Sejdi (Bajram) BERISHA u lind me 10 qershor 1947.
Që në shkollën fillore, filloi të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen te gazeta “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, te “Pionieri” dhe te “Rilindja për fëmijë”.
Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën studentore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.
Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, përkatësisht në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së (Radiotelevizionit të Prishtinës).
Gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë. Ka raportuar nga manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës. Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.
S. Berisha, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.
Sejdi BERISHA është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.
S. Berisha, deri me tash ka botuar dyzetë e një vepra:
”Kombinati i lëkurë-këpucëve në Pejë”(monografi, 1984);”Tronditje” (poezi, 1991);”Çmendia në rreth” (prozë, 1993);”Feniksi” (poezi, 1993);”Simfoni pritjeje” (poezi, 1995);”Zejtarët e Pejës” (monografi, 1995);”Gabim stinësh” (poezi, 1996):“Në cep koha” (poezi, 1997);”Vrasësi i gjumit” (roman, 1999);”Heraldika” (poezi, 2000);”Lumturia e dhembjes (eseistikë, 2002);”Freskia e pluhurit” (poezi, 2002);”Piramida e ironisë” (eseistikë, 2004);”Plagë në pikturë” (poezi, 2005);”Fjala e gjakut” (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares-2006);”Shpërputhje kohe’ (ese, shkrime kritiko-letrare,vështrime jete, 2006);”Kaq shumë vetmi’ (poezi të zgjedhura-2007);”Dashuro një minutë” (poezi dashurie-2007);”Homazhe tek mendja” (eseje-2008);”E bukura e rrugëtimit” (këndvështrime letrare-2008);”Fjalë e pathënë (poezi-2009);”Zejtarët e Pejës” (monografi-Botimi i Dytë - 2010);”Kërkoj dhembjen time” (poezi-2011);”Mallkimi i heshtjes” (Shkrime refleksive-2011);”Teatri i Pejës” (monografi-2012);”Vargje të këputura” (poezi-2012);”Përtej shkrimit” (Shkrime të plasura,baladë shkrimesh, kujtime, mendime, vlerësime dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për mua) (2013);”Gjethet e hirta të zemërimit” (poezi-2014);”Në lumë bie shi” (poezi-2015);”Konflikti me vetveten” (Ese & shkrime të tjera-2016);”Gërshetimi krijues dhe urat letrare”(Analiza dhe këndvështrime letrare-2016);”Kthim në shtëpinë që nuk ekziston” (Poezi të përkthyera në gjuhën greke-2016-Επιστροφη στο σπιτι που δεν υπαρχει (Ποιήματα);”Varrtarët kush do t’i varrosë” (poezi-2017); “Zejtarët e Pejës”, roli dhe kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe kulturor (Monografi) - Botimi i Tretë(2017);”Peizazh i jetës sime” (poezi-2018);”Njeriu ‘pa’ vendlindje” (Thjeshtë, dhembja dhe lumturia e jetës bashkë), libër autobiografik(2019); ”Ofelia* nuk kthehet më...”-Poemë, baladë apo gjerdan ironie- (Poezi-2019); ”Valsi i kuq” (dramë-1976); “Vdekja e bardhë” (monodramë-1985);”Misteria” (monodramë-1987); dhe, “Obelisku pa adresë” (dramë-2005).
Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002, disa herë ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu, ka qenë anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe për një kohë të shkurtër edhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG-së) në Pejë.
Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, që u organizua më 24 nëntor 2011-30 nëntor 2011, u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar i vitit”. Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë me 26 gusht 2012, u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë.
Në Takimet e Para Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë, më 08 shtator 2009, u nderua me Çmimin e Parë për poezinë më të mirë të lexuar në këtë manifestim letrar kombëtar.
Është fitues i Çmimit “Din Mehmeti”, në Mitingun e 50-të Jubilar të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi, “Gjethet e hirta të zemërimit”, si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve(09 maj 2014).
Është i prezantuar në Antologjinë e autorëve të cilët u kanë kushtuar vargje nënave dhe femrave të botuar në Londër, pastaj në Antologjinë Ars Poetika, Botues MEDAUR.
S. BERISHA, është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin e botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në vitin 2018.
Ai është i prezantuar edhe në Antologjinë e Bibliotekës së Prizrenit, “Nga gjerdani kombëtar”, e cila është botuar me rastin e 70-vjetorit të kësaj biblioteke, e cila është më e vjetra në Kosovë, e në të cilën antologji janë prezantuar shtatëdhjetë krijues të përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.
Kurse, poezia e tij e botuar në këtë Antologji, është shpallur poezia më e mirë e botuar në këtë vepër. Po ashtu, me krijimet e veta është i përfshirë edhe në Antologjinë “Antologji e Poezisë Moderne Shqipe”-2014 dhe në librin “Krijuesit e zgjedhur kombëtarë” etj.
Është fitues i Çmimit “Vendi i Parë” për poezinë më të mirë të lexuar në Takimet e VI-ta Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë (09 shtator 2014).
Ndërsa, në po këto takime, në shtator të viti 2016, libri i tij me poezi “Në lumë bie shi” u shpall libri më i mirë i botuar ndërmjet dy takimeve. Kurse, Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI”-ALBANIA, shkrimtarin dhe publicistin Sejdi BERISHA, e shpalli “Poet i vitit 2016” (Për Kosovë).
Kurse, Gazeta e Alpeve “Tropoja” e ka nderuar me “Çmimi i Karrierës”, për kontributet e tij plot arritje e vlera me botimet publicistike e letrare në Gazetën e Alpeve “Tropoja” dhe në masmedie të Kosovës, Diasporës e Kombit Shqiptar (Vendimi nr. 121, 26 prill 2019).
Është një prej hartuesve të Antologjisë të Poetëve të Malësisë së Gjakovës (2014).
Ndërsa, në Takimet ndërkombëtare “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti me vlera të larta shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike, u nderua me bustin e DEA-Hyjnesha në Fron e Butrintit (Sarandë, 27 shtator 2014). Kurse, në Festivalin Ndërkombëtar të Monologut “Art pa kufij” që u mbajt në Sarandë (08-10 maj 2015), monologu nga monodrama “Obelisku pa adresë”, të cilin e interpretoi aktori, Ismet Krasniqi Lala, u nderua me Çmimin e Parë të festivalit. Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.