Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Si i përshkruan Ramiz Alia krimet e Enver Hoxhës, duke zhdukur bashkëpunëtorët më të afërm të tij


Nga Skifter KËLLIÇI

.Dënimet absurde në Plenumit të 4-t të KQ, (qershor 1973), që pasuan me spastrime dhe dënime të tjera të njerëzve të shquar në fushën e kulturës dhe artit për shfaqje të huaja dhe ndikime liberale në veprat e tyre,u pasuan edhe me dënime të grupit të ushtarakëve dhe më pas të grupit që vepronte në fushën e ekonomisë, thekson Ramiz Alia në librin e tij. “…U dënuan 4 anëtarë të Byrosë Politike dhe 10 anëtarë të KQ të partisë. Anëtarët e Byrosë Politike B. Balluku, P. Dume, K. Theodosi e A. Këllezi, u dënuan edhe me vdekje nga gjyqet që u organizuan kundër tyre.” (faqe 266). Dhe më poshtë vazhdon: ‘Dënime të rënda iu dhanë edhe disa gjeneralëve e kuadrove të lartë të ushtrisë. Në këtë kategori goditja ka rënë edhe në njerëz që e dinin për çfarë kishin punuar ,por edhe tek disa që nuk kishin idenë se përse bëhej fjalë.’ (faqe 267).
Tjetër dëshmi që provon se shfaqjet e paranojës po vepronin me shpejtësi marramendëse në trurin dhe mendjen neroniane të Enver Hoxhës, të cilat Ramiz Alia i shpjegon në libër në këtë mënyrë: ‘Së pari, është e njohur se në fillim të viteve ’70-të, më saktë në fund të vitit 1973 E. Hoxha pësoi një goditje në zemër, (infarkt). A thua se pas kësaj ngjarjeje vetë E. Hoxha ka filluar të shqetësohet për pushtetin e tij. A thua në këtë kohë ndokush nga bashkëpunëtorët e tij, Mehmeti, Hysniu, apo Beqiri, ka nisur të projektojë marrjen e pushtetit? Unë e kam të vështirë të pohoj, apo të mohoj hipoteza të tilla. Por logjikisht që të dyja pyetjet janë të mundshme.’ (faqe 268).

Më qartë se kaq nuk ka ku të vejë. Paranojakun Enver Hoxha e shqetësonte pikërisht ajo që ishte me shtrenjtë se çdo gjë tjetër në botë-pushteti i tij, të cilin kishte frikë të tmerrshme se mos ia rrëmbente një nga ata që i kishte pasur shokë për vdekje që nga vitet e Luftës, të cilët tani, siç bluante ai në mendje, kërkonin vdekjen e tij.
Më poshtë Ramiz Alia shpjegon ato që ka shtruar edhe më sipër në librin e tij, pra se “… hapja e Kinës ndaj Amerikës, vizita e Niksonit në Kinë më 1972, dukuri të cilat ai e shihte me sy të shtrembër, mund të kenë ndikuar tek ndonjë grup ushtarakësh, ose te disa kuadro udhëheqësish të ekonomisë, për të ‘rishikuar vijën dhe politiken e Partisë’,- shkruan ai në libër. (faqe 268).

Përsëri fantazi paranojaku!... Si pasojë, erdhën këto qëndrime aq mizore ndaj figurash besnike të tij, që u ndërmorën personalisht nga vetë Enver Hoxha, por me të cilat Ramiz Alia duket se nuk është pajtuar që atëherë, ndaj i kritikon ato kur shkruan: ‘Sidoqoftë, vënia e tyre përpara përgjegjësisë penale dhe dënimet që u dhanë, sidomos dënimi kapital për ata që u quajtën fajtorë, ishin masa ekstreme.’ (faqe 270).
Cilat qenë pasojat e kësaj gjendjeje me spastrimet në fushën e ekonomisë dhe ushtrisë që ndërmori Enver Hoxha, të denja për një tiran të çmendur siç ishte?
Këtë shpjegon përsëri Ramiz Alia, i cili mban qëndrim të ashpër kritik kur shprehet: ‘Si rrjedhim i këtyre ngjarjeve në parti dhe në popull përgjithësisht u krijua një situatë e rëndë. Sektarizmi mori hov dhe filloi të karakterizojë sjelljen dhe qëndrimin e shumë kuadrove,të organizatave të Partisë dhe sidomos të organeve të Sigurimit të Shtetit. Këta sikur gjetën edhe bazën ‘teorike’ për veprimet e tyre ekstreme.’ (faqe 270).

Po kush e frymëzonte këtë Sigurim që të vepronte në këtë mënyrë? Askush veç Enver Hoxhës, sepse, e përsëris, te kjo ‘armë’ e gjente ai mbështetjen e tij dhe krahas tij edhe Hysni Kapos që mbulonte në KQ edhe Ministrinë e Brendshme, ashtu si edhe Mehmet Shehu në Këshillin e Ministrave. ‘Në këtë atmosferë, -nënvizon Ramiz Alia, -edhe pakënaqësitë te njerëzit filluan të shtoheshin, të cilat më vonë, sidomos nënë ndikimin e faktorëve të jashtëm, do të shpërthenin’. (Po aty).

Siç shihet, qëndrimi kritik i Ramiz Alisë ndaj Enver Hoxhës nga faqja në faqe e këtij libri, fillon edhe rritet.
Pasi vë në dukje se vizita e presidentit amerikan Nikson në Kinë’, u konsideruan nga ana e PPSH-së si shkarje politike, si pajtim me imperializmin dhe pabesi ndaj luftës së popujve për çlirim kombëtar, veçanërisht ndaj popullit vietnamez, që pikërisht në atë kohë pësoi edhe goditjet më të rënda nga forcat ushtarake amerikane’, Ramiz Alia shkruan: ‘Duke reflektuar sot, pa dyshim që udhëheqja shqiptare, (pra Enver Hoxha, S.K.), u nxitua. Jo vetëm se lidhjet me SHBA-në nuk vinin në rrezik sistemin shoqëror në Kinë… por ato lidhje nuk dobësonin aspak as pozitën e Shqipërisë në botë. Përkundrazi, ato mund të shfrytëzoheshin në të mirë të përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”. (faqe 272).
Jam i bindur së këto konkluzione të logjikshme Ramiz Alia i ka formuluar në mendjen e tij që në ato kohë, por nuk ka pasur guxim t’i shprehte, ashtu si nuk arriti të shprehte edhe mendimet e tij pas Festivalit të 11-të dhe Plenumit të 4-t dhe plenumeve me pasoja aq të rënda për popullin dhe partinë,sepse do të cilësohej prej diktatorit ‘armik’ dhe do ta paguante me kokë.
Si pasojë e tekave paranojake të Enver Hoxhës dhe me sa duket edhe të Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut, ashtu si më 1961 me Bashkimin Sovjetik, erdhi edhe prishja me Kinën. Por, në qoftë se në rastin e parë, ishte Kina që na u ndodh pranë dhe na ndihmoi, këtë radhë Shqipëria, si rrjedhim e këtij qëndrimi të çmendur të Enver Hoxhës, mbeti vetëm, ose siç mburravecohej ai: ‘I vetmi vend në botë që ndërton socializmin, duke mbajtur në një dorë kazmën dhe tjetrën pushkën’ dhe si pasojë krijoi edhe parrulla të tilla si: ‘Jetojmë dhe punojmë si në rrethim’, ‘Çajmë bllokadën borgjezo-revizioniste’, ‘I gjithë populli ushtar’, e të tjera si këto, të gjitha për të krijuar psikozën se nga çasti, në çast Shqipërinë “Si shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut’, do ta sulmonin imperialistët dhe social-imperialistët, se Shqipëria do ‘t’u mbetej si hala në grykë’ dhe marrëzira të kësillojshme.
Kurse e vërteta është se asnjë vend nga Lindja ose Perëndimi nuk ka pasur qëllim të sulmonte Shqipërinë, madje sovjetikët, siç vërtetohet në librin nga “Nga Hrushovi te Putini” të shkrimtarit dhe politikanit të njohur, Teodor Laco, pas mënjanimit të Hrushovit nga skena politike më 1964 dhe zëvendësimit të tij me Brezhnjevin, kanë kërkuar të afrohen me vendin tonë, aq më tepër se ‘…pavarësisht që lidhjet me Traktatin e Varshavës de facto ishin shkëputur prej 6-7 vjetësh, de jure Shqipëria figuronte anëtare e tij. Madje asaj dy herë i qenë bërë ftesa për të marrë pjesë në mbledhjet e Komitetit Konsultativ. Brezhnjevi kishte dhënë shenja se ta rishikonte sherrin me Hrushovin”, (faqe 94 e librit). Por këto përpjekje kanë gjetur gjithnjë kundërshtimin e Enver Hoxhës.

Kaq e vërtetë është kjo,sa që nga ajo periudhë shtypi dhe Radioja sovjetike, që ato vite i kam ndjekur me vëmendje, kurrë nuk e kanë përmendur për të keq Shqipërinë në një kohë që shtypi dhe Radio Tirana, madje në programet në mbi 20 gjuhëve e huaja, që nuk dëgjonte askush, nuk reshti kurrë të sulmonte imperialistët amerikanë, revizionistët sovjetikë dhe pastaj revizionistët kinezë,natyrisht me porosi të Enver Hoxhës, që i pushtuar nga deliri i madhështisë, si pasues i veprës së Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit,pandehte se bota do të ndiqte shembullin e Shqipërisë socialiste. Atëherë, me shokë të mi intelektualë kemi shprehur dëshirën që Enver Hoxha t’i prishte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, detë lidhej me Perëndimin, pak a shumë siç bëri Titoja më 1948 kur Stalini e përjashtoi nga Kampi Socialist,por e kuptonim fare mirë që kjo nuk mund të ndodhte më një stalinist si diktatori ynë.
Pastaj gjykonin se ai nuk duhej të prishte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, sepse nëpërmjet këtyre marrëdhënieve, të bazuara në bashkekzistencën paqësore të vendeve me sisteme të ndryshme ekonomike dhe politike, që filloi të vinte në zbatim qeveria sovjetike, edhe vendi ynë do të lidhej me këto vende dhe veçanërisht me Amerikën. Dhe kur kjo nuk ndodhi, vite më pas përsëri po me këta shokë kemi menduar se falë kthesës së Kinës, që po përmirësonte dukshëm marrëdhëniet me Amerikën, falë edhe teorisë së Botës së Tretë,ku Kina përfshinte veten e saj dhe ku do të përfshiheshim edhe ne, si aleat i saj i ngushtë, vendi nuk do të mbetej i izoluar. Por diktatori Enver Hoxha zgjodhi rrugën e dytë.

-.....

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...