Si u përfshinë në “vdekje” Shkëlzen Alia dhe ish-zëdhënësja

Si u përfshinë në “vdekje” Shkëlzen Alia dhe ish-zëdhënësja
Ngjarja e rëndë ku humbi jetën deputeti i Partisë demokratike, Sokol Olldashi krijoi frikë dhe panik, ndërsa policia vonoi jo vetëm të gjendej në vendin e ngjarjes, por edhe të jepte informacion. Bllokimi i rrugës për më shumë se 2 kilometër larg nga vendi i ngjarjes bëri që aksidenti të shoqërohej për orë me radhë nga një mjegull informacioni ku për më shumë se 4 orë u fol se në atë greminë Sokol Olldashi gjendej bashkë me një viktimë tjetër. Policia, prokuroria, ambulancat, funksionarë të lartë të shtetit, të Partisë Demokratike bllokuan rrugën për të hyrë në vendin ku ishte rrëzuar makina e deputetit Olldashi, informacionet kontradiktore të cilat policia nuk doli asnjë moment t’i sqaronte, sollën publikimin e emrave të personave, të cilët për fatin e tyre nuk ishin pjesë e asaj tragjedie. Ndërkaq publiku u ushqye përmes rrjeteve sociale me teori konspiracioni rreth një personi të dytë që pretendohej se udhëtonte bashkë me të ndjerin.
Fillimisht emri i parë që doli nga burimet e vendit të ngjarjes, diku afër mesnatës, lidhej me ish-kreun e Policisë Rrugore, Shkëlzen Alia. Duke qenë një nga figurat më të spikatura të Policisë së Qarkullimit për disa vite me radhë, emri i Aliajt tronditi publikun po aq sa edhe për deputetin,pasi u transmetua lajmi i rremë që oficeri kishte ndërruar jetë në automjetin e deputetit. Vetëm në ato momente, policia u shfaq dhe e përgënjeshtroi lajmi për të bërë me dije se në të vërtet Alia ishte shëndosh e mirë dhe se nuk kishte qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat që pasuan keqkuptimet e shumta, të cilat nga terreni i vështirë i Krrabës dhe i mbushur me njerëz që askush nuk ofronin informacion, u ushqyen rrjetet sociale, por për asnjë moment nuk u shuajt kureshtja e njerëzve për të mësuar se kush ishte “viktima e dytë”. Për më shumë se 3 orë Policia e Shtetit nuk doli të bënte me dije se në vendin e ngjarjes ishte vetëm një viktimë dhe ai ishte deputeti Olldashi.
Përfshirja në aksident e ish-zëdhënëses
Aludimet për personin tjetër që fillimisht u tha se kishte dalë me pak shenja jete dhe se më pas kishte humbur jetën, lidheshin me emrin e Arminda Qylafkut. Ndonëse emri i saj nuk u bë publik nga ana e mediave vizive dhe atyre të shkruara, ishin rrugët e tjera të komunikimit që folën për aksidentimin e saj. Policia as mesnatën e së mërkurës dhe as paraditen e djeshme nuk doli për asnjë moment të sqaronte pozicionin e vajzës. Derisa mëngjesin e djeshëm, vetë ish-bashkëpunëtorja e deputetit iu bashkua zisë së rëndë që kishte rënë për humbjen e jetës së Sokol Olldashit. Njëkohësisht vajza lajmëroi nga faqja e saj në Facebook se ishte shëndosh e mirë, duke bërë të mundur kështu, jo vetëm përgënjeshtrimin e informacionit që dilte nga vendi i ngjarjes, por edhe duke bërë punën që në të vërtet duhej të bënte policia.
Ministria: Policia për 8 minuta në vendngjarje
U deshën rreth 20 orë pas asaj ngjarjeje të rëndë aksidentale që të merrej një sqarim publik nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme shkruhej: “Në datën 20.11.2013 në rrugën interurbane dytësore, Tiranë - Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Sokol Olldashi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA 003 NH i drejtuar nga deputeti Sokol Olldashi ka qënë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan - Tiranë. Policia është njoftuar për këtë aksident rreth 21:20 të ditës së djeshme. Pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ka ardhur njoftimi se në dalje të tunelit të Krrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë një mjet kishte dale nga rruga. Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet Policisë Rrugore që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet proceduriale u drejtuan nga Prokurori i Rrethit i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij”
RD: Në makinën e deputetit, edhe një person tjetër
RD në orën 03.00 të ditës së djeshme RD ka dhënë versionin se në makinën e deputetit udhëtonte një person i dytë ende i paidentifikuar. Gazeta zyrtare e PD, Rilindja Demokratike në versionin online ka një kronologji të zgjeruar ku përmendet se në veturë ishin dy persona, por nuk shkruhen emra. Ky lajm u rishpërnda nga rrjetet sociale pastaj u bë baza e diskutimeve online që kanë mbizotëruar gjatë ditës së djeshme.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)