Jeta e vështirë në Kampin e Selenicës së zonjës Kozeta Mamaqi...

Nëna e Olldashit: Ju rrëfej një sekret të Sokolit
Kur udhëtoja me fëmijët për në Selenicë, ku na kishin internuar, im bir Sokoli ishte betuar me vete: "Një ditë do të vij ndryshe nëpër këtë rrugë". Dhe ashtu ndodhi. Sot ai është "Qytetar nderi i Selenicës. Nëna e Sokol Olldashit në një rrëfim të jashtëzakonshëm vite më parë ka treguar jetën e saj në ish-Bllok, deri tek internimi i familjes në Selenicë.
Pastaj ç’ndodhi me jetën e Kozeta Mamaqit?
Atëherë ndodhi si me gjithë të tjerët, ndarja nga familja, pastaj gjashtë gjyqe për fëmijët, dy gjyqet e Tiranës fëmijët mi dhanë mua, dy gjyqet e Vlorës ia dhanë ish-bashkëshortit. Ndërkohë ishim internuar në Selenicë të Vlorës. Ishte gjyq civil me prokuror ushtarak, që kur e mendon është një absurditet. Atë serën që kishte pasur Bilal Xhaferri ndër thonj, unë po e shikoja në Selenicë të Vlorës. Kur më çuan në Selenicë, nuk e dija se ku po shkoja, më hipën në kamion djalin e vogël, Sokolin, e kisha më temperaturë 39. (I kisha të dy djemtë me vete atëherë). Iu luta atyre të sigurimit të na mbanin aty përpara, se djali kishte temperaturë. Nuk mund ta mbaja në kamionin e hapur sepse frynte era. Djalin e madh e kisha pranë, një polic me automatik ishte para meje, ishim ulur nëpër dengje. Na shëtitën nëpër Tiranë që të na shikonte i gjithë qyteti si armiq të të gjithëve dhe pastaj vetëm kur ikëm nga Tirana, të mos merrnim vesh ne se ku po shkonim, i vunë një mushama dhe e mbuluan të gjithë karrocerinë e kamionit. Familjen prindërore e kishin çuar më përpara në Burrel. Shumë lajme u hapën, sikur ishte hedhur babai nga ura, sikur i kishte ndodh kjo, sikur i kishte ndodhur ajo. Në 13 tetor të 75-ës babanë e kanë arrestuar dhe në 16 tetor të po këtij viti dhe mua më çojnë atje, ku ishin prindërit e mi, në Selenicë të Vlorës. Atë ditë kur kam shkuar në këtë vend pashë vëllanë tim, kur erdhi nga miniera unë nuk e njoha, sepse nuk kishin kushte për tu larë në atë sektor. Kur ka ardhur ishte komplet i zi dhe vetëm sytë i dukeshin.
Kur ka qenë periudha më e bukur e jetës tënde sepse ti ke qenë vajzë e një funksionari të lartë të shtetit, nënë dhe gjyshe?
Do tju them një sekret që ma ka thënë Sokoli dhe unë pa lejen e atij do ta them këtu. Shkoja sa herë që i merrja fëmijët, se tre herë ma kishte lënë gjyqi dhe makinat ishin shumë vështirë për t’i gjetur dhe zakonisht hipnim mbi kamionët e serës dhe te spitali i Vlorës aty i prisja kalamajtë që mi sillte vjehrri ose në Fier ose në Vlorë. Dhe pastaj do vinim në këmbë deri te spitali i Vlorës. Aty prisnim ndonjë makinë. Tani vonë fare më ka thënë im bir në një rast kur ai ka hipur në makinë me mua ishte betuar domethënë se i kishte thënë vetes: "Një ditë do të vij ndryshe këtu" dhe ndodhi dhe ai ka bërë rrugën për Selenicën, atë rrugë që ka qenë e pabërë dhe atje e kanë bërë "Qytetar nderi". Pra e ka asfaltuar rrugën nga Vlora në Selenicë dhe ka një lidhje shpirtërore për vetë faktin se ai ka kaluar grimca jete atje. Siç thotë një njeri i madh: “Kudo ku vete, ky shpirt ka lënë thërrime". Kështu që janë thërrime shpirti edhe pse kanë qenë kohë shumë të vështira prapë kanë lënë thërrime, aty ke dëshirë t’i shikosh dhe madje dhe po të kesh dëshirë dhe t’i ndihmosh. Botohet me shkurtime. Titulli i origjinalit: Kozeta Mamaqi: Ju rrëfej jetën time si fëmijë bllokmeni, grua e internuar e si nëna e Sokol Olldashit.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)