Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Entela Resuli-‘Më tmerron ideja e “gllabërimit” të qytetit nga njerëz me pushtet’

Një këngëtare që shkruan një libër, dhe çfarë libri do të thoni ju. Një libër për arkitekturën dhe urbanistikën. Ajo është Eliza Hoxha. Vajza bionde nga Prishtina është pedagoge e Arkitekturës në këtë qytet. Pas disa vitesh eksperiencë, disa muaj më parë ajo nuk publikoi një album, por me një… libër mbi urbanistikën. Sot është Dita Ndërkombëtare e Arkitekturës dhe ne zgjodhëm të flisnim me Elizën për problemet e qytetit. Në fakt, asnjëherë nuk kishim intervistuar një këngëtare që shkruan, dhe përveç zërit është e mprehtë edhe në penën e saj. Si një personazh që i njeh mirë notat muzikore ajo po ashtu njeh mirë edhe qytetin dhe zhvillimin e tij. Sot, kemi folur me Hoxhën, jo për këngën e saj më të re, por kemi bërë me të një bisedë dhe “ecje” nëpër qytet. Veçanërisht në Prishtinë dhe Tiranë. Ajo na ka shpjeguar pikat e dobëta të qytetit të saj të lindjes dhe ato të forta. Nuk ka guxuar shumë të flasë për Tiranën, pasi nuk pretendon se e njeh mirë, por edhe për kryeqytetin tonë ka një mendim prej “specialisteje”. Për të gjithë ata që e njohin Elizën si këngëtare duhet të dinë që nuk është ky profesioni i saj primar, por arkitektura. Ajo prej vitesh jep mësim në universitet, duke pohuar se ndihet mirë në këtë punë dhe është më se e lumtur. Më poshtë një rrëfim i Elizës brenda botës së një qyteti.

elizaa

Eliza, sot do të flasim me ju për qytetin, por ju vetë disa muaj më parë keni botuar një libër për të, apo jo ?

Po, ishte libri im i parë autorial, por që vitin e kaluar bashkë me një kolegun tim sollëm në jetë librin “Hoë to turn a place around” (Si ta ndryshojmë një vend) në shqip. Libri “Qyteti dhe dashuria” në fakt është përmbledhje e një pune të vazhdueshme të bërë ndër vite nga 2007 deri në 2011. Janë këto kolonat e mia javore të shkruara nën kornizën “ditar urban” dhe të botuara në gazetat ditore kosovare si: “Express”, “Koha ditore”, “Zëri”.



Dhe gjatë kësaj periudhe, çfarë ju ka shqetësuar si urbaniste dhe që iu ka bërë të shprehni në gazetat që përmendët?

Shkrimet “ditar urban” në librin “Qyteti dhe dashuria” flasin për dimensione të ndryshme të jetës në qytet. Duke qenë të tilla ato janë grupuar më pas brenda librit në tre kapituj dhe jo në radhitje kronologjike sipas kohës kur janë botuar, por në bazë përmbajtjes tematike. Kapitulli i parë “qyteti dhe identiteti” përmbledh shkrime që flasin për historinë e qytetit, trashëgimin e tij, identitetin e humbur në rrugën e shfytyrimit dhe zhbërjes së qytetit të vjetër, si dhe për elementet e reja identifikuese në Prishtinën e tranzicionit sidomos ato fizike si, prodhim i trendëve të reja, mendësisë dhe kulturës lokale, dinamikës së rrjedhjes së parasë pas luftës në Kosovë dhe të tjera. Kapitulli i dytë “qyteti i premtuar”, flet për qeverisjen lokale, premtimet e bëra, premtimet e papërmbushura, premtimet e shkelura, jo transparencën dhe politikat “ad hoc” të bëra për të akomoduar grupe të caktuara të interesit. Kapitulli i tretë “imagjinata dhe qyteti” sjell në shprehje dimensionin social, shpirtin e qytetit, kreativitetin si formë e mundësive të reja në qytet për të prodhuar një qytet të së ardhmes që akomodon nevojat dhe interesat e gjeneratave të reja.



Nëse ju pyesim tani… cila është vërejtja që keni për qytetin ku jetoni, Prishtinën. Çfarë keni për të na thënë?

Si e para është qasja jonë për qytetin, qoftë e njerëzve në qeverinë lokale e qoftë e grupeve profesionale, por edhe e komunitetit. Shpërfillja e mendimit publik si diçka që thuajse nuk na takon, si dhe procesi teknik i vizionimit të qytetit me idenë se qyteti ende planifikohet nga zyra, e sjell komunitetin para një produkti të kryer ku ndikimi në të është pothuajse i pamundur apo edhe nëse është do të jetë shumë formal dhe shumë i vogël. Ajo që më tmerron është ideja e “gllabërimit”, kur shumë njerëz përvetësojnë hapësira dhe të mira të tjera në qytet si iu teket, kur iu teket dhe ku t’u teket atyre, vetëm sepse janë të fuqizuar nga ndonjë sfond politik apo nga ai i parasë. Dhe në këtë pikë shteti/qyteti mungon, pra mungon sundimi i ligjit dhe qeveria e cila duhet ta adresojë zhvillimin e qytetit dhe të mirave publike në të mirën e përgjithshme.



Ndërsa na flisni për Prishtinën, natyrshëm na lind pyetja edhe për Tiranën. Çfarë problemesh ka ky qytet në syrin tuaj?

Do të ishte e pandershme nga ana ime të jap një mendim të thellë profesional për Tiranën, vetëm nga një përshtypje sipërfaqësore që unë mund ta kem nga copëzat fizike që njoh nga aty, apo copëzat sociale që janë rrethi im atje. Tirana si edhe çdo qytet tjetër është shumë kompleks, edhe ajo ka përplasje të së resë e të vjetrës, shumëllojshmëri kulturore dhe ekonomike dhe ajo që mund ta ndihmojë është ideja që këto ndryshime në të gjitha shtresimet të shihen si vlera dhe të adresohen tutje në formësimin e një mozaiku të qëndrueshëm dhe harmonik për një Tiranë për të gjithë.



Duke i marrë të dyja së bashku. Çfarë ju frymëzon apo ju revolton në urbanistikën e një qyteti?

Më frymëzon gjithçka, një ulëse e bukur, një dru i vjetër, një rrugë e dikurshme që ka ruajtur atributet e një qyteti të dikurshëm dhe ka mishëruar njëkohësisht edhe copëza të reja jete, gjallëria, njerëzit, aroma e një qyteti të shëndetshëm. Më revolton ideja që në qytet mund të vish të marrësh e të bësh çfarë të teket, në të mirën personale dhe ta realizosh veten, dhe mos t’i japësh prapa qytetit asgjë, apo si disa, që sjellin copëza mentaliteti e kulture të cilat shpesh bien ndesh me normat urbane dhe mënyrën e jetës në qytet dhe të tillët me ngulm dëshirojnë t’i mbajnë e t’i kultivojnë ato në një kontekst krejt ndryshe.



Sipas jush, kush është fajtor për shkatërrimin e një qyteti?

Fajtori nuk është një. Por sidoqoftë, si për zhvillim e si për shkatërrim faji u atribuohet njerëzve që janë përzgjedhur për ta qeverisur qytetin, për faktin se atyre u është besuar kjo punë. Por në këtë rrugëtim fajtor shpesh është edhe komuniteti. Kjo për shkak se, aty ku qeveria nuk punon në të mirën e përgjithshme, është komuniteti ai i cili e ka në dorë t’ia ndërpresë mandatin kësaj të parës. Por kur qyteti ndër vite qeveriset me një sfondi politik nuk ka përparim, dhe për më tepër kur njerëzit politik përzgjidhen nga populli, atëherë vijmë në një moment reflektimi. Këtu kuptojmë se në përcaktimin për fajtorin për degradimin e qytetit përgjegjësit i gjejmë edhe shteti edhe komuniteti.



Arkitekturë, muzikë dhe fotografi

“Kënga nisi kur isha 6 vjeçe, në kohën dashuria kur babai im (kompozitor) po bënte këngët për mua dhe më pas kur u rrita kisha dëshirë ta zhvilloja veten në muzikë. Jeta institucionale publike e shqiptarëve në Kosovë u shpërbë për shkak të rrethanave politike, gjë që ndikoi në përcaktimet e mia në studime, por edhe i bëri të pamundura prezantimet e mia në muzikë. Në këto rrethana, nisi të vijë në shprehje fotografia, e cila për mua ishte dhe vazhdon të jetë pasion, por që atë kohë kisha nevojën e theksuar të kontribuoja në një formë apo tjetër për vendim tim, dhe regjistrimi i shumë ngjarjeve dhe momenteve të asaj kohe më bën të ndjehem krenare për shënimin e një memorie kolektive për Kosovën, e trishtuar nga presionet politike dhe lufta së fundi. Kjo fazë dhe veprimtaria ime gjatë kësaj kohe ndikoi shumë në formësimet e mia si person, duke parë një realitet tjetër nga afër në të gjithë Kosovën, që shumë moshatarë të mi e shihnin vetëm përmes mediumeve dhe nuk e perceptonin dot direkt, sidomos në zonat urbane. Konditat e reja të pasluftës nxorën në pah hapësirën e munguar të shprehjes artistike të shqiptarëve të Kosovës, prandaj dhe ishte një bujë e madhe e projekteve të muzikës moderne. Unë, më në fund, po përmbushja ëndrrën time në muzikë dhe po e formësoja veten tutje në një profesion tjetër, i cili ka melodinë, harmoninë dhe shpirtin e vet e që përcjell dhe ndikon jetën e njeriut çdoherë. Kjo është arsyeja se përse muzikën dhe arkitekturën nuk i ndaj dot, sepse të dyja kanë ndërlidhje njëra më tjetrën, në formë, strukturë, shtrirje, ngjyrim, lojë etj. E para, përmbush njeriun shpirtërisht dhe e dyta, ndikon në mirëqenien e tij. Por, që të dyja të kenë efektin pozitiv tek njeriu duhet të formësohen, promovohen dhe kurohen me shumë pasion, shije, përmbajtje konform konditave aktuale dhe kërkesës së njeriut modern”.



Qyteti dhe dashuria

Brenda librit flitet për komponentë të shumta të dashurisë, dhe këto copëza dashurie të cilat realizohen, përjetohen dhe lindin brenda një qyteti siç është Prishtina, nuk mund të jenë të ndara nga konteksti…, prandaj pikërisht kjo është çështja që unë ngre më lartë dhe e quaj librin “qyteti dhe dashuria”. Po qe se i dhurojmë pak më shumë dashuri e vëmendje vendit ku jetojmë edhe ai do të na shërbejë më mirë në të ardhmen duke rritur shtatin bashkë me ne, shëndetshëm dhe lumtur. Prishtina qytet romantik? Edhe mund të jetë, varet çfarë dozash romanticizmi kërkon njeriu (qesh) dhe çfarë e lumturon atë.





Njerëzit dallojnë nga mënyra se si duan të arrijnë suksesin

Eliza, çfarë e bën një njeri të suksesshëm?

Ishte dashur të ishte puna, apo jo…!!! Por në një botë imazhi si kjo sot edhe perceptimi për “njeriun e suksesshëm” po ndryshon çdo ditë. Teori e libra të ndryshëm flasin për sekretet e suksesit jo vetëm tek femrat, por të njerëzve në përgjithësi nga fushat e ndryshme.

Po, teori e libra ka shumë. Por çfarë është vërtet e rëndësishme në fund?

Mendoj se e rëndësishme në fund është që secili nga ne duhet t’i kuptojë dhe t’i vlerësojë cilësitë dhe ambiciet që ka duke e përcaktuar vetë cakun dhe pozicionin e synuar në shoqëri. Për mua, njerëzit dallojnë vetëm nga mënyra se si duan të arrijnë tek suksesi. Ngaqë në një formë apo tjetër të gjithë e duan atë.

Ka ndonjë gjë që e bën më të lehtë suksesin?

Nuk besoj se ka sukses të lehtë. Me punë dhe investim profesional e arrin, por rruga deri te suksesi është e gjatë, me shumë sfida dhe shpesh edhe e vështirë. Por një gjë është e sigurt nëse ka një rrugëtim, ky sukses është i qëndrueshëm, përmbajtës dhe i merituar.

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...