TIRANE - Me mall prej Vlore vallen zuri,/ U tund Arbnia, zgjohet me nga dal,/ Rrezët e dritë shikon që pruri,/ I kombësis fatos Ismail Qemal/ Rroft, emri i Tij, dhe lart, oj lart Flamuri". Këto vargje i përkasin poezisë së parë që ka botuar në media Petro Marko. E shkruar në "Shqipëria e Re" më 9 dhjetor 1930, djali i Himarës, asokohe 17 vjeç, ka përdorur pseudonimin "Vlonjati". Gazeta, është pjesë e ekspozitës së çelur dje në Bibliotekën Kombëtare me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, ku paraqiten gjithë veprat e tij. Një fotografi ku ai shfaqet në profil, me një cigare shtrënguar fort mes gishtërinjve, me vështrimin tretur diku tutje, larg prej përditshmërisë së gjithëvuajtshme. Ky është imazhi më i zakonshëm që na del para sysh, sa herë që përreth nesh përmendet emri i tij. Por, pas imazhit, fshihet një jetë dhimbjesh e burgjesh; një jetë e shkërmoqur në qindra copa, e shtrirë në një shekull, pothuaj të plotë, e pothuaj të pamëshirshëm ndaj tij.
Përkujtimi
Miq të tij dhe familjes, si Xhevahir Spahiu, Nasho Jorgaqi, Rajmonda Bulku, Fatmir e Irena Toçi, u mblodhën dje në mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare për ta përkujtuar, së bashku me drejtorin e BK-së, Aurel Plasari e ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Marko, lindi më 25 nëntor 1913 në Dhërmi (vdiq më 1991). Pas vlerësimeve të bëra për shkrimtarin nga studiuesi Nasho Jorgaqi e ministrja Kumbaro, fjalën e mori Prof. Aurel Plasari. Për të, nuk qe një aktivitet i zakonshëm, çka në fakt e vu në dukje që në krye të herës kur tha: I kam borxhe Petro Markos që në adoleshencë.
"Shoqëria ka ditur për të një legjendë, sipas së cilës, shkrimtari ishte internacionalist, luftëtar, i arrestuar, i burgosur, agjent anglo-amerikan e shumë më tepër se kaq. Legjenda ra, kur ai e vetërrëfeu jetën në 'Intervistë me vetveten", - tha profesori.
Ai solli në vëmendje vitet '30, ku Marko u bë pjesë e debatit të intelektualëve të kohës. "Që në këtë kohë, për të filluan thashethemet e intrigat, që me kohën do intensifikoheshin më shumë. Në një letër, ai vetë thotë se e kanë akuzuar edhe si i shitur i Moskës", - kujtoi profesori.
Miqtë si armiq
E përkundër të gjitha dënimeve që përjetoi Marko, për Plasarin më i rëndi qe ai që ia dhanë miqtë. Krejt i pamëshirshëm në fjalimin e vet (i përgatitur me kujdes), Plasari tha se, më cinik se arrestimi në kohën e Zogut a burgu në Itali, ishte në fakt burgu që i afruan miqtë e tij. "Vuajti histori zilie e urrejtjeje. Për 'Këngët e luftës' ia mohuan autorësinë, e më tej e akuzuan për gjëra që jo vetëm s'i bëri, por edhe që i urrente. Në një letër dërguar Gjykatës së Lartë ai shkruante: 'Më keni hedhur mes atyre që i kam urryer'", tha Plasari. Sipas tij, dosja e procesit hetimor ndaj shkrimtarit ende nuk është bërë publike, por në të ka detaje mjaft interesante. "Ai i bëri thirrje trupit gjykues që, sa u takon hetimeve, të kihet parasysh që të mos merren me hetime të fshehta, sepse me hetime të fshehta 'tradhtar del edhe komandanti e me to mund të dënohet me varje edhe fëmija nga barku i nënës'". Mandej, ai kishte kërkuar që, nëse shpallej fajtor si spiun, të mos i jepnin 3 vite burg, por ta dënonin me vdekje. Për Plasarin, qenë shokët e luftës e të penës ata që e kryqëzuan Markon. Në këtë kuadër, drejtori i BK-së citoi Aleks Cacin të ketë thënë: "Marko ishte burgosur për dyshime dhe mund të bënte vetëm punë të sektorëve të parëndësishëm", ndërsa Shefqet Musaraj të ketë thënë: "Ai, ose s'ka bërë asgjë, ose është i mbuluar mirë".
Sa u takon debateve për "Hasta la Vista", Aurel Plasari citoi dje:
Bedri Dedja: A do e lejojmë të shkruajë pornografi, se do që të imitojë Heminguejin?
Sterjo Spase: Nuk imiton Heminguejin, me të e lidh koha e luftës.
Fatmir Gjata: Le t'i heqë ato pjesë që shihen si pornografi.
Baki Kongoli: Po nëse ai nuk do?
Në fund të fjalës së vet, studiuesi Aurel Plasari u shpreh se ai vuajti për shkak të xhelozisë e zilisë artistike, ndaj unë do të thosha se ai jetoi mes lavdisë dhe zilisë.