Masar Stavileci, ka qenë profesor në Kolegjin AAB dhe Rektor i parë i tij.
Ka mbaruar Normalen në Prishtinë dhe studimet universitare në Universitetin e Beogradit( dega e frëngjishtes). Një kohë punoi gazetar në gazetën “Rilindja”, prej nga pas mbarimit të studimeve pasdiplomatike u zgjodh ligjërues në Fakultetin e atëhershëm Filozofik, në degën gjuhë e letërsi frënge.
Gjatë viteve që punoi në “Rilindje” si gazetar, shkroi e botoi vështrime e ese letrare për vepra e autorë frëng, por edhe shqiptarë, ndërsa është edhe përkthyes i disa veprave nga gjuha frënge në shqip. Kujtohet për kulturën gjuhësore dhe kujdesin deri në fanatizëm të zbatimit të standardit të gjuhës bashkëkohore shqipe.
Ka specializuar në Universitetin e Zagrebit dhe të Sorbonës, në Paris. Ka mbrojtur magjistraturën në Zagreb. Ka bërë kërkime të gjata shkencore të doktoratës kryesisht në Paris e në Tiranë. Ka mbrojtur doktoratën në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës. Ka qenë dhe profesor i këtij universiteti deri me 2003.
Masar Stavileci ka botuar një numër të konsiderueshëm vështrimesh, kritikash e studimesh letrare në gazeta e revista të specializuara në Kosovë , në Shqipëri, në Francë, në Angli, si dhe në disa nga republikat e ish- Jugosllavisë. Ka marrë pjesë në kongrese, simpoziume, sesione dhe projekte shkencore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Është marrë dhe me përkthime letrare nga gjuhët e huaja në shqip. Ka bërë përkthimin e romanit “Neveria” të filozofit dhe të shkrimtarit të madh francez Zh.P. Sartre.
Punimet e tij janë botuar nëpër revista të njohura shkencore e letrare të Kosovës dhe në qendrat e republikave të ish-Jugosllavisë, në Shqipëri, Francë.
Ishte pjesëmarrës në shumë kongrese, simpoziume dhe bashkautorë në projekte nga fusha e artit të letërsisë brenda Kosovës dhe jashtë saj.
Ka botuar dhe disa vepra, prej të cilave po përmendim:
”Iluminizmi në Letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Prishtinë, 1990;
“Tema letrare franceze”, Prishtinë, 1996;
“Apologji e Çështjes Shqiptare”, Prishtinë, 1998;
“Iluminizmi shqiptar”, bot. II; Tiranë, 2000,
“Elemente të stilistikës letrare” , Prishtinë, 2005;
” Apologji e Çështjes Shqiptare”, bot. III, në 100-vjetorin e Pavarësisë, Tiranë, 2012.