Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Cikël poetik nga Meri Lalaj


Simetrike

Çdo ditë
Çdo natë
poetët
dhe të marrët
e qytetit tim
enden fillikat.


Letër Flora Brovinës

E dashur Florë!
Kam shtruar tryezën:
koran Poradeci,
fërlik Dukagjini,
verë Gjirokastre,
ballokum Elbasani,
mollë Korçe
e po të pres.

Unë
nuk mund të vdes
pa folur gjerë e gjatë
me ty.
Ti, motër,
si mund të vdesësh
pa m`i rrëfyer të gjitha.
Eja, Florë!
Tryeza e shtruar të pret,
të pret, të pret…
Tiranë, 01.02.2000


Kuajt

(Brezit tim)

Ne mbetëm ca kuaj të plakur,
Kuaj gërdallë
I ngrysim ditë netët në të errët
Në stallë.
Na iku jeta poshtë e lart
Vërdallë.


Zemrat rrethuar me mure

Tërë jetën me mure ndarë:
Mure të lartë betoni,
Mure të sheshtë ujorë,
Mure me tela elektrikë,
Mure drejt qiellit si thikë.
E ne për të takuar dorën
E shokut, mikut, motrës
Përgjakëm gishtërinjtë.
Liqeni im i bukur i ndarë.
Rrëzohen aty këtu ca mure
Por lartohen të tjerë
Mure me emra të dashur
Të zhdukur a të vrarë.
Muri që ndan Mitrovicën
Kalon përmes zemrës sime.
Në Preshevë s`kam qenë kurrë
Për atje më ndan një mur…
Dhe zemrës i ve një gur.
Vushtrri, 2001


Etyd vjeshte

Liqeni përplas dallgët
me shkumë.
Në krye të rrugës: polici.
Në fund të rrugës: unë.
Mes nesh: era e akullt.
Qyteti im po fle gjumë.
1985-2005


Gjethe vjeshte

Gjethe vjeshte të allta, të verdha,
të ylberta fluturonin përreth meje
shkollares me gërsheta
e fjongo të bardha.

Nuk mund t`i shkelja e i mblidhja
me kujdes copëzat e lumturisë sime
një e nga një i vendosja
nëpër libra.

E ato gjethe të allta, të verdha, të ylberta
do të më ndiqnin pas tërë jetën.
Nuk e dija se veç aty pat kuptim lumturia,
e tani nga larg tërë mall më përshëndet
me dorën e vogël të bardhë fëmijëria…

Fëmijëria ime për çudi aq e kaltër
mbetur tutje nëpër qiej të largët
ndërsa unë përjetësisht mbetur
një gjethe fluturake e verdhë vjeshte.
Vjeshtë 2003


Lisi plak

Lisi plak nuk i rrëzoi fletët
ai si burrë i moçëm i ndershëm
mbetur përjetësisht i gjelbër
tundur e shkundur fort
prej erërave të vjeshtës
nuk mund të zhvishej krejt
në sytë e të tjerëve.

Rrotull tij mështeknat tërë naze
fiu e fiu e fiu hidhnin valle
nën tingujt e lehtë të vjeshtës
supezhveshur, kërthizëzbuluar
tamam posi vajzat tiranase
tek “Blloku” ndaj të perënduar.
Veç ai lisi plak gjetheshumë
ngaherë i blertë fërgëllon
dhe me vete mërmërin:
“Ç`më dogji malli për rininë!”
27 shtator 2005


Tek Bar-Kafe “Lux”

Të ulur ngeshëm nën tendat
Pijmë kafe. Bëjmë llafe.
Mbllaçisim mendimet.
Ripërtypim fjalët
e vjeshtës së shkuar.
Dhe presim me durim
për ndonjë frymëzim…
28.09.2005


Trau i kufirit

Ky tra kaq kërcënues
nën këtë diell përvëlues
e tmerrshme pengesë
ma ndan trupin mes-për-mes!

Ky tra pa fund pa anë,
këtu në Qaf-Thanë.
Ky tra indiferent për tmerr
frymën ma ndal, ma merr…

Këtu tek ky tra në kufi
jam veç një numër, s`jam njeri…
edhe ky i rrepti doganier
më kontrollon, më çjerr…

Në truallin tim tra!
Më thoni s`është hata!
Në tokën time tra!
Më thoni s`është hata!

Mjafton veç të hedh një hap
e vrik mbërrij në shtëpi,
do nisem t`ia shkel me vrap
le të më shtien me breshëri…

Qaf-Thanë, 06.06.1999

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...