2013-11-26

Stili, gjuha dhe estetika e Dom Lazër Shantos




Lazër Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892 (ose me 7 korrik 1891[1]), në një familje tradicionalisht të shquar për patriotizëm, intelektualizëm dhe kontribut në fushën e albanologjisë[2]. Nacionalist e demokrat, orator, poet lirik, eseist, përkthyes, i mbiquajtur “famullitari i pianofortit”, Shantoja do kujtohet sidomos si përkthyesi i veprave të mëdha të Gëtes, Shilerit dhe Hajnes. Shkrimet e Shantojës mbetën të shpërndara ndër gazeta e revista, por u përmblodhen e u botuan në 2005 nën kujdesin e botimeve françeskane në "Vepra, Lazër Shantoja".


Lazershantoja.jpg


Lazër Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892, nga Mikel (i quajtur shkurtimisht Keli) dhe Luçije (shkurtimisht Luçe) Shantoja.[2] Te dorëshkrimi Shantojana - Histori e familjes Shantoja D. Lazri shkruan se origjinën familja e tij e ka nga Vjerdha e Vjetër, pranë fshatit Rragam të Shkodrës.[3] Arsimin fillor e krey në kolegjin Saverian dhe në Seminarin papnor në Shkodër me profesor Ndre Mjedën e etër të tjerë jezuitë. Rreth viteve 1909-1910 u dallua në pervetësimin e latinishtes, greqishtes dhe italishtes. Ishte shqiptari i parë që njihte me kompetencë gjuhën esperanto në Shqipëri.[1]

Më 1914 vizitoi Vjenën për herë të parë. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Universitetin e Insbruku-ut, ku përvetësoi edhe gjermanishten. Me 29 maj 1915 u shugurua meshtar dhe si famullitar shërbeu në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî nga viti 1917 deri në vitin 1922. Filloi përkthimet dhe botimet e para u shfaqën te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj. Botoi “Për natë kazanash”, përmbledhje me lojra, kashë e lasha e proverba.[1] Në qershor 1919 burgoset nga italianët në Beltojë. Për dy vjet (1922-1924) është sekretar i Arkipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës. Më 17 prill 1923 takoi në Vjenë, Kancelarin e Austrisë Dr. Joseph Seipel. Bashkëpunoi me Anton Harapin për “Ora e Maleve”, ku shfaqi aftësitë e tij si shkrimtar i zjarrtë e poet satirik. Dom Lazri ishte bashkëpuntor i parë i tij së bashku me Luigj Gurakuqin. Pater Antoni, me vonë do të shkruante: «Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit».[1]

Më 20 shkurt 1924 del prej shtypit “Shjor Puci”, një përkthim i Shantojës. Maj 1924 dha dorëheqjen prej redaksisë së Orës së Maleve. Pas atentatit të Beqir Valterit takon Ahmet Zogun.[4]. 22 Tetor 1924 vdes i ati i Dom Lazrit, Kel Shantoja[5]. Në janar 1925 u arrestua dhe u burgos si frymëzues e organizator i Revolucionit të Qershorit 1924. Mbas disa muajve burg u fal nga qeveria e Ahmet Zogut dhe u largohua për në Jugosllavi.

Me 2 tetor 1925 prej Beogradit, me zemër të pikëlluar, kujton me një artikull prekës te ”Liria Kombëtare“ vrasjen e Gurakuqit. Më 1 shtator 1926 në Cetinjë mori pjesë e mban ligjëratën në varrimin e Kapiten Mark Rakës, vdekur në rrethana misterioze në një aksident rrugor. Në 1928 kaloi nga Jugosllavia në Vjenë, Austri. Këtu filloi të botojë gazetën “Ora e Shqipnisë”, financuar nga Hasan Prishtina.

Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, D. Lazri doli prej atdheut dhe vajti në Zvicër si famullitar i fshatit Bienne ku predikon gjermanisht, më tej në La Motte te kantonit Vaud, ku qëndroi për pesëmbëdhjetë vjet, duke perfeksionuar dijet e tija në frëngjisht. Për të jetuarit me të ka shkuar edhe e ëma, Çija. Në fshatin zviceran filloi të përkthejë Wilhelm Tell-in e Faust-in. Asokohe në Shqipëri Kumbona e së Dielles, Cirka, Illyria etj. shtypnin pa pushim artikujt e përkthimet e Dom Lazrit. Në 1936 e përkohshmja LEKA botoi Hermandin e Dorothenë e Goethes, përkthyer prej Dom Lazrit. Më 4 Maj 1937 i vdiq në Rumani i vëllai, Kapiten Luigj Shantoja.[5]

Gjendja e re, e krijuar në Shqipëri me 7 Prill 1939, i çeli rrugën, si shumë të mërguarve të tjerë edhe D. Lazrit për t'u kthyer rishtas në atdhe[2] [6]. Në vendlindje iu bëh një pritje tepër e ngrohtë. Ai mbajti meshë në kishën kathedrale dhe tha një omeli të paharrueshme për të pranishmit. Shkodranëve u tha: «Më keni mbytë me gosta». Më 28 shtator 1939 mbajti fjalimin me rasën e dorëzimit të Flamurit të Ri. dhe po në atë vit u vendos bashkë me të ëmen në Tiranë. Ka shumë shpresa te epoka e re në të cilen ka hyrë populli shqiptar. Në 12 mars 1940, Shantoja niset me motoanijen «Calitea» nga porti i Napolit, për në Misir,[7] ku u takua me shqiptarët e atjeshëm prej të cilëve u largua me përshtypjet më të mira.[5]

Më 1941, bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Kortshën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Mbështeti pambarimisht qeverinë e Mustafa Krujës. Në maj të 1943 merr pjesë në varrimin e Ndok Gjeloshit në Tiranë, vrarë nga njësitë guerrile. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 u tërhoq prej skenës politik dhe vijoi të merret me përkthime, ndërsa vëzhgonte me dhimbje të madhe luftën vëllavrasëse që kishte filluar në Shqipëri.[1]

Arrestimi dhe vdekja


Në fundin e vitit 1944 dom Lazri iku ndër malet e Sheldisë, ku bujti në qelën e Dom Nikollë Gazulli një natë. Në Dedaj ka ndenjur 22 ditë tek i quajturi Mark Tom Prela, e më tej në shtëpinë e Kolë Nuri Sheldisë për 26-27 ditë. I fundit kishte qenë shërbyes në shtëpinë e Shantojës. Do dënohej për "krimin e mikpritjes" 6 ditë para mikut që i kishte mësye konakun.

Në momentin kur erdhen komunistët në pushtet, në janar 1945[1] e arrestuan dhe e torturuan (Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945). Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri iu tha atyre ndër sy:

"As ma pak e as ma shumë, se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë!"

Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi:

"I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim."

Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër:
"Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje - me pushkatim".
Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën... Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme. Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J.Alibali d.v.

"Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945."[1][8]

Urrejtja e pushtetit komunist ndaj këtij intelektuali që kishte përkthyer Goethe-n dhe Schiller-in e kishte shkruar në revistat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë (Përparimi, Agimi, Hylli i Dritës, Illyria etj), ishte aq e madhe, sa torturuesit i kishin këputur katër ekstremitetet e trupit. Kështu Dom Lazri ishte i dëtyruar të tërhiqej zvarrë nëpër qeli me gjunjë e bërryla. Fati i Shantojës i kishte rrënjët e veta në qëndrimin antipërëndimor dhe antikristian të komunistëve dhe në qëndrimin propërendimor të Shantojes, si dhe në besimin e tij te ringjallja e kulturës autoktone të krishterë shqiptare të periudhes para turqve, bindje të cilen ai e shfaqi në veprat dhe poezitë e tij. Kur nëna e Shantojës shkoi të vizitojë djalin e saj në qeli dhe e pa të vuajë me këmbë e krahë të prerë, iu lut me ngulm rojeve të burgut që t'i tregonin mëshirën e fundit djalit të saj dhe ta vrisnin. Ekzekutimi ndodhi me 19 shkurt 1945 në Tiranë nga një ushtar, bashkë me Sulçe beg Bushatin. Ish drejtori i Shoqërisë Letrare "Dante Alighieri" në Tiranë, si dhe ish anëtari i Institutit Mbretëror për Studime Shqiptare, Dom Lazër Shantoja, u gropos në një varr pa emër afër Tiranës.[9] Partizanët, pasi e ekzekutuan, thirrën për kryerjen e sharteve të vdekjes Atë Viktor Volajn, i cili ishte edhe njeriu i fundit që pa kufomën e martirit. Më 28 qershor 1949 vdiq e ëma e Dom Lazrit, Luçije Shantoja.[5]



Shkrimtar origjinal në poezi dhe në prozë




Përmbledhja publicistikës së L.Shantojes

Në pesë tingëllimet “Zog Mali” të nëntitulluara “Duhija”, “Lamtumirë”, “Mërgimi”, “Kështjelli” dhe “Barija” autori, siç duket, parafytyron alegorisht vuajtjet e rrepta që pëson shqiptari, i cili gjen prehje vetëm në soditjen e një kështjelle, lavdi e kohës së kaluar. Origjinaliteti Shantojës shprehet në vargjet satirike plot ironi e sarkazëm që u botuan në shtyllën Ora ndër valle t'Ores së Maleve. Në prozë kemi një radhë shkrimesh nën titullin “Kodra mbas bregut” të botuara në të përkohshmen “Cirka”. Ato janë një prodhim letrar pothuaj “sui generis” në shqip, me të cilat autori në një gjuhë popullore të gjallë e argëtuese vihet së largu në përpjekje me doket dhe jetesën tipike shqiptare, sidomos kur thekson kontrastin e mentalitetit të vjetër me atë të të rinjve.[2]. Në pikëpamjen estetike vepra e tij paraqet një interes sepse në të jetojnë natyrshëm tendencat e letërsisë bashkëkohore të fillimeve të shekullit XX, sidomos gjejmë gjurmët e asaj franceze dhe gjermane. Ironia dhe sarkazma e fortë e afrojnë në publicistikë me autorë si Karl Kraus-i dhe Kurt Tuchosky, forca e të cilëve tundi me rrënjë Vjenën dhe Berlinin e gjysmës së parë të '900-ës. Poezia e tij ka notat e pesimizmit kozmik leopardian, kurse rrëfimi i shtruar e i ëmbël me thekse baritore e afron me një Chesterton. Gjithsesi tek ai ndihet e gjallë qenja shqiptar e stili i tij origjinal.[9]

Orator


Aftësinë e tij oratorike e dëshmuan fjalimet e zjarrta që mbajti shpesh në periudhën e manifestimeve të viteve 1923-24. Do të mbetet e paharrueshme biseda e flaktë që D. Lazri bëri në funeralin madhështor të Avni Rustemit. Në atë rast Shantoja u tregua orator i fortë duke tronditur shpirtat e atyre që ishin të pranishëm me fjalimin e tij.[2].

Përkthyes


Përkthimi i kryeveprave poetike gjermane është fusha në të cilën Shantoja derdhi një zotësi të konsiderueshme. “Kumbona” e Schiller-it dhe “Flutura” qenë sprovat e tij të para në lëmin e përkthimit. Në vitin 1935 nisi të botojë në të përkohshmen “Leka”, Hermandin e Dorothean, një poemth të cilit i dha shpirt e natyrë thjesht shqipe, megjithë vështirësitë që jep përdorimi i njëmbëdhetrrokshit në shqip.

Dom Lazri dha kontributin e vet të lartë në letërsinë e përkthyer shqipe me përkthimin e kryeveprës goethiane “Faust”. Ai dha dëshminë se edhe gjuha shqipe, me anën e një pende të vaditur, mund të shprehë mendime të thella filozofike.[2]

Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë të kohës, Shantoja ka njohur mjaft mirë letërsinë bashkëkohore europiane e prej saj ka çmuar shkrimtarë jo fort familjarë për ambjentin e tij natyror; ndër këta mund të permendim: Keats, Shelley, Heine, Wilde, Gautier, Munthe etj.

Ky horizont i hapur që kishte ndaj letërsisë botërore bëri që Shantoja të ishte krejt i veçantë dhe i ndryshëm prej poetëve e shkrimtarëve të tjerë të kohës së vet. Përkthimet e tij përbajnë një pasuri të veçantë për traditën shqiptare. Ndër autorë që i kanë tërhequr vemendjen përmendim: Schiller, Goethe, De Musset, F. W. Weber, Heine, Wilde, Immermann, Giannini, Leopardi, Parini, etj.

Fausti dhe Hermandi e Dorotheja të Goethes së bashku me Kumbonën e Schillerit janë kryeveprat që Shantoja ka ditur të përkthejë me një mjeshtëri të pashoqe. Nuk mbesin mbrapa as poezitë e [Leopardi]]t që i përktheu dhe i botoi në vitet '1940. Duket se asokohe pesimizmi kozmik i poetit italian e kishte mbërthyer, ndoshta si parandjenjë e fundit të vet tragjik.

Shantoja nuk mundi ta botojë të plotë përkthimin e Faustit, versioni përfundimtar i të cilit deri tash nuk është gjetur. Por prej pjesëve që kemi në dorë, duke i krahasuar me përkthimet e mjeshtrave të tjerë të mëdhej, kuptojmë se sa i çmuar ka qenë ai Faust dhe se sa bukur tingëllonte shqip.[7]

Stili, gjuha dhe estetika


Dom Lazër Shantoja përgjithësisht ka stil popullor të rrjedhshëm dhe dinamik. Shprehja e tij priret drejt një gjuhe më të përbashkët që përdorën shkrimtarët e rinj gegë në kohën kur ai jetoi. Kultura e Dom Lazrit, që bazën e kishte në klasicizëm, u pasurua për hir të gjuhëve moderne, si gjermanishtja, frëngishtja dhe italishtja, të cilat i njihte fare mirë dhe i zhfrytëzonte me përfitim të plotë.[2]

Estetika e Shantojës e ka themelin te klasikët e letërsisë gjermane, Schiller e Goethe, ndërsa shumë shfrimeve lirike të tija ua gjejmë gurrën tek autorë bashkëkohorë që ai ka njohur e ka çmuar. Megjithatë, thelbi i artit të tij mbetet e bukura që na përcjell drejt amëshimit dhe ideja se jeta pa të është një përpjekje e kotë për të zgjatur një vuajtje të shkurtër.

Kthimi i shpirtërave në shpirtëra të bukur ishte ëndrra e Shantojës, por e parë në një kontekst e në rrethana krejt të tjera prej atyre të romanticizmit europian. Megjithatë, edhe ideja e veprimit konkret dhe shndërrues nepërmjet artit dhe të bukurës e Shantojës kujton etjen e romantikëve për të përmbytur e për të ndërtuar. Në një këndvështrimin estetik dhe lirik Shantoja donte të zhdukte brenda njerëzve zbrazëtinë, në mënyrë që të ndërtonte të bukurën në vend të saj, duke i kujtuar lexuesit se e bukura nuk është fryt i lëndës, por i shpirtit.[7]

Burimet:

  1.  Pepa P., "Lazër Shantoja (1891-1945)" Publikue ne albanovaonline.com me 5.3.2008
  2.  Dr. Dom Ukgjini N., "Dom Lazër Shantoja (1892-1945) - Shkrimtar origjinal në poezi dhe në prozë"
  3. Shantojana-Historia e familjes Shantoja, dorëshkrim Mark Shantoja, Sheldî 7.IV.1921. Shkëputun nga "Vepra".
  4.  "Vepra" ff.8, «Lazër Shantoja në Shêjzat e shkrimeve shqipe», nga dr. Arben Marku; Varazze, mars 2002
  5.  Lazër Shantoja (1891-1945)
  6. (Anglisht) Lazer Shantoja
  7. Botuar i plotë tek “Hylli i Dritës”, n. 2, 2009
  8.  Radovani-De Angelis F. "Një monument nën dhé", e botuar nga Misioni Katolik në Kroaci, Janar 2004.
  9. Ndreca A., "Toni i publicistikës së Lazër Shantojës", Telegraf. - Nr. 52, 5 mars, 2010, f. 20 - 21.


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...