Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Por, në të vërtetë, ç’faj kishin flokët?!


ornela-shikim
Nga : Ornela  MUSABELLIU
Ka ditë kur nuk je as në qiell e as në tokë, as mirë, as keq, as e mërzitur, as e gëzuar. Je si pa gjendje. Je pa peshë, por edhe e rënduar njëkohësisht. Madje as e kupton se nga vijnë këto ndjesi, ndaj nuk e gjen dot mënyrën si të shpëtosh prej tyre. Për ta luftuar një sëmundje duhet përcaktuar diagnoza më parë, por, në raste të tilla, kurba e pasqyrimit të gjendjes nuk ka një formë të deshifrueshme.
Në të njëjtën gjendje isha edhe atë ditë, kur si pa kujtuar mora një vendim: do prisja flokët! Nuk e di pse mu kujtua shprehja popullore “Mendje e shkurtër në flokë të gjatë”, por më erdhi shumë për shtat ta përdorja si justifikim. Patetike! Unë s’e dija ku isha, por ama po kërkoja justifikime për gjërat më të rëndomta. Madje edhe justifikimet ishin patetike.Populli jo gjithmonë është treguar i zgjuar në “sofizmat” e veta, por ndonjëherë ato i përdorim si atë fijen e gjatë të varur në çengel, për rastet kur kemi ngelur ngushtë. Atë ditë, që në mëngjes, lexova në postën elektronike një mesazh nga një miku im i vjetër, i cili interesohej për shëndetin dhe gjendjen time.
- Si je, Beniban?- një nofkë që më pëlqente shumë ta dëgjoja e që ai e kishte huazuar nga filmi im i preferuar i fëmijërisë “Liza në botën e çudirave”.
- E lodhur nga reforma zgjedhore dhe zgjedhja e Presidentit”,- i shkruajta, duke iu referuar punës shtesë që na ishte hapur ato ditë nga këto dy procese të rëndësishme që po ndodhnin në vendin tim. Dhe vërtet situata në punë ishte shumë e rëndë: mbledhje të shumta komisionesh, orë të gjata diskutimesh për reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e Presidentit, si dy nga pikat kyçe të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Kjo ishte kryefjala e vendit tim ato ditë, ndërsa për mua lodhja e tepër dhe një gjendje trishtimi e boshllëku, që më sillej rreth e qark gjithë kohës.Si për të shpëtuar paksa nga trysnia e ditëve, frymën e mbajta te parukierja ime. Ajo përherë e më shumë mundohej të më ma bënte qejfin, të më sillte humorin e të kujdesej për pamjen time. Ishte tepër e talentuar dhe e mirë, ndaj unë s’e ndërroja më që prej disa vjetësh. Kur i thashë se doja t’i prisja flokët shkurt u alarmua.
- Joooo!- thirri me një zgjatje të tmerrshme rrokjesh, – joooooo, këtë s’mund ta bësh! I ke flokët kaq të bukur! Më vjen keq, por nuk t’i pres!
Këmbëngula aq fort në timen, ndaj u mundua të gjente një model të përshtatshëm, i cili do të na kënaqte të dyjave. M’i shkallëzoi shumë sipër kurorës së kokës, ndërsa gjatësinë e kurseu sa mundi, që floku të hynte ende tek të gjatët.
-Joooo,- ma përsëriti kush e di për të satën herë. Këtë mëndafsh që ke ti mbi krye, s’mundem ta hedh në koshin e plehrave. Kthehu pas ca vitesh e ndoshta atëherë mund të më jetë mbushur mendja, por tani jo dhe pikë! E përfundoi fjalën dhe më rrotulloi karrigen për të parë modelin e ri. Edhe vetë u magjepsa me pamjen e re. Kishte të drejtë. Flokët e mi ishin të bukur! Gati rashë në dashuri me ta, a thua po i shihja për herë të parë. U binda më në fund që mos t’i prisja më shumë. Modeli i ri ishte: flokë as shkurtër, as të gjatë. Eh, Zot, thashë me vete, përsëri në gjendje të ndërmjetme unë. Pjesëza kundërshtuese/plotësuese nuk donte të më ndahej për gjithë ditën.
Pasi shpenzova nja 2 orë të mira në sallon, u nisa drejt zyrës. Ishte ora rreth 18:00 dhe normalisht duhet të isha në shtëpi, por kisha ende disa gjëra të vogla pa mbyllur. Tirana ishte kredhur në errësirë e njerëzit ishin strukur nëpër shtëpi apo lokale, veç unë rendja sërish për punë. Rrugës mu kujtua im atë, i cili shpesh më përsëriste të njëjtën fjali:
“Po edhe për ngarkesën në punë duhet të më ngjaje mua?!”
Të gjithë më thoshin se unë isha prerja e tim eti në paraqitjen e jashtme, por me kalimin e viteve, gjithmonë e më shumë, kuptoja se edhe në karakter ngjasonim tmerrësisht shumë. Madje edhe shqetësimet shëndetësore i kisha kaluar njësoj si ai, në të njëjtat faza moshore. Ishte e çuditshme kjo ngjashmëria jonë. Ja tani edhe për punën. Ai s’i kishte bërë bisht kurrë në jetën e vet dhe përherë i ishte dhënë asaj me orare të zgjatura. Shpeshherë për të mos parë vështrimin e trishtuar të nënës sime, punën e merrte me vete në shtëpi.
Mu qesh. Mu kujtua dëshira e madhe që kisha pasur gjithë jetën për të qenë djalë. Madje, kur isha e vogël, imagjinoja sikur kapërceja ylberin dhe unë e babi, tashmë me një djalë për dore (ai s’e pati fatin të kishte djalë) dilnim xhiro si zakonisht e unë pija aranxhatë, ndërsa ai konsumonte ndonjë kafe të shpejtë, ashtu në këmbë, tek tavolinat e larta të një prej lokaleve të pakta që kishte qyteti im i lindjes në atë kohë. Kur u rrita ca dhe në pah filluan të dilnin hiret femërore, ndryshova mendim. E ndjeva veten në qendër të vëmendjes dhe isha e lumtur për feminilitetin tim, por kur fillova të përballesha seriozisht me pushtetin e egër maskilist dhe me ndjenjën e brishtësisë së femrës, sërish kërkoja të isha mashkull. Dyzim i egër brenda vetes për të arritur një lloj paqeje dhe lirie në këtë botë.
(Ishte e thënë që atë ditë të mendoja veç për dyzime.)
Ashtu siç na rrëmben ndonjëherë budallallëku dhe kotësia, përzier me dualitetin e brendshëm që kisha provuar gjatë gjithë ditës, publikova në faqen personale të rrjetit social “Facebook” statusin: “Flokë të gjatë – mendje e shkurtër, ka thënë populli, ndaj dhe unë rrëmbeva gërshërët sot”. Përveç komenteve habitëse, dashamirëse, këshilluese e “qaramane” për budallallëkun tim, sipas tyre, në inboks më vjen një mesazh:
“Ç’faj kishin flokët që s’u zgjodh presidenti?”. Sapo kishte dështuar seanca e parë plenare për zgjedhjen e presidentit dhe ai, që mesa dukej qëndronte në korrent të ngjarjeve politike në Shqipëri nëpërmjet internetit, e kishte shfrytëzuar këtë pikë për ta lidhur me gjendjen time, por edhe si kundërpërgjigje të asaj çka unë i kisha shkruar më parë. Ai gjithmonë kishte pasur humor të hollë dhe elegant, që e bënte edhe më të afërt e dashamirës për miqtë.
Nuk i përgjigjesha dot, sepse pikërisht në atë moment më erdhi në dorë një punë urgjente, ndaj shpejt e shpejt i shkruajta:
-Të kthej përgjigje më vonë.
Shumë më vonë, pasi mbarova punën, e hapa FB-në me kënaqësinë e një fëmije që dëshiron të dëgjojë barsoleta.
-Oh, me zor do ta pres përgjigjen,- më kishte shkruar dhe mua sikur mu përplas një ironi e ftohtë në fytyrë. Shpesh virtualiteti të gënjen, të dredhon dhe lë vend të hapur për keqkuptime. Shtoi kësaj gjëje edhe faktin që isha gati të merrja zjarr në çdo moment atë ditë dhe del e kuptueshme se pse e lexova si ironi atë fjali të thjeshtë.
- Ej, kujdes me ironinë me njerëzit që dinë t’i përdorin mirë gërshërët. – i them. I shkruajta kështu pa menduar se çfarë do të pasonte më vonë. Ai përtej kompjuterit ishte një mik i mirë, i vjetër, për të cilin kisha shumë respekt, por edhe kohë pa e takuar drejtpërdrejt, pasi jeta e kishte hedhur qindra kilometra larg Tiranës. Mendova se ishte larguar për ndonjë punë të rastit, pasi nuk mora më përgjigje prej tij. Me kalimin e kohës mu fashit edhe ndjesia se ato mesazhe ishin shkruar me nota ngacmuese. Mu kthjellua mendja, pa e ditur se më pas do të më turbullohej akoma më shumë.
Pasi kishte kaluar ndonjë orë, në inbox më erdhi një mesazh. Isha zhytur thellë në redaktimin e disa poezive, ndaj s’e lexova. Një poete e re, që priste me padurim botimin e librit të parë, ma kishte besuar mua “krijesën” e saj. Si për të dalë nga bota e ndjeshme dhe e bukur e asaj vajze të talentuar, e ktheva faqen e kompjuterit nga shtëpia ime virtuale dhe pashë se inboksi skuqte nga lajmërimet për mesazhet private.
Uaaaauu, ç’bëhet kështu, mendova. Vëmendja s’më kishte munguar kurrë, por, e përmenda edhe më sipër, atë ditë, shëndet të më thoshe, plaç më dukej. Isha në një tjetër dimension, që më zhbënte krejtësisht gjithçka. Shumica e mesazheve ishte prej shoqeve të mia, të cilat nuk mundeshin të më shanin drejtpërdrejt, faqe botës, për “gomarllëkun” tim: prerjen e flokëve. Kishte edhe nga ato mikesha, jo të afërta, që më kishin dërguar foto interneti me pika loti, a thua se pas flokëve të mia, në kosh të plehrave, kishte përfunduar edhe gjysma e botës. U kënaqa dhe u trishtova njëkohësisht nga patetizmat e radhës, të disa personave që tregonin interesin më të madh për mua, kur as që mi kishin parë apo prekur ndonjëherë flokët në jetën reale.
Eh, mendova, hedh në FB ndonjë gjë të bukur e me vlerë e njerëzit zhduken si me magji nga rruzulli virtual, por, sapo “promovoj” ndonjë nga budallallëqet e momentit, njerëzit sulen si mizat pas mjaltit për të dhënë mendimet dhe mbështetjen e tyre “morale”. Si kudo, edhe në këtë botë virtuale, ka patetizma dhe dokrra, mendova, ndaj s’e vrava mendjen për të hapur mesazhet e tjera. Sa do ta mbyllja FB-në, kur kutia e mesazheve më lajmëroi për një ardhje të re. Ndonjë “lot” tjetër i rastit, mendova, ndaj ia dhashë “klikun” e hapjes si me përtesë. Lexova emrin e mikut tim. Ai kishte shkruar edhe më parë, por, ngaqë isha bërë lëmsh nga moria e mesazheve të kota, më kishin shpëtuar pa i vënë re. Vëmendjen ma tërhoqi mesazhi i fundit:
-Çfarë do të të shkul unë ty tani që preve flokët, kur të bëj sikur më ka ngelur hatri?
Çfarë? Ai mesazh më futi në mendime. Përse duhej domosdoshmërish t’i ngelej hatri me mua? Ç’donte të thoshte me atë mesazh?!
Mesazhet e tjera pasuese ishin shumë më sqaruese.
Ndonjëherë s’mjafton një jetë për të kuptuar diçka dhe befas duhet të presësh flokët për të kuptuar se sa shumë të ka dashur një njeri dhe se sa e ka ndjerë gërvimën e gërshërëve, qoftë edhe nga larg.Shpresa për t’u ndier normale atë ditë u gri në shumë copa nga ajo gërvimë gërshëre, zhurma e së cilës s’mu shqit nga truri derisa mbylla sytë në mbrëmje. Por, në të vërtetë, ç’faj kishin flokët?!

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...