2019/11/21

Skënder Temali (1946-)

Skender temali.jpg



Skënder Temali lindi në Shkodër më 30 korrik 1946, në një familje të vjetër shkodrane. Ka kryer Universitetin "Luigj Gurakuqi", në degën gjuhë shqipe-letërsi dhe për 15 vjet (1966-1981) punoi gazetar në Radio Shkodra, revistën "10 korriku" e gazetën "Jeta e re", ku ka transmetuar e botuar me qindra artikuj problemorë, reportazhe letrare, përshkrime, portrete, skica, etj.


Prej një çerek shekulli, drejtues e mësues në shkolla të mesme të vendlindjes së tij, ku prej 20 vitesh e aktualisht jep lëndën e gjuhës shqipe e letërsisë në shkollën teknike 5-vjeçare pyjore të Shkodrës.


Ka botuar cikle poetike e tregime që gjimnazist në almanakët letrarë “Shkodra”, në shtypin letrar të kohës “Zëri i rinisë”, “Drita”, “nëntori” e revistat për fëmijë. Disa nga këto krijime kanë zënë vend edhe në botime të zgjedhura dhe janë vlerësuar me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, në konkursin e 7-të ndërkombëtar, të shpallur nga shoqata e artistëve dhe shkrimtarëve "Cristalide" në Padova të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga Italia e shumë shtete të botës, ai u nderua me çmimin special të jurisë, me tregimin "Këpucët e turpit".


Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1967 si dhe Ambasador i Paqes e anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Paqes.


Është autor i 12 librave. Njihet edhe si redaktor i dhjetra librave artistikë të shkrimtarëve të rinj.


Botime më vete:


1) Këngë cigane (vjersha e poema) -Viti 1971


2) Kjo ndodhi në Lis (roman) -Viti 1982


3) Ballo në mbrëmjen e maturës (novela) -Viti 2001


4) Ishte një lajthishte (poemë për fëmijë) -Viti 2001


5) Këpucët e turpit (tregime) -Viti 2002


6) Nesër do të them mirëmëngjes (novelë) -Viti 2002


7) Studentja e Bolonjes (novelë) – Viti 2004


8) Gjuha shqipe (tekst alternativ mësimor) me bashkëautor -Viti 2003.


9) Shtëpia pa pasqyra (tregime) – 2006


10) Askushi (roman, botuar në Maqedoni) – 2006


11) Tre shokët (vjersha e poema për fëmijë) - 2007


12) Lirika të hershme dhe të vona – (2009)


Etj.



Enti Poligrafik “Gjergj Fishta” në Lezhë botoi novelën më të re të shkrimtarit Skender Temali me titull “Stina e divorceve”, për të cilën biblioteka “Marin Barleti” e qytetit të Shkodrës në bashkëpunim me klubin e shkrimtarëve Shkodër, në kuadrin e veprimtarive kushtuar Ditës Botërore të Librit, organizuan promovimin e këtij vëllimi.

Ashtu si dhe tek novelat e mëparshme "Ballo në mbrëmjen e maturës", “Nesër do të them mirëmëngjes” dhe “Studentja e Bolonjës” autori i drejtohet jetës së rinisë në ditët e sotme. Megi dhe Didi, dy vajza të ditëve tona, me një botë shpirtërore të pasur, dijnë që vetë t’u bëjnë ballë sfidave të jetës dhe po vetë të mbrojnë dinjitetin e personalitetin e tyre.





CURRICULUM VITAE -POEZI

Vëllimi i ri poetik i Skënder Temalit, cili për nga mesazhet që përcjell e vlerat artistike që mbart, duket sikur është vazhdim i librit të mëparshëm me motive filozofike “Kur vuaj, shkruaj” dhe përkon me 50-vjetorin që ai boton krijime në shtypin letrar të kohës. Edhe pse një pjesë e krijimeve të vëllimit janë rrugëtimi poetik i autorit i shprehur në marrëdhëniet e tij shoqërore e familjare, përthyhen me ngjarje reale të kohës. Këto poezi janë shkruar në dimër-pranverën e vitit 2013. Drejt tyre ka shtegtuar edhe ndonjë poezi e botuar më parë, për të gjetur strehë këtu. Qëllimisht autori ua ka hapur derën, pasi pa to, siç është shprehur në parathënie, nuk skicohesha siç doja as unë e as koha që jetoj.





KUR VUAJ, SHKRUAJ...

Ndryshe nga vëllimet e tjera poetike të këtij autori, ai ndahet në tre pjesë.
Për herë të parë ai lëvron poezinë me motive filozofike, përmes të cilave u qaset ideve të ndryshme, përcjell mesazhe dhe i lë hapësirë edhe lexuesit për interpretime të ndryshme nga çfarë ai i ka ofruar.
Me interes janë gjithashtu edhe ciklet "Motivet e Jugut" dhe "Përkushtime".

Vëllimi është botim i shtëpisë botuese “Rozafat” në Shkodër. 2012.


“LIRIKA TË HERSHME DHE TË VONA”


Në këtë libër autori ka përmbledhur poezi të shkruara në afro gjysmë shekulli. Ashtu siç thotë dhe në parathënie, ka përfshirë ato poezi që ka pasur më për zemër, duke u thënë lamtumirë shumë të tjerave.

Vëllimi është i ndarë në ciklin e lirikave, të motiveve kosovare, të baladave dhe të poemës “Unë, Ballkani dhe Europa”, e cila e mbyll edhe vëllimin e 12-të të shkrimtarit.

Në këtë libër të ri spikat çiltërsia e ndjenjës, mendimi i pjekur e shpesh edhe meditativ e filozofik, çka shpreh edhe shkallëzimin e pjekurisë artistike të poetit Skender Temali.

Vëllimi është botim i shtëpisë botuese “Rozafat” në Shkodër.


TRE SHOKËT

Janë 7 vjersha dhe një poemë për fëmijë, botuar në vëllimin "Tre shokët", që ka për redaktor shkrimtarin e mirënjohur për fëmijë Xhahid Bushati dhe për piktor-ilustrator, Piktorin e Merituar, Agim Faja.
Thuajse të gjitha poezitë kanë subjekt dhe kjo rrit interesimin e fëmijëve për t'i lexuar. Gjuha e tyre është e thjeshtë, e kapshme për parashkollorët dhe vargu i rimuar e i rrjedhshëm shijohet menjëherë pre tyre. Një kopësht fëmijësh në Shkodër e ka mësuar përmendësh këtë vëllim, ndërsa Flaka Zhaveli nga Gjakova, që është protagoniste e poezisë "Mirënjohje", me këtë poezi ka fituar çmim të parë si recituese në konkursin kombëtar të vitit të parë të lirisë në Kosovë.
Veç kënaqësisë estetike, poezitë dhe sidomos poema përcjellin edhe mjaft mesazhe edukative.
Libri është botuar nga shtëpia botuese "Camaj-Pipa" në Shkodër, në vitin 2007.



"ASKUSHI", ROMAN I RRUGËS SË LIRISË SË INDIVIDIT


Romani "Askushi" i Skender Temalit, i veçantë në llojin e tij, përmes personazheve të skalitur, sjell të djeshmen në agoninë e saj, ku e drejta e individit ishte nën thundrën e dhunës. Diktatura kishte tjetërsuar shumë nga tiparet e njeriut.

Autori e njeh mirë kohën për të cilën shkruan. Personazhet e romanit janë realë, të ngjan se diku i ke takuar dje, ata nuk janë të stisur, por pjesë e një realiteti tronditës.

Faqe pas faqeje lexuesi futen në vorbullën e ngjarjeve të fundit të viteve ‚80 të shekullit të kaluar. Shpesh herë kjo jetë e dhënë me dritë-hijet e saj, të rrëmben, bëhesh pjesë e rrjedhës së kohës, jeton me shqetësimet, ëndërrat e dramat e njerëzve.


Trajtimi që autori i bën lirisë së individit mbase përbën një nga vlerat kryesore të këtij romani, madje ai mund të quhet pa droje roman i luftës për liri e të drejta njerëzore. Këtë autori S.Temali e bën thjeshtë, pa rënë në deklaratizëm apo prozë të thatë, më tepër duke zbërthyer konstruksionin shpirtëror të Cen Shkrelit, i cili mbart edhe tragjizmin, edhe lirizmin, edhe shpresën për një jetë më të mirë, pa diktaturë e pa diktatorë.

Gjuha e romanit është e punuar, e pasur me me frazeologjizma, çka ia shton më shumë vlerat romanit. Ajo ndihmon shumë në individualizimin e personazheve.

Romani është botuar nga shtëpia botuese "Idriz Seferi" në Maqedoni, 2006.


GJUHA SHQIPE

Është një nga tekstet e para të gjuhës shqipe të futura në shkollat e mesme të Shqipërisë (mos qoftë krejt i pari), me miratim të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, në tetor të vitit 2002, i destinuar si tekst eksperimental për shkollën e mesme pyjore të Shkodrës.

Përmes 68 temave mësimore, dy bashkëautorët, Mimoza Gjokutaj dhe Skender Temali kanë harmonizuar tema të gjuhës shqipe me ato të kuminikimit e të letërsisë. Ky botim paraqitet si një alternativë për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e mesme profesionale. Teksti, krahas koncepteve që lidhen me gjuhën, përfshin edhe shumë veprimtari praktike, të cilat vijnë në formën e një praktikumi.


STUDENTJA E BOLONJËS

Në vitin 2004, shkrimtari Skender Temali u paraqit para lexuesve me novelën "Studentja e Bolonjës", e cila ka për redaktor shkrimtarin e mirënjohur, Skender Drini.
Tema që trajton autori në këtë novelë është e marrë nga ditët tona dhe tregon odisenë e Ketit, një maturanteje që me të dashurin e saj Arsenin, do të kaptojnë detin, ajo për të studiuar, ndërsa ai…Ai ka të tjera plane…I lidhur me qindra fije sa me mafiozë italianë e shqiptarë, ai do të arrijë ta hedhë Ketin në krahët e një bosi plak, zotit Karlo, Serzhios e të tjerëve. Në novelë, faqe pas faqeje shpalosen përpjekjet e jashtëzakonshme të Ketit për të mos rënë pre e joshjeve marramendëse të kapove bolonjezë dhe për të shpëtuar prej thonjve të tyre. Monologjet e brendshme të Ketit nuk ia ulin intensitetin aksionit e as e zbehin dramacitetin, por përkundrazi e lidhin me botën e brendshme të lexuesit duke shërbyer si një urë ku do të hedhë hapa të tjerë...


"Shtëpia pa pasqyra" tregime

Në vëllimin me tregime “Shtëpia pa pasqyra” autori Skender Temali vijon sërish të trajtojë temën e preferuar të tij, atë të intelektualit dhe të shoqërisë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni të pa cak. Një inxhinier dhe një shkrimtar, në tregimet “Metamorfoza” dhe “Ftesa”, tregojnë se si kushtet ekonomike dhe ato sociale ndikojnë në shprishjen e në ngritjen e konstruksionit shpirtëror të njeriut, në përgjithësi, dhe të intelektualit shqiptar, në veçanti.

Në tregimet e tjera, autori ka ardhur duke e zgjëruar rrethin tematik. Përmes tyre, sidomos tek tregimi “Shtëpia pa pasqyra” dhe “Muri” ai i thur hymne dashurisë së pastërt e të sinqertë.

Të shtatë tregimet shquhen për një sondim në botën e brendshme shpirtërore të personazheve, për dialogun ekspresiv dhe frymën e kohës që i karakterizon.

Libri me tregime “Shtëpia pa pasqyra” është botim i shtëpisë botuese “Shtjefni” në Shkodër. Ai ka për redaktor shkrimtarin Skender Drini.


"Nesër do të them mirëmëngjes"

Ky vëllim, i cili është i gjashti për autorin, sjell para lexuesit me art e vërtetësi jetën e ditëve tona, zig-zaket e dy grupeve shoqërore:
të maturantëve të një shkolle dhe të disa vagabondëve që bëjnë rolin e të fortit e përpiqen ta mbajnë peng qytetin.

Duke qenë novelë e formës mozaik në pasqyrimin e këtyre realiteteve, autori ka dijtur të depërtojë në botën e brendshme shpirtërore të të rinjve; veprimet e Xuxit, kapobandës dhe të vajzave maturante e të mësuesit të tyre, i kanë dhënë dramacitet novelës, e bëjnë të ndiqet me interes faqe pas faqeje.

Autori Skender Temali, tashmë i njohur për trajtimin e temave të ditës e sidomos të fatit të intelektualit shqiptar në këtë periudhë të vështirë tranzicioni, përmes kësaj novele ka arritur të hedhë më shumë dritë tek e ardhmja, e përfaqësuar nga një grup vajzash dhe mësuesi i tyre-shkrimtar.
Ata, kush më shumë e kush më pak, guxojnë t'i bëjnë sfidë grupit të vagabondëve, duke e prezantuar veten edhe si bij të së ardhmes.
Linja e dashurisë, mes Odetës dhe Fisnikut, edhe pse fluide, është shpresë e dashuri më tepër për të nesërmen.

Libri "Nesër do të them mirëmëngjes" i shkrimtarit Skender Temali është botim i Shtëpisë Botuese "Shtjefni" në Shkodër dhe ka për redaktor Nikolla Spatharin.


KEPUCET E TURPIT

Në vitin 2002, Enti Botues Poligrafik "Gjergj Fishta" boton vëllimin me tregime te Skender Temalit, "Këpucët e turpit", që ka për redaktor shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur, Nikolla Spathari.

Në këtë vëllim autori ka përfshirë 8 tregime, tematika e të cilëve fokuson jetën e përditshme shqiptare dhe në mënyrë të veçantë atë të rinisë e të intelektualit në udhëkryqet e jetës.

Titullin vëllimi e ka marrë nga tregimi me të njëjtin titull, me të cilin autori pat fituar çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të shoqatës së artistëve dhe shkrimtarëve "Cristalide" në Padova të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga Italia dhe shumë vende të botës. Juria e këtij konkursi për tregimin e "shkrimtarit Temali nga Shqipëria" është shprehur se "…ai është një tregim thesar për dy arsye themelore: thjeshtësinë e leksikut dhe dramën psikologjike". Ky tregim ka njohur disa botime brenda e jashtë vendit. Meqë ai është në formatin e tregimit-sintezë, po ua paraqesim:


ISHTE NJE LAJTHISHTE

Po në vitin 2002, Enti Botues Poligrafik "Gjergj Fishta", do të botojë poemën për fëmijë të Skënder Temali, "Ishte një lajthishte", me ilustrime nga Brikena Berdo.

Me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për fëmijët, autori, përmes një subjekti sa interesant e aq tërheqës, i ka thyrur hymne dashurisë për nënën dhe për atdheun, si dy nga dashuritë më të patjetërsueshme për shqiptarin.



"BALLO NE MBRËMJEN E MATURËS"


Pas gati dy dekadash që nuk kishte publikuar asnjë libër, shkrimtari Skender Temali i jep lexuesit në vitin 2001 vëllimin me novela "Ballo në mbrëmjen e maturës".

Në 172 faqet e librit janë përfshirë tri novela: "Ballo në mbrëmjen e maturës", "S'kishte si të ndodhte ndryshe" dhe "Shkretëtira e shpirtit".

Në të tri novelat bie në sy përpjekja e shkrimtarit për të dhënë lëvizjet e kohës që jetojmë përmes lëvizjeve shpirtërore, pasurimit e varfërimit të botës së brendshme të njeriut, me tendencë-lirinë e individit.

Analiza psikologjike që shkrimtari i bën tek novela e parë "Ballo në mbrëmjen e maturës", Zhulit, tregon se shkrimtari ka arritur të depërtojë në botën e brendshme shpirtërore të një gruaje, e cila duke mbrojtur dashurinë e saj kërkon të mbrojë familjen. Ndonëse titulli duket se ka të bëjë me maturantët, në të vërtetë, në festën e pasprovimeve të tyre, provim ka dhënë ndërgjegja e bashkëshortit të Zhulit-kësaj mësuesje model morali, që tradhtitë e të shoqit i beson dhe s'i beson, i përjeton thellë deri në pejzat e shpirtit të saj të ndjeshëm. Më pas...lexojeni këtë novelë e dy të tjerat, me besimin se do të gjeni ngjarje e përjetime të ngjashme nga jeta juaj e përditshme.


KJO NDODHI NË LIS



Është romani i parë i shkrimtarit, i botuar në vitin 1982, nga shtëpia botuese "Naim Frashëri"-Tiranë, me redaktor shkrimtarin e mirënjohur, Dhimitër Xhuvani.

Ky roman, ka fokosur ngjarje të një rrethine të Shkodrës, vendlindja e autorit, në vitet e Luftës së II Botëërore. Rreth personazhit kryesor, ilegalit e më pas partizanit Nuri Martina, autori ka pranëvënë të tjerë personazhe, të ndarë preras në dy kampe: pushtues nazifashistë e bashkëpunëtorë të tyre dhe luftëtarë lirie. Ngjarjet shkojnë deri në ditët e para të pasçlirimit, ku zbulohet qartë edhe fytyra e tradhtisë.

Romani është botuar në një tirazh prej 10.000 kopjesh.


KËNGË CIGANE

Pasi kishte botuar disa cikle poetike tek faqja letrare e gazetës "Zëri i Rinisë", gazeta "Drita" e revista letrare "Nëntori", poeti Skender Temali prezantimin e parë me vëllimin me vjersha e poema "Këngë cigane" e bëri në vitin 1971, 40 vjet më parë, duke u renditur krahas me poetë të tjerë bashkëkohës që lanë gjurmë me botimet e tyre të para poetike. Vëllimi është botim i shtëpisë botuese "Naim Frashëri" në Tiranë dhe ka pasë për redaktor poetin Agim Shehu. Rreth tij janë botuar shkrime kritike në gazetën "Drita", "Jeta e re" dhe në Kosovë.
Poezitë dhe dy poemat shquhen për lirizëm spontan, origjinalitet e mendim. Rrethi tematik i tyre ka një diapazon të gjërë dhe e fut lexuesin në atmosferat jetike të kohës. Si rrallë në vëllimet e botuara asokohe, i ka shpëtuar syrit të çensurës poezia "Puthjet". Ka dy poezi për Kosovën, edhe këto të rralla në vëllimet poetike.

Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...