Nebih Bunjaku lindi më 15 maj 1947 në fshatin Poliçkë të Dardanës, ku kreu ciklin e ulët të fillores, kurse, pas shpërnguljes nga vendlindja dhe vendosjes në Malishevë të Gjilanit, pas tri vitesh pauze, kreu tetëvjeçaren.
Në Gjilan kreu shkollën e mesme ekonomike, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i mbaroi në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Më 1960 familja u vendos në Prishtinë.
Si student filloi karrierën arsimore shkollën fillore në Banjën e Siarinës, në Gjimnazin e Dardanës, në Shkollën Teknike të Gjilanit, në Shkollën fillore të Banullë-Gllogofcit, në Gjimnazin e Lypjanit, në Shkollën Teknike të Kastriotit.
Nga fundi i shtatorit 1991, si kryetar i një Komisioni votues për mbajtjen e Referendumit për Pavarësinë e Dardanisë, u burgos dhe u dënua me 60 ditë burg të cilin e mbajti në Prishtinë.
Më 1993 lidhi marrëdhënie pune me Gjimnazin e Filologjisë “Eqrem Çabej” në Prishtinë, ku ligjëroi letërsi shqipe dhe botërore. Pas tri vitesh u zgjodh drejtor i këtij gjimnazi dhe punoi gjerë në çlirimin e vendit.
Gjatë punës shumëvjeçare në arsim mbi 20 herë mori mirënjohje për punën profesionale, por edhe për aktivitete të ndryshme kulturore.
Në këtë gjimnaz nxori revistën “Filologu i Ri”, ku botoheshin poezi në shqip, anglisht dhe gjermanisht.
Nebih Bunjaku, jo vetëm që ishte njëri nga organizatorët e Protestës së Maturantëve të Prishtinës kundër dëbimit të nxënësve shqiptarë nga objektet e tyre shkollore, që u mbajt më 1998, por doli në ballë të saj në zemër të Prishtinës.
Më 28 Nëntor 1998, të ftuar nga sektori i Kulturës së UÇK-së, Grupi i Recituesve “Lasgush Poradeci” në këtë përbërje: Valmirë Çitaku, Shpëtim dhe Berat Hyseni, Venera Dërvodeli, Krenare Thaçi, Genc Jaha, Vlorë Durmishi dhe Liridonë Krasniqi, në krye me drejtorin Nebih Bunjaku, profesorin Muharrem Kastrati, dr. Emin Kabashi, Flora Brovina, Misim Fidani dhe dy të tjerë, nëpër flakë të luftës dhe shtigjeve ilegale arritën në Prekazin heroik, ku për nder të Ditës së Flamurit, Ditëlindjes së Komandantit Legjendar – Adem Jasharit dhe Betimit të ushtarëve të rinj, jehonin malet nga deklamimi i vargjeve të “Poem Kosovar” të Mitrush Kutelit: “Jam Shqiptar/ E kosovar/ Zot e bujar/ Mbi këtë Dhe/ Ç’e kam si fe/ e përmbi fe/ E kam Vatan/ E kam Atdhe...”
Krahas veprimtarisë edukativo-arsimore, u mor edhe me krijimtari letrare dhe bashkëpunoi me shumë gazeta dhe revista shqiptare, ku botoi poezi me motive të ndryshme.
Disa prej tyre janë shpërblyer me vendin e parë, të dytë dhe të tretë në konkurse të ndryshme letrare. Cikle poezish i janë botuar turqisht, anglisht dhe polonisht.
Nebih Bunjaku është prezantuar edhe në disa libra të quajtura antologji.
Përpos poezi, ai botoi edhe shkrime të ndryshme publicistike për shëmbëlltyra të ndryshme shqiptare, si për Mulla Idriz Gjilanin, Lotë Vakun etj. Bunjaku u dallua edhe si lektor i mirë i mbi 300 librave letrarë, publicistikë, shkencorë etj.
Përpos punës me nxënës, Nebih Bunjaku ka botuar edhe këto vëllime poetike:
1.“Dalje nga balada” (1994),
2.“Gramatikë zemre” (2004),
3. “Terapia e dashurisë” (2005),
4.“Një samit për një simit” (2007),
5.“Prushimë buzësh” (2008),
6. “Zemra nuk ka dimër” (2009),
7. “Testamenti i lotit” (2012),
8.“Kopshti i shpirtit”(2013, ribotuar më 2015),
9.“Elegjia e qyqes” (2018),
10. “Nektar shpirti” (2019).