“ Kosova rast universal apo sui generis” edhe në rumanisht


Pas botimit në anglisht dhe në arabisht, këto ditë, u botua edhe në rumanisht libri i dr. Islam Lauka, “Kosova rast universal apo sui generis”.


“ Kosova rast universal apo sui generis” edhe në rumanisht

Libri i Ambasadorit të Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, “ Kosova rast universal apo sui generis” ëhtë botuar edhe në gjuhen rumune.
Promovimi i librit u organizua në kryeqytetin rumun, Bukuresht, nga “Fondacioni Europian Titulescu” ( FET). Në këtë veprimtari ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik, të akredituar në Bukuresht, deputetë, akademikë, studiues dhe ekspertë të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, përfaqësues të mediave, si dhe bashkatdhetarë me qëndrim në Rumani
Ndryshe, kjo libër është e botuar edhe në dy gjihë tjera, anglisht dhe rumanisht. Ndryshe, Rumania është njëri nga shtetet e Bashkimit Europian që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Midis atyre që morën fjalën në këtë veprimtari ishin edhe Oana Popescu, drejtore e “Global Focus Centre”, prof. dr. Vasile Simileanu, drejtor i revistës “Gjeopolitika”, prof. dr. Ion Diaconu, publicisti i njohur, njëkohësisht përkthyes i librit, Tiberius Puiu. Presidenti i “FET”, ish-kryeministër i Rumanisë, Adrian Nastase, i cili ishte moderator i aktivitetit, duke e përmbyllur atë, ka theksuar se Rumania duhet ta njohë shtetin e Kosovës.
Duke u shprehur figurativisht, ai ka thënë se “është fjala për lindjen e një fëmije. Ai ka lindur tashmë, është pagëzuar dhe është fqinj me ne. Pavarësisht se na pëlqejnë ose jo prindërit e tij, ne duhet ta njohim atë”.
Në këtë veprimtari ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Rumani, Sami Shiba.



Islam Lauka është i lindur në Bytyçin kufitar me Kosovën, që kishte pranë klonin e kufinit dhe traun e doganës së Qafës së Prushit, e kishte zemren prush me dashurinë e përkushtimet për Kosovën, që të ishte pa klone dhe të pavarur e sovrane, siç është sot.

Në vitin 1982, si Sekretar i Parë i Rinisë së Tropojës, lexoi një përshendetje në tribunën e Festës së madhe Lokale të rrethit, dhe, aty foli disa fjalë për Kosovën, për ngjarjet e ndezura të vitit ’81 dhe, në vend të emrit “Tropojë” përdori atë më të hershmin “Malësia e Gjakovës”, çka ishte e vështirë ta bëje kaq publik një veprim të tillë në atë kohë dhe çka nuk kaloi pa disa debatime institucionale pas kësaj.


Në familjen e tij në Tiranë, prej pesë antarësh, Kosova është vazhdimisht e pranishme dhe të gjitha janë të përkushtuar për Kosovën. Bashkëshortja e tij, Fatbardha, një zonjë e nderuar, përherë i gjendet pranë duke e ndihmuar edhe me redaktime e korektime në librat studimorë të tij, por edhe vet, ajo, prej kohësh, ka në duar një libër për “Zonjën e Hekurt”, ish- Sekretaren e Shtetit Amerikan, Madlen Ollbrajt, që aq shumë bëri për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës. Dy fëmijët e tij më të rritur, studentë, nuk duan të mbeten pas, por ecin në gjurmët e shembullin e babait të tyre: Drenica, përveçse përkthyese e mirë tek “Almanaku i Botës, 2008” është edhe redaktore e botimit të Dr. Islam Lauka: “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, ndërsa djali i tij, Albani, është konsulent, përkrahë disa emrave të njohur, tek libri “Kosova - me elementët terësorë të Pavarësisë”.
Dr. Islam Lauka, diplomat kariere i suksesshëm, nis udhën në diplomaci në shtator të vitit 1985. Ia fillon referent e shef sektori në Drejtorinë e Parë të MPJ. Me shkrirjen e akujve të “Luftës së Ftohtë”, më 1991, shkon Sekretar i Parë dhe I Ngarkuar me Punë (a.i.) në Ambasadën Shqiptare në Moskë. Në vitin 2005 emërohet Drejtor i Marrëdhënieve me Vendet Fqinj dhe më 2006 Drejtor i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në MPJ. Merr gradën diplomatike “Këshilltar” dhe më 19 shkurt 2008, vetëm dy ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, emërohet Ambasador në Prishtinë.

Dr. Islam Lauka, në vitin 1994, kur në Akademinë Diplomatike të Moskës e mbronte gradën “Doktor i Shkencave Politoligjike” me temën jehonë mediatike “Evolucioni i çështjes së Kosovës dhe gjendja e tij aktuale”, në gjuhën ruse, besoj se, në vështrimin e tij vizionar, sado realist e perspektiv deri me parashtrimin e aksiomës së Pavarësisë së Kosovës, nuk do ta ketë menduar ndonjëherë faktin e sotëm të lumnueshëm, që, më 2008, 54 vjeçar, të ishte Ambasadori i parë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, në Kosovën e Pavarur, në Shtetin më të ri të Botës.

E veçanta e tij, si diplomat ndryshe, listohet edhe në faktin se Dr. Islam Lauka ka qenë Ambasador i Kosovës në të gjithë qënien e veprimtarinë e tij si qytetar, diplomat e shkencëtar, përgjatë rrjedhave historike e diplomatike të mbi tre dekadave të fundit.

Dr. Lauka ka shënuar disa kulminacione të jehonshme ndërkontinentale në kanale e debatime diplomatike, në tavolina e tribuna shkencore, në pasqyrime e vlerësime në masmedia, edhe me studimin e lartëpërmendur në rusisht të mbrojtur në Moskë, edhe me botimin në shqip, anglisht e arabisht edhe në persisht të librit studimor “Kosova: Rast Universal apo Sui Generis”, (2007), dhe me tjetrin botim studimor në shqip e anglisht “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, (2007), i publikuar edhe faqe interneti, në gjuhen serbe.

Dr. Islam Lauka mbetet i vetmi diplomat shqiptar, që botimet e librave të tij i gjen, jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht, arabisht, rusisht, serbisht e persisht.Dr. Islam Lauka, me përkushtimet e kontributet e tij, si President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, organizoi tri konferenca shkencore: dy për Amerikën dhe një për Mbretërinë e Bashkuar, motivoi e drejtoi veprimtarinë risore “Marsi – Muaji i Miqësisë Shqiptaro-Amerikane”, publikoi e pajisi me parathënie studimore në shqip e anglisht librin Toni Bler “Për Shqiptarët”, etj.

Me siglen e Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, drejtor i të cilit është Dr. Islam Lauka, në vitin 2007, i botoi dy librat e tij studimor: “ Kosova: Rast Universal apo Sui Generis” dhe “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, për të cilat, dy nga viganët e çështjes së Kosovës, Noel Malcolm në Londër e Janusz Bugajski në Uashington, por edhe personalitete të tjera, kanë shkruar faqe të tëra me vlerësime të merituara, të cilat e dëshmojnë e lartësojnë formatin e tij si shkenctar e diplomat.

I nderuari Bugajski, ndër të tjera, shprehet se “Nisur nga konteksti strategjik i luftës për Kosovën, si për analistët ashtu dhe për politikëbërësit është e rëndësishme që të kuptojnë si unikalitetin historik, ashtu dhe rëndësinë strategjike të këtij territori. Monografia e Dr. Laukës shënon një pikë thelbësore të fillimit të këtij procesi”.

Dr. Islam Lauka, në këto vitet e fundit, është edhe Drejtor i Bordit të Institutit Kombëtar të Diasporës Shqiptare, pranë MPJ të Shqipërisë.
Në vitin 2006, me bashkautor, ka botuar librin “Shqipëria në arkivat ruse”, që do të pasohet me volumin e dytë këtë vit, më 2008 dhe, është një ndër botimet më të kërkuara nga studiuesit e lexuesit.

Në vazhdimësi ka publikuar studime, esse, analiza e artikuj, kryesisht për Kosovën, në shtypin shqiptar e të huaj. Veçanërisht në këto tre vitet e fundit, 2006-2008, ka pasë një produktivitet të lartë e kulminacione të admirueshme me publikimet, (në cilësinë e Drejtorit të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike), të studimeve të tij për Kosovën në shtypin shqiptar, si në gazetat “Kosova Sot”, “Standard”, “Tema”, “Bota Sot”, “55”...dhe deri në faqet shqiptare të internetit: ”VOAL-Zeri i Shqiptareve”,“Tribuna Shqiptare”, “Kosova Press”, “Lajmi Shqip”… Këto publikime kanë pasë jehonën e vet në Federatën Ruse dhe në disa shtete ballkanike, etj., aqsa, i mirënjohuri Janusz Bugajski, nga përtej Oqeanit Atlantik, shprehet: “Zor se do të kishte patur kohë më të përshtatshme se kjo e tanishmja për publikimet e Islam Laukës për Kosovën”.

Më rastisi vitin e kaluar, më 2007, teksa, në lartësinë e dinjitetit e të detyrave të tij si shqiptar, diplomat e shkenctar, përballej në media me të vërtetat për Kosovën me politikëbërës, analistë e studiuesë rusë, t’i sugjeroja miqësisht për të patur kujdes se ishte diplomat nivelëlartë në MPJ, por në sipërmarrjen e ecjen e tij të guximshme kombëtare, më ktheu një përgjigje të prerë: “Jam i gatshëm të sakrifikoj diplomacinë për Kosovën”(RAMIZ LUSHAJ)...

****

Dr. Islam Lauka, Ambasador i Shqipërisë në 
Prishtinë,shpallet  “Qytetar Nderi” I Bytyçit
 Bytyçi në fundshtator 2012 në qytetin alpin përjetoi një festë të veçantë për nga dimensionet e vlerësimit të personaliteteve e të pjesmarrjes nga hapësirat etnike shqiptare e nga gjithato vende euro-atlantike. Iu jepej titulli i lartë “Qytetar Nderi” burrave të shquar bytyças: Dr. Islam Lauka, Ambasador i Shqipërisë në Prishtinë, President i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike e Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike; atdhetari, studiuesi, piktori e biznesmeni Sejdi Bytyçi me banim në SHBA, autor i veprës së sukseshme “Kosova-Rruga e Lirisë” (botuar në anglisht, 2012); Ali Brahim Zherka (pas vdekjes), figurë e shquar e Luftës Antifashiste në Malësinë e Gjakovës e në Kosovë;  vëllezërit nacionalistë Gani e Sahit Kryeziu, që vepruan aktivisht  në Bytyç e deri në Alpe dhe në Kosovë; etj.
Në këtë veprimtari “Nderim për Kontributet” kishin ardhë kryetarët e  komunave si ai i Preshevës në Kosovën Lindore , Ragmi Mustafa, ai i Gjakovës, Pal Lekaj, ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë, Dr. Gazmend Pula, sekretari  i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës, Adil Kaloshi nga Salsburgi i Austrisë, bytyçasi Adil Kaloshi etj.
Në këtë ditë-festë të jehonshme me aktivitete morën pjesë e floën deputeti i Tropojës, Besnik Dushaj, kryetari i komunës së Bytyçit, Feriz Hoxha, kryetari i bashkisë së qytetit alpin, Agron Demushi
Pershendetja e studiuesit, humanistit e veprimtarit shoqëror, Adil Kaloshi, u pëlqye nga të pranishmit në këtë aktivitet, pasi fliste një nga personalitetet e shquara të Bytyçit e të diasporës tropojane në botën euro-atlantike, që ka dhanë kontribute të mëdha me studime e ndihma humanitare për vendlindjen. Po gjejmë rast ta publikojmë:
“Në emrin e të gjithë diasporës së Bytyçit, dhe në veçanti të vëllezërve Bytyçi në Nju Jork të Amerikës, dhe të motrës tonë të nderuar në Belgjikë, Rukie Ramja, ju uroj nga zemra  sukses në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë. Edhe pse fizikisht jemi larg, me mendje e me zemër jemi pranë Jush, këtu në Bytyç!
Në takimet e diskutimet që bëjmë  në Diasporë shpesh bashkëbisedojmë: Ne nuk duhet ti shesim mend njeri-tjetrit se kush ka lekë ma shumë apo kush e ka makinën ma luksoze, po kush ka investuar ma shumë në vendlindje. Gjermanët thonë: lekët shkojnë e vijnë. Edhe makina ma luksoze, nuk jeton ma shumë se 12 vjet, por dashuria, respekti, urtësia dhe bamirsia jetojnë në shekuj.
Dhe këtë e vërteton më mire se kushdo, Nënë Tereza, e cila nuk ishte milionere dhe as nuk kishte dalë nga oborret mbretërore, por një grua e thjeshtë, që me dashurinë, respektin, urtësinë dhe bamirsinë e saj e detyroj tërë botën me i thirrë: Nanë!
Edhe vendet atje ku banojmë e jetojmë, Zoti nuk i ka ba ma të mira, se këto tonat këtu, në Bytyç e në Malësinë e Gjakovës, po dora e njeriut në breza i ka rregulluar e zbukuruar.
Sot më shumë se kurrë Shqipëria është më afër Europës dhe Europa është më afër Shqipërisë, sot që asfalti ka mbrri tek dera e shtëpisë, ne duhet të investojmë sa më shumë në vendlindjen tonë. Dikush një shtëpi, dikush një pemtari, dikush një urë, dikush një krue, duke rregulluar varret e të parwve tanë etj. tw japim contribute qw brezat e ardhshëm të na kujtojnë edhe neve duke e çuar  ma përpara veprën tone, ashtu sikur i kujtojmë ne sot, të parët tanë, për trimërinë, zgjuarsinë dhe bujarinë e tyre.
Duke mos u zgjatur më shumë, që vendin në vend të fjalvëe, tja lëmë veprave. Më lejoni t’ju uroj nga zemra edhe një herë urime dhe suksese në familjet e Juaja! Ishalla: Zoti e Dervish Luzha na ndihmon Ne, dhe Ne ndihmojmë njëri-tjetrin”

****

Islam Lauka, nga Rusia në Kosovë


Një jetë të tërë duke studiuar çështjen e Kosovës. Sikur një pjesë e thinjave mbi kokë t’i jenë shtuar pikërisht nga kjo ironi e historisë, sa kompleksive, sfiduese, aq dhe me rëndësi diplomatike. Islam Luaka preku deri dhe gjenezën e problematikës kosovare. Një diplomat me përvojë dhe njohës i mirë i rrethanave dhe çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, kritik i ashpër i politikës absurde serbe dhe asaj ruse deri në momentin e hapjes së “Kutisë së Pandorës”.

Diplomati i karrierës, ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi, Islam Lauka, tashmë është ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Autor i librit “Rasti i Kosovës, universal apo sui generis”, që guxoi të shpjegojë asimetritë midis rastit të Kosovës dhe konflikteve të ngrira në hapësirën post-sovjetike. Z. Lauka bëri një analizë të thellë të situatës, saqë lexuesi nuk e pati të vështirë të kuptojë që Kosova është një rast “sui generis” dhe se nuk ka asnjë dilemë se çështja e Kosovës është një rast i veçantë. Ambasadori që mbrojti idenë se Kosova i përket mëvetësisë në Ballkan, të njohur historikisht si “fuçi baroti”, por që me fillimin e mijëvjeçarit të ri u vu në rrugën e paqësimit me vetveten dhe me të tjerët. Ish-drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, z. Lauka, nuk nguroi të analizojë deri në palcën e kurrizit, gjithçka e çdo lloj politike që kishte të bënte me Kosovën dhe të drejtën e saj për vetëvendosje.

Ai apeloi fuqishëm kundër rikthimit të gjeopolitikës dhe revansheve të tipit “Ivashov”, kërcënime gjeneralësh të çfarëdo lloji. Por gjithnjë optimist se dita e lirisë për popullin e Kosovës ishte shumë e afërt. Dhe kur Kosova e kishte të pashmangshme pavarësinë, ai gjeti një “qetësi” të përkohshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, si drejtor i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Shumëpalëshe. Por për t’u rikthyer fuqishëm, tashmë në Kosovën e lirë, si ambasador i Shqipërisë në republikën më të re të botës. Kush më mirë se Islam Lauka e njeh situatën kosovare. Është mik i politikës kosovare, i protagonistëve të saj me të cilët mban lidhje të hershme. Ai udhëton shpesh drejt Prishtinës, Prizrenit, apo Gjakovës, pak metra larg vendlindjes së tij, Tropojës. Në çdo shtrëngim duarsh prej miqsh, diplomati Lauka nuk hezitoi të japë “instruksione të qarta” për perspektivën e Kosovës, se ishte e afërt dita kur do të ndihej e pavarur dhe e lirë në trojet e saj dardane. Për Islam Laukën, pavarësimi i Kosovës ishte një proces i gjatë dhe kompleks, i përgatitur përmes vuajtjesh e sakrificash të panumërta, por edhe me kujdes, për shumë e shumë vite, nga klasa politike dhe populli i Kosovës dhe, duke filluar nga fundi i viteve ’90-të, edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas tij, ky proces ka të bëjë para se gjithash me krijimin e shoqërisë demokratike dhe të shtetit ligjor, me ngritjen e institucioneve të qëndrueshme, me zbatimin e standardeve evropiane, me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, me ndërtimin e ekonomisë së tregut etj. Por që sot, diplomati i karrierës, Islam Lauka, do të mbrojë në Kosovë politikat e jashtme të shtetit amë, Shqipërisë. Me qetësinë dhe maturinë që e karakterizon një diplomat, ai do të jetë zëri i Shqipërisë në Prishtinë e kudo mbarë në Kosovë, si ura lidhëse mes dy kombeve shqiptare në kontinentin evropian. Lauka, ambasador i Shqipërisë në Kosovë Diplomati i karrierës Islam Lauka është ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Këshilli i Ministrave në një mbledhje jashtë radhës miratoi dje vendimin për ngritjen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, në nivel ambasadori. Këshilli i Ministrave propozoi që ambasadori i ri Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës të jetë z. Islam Lauka, aktualisht në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Marrëdhënieve Shumëpalëshe, në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kryeministri Sali Berisha njoftoi kabinetin qeveritar se emri i z. Lauka është konsultuar dhe me Presidentin e Republikës, i cili ka mbështetur pozicionin e ri, atë të ambasadorit të Shqipërisë në Prishtinë. "Për këtë është biseduar edhe me Presidentin e Republikës dhe është rënë dakord që ambasadori ynë në Prishtinë do të jetë një nga personalitetet e shquara të MPJ-së dhe një nga diplomatët me eksperiencë të kësaj ministrie, një diplomat që ka vepra të tëra kushtuar Kosovës, që njeh mirë popullin atje, dhe ky është z. Islam Lauka", - tha Kryeministri Berisha. Ndërkohë, ai sqaroi se shefi aktual i Misionit të Shqipërisë në Kosovë, Arben Çeku, "do të kalojë në një detyrë më të rëndësishme se ajo që mban sot, pasi ka kryer me shumë dinjitet, përkushtim dhe vendosmëri detyrën që mbante deri tani. Mbledhjen e djeshme që miratoi vetëm një rend dite, atë për ngritjen e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, kryeministri e cilësoi si një nga me të shumëpriturat për shtatëmbëdhjetë vjet me radhë.

Më 17 shkurt, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur. Me këtë akt, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, duke shprehur angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë, konfirmon se është e vendosur që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të ndërtuara historikisht dhe të forcuara në vijimësi me Republikën e Kosovës, t’i thellojë më tej, duke institucionalizuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha nivelet, nëpërmjet vendosjes së një partneriteti të ngushtë, në dobi të dy popujve tanë, paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe në interes të vizionit tonë të përbashkët për integrim në strukturat euroatlantike. Më 17 shkurt, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur./Valentina MADANI/

Përgatiti:Flori Bruqi

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)