Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Një poet që e çmon dashurinë si vlerë të ulët

driteroII

Shkruan : Çelo HOXHA

Në 1971, Dritëro Agolli pikasi një të çarë në krijimtarinë e vet dhe kolegëve të tij, diçka mungonte. Sipas tij, nuk mungonte ndonjë gjë e madhe, por vlera e saj ishte mjaftueshëm e rëndësishme për ta detyruar poetin të shpjegohej, për brezat e ardhshëm, e shkrim. Me një vetëdije historike për t’u çmuar, ai e ndjen që vepra e tij dhe e bashkëkohësve do të gjykohet nga pasardhësit dhe për këtë arsye shkroi vjershën “Dy fjalë poetëve që vijnë”.
Ajo që Dritëroi mendon se mungon në veprën e tij (dhe kolegëve) janë vargjet për dashurinë. Poezia për mungesën e dashurisë është një justifikim i një njeriu krenar për atë që ka bërë, por fakti që ajo mungesë i tërheq vëmendjen dhe ulet të shkruaj tregon se sytë e tij kanë ndeshur në boshllëk ngacmues. Periudha pa vargje për dashurinë përfshinë një periudhë dy dekada e gjysmë në historinë e Shqipërisë, me nisje në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Vjersha “Dy fjalë…” është një shpjegim me gjatësi mesatare, e mbushur me fakte pse poetët e kanë lënë dashurinë pas dore, megjithëse, siç mburret autori, ata kishin qenë “dashnorë të marrë”. Shpjegimi duket i sinqertë, pa ndonjë figuracion të ndërlikuar, me qartësinë e një letre të shkurtër ndjese për nipërit. Me sa kuptohet, poetët nuk kanë shkruar për dashurinë, sepse ata nuk kishin të drejtën e zgjedhjes për atë që shkruanin, poezia nuk ishte një shtysë e brendshme, por një punë me osori. Agolli përdor një enumeracion për t’u shpjeguar: “Vendi kërkonte këngë për lirinë”, “vendi kërkonte këngë për bukën”, vendi kërkonte nga ne poetët e shkretë…”
Liria që përmendet në vjershë nuk duhet ngatërruar, sidomos nga ata që nuk e kanë jetuar diktaturën komuniste, me konceptin e lirisë bazuar në të drejtat natyrore të individit. Në kontekstin historik të poezisë, fjala liri ka kuptim e çlirimit të vendit nga një fuqi ushtarake pushtuese. Në krijime të tjera ky koncept gjendet si “këngë për luftën” ose “këngë për çlirimin e vendit”. “Vendi”, në poezi, është metaforë. Ajo që u kërkonte shkrimtarëve çfarë të bënin ishte PPSH, arkitektja e diktaturës. Në një tekst të historisë së letërsisë të njëjtën gjë e gjejmë të shprehur në këto mënyra: “Partia i ka porositur vazhdimisht shkrimtarët që… duke punuar me durim dhe ngulm Partia ka arritur që njerëzit e letërsisë dhe të arteve t’i edukojë… Partia u ka ndihmuar shkrimtarëve që të njohin thellë detyrat që ka zgjidhur dhe po zgjidh shoqëria shqiptare… Partia ka përgjithësuar përvojë artistike dhe ka formuluar përfundime të rëndësishme e me vlerë të madhe për zhvillimin e mëtejshëm të realizmit socialist.” Nuk ka asnjë dyshim se ajo që kërkonte diçka nga poetët ishte Partia, e cila në “Dy fjalë…” identifikohet me vendin, Shqipërinë. Dritëroi shfaqet i sigurt që poetët e ardhshëm do ta pikasin mungesën e dashurisë në poezinë e paraardhësve. Ai nuk thotë “nëse vëreni”, “kur të shikoni”, etj. Ai jep direkt porosinë “mos u çudisni”. Ai është i sigurt, pasardhësit do të ndeshen me boshllëkun. Shqetësimi i tij, në fillim duket sikur përcjell një farë brenge, por vazhdimi i poezisë e rrëzon këtë dyshim. Poeti është shumë krenar. Ai i peshon gjërat dhe e ka bindje se ajo që ka bërë ka qenë më vlefshme se ajo që nuk ka bërë.
Mesazhi që Agolli kërkon të përcjellë është: tema e poemave të tyre ka qenë çështje prioriteti. Shpjegimi i tij është i qartë: “Ne që kemi bërë kaq gjëra të bukura,/ Vallë dy vargje për dashurinë s’mund të kishim grirë… ë?” Dhe vazhdon të thotë se ata kanë dashuruar, u kanë vajzave dhe fjalë të bukura, por nuk kishin kohë që t’i botonin fjalët e bukura. E përveç kësaj, sipas poetit, ata i kishin shtypshkronjat “për gjëra më të larta”. Dashuria, kështu, rezulton të ketë qenë vlerë e nivelit të ulët.Zhvleftësimi i dashurisë njeh nivele më të ulëta kur lexon poezi të tjera. Poezia, ku poeti shpjegon s’ka pasur kohë të shkruajë poezi për dashurinë (që kuptohet për gruan), ka 21 vargje. Në të njëjtën përmbledhje poetike, shtatë faqe më para, gjendet një poezi me 18 vargje, kushtuar dashurisë për një kafshë, me titull: “Lopa”. Aty Agolli është i magjepsur nga lopa, e këqyr si “përtypet në grazhdin e mbushur me bar”, e prek, e përkëdhel, i thur vargje. Kjo poezi ka figuracion që në një kontekst tjetër mund të konsiderohej erotike: “mbështes faqen në shpatullën e saj”, “ndjej nga thellësi e qenies së saj një zjarr”. Objekti ku ai mbështet faqen, qenia që përcjell nxehtësi, është lopa.
Pranë lopës është dhe një mjelëse, por ajo nuk i intereson poetit. Mjelësja (sykaltër, e paqtë) ndodhet aty (në vjershë) thjesht si dëshmitare. Ajo shfaqet vetëm për të konfirmuar dashurinë e poetit për lopën. Ose, siç thotë Agolli, ajo bindet që “unë pa lopë nuk shkruaj dot vargje.” Dashuria e Agollit ka nevojë dhe për një sqarim. Në gjithë poezinë vihet re që autori përmend dashurinë, por, në fakt, ai nënkupton seksin. Termi “dashnor” (“kemi qenë dashnorë të marrë”) është më shumë seksual se sa romantik, ose, më saktë, nuk është hiç romantik. Edhe më tej, qasja e tij ndaj dashurisë është materialiste, seksuale, dëshirë për trupin e asaj, “belkëputurës”. Edhe djegia (“të na kishit parë si digjeshim pranë vajzave që donim”) nënkupton një situatë seksuale. Edhe kur përmend “fjalët e bukura” që (poeti dhe kolegët) u thoshin vajzave, ai ka në mendje një kontekst seksual: “në mbrëmjet e arta”.Dhe, vetëm Dritëro Agollin kam lexuar të thotë që “grij” vargje për poezinë, sikur grin duhan, domate ose sallatë në kuzhinë. Nëse dikujt një sjellje e tij i tingëllon prej zanatçiu, nuk duhet të habitet, shkrimtarët gjatë diktaturës quheshin punëtorë të letërsisë dhe arteve, njerëz që punonin me mëditje. Dashuria, sidomos në poezi, është romantike. Në qendër është njeriu, jo seksi i tij. Kur shikon qasjen që Dritëro Agolli ka pasur për dashurinë, fakti që ai dhe kolegët e tij nuk kanë patur kohë të shkruanin për “dashurinë”, e ka shpëtuar historinë e letërsisë shqipe nga një tufë vjershash pornografike.

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...