Lindi në qytetin e Gjirokastrës më 16 Janar 1936, në një familje të nderuar gjirokastrite. Shkollën shtatë vjeçare e mbaroi në qytetin e lindjes. Shkollën e mesme dhe të lartë i kreu në Tiranë. Në vitin 1960 mbaron me diplomë të shkëlqyer Fakultetin e Mjekësisë dhe emërohet Pedagog në Klinikën e Neurologjisë të Fakultetit Mjekësisë Tiranë. Po atë vit, me kërkesë të Rrethit Gjirokastër, transferohet si mjek okulist në rrethin e Gjirokastrës.
Ngriti të parin repart të okulistikës në spitalin e Gjirokastrës, që u shërbeu edhe rretheve, Sarandë, Tepelenë dhe Përmet. Shërbimi okulistik i Gjirokastres arriti suksese dhe u vlerësua një nga shërbimet më të mira në vend, nga populli dhe nga organet derjtuese të kohës. Doktor Adem Harxhi ishte anëtar i Komisionit Qendror Kombëtar të Okulistikës. Ai ka gëzuar dashurinë e popullit dhe të pacientëve të shumtë.
Në vitin 1969, emërohet drejtor i spitalit të Gjirokastrës, duke ushtruar njëkohësisht edhe detyrën e mjekut okulist. Për afërsisht dy dekada ai drejtoi spitalin. Gjatë kësaj kohe, rezultatet e spitalit të Gjirokastrës ishin shumë të larta në shërbimin ndaj të sëmurëve. Në të gjitha repartet, vazhdimisht, futeshin metodat më të reja të mjekimit dhe diagnostikimit. Puna mjekësore u organizua në atë mënyrë, që e rriti shumë shërbimin dhe rriti ndjenjën e përgjegjësisë të mjekëve dhe personelit tjetër, të cilët ndjeheshin të vlerësuar dhe respektuar. U rrit shumë aktiviteti shkencor në spital, u organizuan shumë sesione shkencore dhe mjekët filluan të punonin që të merrnin grada shkencore.
Gjatë viteve që Dr.Adem Harxhi ishte drejtor spitali, me përpjekjet dhe insistimin e tij në organet e pushtetit lokal dhe Qendror, u siguruan investime shume të mëdha për institucionet shëndetësore në Gjirokastër. U krye rikonstruksioni e thellë i spitalit duke shtuar një kat të ri. U ndërtua Materniteti i Ri në oborin e spitalit dhe u rikonstruktua thellësisht poliknika e Qytetit, e cila u bë një shembull i bukur , për të treguar si mund të rruhen vlerat kulturore të shtëpive gjirokastrite, duke i rikonstruktuar për shërbime të rëndësishme publike. Në këtë punë një kontribut të veçantë kanë ingjinerët Luarasi, N.Panajoti, A.Doraci dhe S.Mantho.
Për shumë vite, Dr Adem Harxhi, ka qenë pedagog i Fiziologjisë dhe Anatomisë në degët e “Biologjisë” dhe në atë të “Ciklit të Ulët”, të Universitetit “Eqrem Çabej” Gjirokastër.
Gjatë jetës së gjatë si mjek dhe si punonjës në fushën e organizimit shëndetësor, Dr. Adem Harxhi ka botuar dhe referuar shumë artikuj në shtypin e vendit dhe atë të huaj. Ka referuar shumë tema shkencore në sesionet shkencore, kudo nëpër rrethet e Shqipërisë.
Në vitin 1985, emërohet mjek pranë Ambasadës së R.P.Sh në Budapest, ku është dalluar për një shërbim të mirë ndaj të sëmurëve shqiptarë që trajtoheshin jashtë shtetit. Pas kthimit prej Budapestit në vitin 1990, punoi si mjek okulist ne rrethin e Sarandës, ku shërbimi i okulistikës ishte mbyllur. Në vitin 1993 dolli në pension dhe si shtetas amerikan (babai i tij kishte emigruar në Amerikë në vitin 1916 dhe kishte shtetësi amerikane që nga viti 1927) shkoi familjarisht në Sh.B.A. Duke qenë larg, ai vazhdonte të interesohej për vendin e tij, ku punoi dhe jetoi rreth gjashtëdhjetë vjet.
Në vitin 1994 , së bashku me Prof. Skënder Kodra dhe Prof. Ulvi Vehbiun, ishin inisiatorë për të kërkuar nga shteti i New Yorkut lejen për të themeluar të parën Akademi Shqiptaro – Amerikane të Shkencave. Pas aprovimit të kërkesës së tyre, Dr. Ademi është zgjedhur dhe vazhdon të jetë Nënkryetar i kësaj Akademie dhe Kryeredaktor i revistes së Akademisë “Dituria”,
Në vitin 2000, botoi librin “Janë Sytë e Tu”. Një libër shumë i vlefshëm me karakter shkencor popullor. Operacionet me LASIK për heqjen e syzave, kishin filluar të aplikoheshin tre vjet më parë në Amerikë. Në libër tregohej për teknikën e operacionit dhe çfarë duhej të diskutonin me doktorët, para operacionit, pacientët shqiptarë. Ky libër është vazhdim i interesimit të tij për sytë e të rinjve shqiptarë. Në vitin 1966, në Revistën “Mësuesi” të Ministrisë së Arsimit, Dr. A.Harxhi kishte publikuar e studimit shkencor, “Mbi Pamjen e Shkollarëve në Gjirokastër”
Edhe pse në pension, Ai, gjeti mundësinë të punojë në një fushë që ka qenë pasioni i tij i vjetër, në fushën e seksualitetit dhe seksit. Kjo fushë ka zgjuar interesin e tij, sepse si mjek dhe humanist, ai e dinte se jeta e shumë bashkatdhetarëve të tij, kishte humbur shumë nga kualitetet e saj, si pasojë e injorancës seksuale që zotëronte në shoqërinë shqiptare.
Në vitin 2002 , pas një studimi disa vjeçar dhe duke përfituar nga eksperienca e disa prej klinikave më të mira të seksterapisë në Amerikë, Dr. Adem Harxhi shkroi traktatin “Seksualiteti dhe Seksi”. Me insistimin e tij, duke i rezistuar një opinioni tepër restriktiv në fushën e seksualitetit, u angazhua në edukimin seksual të njerëzve. Në këtë vit, ai filloi në “GjeliVision” një program televiziv për edukimin seksual me pyetje direkte. Emisioni u ndoq me shumë interes nga publiku, por edhe me kundërshtime nga konservatorët.. Në këtë mënyrë, Dr. Adem Harxhi u bërë pionier në fushën e edukimit seksual në Shqipëri. Këtë punë e ka bërë me përkushtim. Ai ngriti në Tiranë shoqatën “Respekt, për problemet seksuale”, që synon edukimin seksual të njerëzve, veçanërisht, të rinisë. Ideja për të ngritur këtë shoqatë i lindi nga interesimi i madh i publikut shqiptar për të mësuar më shumë në këtë fushë, që për shoqërinë tonë ka qenë një tabu.
Në vitin 2003, botoi librin “Fëmijët Duan të Dinë për Seksin”. Në këtë libër gjenden përgjigjet për rreth dyqind pyetje, që prindërit dhe fëmijët i kanë drejtuar doktorit. Ky libër është një ndihmë e paçmuar për fëmijët, prindërit e tyre, si dhe për arsimtarët.
Ne vitin 2011, botoi librin “Në sinkron me natyren”. Në këtë libër Dr. Adem Harxhi u jep përgigje shumë pyetjeve që lidhen me influencën e jetës seksuale të shëndetshme, mbi shëndetin e grave, vecanërisht, në luftën kundër kancerit të gjirit dhe të organeve të tjera gjenitale të gruas.
Janë shumë të njohura emisionet e tij në “Linja e Kuqe”, që Dr Harxhi i zhvilloi me pyetje direkte nga shikuesit, tre herë në javë, në orët e vona të natës në Televizionin shumë të djekur “News24”, të Tiranës.
Që nga Tetori i vitit 2009, me kërkesë të Kryeredaktorit të gazetës “Shekulli”, Z. Adrian Thano, çdo të Shtunë dhe të Diel, Dr. Adem Harxhi, ka shkruar artikuj lidhur me edukimin seksual në gazetën “Shekulli” dhe më pas në gazetën “Dita”, si dhe në revista e gazeta të tjera, ku vazhdon të shkruajë edhe sot. Në këto shkrime trajtohen probleme të jetës seksuale dhe jepen përgjigje për pyetjet e lexuesve. Punët e Doktor Adem Harxhit në fushën e seksologjisë kanë ngjallur interes shumë të madh. Shumë gazeta dhe emisione televizive kanë shkruar dhe intervistuar Dr. Adem Harxhin.
Punët e Dr.A.Harxhit për problemet seksuale, kanë tërhequr vëmendjen e shumë medieve të huaja. Kështu në datën 25 Shkurt 2003, revista? “ War and Peace Report” shkruante një artikull shumë të gjatë mbi punën e Dr. Ademit. Në Mars 2003, gazeta “Variete” shkruante për punët e tij për edukimin seksual. Në 16 Qershor 2003 një artikull të gjatë shkroi gazeta “The Times” e Londrës, e cila e quante Dr. Adem Harxhin si Dr. Ruth-in e Shqipërisë.
Në vitin 2004, një ekip i Televizioni Qendror të Lubljanës, Slloveni, erdhi në Tiranë dhe realizoi një emision televiziv me Dr. Adem Harxhin për problemet e seksit, si një eksperiencë e vlefshme për Slloveninë, që në atë kohë nuk e realizonte dot një program të tillë. Kontributi i Dr. Adem Harxhit në fushën e edukimit seksual është i shquar dhe me shumë vlera, ndaj ai vendosi të hape blogun http://www.seksologu.com
,për t’u dhënë mundësi sa më shumë të rinjve të përfitojnë nga mësimet e tij shumë të vlefshme në këtë fushë, ku ai është një pionier.
Gjate gjithë kohes Dr. Adem Harxhi ka qene aktiv ne shtypin e Tiranës, për problemet më të mprehta sociale të kohës. Artikujt e tij të karakterit social, janë pritur me shumë interesim nga lexuesit. Edhe pse në moshë të kaluar, ai vazhdon intensivisht të punojë dhe ka në dorë disa libra të cilat do të botohen së shpejti.
Dr. Adem Harxhi ka qënë një doktor i dashur për të gjithë shqipëtarët dhe veçanërisht për popullin e Gjirokastrës dhe të katër rretheve të jugut. Populli i Gjirokastrës e kujton me dashuri dhe respekt doktor Adem Harxhin për punën që ka bërë në dobi të tij. Nga ana e tij, doktor Ademi, vazhdimisht, e ka treguar në punët e tij, se është i nderuar që është djalë i Gjirokastrës dhe një pjesë të madhe të sukseseve të tij ia detyron Gjirokastrës dhe gjirokastritëve, sepse Gjirokastra dhe gjirokastritët, ashtu siç ka shkruar ai, janë një Universitet i Qytetarisë për çdo djalë që ka lindur, është rritur dhe ka punuar në këtë qytet të dashur. Ai e ka patur gjithmonë për nder ta quante veten gjirokastrit, kudo që ka qenë dhe ka punuar. Kënga që ai dëgjon më shpesh është kënga e këngëtorit gjirokastrit Petrit Lulo “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”
Në Tetor të vitit 2015 Këshilli i Qytetit Gjirokastër, në një ceremoni shumë të bukur, midis shumë qytetarëve gjirokastritë dhe punonjësve të spitalit të Gjirokastrës, e shpalli Dr. Adem Harxhin “Qytetar Nderi” të Gjirokastrës. Ky vlerësim i qytetit të lindjes e emocionoi dhe e gëzoi shumë Dr. Ademin. Në fund të ceremonisë Dr. Ademi u dhuroi të gjithë pjesëmarrësve, librin e sapo botuar me ese,“Tim Biri I”. Ky libër që përmban mbi 60 ese me karakter letrar, është rezultat i punës pesëdhjetë vjeçare të doktorit. Shënimet që ai ka mbajtur me shumë kujdes nëpër vite, eksperienca e madhe kudo ku ka punuar dhe jetuar, si mjek dhe qytetar, është reflektuar në këtë libër me mjeshtëri artistiko-letrare. Ky është libri i tij i parë artistik, të cilin e shkroi në moshën 80 vjeçare. Libri është pritur mirë nga lexuesit e shumtë dhe nga kritika. Ai ka nëpër duar librin e dytë me ese, me të njëjtin titull “Tim Biri II”, i cili do të dalë së shpejti në qarkullim.
***
Libra të Dr. Adem Harxhit të botuara:
“Janë Sytë e Tu”. Tiranë 2000
“Seksualiteti dhe Seksi”, Tiranë 2002
“Fëmijët Duan të Dinë për Seksin” , Tiranë 2003
“Në Sinkron me Natyrën” Tiranë 2011
“Tim Biri I”, Tiranë 2015
Libra të përfunduara, por të pabotuara për arsye financiare:
“HIV/AIDS dhe te Rinjte”, shperndarë në Internet.
“Seksi Është Gëzim”, Një libër për të rinjtë.
“Të Mësojmë për Trupin, të Mësojmë për Seksin” , Një liber për shkollarët
“Që ti të Jesh një Grua”, një libër socio-seksual për gratë.
“Jeta Seksuale e Mirë, Është Shëndet i Mirë”
Libra në përfundim:
“Mjekët” , Një libër me ese të përkthyera nga mjekë të shquar
“Tim Biri II” , Libër me ese.
‘Nëpër Xhunglën Seksuale” Përmbledhje artikujsh për seksin.
***