Veprimtarinë e tij si fotograf autodidakt, e filloi në vitin 1963 duke fotografuar refugjatët e parë kosovarë të cilët, në atë kohë, strehoheshin përkohësisht në Maqedoni, për të ikur me pas në Turqi. Në vitin 1966 u diplomua në kursin për fotografi (gjatë shërbimit ushtarak në Ajdovçin të Sllovenisë).
Në vitin 1967 emigroi në Belgjikë dhe ku vazhdoi veprimtarinë me emigracionin e parë shqiptar. Në vitin1969 vazhdoi me korrespondencë kursin e Artit Fotografik në Paris.
Qysh në vitet 1970-ta, ai vazhdoi aktivitetin e tij si fotograf i pavarur, duke vizituar shumë vende të botës. Vendi i parë ku shkrepi aparati i Krasniqit, ishte Turqia, ku fotografoi kryesisht mjediset e refugjatëve shqiptarë. si në Stamboll, Bursë, Inegöl etj.,
Në vitet 1979, 1985 dhe 1992 ai bëri një cikël fotografish në SHBA: Në New–York, Uashington, (Shtëpinë e Bardhë), Los Anxhelos, Hollywood, Beverli Hils, Santa Monika, Universal Studio, World Disneyland etj, ku ka synuar të trajtojë gjithmonë tema dokumentare, sidomos evenimente historike, artistike dhe kulturore.
Më pas ka fotografuar në Paris, Kanë, Monako, Londër, Vjenë, Barcelonë, Bukuresht, Budapest, Varshavë, Venecie, Vatikan etj. Prej vitesh, si fotoreporter i pavarur, ka ndjekur dhe po ndjek nga afër të gjitha veprimtaritë dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me Kosovën.
"Sa herë që dëgjoja emrin Kosovë, ndodhesha atje",: (NATO, në Parlamentin Evropian, në Bruksel, në Luksemburg, në Paris, në Bon, në Londër, në Rambuje, në Hagë, në demonstratat, manifestimet, grevat e urisë, të gjitha i ka fokusuar në objektivin e aparatit të tij; ashtu si edhe shumë personalitete bashkëkohëse qe kanë dhënë kontributin për pavarësinë e Kosovës: (William Walker, Bil Clinton, Kofi Anan, Haviar Solana, Jimi Chee, Olbrait, Toni Bler, Bernard Cuchner, etj). Shqetësimi i përhershëm i Krasniqit ka qenë dhe mbetet pasqyrimi fotografik i çdo gjurme të asaj që ndodh me popullin e tij.
Është ndoshta i vetmi fotoreporter shqiptar nga diaspora, i pranishëm ne ngjarjet e fundit të tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës, qe ka shoqëruar rrugën e vuajtjeve dhe të dhimbjes të atyre njerëzve që, me lot e me gjak, po i dëbonin nga trojet e tyre. (“EKSODI ‘99”) .
Nëpërmjet objektivit të aparatit të tij, gjatë periudhës prill – maj – qershor të vitit 1999, e deri në kthimin e tyre në vendlindje, Krasniqi ka fiksuar çaste nga jeta në kampet e refugjatëve në Belgjikë (Morlawelz), në Turqi (Kirklareli), në Shqipëri (Kukës, Durrës, Tiranë), dhe Maqedoni (Çegran, Stankovec). Arkivi i tij për eksodin prej më shumë se 15000 fotografish, vazhdoi të pasurohet edhe në muajt gusht e shtator të vitit ‘99, duke pasqyruar të gjitha shkatërrimet e bëra nga okupatori serb, anembanë Kosovës.
Me të njëjtin pasion, ka ndjekur edhe fillimin e periudhës së rindërtimit.
Në këtë vazhdë, evenimentet e tjera historike, që pasuan njëra tjetrën si ceremonia e funeralit të akademik Ibrahim Rugovës, për të ardhur tek dita e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, ditë të cilën fotografi Krasniqi ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë e përjetoi me shumë emocion duke fiksuar me qindra fotografi të cilat do të mbeten të përjetshme në historinë e popullit shqiptar.
Ngjarja e fundit ishte përkujtimi i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Asllan Krasniqi ka besim të plotë se i gjithë ky reportazh prej mbi 1.000.000 fotografish i realizuar vullnetarisht, do të mbetet si një dëshmi e gjallë, që askush të mos e harrojë atë që ka ndodhur me popullin shqiptar.
Ai ka hapur mbi 50 ekspozita në qytete të ndryshme të Belgjikës, Kosovës, Shqipërisë dhe të Francës me tema të ndryshme: (Eksodi99, Trojet e shqiponjave, pëllumbi i paqes,Trojet shqiptare pa kufi etj). Asllan Krasniqi është anëtar i Organizatës Botërore te Shtypit Periodik, i Shoqatës se Gazetarëve në Shqipëri, i Shoqatës së Fotografëve “Gjon Mili”, si dhe i Akademisë Evropiane të Arteve.
Për festat e Nëntorit 2019 , fotografi i njohur Asllan Krasniqi, në Kolegjin mbretëror "Iliria" të Prishtinës hapi ekspoziten e tij të pavarur më fotografi (25-28 nëntor 2019).