë se ka, do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër. Të gjithë bashkë me At Mati Prennushin s'kena dalë fare ndër votime... Nuk kam pasë lidhje me të arratisun... At Antonit i kam çue dy herë ushqime me një grue, se mi kërkoi si shok, dhe nuk e njof si trathtar... përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam kenë dhe jam kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky kam mendue dhe mendoj, se mohohen të gjithë ligjet morale, si ndera, dashtnija, drejtësia etj. dhe si përfundim kam nxjerrë me vehten time, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohet shoqnia njerzore... Direktivat janë dhanë me anë të librave të teologjisë dhe filozofisë... Qëndrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht qenë armiqësor... Unë kam dishrue që në luftën e gjermanëve me Bashkimin Sovjetik, të fitonin forcat gjermane, dhe nuk dishroja që ushtria e kuqe të përhapej në Prendim, mbasi me përhapjen e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb. Fitoria e Gjermanisë ishte në favor të Shqipnisë... Xhakonin Ndoc Vasili e qita jashtë pse nuk kishte sjellje të mira, nuk e qita pse ishte lidhë me qeveri, se nuk kishëm frikë nga ky se merrësh vesht me qeveri, por ky merresh vesht vetëm me të huej, pse edhe shqiptarët kishin gjithfarë ngjyrash që nuk na pëlqenin né... Dëshira e eme dhe e shokëve të mij ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni." (Dosja 1248).
Në dosje asht edhe mbrojtja e avokat Dr. Emid Tedeschinit, që ban mbas dhanjes së pretencës së prokurorit, ndër të paktat raste që kam mujt me pa. Dokumentët e At Pal Dodës, vëndimet e Tiranës dhe fjalën e fundit të At Çiprianit para pushkatimit nuk kam pasë mundësi me i pa.
Avokat Dr. E. Tedeschini shkruen: "I pandehuni Patër Çiprian Nika, mbi pyetjet e Jueja ka shfaqë haptazi se shka ka mendue, shka ka dishrue dhe shka ka veprue.
Mendimet e tija, ai i ka shfaqë sinçerisht dhe ky sinçeritet rreth idenave të tija më duket nji provë e fortë me i besue edhe deponimëve të tija, që i referohen veprave. Këtu, zotni Gjyqtar, nga pikëpamja ligjore na intereson vetëm vepra konkrete dhe, jo, idenat abstrakte që ai ka. Këto idena na interesojnë vetëm e vetëm për me zbulue shkakun e veprave.
Deponimet e tija para gjyqit janë përgjithësisht konform me proçes-verbalin hetimor, kështu, që, për dhanjen e gjykimit mund të mbështetemi vetëm mbi atë proçes dhe mbi ato deponime dhe mbi mënyrën e shfaqjes së tyne para gjyqit..."(Dosja 1248, po aty).
Fjala e fundit në gjyq ishte: "Lutem, të merrni parasyshë mbrojtjen e avokatit që më ka caktue gjykata".
Me datën 28 dhetor 1947, Trupi Gjykues dha vëndimin:
1. At Çiprian Nika nga Shkodra, me vdekje me pushkatim.
2. At Pal Dodaj nga Janjeva, Jugosllavi, me privim lirije për jetë.
Sekretari: T. Tukja, Antarë. B. Beqiri, A. Koroveshi dhe Kryetari Misto Bllaci, d.v. (Firmat)
AT ÇIPRIAN NIKA u pushkatue më 11 mars 1948, në orën 5 të mëngjezit, në Zallin e Kirit, në Shkodër, bashkë me vëllaznit e shokët e gjithë jetës...
AT DONAT KURTI O.F.M.
Ka lé në Shkodër më 3 shtator 1903. Në vitin 1937 nga Universiteti "San'Antonio" i Romës, i jepët titulli "Doktor i Shkencave". Asht i njoftun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohët ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës sone shqiptare. Thëmelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj. me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato në "Visaret e Kombit".
Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: "Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë".
Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve "Illyricum" të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi, që asht cilësue vatra prej ku përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi "Fé e Atdhé".
Prof. Simon Pepa, shkruen: "Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të "Iliadës" shqiptare të gjithë ata që e mblodhën dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë."(Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30).
Asht pragu i ngjarjëve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946, për me takue Nako Spiron, dhe me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Jo vetëm që nuk takohet me té, por edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër At Donati, kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve kështu, që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi. Dhe nuk asht larg 11 nandori 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata. Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e "Hyllit të Dritës", që ka lavdëruar fashizmin etj. Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike, nga e cila ka vuejt gjithë jetën. Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se "nuk e ka të gjatë", prandej po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.
Hetohët nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtusi kishte edhe natyrën e tij para armiqve, nuk thehët as nga frika, as nga torturat por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presionëve. Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.
At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: "Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë... tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane... herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt.... Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit, unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se po bahej rrezik për Fenë... Monsinjor Gjini, me t'u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohën të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë... Për armët në Kishë nuk dij gja... Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist... një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot... Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman... Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim "Forca Atomike", e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg.... Nuk e ndiej vedin fajtor..."(Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiranë)
Kështu edhe At Donati, me këtë grup ku bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj. ku, spikatë qëndrimi i Anës Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela njëditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav "Dosja 1302/2-A", dhe kjo asht e kuptueshme edhe nga vazhdimi i numrit "Dosja 1303 At Donat Kurti...".
Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste "Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe". Ky fjalor kishte 45000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. Asht kenë i shkruem në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që asht lirue, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, tue i thanë: "Me që janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart." Këto fjalë mi ka tregue vetë At Donati, kur ishte për drekë në shtëpinë tonë më 13 qershor 1964, ditën e Shna Ndout, bashkë me Don Mark Hasin, Prof. Gaspër Ugashin, Prof. Petro Fundon etj. Atë ditë ai erdhi ma vonë se të tjerët. Kur hyni mbrend na kërkoi të falun për vonesën. Mbasi u ul në krye të vendit në sofër tregoi sesi e kishte pritë tek dera e Kuvendit Jup Kastrati, të cilin deri atë ditë nuk e njihte fare, as për fëtyrë... Ndërsa, Dh. Shuteriqi, Sh. Demiraj etj. që kanë pasë në dorë fjalorin e tij nuk dij nëse e kanë takue ndonjëherë, mbasi për vite të tana ata kanë vjelë frutin e punës së tij.
At Donati, ishte njoftue nga një fratel i kuvendit se pritej nga Jupi dhe i kishte nxjerrë fjalë se nuk mund të takohemi, se, sot jam i zanë, por Jupi kishte vazhdue me qëndrue, tue zanë rrugën e kalimit. Jupi, aty, i dinte mirë skutat, mbasi gati ka kenë ba edhe ky "fratel" dikur. At Donati, për mos me na lanë me pritë né në sofër kishte dalë dhe, ka gjetë Jupin aty. Jupi me servilizmin e tij karakteristik, me kokë të përulun dhe tue fërkue duert me zgërdhimjen e tij hipokrite, i kishte dalë pak përpara At Donatit tue i tregue emnin. Me që, At Donati ishte tue dalë e nuk kishte mundësi me e pritë, Jupi i kishte kërkue një takim në një ditë tjetër, kur të kishte kohë të lirë ky. At Donati, me natyrën e tij autoritare si para një nxanësi rrugaç, i kishte përgjigjë: "Sot ke ardhë dhe të fola, për mue këtu mos u duk ma mbasi nuk due me të takue. E dij mirë kush jé, ke marrë çka ke marrë nga At Justin Rrota, ajo asht kenë puna e tij. Tek unë nuk merr gja, prandej mos u duk ma në këtë Kuvend, se ia ke pa hajrin boll këtij vendi!" dhe kishte kalue pa i dhanë edhe dorën... Nuk dij nëse Jupi e ka shkrue këtë takim në kujtimet e tija!... Por, unë atë ditë kam pij me gëzim të madh kur ndigjova nga goja e At Donatit, përgjigjën që i kishte dhanë kusarit të Fretënve.
At Donat Kurti bani ma shumë se 17 vjet burg dhe u kthye në vendlindje tue u mbledhë në sofrën e të vobegtëve të Asizit, që kishin mbetë në Kuvendin e Arrës së Madhe. Aty nuk shkoi gjatë, mbasi 1967-ta e shkatrroi edhe "këtë qendër me thëmel", por këtë herë jo nga rusët, po me porosi nga kinezët.
Populli i Shkodrës nuk e pau asnjëherë që nga viti 1946 tue thanë meshë ose me ndigjue fjalën e tij në ndonjë predikatore, mbasi ai nuk ishte dakord asnjëherë me Statutin e Kishës së vitit 1951. Këtë Statut ai e kishte kundërshtue që në Burrel, por edhe mbasi doli nga burgu ai nuk u pajtue me qëndrimin e klerit "të lirë" në atë kohë. At Donati, nuk ishte i vetëm në këtë qëndrim, me té ishte At Meshkalla, At Gjolaj, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani etj. Mos aktivizimi legal i tyne ishte fatkeqësi kryesisht për edukimin e rinisë.
Koha bani të veten.
At Donat Kurti, njëditë u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme .... të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri atëditë, më 10 nandor 1983, që u bashkue me shokët e vet, eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë.
At Donat Kurti O.F.M. ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij tue jetue fukara, tue vuajtë me fukara, tue punue me edukue fukaratë dhe tue vdekë si fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, të cilëve, në këtë jetë të mjerueme, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: "VISARËT E KOMBIT".
FILMI JUGOSLLAV "DOSJA 1302/II-A"
"Të nënshtrosh armikun pa ndonjë luftim, asht kulmi i zotësisë, këta janë njerëz me zemër luani, të fortë, të squtë dhe trima...
Brajan Capmen
Në kjoftë se nuk duem me dijtë të vërtetën, na pajtohemi me gënjeshtrën.
Në kjoftë se duem me dijtë të vërtetën, nuk duhet të flasim pa pasë dokumenta.
Asnjëherë mos humbni shpresën se, a do të gjejmë dokumenta? Koha asnjëherë nuk ka punue me zhdukë faktet. Kurre mos të harroni: "KËRKONI SE KENI ME GJETË!", thotë Krishti.
Kishin kalue gati 50 vjet nga 11 marsi 1948, duheshin edhe pak ditë... Një mik i emi, Z. T. M., merr përsipër me me nxjerrë një dokument të vdekjes së babës nga arkivi i Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë. Dokumenti i vdekjes së babës ishte zhdukë edhe në gjendjen civile të Shkodrës aty nga viti 1967, kur komunistët mendonin me e shpallë të vramë me atentat prej tyne. Ky dokument u ba shkak me kërkue edhe ndonjë shpjegim për vrasjen e At Mati Prennushit, i cili asht pushkatue mbas një "gjyqi" me dyer hekuri të mbylluna. Gati askush nuk fliste gjatë për këtë vrasje, të gjithë u mundonin me shpjegue se ishte një ngjarje false, si të gjitha ngjarjet e gjyqeve të komunistëve kur donin me pushkatue të pafajshmit. Ndër të parët njerëz që më ka folë me njëfarë sigurie për këtë çështje asht kenë Don Mark Hasi, i cili tregonte për qëndrimin burrnor të atyne trimave para një "gjyqi" që fatkeqësisht nuk u ndigjue kurrë nga populli. Prej tij ndigjova se shumë vetë i nxirnin në "gjyq" në ndonjë prej dhomave të hetuesisë, i dënonin me vdekje, i izolonin ndër të mnershmet biruca, i torturonin prap mbas dhanjes së vëndimit dhe kur, kishte raste dobësimi ose frike nga vdekja, dhe i "pranonin" akuzat që deri atëherë nuk i kishin pranue, i premtonin se do t'i falnin jetën, po kje se ata pohojnë para "gjyqit të popullit". Bahej edhe një "gjyq publik" dhe në fund përfundonte më dënim me vdekje, sa me i tregue popullit se ti "ishe fajtor dhe nuk je dënue i pafajshëm", mbasi kur të bahet kërkesa "për falje jete" nga ana yte në Kuvendin Popullor, atëherë, të vjen "falja e jetës". Kjo lojë u asht ba shumë vetëve dhe pikërisht Imzot Gjergj Volaj, asht pushkatue në këtë mënyrë. Janë të shumtë njerëzit e pushkatuem kështu veç, kur janë ndodhë para brigadës së pushkatimit e kanë besue se të gjitha "premtimet", ishin vetëm rrena.
Mbas pak ditësh, pikërisht, më 9 mars 1998 u gjeta në një tavolinë të arkivit, para një aparati zmadhues ku një zonjushë shumë e njerzishme më solli një zarf me filma, më shpjegoi si shihën në aparat, më solli edhe një letër për shënime me vulën e arkivit dhe më ftoi me fillue punën. Kur ajo fliste dhe mundohej me më shpjegue kjartë mënyrën e leximit të materialit, unë i pohoja me kokë se kam kuptue gjithçka thonte vetëm me fillue shpejt e me pa dosjën, më dukej se po hapej dera e dikush po më thonte: "Çou shpejt, se kemi gabuar që t'i kemi dhenë!"
Faqja e parë..."Frano Pjetër Gjini me shokë".... O Zot a thue jam në andërr? - Fillova me prekë tavolinën, vehten, se nuk i besoja syve... Vëreja përreth nëse ata njerëz që vinin e shkonin për punët e tyne me zonjushën, janë me të vërtetë njerëz, apo më duken mue!? ... Vazhdova me lexue: ...."1. Frano Pjetër Gjini, 2. Nikoll Zef Deda, 3. Mati Kol Prennushi, 4. Tom Palok Laca, 5. Zef Kol Haxhija, 6. Ndoc Rrok Sahatçija, 7. Gjon Frano Karma, 8. Nikoll Hil Shelqeti, 9. Mëhill Pjetër Miraj, 10. Zef Gjeto Pëllumbi. Nalt në fletë futej në rreth: Nr.1302/I Arkivi. Vazhdon në një rreth tjetër ma poshtë: Nr.1302/II-A, ma poshtë e nënvizueme: Fletë 156, prap ma poshtë: Nr.gj.858, 1948. Në cepin sipër, majtas, kishte diçka të fshime. Nuk kishe ke me pyet, pse? Sigurisht, dosja duhet të ishte ajo e përpunuemja për me u dhanë me u shikue, mbasi kuptohet, origjinali i vërtetë nuk mund të përfshinte 10 persona në 156 fletë. Menjëherë më ra në sy vetëm emni i At Mati Prennushit, ishte i nënvizuem. Shumë kohë mbrapa pata marrë vesh se çdo emën i nënvizuem kishte dosje në vazhdim edhe mbas pushkatimi, ose edhe mbas vdekjës në burg. Ka rasë që nga deponimet e tjetër njeriu, nënvizohet një person i përmendun nga ai, nëse ai asht i nënvizuem, menjëherë i asht hapë dosja, p.sh. Në deponimet e Prof. Pashko Gjeçit, nënvizohet emni i Prof. Kol Ashtës, etj. Kjo nuk do të thotë se asht arrestue përsoni i nënvizuem por sigurisht asht kenë në listat e survejimit.
Në kopertinën e dosjes mbrendë asht një skicë ku janë shënue studjuesit e dosjes: Rakip Beqja, Xheudet Miloti, Pashko Picoku, Foto Prifti, Hysen Gora, Edmond Cakaj. Këta përsona kanë pasë mundësi me e lexue dosjen dhe me e studjue. Shpesh studimi asht lidhë me vëprimet e ndonjenit prej tyne, që nëpërmjet atij studimi ka krijue lidhje me proçese të tjera, p.sh. Xheudet Miloti atë vit që ka studjue këtë dosje arreston At Rrok Gurashin, dhe hap dosje të re për këtë përson në vitin 1957, pra gati 10 vjet mbrapa mbas dëshmive të At Rrokut në këtë dosje. Në ndonjë rasë ka person që ka mujtë me botue edhe libra, tue i ndihmue Sigurimit për publikimin e "vëprimeve" të tija, p.sh. Rakip Beqja. Rakipi ka ndihmue edhe Jup Kastratin nëpërmjet të parathanjes së librit të tij, tue tregue vnerin që ka në shpirt Jupi për Klerin Katolik, që i vlente edhe si "garanci" për titujt "shkencorë". Ajo parathanje nuk asht shkrue kur Jup Kastrati ka fillue me u angazhue me organët e Sigurimit, mbasi kur shkruen parathanjen ai asht ndër "veteranët" e Sigurimit. Jupi spijunazhin e fillon ma herët, kur punonte si sekretar në Gjimnaz të Shtetit dhe pa dhanë provime merr dëftesën e "pjekurisë", dhe pa dhanë provime merr universitetin etj. privilegje deri në titujt "docent, Prof. Dr. etj.". E, sa si Jupi... kështu veproi Skënder Drini, Viron Koka, etj.
PJESA E PARË
Do të filloj, pra, me "Dosjen 1302/II-A":
"Faqe nr.1: Republika Popullore e Shqipërisë, Ushtrija Kombëtare Shqiptare, Gjykata Ushtarake e Shkodrës, Vdekje Fashizmit Liri Popullit, Nr. i Akteve: 17, Nr. i vëndimit 2.
Proçes-verbal" (një vulë e palexueshme), dhe fillon akt-akuza: "Prokuroria Ushtarake e Zonës Ushtarake të Shkodrës, me akt-akuzën e saj me Nr. 2, datë 2-I-1948, i solli kësaj gjykate aktet hetimore të rrjedhura kundra të pandehurve: Monsinjor Gjini, Dom Nikoll Deda, Padër Mati Prennushi, Dom Tom Laca, Zef Haxija, Dom Ndoc Sahatçija, Padër Gjon Karma, Padër Mëhill Miri, Xhakoj Zef Pëllumbi dhe Dom Shelqeti, për fajin se: Kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe për okupimin e vendit t'onë nga imperializmi Italjan. Qysh para okupacionit kanë qenë agjenta politikë dhe spijunazhi t'imperializmit... Gjatë okupacionit ... Kanë punuar për ta legalizuar....
Kanë qenë pengesë serioze e L.N.Çl... kanë punuar për eleminimin e kësaj lëvizje... me organizata kriminale... kanë përkrahur tërë qeveritë kuislinge... kanë penguar rezistencën e popullit... janë qenë agjenta të Gestapos duke denoncuar në zyrat sekrete të saj militantët e L.N.Ç.
Mbas çlirimit hidhen me egërsi e tërbim, që të godasin Pushtetin, nën kryesinë e Monsinjor Gjinit...
Gjithë klerin katolik e transformojnë në një organizatë fashiste Demo-kristjane. Zgjedhin Komitetin Qendror... me Monsinjor Gjinin, ... Komitete, nënkomitete, lidhje me të arratisur... Lidhen me të huaj... pregatisin kryengritje të armatosur ... përpjekjen e 9 shtatorit 1946, ... etj. ... etj ... faje këto të parashikuara prej nenëve 2,3, (pikat 1, 2, 4, 6, 7, 8, e 14) dhe nenit 4 të ligjes 372 mbi fajet penale kundër Shtetit dhe Popullit.
Këto akte mbasi u rregjistruan në Nr.17 të Radhorit Themelor për ditë gjyqi u caktua data 6 janar 1948, ditë e martë, ora 10 para dreke.
Shkodër më 2 janar 1948
Sekretari: Sh.Dautaj d.v. Kryetari: M.Bllaci d.v."
"Ditën dhe orën e sipërme trupi gjykues u formua si vijon:
Kryetar Kapiten i I-rë Misto Bllaci, Anëtar N/Toger Anastas Koroveshi, anëtar N/Toger Xhemal Bejtja, duke qenë gati prokurori Kapiten Namik Qemali dhe sekretari i Gjykatës Shaban Qamil Dautaj. U suallën të pandehurit nga burgu. U pyet identiteti i tyre dhe thanë se quhën:
1. Imzot Frano Pjetër Gjini, i biri i Pjetrit dhe i Drandës, vjeç 62, shqiptar, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, me profesion Ipeshkëv, lindur në Shkodër dhe banues në Shkodër, i rreshtuar (i arrestuem) me datën 15 nandor 1946.
2. Don Nikoll Zef Deda, i biri i Zefit dhe i Agës, vjeç 58, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, famullitar, ka vëllaun në burg, një vëlla të ekzekutuar, lindur në Shkodër dhe banues në Hajmel, i rreshtuar me datën 13 tetor 1946.
3. Padër Mati Prennushi, i biri i Kolës dhe i Drandës, vjeç 66, i pa martuar, i pa dënuar, shqiptar, i varfër, prift, ka mbaruar Theollogjinë në Austri, në burg ka nipin e tij Paulin Prennushin, i lindur në Shkodër, i rreshtuar me datën 15 nandor 1946.
4. Don Tom Laca, i biri i Palokës dhe i Drandës, vjeç 51, i pa martuar, i pa dënuar, me gjendje ekonomike të mesme, ka mbaruar Theollogjinë në Romë, me profesion prift, në burg ka djalin e motrës Zef Palin, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 14 tetor 1946.
5. Zef Kol Haxhija, i biri i Kolës dhe i Gjystës, vjeç 58, i martuar me 8 fëmijë, i varfër, ka mbaruar shkollën teknike tregtare, mandej ka vazhduar Gjimnazin Ushtarak turqisht, nga Shkodra, i pa prekur nga reforma, ish deputet, i rreshtuar me datën 20 nandor 1946.
6. Don Ndoc Sahatçija, i biri Rrokut dhe i Nushës, vjeç 41, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, me profesion Ipeshkëv, lindur në Breg të Matës, i rreshtuar me datën 26 qershor 1947.
7. Padër Gjon Karma, i biri i Franos dhe i Dilës, vjeç 52, ka mbaruar Theollogjinë në Austri dhe në Romë, i pa martuar, i pa dënuar, shqiptar, me profesion famullitar, lindur në Gur të Zi, i rreshtuar më 10 nandor 1946.-vdekë 1975 (e shtueme me shkrim dorë data e vdekjes).
8. Don Nikoll Shelqeti, i biri i Hilës dhe i Dilës, vjeç 55, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë dhe Fillozofinë në Austri, me profesion prift e famullitar, lindur në Shelqet, i rreshtuar me datën 20 dhetor 1946.
9. Padër Mëhill Miraj, i biri i Pjetrit dhe i Prendës, vjeç 39, shqiptar, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë në Romë, ish profesor e zëvendës famullitar, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 20 tetor 1946.
10. Zef Gjeto Pëllumbi, i biri i Gjetos dhe i Lukes, vjeç 22, i pa martuar, i pa dënuar, lindur në Bogë të Koplikut dhe banues në Mal të Rrencit të Lezhës, me profesion xhaku, ka krye të tretin kurs Theollogjik, ka të ekzekutuar dajat, Mark Mirin e Zef Mirin, dhe të arratisur djalin e dajës, i varfër, i rreshtuar me datën 15 nandor 1946.
U këndua akt-akuza e Prokurorisë, përmbajtja e së cilës është përshkruar në parathënjen e këtij proçesi.
Prokurori përsëriti akt-akuzën.
U pyet i pandehuri Don Ndoc Sahatçija dhe tha: Pjesërisht akuza është e vërtetë dhe pjesërisht jo. Unë çka kam dijtë dhe çka kam ba i kam thanë në proçes dhe jam dakord me te. Unë kam mbarue theollogjinë e fillozofinë në vitin 1932 në Jezuit... këta edhe si italian punonin edhe në këtë drejtim në favor të Italisë... kemi ba hartime krejt në frymë fashiste, ... Kolegji merrte ... subvensione nga Roma, Ipeshkvija e Vatikani ... Ma parë merrte nga Austrija ... kleri donte influencën e Italisë, dhe kohën e Zogut filloi aktivitet në favor të pregatitjes së terrenit për ardhjen e fashizmit. Nga Papa ka pas ardhë enciklika që fliste për komunizmin ateist .... Në Rusi klasat e ulta e donin këtë regjim ... propaganda që bahej kundër Rusisë nuk ishte e vërtetë. Papa mundohej të shuante komunizmin por kundër fashizmit nuk ishte ... kleri rronte mirë kurse populli vuante ... në kemi ndjekur rrugën me luftuar pushtetin ... Enciklika i ka ardhur Imzot Bumçit, Imzot Gjini ishte zëvendës dhe Imzot Prennushi që mbanin lidhje me Jakomonin, Melonin etj ... me këta lidhej edhe Çiprian Nika, Pal Doda, Anton Harapi, ... që kishin qëllime politike ... asht ba mbledhje si me pritë Italinë ... me Thaçin, Laca, Koliqi, Shestani, Pici, Nika, Zojzi etj ... kemi përkrahur karabinjerinë .... Ne e pritëm mirë Gjermaninë, se kështu na tha Imzot Bumçi ... Kleri ka ndihmuar organizatën trathtare të Ballit Kombëtar, Legalitetin dhe Nacional Indipendentët dhe ka luftuar Lëvizjen N.Çl... që luftonte okupatorin ... kështu kemi vazhdue edhe mbas çlirimit ... dhe kemi punue me zbatue direktivat e Komitetit Demokristjan që asht formue para çlirimit në Shkodër, kjo ka dalë prej Kryesisë së klerit Thaçit e Imzot Gjinit me pjestarë At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Çiprian Nika, Palaj, Laca, etj ...asht formue në kohë të Gjermanisë, ... ka ba mbledhje me civila si Serreqi, Mjeda, Doda ... janë krijue Komitete e nën/komitete, në Lezhë ka ardhë At Mati Prennushi, Çiprian Nika, etj... Bashkimi Shqiptar ka dalë prej Demokristjanës dhe Fausti e Dajani kanë qenë udhëheqës... në Lezhë e ka formue Nën/komitetin Mati Prennushi me antarë Padër Rrok Gurashin, Mëhill Çunin, Ndre Lufin, Koda, Don Lekë Dredhaj etj. ...mbasi do të zbarkojnë Anglo-Amerikanët. Padër Mati Prennushi ka ardhur në Rubik... ku kemi biseduar për të arratisur me Padër Rrokun, Arta, Serreqin, Palaj etj. ku ishte edhe nipi em Zef Mikeli, edhe ky foli kundër Pushtetit... Për në Orosh më ka tregue se kanë ba mbledhje Prenk Lezaj... Në mbledhje në Troshan ka ardhë Imzot Volaj, Nikoll Shelqeti, Gurashi, Dredhaj, Serafin Koda etj... Dul Rrjolli na ka propozue me u marrë me politikë... na ishim kundër Pushtetit... Kishim takime me të arratisun, që ishin mbrapavija e Demokristjanës... Në Orosh më ka thanë Prenk Lezaj se Imzot Gjini ka pasë takime me Mark Gjon Markun... At Mati Prennushi më ka thanë se Shkodra asht e pregatitun... dhe të arratisunit janë ushtri... Në Tiranë kam takue disa herë Don Shtjefën Kurtin... për armët në Kuvend e kam marrë vesh se u gjetën... veprimtarinë teme e quaj trathti, ashtu edhe kleri ka bërë trathti... jam fajtor se jam edukuar kështu.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
U pyet i pandehuri Padër Mëhill Miraj dhe tha: Akuza për mue ka gabime... Nuk kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, mbasi këto janë bërë sekrete... Unë kam bisedue me Padër Gjon Shllakun në fillim të 1945, për me formue një parti Demokristjane... për me marrë pjesë mbrenda Frontit... Kam bisedue edhe me Padër Leon Kabashin për këtë... me Padër Prennushin nuk kam bisedue.... Asht ba një mbledhje me Gac Lecin, Rrok Zojzin, Mark Lecin, Lin Çiurçija e Zef Haxhija, i cili tha se orthodhoksët dhe myslimanët janë bashkue, dhe se juve jeni tue na ngatrrue... Në Vërmosh kam ba dy mbledhje në vitin 1944, pro Prenk Calit... në shtator jam takue me Padër Antonin ...çlirimi më pëlqeu, por si pushtet jo... Nush Radovani më ka thanë se asht antar i Demokristjanës ... Padër Gjoni më ka caktue propagandist mue, Padër Frano Kirin dhe avokat Paulin Palin... ndërsa, prej Paulin Kel Palit mora vesht se asht ba mbledhje tek ai me Nino Kurtin etj. ... me demokristjanën asht kenë kryetar Padër Gjoni ...kam bisedue për këtë edhe me Padër Donat Kurtin ... Me Pashuk Bibën asht takue Padër Leoni dhe Filip Mazrreku ... Muharrem Bajraktari ka emnue komandanta për çdo krahinë... Nik Sokoli ka shkrue katër letra... lidhjet me të i kam pasë prej Kadri Cacës... kam ndi se Frano Kiri ka pasë lidhje me të arratisun... Jam takue me Pal Thanin... Padër Antoni më ka thanë pse nuk më bini mbrapa me më dorëzue, se më shpëtojnë anglo-amerikanët, unë i thashë rueju mos të diktojnë se të mbysin... Jam takue me Kol Ashikun... edhe ky i arratisun ... gjithashtu, punët e klerit janë punë të këqija... Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
U pyet i pandehuri Don Nikoll Shelqeti dhe tha: Akuza nuk më duket e përshtateshme se nuk kam punue për ardhjen e imperializmit italian... nuk kam punue për ardhjen e të huajve... nuk dij të kemi faj politik... edukata që kam marrë asht kenë thjeshtë fetare dhe me politikë nuk jam marrë kurrë... kur Italia zaptoi tokën shqiptare ishte okupatore... por kleri nuk dij se e ka pritur Italinë... me gjerman nuk kisha lidhje, ato rrinin në pyll... aty kishin komandën... unë nuk u trembja nga gjermanët, se nuk kishin çka të më banin mue, vetëm se do të më internonin fundi në Gjermani... për çlirimin e kam pritë mirë, edhe reformat... Kanë ardhë priftën në qelë dhe kemi biseduar si do të vijnë puna me qeveri në të ardhmen por kundër jo... kam bisedue me Don Nikoll Dedën, se po thonë se Gjon Marka Gjoni ka një radio transmetuese... se nuk më kanë ardhur të arratisur... dhe e kam pyet për Pjetër Shan Dedën, por nuk dinte gja ... Me Mark Gjon Markun dhe Lleshin nuk jam takue qysh se kanë dalë në mal... Qelës seme i janë marrë tokat... Nuk jam kenë në lidhje me kërkend kundër pushtetit. Unë kam qenë klerik, por, dukët, se nuk më ka besue kush. Unë kundër Pushtetit nuk kam bisedue as kam punue për kontra tij.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
U pyet i pandehuri Zef Gjeto Pëllumbi dhe tha: Sa për akuzat që më bëhen për mua nuk më përshtaten aspak... kur isha 6 vjeç erdha në Shkodër... me u ba frat... Unë në klasë jam qenë me tre vetë të Lëvizjes N.Çl.... Partinë Komuniste e urrenim... Në shkollë na jepnin edukatë nacionaliste... Aty vinte Ernest Koliqi etj.... simpatizojshe Ballin.... pushteti më pëlqeu, por si Parti Komuniste jo, se kisha fitue urrejtje sidoemos kur më grinë (pushkatuan) dajën Mark Mirin, pa të drejtë mbasi u pushkatue pa gjyq. Kur u gjetën armët në kuvend më vinte keq se u shkatrrua... Me Padër Aleks Baqlin kam biseduar, vetëm ai thoshte ndonjë fjalë kundër pushtetit... edhe me Padër Filip Mazrrekun... kur u vra daja vetë i dheti kam shkrue në ditar kundër pushtetit.. në 1945 kam shkrue "Në qytet bleron pranvera" ... jo politik ... Kur u arrestue Padër Donati, më ka thanë Padër Baqli se asht arrestue se ka grisë një gazetë muri....Padër Aleksi e Filipi thonin fjalë kundër oficerava, se janë pa shkollë... Padër Augustini fliste kundër pushtetit dhe punës vullnetare... kur asht ekzekutuar Padër Gjoni mua më asht dhimtë... kur asht arrestue Padër Leon Kabashi, padër Baqli më tha se ka takuar Pashuk Bibën... Zarfin me dokumenta që më kishte dhanë Padër Palaj e mëshefa dhe kur erdhi Dul Rrjolli i kam treguar të gjitha vendet... Dhomën e At Bernardin Demës e ka çelur Ndoc Vasili... për me marrë libra... Armët nuk i kam mëshehur unë, por fretnit i kishin mëshefur, gjithashtu dhe dokumentët, dhe përgjegjës ka qenë Çiprian Nika. Dokumentët e Gjonit të Marka Gjonit ishin mëshef në mes të Kishës, dhe këto dokumente i donin për histori. Në Kuvend kam ndigjue se Padër Gjoni ka shkue me një Anglez tek Nigris. Veprimtarinë teme, nji këto gabime të vogla të pa çfaqura, këto janë faje, por Padër Donat Kurti dhe Padër Baqli na epnin edukatë kundra Lëvizjes N.Çl.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
U pyet i pandehuri Padër Gjon Karma dhe tha: Për sa dij unë akuza nuk asht e vërtetë. Unë nuk kam pasë dijeni as që kam punue për ardhjen e fashizmit, por e kam urrejtur dhe kur ka ardhur e kam pritur me keqardhje... Isha misionar shëtitës nga 1930 deri në vitin 1943... kam dalë me folë për Fenë e Krishtit. Padër Anton Harapi nxori leje të posaçme nga Vatikani dhe u fut në Regjencë... në kuvend ka ardhë një kapiten Anticho, por nuk dij se kush kishte lidhje me të... Enciklikën nuk e kam punue se atëherë në Shqipni komunizmit nuk i ndihej era... tek Lëvizja nuk kam parë rrezik as që kam predikuar kundër saj, as kundër Partisë Komuniste. Në mbarim të 1943 më ngarkuan detyrën e Rektorit, i pari kolegjit për shkak se kisha treguar aktivitet fetar... Unë kam mësue edukatën fashiste... tek Hausdingu s'kam shkuar asnjëherë përkthyes me Nigris. Asht e vërtetë se vetëm në kuvendin tonë dhe të fretënve hynë ushtritë gjermane. Nga detyra e Rektorit u pushova kur erdhi Padër Fausti, se kisha disiplinë të rrebtë me xhakoj... unë lidhje me Misionet nuk kam pasë... tek Padër Fausti nuk i kam parë ndonjë shenj kundër Pushtetit dhe nuk dij gja ... nuk kam propaganduar ndër xhakoj... ne na ishte prishë qejfi pak se shkruanin në dyert e kishave drapër e çekanin ... edhe në Itali kam parë të shkruar në kisha Sopatën e Duçes... Për Organizatën "Bashkimi Shqiptar" nuk kam pasë dijeni përveç se kur doli në gjyq. Përsa thonë xhakojt Gjon Shllaku, Preng Lezaj etj. që unë kam qenë inspirues dhe organizator i "Bashkimit Shqiptar", nuk asht e vërtetë. Votimet e 2 dhetorit nuk i kemi sabotuar... ka ardhë Dom Shtjefën Kurti me rregullue çështjet e klerikëve për votime, me lanë çdo njeri të lirë por, jo, nga pjestarët e klerit ose për me votue në kutinë boshe... Për organizatën Demokristjane e kam dëgjuar në gazetë por nuk kam qenë antar. Nuk asht e vërtetë që të kem pasë lidhje me Misionet e huaja dhe as kemi punuar për kryengritje dhe as për lidhje me të arratisurit. Për ngjarjen e 9 shtatorit nuk kam dijtë kurrgja. Me Mark Gjon Markun nuk kam pasë lidhje as i kam dërgue letra, si thotë Preng Lezaj, mbasi unë nuk i kam dashtë ata si familje. Nuk asht e vërtetë që të kem qenë aktiv kundra Pushtetit dhe kundra interesave të popullit.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
U pyet i pandehuri Don Nikoll Deda dhe tha: Në atë formë që asht trajtue akuza nuk asht e vërtetë. Nuk asht asgja e vërtetë... qysh në 1930 jam kenë famullitar në Hajmel. Meshtar jam qysh në vitin 1914... kleri ka marrë subvencione nga Austria, nga Zogu dhe Italia... edhe unë kam marrë nga Zogu, Jugosllavia, por spijun nuk kam qenë por zogist kam qenë. Nuk kam qenë agjent i imperializmit jugosllav dhe as kam punuar për ardhjen e fashizmit ... Jakomonin etj. i kam njohur se u kam kërkuar subvencion për të rregulluar ndërtesat e kishës... me Zogun më mori rryma se desht me më zanë Mustafa Kruja... tek Zogu shkoja se isha i partisë së tij... kur u ba lëvizja e Dukagjinit... organizator ishte Don Loro Caka... ardhjen e fashizmit e kam quejt si akrobaci të Musolinit dhe m'u duk i keq... në karabinjeri shkoja se hajnat filluan me vjellë famullitë... Unë nuk dij se ka punuar për fashizmin kleri katolik... 30 e sa armë i janë dhanë popullit për me i përdorë kundër hajnave... por jo kundër Lëvizjes N.Çl. Armët ia kam dorëzue Bib Rrokut... më kanë ardhë në qelë oficera gjerman e italian, por i kam pritë e përcjellë si shqiptar... Kam takue Padër Antonin në Regjencë për sulmin që më bëri Myslim Bejgora me kosovarë. Padër Antoni nuk dij në se ka qenë kriminel i popullit, por mbas proçeseve ashtu kemi ndigjue, dhe proçeset janë simbas punës që ka bërë. Pëlqimi i Padër Antonit për në Regjencë ka ardhur nga Selia Shenjte dhe eprorët e tij, me ndërmjetësinë e Gjermanit dhe të Mehdi Frashërit ... Mbas çlirimit takime përsonale nuk kam bërë me njeri... nuk kam kenë fashist këmishzi... Kam kenë shumë herë tek Pjetër Deda, i cili asht arratisë se ishte fajtor... kam qenë dy herë në mbledhje... ka qenë Simon Darragjati, Karlo Pistulli dhe ca Vukatanas, dhe Pjetri fliste me i ra burgut e me nxjerrë të burgosunit dhe me nisë lëvizje kundër Qeverisë. Në mbledhjen e dytë që asht ba në shtëpinë e Cin Serreqit kanë ndodhur Gjoni e Cin Serreqi, Caf Dragusha, Guljelm Suma, dhe do elementa të tjerë që nuk i njoha. Në këtë mbledhje u bisedue me formue një organizatë kundër Qeverisë, por mbështetjen se ku e kishin nuk e dij. Unë kam marrë pjesë rastësisht në këto mbledhje, mbasi shkova në shtëpi të Pjetrit dhe familja më tha se asht tek Cin Serreqi dhe kështu shkova fill atje ... nuk dij për sektor pune dhe për të arratisur... Për sulmin e 9 shtatorit nuk kam bisedue as kam qenë i deleguem nga kleri për të marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë qenë në mbledhje. Unë nuk e dija se asht formuar demokristjania dhe kam shkue vetë tek Pjetri e Cini, pa më thirrë njeri. Unë këto mbledhje i quaja fantazira dhe se janë me rrezik se nuk bahët kurrgja, nuk ma priste mendja. Nuk lajmërova qeverinë se nuk kam qenë hafieja e kurrkujt, se mejtova se nuk bëhët gjë. Për përpjekjen e 9 shtatorit nuk kam dijt kurrgja, por kur u ba e mora vesh se e kish bërë Kazazi. Unë veprimtarinë teme nuk e quaj trathti, nuk kam qenë armik i popullit, as vegël e të huajt.
U pyet i pandehuri Padër Mati Prennushi dhe tha: Akuza nuk është e vërtetë. Jam meshtar qysh në vitin 1904... famullitar në Kastrat jam qenë 15 vjet rresht... ndihmat nga Austria dhe Italia jepëshin për ndihmën e kultit dhe shkojshin në favor të kuvendit dhe të përsonit... nuk kam qenë në shërbim të fashizmit as kam punuar për të, dhe nuk kam dijtë kurrgjë. Më 14 qershor 1944 jam emruar Provinçial në vend të Padër Antonit. Kur erdhi Italia sikur na ra rrëfeja dhe kam kja me lot, por unë nuk kam ba kurrgja. Meloni dhe Jachomoni kanë ardhë kur jam ba Provinçial, mbasi kam qenë qysh në 1941 në Tiranë me shërbim e më ka takue rasti të takohesha me ta. Subvencion më kanë dhënë po pa kurrnjë konditë... kam njohur gjeneral Nuçin por mardhënje politike nuk kam pasë. Kol Bibën e kam njohur më parë por nuk kam punuar me te për ardhjen e fashizmit, gjithashtu edhe Ernest Koliqin, por çështje politike nuk kam fjalosur me to. Tek Jakomoni kam shkuar për vizitë në Pallat se na grishte, kam shkuar si superior i kuvendit dhe i bënim urime për Shqipni. Me Melonin jam njohur por takime nuk kam pasur. Iljaz Agushin, Papa Lilon e të tjerë i kam njohur në Tiranë, megjithatë Papa Lilon e kam njohur dhe më parë, kam pasë shkuarje, por mardhënje politike jo. Ai ishte në shërbim të italianëve. Unë nuk dij se kush ka punuar nga kleri për okupimin e Shqipnisë. Padër Palaj e Padër Gjergj Fishta kanë qenë italo-fila. Në kohën e Italisë kemi punuar për të këthyer orthodoksët në katolikë... por unë nuk dij se ka pasë qëllime politike, për këtë ka qenë i ngarkuar Delegati Apostolik, në vende të ndryshme shkonte ai vetë. Padër Karma shkonte për predikime ku kanë qenë katolik. Na kishim përfitim shpirtnor... Në Tiranë kam qenë në 1941, përpara kësaj date kam qenë në Gomsiqe dhe në Bërdicë. Nuk kam predikuar për të shtuar radhët e fashizmit, në Tiranë kam qëndruar deri në vitin 1944. Nuk më ka ardhë keq për kapitullimin e Italisë. Mbas kapitullimit të Italisë ka hy Gjermania dhe ma vonë kam njohur gjeneralin Vistull në Tiranë, këtu kam njohur Hausdingun, tek i cili kam shkuar 4-5 herë për të shpëtuar njerëz, por nuk kam shkuar për spijunllëqe dhe nuk kam marrë pare nga Gjenerali Vistull... Me majorin gjerman që asht vra e që ka qenë tek Hausdingu jam njohur por mardhënje politike nuk kam pasur me të. Lëvizjen Nacional Çliririmtare e doja se luftonin kundër okupatorit. Komunizmin e kam urryer... Ball e Legalitet kishte por nuk jam marrë me to... Kleri, unë e dij se nuk ka punuar me okupatorin. Padër Anton Harapi ish Regjent Shqiptar dhe njëfarë Shqipnije ishte sa me i thanë Shqipni. Unë nuk dij se çka ka punuar ai me okupatorin dhe as më bie ndër mend, por Padër Antoni është munduar çka ka muejt me ba e ka ba. Me Padër Antonin politikisht nuk kam punuar... kur u ba Regjent ka ardhë në një mbledhje në Shkodër, në "Rozafat", për mos me hy komunistat në qytet, ... unë nuk kam folë, as kam aprovue as disaprovue... Aty vetëm Prenkë Cali me disa malësorë të tjerë tha hapët se ju qytetarët kini vetëm fjalë, dhe nga ne kërkoni gjithnji punën. Ne na kini lanë mbas dore, ne na thirrni kur keni punë me ba. Çfarë vëndimesh u morën aty nuk më kujtohet... Me Padër Antonin nuk kam bërë mbledhje. Nuk dij që kleri të ketë punuar për të organizue forca kundër L.N.Çl. pse unë vetë nuk kam punue. Për armën e gjatë që është gjetur në tavanin e kishës në një birë murit, unë nuk di gja fare se kush e ka mëshef, kurse librat që janë gjetur në tavanin e korit të kishës si dhe nën elterin e Shna Ndout, janë futur prej shumë pjestarëve të këtij kuvendi, përposë meje që nuk kam dijtë se janë...
Me Mehdi Frasherin, Lef Nosin, Brahim Biçakun jam njohur dhe kanë ardhë në kuvend... këta ishin Regjenta... Lef Nosi shkoi në Dukagjin e Mehdi Frashëri në Gjermani, kurse Ibrahim Biçaku nuk dij gja. Tek Mato Murati kam shkuar një herë, por ai nuk ka ardhë në kuvend. Nuk asht e vërtetë që i kam çuar informata. Me Javer Rushitin jam njohur ma parë e Nën/Kolonel Garxholen jam njohur si shkodranë... Kur ishte në arrati Kol Ashiku më kërkonte lajme, por nuk i kam çue... një plakë që kishte djalin me Kol Ashikun më ka ardhë e i kam dhanë 4 napolona letër... mbas çlirimit nuk kam treguar aktivitet kundër Pushtetit. Mbledhje në Kuvend me karakter politik nuk kam bërë... Provokacionet greke i kam quajtur të rrezikshme... Padrejtësitë e Konferencës së Paqës i kam pritur keq. Nuk asht e vërtetë se kam sabotuar votat e dhjetorit 1945, unë nuk kam votuar... Kemi bërë mbledhje në Argjipeshkvi, ku ka marrë pjesë Monsinjor Thaçi, Gjini, Volaj, Pal Doda, Fausti, Dajani dhe unë, biseduam për punë të xhakojve nëse duhej të votonin dhe vendosëm të mos votonin, se disiplina e mbrendëshme nuk i lejonte... Në Seminar ka qenë Padër Gjon Shllaku, Padër Nika... etj. por nuk dij se jepnin edukate fashiste. Tjetër mbledhje nuk kemi bërë. Në Tiranë kam shkue me kontrollue Ipeshkvinë, por mbledhje nuk kemi bërë. Në Durrës nuk kam shkue, por në Tiranë jemi kenë në qelë ku lypëm takim me Kryetarin e Qeverisë, por nuk na pranoi. Memorandum bamë por nuk e çuam, as që dij në se e ka çuar Don Shtjefën Kurti, por mbi qeverinë nuk dij gja se asht shkrue, por për çështje të shkollave që na u mbyllën asht ba memorandumi. Delegat Apostolik ka qenë Monsinjor Nigris, zëvendës më vonë ka qenë Monsinjor Gjini, por nuk dij se si korespondonin me Vatikanin, por në kjoftëse nëpërmjet Misjoneve të hueja... Me Loro Kurbinin nuk kam biseduar çështje politike... Më 12 tetor 1945 kam shkuar në Lezhë, ... kam qenë edhe në Troshan, por nuk kam dhënë instruksione për mos me marrë pjesë në qeveri. Për organizatën Demokristjane nuk dij kurrgja. Nuk kemi formuar Komitete e N/Komitete, as kemi bërë mbledhje dhe as që asht përmendur.
I pandehuri Ndoc Sahatçija tha: Ky ka mbajtë fjalim për sabotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit dhe për me kundërshtuar Reformat e me krijuar Komitete.
I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Kjo asht nji shpifje, unë nuk dij gja... Dokumentat e municioni që janë gjetë në Kuvend i kam parë kur i kanë gjetë dhe, kanë qenë katër pesë pushkë, do gypa me maskë, revolver, pushka automatike, fishekë dhe të tjera, edhe disa bombe të çartuna. Për dokumentat më kanë kallxue, se këto i ka pasë marrë Padër Pal Doda e Padër Çiprian Nika, këto vareshin prej meje, por unë e mora vesht kur ka ndodhë kjo, nuk ma priste mendja se janë ruajtur, i dija të djeguna... Koresponendencë me të arratisur nuk kam pasë dhe nuk i kam konsideruar si ushtri të Demokristjanës të arratisurit. Me Anglo-Amerikan nuk kam pasur lidhje. Në Komitetin e Përbashkët nuk kam qenë antar as kam ftuar njëri për të marrë pjesë. Kur është bërë ngjarja e 9 shtatorit kam ndodhur në Troshan dhe atje e mora vesh. Veprimtarinë time nuk e konsideroj kurrë trathti.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
U pyet i pandehuri Monsinjor Frano Gjini dhe tha: Akuza ka disa të teprueme, por ka disa që i kemi ba. Se kam marrë pare asht e vërtetë, se kam propaganduar për fashizmin jo. Para çlirimit nuk kam punuar për prëgatitjen e terrenit për ardhjen e fashizmit... kam qenë me shërbim në Kurbin, Derven, Durrës, Shna Premte, Perlat, dhe qysh prej 1930 jam Ipeshkëv i Mirditës. Regjent i Delegacionit Apostolik jam emruar në nandor të vitit 1945. Miqësi përsonale me Zogun nuk kam pasë, .... Subvencion nga Austria kemi marrë, pastaj u shkëputëm mbasi ajo humbi luftën dhe u lidhëm me Italinë. Për ardhjen e Italisë nuk kam dijtë gja, as që kam punuar... ardhjen e fashizmit e kam marrë vesh më 5 prill 1939, por më parë nuk dija. Me datën 6 prill në Kishë i kam thënë popullit se kush trathton Atdheun trathton vedin. Ditën që erdhi Italia isha në Shkodër... Me Melonin jam njohur qysh në vitin 1920, por nuk kam pasë lidhje politike me té. Enciklika e Papës ka ardhë në 1936, Ipeshkëv ka qenë Thaçi. Unë varësha nga Delegati Apostolik, ai ma dërgoi për ta punuar, por unë nuk urdhërova ta punonin se atje atëherë nuk ndihësh fare komunizmi. Marksizmi nuk njeh gjë tjetër përveç çfarë sheh e prekë me dorë, Zot e Fé nuk njeh. Ne luftojmë ateizmin. ... Nuk është e vërtetë që të kem qenë agjent i Zogut dhe i Jukës... Don Lazër Shantoja dhe Padër Bernardin Palaj kanë simpatizuar Italinë... gjatë kohës së fashizmit nuk kam dhënë asnjë kontribut në favor të tyre. Unë popullit i kam treguar se nuk jam i kënaqur dhe nuk kam punuar për fashizmin, as për Ballin as për Legalitetin.....Nuk kam pasur lidhje me Mark Gjon Markun dhe me as njeri tjetër. Gjatë okupacionit italian kemi bërë mbledhje në Argjipeshkvi dhe Thaçi tha, të bënim telegram dhe i dërguam dhe një delegacion në Tiranë për t'i shfaqur urimet Luogotenencës dhe në këtë komision isha dhe unë. Kjo ka ngjarë mbas 22 ditësh që kish hyrë Italia. Në komision kanë qenë përsonat që shënohen në proçesin hetimor. Kemi bërë edhe mbledhje tjera, por vëndime politike nuk kemi marrë. Padër Fausti tha të ja dorëzojmë administratën shqiptarëve dhe e mori Padër Karma... Unë shpirtnisht e urreja Italinë fashiste. Italia më ka dhënë dekoratën e Urdhërit të Skënderbeut... dhe Thaçit e Volaj. Kapitullimin e Italisë nuk e pritëm me keqardhje, por ardhjën e Italisë e Gjermanisë e pritëm keq. Kleri sipas mendimit tem nuk ka punuar me Gjermanët. Padër Antoni bashkëpunonte me okupatorë... Unë nuk kam qenë i lidhur me Gjermanët as me Anglezët... Një kolonel anglez i plagosur në dorë ka pas ardhur në qelë dhe e kishte pritë prifti, se unë isha në Lezhë, dhe i kish thënë për zbarkimin Anglo-Amerikan në Francë, por jo në Shqipëri... Lëvizjen N.Çl. për nxjerrjen e okupatorit jashtë e pëlqeja, por dija se mbrenda kish edhe komunista dhe si doktrinë e urreja komunizmin si ateiste. Në Orosh kam qëndruar deri në dhjetor 1945 kur u bëra Regjent. Thaçi vdiq më 26 maj 1946, kur unë isha Regjent Apostolik. Organizatën Demokristjane e kam ndier me anë të radios, por unë nuk kam bërë pjesë, as kam bërë mbledhje për Demokristjane, mbasi unë nuk dij gjë fare. Nuk kam krijuar Komitete e N/Komitete të Demokristjanës. Në Rubik kam shkuar tre herë, në mbarim të frorit 1946, në maji 1946 dhe 27 gusht 1946, ka qenë dhe Bernardin Palaj dhe Gurashi, por bisedime politike nuk kemi bërë. Zef Haxhinë nuk e njoh. Në lidhje me çështjet politike i kam biseduar unë Gurashit për disa fshatarë e puntorë se, pse punojnë ditën e diele dhe ai më tha se janë fukara. Për zbarkim të Anglo-Amerikanëve kemi folë mbasi më ka pyetur ai, por me kriminela jo. Ballafaqim me Gurashin kam bërë, por nuk janë të vërteta. Prenk Lezajn e kam pasë në famulli dhe mbas këtij kam pasë Gjon Hotin. Ata që thotë Prenk Lezaj nuk janë të vërteta, ku asht kundërshtar i yni. Mbledhje nuk kemi bërë kundër Pushtetit. Më 25 shkurt 1946, i kam dërguar një letër me postë Nuncit të Parisit në Francë, dhe ai me e dërguar në Romë (mbasi ne nuk kishim lidhje postare me Italinë) ku, kam kërkuar zëvendsimin tim nga Vatikani, se nuk isha për këtë punë, mbasi nuk më ka pranuar Pushteti. E kam pyetur Vatikanin, se a doni ti qëndroni kanunit të Kishës, artikullit 432, si dhe për meshët e të vdekurve. Nuk asht e vërtetë se kam shkrue gjëra politike. Këtë kërkesë ia kam paraqitur vetëm Vatikanit dhe jo Anglo-Amerikanëve. U kam shkruar famullitarëve të mos përzihën me politikë. Në Kallmet ka ardhur Dul Rrjolli dhe kam qenë me famullitarë dhe u kam thënë të mos marrin pjesë në Pushtet pa lejën teme. Për Organizatën "Bashkimi Shqiptar" nuk kam dijeni. Nuk dij gjë për Komitetet e Demokristjanes, as për Komitetin e Përbashkët. ... Prenk Lezaj ka qëndruar 15 ditë dhe takim me të arratisur nuk kam bërë. Nuk kam punuar kundër Pushtetit as kam përmend zbarkim Anglo-Amerikan. Për votimet e 2 dhjetorit kam thënë, atje ku ësht populli jam edhe unë, por, nuk kam votuar. Ngjarjën e 9 shtatorit nuk dij gjë.
I pandehuri Ndoc Sahatçija tha: Prenk Lezaj më ka thënë se është takuar me të arratisur dhe kishin bërë mbledhje në Mal të Oroshit.
I pandehuri Monsinjor Frano Gjini tha: Unë nuk dij gja as kam marrë pjesë. Padër Karma më ka thanë a don me qitë xhakoj për verim dhe i kam thënë mbaji aty. Frrok Dedën nga Fani e kam pasur shërbëtor. Dom Mark Xhanin nuk e kam çuar gjëkundi.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
Ju kënduan ballafaqimët dhe i mohoi.
U pyet i pandehuri Don Tom Laca dhe tha: Unë nuk jam përzier kurrë me politikë. Organizatën Demokristjane së pari e kam ndier kur është bërë gjyqi. Fakultetin e Teologjisë e kam mbaruar në Romë. Me qeverinë e Zogut nuk kam pasë bashkëpunim... unë nuk kam punuar për fashizmin as për gjermanët. Për klerin nuk dij gja. Unë kur ka takue rasti kam ndihmue Lëvizjen N.Çl. si Gac Mazin etj. Shoqnitë Antonjane e të tjera kanë qenë fetare, por ndonjëra prej këtyre ka punuar për punë politike por unë vetë, jo. Unë kam qenë sekretar i Argjipeshkvit në vitin 1945, ... ësht bërë një mbledhje në Argjipeshkvi (unë nuk kam qenë), kishte marrë pjesë Thaçi me disa civilë, Guljelm Suma, Cin Serreqi etj. për të mbrojtur kufijt e Jugosllavisë. Nuk kemi bërë mbledhje kundra L.N.Çl. unë dij se asht bërë edhe një mbledhje tjetër për çështje të Prefektit të Shkodrës, por për Komitet nuk dij gjë. Me gjerman nuk kam bashkpunuar dhe Organizatën "Bashkimi Shqiptar"e kam marrë vesh në radio. Kur asht ba mbledhja për dërgimin e Padër Antonit në Regjencë nuk kam qenë dhe as më ka pyetur njeri. Nuk kam bërë propagandë as kam shkruar për fashizmin. Çlirimi i Shqipërisë më pëlqeu. Mbledhje për Organizatën Demokristjane nuk kemi bërë, dhe në shtëpi të Pjetër Shan Dedës nuk kam qenë, përveç se kur i ka vdekur i vëllai kam shkuar me Monsinjor Thaçin. Nuk kam qenë armik i Pushtetit dhe i popullit, as kam organizuar organizata kundër Pushtetit, nuk kam folur për zbarkim as kam komentuar radiot e huaja. Nuk asht e vërtetë që të kemi pregatitur 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin. Letra Vatikanit me anën time nuk i është dërguar asnjë, mbasi unë nuk dij gjë. Nuk i kemi dhënë Don Shtjefën Kurtit letra për Misionët e huaja. Jam ballafaquar me Cin Serreqin, por ndonjë mbledhje nuk kam ba, kjo nuk asht e vërtetë, mbasi unë mbledhjen e kam gjetë të kryeme. Për kundra L.N.Çl. nuk kemi biseduar dhe as që kemi vëndosur që ta luftojmë deri në fund. Mbas çlirimit nuk jam takuar me njeri, as me Abdyl Kokoshin as me Uan Filipin, gjithashtu nuk kam takuar as Kolec Dedën, dhe as që kam biseduar gjë me té. Asnjë mbledhje nuk kam bërë dhe as më ka thirrur njeri. Me Pal Dodën jam ballafaquar por nuk është e vërtetë, nuk dij pse thotë ai, sepse, unë nuk kam folë çështje politike me té. Për Sadik Ramën nuk kam folur gjë. Për Delegatin Apostolik, se do të vinte nga Amerika e kam ndigjue nga radio Vatikani. Për çështje të votimeve nuk kemi bërë mbledhje as që kemi vendos ti sabotonim. Me Dom Mark Hasin jam ballafaquar dhe i kam treguar për një letër të Monsinjor Gjinit, por jo për gjëra të tjera. Nuk kam qenë armik i Pushtetit dhe nuk kam bërë gjë.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
U pyet i pandehuri Zef Haxhija dhe tha: Jam i pafajshëm ... Jam qenë Konsull Nderi i Çekosllovakisë pa rrogë... Kam qenë Konsull Nderi dhe jo agjent. Dragoman kam qenë në Konsullaten Hungareze por jo spijun. Fashizmin e kam pritur keq... Në aksionin katolik kam qenë Kryetar i grupit të burrave. Veprimi Katolik ishte thjesht fetar dhe drejtimin e kishte Don Mikeli dhe Don Zef Shestani, që sot njeri është në burg dhe tjetri i arratisur. Luftën N.Çl. gjatë okupacionit e kam pritur shumë mirë dhe kam aderuar, kam mbledhur ndihma për té. Gjermaninë e kam pritur keq. Melonin e kam njohur si koleg konsull... dij se kleri merrte subvencion nga Austria dhe se ka pasë punë drejt për drejt me konsullin. Nuk kam qenë antar i Demokristjanës as ma ka përmend kush dhe as që kemi bërë mbledhje. Fillë mbas çlirimit jam emruar antar i Komitetit të Qarkut dhe në Front të Qarkut dhe ma në fund në Asamble... se jam i sëmurë i kam thënë Zija Dibrës, por nuk u muar para syshë... mbasi u sëmura u këtheva në Shkodër dhe menjëherë dhashë dorëheqjën... Unë nuk kam marrë pjesë në mbledhje që janë bërë. Me Volaj jam ballafaquar, por nuk kam qenë antar i Demokristjanës, por ata që kanë thënë për mua e kanë gabim. Nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Enciklikën e Papës ma ka kënduar Don Mikeli, por nuk e kemi punuar... Me Kol Prelën nuk kam pasë lidhje. Për ngjarjen e 9 shtatorit e kam marrë vesh në nesre si gjithë bota.
Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.
Vëndim: Tue marrë parasysh kërkesën e Prokurorit u vëndos referimi i aktëve të Prokurorisë për shqyrtim dhe për të bërë pretencën e fundit gjyqi u la për datën 8 janar 1948, ditën e ejte, ora 9 para dreke.
Shkodër, më 7 janar 1948.
Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (firmat)".
Deri këtu vazhdon dosja faqe nr. 25.
Vendët ku shihni pika (...) nuk kam shkrue përsëritjet e disa thanjëve që më janë dukë pa rëndësi për çështjen, mbasi si duket trupi gjykues për me mujtë me zanë në gabim të pandehurin ka përsëritë një pyetje disa herë. Nuk kam përsëritë edhe shpjegimet biografike të bame në fillim të gjyqit, mbasi janë shkrue sa asht paraqitë përsoni para trupit gjykues. Po përsërisë se nuk kam ba ndryshime në tekst prej origjinalit, madje, as dialektin, sëpse, origjinali i të folunit nuk ka sesi me kenë tosknisht. Ka në ndonjë rasë përzimje dialektësh, mbasi sekretari si dukët nuk e ka njohtë gegënishtën. Nuk kam mujtë me gjetë shtremnime mendimesh me dashje në proçes-verbal. Përsëris: Shkrimet me shkronja ma të forta janë të mijat. Nënvizimet janë të origjinalit.
PJESA E DYTË
Pretenca e Prokurorit: 8 janar 1946, ditë e enjte, në ora 9.00 para dreke, u sollën të pandehurit nga burgu, u formua trupi gjykues si më parë, duke qenë gati: Prokurori Kapiten Namik Qemali dhe sekretari Shaban Dautaj. Prokurori bëri pretencën me shkrim dhe, përfundimisht kërkoi që të pandehurit të cilësohën fajtor si mbas nenit 2, 3 të pikës 1, 2, 7, 8, 14, të ligjës Nr. 372, dhe në bazë të nenit 4 po të kësaj ligje kërkoi dënimin e të pandehurve si vijon:
1. Për Monsinjor Frano Gjinin, Don Nikoll Dedën, Padër Mati Prennushin dhe Don Tom Lacën, me vdekje.
2. Për Padër Gjon Karmën me 20 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
3. Për Don Ndoc Sahatçinë me 15 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
4. Për Padër Mëhill Miraj me 10 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
5. Për të pandehurin Zef Haxhija dhe Don Nikoll Shelqeti, me nga 5 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
6. Për të pandehurin Zef Pëllumbi me 3 vjet privim lirije e punë të detyruar.
U pyetën të pandehurit për herën e fundit me radhë:
I pandehuri Padër Mëhill Miraj tha: Unë e kam thënë në proçes. Vendimit i rrij, por kam ndihmuar partizanët jugosllavë e shqiptarë dhe ndër shumë raste të tjera kam dhënë ndihma njerëzve të Lëvizjes N.Çl. tjetër nuk kam për të thënë.
I pandehuri Don Nikoll Shelqeti tha: Para Perëndisë e robit nuk jam për një dënim të tillë, se nuk kam, se nuk kam ba gja, por përkundrazi njerëzve të Lëvizjes N.Çl. i kam udhëheqë e ndihmue dhe kam predikue në favor të qeverisë.
I pandehuri Zef Pëllumbi tha: Njato shkrime që kam ba, por jo për propagandë dhe nuk i kam sjellë dëm as pushtetit, dhe lypi mëshirë.
I pandehuri Zef Haxhija tha: Më vjen shumë keq të pësoj një të vogël dënim për një akuzë të Demokristjanës, që unë nuk kam qënë, por vetëm jam viktimë e Gjergj Volajt, por nuk kam pasë pjesë, prandaj kërkoj pafajsinë.
I pandehuri Don Ndoc Sahatçija tha: Vendimi i drejtë dhe i lehtë, se ndoshta është marrë parasyshë edhe sinqeriteti im para gjyqit, por shumë partizanë si Ndoc Mazi e Gjulbegu kanë pasë bazat tek mua, dhe mbas çlirimit kam inkurajuar punët vullnetare e parimët e sistemit të rij, me gjithë se neve kemi bërë edhe agjitacion të kundërt. I kam ofrue oficerave të Lëvizjes strehim e ushqim e pritje. Kërkoj mëshirë dhe lehtësim me qenë e mundur.
I pandehuri Padër Gjon Karma tha: Sikur kam diftue edhe në proçes dhe para gjyqit, nuk dij se kam ba veprim kundra Pushtetit. Kur më ka rënë rasti për të folur për pushtet kam folur në favor, (kam predikuar për té). Nuk kam sabotuar reformat, përkundrazi e kam këshillue popullin të shkojë në punën e vetë. Tash gjyqi rroftë e vendimit duhet me i ndejë.
I pandehuri Don Tom Laca tha: Unë nuk jam përzier kurrë në politikë. Unë jam tepër i befasuem që të kem qenë në Demokristjane. Unë së pari e kam ndier atë emër kur u bë gjyqi. Unë nuk kam ba gja kundra Shtetit e popullit. Kur me ka rënë rasti kemi ndihmuar njerëzit e Lëvizjes N.Çl. Unë nuk kam dijtë kurrgjë për Komitet se nuk kam pasë as prirje dhe ky ndëshkim asht i tepërt, lyp mëshirë.
I pandehuri Don Nikoll Deda tha: Më duket mue ndëshkimi i prokurorit i rëndë, përveç mbledhjes rastësisht tek Pjetër Deda e Cin Serreqi tjetër nuk kam bërë, thashë këto kanë qenë të rastit. Subvencionët i kam marrë me titullin "Ndihmë". Pregatitja e terrenit për ardhjen e Italisë nga unë ose nga kleri nuk është e vërtetë, as për fashistizimin e popullit. Unë kam shkue tek Jakomoni e të tjetrë, me lyp ndihma për ngritjen e Kishës. Nuk kam qenë i lidhur me gjermanë, por u kam dhënë bukë e streh njerëzve të Lëvizjës N.Çl. por edhe gjermanëve për hospitalitet si shqiptar. Unë nuk e konsideroj vetën fajtor. Rroftë Shqipëria. Me dashtë Zotin mbi gjithshka dhe shokun si vedin.
I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Unë nuk kam pasë dijeni për Parti Demokristjane. Sa për kundra Pushtetit jam krejt i bindur se nuk kam bërë asgjë, por ndihma i kam dhënë njerëzve të Lëvizjes N.Çl. dhe i kam strehue si: Injac Ndojën e Çesk Kabashin, i kam mbajtë një muej në Kuvend, po të isha kundra nuk e çaja kokën kurrë. Nuk kam dhënë asnjë direktivë ose udhëzim kundra Pushtetit, po të dalë një jam gati. E ndiej vetën të pafajshëm. Rroftë Shqipnia e Shqiptarët! Dhe në deksha unë nuk prishë punë. E dij se jam i pafajshëm.
I pandehuri Monsinjor Frano Gjini tha: Dëshmia e Preng Lezajt asht falso, se nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë edhe ajo e Padër Gurashit që ti kem thënë unë me ba sabotime në punëtori, por vetëm i kam thënë se pse punojnë të dielat që janë ditë feste. Për Demokristjanën nuk dij gjë për té, as për program as që kam qenë pjestar i saj. Sa për ndihmën e luftës N.Çl. është e vërtetë se nuk kam ndihmue, se kam pasë mbi krye Gjon Markagjonin. Mbas shlirimit kam strehue dhe ushqyer tre batalione ushtarë të luftës N.Çl. përveç, ekipeve të ndryshme. Nuk kuptoj kërkesën e prokurorit, sikurse unë kam kenë krejt organizator. Sa për Don Sahatçinë që thotë për mue, ky thotë kot. Katundarin e kam mallkuar në bazë të Statutit Kishtar se kishte marrë tokën e Kishës, dhe kur është bërë ligja nuk kam folë por i kam denoncuar të gjitha, edhe ullinjtë. Nuk kam sabotuar Pushtetin.
Gjykata deklaroi këtë:
NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR:
Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës i formuar me:
Kryetar Kapiten i I-rë Misto Bllaci,
Anëtar N/Toger Anastas Koroveshi,
Anëtar N/Toger Xhemal Bejtja,
Duke qenë gati Prokurori, Kapiten Namik Qemali dhe Sekretari, Shaban Qamil Dautaj.
Në audiencën publike me datën 8 janar 1948, ka dhënë këtë:
V E N D I M
Në çështjen penale të rregjistruar nën Nr. 17 të Radhorit Themelor për vitin 1948, kundra:
1. Monsinjor Frano Pjetër Gjini, 2. Don Nikoll Zef Deda, 3. Padër Mati Prennushi,
4. Don Tom Laca, 5. Zef Kol Haxhija, 6. Don Ndoc Sahatçija, 7. Padër Gjon Karma,
8. Don Nikoll Shelqeti, 9. Padër Mëhill Miraj dhe 10. Zef Gjeto Pëllumbi ..."
Për secilin Kryetari i trupit Gjykues, përsëritë ato pak rreshta të fillimit me të dhanat e shkurta biografike. Mandej vazhdon me shpjegimin e "faktëve" mbi të cilat asht bazue me dhanë vendimin. Si pretenca ashtu edhe vëndimi kanë një përmbajtje, veç me një ndryshim, se pretenca asht tri faqe e gjysëm e, vëndimi ka afër dhetë faqe. Unë do të nxjerri vetëm konkluzionet, mbasi për lexuesin do të ishte një mërzi e madhe me lexue dhetë faqe pa asnjë bazë të vërtetë, mbasi pikërisht për këtë arsye e kam fillue shkrimin aty ku fillon dosja. Më asht dukë me vend me hy në faqen e parë të dosjes pa ndikue tek lexuesi, me mendimet e mija, ose me shpjegime që do t'i lexoni ma poshtë dhe, besoj, nuk kam gabue tue iu paraqitë secilin përson me thanjet e kundërthanjet e tij.
Kryetari Misto Bllaci tha: "Të akuzuar me akt-akuzën e Prokurorisë Ushtarake me Nr. 2, datë 2 janar 1948 për fajin se: Kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe okupimin e vendit tonë nga imperializmi italian. Qysh para okupacionit kanë qenë agjent politik dhe spijunazhi të imperializmit italian... kanë punuar për fashistizimin e vendit... janë përpjekë të shuajnë ndjesitë patriotike dhe nacionaliste të popullit ... kanë qenë pengesa serioze e Lëvizjës N.Çl... janë bërë agjentë të Italisë e Gestapos... fillojnë organizimin që të godasin Pushtetin me forcë... Organizimin e tyre e fillojnë duke e transformuar gjithë klerin katolik në një organizatë fashiste të quajtur Demokristjane. Zgjedhin Komitetin Qendror me elementët e sipërpërmendur... Pregatisin kryengritje imediate të armatosur... duke u lidhur me të arratisurit dhe duke dërguar memorandume imperialistëve të huaj. Formuan Komitetin e Përbashkët të organizatës terroriste të Shkodrës... duke u përfaqesuar nga Don Nikoll Deda... kanë zhvilluar propagandë të gjerë për formimin e kryengritjës së 9 shtatorit 1946. Nga të pandehurit, Zef Haxhija, ka qenë antar i Komitetit Qendror të Demokristjanës, që ka trathtuar besimin e popullit... Kleri katolik që në kohën e Turqisë është munduar të përçajnë popullin... Në kohën e Austro-Hungarëve kanë qenë të lidhur ngusht me to... kanë lënë popullin shqiptar në injorancë... mbanin lidhje me imperializmin jugosllav... këta të pandehur janë vënë në shërbim të imperializmit italian... përveç lidhjeve me Vatikanin... këta ishin të parët që pritën trupat italiane kur zbarkuan në Shqipëri... kleri ishte i pari për mobilizimin e popullit në milicinë fashiste, karabinjerinë etj.... këta thonin se komunistët janë të pa fe, të pa nderë etj.... këto kishin krijuar që në kohën e Zogut Partinë Demokristjane... e cila do të kishte pozita kyçe me shkuarjen e Padër Anton Harapit në Regjencë... këta kanë bashkëpunuar me Ballin, Legalitetin, Nacinal Indipendentët, etj.... demokristjania gjeti si agjentë adapt Kol Prelën, Zef Haxhinë, Riza Danin të cilët ishin futur kontrabandë në front dhe ishin zgjedhur... Demokristjania mbante lidhje me Komitetin Qendror të Ballit e Legalitetit në Tiranë... me Abdyl Kokoshin... menduan për kryengritjen e përgjithëshme të 14-15 shtatorit 1946, që u bë më 9 shtator, por kjo trathëti e poshtër nuk pat sukses... Trathëtia e tyre u provua nga ballafaqimët e bëra këtu dhe në hetuesi, si dhe nga thënjet e të pandehurve të tjerë si Monsinjor Volaj, e Padër Rrok Gurashi, nga armët e gjetura, nga opinjoni publik, dhe nga krejt vazhda e trathtisë së tyre, duke qenë kryesor të trathtisë në çdo rregjim, si shkaktar për çdo poshtërsi është qene kleri katolik reaksionar... si të tillë, fajet e tyre penale parashikohen nga nenët 2, 3, pikes 1, 2, 3, 4, 7, 8, 9, 10, dhe nenët 7, 8, të ligjës Nr. 372 mbi fajet penale kundër Shtetit dhe Popullit... dhe, gjykata mbasi shikoi të kaluarën, të ardhshmën dhe rrezikshmërinë që i paraqesin shoqërisë, me vota të përbashkëta, pjesërisht në kundërshtim me kërkesën e Prokurorit, vëndosi dënimin e tyre si vijon:
1. Për të pandehurit: Monsinjor Frano Gjini, Padër Mati Prennushi dhe Don Nikoll Deda nga Shkodra me Vdekje, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile përgjithmonë dhe, me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
2. Për të pandehurin: Don Tom Laca nga Shkodra me privim lirije e punë të detyruar për jetë, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile përgjithmonë, dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
3. Për të pandehurit: Padër Gjon Karma e Don Ndoc Sahatçija me 15 vjet privim lirije e punë të detyruar, dhe me humbjen e të drejtave politike e civile për 5 vjet kohë, dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
4. Për të pandehurin: Padër Mëhill Miraj me 7 vjet privim lirije e punë të detyruar, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile për 5 vjet kohë, dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
5. Për të pandehurin: Zef Haxhija nga Shkodra me 5 vjet privim lirije e punë të detyruar.
6. Për të pandehurit: Don Nikoll Shelqeti dhe Zef Gjeto Pëllumbi nga 3 vjet privim lirije dhe punë të detyruar.
Të dënuarve u ngarkohen 162 lekë shpenzime gjyqi.
Ky vëndim i referohët Gjykatës Naltë Ushtarake për aprovim përsa u përket të dënuarve me vdekje, kurse për të tjerët mundet të bëhet ankim po në Gjykatën e Naltë Ushtarake, mbrenda tetë ditëve nga datë 8 janar 1948, që u çpall vendimi.
Shkodër, më 8 janar 1948.
Sekretari d.v. Antari d.v. Antari d.v. Kryetari d.v. (Vetëm firmat)"
-----------------------------------------------------------------
Në dosje ndodhët vëtem kërkesa e Imzot Frano Gjinit, që i ka dërgue Gjykatës së Naltë në Tiranë (e shkrueme prej dorës së tij), të cilën po e shkruej të plotë pa asnjë mangësi, ashtu, si mbas origjinalit, edhe vëndimin e Gjykatës së Naltë Ushtarake të Tiranës:
"V. F . L. P.
Të Ndertit Gjygjit të Naltë Ushtarak Tiranë
Un i nënshkruemi Mons. Frano Gjini, Regjent'i Delegacionit Apostolik në Shqipni, kam nderën të njoftoj atë P. T. Gjykatë të Naltë se e ndiej për detyrë të Shejtë të kundërshtoj vendimin e Gjygjit Ushtarak të Shkodrës dhanë më 8-I-1948, me kenë se ky vendim asht dhanë në bazë të akt-akuzës lshue prej Prokurorit Ushtarak të Z. U. të Shkodrës më 2-I-1948, e cila, si asht formulue nuk asht konform me të vërtetën për sa i përket personit t'im:
1) Se nuk kam punue për ardhjen e fashizmit italian në Shqipni,
2) Se nuk kam kenë spijue i imperializmit nazi-fashist,
3) Se s'kam punue për fashistizimin e vendit;
4) Se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italjan me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italjan, bashkë me Kolegët të tjerë t' Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç të nji formaliteti konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës, të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjith përfaqsuesit e entëve civilë, ushtarakë e fetarë të vendit t'onë;
5) Se nuk kam shue ndjesit patriotike nacjonale të popullit;
6) Se nuk kam vue kurrnji pengesë serioze për liminimin e Lëvizjës N.Çl.
7) Se nuk kam ndihmue n'asnji mënyrë Qeverit Quislinge;
8) Se nuk kam ndihmue kurrkend për të pengue resistencën e popullit kundra okupatorit, prandej as formacjonin e bashibuzukve kundra L.N.Çl.
9) Se mbas çlirimit nuk kam organizue, marrë pjesë, a kryesue ndonji grup politik antipopullorë, me qëllim për të përmysë Pushtetin me vjolencë; as nuk kam ngarkue ndonji person klerik a civil për të më përfaqsue ndër grupe të tilla, në se kanë eksistue;
10) Se nuk i kam drejtue kurr memorandume çëdo karakteri imperialistave të huej;
11) Se nuk kam pasë kurrnji përpjekje as me ilegal, as me reakcjonin e mrendshëm e të jashtëm.
Prandej në lidhje me sa sipri, e ndiej për detyrë ndërgjegje kombtare, shoqnore, profesionare ti kërkoj në bazë të drejtsisë, prej asajë të Ndertës Gjykatë rishikimin e gjygjit, prishjen e vendimit të tij e njoftjen e pafajsis s'eme.
N'uzdajë se kërkesa e eme ka m'u pranue, nënshkruhem me nderime,
Shkodër, 10-I-1948 Frano M-a Gjini
Regjent'i Delegacjonit Apostolik në Shqipni"
Nr.88/I Tiranë, 24 shkurt 1948
Ministrisë Mbrojtjes Kombëtare
Për t'ia përcjellë Presidiumit Kuvendit Popullor
Refuzuar.
Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake
Major Niko Çeta d.v.
Për këto arsye kjo Gjykatë është e mendimit që të mos i akordohet asnjë konçesion faljeje ose lehtësimi në dënimin e tij.
Shënimi i em: Kjo shkresë u dërgue bashkë me dorëshkrimin e Imzot Frano Gjinit në Presidiumin e Kuvendit Popullor, sigurisht, duhet të kenë pasë edhe arsyet e refuzimit, por në dosje nuk janë.
___________________________________________________________
"Republika Popullore e Shqipërisë
Vdekje Fashizmit Liri Popullit
Gjykata e Lartë Ushtarake
Nr.67 i Regj. Them. Nr. 114 i Vëndimit.
PROCES - VERBAL
Sot me datën 6 mars 1948, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake i formuar prej:
Major Niko Çetës, Kryetar,
Kapiten i I-rë Nexhat Hysenit, Antar,
Kapiten i II-të Mystafa Iljazit, Antar,
I asistuar nga Kryesekretari Aspirant Thoma Rino, dhe në prezencën e Prokurorit Ushtarak t'Ushtrisë K. Shqiptare Kapiten i I-rë Nevzat Haznedarit, mori në shqyrtim akt-gjykimin Nr. 2, datë 8 janar 1948, të Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me të cilën në bazë të nenëve 2, 3, 7 e 8 të ligjit nr. 372 datë 12 dhetor 1946, mbi fajet penale kundra Popullit e shtetit, është vëndosur ndëshkimi me VDEKJE, humbjen e të drejtave civile e politike të përherëshme si dhe konfiskimin e pasurisë së luajtëshme dhe të paluajtëshme, kundra të pandehurve:
1. MONSINJOR FRANO GJINI, i biri i Pjetrit dhe i Drandës, vjeç 62, lindur dhe banues në Shkodër, 2. PADËR MATI PRENNUSHI, i biri i Kolës dhe i Drandës, vjeç 66, lindur dhe banues në Shkodër, dhe 3. DON NIKOLL DEDA, i biri i Zefit dhe i Agës, vjeç 58, lindur dhe banues në Shkodër, të akuzuar se: kanë punuar për ardhjen e Fashizmit Italian dhe okupimin e vendit tonë, qysh para okupacionit kanë qenë agjenta politikë dhe spijun te Imperializmit Italian. Gjatë okupacionit Gjerman, janë bërë agjentë të Gestapos duke denoncuar në zyrat sekrete të saj, militantët e L.N.Çl. kanë ndihmuar repartët dhe formacionet armike dhe bashibozukë kur shkonin për të luftuar kundra partizanëve.
Mbas çlirimit të Shqipërisë fillojnë organizimin e tyre për brenda klerit katolik, me qëllim që të godasin Pushtetin Popullor, organizatë e cila drejtohej prej Monsinjor Gjinit, Don Nikoll Dedës dhe Padër Mati Prennushit, të cilët më vonë e këthyen gjithë klerin katolik në një organizatë fashiste të quajtur Demokristjane.
Prokurori kërkon të vendoset aprovimi i vëndimit të sipërm, si me vend dhe i bazuar në ligje.
K ë s h i l l i :
Mbasi shqyrtoi një nga një të gjitha aktet e dosjes, bisedoi dhe studjoi çështjen nga pikpamja e fakteve dhe të ligjit, dha këtë,
V e n d i m :
Nga shqyrtimi i akteve rezulton se të pandehurit Monsinjor Frano Gjini, Padër Mati Kol Prennushi dhe Don Nikoll Zef Deda, kanë pregatitur terrenin për ardhjen e fashizmit dhe të okupimit të vendit tonë nga Imperializmi Italian, për këtë punë kanë marrë dhe shpërblime të konsiderueshme në të holla. Gjatë okupacionit kanë punuar për fashistizimin e Popullit Shqiptar. Me çdo mënyrë janë munduar të shuajnë ndjenjat nacionale të Popullit. Janë munduar të përçajnë popullin shqiptar; kanë luftuar nën petkun fetar kundra luftës së popullit për liri, kanë ndihmuar dhe kanë bashkëpunuar me të gjitha organizatat kriminale për të shuar Lëvizjën N.Çlirimtare; kanë përkrahur dhe ndihmuar me shkrime dhe agjitacion në popull që të gjitha Qeveritë kuislinge të kohës së okupacionit si dhe politikën e tyre reaksionare.
Gjithashtu dhe gjatë okupacionit Gjerman janë bërë agjenta të Gestapos, duke denoncuar në zyrat e saj sekrete, të gjithë elementët e L.N.Çl. Janë munduar me çdo metodë ndër besimtarët duke helmatosur ndjenjën nacionale. Çlirimi i Shqipërisë dhe marrja e Pushtetit në duart e popullit bënë që këta të vazhdojnë luftën me më tërbim. Për këtë arësye fillojnë një agjitacion në stil të gjerë për të sabotuar të gjitha reformat e Pushtetit Popullor, si reformën agrare, arësimore, tatim fitimet, zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 etj. Me ardhjën e Misioneve të huaja krijuan lidhjet dhe raportojnë dhe marrin direktiva sesi duhet të punonin. Me anë të Misioneve Anglo-Amerikane komunikonin dhe me Vatikanin, dhe merrnin direktiva herë pas herë sesi duhet të punonin. Të pandehurit kanë qenë ndër udhëheqësit e organizatës trathtare Demo-Kristjane, kanë marrë vëndime dhe kanë krijuar nën Komitete të kësaj organizate, duke caktuar si Kryetar të këtyre N/Komiteteve Klerikalët. Më vonë Komiteti Qendror i Demo-Kristjanëve për të zgjeruar organizatën dhe ndër elemente muhamedan, studenta dhe intelektualë të mykur e ndrron emrin, duke e quajtur partia Social-Demokrate.
Të pandehurit kanë ndihmuar dhe pregatitur kryengritjen e Llesh Marashit; kanë krijuar lidhje e bashkëpunim me organizatën e Ballit. Kanë nxitur dhe pregatitur kryengritjën e 9 shtatorit 1946. Nëpër Kisha dhe seminaret e tyre janë gjetur depo armësh; municionesh dhe shumë dokumenta të trathtarëve Gjon Marka Gjonit, Papa Lilos dhe Padër Anton Harapit.
Të pandehurit kanë udhëzuar rininë femnore që t'iu afrohen njerëzve të Pushtetit, kanë nxitur dhe të çnderohën kundër vullnetit të tyre, mjafton që të vjedhin dokumente sekrete.
Përsa u tha më nalt konstatohet se trathtia e tyre, ndaj popullit dhe Atdheut është e vjetër dhe tepër e rëndë.
P r a n d a j :
Për këto arsye Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në bazë të Nenëve 10 dhe 17 Nr. 2 të Ligjit Nr. 368 datë 5 dhjetor 1946, mbi organizimin dhe kompetencat e Gjykatave Ushtarake, duke pranuar dhe kërkimin e Prokurorit,
V e n d o s i:
Aprovimin e vëndimit Nr. 2 datë 8 janar 1948, të Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, që përmban dënimin dhënë kundra të dënuarve:
1. MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI, nga Shkodra,
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, nga Shkodra dhe
3. DON NIKOLL ZEF DEDA, nga Shkodra, ME VDEKJE, me humbje të drejtave civile e politike të përherëshme, si dhe konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
Ky vendim është i p r e m ë.
Tiranë më 6 mars 1948.
KRYESEKRETARI: d.v. ANTARI: d.v. ANTARI: d.v. KRYETARI: d.v." (vetëm firmat)
Republika Popullore e Shqipërisë V.F.L.P.
Gjykata Ushtarake Shkodër
Shkodër, më 12 mars 1948
Shkresë Nr. 64/III Prot.
GJYKATËS SË NALTË USHTARAKE
Tiranë
Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948:
Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:
1. MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI,
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, dhe
3.DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:
1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s'eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
P. Kryetar i Gjykatës
67 Rregj./1948 Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v."
Ky ishte vetëm fundi i Kalvarit, që nuk ka mujt me e mëshef as Sigurimi i Shtetit as Partia Komuniste terroriste Shqiptare.
PJESA E TRETË
H.Uajzberg thotë:"Vrasësi tipik e shikon vetveten si ndonjë hero".
P. K. që duhet të lexohet Partia e Katilëve dhe jo Partia Komuniste, kishte grumbullue në gjiun e saj llomin e shoqnisë njerëzore dhe, llomi i këtij llomi ishte Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Këta ishin qen që kanë prejardhje prej ujku por, sidukët, nuk janë në gjendje të harrojnë atë që trashëgojnë, kështu, thotë Tilman.
"Filmi jugosllav" në Shkodër, kishte fillue prej shumë kohe. "Në vitin 1920, konsulli i parë jugosllav në Shkodër Aleks Martinoviq, nga Cetina kishte vue gurin e themelit të asaj makabre që do të ndërtohet mbi vorret e shkodranëve. Shtihej mik i klerit katolik shqiptar. Shumë shpejt, në 1921 vjen Lubo Neshiq, që ruan lidhjet e të parit. Në vitin 1922 e deri në 1927, vjen Ivan Vukotiq, edhe ky nga Cetina. Lidhet me përkrahësit e Zogut si Maliq Bushatin, Gjon Markagjonin, Lin Gilen, Alush Lohën, Don Nikoll Dedën, Pop Jefton, Hasan Beg Bushatin, etj. Në vitin 1927 vjen Trajan Zhivkoviq, nga Shkupi, thohet se kishte "vetëm një mik", Hasan Efendi Bekteshin. Mbas këtij erdhi Dragan Bozhoviq nga Shumadija, që pa mbushë dy vjet, zëvendsohët në 1929, nga Milivoja Milçiç që ka ndejë deri në 1935. Lidhjet kryesore i rujati me Maliq Begun, ndërsa mendohet se ky formoi një rrjetë spijunazhi të gjanë me Hysen Sumën, Bec Osin, Ali Taipin, Jakup Ganjollën, Xhel Ferhatin, Can Memën, Ymer Lutfinë, të gjithë nga Shkodra. Pak kohë vjen një Sebriq (mbiemni asht i palexueshëm) dhe shpejt edhe ky zëvendsohët me Dusho Stojakoviq, nga Zemuni. Ky qëndroi 2 vjet e gjasht muej, largohet në muejn gusht 1939. Vjen Stojanoviq nga Beogradi, i cili kishte relata të mira me italian, kryesisht me konsullin Meloni. Sekretar nga Shkodra punonin, Jasho Beroviq, Danjel Gjurgjoviq dhe Mitër Kërsniq."
Me datën 6 prill 1940 fillon lufta Italo-Jugosllave, mbas së cilës siduket nuk vazhdojnë mardhanjet normale. Kështu deponon Z. Isuf Sokoli, para hetuesit Dul Rrjolli, i arrëstuem më 20 tetor 1946, tue theksue se ai vetë nuk ka kenë asnjëherë spijun. Dënohet 2 vjet burg, si përkthyes i asaj konsullate.
Në janarin e 1945 asht Sheuqet Peçi, i pari që viziton Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Ai shoqnohej nga Kol Jakova (shkrimtari) dhe Çiril Pistoli, të dy vegla të komunistëve deri në vdekje. Vizitojnë muzeun dhe bibliotekën, me këtë rasë fillojnë edhe plaçkitjet, marrin dy-tri pushkë muzeale të gjetuna nga Gjeçovi. Kjo ishte sa me fillue.
Në takimin e pare që ban me At Mati Prennushin, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, Sheuqeti, i paraqet mendimet e autoritetëve të larta komuniste, për mardhanjet me Françeskanët, tue u nënkuptue që këto mardhanje do të ishin me krejt klerin katolik shqiptar. Mbas kryengritjes së Prenk Calit, dhe asaj të Koplikut me Llesh Marashin, ku janë pushkatue ma shumë se 120 burra të malësisë, pa gjyq, në datat 14 e 15 janar 1945, nën drejtimin e Mehmet Shehut, ky kriminel i pashoq, komandant i operacionit në Veri i drejtohet Kuvendit Françeskan, se gjoja kishte kënaqësi me vizitue këtë qendër të patriotizmit shqiptar tue i këthye edhe vlerat muzeale të plaçkituna pak ditë maparë nga shokët e tij, gjoja si vëprim i nxituem. Me një servilizëm dhe hipokrizi komunisti u flet edhe studentëve për vlerat patriotike të asaj shkolle.
Edhe ky si paraardhësi i tij në takim me At Matinë, paraqet kërkesat e bashkëpunimit me klerin, tue i shpjegue se ju keni informacione të gabueme për komunistët shqiptar dhe, njëkohësisht ne do të tregojmë me vepra se nuk jemi si na paraqesin armiqtë tonë. Gjatë bisedës, ai tregohet mirënjohës për ndihmën e klerit katolik në shpëtimin e shumë shokëve të L.N.Çl. nga gjermanët. Ajo që mbetët me u diskutue ma vonë do të jetë çështja e Vatikanit, mbasi Papa i Romës asht armiku ma i vendosun i internacionalizmit proletar dhe i komunizmit.
Përgjigja e preme dhe e shkurtë e At Matisë, se Françeskanët nuk do të përzihen në politikë dhe, se nuk do të pranojnë me diskutue premjen e mardhanjëve me Vatikanin, mbasi nuk kemi ndër mend me u këthye Orthodoks si Kishat Autoçefale të Lindjës, përcakton kjartë rrugën që do të vazhdojnë të dy palët, që tashti mund të konsiderohën kundërshtare të hapta.
Në të njajtën kohë në Tiranë, bahët përpjekja me Imzot Prennushin, Bumçin dhe At Pjetër Meshkallën, tue marrë po atë përgjigje si në Shkodër. Pushkatimi i atdhetarëve Don Lazër Shantoja e Don Ndre Zadeja, në mars të 1945, tregon dhambët e vërtetë të komunistëve të Tiranës, që fillojnë me zbulue qëndrimin jugosllav nën lëvozhgën e komunistëve "shqiptarë". Nxjerrja jashtë Shqipnisë e Delegatit Apostolik të Vatikanit, më 5 maj 1945, Imzot Nigris, dhe mos njohja zyrtare nga Qeveria Komuniste e Regjentit shqiptar, Imzot Frano Gjinit, ishte pasqyra ma e kjartë e politikës së ardhëshme në Shqipninë e mbikqyrun nga Jugosllavia. Gabimi i organizatës "Bashkimi Shqiptar", drejtue nga atdhetari Mark Çuni, mbrenda seminarit jezuit i kushtoi shumë shtrejt atij vetë dhe klerikëve të pafajshëm që u pushkatuen për atë çështje, tue u dhanë komunistëve në dorë mundësinë e mbylljes së shkollave fetare. Fatkeqësisht, ky grup xhakojsh dhe laikësh, të etshëm për një demokraci të vërtetë, u mpleks me disa elementë shumë të damshëm dhe të rrezikshëm që kanë provue me jetën e tyne, se qyshë në atë kohë ata u vunë në shërbim të lojës së komunistëve, dhe mbetën besnikë përjetë në poshtërsitë e Sigurimit të Shtetit. Këtë e vërtetojnë edhe me deklaratat që kanë ba në gjyqin e kohëve të fundit me Imzot Ernesto Çobën, gati mbas 30 vjetësh nga 1945-46, kur gjoja u angazhuan me Organizatën "Bashkimi Shqiptar". Lëvizja e Postribes, edhe kjo viktimë e injorantëve fanatikë, solli pushkatimin e mashumë se 35 atdhetarëve të cilët u masakruen në mënyrë çnjerëzore për me pranue lidhjen me kryengritësit. Vetëm ajo që i asht ba atdhetarit Dulo Kali, mjafton me tregue kush ishte Sigurimi. Kur Duli ishte në qeli, i kishin prishë të ndigjuemit me korrent elektrik. Në një dhomë pranë kishin sjellë disa vajza që qeshnin e bërtitnin. E kërcnojnë Dulin, tue i thanë firmo proçesin ose tashti do të sjellim vajzat tueja këtu dhe do t'i përdhunojmë ... dhe Duli, pranon gjithçka flitët në proçes ... Pushkatimet pagjyq të Don Nikoll Gazullit, Don Liugj Picit, Don Pjetër Çunit, Don Aleksandër Sirdanit etj. ishin treguesi ma i saktë se komunistët kishin vendosë zhdukjen në masë të klerit. Pushkatimet për strehim të arratisunish vazhdonin... Ekonomia po shkatrrohej, kamjonët e ngarkuem ndër magazinat e tregëtarëve të pazarit të Shkodrës shkarkoheshin në Beograd. Malli i magazinës "Ulqinaku" shitej në Moskë. Çdo ditë mbyllej një dyqan, pronarët torturoheshin me dorëzue teneqet e arit. Kundrabandistët hynin e delnin nga burgu të gjymtuem nga trupi dhe ndërgjegja. Shumica nënshkruanin bashkëpunimin ose me vdekë në tortura. Vetëm tregëtarit Man Tepelia i kanë marrë 13 teneqe të mëdha të vojit gurit, të mbushuna me ar që kishte të mëshefun në pemishtat e tija në Vukatanë, tregonte ish oficeri i Sigurimit të asaj kohë Nazif Pira. Grupe studentësh arrëstoheshin për me shue protestën e heshtun që vlonte në bankat e shkollave, shoqnue me ndonjë trakt ose ndotje fotografije të diktatorëve. U ndalonin vajzat në dyert e shkollava me u heq Kryqët nga qafa me dhunë e tue i pështy në fëtyrë anë e kand qytetit....
Shkodra, syni i Principatës, siç e quen Barleti, ishte këthye në kshnillën që del në sy dhe i pengon pamjen sistemit të rij. Kryetar i Komitetit Ekzekutiv ishte Riza Dani. Emni i tij lakohej në të gjitha gjyqet. Asnjë prokuror nuk i ndalonte fjalën e të pandehurit kur zënte në gojë emnin e tij. Një farë Gjin Marku, kapardisej si Qark komandant. Sekretar i Partisë në ilegalitet ishte Spiro Pano, një kriminel që vriste shokët e vet si të gjithë komunistët, me vulën e Frontit, maskës së Partisë. Furrtari Zoi Themeli, mbante furrën ndezë tue shkri pezhgëve në Degën e Punëve të Mbrendshme, ndërsa zv.shef ishte samarxhiu Zoi Shkurti, torturues katil, bashkëpuntorë i kriminelit Petrit Dume në Korçë, kur u mbërthenin njerëzve ndër thembra patkoj. Komisari politik i tyne ishte krimineli Nesti Kopali, i sëmurë patologjik për krime, imoral ashtu si prokurori Aranit Çela. Ligji zbatohej nga Esat Ndreu, Tonin Miloti, Mestan Ujaniku, Misto Bllaci etj. vëlleh endacakë e mushkarë, barijë analfabet, që u asht dhanë rasa me pushkatue filozofë, profesorë e ingjenjerë. Asnjeni nuk dijnë me shpjegue se cilës rracë i përkasin, të gjithë kujtojnë se Tito, Stalini dhe Enveri janë kafshë të përjetëshme. Secili në kurset e analfabetëve mendon me vra mësuesin e vet, si Juda. Këtij grupi të etshëm për gjak i shërben Arif Gjyli, Qamil Gavoçi, Qazim e Fadil Kapisyzi, Rahman Parllaku, Toger Baba, Zija Dibra, Qamil Qorri (Bushati), Kasem Troshani, Lilo Zeneli, Thoma Karamello, Mentor Xhemali, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi, Vaskë Koleci, Ali Xhunga, Ndrek Nallbani, Jonuz Dini, Pal Mëlyshi, Xhemal Selimi, Hysni Ndoja, Asllan Lici, Bilo Bregu etj. që pasohej nga grupi i të rinjve Pjerin Kçira, Nush Baba, Lin Çollaku, Alush Bakalli, Gjovalin Mazrreku, Shyqyri Qoku, etj. Të gjithë bashkë drejtohen nga oficerët jugosllavë të Titos dhe, zbatojnë urdhnat e tyne antishqiptare.
Ajet Shahu shkruen: "Në aksionin antikatolik u aktivizuan si asnjëherë besnikët e partisë në baze" ("Shteti komunist dhe Kisha Katolike, fq 364, Krishterimi ndër Shqiptarë, Shkodër, 2000)
Bardhok Biba, i pari kryen porosinë e Partisë dhe futë armë në kishën e Oroshit, tue akuzue Imzot Frano Gjinin dhe Dom Mark Xhanin (sekretar i Abatit të Mirditës), për mëshefje armësh.
Në Shkodër, drejtojnë operacionin e futjes së armëve në Kishën Françeskane të Gjuhadolit , Zoi Themeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku që kanë ngordhë me spaletat e Ministrisë së Mbrendshme të ndihmuem nga Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku, etj.
Me datën 17 nandor 1946, rreth orës 02.00 të mëngjezit, në një natë me shi, ndalojnë makinën tek dera e kuvendit ngjitë me Kishë, e hapin me çelsat e marrun me zori prej kuzhinjerit Martin Tarri, kalojnë nëpër mencë dhe futen në Kishë, nëpër derë të kompanjëlit, rrugë e tregueme nga trathtari Ndoc Vasili (Antoni Kapaj në Amerikë). Shkarkojnë armë e municione mbrenda Kishës tek Elteri i Shna Ndout, i Zemrës së Krishtit etj, dhe rreth orës 04.00 e rrëthojnë Kishën me ushtarë të Ndjekjës, tue mos lanë njeri me u afrue në ora 05.00 kur thohej mesha e mëngjezit. Atë kohë rrëthohet edhe kuvendi me të gjithë françeskanët e xhakojt që ishin aty. Ditën bahen vizita nga autoritetët e organizatat për me pa armët e mëshefuna nga "fretnit".
Merrën në mbramje rreth orës 20.00 nga hetuesia (shtëpia P. Çiurçisë), At Mati Prennushi, At Donat Kurti, At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Aleks Baqli, të gjithë fretën të arrestuem, sillën me pranga në Kishë, ku mbasi vëndosen ndër vendet ku janë "gjetë" armët, (të vueme nga vetë Sigurimi) afër Eltërit të Shna Ndout dhe Zemrës së Krishtit, xhirohën në film nga operatorë jugosllavë....
Ky film jugosllav asht "Dosja 1302/II-A".
I vetmi njeri i penduem që kam njohtë në vitin 1982, pjesëmarrës i Sigurimit të Shtetit në këtë vepër të shemtueme asht kenë Zef Bardhoku, i cili më ka tregue krejt mënyrën si kanë hy në Kishë me armë dhe, si i kanë vendosë arkat aty. Tregonte, se Fra Ndue Vila nuk i kishte dhanë çelsat dhe ishte torturue mizorisht. Ai pohonte se dyshohej për armë përsonale ndër fretën, mbasi kishin informata nga xhakoni Ndoc Vasili (Antoni Kapaj). Në fund të bisedës, thonte: "Nuk dij sesi, Zoti nuk ka premtue për të gjithë ne që kemi futë armët në Kishë, me na varë populli katolik në traun e sipërm të derës së Kishës së Shna Ndout, për atë vepër të ultë që kemi ba, tue çue në plumb At Mati Prennushin e At Çiprian Nikën krejt të pafajshëm, e sa të tjerë me vite të tana në kampet e burgjet e mnershme të shfarosjës ku edhe kanë vdekë. Kur rashë në burg vetë, kishte edhe priftën që më njifnin mirë, e dinin se çka i kam ba klerit dhe më jepnin cingare e bukë që ma shumë më mungonin, pa ua kërkue ..." Kuvendi i Françeskanëve në Gjuhadol u kthye në burg dhe thirrej Burgu i Kishës së Fretënve, burgu ma i mnershëm i komunizmit në Shqipni, e pse jo i krejt Lindjës komuniste. Porosia jugosllave ishte: "... të shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye FRANÇESKANËT!" ... dhe porosia e mësuesve po kryhej ...
Përballë të arrestuemve do të shënoj disa nga bishat hetues: Imzot Frano Gjini ishte përballë kasap kap. Lilo Zenelit e aspirant Ali Xhungës, At Mati Prennushi, përballë kap. Nesti Kopalit, At Çiprian Nika përballë kap. Nesti Kopalit, Don Nokoll Deda përballë kap. Fadil Kapisyzit, Don Tom Laca përballë aspirant Ali Xhungës e kap. Fadil Kapisyzit, At Donat Kurti përballë kap. Zoi Shkurtit, At Frano Kiri përballë major Zoi Themelit e kap. Zoi Shkurtit, Don Nikoll Shelqeti përballë kap. Zoi Shkurtit, At Gjon Karma S.J. përballë aspirant Pjerin Kçirës, Don Ndoc Sahatçija përballë toger Bilo Bregut, xhakoni Zef Pëllumbi përballë kap. N. Kopalit, At Mëhill Miraj përballë aspirant Pjerin Kçirës ( nëpunës në Sigurim, që mbante edhe rrjetin e spijujve ), dhe Ali Xhungës etj. etj.
Kishe me thanë se, sa me vlerë do të ishte me pasë në dorë proçesin e plotë të kësaj ngjarje të mnerëshme që u zhvillue ata vite në Shkodër. Arrestimet u banë në muejt tetor e nandor te 1946, ndërsa dokumentacioni flet për muejt e fundit të 1947, pra, mbas një viti nuk asht e mujtun me pas fillue hetimet. Praktikisht: Imzot Frano Gjini, më 14 shtator 1947, pyetet nga Lilo Zeneli; Don Nikoll Deda, më 30 tetor 1947 pyetet nga Fadil Kapisyzi; At Mati Prennushi, pyetet më 26 shkurt 1947 nga Nesti Kopali etj. Ballafaqimet bahën pothuej të gjitha në dhetor 1947, pak ditë para gjyqit. Në këta dokumente përmblidhen në 5-6 faqe krejt hetimet e bame në një vit të plotë, me përjashtim të Don Ndoc Sahatçisë dhe At Mëhill Miraj që kanë edhe 40-45 faqe të daktilografueme proçeset e tyne, mbasi mbi bazën e thanjëve të tyne për fat të keq, atëherë, ndërsa, tashti, për fat të mirë që janë ruajtë dhe shihën këta proçese, janë thurë lloj-lloj lëgjendash, të gjitha të projektueme nga Sigurimi i Shtetit, dhe të daluna nga goja e këtyne njerëzve të dobët në qëndresën para torturës, që mbasi hodhën firmat e tyne në këto proçes-verbale përfundimisht ishin vetëm kenje, mbasi ndërgjegja dhe karakteri humbën përjetësisht. At Rrok Gurashi, asht gati me ia kujtue hetuesit ndonjë rresht që ai e ka harrue, flet pa pikë mëshire për kedo, veç me dalë nga dhoma ku bahën ballafaqimet. Ai akuzon "fajtorë" cilindo të pafajshëm që i kërkohet: "për derisa unë jam këtu, le të vijnë të gjithë mbas meje!". At Mati Prennushi i kujton: "Të gjitha këto që thue këtu, Padër Rrok, janë vetëm shpifje që nuk i kam pritë kurrë prej teje, por, mos harro, se kemi edhe një gjyq tjetër, e, atje, nuk ka ma rrena e shpifje!". Me të vërtetë, kur At Rroku ishte në çastet e fundit të jetës, në një kamp pune thërret At Konrrad Gjolaj, dhe i thotë: "At Konrrad, po vdes, po, a thue Zoti, ka me mi falë ato tmere fajesh e shpifjesh që kam ba unë, vetëm tue mendue sa vetë janë pushkatue me rrenat e mija!?", dhe At Konrradi i thotë: "Padër Rrok, eja të rrëfej, se mëshira e Zotit, kalon kufijt e arësyes sonë, ti nëse je pendue fol, se edhe ata për të cilët ti je shpifë, jam i sigurt se sot lutën për shpirtin tand ...", dhe ishte rrëfye ... Po, At Rrok Vata, sa ditë ndej ndër gjunjë para Kryqit kur e pau se i kishte ardhë fundi? Po, Don Nikoll Troshani, pse thonte: "Si do të shihëm andej me Don Dedë Malaj?!" ... Në dosje ruhët një proçes-verbal i ballafaqimit të Imzot Frano Gjinit me At Rrok Gurashin, Don Ndoc Sahatçinë dhe Prenkë Lezaj. Ballafaqimi asht ba me datën 28 dhetor 1947 pra, një javë para gjyqit. Aspirant Ali Xhunga shkruan: "... i pandehuri Monsinjor Frano Gjini nuk atribon thanjet e Padër Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë dhe Prenk Lezajt, prandaj u pa e nëvojshme të kompozohet ky proçes ballafaqimi... dhe flet Padër Rroku, 5 faqe e gjysëm proçes, mbas tij flet Don Ndoci, 2 faqe të tjera dhe 3 faqe, flet edhe Prenk Lezaj. Të gjithë plotësojnë edhe ndonjë mangësi që ka pretenca e prokurorit, mbasi ai asht edhe qëllimi i "kompozimit" të ballafaqimit.
Cila asht përgjigja e Imzot Gjinit?
"Monsinjor Gjini, mbasi ndigjoi thanjet që iu banë para fëtyrës së tij, nga Padër Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija, dhe nga Prenk Lezaj, merrët në pyetje dhe deklaron sa ma poshtë vijon: P. P. (Përgjigjet i pandehuri), Përsa thonë para meje Padër Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija dhe Prenk Lezaj, i dëgjova të gjitha, por vetëm dua të them, se për posë atyre që kam deklarue në proçes, nuk asht asnjë e vërtetë, që të kem patur lidhje direkt me Mark Gjon Markun, ose me ndonjë të arratisur tjetër dhe, se kam patur dijeni xxxxxxxx (prishnjaqë) ma të vogël për këto organizata kundërshtare të Pushtetit Popullor."(faqe 1-11 Proces-ballafaqimi Nr.rend. 12 ).............................................................................
I pandehuri (Monsinjor Gjinaj).
Oficeri pyetës: Aspirant Ali Xhunga d.v.
Të gjitha ballafaqimet marrin përgjigje të përafërt me përmbajtjen e deklaratës Imzot Gjinit, me përjashtim të Don Nikoll Dedës dhe At Mati Prennushit, që nuk janë në dosje. Gjithashtu, në dosje nuk ka edhe torturat që i janë ba të pandehurit për me pranue çpifjet e dëshmitarit të rremë, por mos harroni se edhe ato dihën.
Po thuej të gjithë të arestuemit e këtij grupi kanë ba nga 14 muej hetuesi, janë mbajtë edhe dy muej të dënuem me vdekje pra, koha e vuajtjes, deri ditën e pushkatimit asht 16 muej për Imzot Gjinin e At Prennushin, ndërsa 17 muej për Don Nikoll Dedën.
Nuk do të flas për zbatimin e ligjit, mbasi duhët të kishte ligjë për me dashtë me diftue si zbatohëj. Do të paraqes vetëm një dokument që ka dosja. Kur Imzot Gjini ban kërkesën për pafajsi, në letrën e dërgueme Gjykatës së Naltë të shkrueme me dorën e tij, gja që tregon se, kur asht zhvillue gjyqi ndër tavolinat e mencës se Kuvendit të Fretënve, asnjeni nuk ka pasë "avokat", mbasi nuk ka asnjë dokument të kenjes së avokatit, të paktën si ka ndodhë shpesh, kenja e një oficeri të Sigurimit i veshun me emnin "avokat", e vuna ndër thojza mbasi ky lloj "avokati", ka pasë rasë që habitej e fillonte me sha e fye klientin "e pandehur", tue kujtue se asht në zyrat e hetuesisë ose ma keq, me iu drejtue prokurorit, "pse ore, vetëm kaq meriton ky, ky, është për tu varë!" ... Aty në atë kërkesë të Imzot Gjinit, sipër mbi fjalët "Të Ndertës Gjykatës..." asht ba një shënim me penë: "Të bashkohet me akte, në rast të kundërt të njoftohët se asht dhanë jasht afatit -(firma)-". Në fund të letrës shënohet data e marrjes në dorëzim : "Nr.15. u muer më 14 janar 1948- (firma), Sh. Dautaj", pikërisht, asht marrë në dorëzim nga Sekretari i Gjyqit dy ditë para afatit, veç mbetët me mendue rasën e kundërt të justifikimit të dhanjes kësaj letre, gjoja jashta afatit. Përgjigja asht shumë e shkurtë. "Kush ma lart dinte dhe donte me iu përgjigjë PAFAJSISË SË TIJ ?"
Bashkëvuejtesit flasin me dhimbje, ofshamje, e me krenari për kohën që kanë kalue me këta heronjë. Mendohen e mendohen ku me fillue, tek nata e parë e takimit, apo tek mëngjezi i fundit i ndarjës së përjetëshme ... Njësoj, ata ishin dy kufoma të shtrime në çimento të birucës Nr. ... Burgu...
Se çfarë bahej në zyret e hetuesisë mbi trupat e këtyne martirëve atdhetarë do të FLASIN DËSHMITARËT:
Zonja Terezina Pali (Zorba), po më tregonte sesi e kishin torturue për vdekje At Mati Prennushin, kur gjironin filmin jugosllavët, tek Elteri me armë në dorë. Mbasi e sollën në qeli, e pashë se çalonte, e pyeta: "Çka të banë Padër Mati?" - Ai u përgjegj me za të ultë - mos pyet... por, për mos me i kënaqë këta qej, eja të këndojmë... dhe filloi ai vetë i pari kangën "Në Shkodër tonë ka ra nji dritë"... Shpesh këndonte me za të ultë për mos me na lanë me u ligështue para torturave, ai na epte zemër edhe né që aso kohe ishim shumë të reja e shpesh dëshproheshim shumë. Njëditë erdhi i lamë në gjak, se i kishte ra ballit Nesti Kopali...
At Çiprian Nika ishte me të vërtetë si Shenjt, vazhdonte Terezina, vuante shumë prej kambëve se ia kishin djegë damarët me hekur të skuqun ndërsa çorapët iu ngjiteshin për mish nga plagët e peshgvës, kësi plagësh kishte edhe në shpinë, këmisha iu shkapte prej plagëve vetëm... kur e thërriste hetuesi, që ma shpesh e siellte pandjenja se me kambët e veta, megjithatë gjente forca me qëndrue ... forca e tyne ishin vetëm urata e lutjët e vazhdueshme...
Prof. Adem Bazhdari, tregonte: "Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë... mendueme se e mbytën, por, jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët, - E shihni? -Na pyeti Zoi, - kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!... Kur na çuan në dhomë Monsinjori tha vetëm kaq: "Për hatër të Zotit!...." dhe fshani... Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ia lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb, nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i vinin gjithnjë.
Ndërsa, për Imzot Nikoll Dedën tregonte se nuk njifej ma, ishte ba sa një fëmijë, gjithë plagë, i moçatun fëtyre dhe i pazoti me ecë, kambët i kishte të qelbëzueme... Një bashkëvuejtës e kishte pyet njëherë, kur e gjet të shtrimë në dysheme: "Kush je ti?" - ai i kishte përgjegjë: -"Kam pas kenë Don Nikoll Deda", se me të vërtetë "nuk ishte ma ai"!
I ndjeri Caf Dragusha, që asht pushkatue me këtë grup, i tregonte një bashkëvuejtësi ndër ato ditë mjerimi kur ishin në një qeli, se njënatë i kishin shkue tek biruca e tij katër oficera të naltë, si dukej nga Tirana, njeni nga veshja dukej jugosllav. E kishin pyetë me kambngulje; - janë ba ose jo mbledhjet për të cilat bahet fjalë në proçes të Don Nikoll Dedës, në shtëpinë e Cin Serreqit dhe të Pjetër Dedës? - Cafi u ishte përgjigjë: - A janë ba, a nuk janë ba mbledhjet, unë nuk e dij, por, derisa më keni përzi edhe mue, e thoni, se ke kenë edhe ti, e, mbasi unë nuk kam kenë aty, edhe mbledhjet nuk duhët të jenë ba! Përfundonte bisedën tue thanë: "Ah, këta komunistët, janë derbedera! Nuk i njeh kush..." Në darkë i kishte hapë sportelin Fadil Kapisyzi dhe i kishte thanë: "Po ti Caf, na ishe kenë ba edhe avokati i Cin Serreqit, dije mirë se njëqind krena me pasë, një nuk të shpëton as ty, as atij, a more vesh?" dhe me të vërtetë e kishte mbajtë fjalën, tregonte bashkëvuejtësi, mbas pak ditësh u pushkatuen të dy...
Një Zonjë (V. K.) tregon: "... na rrahnin, na shanin me fjalët ku ishin ma të ndytat. Ishim të rëja, 18 vjeçe, nuk i kishim ndigjue kurrë ato flligështina, na torturonin dhe mandej na çvishnin dhe vetëm ndër këmisha në pikën e dimnit, na hidhnin ndër dhomat e priftënve... por, ata, menjëherë na mbulonin me pelerinat e tyne, e vetë mërdhitnin të shkretët gjithë natën. Kur na delte gjumi i ndigjonim tue thanë uratë. Na u thonim: "Merre tash pelerinën dhe flej pak edhe ti, se nuk ke mbyllë sy gjithë natën! - Jo, jo, vazhdo e flej ti, - na thonin ata, - flej edhe pak se je e re, na jemi mësue e durojmë..." Porosia e tyne ishte: "Mundohuni me durue për hatër të Zotit!..."
Z. Ragip Meta, atëherë, i dënuem me vdekje, tregon se ishin kenë në një dhomë 25 vetë të gjithë të dënuem me vdekje. "Kur hapej dera, u çonim në kambë ashtu si ishim të lidhun dhe, donim me shkue të parët, me kenë e mujtun të gjithë me u pushkatue. Na vinte keq kur nuk na merrnin, kaq na ishte mërzitë jeta prej torturave, urisë, etjës dhe pagjumësisë"
Z. Drita Kosturi më tregonte, sesi e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë, të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nevojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, shpesh humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën lart... Disa ditë e kishte pa ajo vetë me sytë e saj derisa ishte ba që nuk njifëj ma cili ishte...
Z. Ana Daja, tronditej sot, kur shpjegonte sesi ka pa Don Anton Muzaj, në hollin e Kuvendit të zhytun deri në bel në një ujë të qelbun, të përzimë me pisllëkun e pusave të zezë, në të ftohtin e dimnit të Shkodrës, dhe kur e merrte kolli, skuqej ai vend nga gjaku që nxirte përgoje... E torturonte tregon ajo, i pashpirti Pjerin Kçira.
Z. Tom Leci, pyet Hafiz Dërgutin se cila asht arësyeja që e torturonin aq shumë, ai i përgjigjet: "Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë, se, u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani çka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!"
Z. Viktore Kuka, tregonte sesi njëditë i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaçit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë Dulit. Elezi ia sjellë dhe Duli e pin atë ujë, që mbas pak minutash i shkreti Dulo Kali rropatej në birucë nga tmeri, mbasi uji ishte kenë i krypun... Elezi tallej në korridor, "lypë ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hu ..."
Motër Gjyzepina Radovani, infermjere në spitalin e burgut tregonte sesi kishte mjekue me duert e saja disa nga këta martirë. Ajo, fliste me dhimbje të madhe për At Çiprian Nikën dhe At Donat Kurtin, të parit i kishin thye kambën dhe nuk i ngjitej se kishte fillue kalbëzimi, ndërsa, At Donatit, me që e dinin se asht i sëmurë me stomak i epnin ushqime që i ngacmonin dhimbjet, për mos me kenë kurrë i qetë. Me shumë kujdes Dr. Federik Shiroka, i bante injeksione qetësuese, po, mbas pak ditësh e merrnin pa u shërue ashtu si Monsinjor Gjinin, që tue e marrë me shkalc plehu, policët i kishin thanë: "Doktor, mos harxho ilaçe kot, se për t'a pushkatuar kemi!", - ai u ishte përgjigjë: "Unë jam mjek, sa të jenë të gjallë dhe në duert e mija unë do të baj detyrën teme, ndër duert tueja, dini ju çka bani!". Njeni nga xhelatët kishte murmuritë: "Hajt, hajt, se as ti nuk e ke të gjatë!..."
Z. Loro Vata më tregonte, se në "Burgun e Kishës së Fretënve", ka pasë njerëz që prej ditës së arrestimit e deri mbas një viti që janë pushkatue, ose dënue e nisë ndër burgje të tjera e kampe nuk janë la me ujë asnjëherë... se, ma, vendi i ushkurit të mbathjeve, apo ndër vendët e tegelave ishin të bamë zi prej morrave.
Z. Ragip Meta më tregonte, sesi një ditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rijë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut. Në dorë kishin nga një kamxhik dhe i binin dy priftënve, tue vrritë: "Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?" ... Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah ... Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pre mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë...
Z. Elez Troshani, thonte: "Lum ata që kanë kenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin, ndër ata dy muej para se me u ekzekutue, se nuk e kuptonin ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes...mënyra sesi shpjegonin vdekjen ata, e bante të riun dhe plakun mos me u tutë nga plumbi."
Dr. Papavrami, shpjegonte se, atëditë më 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për me i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhë ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç. At Matia, i thotë Fahriut: "Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes sate!" - Fahriu i përgjigjet: "Nuk besoj se kush nga fisi em ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy shejtënve, për çfarë me u tremb?" Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml. E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim," shpjegonte, doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. "Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargoj me drynjë, aty maje atij stomi, i kërkuan "fjalën e fundit". Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjet e tyre, që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohen as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ato gjokse burrash që dukeshin si lisa ... Ranë andej stomit ... kur u afrova me vërtetuar vdekjën nuk mujta me vizituar asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukëj se jetonte ndonjëri ... asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé. .....Atëherë, nuk dija me kuptuar si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm ... Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin ideali i tyre! ..." (Shpjegim gojor në vitin 1993, në Shkodër).
Secili shkodranë ka se çka me tregue për atë burg në zemrën e qytetit. Kur binte muzgu e afrohej nata shtëpijat përreth prisnin fillimin e virrmave të burrave, të vëllazënve, të baballarëve, të djelmëve, të miqve e dashamirëve rrezikzez që torturonin xhelatët. Shpesh, ato zanë të daluna nga dhimbjet e shpirtit, ndërpriteshin nga zani i ndonjë vajzës së mjerë që donin ta përdhunonin oficerët, kafshët e harrlisuna si udhëheqësi i Partisë së tyne. Zonja Maria Deda, e shoqja e Ndrekës së Dedjakupëve priste me ndigjue zanin e burrit të saj, para se me ra me fjetë. Kishte frikë e trishtim kur nuk e torturonin, atë natë nuk e zënte gjumi kur nuk i ndigjonte zanin, mbasi të nesërmen, mendonte e shkreta se po i thonë: "Mos i sjell gjë, se është duke u qelbur në Zallin e Kirit!", mbasi kështu i kishte ndodhë edhe kunatës së saj Katrinës, me të shkretin Kolec Deda. Po kështu, zonjës Simon Darragjatit....Virrmat e mnerëshme ia sillte nata sikur ishin mbas murit. Deri në të dalun të dritës, kishte rasë që nuk i mbyllej syni...
Vetëm në muejt fundit të vitit 1946 Sigurimi i Shtetit, i drejtuem nga Partia Komuniste, tue krijue proçese false gjoja për futje të armëve në Kishë, për formim te Partisë Demokristjane të pakenun kurrë dhe për organizim të kryengritjes së armatosun të Postribës më 9 shtator 1946, kur, asnjë klerik nuk dinte asgja për këtë kryengritje, u arrestuen: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikoll Deda, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Doda, Don Tomë Laca, At Karlo Serreqi, At Çiril Cani, At Filip Mazrreku, Don Pjetër Gruda, Don Mark Xhani, At Augustin Ashiku, At Bernardin Palaj, Don Ndoc Nikaj, Don Ndue Suma, Don Nikoll Mazrreku, Don Jak Zekaj, Don Ded Plani, Don Pal Gjini, Don Ejëll Deda, Don Luigj Prendushi, At Serafin Koda, Don Nikoll Shelqeti, At Gjon Karma S.J. At Mark Harapi S.J. At Florian Berisha S.J. Fratel Gjon Pantalia S.J. Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikoll Laskaj, Don Pashko Muzhani, At Gaspër Suma, At Aleks Baqli, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, At Mëhill Miraj, At Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija etj.
Këtu nuk përfshihen arrestimet e bame në fillim të vitit 1947 në Shkodër, si dhe arrestimet e bame në atë vit në Tiranë, Durrës, Vlonë etj.
PJESA E FUNDIT
"Të tërbuem djallëzisht, e nxorën jashtë prej asaj gjykatorje dhe e ngrehën rrëshqanë tue iu kërcnue, me shpatë në dorë se do ta vrisnin në se nuk i binte mboh Fesë menjëherë ...(omissis).
Ai u qëndroi kërcnimëve, anmiqtë e therën për vdekje dhe e çuan në breg të Bunës me e qitë në ujë, por disa të krishtenë e blenë me pare dhe e varrosën në Kishën e Shën'Mërisë Madalenë."
Lezhë, vjeti 1624 Ipeshkvi Benedikt Orsini
(Relacione Vol. I-re, fq. 349. Ark. Prop. Fide, SRCG, v, 262, fl. 177.)
"Një kalvar vuajtjesh dhe përsekutimesh pësoi Imzot Pjetër Bogdani, i cili u burgos tri herë, i dogjën rezidencën, u rrah, u kërcënua se do ta varin në derën e kishës, e shëtitën nëpër qytet të zhveshur lakuriq dhe pas vdekjës u zhvarros dhe kufoma e tij iu hodh qenve"
Petrika Thëngjilli "Krishtërimi ndër Shqiptarë", fq.230. Shkodër, 2000.
"Don Andre Kalamashi, prift i Gjakovës kishte kundërshtuar fenë islame. Osmanët, më 1687, e torturuan, të lidhur duar dhe këmbë. Duke menduar se kish vdekur, ia zgjidhën duart dhe e varën në sheshin e qytetit. Pas njëfarë kohe prifti u çua në këmbë, largoi litarin nga fyti dhe bërtiti: "Qëndresë, qëndresë të krishterë, Jezu Krishti është më i fuqishmi!".
Posa tha këto fjalë, ra i vdekur përpara turmës së tmerruar. Xhelati ia preu kokën dhe ia dërgoi bashkë me lëkurën e kokës Vezirit të Madh"
Petrika Thengjilli ( po aty )
"Don Mark Xhanin, në vitin 1946, mbasi e torturuan në qelitë e Sigurimit të Mirditës, e varën për shpatulla ndër trena, ma vonë, mbasi vdiq, ia hodhën me e ngranë qenve të fshatit Shpal, mbeturinat e tretuna i mori prroni ... vetëm, pse ishte sekretar besnik i Imzot Frano Gjinit."
"MARTIRIZIMI I KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE 1944-1990" fq. 125, Shkodër, 1993.
Vetëm, historia vazhdon ...
Atëherë, Kleri Katolik Shqiptar, tue i dijtë të gjitha këto që ua kanë ba ndër shekuj, pse nuk zgjodhi rrugën e bashkëpunimit me shtetin komunist, me u shkëputë edhe nga Papa e Vatikani dhe me hangër një kafshatë bukë rahat në qelat e tij ? Kështu, mund të pyesin dikush!...
Provoni me mbyllë kapakët e syve deri sa gati mos me pa! Çoni kryet dhe ashtu me sy gati të mbyllun, shikojeni diellin! Keni me pa një Kryq! Këtë nuk e kam çpikë unë, kjo njihej që në kohën e paganëve. E, pra, edhe pse ndoshta nuk iu pëlqen, AI ASHT! ... AI ASHT DRITA!
Kleri Katolik tue njohtë Dritën, pse me marrë rrugën e errësinës? Asht me të vërtetë rrugë e vështirë por jo e panjoftun, jo me të paprituna, jo e pa shkelun, jo e shtrueme me kalldram e me lule, por, shumë, shumë e vështirë, aqsa, as nuk dijmë me e kuptue si këta njerëz zgjedhin këtë rrugë plot vuejtje dhe rreziqe të vazhdueshme ndër shekuj? Këta zgjedhin këtë rrugë pra, janë të vetëdijshëm se njëditë mbas të gjitha këtyne vuejtjeve mund të jenë edhe Martirë, mbasi janë betue mbi Elterë, që, po kje nevoja për Fè e Atdhé do të japin edhe jetën. Qè, këtë na thërrasim vetsakrifikim për një ideal. Kryqi me të vërtetë asht Drita, por, asht edhe dashtnia, asht sakrifica, asht flijimi, asht mëshira, asht mundimi i tejskajshëm, asht dhimbja e thellë e gozhdave që të mbërthejnë për dru, asht lavdia e tokës në Kunorën e ferrave që të shpon ndër tru, asht dhimbja e çpimit të heshtës, që me një të fshame fryme jé ngallnjyes, jé fitues, jé i pavdekshëm, jé besnik i idealit tand, se jé flijue për Kryqin! Qé, kjo asht rruga e martirizimit që të çon drejt ringjalljës dhe të ngritë në Elterin e Atdheut, të çon larg e shumë larg vdekjës së përjetëshme, që për disa ka fillue që në atë çast kur drejtimi i rrugës zgjedhun i shërben egoizmit. Të gjithë papërjashtim ata që mendojnë për një kolltuk e, vetëm për vedi, janë hakmarrës, e, kur nuk kanë për çka të hakmerrën, bahën vëllavrasës. Të gjithë për me mërrijtë qëllimet e veta, urrejnë, urrejnë deri në mëni, aqsa harrojnë se kanë me vdekë. Bahën mashtrues, vrasës, torturues, rrënues të shoqnisë njerzore, padijtë ku shkojnë dhe mendojnë se tue e gënjye vedin "se ishim të rinjë, atëherë, nuk e kemi kuptuar...", mbyllet kapitulli. Po Atdheu, çka u ba? Po viktimat, ku janë? Po lotët e nanave që kanë la Zallin e Kirit, ku shkuen? A po, "i mori lumi, vatën, nuk kemi ç'tu bëjmë!...". E vetmja gja që ata kujtojnë e nuk e harrojne kurrë, asht falja e Atyne martirëve para togave të pushkatimit. Po, ashtu asht, aftësia me falë i përket vetëm atij që din me dashtë. Nuk mundesh me falë pa kenë i drejtë dhe i dashtun. Ata dijtën me falë se shihnin fundin e kobshëm të Atdheut të tyne për të cilin po jepnin jetën. Ata dijtën me falë se ishin të drejtë, ishin të pastër, ishin të pafajshëm. Ju, o spijunë të Sigurimit, futët natën armët ndër Kisha si hajdutët, tue mendue se nata e terri do të mëshehin veprën tuej, o kriminelë katilë! Ju gënjyet, ju çpifët, ju torturuet, ju gjykuet të pafajshmit, ju i mbytët, ju i dhunuet edhe për së vdekuni, ju i tretët kufomat, ju i mashtruet familjet, ju i përdhunuet ndjenjat e atdhedashunisë por,.... keni harrue, se ata ishin e mbetën Martirë të Atdheut, dëshmitarë të së vërtetës së Fesë, dhe padashje, ju forcuet thëmelet e krishtënimit në Shqipni. Për 50 vjet vetëm keni mëshefë padijtë se njëditë populli shqiptarë do të vërtetojnë me dokumentët tuaja atë që ka besue tash 50 vjet me sy të mbyllun. A e kuptoni arësyen e besimit të popullit pa i pas pa ndër bankat e gjyqit, pa i pas ndigjue zanin për ma shumë se 16 muej, pa mujtë me i dhanë një lamtumirë asnjëherë, pa mujtë me i pyetë sesa vuajtet o rrezikzezë, pa dijtë ku asht ajo gropë e zezë që përpini një lum atdhetarësh, pa mujtë me vue një gur tek kryet e tyne, i bamë thërmija nga pushka e hasmit shekullor sherbëtorët e të cilit u batë ju, o trathtarë komunistë e spijunë e, në fund, pa mujtë askush me vue atë shenjë për të cilin ATA, kanë dhanë edhe jetën e, kanë derdhë gjakun e pastër të tyne: KRYQIN.
Shpesh, flitët e shkruhët se Shqiptarët, nuk tregojnë ma interes për vrasjët e 50 vjetëve maparë, për rrëthanat që janë krye këto vrasje, për hetimet e çpifjet e zhvillueme në drejtim të këtyne viktimave, si e si me realizue këto vepra të shëmtueme. Asht e kuptueshme se, këto subjekte nuk iu pëlqejnë autorëve të këtyne krimëve, por këto nuk iu pëlqejnë as edhe atyne që, në një mënyrë ose në një tjetër, janë bashfajtorë të asaj epoke të zezë historike të Shqipnisë.
Nuk duhët me kenë dhe nuk besoj se asht ashtu!
Ky do të ishte arësyetimi ma poshtnues ndaj vetvetës për Popullin Shqiptar! Këto vrasje nuk janë krye nga një njeri përbindsh i vetëm, por nga një grup i madh terroristësh që kanë mendue e veprue me zhdukë burrat e shtetit e atdhetarët e divoçem, me vrasjet e vazhdueshme politike, që nuk mund të kryhën kurrë vetëm. Edhe me dashtë me i lanë në njëanë, ose ma keq me i harrue, janë pasojat politike të Kombit tonë, që nuk varrosën me viktimat e martirët e Tij.
Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër, lyp drejtësi, paqë dhe shpagim, gjana pa të cilat shqiptarët kurrë nuk kanë me mërrijtë në një Pajtim Kombëtar!
Idriz Ajeti shkruen: "Shqiptarët mund të krenohën që ndër popujt e Ballkanit ishin ata që të parët përqafuan fenë e krishterë."
Atenagora thotë: "Populli shqiptar asht një ndër popujt që ka vuajt ma shumë në Evropë, ka vuajt gjatë shumë shekujve, mbasi mbrojti në mënyrë të mrekullueshme krishtërimin".
At Pjetër Meshkalla thotë: "Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me përcaktue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi, po të merrët historikisht prej vitit 1912 kur Shqipnia u formue si shtet e deri më 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë me një anë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjetë mundësi për me formue një kler shqiptar e, për 30 vjetë me nxjerrë aq heronj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në botë."
At Giacomo Gardin S.J. në librin e tij "DHETË VJET BURG NË SHQIPNI (1945-1955), në fq.100 shkruen: "Kujtimi i përmallshëm i faktëve të Shqipnisë ma ka mbushë shpirtin e më bahet edhe mue si Shën Gjonit n'Apokalips, se po shoh rrasën e Elterit të kësaj kishe tue u zgjanue e tue marrë trajtat e tokës shqiptare; më bahet, se po shoh nën rrasë fëtyrat e atyne që i kam njoftë e që mandej kanë dhanë jetën për Fenë e vet e po i ndiej kah bërtasin: "Deri kur, o Zot, ti që jé i drejtë e i shenjtë, po vonon pa e marrë hakun e gjakun tonë?". E, një za kah u përgjigjët: "Sabër e durim, edhe pak sa të mbushet ma parë numri i vëllazënve tuej." A keni ndie? Sabër ... me u mësue me pritë. E, deri kur? Derisa të bjerë sahati i Perëndisë. Ai ka në dorë ndodhjet e kohës që tjerrin historinë e kombëve....".
Nanë Tereza, thotë:
"Kudo që të jetë urrejtja, unë do të sjellë dashtninë,
Kudo që të jetë padrejtësia, unë do të sjellë faljen,
Kudo që të jetë ngatrresa, unë do të sjellë pajtimin,
Kudo që të jetë gabimi, unë do të sjellë të vërtetën,
Kudo që të jetë dyshimi, unë do të sjellë besimin,
Kudo që të jetë disprimi, unë do të sjellë shpnesën,
Kudo që të jetë terri, unë do të sjellë dritën,
Kudo që të jetë pikllimi, unë do të sjellë gëzimin.