2013-11-26

SHPRESA GJERGJI :NJË VËSHTRIM MBËSHTETUR NE: “VËZHGIM NË BRENDËSI TË PROZËS DHE POEZISË SHQIPTARE” SHKRUAR SI KRITIKA NDRYSHE NGA FATMIR TERZIU

image

SHPRESA GJERGJI 

POETË DHE PROZATORË NË PENËN DHE KRITIKEN E FATMIR TERZIUT.


NJË VËSHTRIM MBËSHTETUR NE: “VËZHGIM NË BRENDËSI TË PROZËS DHE POEZISË SHQIPTARE” SHKRUAR SI KRITIKA NDRYSHE NGA FATMIR TERZIU





Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot , më jepet rasti të them fjalën time në këtë event te rëndësishëm të organizuar për nder të penës së artë, të Profesorit të mirënjohur jo vetëm në trojet Shqiptare por kudo jashtë atdheut, zërit të famshëm intelektual shqiptar, veprimtarit të kohëve moderne, për atë që jo vetëm ne, por e gjithë Shqipëria krenohet , Z. Fatmir Terziu , artist në artin e fjalës dhe kritikës.


Puna e tij e frytshme për të ndriçuar sa më mirë shumë çështje të rëndësishme të kohës kryesisht në gazetari e publicistikë, prozë e poezi, si edhe në sferën e skenaristit e të regjizorit ,një game mjaftë e gjerë ku Profesori yne i nderuar debuton, ku vullneti dhe kultura e tij e gjerë të shton admirimin për të dhe detyrimin që në këtë takim të sotëm të themi fjalën tonë dhe ta vlerësojmë atë.


Duke qënë se është e pamundur që brenda një hapësire kohe të kufizuar të pasqyrojmë gjithë punën e tij, unë do të ndalem këtu në një vështrimin mbështetur në “Vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare”, pjesa e parë, kontribut i denjë kritik i Pr. Terziut, i cili ka vazhduar edhe më tej me pjesën e dytë.


Do ta nisja vështrimin tim mbi kritikën ndryshe të profesor Fatmir Terziut duke u ndalur së pari tek gjuha e përdorur si pasqyrë e leksikut të bollshëm , të arrirë e tejet komunikues.Ështe fat i madh, që autori ynë i mëshon faktit se gjuha shqipe duhet folur, shkruar e kultivuar pa i humbur vlerat e saj .Gjuha me të cilën autori troket në këtë “Kritikë ndryshe”është gjuha dhe mendimi intelektual brenda saj, që e kanë burimin në thesarin e pashtershëm nga “oqeani i përvojës”së Fatmirit.


Përbërja fonestetike e leksikut (të qënit i papërsëritshëm, argumentues, i mprehtë, realist, rinor , i dashuruar, syhapët, i vecantë dhe modern,etj.) është qartësisht e lidhur me mendimin e tij kritik, duke na dhënë tërësinë e dorëshkrimit në nivele standarde gjuhësore, ku fjala dhe fjalia përkojnë me rregullin drejtëshkrimor e të drejtëpërdorura, për të na sjellë mesazhin e duhur që lë mbresë tek ne e që mbetet gjatë.


Përdorimi i mbiemrit, jashtëzakonisht i spikatur, i ndajfoljes, foljes, kundrinorit, rrethanorit etj.është shprehje e pasurisë leksiko-gramatikore që thekson rëndësinë e përdorimit të një gjuhe të pastër e të pasur, gjë që tregon më së miri se Terziu është jo vetëm artist i fjalës por edhe një linguist i zoti, ku brenda fjalës së zgjedhur, sjell mendimin e brendshëm e të gjerë të përshtatur nga ana përshkruese dhe shpjeguese. Kështu themi se përshkrimi mundësohet i saktë dhe shpjegues në gjuhën amtare.


Këtu struktrat gramatikore janë të lidhura e të përshtatura aq mirë me format semantiko-leksikore , gjë e cila na vjen rrjedhshëm si një proces i tërë, në rritje, plot vitalitet e pjekuri , duke ruajtur bukur format dhe trajtat e shprehjes në gjuhën shqipe nga ndikimii pashmangshëm dhe rreziku i ndërhyrjes dhe huazimeve të gjuhëve të tjera, që në emigracion marrin trajta, forma dhe shprehje te gjuhës së vendit ku jetojmë e punojmë. Kjo është një meritë e madhe që i takon më së miri fjalës në kritikën e Terziut.



Termi i ri i postmodernizmit si një produkt i kulturës popullore, i transformuar me stilin personal drejt stilit modern të komunikimit, ndryshe nga ai tradicional, ku autori ndërthur mendimin e tij me atë të Robert Laurence Stine, në veprat e tij di të tregojë ndodhinë sipas stilit të tij tipik dhe “është i interesuar ta shkundë lexuesin nga e kaluara, nga lotët e nxehta dhe ngjarjet e frikshme”[1]. Për Terziun, askush nuk lind poet dhe, madje, as krijues; dhe më tej pohon se, sipas Pol Elyan[2] “poetët lindin pas poezisë”. Ne duhet të mësojmë nga Perëndimi, kultura, respekti, dashuria, sinqeriteti dhe, mbi të gjitha, njerëzillëku për krijuesit e vegjël që bëjnë emër në një kohë e vend tjetër. Madje citon një varg nga poezia e Auden[3] “Njerëz, ne jemi dhe duhet të mbetemi të tillë”. Dhe vijon “ta mbrojmë lirinë e mendimit e të krijimit, të drejtën e kritikës dhe humanizmin, parime që komunistët i varrosën për të marrë pushtetin absolut”[4].


Në vlerësimin e studiuesit tonë nuk ka munguar edhe ai për Veli Islamin, duke e cilësuar atë, me plot gojë, se i përket plejadës së krijuesve të kohës që zotëruan modernizmin. Krijues të sfiduar nga dhuna komuniste, krijimtaria e të cilëve u ndërpre në moshën më prodhimtare të tyre. Dhe për këtë thotë se “harrimi” ishte krimi i kohës”.


Kritiku ynë analizon ndër studime të Stine, Jefery Archer, Lavinia Greenlon, Bryan Appleyard etj., me dëshirën e mirë për të nxjerrë në pah elemente të tilla, si: “logjikë argumentuese”, “estetikë e mirëfilltë”, “stil flirtues që tejçon enkas mesazhin”, “ndjesi që pikëtakon krijimtarinë”, faktorë objektivë e subjektivë, të ndërthurur në një analizë dhe për poezinë citon : “më shumë praktike sesa logjike”, “sa më saktë ndërmerret çdo nuhatje gjesti, më shumë të sakta do të jenë edhe fjalët që do të mbijnë në mendje për të përshkruar atë gjest, pra, kështu, poezia do të vijë në jetë e kuptueshme dhe e stolisur”.


Kur flet për korrelacionin poetik, si një qëllim ku poezia krijon art, apo korrelacionin objektiv në të cilin poeti shqiptar përdor gjendjen e brendshme, i mëshohet fort edhe metrit si njësi poetike, ritmit të poezisë, kontributit të zërit, përsëritjes, bashkëtingëlloreve e zanoreve në gjatësinë e tyre të mesazhdhënies, e gjitha kjo një marrëdhënie faktike gjërash që të bën ta lexosh e rilexosh atë. Këtu, kritiku Terziu përmend poezinë e D. Agollit dhe shkon më tej me Kadarenë në planin etik, ku drama është ekzistente dhe e pranishme. Pikërisht aty ka “depërtim historik dhe ndryshues”


Etika e së tashmes rizgjon fantazinë e rileximit të tekstit, në kuptimin e tij historik në favor të së vërtetës së tij të evoluar në kohë. Duke cituar fjalët e O’Conor thotë se Kadare shkruan në mënyrë të ngushtë, stil të zgjuar, por ai, gjithashtu, është një didakt i domosdoshëm, që të shpjegojë edhe të pakuptimishmen, edhe që ta bëjë tregimin më sipëror. “Aestetika, estetika personale dhe shmë lidhje të ngjashme janë bërë modë”, por edhe kritikon se duhet “të flaket mbulesa poetike”. Shkrimtari nënshkruan ligjërime morale, materiale dhe logjike, që u krijuan më së shumti me rrethanat e hapjes me botën si psikologji e politikës demokratike kapitaliste dhe si një ushqim i domosdoshëm nga krijuesi për lëxuesin.


Pena e kritikës së Fatmir Terziut ndalet edhe në stilin e të shkruarit, metodat, frymëzimet dhe në detaje që prezantohen në një pjesë të krijimtarisë shqiptare bashkëkohore, por i kundërpërgjigjet “pen-shpatave[5] të ndryshkura sepeteve pesëdhjetëvjeçare, të mprehura e të rimprehura ndër vite për të thurur betejën”. Në shumë raste, ata kanë “luftuar edhe përbri Donkishotit, edhe në majë të gomarit të madh të Servantesit dhe aq të vogël të Sanços”. Kështu, përballë lidhjeve të hershme dhe të momentit, pikat strategjike ndryshojnë raporte dhe natyrshëm këto prishje raportesh, si pjesë e politikave dhe aritmetikave politike, prodhojnë heshtjen. Përsa i përket “kodifikimi dhe dekodifikimi i prozës, në aspektin gjuhësor” kompetenca e penës së autorit plotëson funksionin mbartës të një logjike filozofie dhe miti shqiptar, që prodhohet nga shpërthimi kohor.


Bukuria shpirtërore në prozën e Thoma Janit shndërohet në një mit, që, sipas kritikut tonë, “një mit që edhe i madhi Roland Brother do ta kishte zili dhe do ta kërkonte deri në detajin më të vogël në teorinë e tij, të fjalës së shprehur si mit.” Si tendencë drejt një sinkronizmi të plotë rreh një bashkëbisedim i qetë e metamorfozë, si edhe një dialog i zhdërvjellët në fjalën e shkruar. Ky derivat shkrihet i tëri në një komunikim të thjeshtë, fjalë të shkruara, togfjalësha të përsëritur, reticensë etj. në fjalinë e shkruar të Janit. Bota e tij lidhet sa me krijuesin, edhe me krijimtarinë, që, sipas profesor Terziut, “vepra e Thoma Janit është një kërkim i vazhdueshëm shkencor historik”, “një gërshetim i mrekullueshëm artistik i arritjeve të sotme bashkëkohore”[6].


Ndërsa vazhdoj rrugëtimin në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare, ndalem në vlerësime që kritiku Terziu, me artin e tij të fjalës, i bën Naum Priftit, si një model i tregimit shqiptar, i cili “strehon një mal me figura letrare dhe një gamë të madhe falësh që, hera-herës, përbën një fjalor enciklopedik dhe kërkimor-shkencor në fushën e krijimtarisë shqiptare”. Tregimi i tij është jetëgjatë, pesha e fjalës së prodhuar luan një rol më vete.


Ndërsa kaloj te modeli i Lazër Stanit, vërej se theksi i Terziut bie mbi fjalën “demode”; atë që, sipas Stanit, “shkrimtari shkruan dhe rendit fjalë kur nuk ka asgjë për të thënë, improvizon ndjenja dhe përfytyrime kur vërtet e ka shpirtin të rrafshët, kur inertësia shuan çdo reaksion të brendshëm”. Studiuesi ynë analizon më tej se “një ambjent I fjalës së shtirur apo fjalës së grabitur është një keqkuptim me vetveten dhe me botën”. Këtu, rrjedhimisht, rëndësia e shkrimit, shkrimtarit, krijuesit venitet.


Duke parë se tregimet e Lazër Stanit kanë tërhequr vëmendjen e kritikut tonë, ai i sheh këto në syrin e Anton Nikë Berishës[7], Frojdit dhe të atij vetë. Si e tillë, respektivisht, ajo ushqehet nga ëndrra, nuk ka fantazi; apo sjell fantazi; apo, sipas kritikut, ajo “kompetiton arritjen e të qënit e klasifikuar si tregim fantastik”, që do të thotë “gatuhet nga një fabrikë fantastike, një tregim fantastik I arritur e me nivel”.


Zbresim më poshtë dhe hedhim vështrimin sesi akademiku i fjalës dhe mendimit di të tregojë komunikimin nëpërmjet fjalës ose frazës, e thënë ndryshe, diskursit etik që në krijimtarinë e Ramis Gjinit, realizohet e parë në dy aspekte: së pari, në atë “të mëvetësishëm” dhe që vjen si diçka origjinale; së dyti, e parë në këndvështrimin se jeta njerëzore rrjedh përmes anktheve të ndryshme, duke e cilësuar si” bukuri e anktheve njerëzore”. Di kaq bukur të konceptojë e të shpalosë dy elemente të teorisë së Kantit e Aristotelit, kur hedh dritë në marrëdhënien e tyre ndaj “fjalës e sintagmës së përditësisë njerëzore, në lidhje me njeriun në hapësirë, vendin dhe situatën që e rrethon”. Në realizimet e tij, Gjini, sipas kritizerit tonë, “mbetet një prozator tipik i fjalës në prozën shqiptare[8]”. Aty gjuha e përdorur është e qartë dhe komunikuese, stili sjell argumente bindëse, realiteti është i prekshëm, nuk ka shtirje, karakteret dhe personazhet janë racionalë, elementet figurative janë tërheqës dhe aspekti i diskursit etik të fjalës, arrin të sjellë mesazhin, arrin të shprehë shpërthimet njërëzore dhe caqet e dukurive që ai ofron në veprën e tij.


Do të dëshiroja që, duke e parë poezinë shqiptare nën dritën e psikoanalizës, të citoja: “….është rruga e psikoanalizës që na shtyn drejt gjërave më të ndjeshme dhe më tipike për të dalluar transformimin”. Nën këtë drtë-hije rrugëtimi teorik në poezinë lirike lidhet me studimet e poezisë shqipe, hera-herës me mangësi e zbrazëti që lidhen me transformimet në rrugën e zhvillimit të saj krijues deri në këto ditë ku ajo ndihet e rritur ndjeshëm. Ajo që të bën të ndalesh është mençuria sesi konsiderohet letërsia shqiptare në tërë krijimtarinë e në veçanti poezia, ku fjalët të tingëllojnë fuqishëm, ashtu sikurse poeti kritik e quan “poezi tingëlluese”.


Nëse një krijues është shumë origjinal, askush nuk e kupton atë dhe këtë problem e sheh si universal, jo vetëm në krijimtarinë bashkëkohore shqiptare, por në gjithë aspektin krijues. Kjo është arsyeja që shumë poetë janë “mbytur në origjinalistikën e tyre të tepërt”[9].


Sipas Tomas Davis, edhe origjinaliteti i moderuar është problem. Ai thotë: “Shekspiri ka prodhuar perfekten, të rregulltën, pesërrokëshin lambik, për të gjetur ekzaktësisht atë që pritet”. Këtu kritiku thekson se në qoftë se krijuesi bie në përsëritje dhe lexuesi gjen atë që prêt, kjo, sipas tij, është e mërzitshme, pra kemi një lloj kopjimi.


Duke lexuar vargjet e Çajupit, Migjenit, Poradecit, Kadaresë, Agollit e Kekos, vëzhgimi në brendësi të tyre tregon qartë se “dritarja e shpirtit të tyre, fuqia e tyre e hallakatur e shumë të tjera rrëshkaqsin lehtë nën varg dhe krijojnë emocionalen e papritur”.[10] Kur flasim për poezinë “akrostike”, krijuesit shqiptarë mundohen të realizojnë poezinë me rimë ose disa e mënjanojnë atë, zakonisht ata që i këndojnë pranverës, stinës së bukur me vargun e parë, të dytë dhe të pestë me rimë.


Dhe themi se pas’90 krijuesit janë më të shumtë dhe, nën teorinë psikoanalitike, poezia shqiptare është transformuar në këtë periudhë. Vëllimin poetik[11] “Sidomos nesër” të M. Ahmetit studiuesi e ka parë disi ndryshe në raport me krijimtarinë shqiptare në poezi. Aty ai zbulon, sipas teorisë së Derrides, kuptimin e vargut filozofik dhe shprehet: “Zbrazëtia është njohur të jetë një pamundësi për mbushjen e një hapësire”dhe e sheh zbrazetinë si një aleat të ngushtë me karakterin special të hapsirës .Atëhere ajo nuk është më një pamundësi, por një mundësi për ta shpënë atë përpara. Poezia e Ahmetit vjen në linjën e pikasur të filozofisë si një një udhëtim në hapësirë, ashtu sic Derride e realizon tek “Arti dhe hapësira”, një materie lëvizëse brenda kuptimit figurativ të hapësirës në të cilën ndosh kjo lëvizje. Këtu mbizotëron lëvizja në hapësirë dhe në zbrazëti. Arbitrariteti i fjalës është plotës i funksionit të zbrazëtisë .Aty ka nja analizë e psikoanalizë, të thjeshtë e komplekse, të detajuar me vargje dhe e përgjithësuar nga teoria, kryesisht e Derrides dhe Herdeggerit[12], duke treguar qartë një përshkallëzim letrar që lidhet me definicionin historic të aestetikës dhe të arbitraritetit shkencor që shpjegon “të vërtetën” dhe “bukurinë”, duke na dhënë esencialen e formës dhe nocionit të saj në një hapësirë dhe në një zbrazëti shoqërore që diktohet nga shumë arsye dhe rrethana.


Gjithashtu, në adresë të Lekajt, poezia e tij krijon një bashkëbisedim të shkruar me një figurë të qartë dhe mjaftueshëm për të kuptuar rolin e saj. Aty, ndër to, ekziston një lidhje dyshe me imazhin në mendje dhe fjalën brenda këtij imazhi, duke realizuar pikëlidhje dimensionale të fjalës me imazhin.


Ndërsa kur i referohet poezisë së Arqile Gjatës, studiuesi ynë vëzhgues nxjerr në pah se vargu i tij është i lirë, i çliruar nga ritmi, i rregullt, por që mbështetet në organizimin e njësive ritmike. Ai krijon dhe lëvron vërtet i çliruar nga rima, por kuptushëm dhe qartë, plot muzikalitet. E ka qejf “tercinën” dhe e quan gjuhën e tij “të vërtetë”, shpirtin e tij “të përdhimbur”; një shprehje kjo që flet shumë, tregon dhe vlërëson se në vargun e Gjatës ka shpirt, ka dhembje, ka botë të brendshme e të ndjeshme, që ky strukturim me çka mbart në vetvete lidhet, ngjan e përngjan me poezinë moderne. Kritiku e vendos këtë lloj strukture në raport me krijimtarinë e hershme shqiptare., me atë të Asdrenit tek “Psallma e murgut”, si edhe tek “Llora” e Kadaresë, ku tregon se ka “një ngjashmëri në strukturë dhe në filozofinë e shprehjes me poezinë e Gjatës[13]. Dhe përmend këtu “Poetët e harlisur”.


Ndalem pak më tepër këtu, se edhe unë e kam për zemër, ku fuqia e personifikimit të tij poetik krijon emocion brenda emocionit në poezinë e tij. Gjithashtu, përdorimi i elokucionit, vendosja dhe renditja e vargut në të tillë mënyrë që të ushtrojë ndikim të thellë, “shprehësia, qartësia, pastërtia gjuhësore, elegance, veçantia ideale, harmonia etj.” bëjnë që poezia e tij të marrë jetë dhe mbetet krijim ritmik i botës së tij të brendshme e të ndjeshme. Kritika e konsideron atë si “shpirtdhimbje e poetit që krijon bukurinë në fjalë” e duke hyrë brenda fjalës, shprehet se poetika e tij del nga shpirti e duket qartë se ka “stilin e tij, gjuhën dhe vargun e tij”.



Ashtu siç thotë vetë poeti:



Nga cepat e vargjeve rrëshqasin lotë e shpresë,


Jo copëra litari për fjalën e lirë.



Me këtë paraqitje të përmbledhur të “Vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare”vëllimi i parë dëshiroj të theksoj se moslodhja e fjalës së tij të mençur kritike ka bërë të mundur të hapen horizonte të reja në studimet shqiptare. Veprat dhe studimet e Pr. Fatmirit kanë vlerën e madhe për të qënë studime të mëtejshme.



Bashkë me vlerësimet për këto suksese të mëdha , shpreh edhe falenderimet më të përzemërta si mik, studjues e si nje krenari shqiptare për botën e madhe të tij dhe veprën e shquar që i bënë nder kulturës shqiptare, duke i uruar që në vitet e ardhshme, me vrullin dhe gjallërinë, intelektualizmin dhe largpamësinë që e konsideron, të na japë edhe më shumë vepra të tjera thesar, të cilave u është përkushtuar lakmueshëm e me zotësi.


Ju uroj shëndet Pr. Fatmiri dhe e gëzofshi mirënjohjen e gjithë kolegëve e miqve.


JU FALEMINDERIT







[1] Fatmir Terzu, Vëzhgim në Brendësi të Prozës e Poezisë Shqiptare, fq 9

[2] Po aty, fq 34

[3] Po aty, fq 35

[4] Po aty, fq 41

[5] Fatmir Terziu, Vëzhgim në Brendësi të Prozës e Poezisë Shqiptare, fq 28

[6] Po aty, fq 78

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh                                  Nga Flori Bruqi Ismail Kadare(28 .01.1936 - 01 .07. 2024) ishte akademik, politikan, ...