2013-11-18

Një roman kafkaesk nga Faruk Myrtaj

Nga : Astrit   LULUSHI

 
Nga titulli, romani “Atdhe tjetër” (botimet Milosao, 2012), paralajmëron “ikjen”. Eshtë një prej librave që nëpërmjet titullit zgjon imagjinatën dhe më shumë akoma, “nëse ikja (është) pa ditur për çfarë, pa ditur për ku…” si sëmundje pa shkak, vuajtje pa qëllim. Kërkimin për “Atdhe tjetër”, Faruk Myrtaj e fillon më 1997 nga një aeroport i vogël – i vetmi me emrin e një gruaje të madhe shtatshkurtër; ‘Nënë Tereza’, – “Pse jo Aeroport i Mëshirës, ose Aeroporti i Keqardhjes?!” – që më shumë përcjell sesa pret.
Bëhet fjalë për ikjen fizike nga një atdhe për të cilin të thonë se “duhet t’a duash edhe kur të vret”, edhe kur iket nuk duhet harruar. Por “Atdhe tjetër” është më shumë, ku filozofohet ikja nga vetja – për në vetëvete – largim, ndarje, vetmi, dhe një farë zhgënjimi në fund, kur kuptohet se as nga vetja nuk iket.Ashtu gdhendur në mendim, “Atdhe tjetër” i ngjan orëve të Kafkës; rrëfen, lëshon piskamë – si pikturat e Munchit – kushtrim pa zë i ankthit të jetës së një populli – a njeriu të vetem në kufi midis dy shekujve . E rëndësishme për autorin është jo vetëm ana e jashtme e qenieve dhe gjërave, por edhe britmat e heshtura që atyre u dalin nga thellësia. Ashtu si Kafka që shkroi Metamorfozën pa qene nevoja të transformohej, apo shkroi për Amerikën pa shkelur kurrë në kontinentin e ri; “s’është e thënë të ikësh fizikisht. Njeriu ikën, ndryshëm. Si uji, ajri, drita, libri…” Por si mund të dihej kjo, kur Kafka prej vitesh kishte qenë autor i ndaluar? I ndaluar në atdheun e parë kishte qenë edhe Perendimi prandaj mes të ikurve lindi zhgënjimi; “Kam frikë se s’është Perëndimi yt ky…. As Ikja e Lindjes për në Perëndim s’më duket zgjidhje…askush…nuk ikën dot me të gjitha, nuk ikën dot i gjithi” – përkohësisht humbet – “si uji në rërën e shkretëtirës, për tu shfaqur sërish, në formën e ndonjë oazi”, shkruan Myrtaj në “Atdhe tjetër”. Të ndjehesh atje ku nuk je, është ndjenjë që romani “Atdhe tjetër” të bën të kuptosh se të vetmuarin; “Vetëm Frank, ai ka për ta ndjerë sinqerisht mungesën time….kurse miqtë e vendlindjes mund t’a merrnin heshtjen time si fshehje lumturie.”…Dhe duhet kohë, vetërrëmim, kalim provimesh të vështira, përvojë që njeriu të shtyhet në mendime të thella për të arritur në perfundime të tilla.
 
Kafka – tek “Procesi” – flet nëpërmjet protagonistit Josef K. Myrtaj – tek “Atdhe tjetër” shprehet vetë për ankthin, zhgënjimin, vetminë, si njeri që jeton duke pritur gjykimin pa u informuar ndonjëherë për çfarë gjoja ka gabuar; “E tëra kjo është lojë, besomë mua” ka gjasa t’i jetë lutur Kafka personazhit të Procesit. “Do kalojë pak kohë dhe,…do t’i kujtosh duke qeshur këto orë….”, i thotë Myrtaj vetes në “Atdhe tjetër”. Lindur në Shqipëri me 1955, Faruk Myrtaj, njihet si shkrimtar e poet, ndërsa punoi edhe si gazetar e drejtues shtypi në pas-diktaturë, çka duket se i dha rastin të njihej me shumë politikanë e personalitete të artit, emrat e të cilëve i sjellë fiktivisht në roman. Myrtaj flet për shkrimtarin që “u dorëzua” në Paris; poetin me thinja të bukura; shkrimtarin brun; poetin e Bregut gjithmonë me cigaren në buzën e plasur dhe të birin që ia dënuan për agjitacion; apo për gruan e moshuar që mendonte se komunzmi nuk kishte qenë edhe aq i keq, megjithë vitet e shumta në burgje e internime që ajo kishte vuajtur nën diktaturë. Faruk Myrtaj jeton në Kanada që prej vitit 2003 kur u “vetë-mërgua” familjarisht. “Atdhe tjetër” – roman filozofik – mbështetet kryesisht në ngjarje e përvoja jetësore të autorit në këtë vend dhe tjetrin. Në libër, Myrtaj pasqyron luftrat e tij. Por si Kafka, tregon edhe në ç’mënyrë – vërtet ose artistikisht – njerëzit sajojnë, krijojnë, shpifin ngjarje që e shtyjnë tjetrin në luftra të brendshme.

No comments:

Post a Comment

Mediat dhe Politika: Pse ka kaq shumë manipulime dhe propagandë në mediat shqiptare?

  Kërko brenda në imazh Nga Gëzim Mekuli   Gëzim Mekuli lindi në Pejë (1966). Studioi në Universitetin e Prishtinës gjuhën dhe letërsinë ang...