2013-11-29

Parathënie e librit “Gjaku i Trëndafilit” i Fiqri Shahinllarit




Nga Agim Bacelli



“Po të nis dy rrëfenjat, të cilat porsa i kam përfunduar. Njëra titullohet ” Nusja e Mesdherit dhe trishtimi i Apollonit” dhe tjetra “Gjaku i trëndafilit”. Dëshiroj të di mendimin tuaj”.

Kështu më shkruante autori i këtij libri, Fiqri Shahinllari, krijimet e të cilit fillimisht i kisha lexuar me shumë interes në faqet e internetit në “Bota e Re” apo te “Fjala e Lirë”, po edhe ne librat e tij më vonë. Një nga librat e tij është ai me titullin “Lisi në shkëmb”. Me këtë vepër ai dëshmoi se ishte jo vetëm një publicist me përvojë të gjatë, që zotëronte artin e të qëmtuarit e të analizuarit me pjekuri të fakteve e ndodhive të jetës, por edhe një krijues plot fantazi e shkathtësi, që di të qëndisë karaktere dhe tipa njerëzorë.

Të dyja rrëfenjat e lartpërmendura i lexova me shumë interes. Ato përcjellin me thjeshtësi, fantazi e urtësi mesazhin se ndjenja e dashurisë është e fortë, se, për ta fituar e mbajtur 6

atë, njeriu duhet të bëjë sakrifica të mëdha e të panumërta, duke pasur kurajë të ecë në rrugë të vështira. Pas përshtypjeve pozitive për rrëfenjat, nisa të meditoja e të gjykoja mbi veçoritë e krijimit të këtij autori.

Fiqriu nuk shkruan se duhet shkruar, por sepse shkarkon atë që ka marrë gjatë jetës së tij si publicist, si shkrimtar dhe si njeri, që ka regjistruar në librin e tij të kujtesës mbresat dhe ngacmimet e thella jetësore. Këtë e gjeni edhe në esse-të që publikohen në këtë libër.

E kam ndjekur gjatë këtyre viteve të fundit shkarkimin e “mjaltit” të tij nëpër libra, nëpër forumet dhe listat në internet, atë mjaltë të mbledhur nga nektari i jetës gjatë një udhëtimi me mijëra kilometra. Jam habitur nga njohja e gjithanshme e jetës dhe filozofisë njerëzore.

Një arsye tjetër që unë i pëlqej shumë shkrimet e Fiqriut është edhe ajo se ky publicist i njohur në Shqipëri ka një aftësi të rrallë që të njohë mirë burimin e dritës dhe, si pasojë, të mos thotë se hëna ndriçon tokën, por të thotë se hëna ndriçohet nga dielli, ashtu si edhe toka. Ka një aftësi të çuditshme duke studiuar jo vetëm botën e dukshme, por edhe “botën e padukshme”, të cilën e “ndjek” në padukshmërinë e saj. Këtu unë fut fenomenet mistere që akoma janë të pashpjegueshme. Më ka habitur me mendimet e hedhura si një vëzhgues i hollë i këtyre fenomeneve, duke dhënë edhe mendimin e tij, i cili mua më duket si një profeci perfekte. Këtë konstatim timin lexuesi mund ta gjejë në romanin e tij për të rinj me titull: “Brezargjendta dhe Dushlisi i shenjtë”.

Në kohën e sotme kam vënë re me keqardhje se disa letrarë, që duan të bëhen shkrimtarë, shkruajnë për shkrimtarët duke u munduar që t’ju tërheqin vëmendjen atyre. Fiqriu shkruan duke pasur subjekt dhe objekt njeriun universal e të thjeshtë tokësor, njeriun e krijuar nga mishi dhe shpirti, nga toka dhe nga qiejt.7

Janë të paktë ata shkrimtarë, për mendimin tim, që e njohin jetën në tre dimensionet e saj: në thellësi, gjerësi dhe hapësirë, ashtu siç e njeh shkrimtari Fiqri Shahinllari. Kam vënë re se kur ai shkruan për njeriun e sotëm apo edhe të djeshëm, qoftë edhe me mijëra vjet të shkuara, të duket sikur është një filozof kontemporan i çdo kohe. Kjo ndodh pasi ai lexon shumë dhe njohja e tij është e gjithanshme dhe e thellë. Më shumë ai pëlqen bëmat dhe legjendat e popujve më të vjetër të kontinentit që e ka lindur dhe rritur, të cilat me mjeshtërinë e tij i vë në edukimin e njeriut të sotëm. Këtë gjë e vura re kur lexova tregimin shumë interesant “Nusja e Mesdherit dhe dëshpërimi i Apollonit”, të cilin do të ishte mirë ta titullonte “Laurus Nobilis”. Ky tregim shkon thellë me mijëra vjet, në kohën kur engjëjt dhe djajtë ishin të dukshëm dhe jetonin mes njerëzve, kjo sipas legjendave greke që kanë ngelur të shkruara deri në ditët tona. Lexuesve që nuk i njohin legjendat e lashta greke ju them: Lexoni Fiqri Shahinllarin dhe do t’i gjeni ato më jetike dhe njerëzore seç janë në fakt.

Nuk dua ta harroj kurrë atë thënie aq brilante që Fiqriu e vë në gojën e një personazhi tek tregimi i lartpërmendur kur thotë: “Kur e keqja imponohet dhe vjen nga dikush, atëherë perënditë dhe hyjnitë bëjnë përpjekje për të shpëtuar… Por kur e keqja vjen nga vetvetja, nuk ka forcë të jashtme që ta ndalojë atë”. Sa filozofike! Sa e vërtetë! Një konstatim që, për mendimin tim, do të ishte një kuotë e pëlqyeshme nga cilido shkrimtar. Apo kur thotë se: “Mbi të kaluarën s’ka forcë që të veprojë…” Janë citate që gjenden me shumicë nëpër shkrimet e Fiqriut.

Temat që shkrimtari zgjedh janë të larmishme, pak të rrahura nga penat dhe që kanë në themel edukimin e lartë qytetar. Brendia e tregimeve të tij shtjellohet në atë mënyrë që të mbajë në tension dhe emocion të vazhdueshëm. Gjuha që përdor është mjaft rrjedhëse, e pastër dhe jetësore. 8

Tek pena e Fiqriut irealja kthehet në reale dhe legjenda në realitet.

Mendimi im përfundimtar është se shkrimtari dhe publicisti Fiqri Shahinllari është i veçantë, është njohës i jashtëzakonshëm i jetës qytetare, i filozofisë historike, i fshatit shqiptar, i qytetit dhe kryeqytetit shqiptar. Njohës i shkëlqyer i asaj pjese të botës së dukshme dhe të padukshme, ku “shkel” këmba e mendja e tij.

Po e mbyll këtu me urimet më të mira për librin e ri!



Agim Bacelli

Shkrimtar, Nju Jork

Tetor 2013



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...